Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Mbretërimi i vetmuar i Elizabetës I: Pse Mbretëresha e Virgjër nuk u martua kurrë?

By: Kult Plus
16 July 2025 at 13:00

Elizabeta I, vajza e Henrikut VIII, është e vetmja mbretëreshë angleze që nuk u martua kurrë.

Vizita e fundit e monarkut ikonik Tudor në Kenilworth 450 vjet më parë mund të përmbajë disa të dhëna për mbretërimin e saj solo, siç zbulohet në një instalacion të ri arti në kështjellë, që përshkruan tradhti, prerje kokash dhe një deklaratë të hollësishme dashurie

Në një mbrëmje korriku të vitit 1575, mbretëresha Elizabeta I, 41 vjeçe, mbërriti në Kështjellën Kenilworth në Warwickshire, Britani e Madhe, për atë që do të ishte vizita e saj më e gjatë dhe e fundit. Ajo ia kishte dhuruar kështjellën Robert Dudley-t në vitin 1563 dhe ia kishte dhënë titullin e Earl të Leicester-it vitin pasues. Dudley ishte një nga të preferuarit e mbretëreshës dhe mendohet të ketë qenë shoku i saj i fëmijërisë. Natyra e saktë e marrëdhënies së tyre të ngushtë ishte objekt i shumë thashethemeve.

Para mbërritjes së mbretëreshës beqare, Dudley kishte bërë një rinovim të madh në këtë kështjellë madhështore. Ishin ndërtuar ndërtesa të reja, ishte krijuar një kopsht i ri dhe prona ishte rregulluar me kujdes. Ai kishte bërë gjithçka që të organizonte një argëtim të jashtëzakonshëm me muzikë, valle, akrobatikë, fishekzjarre spektakolare dhe skeçe dramatike të interpretuara nga aktorë në kostume.

“Festimet e vitit 1575 ishin një përpjekje për të fituar zemrën e Elizabetës, tema e martesës ishte e pranishme në disa nga ngjarjet,” tregon Jeremy Ashbee, drejtori i pronave në English Heritage.

Loja e Dudley-t dukej se po ecte mirë, por më pas gjithçka ndryshoi. Pika kulmore e qëndrimit duhej të ishte një performancë, por që nuk u zhvillua kurrë.

A ishte thjesht moti i keq arsyeja, siç pretendonte versioni zyrtar? Apo mbretëresha kishte mësuar për përmbajtjen dhe u zemërua? Në performancë ishte Diana, perëndesha e virgjërisë, që kërkonte një prej nimfave të saj të virgjëra, të quajtur me qëllim “Zabetta”, një variant i emrit Elizabeth. Por performanca nuk arriti të përfundonte siç ishte planifikuar, dhe mbretëresha ditët e mbetura i kaloi në dhomë.

Tani, artistja Lindsey Mendick ka shënuar 450-vjetorin e kësaj vizite me krijimin e “Wicked Game”, një instalacion të madh skulptural në kështjellë. Wicked Game merr frymëzim nga mitologjia e lashtë, si dhe nga ngjarjet e vizitës së Elizabetës, dhe mënyra se si ajo përdori statusin e saj si mbretëreshë beqare në manovrat e saj të zgjuara politike gjatë 45 viteve të sundimit, përcjellë KultPlus.

Instalacioni përbëhet nga 13 tablo të ndryshme. Disa janë të zymta, të tjerat janë të mbushura me humor të zi. Skulpturat e copëtuara prej qeramike paraqesin në mënyrë të fuqishme Mbretëreshën dhe personazhet rreth saj si kafshë. Në pjesën qendrore, Elizabeta është një luan dhe Dudley një arush. Tablotë janë të pozicionuara mbi copat e një fushe shahu gjigante.

„Lojtarja e shahut është një analogji perfekte për atë që Elizabeta duhej të bënte për të mbijetuar,” thotë Mendick për mediat e huaja. “Mendoj se ajo është jashtëzakonisht interesante dhe një mënyrë e shkëlqyer për të parë se si trajtojmë gratë sot. Ky event (që planifikoi Dudley) në Kenilworth ishte menduar të ishte një festë masive për Elizabetën; duhej të ishte e shthurur dhe e këndshme. Por në të njëjtën kohë, ishte e mbushur me diçka tjetër. Për gratë e fuqishme si Elizabeta, refuzimi për të u martuar ose për të pasur fëmijë ishte një akt radikal i vetë-ruajtjes dhe autonomisë.”

Këshilltarët dhe anëtarët e Parlamentit e nxirrnin vazhdimisht para asaj idenë që duhej të martohej për të mbrojtur sigurinë e Anglisë. Një grua që sundonte vetë? E padukshme. Besohej se një mbretëreshë duhej të martohej, jo vetëm për të lindur një trashëgimtar mashkull dhe për të shmangur konfliktet për fronin, por edhe që një burrë të merrte përsipër çështjet politike dhe ushtarake. Thirrjet për martesë ishin të pandërprera, dhe kandidatë të shumtë për martesë u propozuan ose u ofruan vetë. Por Elizabeta vazhdimisht shmangu, kundërshtoi dhe refuzoi. Pse?

Është shumë e mundur që ajo thjesht e kishte të papranueshme idenë e të qenit nënshtruese ose e detyruar ndaj një burri, cilido burrë qoftë ai. Për më tepër, Elizabeta ishte shumë e arsimuar (fliste pesë gjuhë, frëngjisht, italisht, spanjisht, latinisht dhe flamishte dhe kishte studiuar histori dhe retorikë), shumë inteligjente, krenare dhe me temperament të zjarrtë. Thuhet se ajo kishte deklaruar: „Këtu do të kem vetëm një zonjë dhe asnjë zotërues.”

Qysh nga fillimi i sundimit, ajo kultivoi imazhin e Mbretëreshës Virgjër. Në vitin 1559, duke iu përgjigjur kërkesave të anëtarëve të Parlamentit për t’u martuar, ajo deklaroi se një ditë “një gur mermeri do të dëshmojë se një mbretëreshë, pasi ka sunduar për kaq kohë, ka jetuar dhe ka vdekur virgjër.”

Në fund të filmit të dashur të Shekhar Kapur, “Elizabeth” (1998), monarkia e re luhej nga Cate Blanchett, e cila e interpretoi përsëri rolin në vazhdimin “Elizabeth: The Golden Age” (2007). Në “Elizabeth”, ajo qëllimisht transformohet në Mbretëreshën Virgjër dhe, e veshur e tëra në të bardha, paraqitet para oborrit të saj të habitur duke shpallur: “Jam e martuar… me Anglinë.”

Filmi i Kapur e trajton historinë në mënyrë të lirë dhe jo gjithmonë të saktë, por dialogu pasqyron një deklaratë të vërtetë të Mbretëreshës, bërë në vitin 1559, ku ajo thoshte se nuk do të martohej sepse ishte “më parë e lidhur me një burrë, që është Mbretëria e Anglisë”./KultPlus.com

Etno Fest 2025 – Nata e gjashtë në shenjë të gruas dhe trashëgimisë kulturore

By: Kult Plus
16 July 2025 at 12:36

Në natën e gjashtë të Etno Fest 2025, publiku pati mundësinë të shijojë një program të larmishëm artistik me theks në trashëgiminë kulturore dhe identitetin gjinor.

