Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Mësoi turistët të hedhin mbeturinat në tokë, 1 milion lekë gjobë Kozakut të Tik Tok

16 July 2025 at 14:07

Tik Tok-eri i njohur, Kozak Braçi është gjobitur me 100.000 lekë gjobë nga policia e Tiranës, pak kohë pasi një video e tij, ku mësonte një turist sesi të hidhte mbeturinat nga makina në rrugë, qarkulloi në rrjetet sociale.

“Nuk është problem. Nuk është problem në Shqipëri”, dëgjohet Braçi teksa i sugjeron turistit, që ndodhet pasagjer në të njëjtin automjet me të, që të bëj edhe ai një veprim të ngjashëm. “Për ty, ndoshta”, ia kthen ai.

Braçi u shoqërua në ambientet e Komisariatit dhe u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë.

The post Mësoi turistët të hedhin mbeturinat në tokë, 1 milion lekë gjobë Kozakut të Tik Tok appeared first on Gazeta Si.

Vranë të riun në Mat pasi dyshonin se u vidhte paratë e drogës, kush janë 3 vëllezërit Bushgjoka nga Tropoja

16 July 2025 at 10:47

Gazeta Si – Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i mbytur më 9 korrik në liqenin e Shkopetit dhe ka arrestuar dy autorët e dyshuar, Petrit Çakrrin dhe Fatjon Bushgjokën.

Në kërkim janë dy vëllezërit e këtij të fundit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.

Aktualisht po hetohen pistat e vrasjes për larjen e hesapeve të drogës, aktivitet kriminal me të cilin viktima dhe të dyshuarit janë marrë në Gjermani.

Krimi u zbardh falë pajisjeve GPS të vendosura në makinat që Çakrri dhe 3 vëllezërit Gjoka kishin marrë me qira për të vëzhguar e më pas për të rrëmbyer 23 vjeçarin Dobra pranë shtëpisë së tij të veshur si policë.

Për tre ditë, autorët e dyshuar e vëzhguan të riun me 3 mjete të ndryshme ndërsa ditën e rrëmbimit i bllokuan rrugën me ‘Range Rover’ dhe ‘Hunday’.

Pas torturës dhe mbytjes me litar, trupi i të riut u hodh në liqenin e Shkopetit. Njëri prej të arrestuarve, Petrit Çakrri është emër i njohur për policinë pasi më herët ka dëshmuar edhepër vrasjen e ish-liderit të PD, Azem Hajdari.

Renis Dobra

Kush janë vëllezërit Bushgjoka?

Por kush janë tre vëllezërit Bushgjoka nga Tropoja, të cilët akuzohen se planifikuan dhe kryen vrasjen e të riut nga Mati, Renis Dobra i cili u gjet i mbytur në liqenin e Shkopetit më 9 korrik.

Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjoka, ky i fundit i arrestuar, dyshohet se në bashkëpunim me mikun e tyre Petrit Çakrri kryen krimin e rëndë duke e rrëmbyer, torturuar dhe më pas vrarë të riun Renis Dobra me të cilin dyshohet se kishin patur konflikte për trafikun e drogës në Gjermani pasi dyshonin se ai po u vidhte paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal.

Të tre vëllezërit të cilët prej vitesh jetonin në Kamëz, rezultojnë të jenë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Fatjon Bushgjoka i cili është i arrestuar aktualisht, ka qenë disa herë i proceduar dhe dënuar për vjedhje në Shqipëri si dhe trafik droge në Itali.

Në tetor 2019, Fatjon Bushgjoka mori një leje disa ditore nga burgu i Rrogozhinës dhe nuk u kthye më aty. Asokohe ai ishte dënuar me 6 vite burg për një vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim.

Viktima Renis Dobra dhe njëri prej autorëve të arrestuar, Petrit Çakrri

Kush ësjtë Petrit Çakrri?

