Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

“Fjala e T’in’ Zoti”, revista patriotike e arbëreshëve themeluar 113 vjet më parë

16 July 2025 at 14:33

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Qendra e Studimeve dhe publikimeve për arbëreshët (QSPA) kujtoi sot 113-vjetorin e themelimit të revistës arbëreshe të së dielës “Fjala e t’in Zoti”.

Kjo ishte një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë. Revista u themelua nga studiuesi Pal Skiroi (Paolo Schirò) dhe shërbeu si një dritare informimi për arbëreshët e Siçilisë.

Shumë prej albanologëve të kohës e përshëndetën dhe e pritën me interes shkencor botimin e “Fjala e T’in’Zoti”. Skiroi mbajti një letërkëmbim me studiuesin dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Lef Nosi, at Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë atdhetarë të tjerë të cilët e përkrahën këtë nismë. Kjo revistë ka një meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e të krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, që të merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e sakramenteve.

“Fjala e T’in’ Zoti” ishte dhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut dhe përforcimin e identitetit edhe kombëtar.

e.r/j.p/

The post “Fjala e T’in’ Zoti”, revista patriotike e arbëreshëve themeluar 113 vjet më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Golemi: Gjirokastritët po i japin jetë lagjeve historike

16 July 2025 at 14:07

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ndau në rrjetet sociale momente emocionuese nga festimet me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së qytetit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

“15 korriku është një ditë e veçantë. Qyteti është tashmë një pasuri e përbotshme. Gjirokastritët po rikthehen, po investojnë dhe po i japin jetë lagjeve historike. Vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 600 mijë vizitorë”, tha Flamur Golemi për mediet.

Në aktivitetet e organizuara me këtë rast, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, i cili u shpreh se, Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, falë njerëzve të saj. “Ne kemi kontribuar në pasurimin arkitekturor dhe kulturor të qytetit përmes bashkëpunimeve”, tha ambasador Alberti.

Në vitin 2017, Gjirokastra doli nga lista e trashëgimisë së rrezikuar, pas vlerësimeve pozitive për restaurimin e pazarit historik, fasadave, kalldrëmeve dhe kontrollin më të mirë të ndërtimit në zonën e mbrojtur.

Një numër i konsiderueshëm banesash tradicionale tashmë janë restauruar nga pronarët dhe janë përshtatur për qëllime mikpritjeje.

e.r/j.p/

The post Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Golemi: Gjirokastritët po i japin jetë lagjeve historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit

16 July 2025 at 12:57

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Në Amfiteatrin Antik të Durrësit u vu në skenë premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez.

Nën regjinë e Andia Xhungës, komedia e bëri publikun të qeshë dhe të futet në mendime, duke marrë duartrokitjet e merituara.

“Vendi më i humbur në Shqipëri” është sjellë në shqip nga përkthyesja Anxhela Çikopano dhe u interpretua nga trupa e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Interesi i publikut ndaj veprës, ka qenë i menjëhershëm. Të gjitha biletat për dy netët e para u shitën në kohë rekord, duke e bërë këtë komedi një prej ngjarjeve më të shumëpritura të verës në qytetin bregdetar.

E vendosur në një fshat të vogël dhe të harruar, që rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta, ngjarja nis kur një gazetare e famshme mbërrin papritur, duke sjellë me vete një sërë përplasjesh botëkuptimesh, ngjarjesh të papritura dhe situatash komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo shoqërore me ngjyra absurde, por thellësisht njerëzore.

Me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe absurditetit.

Skenografia dhe kostumografia janë konceptuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale është krijuar nga Endri Sina.

Në kastin e aktorëve spikasin: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma. /j.p/

The post Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Fllad vere”, ekspozita vetjake e Mario Shemajt në GAT

16 July 2025 at 12:05

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Galeria e Artit Tiranë ka përgatitur një ekspozitë vetjake të artistit Mario Shemaj, me titull “Fllad vere” (Summer breeze).

Ekspozita do të sjellë pranë publikut një cikël punimesh të krijuara në periudha të ndryshme, ku figurat njerëzore, të zhytyra në akte të thjeshta të përditshmërisë, lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat sesa me realitetin.