Në programin e traditës u prezantua SHKA “Dibra e Madhe”, e drejtuar nga Miço Duka. Grupi i burrave vallëzoi katër variante të valles dyshe, një formë e rrallë e trashëguar brez pas brezi, që ruhet prej shekujsh si manifestim i jetës dhe festës.

Në pjesën teatrore, u dha drama “Jam unë ajo”, me autore Valmira Thaqi dhe Diturie Neziraj. Në qendër të shfaqjes ishte beteja për identitetin e gruas. Dy gra lehona shpalosën natyrën e gruas së ndrydhur në paragjykim, me theks te “barra” e të qenurit nënë dhe përpjekja për të formësuar identitetin GRUA. Kujdesi, frika dhe dashuria shfaqen përmes një trajtimi paragjykues që, jo rrallë, nis që në djep.

Drama ngre pyetjen thelbësore: Nëse nëna është “doktor i zemrës së fëmijës e burrit”, kush është doktor i zemrës së saj? Ritmi i lojës i përgjigjej monotonisë së përditshmërisë së përsëritshme – një jetë e stereotipizuar e gruas në sytë e të tjerëve.

Drama “Jam unë ajo” shtron dilemën se kur është momenti për të kapur dimensione të tjera të jetës jashtë obligimeve të të qenit nënë dhe bashkëshorte, në një kohë kur karriera personale dhe mëvetësia ende konsiderohen arsye për divorc. Mbase pyetja më thelbësore që shtrohet është: a është fëmija esenca e martesës, apo është dashuria që e mirëmban qenien e gruas si identitet në çdo raport njerëzor?

Aktorët Semira Latifi dhe Tringa Hasani tipizuan karakteret e dy grave të ndryshme në formim, por të njëjta në problem. Regjisori Erson Zymberi e kishte zbërthyer mirë materien letrare përmes shenjave teatrore, ndërsa skenografia dhe kolonat muzikore ishin në funksion të plotë të shtjellimit të temës.

Drama është shkruar nga Valmira Thaqi dhe Diturie Neziraj, ndërsa regjia mban firmën e Erson Zymberit. Rolin e dy grave e sollën në skenë aktoret Tringa Hasani dhe Semira Latifi. Skenografia u realizua nga Bekim Korça, kostumet nga Njomëza Luci, ndërsa koreografia u përgatit nga Gjergj Prevazi. Për kompozimin e muzikës u kujdes Tomor Kuçi dhe ndriçimi u realizua nga Burim Baftiu.

Mbrëmja u përmbyll me atmosferën festive të “Etno Neja”, ku mysafirët u argëtuan nga Florent Abrashi dhe DJ Filip.

Programet artistike, takimet midis artistëve dhe spektatorëve, debatet, fotografitë, vallëzimet, këngët dhe ushqimet tradicionale po e formësojnë identitetin e kompleksit të Etno Festit, i cili po shndërrohet në një pikëtakim të vlerave kulturore dhe artistike në nivel kombëtar./KultPlus.com

Portreti i rrallë me vaj i Gandhit shitet për më shumë se 200 mijë dollarë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 12:10

Një portret i rrallë me vaj i udhëheqësit të pavarësisë indiane, Mahatma Gandhi, është shitur në ankand në Londër për 152,800 paund (rreth 204,648 dollarë).

Kjo shumë është shumë më e lartë se sa vlerësimi fillestar i shtëpisë së ankandit Bonhams, që kishte parashikuar një çmim prej 50,000 deri në 70,000 paund. Portreti është pikturuar në vitin 1931 nga artistja britanike Clare Leighton, kur Gandhi vizitoi Londrën.

Sipas Bonhams, besohet se kjo është e vetmja pikturë me vaj për të cilën Gandhi ka pozuar ndonjëherë, përcjellë KultPlus.

Ai udhëhoqi një lëvizje paqësore rezistence kundër sundimit britanik në Indi, dhe mësimet e tij kanë frymëzuar miliona njerëz. Shumica e indianëve e nderojnë atë si “atë i kombit”.

Portreti u realizua kur Gandhi shkoi në Londër në vitin 1931 për të marrë pjesë në Konferencën e Dytë të Tryezës së Rrumbullakët, e cila u mbajt për të diskutuar reformat kushtetuese për Indinë dhe për të adresuar kërkesat e saj për vetëqeverisje, raportojnë mediat e huaja.

Sipas shtëpisë së ankandeve Bonhams, Clare Leighton “ishte një nga shumë pak artistët që u lejua të hynte në zyrën e tij dhe iu dha mundësia të ulej me të në disa raste për ta skicuar dhe pikturuar portretin e tij”.

Veprat mbetën në koleksionin personal të artistes deri në vdekjen e saj në vitin 1989 në Shtetet e Bashkuara, pas së cilës u trashëguan brenda familjes së saj.

Bonhams nuk e bëri të ditur se kush e bleu pikturën, dhe nuk është e qartë nëse ajo do të ekspozohet publikisht./KultPlus.com

‘Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj’

By: Kult Plus
16 July 2025 at 11:53

Kolonizatorë dhe sundues të Altlantikut, portugezët kanë trashëguar në breza urtësi që lidhen fuqishëm me tematika si peshkimi, paraja, premtimet, shpenzimet, respekti e këshillat.

Mos i jep asnjëherë këshilla atij që të kërkon vetëm lekë.

Askush nuk vlen më shumë se tjetri nëse nuk prodhon më shumë se tjetri.

Dembelia nuk ka rritur kurrë fëmijë të mirë.

Ilaçi i nesërm nuk do ta shërojë sëmundjen e sotme.

I sigurti vdiq, i kujdesshmi i shkon në mort.

Kush ka katër dhe shpenzon pesë, nuk ka nevojë për kuletë.

Kush nuk ka bukë, të mos mbajë qen.

Ligji punon ashtu siç dëshiron paraja.

Më së shumti premtojnë ata të cilët s’kanë ç’ka të japin.

Mëso duke qarë dhe do të fitosh duke qeshur.

Më shumë të hidhëron premtimi mashtrues, sesa një refuzim mohues.

Mos i zër besë një dere me shumë çelësa.

Ndershmëria dhe interesi i përfitimit nuk hyjnë në një thes.

Fjala e thënë, rasti i humbur dhe koha e ikur në jetë nuk ndodh t’i kthehen pronarit.

Pasurimi i pamerituar sjell djallin në shtëpi.

Qeni leh keq, kur leh nga frika.

Ta kesh mjekun e keq, është më keq se vetë sëmundja.

A do të jetë hija e drejtë në qoftë se druri është i shtrembër?

Ankimi i varfanjakut arrin deri në kupë të qiellit, por jo edhe në veshë të njerëzve.

Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj.

Këshilla që jepet para botës është sharje.

Këshilloje të marrin dhe do të të llogarisë si armikun e tij.

