Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 July 2025Main stream

Izraeli dhe SHBA bojkotojnë samitin për zgjidhjen e konfliktit në OKB

By: Rovena
29 July 2025 at 11:50

Në New York, në ambientet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u zhvillua një samit ndërkombëtar i fokusuar në zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Mungesa e përfaqësuesve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dy aktorëve kryesorë në këtë proces, nxori në pah tensionet e thella diplomatike që vazhdojnë të pengojnë dialogun. Samitin e organizuan së bashku Franca dhe Arabia Saudite, duke mbledhur delegacione nga 125 vende.

Edhe pse pa pjesëmarrjen e Izraelit dhe SHBA-së, diskutimet u përqendruan në çështjet më delikate, duke përfshirë kufijtë, sigurinë, statusin e Jerusalemit, të drejtat e refugjatëve dhe bashkëpunimin ekonomik. Për t’i adresuar këto tema, u formuan tetë grupe pune, ndërsa u prezantua një platformë e re diplomatike për të rivitalizuar dialogun e pezulluar prej muajsh.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara reaguan ashpër ndaj këtij samiti. Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e përshkroi mbledhjen si një “tërësisht të larguar nga realiteti”, duke theksuar se prioriteti duhet të jetë lirimi i pengjeve dhe shkatërrimi i Hamasit. Ndërkaq, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit amerikan, Tammy Bruce, e cilësoi samitin një “lojë propagandistike” që minon përpjekjet diplomatike aktuale për paqe.

Në anën tjetër, përfaqësuesit francezë dhe sauditë theksuan rëndësinë e njohjes së shtetit palestinez si një hap kyç drejt zgjidhjes së konfliktit dhe bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Ata dënuan fuqishëm humbjet e pafajshme civile dhe shkatërrimet që po shkakton lufta, duke kërkuar ndërhyrje urgjente humanitare.

Ky samit përfaqëson një përpjekje ndërkombëtare për të rikthyer perspektivën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës, edhe pse sfidat dhe mungesa e unitetit mes aktorëve kryesorë mbeten pengesa të mëdha./abcnews.al

Keir Starmer: I përkushtuar për paqe në Gaza dhe zgjidhjen me dy shtete

By: Rovena
29 July 2025 at 11:35

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të thërrasë të martën një mbledhje urgjente të kabinetit për të diskutuar një rrugë drejt paqes në Gaza, ndërsa rriten kërkesat për njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez.

Sipas agjencisë DPA, Starmer ka ftuar ministrat e lartë të qeverisë, edhe gjatë periudhës së pushimeve verore, për të zhvilluar një takim të veçantë lidhur me situatën në Gaza.

Zyra e kryeministrit bëri të ditur se gjatë një takimi në Skoci me presidentin amerikan Donald Trump, Starmer ka ndarë planet që po harton në bashkëpunim me Francën dhe Gjermaninë, me qëllim “të sjellë një paqe të qëndrueshme”. Në ditët në vijim, ai pritet të ndajë detaje të mëtejshme të këtij plani edhe me shtetet arabe dhe aleatë të tjerë.

Starmer po përballet me një presion në rritje, si nga një pjesë e Partisë Laburiste ashtu edhe nga opinioni publik, për njohjen e menjëhershme të shtetit palestinez.

Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit theksoi se: “Këtë javë, kryeministri është i fokusuar në gjetjen e një rruge drejt paqes, që përfshin ndihmën e menjëhershme për civilët në terren dhe një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. Është e qartë për ne se njohja e shtetit palestinez është çështje kohore, jo nëse do të ndodhë, por duhet të bëhet pjesë e një procesi më të gjerë që siguron siguri afatgjatë për palestinezët dhe izraelitët.”

Sipas raportimeve të gazetës britanike The Telegraph, Starmer pritet të publikojë së shpejti hapat që do të çojnë drejt njohjes zyrtare të Palestinës nga Britania, si dhe të diskutojë përpjekjet britanike për të ndihmuar në ndalimin e urisë në Gaza.

Gjithashtu, The Telegraph raporton se rreth një e treta e deputetëve të Partisë Laburiste kërkojnë njohjen e menjëhershme të Palestinës, ndërkohë që Starmer mund ta kushtëzojë këtë njohje me arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza./abcnews.al

 

Kancelari Merz: Urë ajrore me ndihma për Rripin e Gazës

By: Rovena
29 July 2025 at 09:37

Ditët e fundit për herë të parë në Rripin e Gazës po mbërrinnë sërish sasi të mëdha ndihmash për popullsinë e rrezikuar nga uria. Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e konsideron këtë një hap të parë dhe do që në bashkëpunim me vende të tjera të krijohet një urë ajrore për transportimin e ndihmave. Qeveria e Gjermanisë në sfondin e gjendjes emergjente humanitare do të krijojë një urë ajrore për dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës. Kancelari Friedrich Merz deklaroi pas një mbledhjeje të kabinetit të sigurisë në kancelari, se kjo nismë do të zbatohet bashkë me Jordaninë.