Ndër personat e dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë del emri i Petrit Çakrrit, një personazh me të kaluar problematike dhe histori të hershme me drejtësinë.

Çakrri, i cili më vonë ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha, është një emër që “rikthehet” nga e shkuara, më konkretisht si një prej dëshmitarëve okularë në ngjarjen e bujshme të vitit 1998, kur u vra ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai ka dëshmuar në atë që u quajt “procesi i shekullit”, por rruga e tij nuk ka qenë asnjëherë larg problemeve me ligjin.

Në vitin 2017, ai u arrestua nën akuzën për “mashtrim me pasoja të rënda”, pasi kishte përvetësuar një shumë prej 4.4 milionë lekësh nga një biznesmen vlonjat duke u paraqitur si tregtar.

Burime nga Policia bëjnë me dije se Çakrri ka ndjekur nga afër lëvizjet e viktimës, Renis Dobra. Menjëherë pas ekzekutimit, ai është larguar nga Shqipëria, ku dyshohet se ka kaluar kufirin përmes pikës së Morinës.

Ndërkohë, nipi i tij është ndaluar nga policia dhe, sipas raportimeve, në celularin e tij janë gjetur prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

The post Vranë të riun në Mat pasi dyshonin se u vidhte paratë e drogës, kush janë 3 vëllezërit Bushgjoka nga Tropoja appeared first on Gazeta Si.

Mat / E mbytën me litar dhe e hodhën në liqen, arrestohen 2 nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit (zbardhet dinamika)

16 July 2025 at 08:52

Gazeta Si – Arrestohen dy nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë ku trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit.

Sipas burimeve, në pranga janë vënë Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, në Tropojë e Tiranë. Ndërsa në kërkim janë shpallur vëllezërit e këtij të fundit, Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Ende nuk dihet zyrtarisht cili ka qenë motivi i këtij krimi të rëndë, edhe pse dyshimet se shkak mund të jenë bërë pazaret e prishura të drogës.

Nga përgjigja paraprake e ekspertizës mjeko-ligjore, rezulton se 23-vjeçari ka humbur jetën nga mbytja me litar.

Renis Dobra, dyshohet se është thirrur në banesën e tij që ndodhet në fshatin Zenisht. Ndërsa trupi i tij u gjet i pajetë rreth 30 km larg shtëpisë, buzë liqenit.

Për zbardhjen e krimit të rëndë, ekspertët e krimeve të policisë së Dibrës, por dhe nga Policia e Shtetit i kanë përqendruar hetimet në disa pista.

Sipas burimeve, në Gjermani, është marrë me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.

Viktima nuk ka precedent të theksuar kriminal, por ka qenë i dyshuar dhe ishte hetuar për vjedhje banesash. Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë pistën se i riu ka pasur konflikte për ndonjë vajzë.

Dyshohet se autorët kanë lëvizur me automjete tip “Range Rover” dhe “Hunday” më 8 korrik ditën kur rrëmbyen të riun Dobra.

23 vjeçari u raportua i zhdukur nga prindërit e tij po në të njëjtën ditë. Ndërsa mëngjesin e 9 korrikut pas disa orëve kërkimesh, u gjet i pajetë në liqenin e Shkopetit rreth 10 metra nga bregu. Më tej u gjet edhe automjeti i tij.

Fillimisht familjarët e tij kishin dyshuar se 23 vjeçari duke qenë person i ndaluar më parë, ishte shoqëruar për në komisariat, por pasi u informuan se nuk ishte aty, nisën kërkimet për gjetjen e Dobrës.

Në fytin e të riut u konstatuan shenja që ngrinin dyshime se ai mund të jetë mbytur me litar dhe më pas është hedhur i vdekur në liqen.

Fati tragjik i Renis Dobrës u bë edhe më i qartë pas dëshmisë së dhënë nga njëri prej kushërinjve të tij i cili tha se ditën kur 23 vjeçari u zhduk e kishin ndaluar dy makina pranë shtëpisë së tij.