Kush s’di dhe nuk e di që s’di, është budalla: mos iu afro; kush nuk di dhe e di që s’di, është i paditur: mësoje; kush di dhe nuk di që di, është i fjetur: zgjoje; kush di dhe e di që di, është i mençur: dëgjoje.

Më parë mendo daljen, pastaj hyrjen.

Në dashuri s’ka këshilltar.

Nëna e një të vrari edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit.

Nëse më mashtron një herë, atëherë ti je fajtor, por nëse më mashtron edhe për herë të dytë, atëherë vetë jam fajtor.

Njeriu i ngjan pemës, njerëzit e rrethojnë sa është e mbuluar me fruta, por, posa t’i bien frutat, njerëzit shpërndahen të gjejnë një pemë më të mirë.

Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve dhe të farefisit të vet, i përngjan një majmuni të humbur në xhungël.

Njeriu që nuk ka qënë kurrë i sëmurë, nuk mund të jetë mjek i mirë.

Proverbi për të folurit është si kripa për gjellën.

Pushimin shtyje për nesër, jo punën.

Bëj sikur je i ditur, por mëso edhe si të dukesh injorant.

Kam me tepri mollë e dardha, por zemra më lakmon ftoin.

Ka fjalë të cilat edhe me shumë mjaltë, nuk mund t’i përpish.

Kërkon gomarin dhe është mbi të i hipur.

Më mirë të humbasësh një sy se emrin e mirë.

Pasuria zbulon cilësitë e këqia që fsheh varfëria.

Peshqit zihen me grep, ndërsa njerëzit me fjalë.

Po të ishte dituria në mjekër, të gjithë cjepërit do të ishin profetë.

S’fillohet agjërimi me bakllava në dorë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

Apollo 11: Hapi i parë i njerëzimit në Hënë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 11:46

Apollo 11 u nis nga Cape Kennedy për në Hënë më 16 korrik 1969, duke shënuar sot 56 vite.

Në bord ishin Komandanti Neil Armstrong, Piloti i Modulit Komandues Michael Collins dhe Piloti i Modulit Hënor Edwin “Buzz” Aldrin. Ata u futën fillimisht në një orbitë të Tokës me përmasa 114 me 116 milje.

Rreth 650 milionë njerëz e ndoqën përmes televizionit çastin historik kur Armstrong zbriti në Hënë dhe tha:

“Një hap i vogël për një njeri, një hap gjigand për njerëzimin” më 20 korrik 1969, përcjellë KultPlus.

“Sot 56 vite më parë, pas një betejë ngadhënjyese prej 25 miliard dollarësh, të shkencës dhe sfidës më të kurajshme të njeriut, më 16 korrik 1969, shkëputët nga platforma Kennedy Space Center anijen kozmike Saturn V, e cila mbante në bordin e saj, astronautët, Neil Armstrong, Edwin Aldrin dhe Michael Collins, të përzgjedhurit e misionit “Apollo 11”. Destinacioni ishte Hëna, e cila priti në sipërfaqen e saj më 21 korrik 1969 në ora 02:56 UTC, vizitorët e parë të saj. Njerëzimi shënon kështu hapin e parë të mundësisë për të sunduar universin. Njeriu nuk ishte tashmë një qenie inferiore në këtë pafundësi të errët të njohjes. Guxoi si një fëmijë të hedh hapin e parë në një botë panjohur, për t’u shpërblyer me rrugëtimin e pandalshëm në udhën e gjithësisë.” shkruan Albert Vataj./KultPlus.com

Jeto…

By: Kult Plus
16 July 2025 at 11:17

Poezi e shkruar nga Zhuljana Jorganxhi.

Jeto dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre, veç jeto.
Ata që s’duan dashurinë,
Nuk dine seç është mirësia.
Folenë e ngrenë në errësirë,
Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.
Se jane mësuar të zvarriten,
Të të helmojnë, pastaj të vdesin.
Pa prekur trupin tënd të ngrohur,
Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.

Dhe pena ime nis e shkruan,
Kaq e lodhur nga mundimi.
Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,
Dhe ndalet lumi i zemerimit.

Te dua, te dua, te dua,
Oh, këngë hyjnore e kesaj bote.
Që pëshperitet nga buzët e dashuruara,
Që frymë ty të dhanë.
Shumë të kërkova gjersa të gjeta.
Dhe nëse vdes mos u trishto,
Por ti jeto!

Nëpër rrugët e dashurisë,
Enden këngët dhe legjendat.
Nëpër vargjet e poetit,
Zemrën ta njoh.
Dhe në vija pentagramesh,
Derdhet shpirti i nje artisti.
Por dicka pa thënë pa mbetur,
Le te tjeret ta tregojne.
Dhe jeten time po e deshe,
Eja dhe merre,
Por ti jeto..

Miliarderi japonez blen çantën e Jane Birkin për 8.6 milionë euro

By: Kult Plus
16 July 2025 at 11:15

Çanta origjinale që u krijua posaçërisht për aktoren Jane Birkin dhe që u shndërrua në një nga veprat më ikonike të modës së shekullit XX, është shitur para disa ditësh në një ankand në Paris për shumën rekord prej 8.6 milionë eurosh (rreth 10.04 milionë dollarë amerikanë).

Prej ditësh kishte spekulime se cila figurë e famshme mund të kishte blerë këtë çantë ikonë. Tani është zbuluar se pronari i ri është Shinsuke Sakimoto, një miliarder japonez, ish-futbollist dhe aktualisht drejtor i kompanisë Valuence Japan Inc., e cila merret me rishitjen e mallrave luksoze, shkruan KultPlus

Kompania Valuence operon në nivel global përmes ankandeve ALLU dhe dyqaneve të shitjes me pakicë, duke tregtuar sende të dorës së dytë luksoze dhe dizajni. Megjithatë, kjo blerje nuk ka qenë një investim për rishitje Sakimoto theksoi se çanta nuk do të shitet më tej, por do të ruhet si një trashëgimi kulturore në nder të Jane Birkin dhe kontributit të saj në botën e modës.

“Me të arritur çanta në Japoni, kompania Valuence Japan do të organizojë një paraqitje për mediat dhe palët e interesuara. Së shpejti do të publikojmë detaje të sakta dhe afatet kohore të ekspozitës,” tha Sakimoto.

Sipas tregimeve që qarkullojnë prej kohësh në qarqet e modës, çanta e parë “Birkin” lindi në vitin 1984, kur aktorja dhe këngëtarja me origjinë francezo-britanike ishte duke udhëtuar me avion pranë drejtorit ekzekutiv të Hermès, Jean-Louis Dumas. Gjatë bisedës, ajo i kishte treguar se, si një nënë e re, kishte nevojë për një çantë që të ishte funksionale por edhe me stil. Dumas, i frymëzuar, skicoi aty për aty një çantë të madhe, të formës drejtkëndëshe, që të kishte vend edhe për biberonët e fëmijës.