Edhe Franca dhe Britania e Madhe, sipas tij, janë të gatshme ta mbështesin urën ajrore për ndihma me ushqime dhe materiale mjekësore. Kjo, tha ai, është në fakt vetëm “një ndihmë e vogël” për njerëzit në Gazë, por një kontribut që qeveria do të japë. “Ne duam që sa më shpejt të jetë e mundur të marrin fund vuajtjet humanitare për popullsinë civile në Gazë”, tha kancelari kristiandemokrat. Lejimin së fundi nga Izraeli për kalimin e autokolonave me ndihma dhe hedhjen e ndihmave nga ajri, kancelari e konsideroi si një “hap i parë i rëndësishëm”. Tani duhet të pasojnë hapa të mëtejshëm, tha Merz. “Izraeli duhet menjëherë të përmirësojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qendrueshme gjendjen katastrofale humanitare në Gazë.”

Jo dëbime dhe jo ankesim

Kancelari ritheksoi kërkesën e qeverisë gjermane për një armëpushim të qendrueshëm. Për këtë Hamasiradikal-islamik duhet të hapë rrugën duke liruar pengjet dhe ulur armët. Ndër personat që vazhdojnë të mbahen peng ka edhe shtetas gjermanë.

Merz i tërhoqi vëmendjen Izraelit, se nuk duhet të ketë dëbime nga Rripi i Gazës dhe as hapa të mëtejshme për aneksim të territorevenë Jordanin Perëndimor. Ndërkohë për qeverinë gjermane nuk shtrohet për vendim një njohje e një shteti palestinez sikurse ka deklaruar Franca. Ky nuk është “një hap i parë, por ndoshta një ndër hapat përfundimtar” në rrugën e zgjidhjes me dy shtete.

Gjermania vazhdon përpjekjet diplomaike në Lindjen e Mesme

Në vazhdim të përpjekjeve diplomatike ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul (CDU) të enjten (31.07.2025) do të udhëtojë për në rajonin e Lindjes së Mesme. Merz do të bisedojë në telefon me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu. Gjithashtu kancelari vuri në dukje, se do të marrë masa për organizimin e “një konference për rindërtimin në Gazë”. Për Gjermaninë ministrja për Zhvillimin Reem Alabali Radovan (SPD) do të jetë koordinatore. Ajo do të koordinohet me partnerët në rajon si dhe me Francën dhe Britaninë e Madhe./DW

Konflikt për motive të dobëta në Korçë/ Arrestohet një person, i plagosuri në spital

By: Rovena
29 July 2025 at 09:18

Mbrëmjen e djeshme, një konflikt mes dy personave ka agravuar në dhunë fizike mes tyre, ku sipas informacioneve ka mbetur i plagosur rëndë një person. Mësohet se sherri ka ndodhur në një nga bulevardet kryesore të qytetit.

Pasi e ka goditur me grushte në fytyrë, autori është larguar nga vendngjarja por është kapur më pas, duke u arrestuar nga komisariati i policisë së Korçës. I plagosuri ka dëmtime në fytyrë dhe mësohet se u dërgua drejt spitalit të Tiranës për ndihmë më të specializuar./abcnews.al

Trump bën thirrje për ndihmë urgjente në Gaza: Çdo grimcë ushqimi duhet të hyjë

By: Rovena
29 July 2025 at 08:54

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, duke deklaruar se Izraeli duhet të lejojë hyrjen e “çdo grimce ushqimi” në këtë territor të rrethuar. Në një deklaratë që shënon një distancim të dukshëm nga qëndrimet e mëparshme, Trump pranoi se situata në Gaza është e rëndë dhe përshkroi fëmijët palestinezë si “shumë të uritur”.

Deklarata e tij u bë gjatë një vizite në Britani, ku për herë të parë ai kritikoi publikisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili më herët kishte mohuar raportimet për uri në Gaza duke i quajtur ato “gënjeshtra të turpshme”.

Nën një presion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar për t’u angazhuar në zgjidhjen e krizës humanitare, Trump e cilësoi Izraelin si “përgjegjës në masë të madhe” për situatën aktuale në Gaza. Ai u shpreh i shqetësuar për raportet që tregojnë se dhjetëra palestinezë kanë humbur jetën nga uria në javët e fundit, ndërkohë që sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të ndihmës, bllokada izraelite ndaj ndihmave humanitare është shkaku kryesor.

“Po shohim fëmijë të uritur, që nuk mund të jetë simulim. Është uri e vërtetë,” tha Trump. “Ne i japim ushqim Izraelit. Dua të sigurohem që ky ushqim arrin në Gaza.”

Ai konfirmoi se kishte kërkuar nga Netanyahu të ndryshojë qasjen e tij ndaj ndihmës humanitare, ndërsa shtoi se SHBA do të ndihmojë në ngritjen e qendrave shpërndarëse ushqimi “pa barriera”, pa dhënë detaje të mëtejshme për zbatimin e këtij plani.