Personazhet, njëherësh të njohur dhe të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit, me një mungesë pranie të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë paraqitjeje e personazheve krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj (21 korrik-20 gusht) dhe mund të vizitohet nga e hëna në të premte. /j.p/

The post “Fllad vere”, ekspozita vetjake e Mario Shemajt në GAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

100 të rinj trajnohen për teknologji e inovacion nga instruktorë të Stanford University

15 July 2025 at 15:45

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në qytetin e Korçës u çel sot edicioni i ri i Korça ICT Academy & Code for Albania 2025.

100 nxënës nga e gjithë Shqipëria u përzgjodhën për pasionin dhe kuriozitetin e tyre në teknologji dhe inovacion dhe nisën kështu një udhëtim dyjavor. Përkrah tyre janë instruktorë nga Stanford University dhe nga qendra të njohura teknologjike në SHBA e Kanada, që sjellin eksperiencë, dije dhe një frymë ndërkombëtare.

Të rinjtë do të kryejnë më shumë se 80 orë trajnimi praktik, projekte reale, mentorim të dedikuar dhe punë në grup, në një program që nuk mëson vetëm kodim, por ndërton mënyrën si të rinjtë mendojnë, krijojnë dhe bashkëpunojnë.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo e cilësoi këtë aktivitet shumë më tepër sesa një shkollë verore. “Është një investim për të ardhmen, për një brez të ri të aftë, krijues dhe të përgatitur, që do të udhëheqë ndryshimin teknologjik të vendit”, u shpreh Filo. /j.p/

The post 100 të rinj trajnohen për teknologji e inovacion nga instruktorë të Stanford University appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pelegrinazh në 115-vjetorin e lindjes së Dervish Luzhës

15 July 2025 at 14:38

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Tyrbja e Dervish Luzhës në fshatin Luzhë në Tropojë, është Monument Kulture, Kategoria I.

Në ditën e tij të lindjes, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në vëmendje veprën bamirëse të Rexhep Balës i njohur si Dervish Luzha.

Sot, me dhjetëra kureshtarë dhe besimtarë vizitojnë këtë vend të mirë, për të rimarrë besimin e humbur duke e shndërruar vendin ku mbylli sytë dervishi i njohur nga më të vizituarit në të gjithë krahinën e Tropojës.

Çdo vit, jo vetëm banorë të Tropojës por edhe emigrantë që jetojnë jashtë Shqipërisë, kthehen në pelegrinazh tek ky vend, duke besuar në ndihmën e mbinatyrshme.

Dervish Luzha lindi në Luzhë 115 vite më parë, ndërsa u bë i njohur për aftësitë në shërimin e sëmundjeve apo largimin e shqetësimeve, duke u parë nga i gjithë komuniteti si shenjti i veriut.

Ai nuk jetoi kurrë në shtëpinë e tij, sepse atij i hapnin derën çdo shtëpi e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, madje kishte përcaktuar vetë vendin ku do të varrosej, aty ku sot ngrihet tyrbja. Sipas ritualit, në vendin e mirë nuk mund të futesh kur ke pirë alkool apo i pa ngrënë. /j.p/

1 nga 3

The post Pelegrinazh në 115-vjetorin e lindjes së Dervish Luzhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD

15 July 2025 at 12:33

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, hapën mbrëmë ekspozitën “Armiku i jashtëm” me kurator Bashkim Shehun.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur përfytyrimet se si mund të ishte “armiku i jashtëm” nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike “Hosteni” përgjatë viteve të diktaturës 1945-1990.

Ekspozita është një kujtesë vizuale dhe kulturore për mekanizmat e propagandës së kohës. Vendet zyrtarisht mike të Shqipërisë pakësoheshin kohë mbas kohe duke u shndërruar menjëherë në vende armike në një proces që solli vetizolimin total të vendit.