Hermès e krijoi këtë çantë posaçërisht për Jane Birkin dhe më pas filloi të prodhonte versione më të vogla për tregun. Dizajni i saj u shndërrua në një sukses global dhe ndihmoi në rritjen e mëtejshme të këtij brendi të njohur francez. Çanta origjinale mban ende inicialet “J.B.” si simbol i trashëgimisë së saj./KultPlus.com

“Armiku i jashtëm”, ekspozita me karikatura e Bashkim Shehut

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:45

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri u çel ekspozita “Armiku i jashtëm” nga shkrimtari Bashkim Shehu. Tema që përcjellë ekspozita synon të shpërfaq mendësinë totalitare.

Ekspozita duke vënë theksin mbi totalitarizmin, nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike Hosteni përgjatë viteve 1945-1990, paraqet përfytyrimet zyrtare të armikut të jashtëm, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si është përfytyruar ky armik në diktaturë.

“Kjo ekspozitë fokusohet në 2 shtylla të totalitarizmit shqiptar, njëra është njeriu i ri dhe tjetra vetëizolimi total, i cili ishte në funksion të kontrollit total. Kjo ishte arsyeja e marrëzisë, e vetëizolimit të vendit”. shprehet Shehu.

Përmes artit të karikaturës, Shehu ofron një këndvështrim ndryshe mbi historinë e Shqipërisë, duke treguar se si një vend me shumë aleatë, gradualisht e ngushton rrethin e miqve të tij, derisa përfundon si një nga shtetet më të izoluara në botë, përcjellë KultPlus.

“Këta karikatura kanë për temë armikun e jashtëm, siç quhej në atë kohë. Në të vërtetë më shumë se regjimet në vendet e tjera, flasim për regjimin shqiptar të kohës”, shton ai.

Mekanizmat e propagandës së kohës rikthehen përmes kësaj kujtese vizuale dhe kulturore. Ekspozita “Armiku i Jashtëm” do të qëndrojë e hapur në COD deri më 23 gusht, ku vizitorët kanë mundësi të shohin karikaturat e paraqitura dhe të lexojnë si diçiturat origjinale të kohës, ashtu edhe komentet e vendosura nga vetë Bashkim Shehu./TopChannel/KultPlus.com

”Forbes”: Pse duhet ta planifikoni Shqipërinë për pushimet tuaja?

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:42

Për dekada të tëra, Mesdheu ka qenë duke ju propozuar të njëjtat destinacione të arta, por tashmë të vjetruara si Kapri, San Trope’, Mikonos apo Ibiza, vendet ku jahtet janë më të mëdha se flota lokale e peshkimit dhe fatura për një drekë buzë detit mund të financojë edhe një vresht modest ballkanik.

Por, njohësit e udhëtimeve, ata që pëshpëritin emra në darka dhe fshehurazi, dëshirojnë që ju të mos i ndiqni këshillat e tyre, pasi ata kanë rrethuar një emër të ri dhe ai emër është Shqipëria, shkruan Jordi Lippe-McGraw për prestigjiozen ”Forbes”.

”Po, Shqipëria”, shkruan ai.

E vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, me një vijë bregdetare të përshkuar nga deti Jon, Shqipëria ka qenë për vite me radhë ”kushërira” e harruar e Klubit të Adriatikut. E lënë në hije nga Kroacia, e keqkuptuar nga Evropa Perëndimore dhe e mbyllur prej kohësh nga një regjim i zymtë komunist, ajo mbeti një vend i bardhë në hartën e Mesdheut.

Pra, ja çfarë ndodh me Shqipërinë – është pjesa e Mesdheut që vështirë se i ka kushtuar vëmendje dikush, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse është interesante tani. Në bregdetin jugor, keni Rivierën Shqiptare. Ai shtrihet përgjatë Jonit, me shkëmbinj dhe plazhe me guralecë që, sinqerisht, nuk do të dukeshin të çuditshme në Greqi apo Itali. Por, atmosfera është krejtësisht e ndryshme. Nuk ka ende resorte masive apo klube plazhi me shkëlqim  dhe çmimet janë shumë më të ulëta.

Në plazhin e Palasës, për shembull, tani keni ”Green Coast Hotel”, një hotel i ri me pesë yje që është pjesë e koleksionit ”MGallery”. Pamja është e thjeshtë – tone të buta, dysheme guri, një spa e vogël dhe seanca joge pranë detit. Madje ka edhe parashutizëm mbi shkëmbinj, gjë që është ajo që të tregon se sa shpejt ky bregdet po shndërrohet nga sekreti i udhëtarëve me çanta shpine në një destinacion të shndritshëm. Një ditë pini një kafe të ftohtë të bërë në shtëpi në një tavolinë plastike në plazh; ditën tjetër, pini një koktej në një bar hoteli duke parë diellin të perëndojë pas shkëmbinjve.

Por, vetëm pak kilometra në jug, gjërat duken shumë të njëjta me ato që kanë qenë prej vitesh.

Dhërmiu është një ndalesë popullore, e njohur për plazhin e tij me guralecë dhe baret që mbushen në verë me muzikë dhe kokteje. Ka edhe hotele të vogla këtu — vende familjare ku merrni një dhomë pa spa ose pishinë, por me një plazh disa hapa larg dhe ndoshta një lokal poshtë që shërben peshk të pjekur në skarë dhe birrë të ftohtë. Është lloji i vendit ku do të shihni familje shqiptare, disa udhëtarë evropianë me çanta shpine dhe, gjithnjë e më shumë, valën e parë të udhëtarëve kureshtarë nga më larg.

Jala është një tjetër plazh që tërheq turmën e të rinjve, veçanërisht kur zhvillohen festivalet e muzikës verore. Por, nëse kërkoni diçka më të qetë, vazhdoni. Gjipeja është e fshehur midis shkëmbinjve, një gji që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë. Nuk ka hotel, as rrugë, as shezlongë me qira të rreshtuara në rërë. Ndoshta ndonjë shilarëse të varur mes pemëve, ndoshta një bar i vogël plazhi që punon me gjenerator, ndoshta asgjë fare.

Ajo që e bën Shqipërinë të ndihet ndryshe — të paktën për momentin — është ajo që mungon. Asnjë hotel gjigant. Asnjë shezlong që kushton 80 euro. Asnjë turmë që të shtyn pranë rrënojave. Është ende pak e papërpunuar: rrugët nuk janë të mira, autobusët vonohen, ndonjëherë duhet të tërhiqesh kur planet nuk funksionojnë.

Por, është gjithashtu bujare – pjata të mëdha me mish ose peshk të pjekur në skarë, verë vendase dhe njerëz që këmbëngulin që të provosh rakinë e tyre të bërë në shtëpi, pavarësisht nëse mendon se mund ta përballosh apo jo. Mund të ecësh në një plazh që duket si diçka e nxjerrë nga një revistë udhëtimesh dhe të gjesh veten pothuajse vetëm, përveç disa vendasve që notojnë.

Megjithatë, ndryshimi po vjen me shpejtësi.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të hapet së shpejti, gjë që do të sjellë më shumë udhëtarë ndërkombëtarë. Klubet e plazhit tashmë po shfaqen në Riviera dhe markat më të mëdha të hoteleve po fillojnë të shikojnë vijën bregdetare. Pra, nëse jeni kuriozë për një pjesë të Mesdheut që ende ndihet si një zbulim – me përzierjen e saj të qyteteve osmane, maleve të egra dhe vijës bregdetare që nuk është gëlltitur nga zhvillimi – Shqipëria ia vlen të shkosh tani.