Pavarësisht deklaratave politike, realiteti në Gaza mbetet dramatik. Të hënën, të paktën 25 palestinezë, përfshirë katër fëmijë, u vranë pasi ushtria izraelite hapi zjarr ndaj një turme që po priste ndihma pranë një karvani kamionësh në jug të Gazës. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për incidentin, por autoritetet shëndetësore lokale kanë konfirmuar viktimat.

Sipas agjencive të ndihmës, përpjekjet për të ndalur krizën humanitare janë ende të pamjaftueshme. Martin Penner nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së deklaroi se të gjithë 55 kamionët me ndihma që hynë të hënën në Gaza u plaçkitën nga turmat përpara se të arrinin në depot e destinuara.

Një tjetër zyrtar i OKB-së theksoi se “nuk ka pasur asnjë përmirësim real në terren” dhe se nuk janë hapur rrugë të reja për transportimin e ndihmave.

Të dhënat më të fundit tregojnë se të hënën u vranë të paktën 78 palestinezë, përfshirë një grua shtatzënë dhe foshnjën e saj, e cila lindi pas vdekjes së nënës, por ndërroi jetë pak më vonë.

Në sfond, Britania po përgatit një plan paqeje në bashkëpunim me Francën dhe Gjermaninë, që pritet të diskutohet në një takim urgjent të kabinetit të kryeministrit Keir Starmer. Mbi 220 deputetë dhe disa ministra britanikë kanë kërkuar që Mbretëria e Bashkuar të njohë menjëherë shtetin e Palestinës, në përputhje me qëndrimin e paralajmëruar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Trump, nga ana e tij, e kundërshtoi këtë ide për Shtetet e Bashkuara, por tha se nuk do ta pengonte nëse Britania apo aleatë të tjerë vendosin të njohin shtetin palestinez.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, mbajtur pas një takimi me Starmer në Turnberry të Skocisë, Trump foli edhe për luftën në Ukrainë. Ai shprehu zemërim ndaj presidentit rus Vladimir Putin për sulmet ndaj civilëve dhe paralajmëroi se do të vendosë sanksione të reja ekonomike ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë brenda 10 deri në 12 ditë nëse agresioni nuk ndalet.

“Kur sheh trupa të pajetë nëpër rrugë dhe civilë të vrarë në azile pleqsh, nuk është kjo mënyra për të vepruar,” deklaroi presidenti amerikan./abcnews.al

 

Sulme ajrore ruse në Zaporizhzhia, 16 të vrarë dhe mbi 35 të plagosur në një burg

By: Rovena
29 July 2025 at 08:37

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror rus gjatë natës në rajonin e Zaporizhzhias, në jugperëndim të Ukrainës. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale ukrainase.

Guvernatori rajonal Ivan Fedorov shkroi në aplikacionin Telegram se goditja kishte shkatërruar ndërtesat e një institucioni korrektues (burgu), ndërsa shtëpi private përreth janë dëmtuar rëndë.

Sipas zyrtarëve lokalë, ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse të muajve të fundit në territorin ukrainas.

Në një tjetër sulm të ndarë në rajonin Dnipropetrovsk, katër persona u vranë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur, sipas burimeve nga administrata rajonale.

Fedorov bëri të ditur se forcat ruse kanë lëshuar tetë goditje ajrore në distriktin e Zaporizhias, duke përdorur, sipas tij, bomba ajrore me shpërthim të lartë.

Që prej nisjes së agresionit të gjerë në vitin 2022, forcat ruse kanë sulmuar rregullisht rajonin e Zaporizhzhias duke përdorur dronë, raketa dhe bomba ajrore./abcnews.al

Përmbytje masive në Pekin, 30 të vdekur dhe mijëra të evakuuar

By: Rovena
29 July 2025 at 08:20

Më shumë se 30 persona kanë humbur jetën për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në Pekin dhe rajonet përreth, njoftojnë mediat shtetërore kineze. Ndërkohë, dhjetëra mijëra banorë janë evakuuar nga kryeqyteti.

Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, deri në mesnatën e së hënës, 28 persona kanë ndërruar jetë në distriktin Miyun një zonë periferike e Pekinit dhe dy të tjerë në distriktin Yanqing.

Në provincën fqinje Hebei, një rrëshqitje toke e ndodhur të hënën ka shkaktuar vdekjen e katër personave, ndërsa tetë të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Reshjet e shiut filluan gjatë fundjavës dhe u intensifikuan të hënën, duke përfshirë Pekinin dhe provincat përreth. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, në disa zona në veri të kryeqytetit janë regjistruar deri në 543.4 mm reshje. Për pasojë, autoritetet evakuuan 80 mijë e 322 banorë, ndërsa infrastruktura rrugore dhe e komunikimit ka pësuar dëme të konsiderueshme. Deri të hënën në mesnatë, 136 fshatra kishin mbetur pa energji elektrike.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka urdhëruar një operacion të gjithanshëm kërkim-shpëtimi për të minimizuar humbjet në njerëz. Kryeministri Li Qiang e cilësoi situatën në Miyun si me “pasoja të rënda”, sipas raportimeve të mediave shtetërore.

Pekini shpalli alarmin maksimal për reshje dhe përmbytje të hënën, duke këshilluar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Shkollat u mbyllën, ndërtimet u pezulluan dhe aktivitetet turistike në ambiente të hapura u ndaluan.