Në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës në COD, krahas kuratorit Bashkim Shehu, ndanë reflektime dhe kujtime për rolin e “Hostenit” në jetën publike të kohës edhe Zhani Ciko dhe Përparim Kalo, duke sjellë një pasqyrë të gjallë të kontekstit historik dhe kulturor të atyre viteve.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për publikun deri më datën 23 gusht. /j.p/

The post “Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Artistët e TKOBAP në turne, sot performojnë në Kalanë e Gjirokastrës

15 July 2025 at 11:06

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit nuk e kanë ndalur aktivitetin edhe gjatë sezonit veror.

Vetëm gjatë kësaj jave, ata do të udhëtojnë nga Tirana në Gjirokastër e më pas në Ulqin, për të ndarë me publikun brenda dhe jashtë kufijve, shpirtin e artit shqiptar. Sot në Kalanë e Gjirokastrës, do të interpretohet “Cantata”, me herët e vënë në skenën e TKOB nga koreografi Mauro Bigonzetti. Baleti modern do të shoqërohet nga tingujt e grupit “Assurd”.

Pas premierës së sukseshme në TKOBAP, “Cantata” udhëton drejt Gjirokastrës ku pritet të ndezë Kalanë e Argjirosë me ritmin, pasionin dhe shpirtin e Italisë së Jugut. Në freskinë magjike të një nate vere, muzika autentike e grupit “Assurd” dhe koreografia e zjarrtë e Mauro Bigonzetti-t do të krijojnë një atmosferë që shpërthen plot energji, pikërisht në ditën e 20-vjetorit të shpalljes së Gjirokastrës si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Ndërsa “Gloria” e Vivaldit, do të interpretohet përgjatë dy ditëve në dy lokacione të ndryshme, nesër (16 korrik) në Kryeministri dhe në 17 korrik në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit”.

Artistët e Ansamblit Popullor do të performojnë në Muzeun Vendor, në Kalanë e Ulqinit me shfaqjen “Folk on Tour”, ditën e enjte (17 korrik). /j.p/

 

1 nga 5

The post Artistët e TKOBAP në turne, sot performojnë në Kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çerçiz Topulli, prijës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

15 July 2025 at 09:33

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Sot bëhen 110 vjet prej ndarjes nga jeta të atdhetarit e luftëtarit Çerçiz Topulli (1880-1915).

Ai ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit.

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër, në vitin 1880. Rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh, Bajo Topulli. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur. Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij, në fillim të marsit 1908, vranë në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në Jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.

Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topulli, bashkë me Muço Qullin, ndodheshin në Shkodër, ku mendohet se kishin shkuar për t’iu bashkuar mbrojtësve të trojeve shqiptare nga pushtimi serbo-malazez. U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat e pushtuesve malazeze. Më 1937, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër.

e.r/j.p/

The post Çerçiz Topulli, prijës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Aftësive të Rinisë

15 July 2025 at 07:45

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ 15 korriku njihet nga OKB si Dita Botërore e Aftësive të Rinisë (WYSD).

Tema e këtij viti fokusohet në fuqizimin e të rinjve përmes AI dhe aftësive dixhitale.

“Ndërsa AI riformëson botën tonë, të rinjtë duhet të shihen jo vetëm si nxënës – por si bashkë-krijues të një të ardhmeje dixhitale më të drejtë”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-se, Antonio Guterres.

Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 15 korrikun si Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, për të festuar rëndësinë strategjike të pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.

Ndërsa Revolucioni i Katërt Industrial riformëson ekonomitë përmes Inteligjencës Artificiale (AI), Arsimi dhe Trajnimi Teknik dhe Profesional duhet të evoluojë për t’i pajisur të rinjtë me aftësi të gatshme për të ardhmen. Inteligjenca artificiale po transformon mënyrën se si jetojmë, mësojmë dhe punojmë – por gjithashtu paraqet rreziqe serioze nëse nuk zbatohet në mënyrë të barabartë.

Në Ditën Botërore të Aftësive të Rinisë, Kombet e Bashkuara ftojnë të bashkohemi për të njohur fuqinë e të rinjve si nxitës të ndryshimit dhe të angazhohemi për t’i pajisur ata me AI dhe aftësi dixhitale për të trajtuar sfidat e sotme dhe për të formuar një të ardhme më paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Sipas të dhënave të bëra publike nga OKB, rreth 450 milionë të rinj (7 nga 10) janë të paangazhuar ekonomikisht, për shkak të mungesës së aftësive adekuate për të pasur sukses në tregun e punës.