Sa gjatë do të qëndrojë kështu kjo është ende nuk dihet./atsh/KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe Rame Lahaj sjellin gala koncertin e verës në Prishtinë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:36

Në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operas “Rame Lahaj”, publiku do të ketë rastin të përjetojë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm: për herë të parë, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar do të ngjitet në skenën e këtij festivali prestigjioz.

Kjo gala-mbrëmje e shumëpritur, me titullin “Rame Lahaj & Friends”, do të mbahet më 2 gusht, ora 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, dhe do të udhëhiqet nga Maestro Roberto Rizzi Brignoli, një emër i njohur i dirigjimit operistik ndërkombëtar, përcjellë KultPlus

Orkestra Simfonike e RTSH-së, një nga institucionet më të rëndësishme muzikore në Shqipëri, vjen në këtë koncert me një histori të gjatë dhe të lavdishme që prej themelimit të saj më 16 maj 1962. Në vitin 2017, ajo u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, si vlerësim për rolin dhe kontributin e saj në jetën artistike dhe kulturore shqiptare.

Ky koncert vjen me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare, dhe shënon një tjetër gur themeli në afrimin e institucioneve muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës përmes artit dhe bashkëpunimit.
“Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Festivalit.

Të gjithë dashamirët e muzikës klasike dhe operës janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë që premton të jetë një natë e paharrueshme artistike në zemër të Prishtinës./KultPlus.com

‘’Shqiptarja’’ në sytë e artit francez

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:30

Një nga veprat më të rralla dhe më domethënëse të Jean-Baptiste Camille Corot, mjeshtrit të peisazhit francez të shek. XIX, është pikërisht piktura me titullin “L’Albanaise” e njohur ndryshe si “Shqiptarja”, realizuar në vitin 1872. Kjo tablo përfaqëson më shumë se një grua me veshje tradicionale; ajo është një rrëfim i heshtur, një frymë estetike që Corot i ka dhënë formë në vitet e fundit të jetës së tij, në një kohë kur arti i tij kishte arritur pjekurinë shpirtërore dhe emocionale.

Në këtë portret, grua shqiptare nuk e sfidon shikuesin. Ajo nuk kërkon vëmendje, as nuk provokon. Ajo ul sytë në një pikë të heshtur, në një reflektim të brendshëm që tejkalon estetikën sipërfaqësore. Ky pozicionim i syve nuk është thjesht teknikë kompozicionale; është një gjuhë e nënkuptuar që flet për ndrojtjen, për përmbajtjen, për mendimin e thellë, për atë feminitet që Corot e përjetëson jo përmes sensualitetit, por përmes shpirtit të gruas si qenie medituese, shkruan KultPlus.

Corot, i njohur gjerësisht për peizazhet e tij të qeta dhe të përndritshme, përmes kësaj pikture tregon një aftësi të rrallë për të kapur thellësinë e portretit njerëzor. “Shqiptarja” është jo vetëm një figurë estetike me veshje popullore ajo është një arketip i shpirtit të përmbajtur, një portret i ndjenjës dhe introspeksionit. Veshja tradicionale, që në vetvete është e pasur me simbolikë etnike dhe kulturore, këtu bëhet pjesë e një universi më të madh emocional, duke mbështetur jo vetëm identitetin e personazhit, por edhe thellësinë e tij njerëzore.

Vepra është realizuar në vaj mbi kanavacë, me përmasa 74.1 x 65.6 cm, dhe ndodhet sot në Muzeun e Brooklynit, si pjesë e koleksionit të dhuruar nga Horace O. Havemeyer. Ajo është një nga pikturat e fundit të Corot-it, i cili ndërroi jetë vetëm tre vite pas krijimit të saj, më 1875.

Edhe pse Corot mbetet kryesisht një emër i lidhur me peizazhin klasik francez dhe paraprijës i impresionizmit, portretet e tij sado të pakta kanë ushtruar një ndikim të thellë në zhvillimin e artit modern. Artistë si Cézanne, Picasso apo Braque e kanë konsideruar Corot-in një figurë themelore që përçonte ndjeshmëri përmes thjeshtësisë, butësisë dhe përmbajtjes.

“Shqiptarja” nuk është vetëm një figurë që i përket një kombi; ajo është një refleksion i shpirtit njerëzor në momentin e vet më intim dhe më të ndjeshëm. Kjo pikturë nuk flet me zë, por me heshtje të ndjerë, duke na kujtuar se arti më i madh nuk është gjithmonë ai që buçet, por ai që rrënjoset thellë, në mënyrë të pashpjegueshme dhe të përjetshme./KultPlus.com/

Pema e famshme e Sycamore Gap, “simbol i bukurisë së egër”

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:15

Pema e vetmuar në Sycamore Gap të Northumberland-it ishte një nga më të fotografuarat në gjithë vendin, përpara se të pritej qëllimisht në shtator të vitit 2023.

Ajo kishte qenë një simbol ikonik i zonës, duke qëndruar krenare për rreth 300 vjet në një gropë natyrore të peizazhit, pranë Murit të Hadrianit.

Pema nuk ishte thjesht një pikë referimi e dashur, por kishte një vend të veçantë në zemrat e shumë njerëzve, dhe gurë memorialë të zbukuruar shpesh lihen në vendin ku ndodhej ajo, shkruan BBC.

Tani dy burra janë dënuar me burg për prerjen e paligjshme të pemës dhe dëmtimin e Murit të Hadrianit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe monument i mbrojtur. Daniel Graham dhe Adam Carruthers u dënuan të dy me katër vjet e tre muaj burg, percjellë KultPlus.

Gjyqtarja, e cila e përshkroi pemën si “simbol i bukurisë së egër” të peizazhit përreth Murit të Hadrianit, tha se nuk ishte e sigurt për motivin, por besonte se “guximi i tepruar” dhe “kënaqësia në rrezik” ishin faktorë kryesorë./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Riga: Kosova, aleate e palëkundur në mbrojtje të vlerave demokratike dhe sigurisë evropiane

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Riga, Letoni, theksoi përkushtimin e vendit për të qenë një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike dhe sigurisë kolektive. Ajo vizitoi Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik, si pjesë e synimeve të Kosovës për anëtarësim në NATO.

Në kuadër të vizitës, Presidentja mori pjesë në një diskutim në Shtëpinë e Evropës me gra lidere dhe aktiviste nga Letonia. Ajo ndau përvojën e Kosovës si një shtet që ka kaluar luftën, por që sot avancon si një demokraci me gratë në qendër të çdo procesi vendimmarrës dhe të sigurisë.

Presidentja Osmani theksoi se përvoja e Kosovës dëshmon se paqja dhe zhvillimi janë të mundura përmes përfshirjes së barabartë dhe ndërtimit të institucioneve të forta. Ajo vlerësoi përkushtimin e grave në transformimin demokratik të vendit.