Autoritetet nisën shkarkimin e ujit nga rezervuari i distriktit Miyun, i cili kishte arritur nivelin më të lartë që nga ndërtimi i tij në vitin 1959. Më shumë se 730 milionë metra kub ujë janë derdhur në këtë rezervuar më i madhi në veri të Kinës, deri të martën në mëngjes.

Përmbytjet e fuqishme kanë përfshirë distriktin Miyun dhe zonat kufitare me provincën Hebei, duke rrëmbyer automjete dhe duke rrëzuar shtylla elektrike. Në qytetin Taishitun, rreth 100 kilometra në verilindje të Pekinit, rrugët u mbuluan nga uji dhe balta.

“Uji erdhi me shpejtësi të frikshme. Brenda pak minutash gjithçka u përmbyt,” tha Zhuang Zhelin, një banor lokal që po pastronte baltën nga dyqani i tij.

Sipas parashikimeve, reshjet më të dendura pritet të bien gjatë së martës në mëngjes, me deri në 30 cm shi në disa zona.

Një vit më parë, në verën e vitit 2023, përmbytje ekstreme goditën Pekinin dhe Hebein, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe zhvendosjen e rreth 1 milion personave. Autoritetet u kritikuan për krijimin e një “moati mbrojtës” rreth kryeqytetit, që përkeqësoi situatën në provincën fqinje.

Qeveria qendrore njoftoi se ka ndarë 50 milionë juanë (rreth 7 milionë dollarë) për Hebein dhe ka dërguar një ekip të nivelit të lartë për menaxhimin e emergjencës në zonat e prekura.

Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po intensifikojnë dukuritë ekstreme të motit në mbarë botën nga përmbytjet te zjarret dhe valët e të nxehtit duke i bërë më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse. Analizat tregojnë se të paktën një duzinë ngjarjesh ekstreme në dekadën e fundit nuk do të kishin ndodhur pa ndikimin e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu./abcnews.al

Kina u ofron prindërve 1,500 dollarë për të nxitur lindjet

By: Rovena
29 July 2025 at 07:44

Qeveria kineze ka njoftuar një skemë të re kombëtare subvencioni, e para në rang kombëtar, për të nxitur lindjet në vend, teksa përballet me rënie të vazhdueshme të normës së lindshmërisë dhe plakje të popullsisë. Prindërit do të përfitojnë 3 mijë e 600 juanë (rreth 500 dollarë amerikanë ose 375 paund) në vit për çdo fëmijë nën moshën tre vjeç.

Sipas mediave shtetërore, rreth 20 milionë familje pritet të përfitojnë nga kjo nismë, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike të rritjes së fëmijëve.

Skema, e bërë publike të hënën, do të ofrojë një shumë totale deri në 10,800 juanë për fëmijë dhe do të zbatohet në mënyrë retroaktive që nga fillimi i këtij viti. Prindërit e fëmijëve të lindur në periudhën 2022–2024 do të kenë gjithashtu të drejtën për përfitime të pjesshme.

Nisma vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve lokale në Kinë për të përmirësuar normat e lindshmërisë, përmes politikave mbështetëse dhe stimujve financiarë.

Në muajin mars, qyteti Hohhot në veriun e vendit nisi ofrimin e deri në 100 mijë juanëve për çdo fëmijë për çiftet me të paktën tre fëmijë. Ndërkohë, qyteti Shenyang, në verilindje të Pekinit, ofron 500 juanë në muaj për familjet vendase me një fëmijë të tretë nën moshën tre vjeç.

Javën e kaluar, autoritetet qendrore në Pekin u kërkuan qeverive lokale të hartojnë plane për ofrimin e arsimit parashkollor falas, si pjesë e strategjisë së gjerë për të përballuar sfidat demografike të vendit.

Sipas një studimi të Institutit kinez të Kërkimeve mbi Popullsinë “YuWa”, Kina është një ndër vendet më të shtrenjta në botë për të rritur një fëmijë. Kostoja mesatare për të rritur një fëmijë deri në moshën 17 vjeç kap vlerën e rreth 75 mijë e 700 dollarëve amerikanë.

Të dhënat zyrtare të publikuara në janar tregojnë se popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit radhazi. Në vitin 2024 u regjistruan 9.54 milionë lindje, një rritje e lehtë krahasuar me vitin paraardhës, por popullsia totale e vendit vazhdoi të tkurret.