Kushëriri i tij i cili po udhëtonte nga Burreli drejt Zenishtit tha se pasi zbriti nga makina e tij për të parë se për çfarë bëhej fjalë, dy persona të veshur me uniforma policie e kishin urdhëruar të largohej.

Menjëherë pas ngjarjes lajmëroi prindërit e të riut të cilët u nisën drejt komisariatit me mendimin se djali i tyre ndodhej aty.

Por në fakt, ngjarja nuk rezultoi e tillë dhe dyshohet se personat që kryen krimin, e rrëmbyen të riun teksa ishin të veshur si policë për të shmangur ndërhyrjen e personave të tjerë

The post Mat / E mbytën me litar dhe e hodhën në liqen, arrestohen 2 nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit (zbardhet dinamika) appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Shembet me tritol godina tre katëshe në Theth

15 July 2025 at 19:01

Një godinë 3-katëshe, e ndërtuar pa leje në Theth u shemb këtë pasdite me shpërthim të kontrolluar me lëndë plasëse.

Prej ditësh tashmë një aksion i organizuar nga IKMT dhe policia ka prishur godinat pa leje në Theth.

Kjo është kundërshtuar nga banorët, të cilët kanë bllokuar rrugën apo kanë hyrë brenda banesave për të penguar ndërhyrjen.

The post Shembet me tritol godina tre katëshe në Theth appeared first on Gazeta Si.

Dorëzohet padia e parë civile kundër ndotjes nga zjarri në landfillin e Elbasanit

15 July 2025 at 14:01

Nga Gazeta Si- Pas zjarrit të madh që ra në landfillin e mbetjeve në Elbasan në fillim të korrikut, një qytetare nga Elbasani, e diagnostikuar me astmë bronkiale në formë të rëndë, ka depozituar një padi civile kundër kompanisë dhe Bashkisë Elbasan, për dëmet e shkaktuara nga ndotja ajrore e shkaktuar pas zjarrit.

E shoqëruar nga aktivisti dhe avokati i Drejtësi Sociale, Gentian Sejrani, qytetarja kërkon dëmshpërblim për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, si pasojë direkte e kësaj ngjarjeje.

Fatmira Sejrani, 63 vjeç, vuan prej shumë vitesh nga një sëmundje e aparatit respirator dhe gjatë atyre ditëve pati një përkeqësim të situatës shëndetësore, ku nëse e përdorte pompën 1-2 herë në ditë, iu desh ta përdorte 5-6 herë në ditë.

Zjarri çliroi re të dendura tymi të zi, me erë të rëndë djegieje plastike dhe materiale organike, që për ditë të tëra u përhapën në zonat e banuara.

Sipas avokatit, gjatë javës së parë të muajit korrik, qytetarët e Elbasanit, përfshirë edhe paditësen, përjetuan simptoma shqetësuese si vështirësi në frymëmarrje, djegie në sy, dhimbje koke dhe ndjesi të përziera.

Sipas matjeve të realizuara nga organizata Co-PLAN Institute for Habitat Development më 2 korrik, cilësia e ajrit ka qenë shumëfish mbi normat e lejuara të BE-së, duke përfshirë nivele alarmante të NO₂, CO₂, metanit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs) dhe grimcave PM2.5/PM10 – me pasoja të rënda për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike respiratore.

“Kjo padi është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane”, thotë avokati.

The post Dorëzohet padia e parë civile kundër ndotjes nga zjarri në landfillin e Elbasanit appeared first on Gazeta Si.

Urdhri i kryeministrit, valë dorëheqjesh nga drejtorët dhe administratorët e disa bashkive

15 July 2025 at 13:06

Nga Gazeta Si- Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, administratorë dhe drejtorë vijojnë të japin dorëheqjen.

Në Bashkinë e Bulqizës kanë dhënë dorëheqjen 8 Administratorë të njësive përfshirë edhe qytetit.