Vizita u përmbyll me një ndalesë në Muzeun e Okupimit të Letonisë, ku Presidentja nderoi historinë e rezistencës dhe vuajtjes së popullit letonez. Ajo e krahasoi këtë histori me atë të Kosovës, duke theksuar se kujtesa kolektive është një forcë e fuqishme për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe të sigurt./KultPlus.com

Pianisti pa dorën e djathtë që ndryshoi muzikën klasike përgjithmonë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:00

Një nga historitë më prekëse dhe frymëzuese në botën e muzikës klasike lidhet me pianistin austriak Paul Wittgenstein, i cili, pas humbjes së dorës së djathtë në Luftën e Parë Botërore, jo vetëm që nuk e la pasionin për pianon, por nisi një epokë të re në muzikën klasike: kompozimet për dorën e majtë të vetme.
Historia e Wittgenstein është një dëshmi e forcës së vullnetit dhe pasionit të pashuar për artin.
Pasi u plagos rëndë në betejën e Galicisë dhe humbi dorën e tij të djathtë, një fat tragjik i përbashkët për shumë ushtarë të asaj kohe ai u burgos në një kamp në Siberi. Aty, në mungesë të një pianoje, ai vizatoi me qymyr tastierën e një pianoje mbi një arkë të kthyer përmbys dhe nisi të stërvitej me dorën e majtë, shkruan The Guardian.

Pas kthimit në Vjenë në vitin 1915, Wittgenstein nuk u dorëzua. I ndihmuar nga pasuria dhe lidhjet e fuqishme të familjes së tij aristokrate,ishte vëllai i filozofit të famshëm Ludwig Wittgenstein ai nisi të porosiste vepra të reja nga disa prej kompozitorëve më të mëdhenj të kohës. Mes tyre ishin Prokofiev, Strauss, Britten, Hindemith, Korngold dhe natyrisht, Maurice Ravel.

Konkretisht, Koncerti për Piano për Dorën e Majtë nga Ravel, i kompozuar në vitet 1929-30, u bë një nga veprat më të njohura të këtij repertori. Kjo vepër është një shembull i shkëlqyer i mjeshtërisë në orkestracion dhe virtuozitetin që mund të shfaqet edhe me një dorë të vetme, përcjellë KultPlus.
Por Wittgenstein nuk ishte gjithmonë dakord me kompozitorët. Ai refuzoi të interpretonte Koncertin nr. 4 të Prokofiev-it, duke thënë se “logjika e brendshme e veprës nuk më është e qartë.” Ndërkohë, bëri ndryshime në partiturën e Ravel-it për premierën, gjë që zemëroi kompozitorin francez, i cili më pas u pajtua me të pasi Wittgenstein pranoi ta interpretonte veprën siç ishte shkruar fillimisht.

Sot, mbi 3,000 vepra janë kompozuar për dorën e majtë, një numër shumë më i lartë se për dorën e djathtë. Kjo jo vetëm për shkak të sfidës teknike, por edhe për faktin se gishti i madh i dorës së majtë (më i forti) projeksionon melodinë më me qartësi sesa gishti i vogël i dorës së djathtë që përdoret zakonisht në repertorin standard.

Në vitin 2025, gjatë edicionit të sivjetshëm të Proms në Mbretërinë e Bashkuar, një pianist i lindur pa dorën e djathtë do të interpretojë pikërisht këtë koncert legjendar të Ravel-it. Ai, një nga shumë pak solistë në botën klasike me një aftësi të kufizuar fizike, e sheh këtë si një nder dhe si një mundësi për të frymëzuar të rinjtë që të eksplorojnë këtë pjesë të jashtëzakonshme të historisë muzikore.

Ai gjithashtu planifikon të performojë edhe veprën e Prokofiev-it që Wittgenstein refuzoi, si dhe koncertin e mrekullueshëm të Korngold për dorën e majtë. Nëpërmjet këtij rrugëtimi, ai synon të mbajë gjallë trashëgiminë e Paul Wittgenstein dhe të çojë më tej historinë e një repertori që lindi nga tragjedia, por që sot ndriçon me talent dhe guxim./KultPlus.com



Gonxhja: Prezantimi në WIPO, hap i rëndësishëm drejt afirmimit të identitetit kombëtar

By: Kult Plus
16 July 2025 at 09:50

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e cilësoi si moment historik organizimin e Side Event në Gjenevë, në Asamblenë e Përgjithshme të WIPO, ku u promovua me krenari trashëgimia jonë kulturore dhe produktet me tregues gjeografik.

Aktiviteti i posaçëm u zhvillua në selinë e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) në Gjenevë, ku morën pjesë mbi 600 delegatë nga e gjithë bota.

“Një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të identitetit tonë kombëtar dhe integrimit në standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së pronësisë intelektuale”, u shpreh ministri Gonxhja, në profilin e tij në rrjetet sociale.

Kjo ishte hera e parë që Shqipëria mori pjesë me një aktivitet zyrtar në ambientet e WIPO-s, duke ia paraqitur publikut ndërkombëtar thesaret autentike të trashëgimisë sonë kulturore.

Në këtë Side Event u prezantuan: produkte të mbrojtura si tregues gjeografik, kostume popullore nga krahinat e ndryshme të vendit dhe punime delikate filigrani, simbol i mjeshtërisë shqiptare. Ndërsa programi artistik përmbante valle tradicionale dhe muzikë nga trevat shqiptare, si dhe një prezantim të veçantë mbi treguesit gjeografikë dhe shprehjet kulturore tradicionale.

WIPO, një agjenci e Kombeve të Bashkuara, udhëheq zhvillimin e një ekosistemi global të balancuar të pronësisë intelektuale që promovon inovacionin, kreativitetin dhe qëndrueshmërinë. Me 193 shtete anëtare, WIPO mbështet kulturat dhe ekonomitë nëpërmjet mbrojtjes së të drejtave krijuese dhe industriale./atsh/KultPlus.com

Zbulohet për herë të parë ikona e Shën Mërisë së Mborjes në Korçë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 09:31

Për herë të parë, publikut i jepet mundësia të shohë nga afër ikonën e Shën Marisë në Korçë, një nga veprat më të rralla të artit ikonografik shqiptar. Kjo ikonë i përket kishës së Mborjes, një kishë që sot nuk ekziston më, por që ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe artistike.

Restauratori i njohur Genti Proko shpjegon se kjo ikonë daton në fundin e shekullit XIV dhe fillimin e shekullit XV, dhe dallohet për një veçori të rrallë: është pikturuar në të dy anët. Në njërën anë paraqitet figura e Shën Marisë, ndërsa në anën tjetër është realizuar skena e Kryqëzimit, përcjellë KultPlus.

“Kjo ikonë përfaqëson një punim të rrallë për nga teknika, koha dhe përmbajtja. Dyfaqësia e saj tregon për përdorim liturgjik të veçantë dhe na lidh me një etapë të hershme të ikonografisë sonë”, tha restautori Proko.