86% e studentëve nuk ndihen të përgatitur në mënyrë adekuate për një vend pune të mundësuar nga AI.

Në vitin 2022, mbi 40% e të rinjve nuk ishin në punësim, arsim apo trajnim (NEET). Ndërsa 40.3% e të rinjve ishin parashikuar të punësoheshin, vetëm 27.4% e të rejave kishin akses në mundësi punësimi.

90% e vajzave adoleshente dhe grave të reja në vendet me të ardhura të ulëta janë “jashtë loje”. Edhe në vendet më të pasura të botës, vetëm 1 në 10 15-vjeçarë përdorin pajisje dixhitale për të mësuar më shumë se një orë në javë.

Në nivel global, vetëm 16% e vendeve kanë miratuar ligje që adresojnë bullizmin kibernetik në arsim, me 38% të atyre të miratuar që prej pandemisë COVID-19. /j.p/

The post Dita Botërore e Aftësive të Rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit

14 July 2025 at 15:26

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit u çel ekspozita “Nënqyteti” e piktorit Anastas Kostandini.

Ekspozita sjell për publikun 31 vizatime si një hartë poetike të Pogradecit, me vende të harruara, të zhdukura apo të transformuara. Ekspozita është një projekt mes Anastas Kostandinit, i njohur si Taso dhe vajzës së tij Ledias, e cila këto punime i ka transformuar në QR kode të vendosura nëpër qytet, pikërisht në zonat ku janë bërë vizatimet dhe që tregojnë godina, objekte dhe zona historike.

Pogradecarët e përjetuan këtë ekspozitë si një udhëtim emocional dhe artistik në thellësinë e identitetit qytetar.

“Nënqyteti” është një projekt artistik që zbulon shtresat e fshehura dhe të harruara të qytetit të Pogradecit, por që mbeten të gjalla në kujtesën e banorëve dhe në identitetin e territorit. Kjo ekspozitë u realizua si iniciativë e COSV Albania në kuadër të ndërhyrjeve të realizuara në dobi të territorit dhe komunitetit në rajonin e Pogradecit, të mbështetura nga projekti “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana). /j.p/

The post Ekspozita e Anastas Kostandinit “ringjall” vendet e harruara të Pogradecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit

14 July 2025 at 13:27

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një tjetër thesar ikonografik ka shpëtuar falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Pas një pune disamujore, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniaturë e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, procesi i restaurimit zgjati 10 muaj. Ishte një proces i gjatë por në fund i suksesshëm.

“Ikona i përket vitit 1860, viti i cili u identifikua pas procesit së restaurimit, pasi ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti i drunjtë ishte tepër i dëmtuar, kishte rënë një pjesë e konsiderueshme e gruntit dhe pikturës. Kishte gufime të shtresave përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të”, sqaroi drejtoresha e MKAM.

Përveç figurës së Joanit, brenda kompozimit është pikturuar dhe skena e lindjes së tij, dhe kjo e bën ikonën të veçantë, ndryshe nga paraqitjet e zakonshme të Joan Pagëzorit në ikonografi. Poshtë kësaj skene është identifikuar viti i krijimit të ikonës dhe emrat e dhuruesve Kostandini dhe Anastasi.

Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës. /j.p/

1 nga 3

The post Laboratori i Restaurimit në Korçë shpëton ikonën e veçantë të Joan Pagëzorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës

14 July 2025 at 11:56

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Tuma e Kamenicës u vizitua nga 25 arkeologë, filologë dhe studiues të ndryshëm austriakë të cilët treguan interes të veçantë për këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare.

Vizita u shoqërua me diskutime mbi vlerat arkeologjike dhe mënyrat e interpretimit të të dhënave të zbuluara gjatë gërmimeve në këtë sit unik, i cili gjendet rreth 15 km larg Korçës dhe konsiderohet si një ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan.

