BERLIN – Gjermania vazhdon eksportet ushtarake drejt Izraelit përkundër kritikave në rritje
BERLIN, 16 korrik /ATSH-AA/ – Sipas shifrave zyrtare të publikuara, Gjermania ka vazhduar eksportet e saj ushtarake drejt Izraelit në muajt e fundit pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në Gaza.
Qeveria gjermane konfirmoi se ka miratuar pajisje ushtarake dhe armë me vlerë 250,5 milionë euro për Izraelin midis 1 janarit 2024 dhe 26 qershorit 2025.
Sipas shifrave zyrtare, licencat e miratuara të eksportit kanë arritur në 161,1 milionë euro në vitin 2024 dhe 28 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2025.
Qeveria i publikoi këto shifra në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë e opozitës, e cila bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të eksporteve të armëve për Izraelin.
Gjermania ka qenë prej kohësh mbështetëse e fortë e Izraelit, me udhëheqës politikë që vazhdimisht përmendin përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit të rrënjosur në të kaluarën naziste të Gjermanisë dhe Holokaustin.
Eksportet e armëve në Izrael u pezulluan për një kohë të shkurtër vitin e kaluar kur Nikaragua ngriti padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke akuzuar Gjermaninë për bashkëpunim në gjenocidin në Gaza.
Zyrtarët gjermanë më vonë rifilluan eksportet duke argumentuar se kishin marrë garanci me shkrim nga Izraeli në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar. Ata gjithashtu përmendën kërcënimin e paraqitur nga Irani si justifikim tjetër për rifillimin e dërgesave të armëve.
Që kur Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza në vitin 2023, më shumë se 58.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100.000 të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Izraeli aktualisht përballet me një padi për gjenocid në GJND për veprimet e tij në Gaza, ku të paktën 1,9 milion palestinezë mbeten të zhvendosur dhe vuajnë nga mungesa të mëdha ushqimi, furnizimesh mjekësore dhe artikujsh të tjerë thelbësorë. /os/
The post BERLIN – Gjermania vazhdon eksportet ushtarake drejt Izraelit përkundër kritikave në rritje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.