Ndërkohë, një tjetër ikonë me rëndësi të veçantë, ajo e “Joanit Pagëzorit”, ka përfunduar procesin e restaurimit pas disa muajsh pune të përkushtuar në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

“Ikona kishte pësuar dëmtime serioze në të gjitha komponentët e saj, por tashmë ajo është restauruar dhe e gatshme për t’u ekspozuar. Është një pasuri që meriton të shihet nga publiku”, tha Marjana Lara, drejtore e muzeut.

Muzeu i Artit Mesjetar, në kuadër të një qasjeje të re ndaj publikut, prezanton herë pas here ikona që nuk janë ekspozuar më parë, duke i ofruar si vizitorëve vendas, ashtu edhe atyre të huaj, mundësinë për të zbuluar thesare të rralla të trashëgimisë sonë kulturore./KultPlus.com

Ylli i serialit “Adolescence” në Netflix, Owen Cooper, bëhet kandidati më i ri i çmimeve “Emmy”

By: Kult Plus
16 July 2025 at 09:10

Ylli i serialit “Adolescent”, Owen Cooper, ka hyrë në historinë e çmimeve Emmy si një nga kandidatët më të rinj ndonjëherë për nominimet e këtij viti.

Aktori britanik 15-vjeçar është nominuar në kategorinë pwr aktorin mw tw mirw mbwshtetws për një serial të kufizuar, antologjik apo film televiziv. Nëse e fiton çmimin, Owen Cooper do të bëhet mashkulli më i ri që ka marrë ndonjëherë një Emmy për aktrim.

Në krye të listës së nominimeve për këtë vit qëndron satira mbi jetën në vendin e punës Severance, e ndjekur nga The Penguindhe The White Lotus.

Britt Lower, Quinta Brunson, Harrison Ford dhe Jeremy Allen White janë mes emrave më të spikatur që garojnë për çmimet kryesore të aktrimit.

Ndër kandidatët kryesorë në kategoritë e komedisë janë serialet The Studio, The Bear, Abbott Elementary dhe Shrinking.

RuPaul ka hyrë në historinë e çmimeve Emmy si prezantuesi më i nominuar ndonjëherë në kategorinë e reality show, falë suksesit të emisionit të tij RuPaul’s Drag Race. Ndërkohë, Harrison Ford ka marrë nominimin e tij të parë ndonjëherë për një çmim Emmy, në moshën 83-vjeçare, për interpretimin në serialin Shrinking.

Aktorët dhe serialet më të spikatura të televizionit do të vlerësohen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që do të mbahet më 14 shtator në Los Angeles./KultPlus.com

Lista e plotë e të nominuarve e shpallur të martën

16 – Të Fundit prej Nesh

Askush nuk e dëshiron këtë (Netflix)

Vetëm Vrasje në Ndërtesë (Hulu)

Çfarë bëjmë në hije (Hulu)

Seri e shkëlqyer e kufizuar ose antologjike

Përbindëshat: Historia e Lyle dhe Erik Menendez (Netflix)

Aktori më i mirë kryesor në një serial dramë

Sterling K Brown – Paradise (Hulu)

Gary Oldman – Kuajt e Ngadaltë (Apple TV+)

Pedro Pascal – The Last of Us (HBO Max)

Adam Scott – Severance (Apple TV+)

Noah Wyle – The Pitt (HBO Max)

Aktorja më e mirë kryesore në një serial dramë

Kathy Bates – Matlock (CBS)

Sharon Horgan – Bad Sisters (Apple TV+)

Britt Lower – Severance (Apple TV+)

Bella Ramsey – The Last of Us (HBO Max)

Keri Russell – The Diplomat (Netflix)

Aktori më i mirë kryesor në një serial komedi

Adam Brody – Askush nuk e dëshiron këtë (Netflix)

Seth Rogen – Studio (Apple TV+)

Jason Segel – Shrinking (Apple TV+)

Martin Short – Vetëm Vrasje në Ndërtesë (Hulu)

Jeremy Allen White – The Bear (Hulu)

Aktorja më e mirë kryesore në një serial komedi

Uzo Aduba – Rezidenca (Netflix)

Kristen Bell – Askush nuk e dëshiron këtë (Netflix)

Quinta Brunson – Shkolla Fillore Abbott (ABC)

Ayo Edebiri – Ariu (Hulu)

Jean Smart – Hacks (HBO Max)

Aktori kryesor më i mirë në një serial ose film të kufizuar ose antologjik

Colin Farrell – The Pinguin (HBO Max)

Stephen Graham – Adoleshenca (Netflix)

Jake Gyllenhaal – I Supozuar i Pafajshëm (Apple TV+)

Bryan Tyree Henry – Hajdut Dope (Apple TV+)

Cooper Koch – Përbindëshat: Historia e Lyle dhe Erik Menendez (Netflix)

Aktorja më e mirë kryesore në një serial ose film të kufizuar ose antologjik

Cate Blanchett – Mohim përgjegjësie (Apple TV+)

Meghan Fehy – Sirens (Netflix)

Rashidah Jones – Black Mirror (Netflix)

Cristin Milioti – The Pinguin (HBO Max)

Michelle Williams – Dying for Sex (Hulu)

40 vjet më parë “Live Aid”, muzika që ndryshoi botën

By: Kult Plus
15 July 2025 at 23:45

“Live Aid” ishte një ngjarje historike dhe e papërsëritshme, që mblodhi 150 milionë dollarë për viktimat e urisë në Etiopi dhe shkatërroi karrierën e krijuesit të saj, Bob Geldof.

“Live Aid” mbushi 40 vjeç dje dhe Gjenerata Z që beson se muzika është një koleksion këngësh që duhen shtuar në një listë nuk e di fare se për çfarë bëhet fjalë.

Në atë kohë, Bob Geldof ishte ende lideri i “Boomtown Rats”, një grup irlandez që kishte shijuar sukses të konsiderueshëm në vitet e hershme të “New Wave”.

Pas “Live Aid”, karriera muzikore e Geldof u shua edhe pse ai mori titullin Sir për punën e tij bamirëse.

“Live Aid”, i cili zgjati 16 orë dhe u transmetua drejtpërdrejt duke përdorur 16 satelitë (40 vjet më parë, satelitët ishin tepër të shtrenjtë dhe kishin orare të kufizuara, por nuk vareshin nga tekat e Elon Musk), u ndoq nga dy miliardë njerëz, të ndarë midis skenave në stadiumin “Wembley” në Londër dhe stadiumin JFK në Filadelfia.

Paul McCartney, Bob Dylan, U2, Led Zeppelin, Madonna, Ozzy Osbourne dhe Black Sabbath, Elton John, Crosby, Stills, Nash & Young, Mick Jagger dhe Tina Turner, ishin midis të pranishmëve.

Muzikalish, fituesit ishin “Queen”, të cilët luajtën një shfaqje pasdite në Londër.

Phil Collins fitoi çmimin Stakhanov duke performuar.