Në këtë vendvarrim prehistorik janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke.

Kjo tumë është më e madhja e gjetur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII p.e.s.

Kjo tumë ka pushuar së funksionuari rreth mesit të shek VI p.es, pra ka një histori gati 700- vjeçare. /j.p/

The post Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi

14 July 2025 at 11:43

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Më 14 korrik të vitit 1945 u aprovua Statuti i Komunitetit Bektashi, pak kohë pas mbajtjes së Kongresit të 4-të në Tiranë, ku u hodh për herë të parë ideja e zgjatimit të këtyre mbledhjeve në një rang ndërkombëtar.

Statuti i miratuar përfshinte rregulla mbi strukturën hierarkike të kryesuar nga Këshilli i Përgjithshëm, mbi përbërjen e klerit si dhe të ardhurat e shpenzimet. Fillesat e organizimit të Komunitetit Bektashi u shënuan më 26 shtator 1929 me mbajtjen e Kongresit të Parë të Bektashinjve, në Teqenë e Turanit, në Korçë, e cila do të bëhej Qendra e Parë Botërore e Përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri.

Pas këtyre zhvillimeve, me vendim të mbretit Zog, në gusht të vitit 1930, Selia e Shenjtë Botërore e Bektashinjve u përcaktua në Tiranë. Më 16 prill 1950, në kryeqytet do të mbahej Kongresi i Pestë Kombëtar, i fundit në radhë, i zhvilluar gjatë regjimit diktatorial 45-vjeçar. Pas rënies së regjimit, kongresi do të rimbahej në korrik 1993. /j.p/

The post 80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian

14 July 2025 at 09:46


TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti  i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.

Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.

Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit. /j.p/

The post Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurohet ikona e çmuar në Muzeun Ikonografik “Onufri”

11 July 2025 at 13:37

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Pas muajsh pune të kujdesshme në laboratorin e restaurimit të Muzeut “Onufri” në Berat, restauratori Erion Lezi përfundoi me sukses ndërhyrjen në ikonën “Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë“.

Muzeu “Onufri” bëri të ditur se restaurimi i kujdesshëm jo vetëm që i ktheu ikonës bukurinë origjinale, por siguroi edhe mbrojtjen e saj për brezat që vijnë.

“Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë” është një vepër e rrallë, me origjinë nga kisha e “Shën Triadhës” në Kalanë e Beratit , të cilës iu rikthye drita dhe dinjiteti i saj artistik. Ikona është realizuar në vitin 1805, por nuk i njihet autori. Tashmë ajo është e ekspozuar për herë të parë në Muzeun “Onufri” si një thesar i çmuar ikonografik.

 

/e.r//a.f/

The post Restaurohet ikona e çmuar në Muzeun Ikonografik “Onufri” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Johann Georg von Hahn, albanologu austriak i cili argumentoi autoktoninë e shqiptarëve

11 July 2025 at 11:49

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot albanologun e shquar Johann Georg von Hahn.

Më 11 korrik 1811 lindi Johann Georg von Hahn (1811-1869), diplomati austriak i cili u bë edhe albanologu më i njohur i shekullit XIX dhe që luajti një rol të rëndësishëm në studimin dhe dokumentimin shkencor të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.

Në vitet 1834-1843 shërbeu si gjykatës në krahina të ndryshme të Greqisë, ku u njoh me popullsinë shqiptare. Më 1847-1850 ishte nënkonsull i Austrisë për “Shqipërinë e Poshtme”, në Janinë, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit dhe të Apostol Meksit. Ndërkaq, bëri tre udhëtime në Shqipëri. Mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar dhe ishte tejet i interesuar për botën shpirtërore dhe historinë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve të Greqisë. Veç të tjerash, Hahn-i kërkoi nëpër Shqipëri edhe lëndën për veprën e tij madhore në tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854. Aty ai argumentoi për herë të parë, nga një pikëpamje shumëdisiplinare (historike, gjuhësore, etnografike, etj.), autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe prejardhjen e shqipes nga ilirishtja, duke dëshmuar përkatësinë e shqipes si gjuhë e familjes indoevropiane. Në anën tjetër, teza e tij u shfrytëzua nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare për vetëdijesimin kombëtar të popullit dhe për argumentimin e së drejtës historike për autonomi e shtet të pavarur, që do të përfshinte të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët.