Ndërkohë dorëheqjen kanë dhënë edhe dy Nënkryetarët si dhe drejtorët e drejtorive që i përkasin bashkisë.

Një ditë pasi u është kërkuar dorëheqja, thuajse të gjithë drejtorët në bashkitë Sarandë dhe Delvinë, i kanë dorëzuar ato tek eprorët.

Në bashkinë Mat kanë dhënë dorëheqjen 8 Administratorët e njësive si dhe një Nënkryetar pasi Nënkryetari tjetër pason detyrën e kryetarit të Bashkisë pas dorëheqjes së ish kryetarit Agron Malaj i cili kandidoi për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Po ashtu, pas dorëheqjes se 9 administratorëve të bashkisë Gramsh dje, sot kane dhënë dorëheqjet të gjithë drejtorët e bashkisë dhe përgjegjësit në varësi të tyre.

Sa i përket nënkryetarëve, njëra është e sapo emëruar, një muaj në detyre, ndërsa nënkryetari tjetër është në prag pensioni.

Valë dorëheqjesh ka edhe në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Raportohet se pas mbledhjes me kryebashkiakun Kristin Shkeli kanë paraqitur dorëheqjen 3 zv.kryetarët, administratorët e njësive vendore dhe drejtorët.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në bashkitë e mëdha të vendit si Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër etj.

The post Urdhri i kryeministrit, valë dorëheqjesh nga drejtorët dhe administratorët e disa bashkive appeared first on Gazeta Si.

Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve

15 July 2025 at 11:02

Gazeta Si – Për herë të parë në Theth, do të përdoret shpërthimi me tritol. Mëngjesin e sotëm, forcat e IKMT dhe forcat xhenio të Forcave të Armatosura kanë mbërritur ne godinën e fundit për ta shembur.

Mbrëmë u shemb vetëm një shtëpize druri ndërsa sot, do të shembet një godinë 3 katëshe. Për këtë arsye kanë mbërritur edhe forcat xhenio të cilët po studiojnë objektin dhe po marrin masat për vendosjen e lendes plasëse. Në afërsi të ndërtesës është edhe shtëpia tjetër e familjes Çerkaj, me leje.

Ndërkohë, një grup qytetarësh nga Mirdita u nisën drejt Thethit, në solidaritet me banorët e zonës së Dukagjinit.

Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, kjo iniciativë vjen si shprehje e mbështetjes për vëllezërit e gjakut në Shalë e Shosh, të cilët po përballen me sfida serioze që prekin jetesën, trashëgiminë dhe të ardhmen e tyre në këto treva historike.

Mirditorët u shprehën se ky udhëtim nuk është thjesht simbolik, por një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar dhe veprim konkret.

“Mirdita, ka qenë krah për krah me pjesën tjetër të Veriut në kohë vështirësish, sot rikonfirmon lidhjet e gjakut, të besës dhe të trashëgimisë kulturore me Dukagjinin. Mirdita nuk hesht. Mirdita qëndron krah Dukagjinit, në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe tokës që na rriti”, shprehen ata.

“Mirdita solidarizohet me Dukagjinin” – sepse jemi një, sepse bashkimi është forca jonë më e madhe.

The post Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve appeared first on Gazeta Si.

Vlorë, 17-vjeçarja tentoi vetëvrasjen pas dhunës në familje, arrestohet babai. Nën hetim edhe gjyshi

15 July 2025 at 09:55

Nga Gazeta Si- Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të një dite më parë në lagjen Kushtrimi, ku 17-vjeçarja tentoi vetëvrasjen me armë zjarri, duke mbetur e plagosur rëndë me plagë në kokë.

Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar babain e vajzës, 43-vjeçarin S.S., i cili akuzohet se ka dhunuar të bijën. Sipas bluve, e mitura tentoi vetëvrasjen pas dhunës së ushtruar nga i ati.