Me një popullsi prej rreth 1.4 miliardë banorësh, Kina po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë, çka e shton më tej shqetësimin për të ardhmen e fuqisë punëtore dhe për ngarkesën mbi sistemin social dhe ekonomik të vendit./abcnews.al

Tajlanda akuzon Kamboxhian për shkelje të qëllimshme të armëpushimit

By: Rovena
29 July 2025 at 07:34

Tajlanda ka akuzuar Kamboxhian për shkelje të qëllimshme të armëpushimit të arritur të hënën, i cili synonte t’i jepte fund përplasjes së përgjakshme pesëditore përgjatë kufirit të përbashkët. Konflikti ka shkaktuar të paktën 33 viktima dhe ka detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas ushtrisë tajlandeze, forcat e saj kanë ndalur zjarrin pas mesnatës, por kanë vijuar të marrin goditje nga pala kamboxhiane në disa zona deri mëngjesin e së martës.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi për agjencinë e lajmeve AFP se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në mesnatë “nuk ka pasur përplasje të armatosura” mes dy palëve. Takimi mes komandantëve lokalë, i parashikuar si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, është shtyrë dy herë dhe mund të mos mbahet fare.

Tensionet mes dy vendeve të Azisë Juglindore mbi kufirin e diskutueshëm me shekuj u përshkallëzuan fillimisht në maj, kur një ushtar kamboxhian u vra gjatë një përplasjeje. Situata u përkeqësua më tej javën e kaluar, pasi pesë ushtarë tajlandezë u plagosën nga një shpërthim mine. Tajlanda reagoi duke mbyllur disa pika kufitare, dëbuar ambasadorin kamboxhian dhe tërhequr ambasadorin e vet nga Phnom Pen.

Pas një shkëmbimi zjarri të enjten në mëngjes, Kamboxhia u përgjigj duke lëshuar disa raketa në drejtim të territorit tajlandez, duke shkaktuar viktima mes civilëve. Edhe më shumë civilë humbën jetën në ditët në vijim, ndërsa dhjetëra mijëra banorë u evakuuan drejt qendrave të strehimit.

Shkëmbimet intensive të zjarrit mes dy ushtrive vazhduan deri në mesnatën e së hënës, kur hyri në fuqi armëpushimi. Deri në atë moment, Tajlanda kishte ndërmarrë edhe sulme ajrore ndaj pozicioneve kamboxhiane.

Megjithatë, të martën në mëngjes përpara se Tajlanda të akuzonte për shkelje të marrëveshjes kryeministri kamboxhian Hun Manet deklaroi se “vijat e frontit janë qetësuar” që nga mesnata.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet ranë dakord të tërheqin forcat ushtarake dhe të lejojnë praninë e vëzhguesve të pavarur për të parandaluar përplasjet e mëtejshme.

Takimi mes Hun Manet dhe homologut të tij tajlandez Phumtham Wechayachai u zhvillua të hënën në Malajzi, me ndërmjetësimin e kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim. Kamboxhia, e cila ndodhet në pozita më të pafavorshme ushtarake, ka kërkuar me këmbëngulje një armëpushim dhe e ka cilësuar takimin si “shumë të suksesshëm”.

Tajlanda, që fillimisht ishte e rezervuar për të hyrë në negociata, ndryshoi qëndrim pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar bisedimet tregtare me dy vendet nëse ato nuk ndalonin luftimet.

Përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias për kufirin datojnë më shumë se një shekull më parë, që nga ndarja e territoreve pas kolonizimit francez të Kamboxhias. Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm në vitin 2008, kur Kamboxhia kërkoi të regjistronte një tempull të shekullit XI në zonën e diskutueshme si Trashëgimi Botërore në UNESCO, një veprim që u kundërshtua ashpër nga Tajlanda.

Prej atëherë, kanë ndodhur përplasje sporadike që kanë shkaktuar viktima si në radhët e ushtarëve, ashtu edhe të civilëve.

Tensionet më të fundit nisën në maj pas vrasjes së një ushtari kamboxhian dhe kanë sjellë përkeqësimin më të madh të marrëdhënieve dypalëshe në më shumë se një dekadë.

Gjatë dy muajve të fundit, të dy vendet kanë vendosur kufizime tregtare dhe kufitare ndaj njëri-tjetrit. Kamboxhia ndaloi importet nga Tajlanda, përfshirë fruta, perime, si dhe shërbime energjetike dhe të internetit. Në të njëjtën kohë, të dyja palët kanë shtuar praninë ushtarake në zonat kufitare./abcnews.al

Before yesterdayMain stream

FIFA dënon Serbinë/ Federata Serbe e Futbollit dënohet me 50 mijë franga zvicerane

By: Rovena
25 July 2025 at 23:42

Federata Serbe e Futbollit u ndëshkua nga FIFA me gjobë financiare dhe mbyllje të pjesshme të tribunave të stadiumit për ndeshjen e radhës. Dënimi është 50 000 franga zvicerane dhe mbyllje e 15 për qind të stadiumit për sfidën kundër Anglisë, që do të luhet në Beograd në 9 shtator, që do të thotë se kombëtares serbe do t’i mungojnë më shumë se 8 000 tifozë në këtë përballje.

Dënimi nga ana e FIFA-s për Serbinë erdhi pas sjelljes së gabuar të tifozëve në duelin ndaj Andorrës të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, në 10 qershor. Federata Serbe paralajmëroi tifozët që të sillen mirë ndaj Anglisë, ndryshe mund të ndodhë që sfida kundër Shqipërisë në Beograd në 11 tetor mund të luhet edhe pa tifozë fare.