/e.r//r.e//a.f/

The post Johann Georg von Hahn, albanologu austriak i cili argumentoi autoktoninë e shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mbi 560 mijë vizitorë në sitet kulturore, 74% rritje krahasuar me vitin 2023

11 July 2025 at 11:35

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri publike sot statistikat e vizitueshmërisë së siteve kulturore në gjysmën e parë të vitit.

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.

5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:

– Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;

– Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;

– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.

Pjesa më e madhe e turistëve duket se preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.

Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore.

/e.r//a.f//r.e/

The post Gonxhja: Mbi 560 mijë vizitorë në sitet kulturore, 74% rritje krahasuar me vitin 2023 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Andon Zako Çajupi, dramaturgu dhe patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare

11 July 2025 at 07:36

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Më 11 korrik të vitit 1930 ndërroi jetë dramaturgu atdhetar, Andon Zako Çajupi.

Emrin e vërtetë e kishte Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”, duke mbartur kështu në krijimtarinë e tij, gjurmë të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga vjen pseudonimi letrar.

Pas shkollimit bazë, e la Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Ndoqi një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim evropian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Sa ishte gjallë iu botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskritishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

/e.r//r.e//a.f/

The post Andon Zako Çajupi, dramaturgu dhe patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Kuajve

11 July 2025 at 07:35

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Kuajve.

Pak kafshë kanë kontribuar në përparimin njerëzor aq thellësisht dhe në heshtje, sa kali. Nga nomadët e lashtë në stepat euroaziatike deri tek arenat moderne olimpike dhe hambarët e oborrit të shtëpisë, kuajt kanë bartur mallra, kanë lëruar fusha, kanë fituar luftëra dhe kanë ngushëlluar zemrat e njerëzve.

Edhe në botën e sotme të teknologjisë së lartë, kuajt e ngarkuar ende punojnë në ferma organike, rojat e pyjeve dhe jetës së egër ende i përdorin dhe gjithashtu kuajt poni përdoren si terapi për fëmijët e shtruar në spitale.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 3 qershor 2025, shpalli 11 korrikun “Ditën Botërore të Kuajve”. Rezoluta u bën thirrje qeverive, shkollave, bizneseve dhe individëve të vlerësonin rolin e kuajve dhe të trajtojnë sfidat me të cilat përballen ata në botën moderne.

Të dhënat e FAO-s për vitin 2023 numërojnë rreth 60.8 milionë kuaj globalisht, por të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Shtetet e Bashkuara kanë 2.41 milionë kuaj dhe poni në mbi 63,000 ferma (Regjistrimi i USDA 2022), ndërsa Bashkimi Evropian ka rreth 7 milionë kuaj dhe 800,000 vende pune në mbarështim, sport dhe turizëm. Në Mongoli, kuajt janë ende pjesë e jetës së përditshme me 3.4 milionë kuaj për 3.3 milionë njerëz.

Por kushtet me të cilat përballen kuajt po bëhen më të vështira. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, viti 2024 ishte viti i parë i plotë me temperatura globale që kaluan 1.5 °C mbi nivelet paraindustriale. Kjo rrit stresin e nxehtësisë si për kuajt e punës ashtu edhe për kuajt sportivë. Nga korsitë e ftohjes në ngjarjet olimpike, te standardet e reja globale të mirëqenies, përshtatja ndaj një klime në ndryshim është tani thelbësore.

OKB thotë se, Dita Botërore e Kuajve është më shumë se një festë. Ajo është një thirrje për të mbrojtur një nga partneritetet më të vjetra të njerëzimit, i cili ende na ndihmon të ushqehemi, të mbështesim ekonomitë tona si dhe na ngre lart moralin duke na mbështetur psikologjikisht.

/e.r//r.e//a.f/

The post Dita Ndërkombëtare e Kuajve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