Ai më pas mori avionin “Concorde” në Londër (dhe edhe atëherë, ishte një simbol i fatit progresiv të inxhinierisë hapësinore…) dhe mbërriti në Filadelfia, ku këndoi “Against All Odds”, duke bërë një gabim spektakolar në piano, dhe më pas la një përshtypje të tmerrshme duke luajtur bateri me “Led Zeppelin”.

Nga ana tjetër, Paul McCartney e gjeti veten me mikrofonin të fikur për dy minutat e para të këngës “Let It Be”, dhe askush, as në stadium dhe as në shtëpi, nuk dëgjoi asnjë notë.

Në edicionin DVD të publikuar 20 vjet më vonë, pistat e mikrofonit dhe pianos u rimasterizuan duke përdorur pistat origjinale, të cilat fillimisht mezi dëgjoheshin.

“Live Aid” ishte një ngjarje e rëndësishme që demonstroi fuqinë e muzikës për t’u mobilizuar dhe angazhuar, një forcë e paimagjinueshme sot.

Sidomos duke pasur parasysh se origjina e “Live Aid” qëndron në këngën “Do They Know It’s Christmas”, e cila solli të gjithë yjet më të mëdhenj të rock dhe pop britanik në studion e regjistrimit për të mbledhur fonde për viktimat e urisë në Etiopi, me iniciativën e Geldof dhe Midge Ure.

Kjo këngë nxiti “We Are the World”, këngën e publikuar nga kompania fituese e çmimeve Lionel Ritchie & Quincy Jones me bekimin e Michael Jackson.

Kënga është subjekt i njërit prej dokumentarëve muzikorë më sensacionalë të viteve të fundit, duke sjellë disa nga legjendat e muzikës amerikane në studio brenda një nate./KultPlus.com

Jacques Derrida, filozofi që rishkroi mendimin bashkëkohor

By: Kult Plus
15 July 2025 at 23:07

Jacques Derrida lindi më 15 korrik 1930 në El Biar, një periferi e Algjerit, në kohën kur Algjeria ishte ende një koloni franceze. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të filozofisë bashkëkohore dhe themeluesi i metodës kritike të njohur si dekonstruksioni, e cila sfidoi mënyrat tradicionale të interpretimit të teksteve, historisë dhe gjuhës, transmeton KultPlus.

Derrida u lind në një familje hebre-sefarde dhe përjetoi personalisht diskriminimin racor që ndodhte në Francën koloniale, veçanërisht gjatë regjimit të Vichy-t në Luftën e Dytë Botërore. Kjo përvojë ndikoi thellësisht në mënyrën se si ai më vonë do të mendonte për përjashtimin, marginalizimin dhe identitetin.

Në vitet 1950, ai studioi në École Normale Supérieure në Paris, ku u njoh me filozofë të mëdhenj si Jean-Paul Sartre, Emmanuel Levinas dhe Michel Foucault. Me kalimin e kohës, Derrida u dallua për një mënyrë të re të të menduarit, që shpesh e vendoste në kundërshtim me strukturat klasike të filozofisë perëndimore.

Dekonstruksioni nuk është një metodë shkatërrimi, siç është interpretuar gabimisht herë pas here, por më tepër një analizë e thellë e mënyrës se si kuptimet ndërtohen dhe prishen në gjuhë. Ai besonte se çdo tekst ka kontradikta të brendshme që minojnë pretendimin për kuptim të qëndrueshëm.

Në veprën e tij më të njohur, Of Grammatology (1967), Derrida analizoi marrëdhënien ndërmjet të folurit dhe të shkruarit, duke sfiduar idenë se e folura është forma “më e pastër” e gjuhës. Ai tregoi se gjuha është gjithmonë e ndërmjetësuar dhe se kuptimi nuk është kurrë i fiksuar – gjithmonë në rrëshqitje, gjithmonë në diferencë.

Në thelb, Derrida i sfidoi të gjitha binaritetet tradicionale që kanë mbizotëruar mendimin perëndimor: prania/mungesa, shkrimi/e folura, i arsyeshmi/i ndjeshmi, mashkulli/femra. Ai e trajtoi filozofinë si një mjet për të shqyrtuar pushtetin që fshihet pas strukturave të mendimit, dhe mënyrat në të cilat këto struktura formësojnë jetën politike, kulturore dhe sociale.

Ai u mor gjithashtu me tematika të tilla si drejtësia, mikpritja, përjashtimi, si dhe identitetet e minoriteteve, duke e shndërruar filozofinë në një praktikë radikale dhe të përfshirë në realitet.

Jacques Derrida ndërroi jetë më 8 tetor 2004, por ndikimi i tij vazhdon të ndihet fuqishëm. Ai ka ndikuar jo vetëm filozofinë dhe teorinë letrare, por edhe disiplinat si antropologjia, sociologjia, psikologjia, arkitektura dhe teoria ligjore.

Edhe pse shpeshherë i keqkuptuar apo i debatuar, Derrida ishte një mendimtar i guximshëm, që i dha filozofisë një dimension të ri – një mendim që kërkon të kuptojë atë që është lënë jashtë, të padukshmen, të papërfaqësuarën./KultPlus.com

Screenshot
Yesterday — 15 July 2025Main stream

Përse Da Vinci, Botticelli dhe Rembrandti shtonin të verdhën e vezës në bojërat e tyre

By: Kult Plus
15 July 2025 at 22:32


Sipas një studimi të botuar në revistën ”Nature Communications”, mjeshtrit e mëdhenj të epokës së Rilindjes dhe Barokut si Leonardo da Vinci, Sandro Botticelli dhe Rembrandt shtuan qëllimisht të verdhën e vezës në pikturat e tyre me vaj, shkruan g24.sky.it.

“Burimet janë të pakta dhe studimet shkencore mbi këtë temë nuk janë bërë kurrë më parë”, theksoi autorja e studimit, Ophélie Ranquet e Institutit të Inxhinierisë në Institutin e Teknologjisë Karlsruhe në Gjermani.

E verdha e vezës

Sipas asaj që doli nga studimi, mjeshtrit e epokës së Rilindjes dhe Barokut e zbatuan këtë strategji, sasi të vogla të verdhë veze, ndryshojnë në një mënyrë të qëndrueshme vetitë e bojës dhe artistët e dinin mirë këtë gjë”.

Deri më tani mendohej se prania e proteinave si e verdha e vezës ishte rezultat i kontaminimit aksidental.

Ranquet, e cila gjeti gjurmë të substancës në dy piktura në Alte Pinakothek në Mynih, ”Madonna me karafil” e Leonardos dhe ”Vajtimi mbi Krishtin e vdekur” të Botticellit, është e bindur se artistët ishin të vetëdijshëm për pasojat e përzierjes së të verdhës me bojë, duke përfshirë për shembull përmirësimin e rezistencës ndaj lagështirës.

”Të dhënat e reja nuk janë vetëm të dobishme për restaurimin dhe ruajtjen e veprave të artit, por gjithashtu lejojnë një kuptim më të mirë të historisë së artit. Ato na ofrojnë një skenar të ri për të kuptuar teknikat e lashta të pikturës”, deklaroi Maria Perla Colombini, profesoreshë e kimisë analitike në Universitetin e Pizës./ KultPlus.com

❌
❌