Më parë, edhe Shqipëria u dënua me 161 500 franga zvicerane gjobë dhe me mbyllje të 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen ndaj Letonisë./abcnews.al

Pse doktori mbron Veliajn?/ Avokati Petraj: Berisha nuk do zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, s’është i përgatitur

By: Rovena
25 July 2025 at 23:38

Në një intervistë për “Edicioni i Fundit” në ABC News, avokati Edmond Petraj analizoi situatën aktuale politike duke u ndalur te dorëheqja e mundshme e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe raportet brenda Partisë Demokratike.

Sipas Petraj, nuk ka asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë apo ndonjë arsye ligjore që ta detyrojë Veliajn të japë dorëheqjen vendimi mbetet politik dhe personal.

Ai shtoi se Sali Berisha po e mbron Veliajn për të forcuar narrativën kundër kryeministrit si “diktator” dhe për të shmangur zgjedhje në Tiranë, për të cilat, sipas Petrajt, PD nuk është e përgatitur.

Avokati vlerësoi gjithashtu se mungon një nismë e brendshme për largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së, duke theksuar se, në mungesë të një reagimi të qartë, ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë, pavarësisht mosnjohjes së zgjedhjeve.

“Nuk ka një vendim të formës së prerë dhe një arsye që Veliaj të japë dorëheqjen. Nuk janë bërë pezullime. Jemi në një situatë që varet vetëm nga Veliaj, do apo nuk do ai që të japë dorëheqjen. Berisha e merr në mbrojtje Veliajn, sepse kërkon që të formalizojnë portretin si diktator të kryeministrit. Është një element që Berisha nuk do zgjedhje në Bashkinë e Tiranës për momentin sepse nuk është i përgatitur dhe do të ishte një goditje e dytë, pas zgjedhjeve.

Kjo është ajo marrëdhënie për të cilën mendoj unë. Berisha nuk do të japë dorëheqjen, nuk i njeh zgjedhjet pavarësisht se do të hyjë në Kuvend. Kërkon të justifikojë humbjen. Besoj se pjesa e nenit Basha nuk është funksionale, sepse nëse nuk ka një shkëndijë të brendshme brenda PD, Berisha nuk ikën. Deri tani nuk ka asnjë person brenda PD që të ngrejë një grup deputetësh apo anëtarësh të kryesisë që kërkojnë largimin e Berishës. Nëse ikën Berisha, PD ikën fund, nëse nuk do të ishte Berisha nuk do të mblidhnin aq vota. Nëse nuk ka një reagim të brendshëm PD, ai do të vazhdojë, por PD nuk i njeh zgjedhjet”, tha avokati Petraj./abcnews.al

 

Temperaturat në Greqi arrijnë në gati 46 gradë Celsius

By: Rovena
25 July 2025 at 22:58

Vala e të nxehtët në Greqi, që nisi të hënën, tani pritet të zgjasë më shumë se një javë, teksa shërbimi i motit tha se vendi u përball me temperatura afër 46 gradë Celsius më 25 korrik.

Vëzhguesi Kombëtar në Athinë tha se temperatura më e lartë u regjistrua në rajonin Mesinia, ku u shënua 45.8 gradë Celsius.

Në Athinë, në disa pjesë u regjistruan temperatura deri në 42 gradë. Zyrtarët sërish kanë modifikuar orët kur vizitorët mund të vizitojnë Akropolin – vendin kryesor arkeologjik në Greqi, me qëllim të sigurisë së vizitorëve dhe stafit.

Akropoli mbetet i mbyllur për vizitorë nga mesdita deri në orën 17:00, pra në orët më të nxehta të ditës.

Agjencia greke për motin, ka modifikuar njoftimin e saj, duke thënë se temperaturat do të nisin të bien pas 28 korrikut. Paraprakisht, kjo agjenci kishte parashikuar se gjatë fundjavës temperaturat do të uleshin.

Po ashtu, kjo agjenci tha se do të ketë erëra nga veriu të premten, duke rritur rrezikun për zjarre.

Një zjarr që shpërtheu gjatë kësaj jave shkatërroi mbi 1.130 hektarë tokë pyjore pranë fshatit Feneos. Ndërkaq, të premten për shkak të një zjarri në afërsi të qytetit Kilkis, në veri të Greqisë, autoritetet evakuuan një universitet, shtëpi dhe biznese.

Të shtunën, temperaturat në Greqi pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius. Në Shqipërinë fqinje janë dhjetë zjarre aktive, përfshirë një në Delvinë, afër kufirit me Greqinë.

Një tjetër zjarr në Kakavijë, afër pikëkalimit kufitar me Greqinë, u vu nën kontroll të enjten.

Ndërkaq, Kosova po ashtu po përballet me temperatura të larta dhe të premten në Klinë u regjistrua temperatura më e lartë prej 42.5 gradë Celsius./REL

SPAK aksion kundër trafikut të drogës/ Kontrolle në disa qytete, lëshohen 5 masa sigurie

By: Rovena
25 July 2025 at 22:27

Një operacion me urdhër të SPAK është zhvilluar në disa qytete ku janë ushtruar disa kontrolle dhe janë lëshuar masa sigurie për  5 persona. Mësohet se masë sigurie është caktuar edhe për dy persona të njohur të botës së krimit që mbahen të izoluar për vepra të rënda penale.

Bëhet fjalë për të penduarin e drejtësisë Erion Alibejn dhe për Plaurent Dervishin që po gjykohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në 2019.

Masa e dytë e sigurisë iu është komunikuar në burgun 313 atje ku mbahen të izoluar. Ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 persona, mes të cilëve vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani, si dhe shtetasi Ermir Ndrejaj.

Sipas prokurorisë aktiviteti kriminal është zbuluar pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC dhe Enchro Chat dhe ka dyshime të jetë kryer gjatë viteve 2020-2021. Mësohet se personat e dyshuar trafikonin kokaine nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të atyre të Bashkimit Europian./abcnews.al

OKB: Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës nuk po hanë për ditë të tëra

By: Rovena
25 July 2025 at 22:17

Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës “nuk po hanë për ditë të tëra”, tha agjencia për ndihmë ushqimore e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se kriza ka arritur “në nivele dëshpëruese”.

Programi Botëror i Ushqimit më herët kishte paralajmëruar për një “rrezik kritik nga uria” në Gazën e shkatërruar nga lufta, ndërkaq po intensifikohen kritikat ndërkombëtare ndaj veprimeve të Izraelit.

“Pothuajse një në tre persona nuk po hanë për ditë të tëra. Kequshqyerja është në rritje me 90.000 gra dhe fëmijë që kanë nevojë urgjente për trajtim”, tha Programi Botëror për Ushqim.

Kjo agjenci tha se 470.000 persona pritet të përballen me “uri katastrofike” – kategoria më kritike sipas Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore të OKB-së – në periudhën ndërmjet majit dhe shtatorit të këtij viti.

“Ndihma ushqimore është mënyra e vetme që njerëzit të kenë qasje në ushqim, pasi çmimet ushqimore janë rritur shumë”, tha Programi Botëror për Ushqim.

“Njerëzit po vdesin për shkak të mungesës së ndihmës humanitare”.

Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rritjen e numrit të fëmijëve të kequshqyer në Gazë.

Izraeli kufizon në minimumin e mundshëm futjen e ushqimit në Gazë, si dhe e mbikëqyr shpërndarjen e mëvonshme të tij. Izraeli kontrollon të gjitha pikat e hyrjes në Rripin e Gazës dhe rrjedhimisht edhe rrugët e transportit për ndihmat humanitare.

Izraeli e justifikon kufizimin e ndihmave duke pretenduar se Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i plaçkit ato./REL

Shefja e BE njofton se do të bisedojë me Trump për tarifat

By: Rovena
25 July 2025 at 21:14

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se do të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, në Skoci në lidhje me tensionet transatlantike sa i përket tarifave, teksa ka mbetur vetëm një javë deri në afatin e fundit për negociata.

Në përpjekje për të ulur deficitin tregtar për vendin e tij, Trump ka premtuar se do të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj dhjetëra vendeve nëse ato nuk arrijnë marrëveshje me Uashingtonin deri më 1 gusht.

Bashkimi Evropian – që po përballet me një tarifë të përgjithshme prej 30 për qind – po kërkon një marrëveshje me administratën e Trumpit, ndërkohë që po përgatit edhe masa hakmarrëse në rast se bisedimet dështojnë.

“Pas një telefonate të mirë me presidentin e SHBA-së, jemi pajtuar të takohemi të dielën në Skoci për të diskutuar marrëdhëniet tregtare transatlantike dhe mënyrat për t’i mbajtur ato të forta”, shkroi von der Leyen në platformën X.

Takimi në nivel të lartë vjen pas për disa ditë ka pasur sinjale se Komisioni Evropian dhe administrata amerikane po afron drejt një marrëveshjeje, por Trump të premten vuri në dyshim këtë skenar.

Duke folur për gazetarët teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Skoci, Trump vlerësoi se kishte “50-50” shanse për të arritur një marrëveshje me bllokun prej 27 shtetesh.

Të 27 vendet e BE-së i kanë dhënë Komisionit Evropian mandatin që të përqendrohet në përpjekjet drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tarifat e rënda amerikane.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e BE-së po ashtu shprehën besimin se ishin në prag të një marrëveshjeje, para se Trump të kërcënonte me rritjen e tarifave në 30 për qind.

Në rast se bisedimet dështojnë, vendet anëtare të BE-së miratuan të enjten një paketë masash hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 109 miliardë dollarësh, e cila do të zbatohet në faza duke filluar nga 7 gushti.

Që nga nisja e fushatës së tarifave, administrata e Trumpit ka arritur pesë marrëveshje, përfshirë ato me Britaninë, Japoninë dhe Filipinet./REL

Portofoli i identitetit dixhital dhe BE/ Eksperti i çështjeve bankare: Ligji në mënyrë direkte do të frenojë aktet kriminale

By: Rovena
25 July 2025 at 20:52

Ligji për identitetin digjital pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në sigurinë financiare dhe në luftën kundër krimeve ekonomike në vend. Eksperti i çështjeve bankare, Roland Tashi, në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, theksoi se ky ligj nuk shërben vetëm për të rregulluar standarde të reja, por vepron edhe si një mekanizëm frenues ndaj akteve kriminale.

Sipas tij, ligji është në përputhje të plotë me praktikat europiane dhe garanton të njëjtin nivel mbrojtjeje si për qytetarët e vendeve të BE-së.

Tashi vuri në dukje gjithashtu rolin kritik që kanë bankat dhe institucionet në verifikimin e identitetit, sidomos në një kohë kur Inteligjenca Artificiale ka rritur rreziqet për mashtrime financiare.

“Ligji ka një efekt shumë të madh. Çdo ligj përveç se rregullon standarde për një pjesë të re, ligji në mënyrë direkte do të frenojë aktet kriminale. Ligji është i përshtatu me gjithë europën dhe do të jetë aq i mbrojtur saç e kanë të mbrojtur të gjithë qytetarët e Europës. Rrjeti bankar në të gjithë Shqipërinë është i shpërndarë në të gjithë vendin, dhe kanë aftësinë të kuptojnë nëse dokumenti është real apo është i falsifikuar. Inteligjenca Artificiale ka rritur mundësinë për mashtrime financiare. Nëse s’do të jenë bankat dhe institucionet, iku koha ku punonjësit mjaftoheshin vetëm me një ID, pasi është gjëja më e thjeshtë për t’u kuptuar dhe falsifikuar”, tha eksperti i çështjeve bankare, Roland Tashi./abcnews.al

Ligji për identitetin dixhital/ Silvana Pershqefa: Kërkohen masa të rrepta dhe përfshirje më e madhe

By: Rovena
25 July 2025 at 20:23

Ligji i ri për identitetin dixhital po ngjall diskutime mes ekspertëve të sigurisë dhe përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Silvana Pershqefa nga sektori i mbrojtjes së të dhënave personale dhe ekspertja e sigurisë kibernetike Oltjana Beci, hodhën dritë mbi sfidat dhe mundësitë që sjell ky ligj.

Ato theksuan nevojën për standarde të qarta të BE-së dhe përfshirje më të gjerë të institucioneve, si dhe siguruan se Shqipëria do të ndjekë praktikat më të avancuara evropiane për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë digjitale.

“Është e vërtetë që është konceptuar në idenë e një aplikacioni i cili nuk mban vetëm të dhëna personale, por edhe të dhëna civile, të dhëna në raport me studimet etj. Kjo kërkon masa të rrepta organizative, ku duhen vendosur standarde të BE që ligji i rekomandon. Do doja që të kishte një përfshirje më të madhe me komisionerit, si me sektorin privat dhe publik që janë palë të përfshira”, tha përfaqësuesja e sektorit të mbrojtjes së të dhënave personale, Silvana Pershqefa.

“Në Shqipëri do të zbatohen të gjitha teknikat dhe procedurat që do të dalin nga BE. Është pak e vështirë që në një ligj të përcaktohen pak palët që do të përfshihen, ligji e ka për pacaktuar që projektligji do të jetë në përputhje me të dhënat personale, në përputhje me aktet ligjore dhe nën ligjore”, shtoi ekspertja e sigurisë kibernetike, Oltjana Beci./abcnews.al

Përmbyset varka me emigrantë/ Viktima dhe të zhdukur në brigjet e Libisë

By: Rovena
25 July 2025 at 19:27

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një varkë me emigrantë u përmbys në brigjet e Libisë.

Varka ishte nisur për në Evropë dhe mbante dhjetëra njerëz kur u përmbys rreth orës 2 të mëngjesit të së premtes pranë qytetit libian lindor të Tobrukut, sipas Marëan al-Shaeri, zëdhënësit për media të administratës së përgjithshme të rojës bregdetare në qytet.

Al-Shaeri konfirmoi se të gjitha viktimat e deritanishme ishin shtetas egjiptianë.

Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin të gjallë dy anëtarë të ekuipazhit sudanez, por një i tretë ende mungon.

Nuk dihet ende shkaku i përmbysjes se varkës dhe as sa persona janë te zhdukur.

Libia është një pikë dominuese tranziti për emigrantët që ikin nga lufta dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Incidentet e tilla pranë bregdetit të vendit kanë qenë të zakonshme.

Sipas projektit të emigrantëve të zhdukur të drejtuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, të paktën 434 emigrantë janë raportuar të vdekur dhe 611 të zhdukur pranë Libisë në tetë muajt e fundit./abcnews.al

Situatë alarmante në Delvinë, 62 efektivë në terren për shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli

By: Rovena
25 July 2025 at 19:20

Situata në Delvinë ka arritur në një nivel kritik për shkak të zjarreve të përhapura që kanë rrezikuar jetën dhe pronat e banorëve.

62 efektivë të Repartit Gjirokastër, pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, Forca Tokësore, janë angazhuar në operacionet për emergjencat civile për shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli, Bashkia Delvinë./abcnews.al

❌
❌