Në hetim është vënë edhe gjyshi i vajzës, për armëmbajtje pa leje, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Kjo pasi tentativa e vetëvrasjes ndodhi në shtëpinë e gjyshërve, me armën që gjyshi mbante pa leje.

Arma e krimit, tip pistoletë, është fshehur nga familjarët dhe nuk është gjetur ende nga policia.

17-vjeçarja e vetëplagosur në kokë mori fillimisht mjekim në Spitalin e Vlorës dhe më pas u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë.

The post Vlorë, 17-vjeçarja tentoi vetëvrasjen pas dhunës në familje, arrestohet babai. Nën hetim edhe gjyshi appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Shembet mes tensioneve të banorëve godina e fundit në Theth. Rama: Rilindja urbane 2.0

14 July 2025 at 21:34

Gazeta Si – Pas një aksioni që zgjati për më shumë se 7 ditë, mbrëmjen e së hënës është prishur dhe ngrehina e fundit e ndërtuar pa leje në zonën turistike malore të Thethit.

Edhe prishja e këtij objekti u shoqërua me protestën dhe kundërshtinë e pronarëve, të cilët pas disa orësh e panë të shembje nga ekskavatori i IKMT.

Pronarëve u ishte dhënë koha deri në orën 18:00 të ditës së sotme që strukturat t’i çmontonin vetë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë natën për ta shembur.

Fillimisht pati rezistencë nga banorët, ku u tentua t’i bllokohej rruga fadromës dhe më pas rreth 30 banorë u ngujuan brenda godinës për të mos lejuar shembjen e objektit, ku mes tyre kishte edhe gra edhe fëmijë.

Gjithsesi, rezistenca e tyre nuk zgjati më shumë se një orë dhe ata u larguan paqësisht, pas një telefonate me pronarin e objektit, i cili ndodhej në Valbonë me një grup turistësh.

Sipas informacione, ai u ka kërkuar familjarëve të tij dhe banorëve të tjerë që të largohen për të mos rrezikuar jetën e askujt, duke qenë se është edhe natë.

Banorët kanë kërkuar një vendim gjykate që të justifikojë ligjërisht shembjen e ndërtesës, ndërsa janë ulur në rrugë për të bllokuar kalimin e mjeteve të IKMT-së.

Policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon sigurie dhe ka tentuar të largojë banorët, por situata mbeti për minuta e tensionuar.

Pavarësisht përpjekjeve për të nisur shembjen, familjarët janë futur brenda objektit, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e fadromës, deri sa më në fund u doreëzuan.

Në mbrëmje, kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga pastrimi i inerteve nga shembja masive e godinave pa leje në Theth.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE.

Kreu i qeverisë thekson se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot- thekson Rama – Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale. Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama.

Ky aksion i IKMT-së, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar.

The post Shembet mes tensioneve të banorëve godina e fundit në Theth. Rama: Rilindja urbane 2.0 appeared first on Gazeta Si.

Sekuestrohet pallati pa leje në Vlorë, Rama: I kalon shtetit! Këtë fat do kenë të gjitha objektet në shkelje

14 July 2025 at 13:01

Nga Gazeta Si- Një pallat pa leje është sekuestruar ditën e sotme në Vlorë dhe sipas Kryeinspektores së IKMT-së Dallëndyshe Bici, ndërtesa do t’i kalojë shtetit.

Kreu i qeverisë Edi Rama në një postim në Facebook shprehet se këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike.

“Së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë, – tha Rama. – Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, – shkruan Rama.

Paralajmërimin e Ramës e konfirmon Bici, e cila tha se pallati në fjalë do t’i kalojë shtetit për t’u përdorur në funksion të interesit publik. Drejtoresha e IKMT gjithashtu nënvizoi se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe objekte të tjera, të ndërtuara në shkelje të ligjit në mbarë territorin e vendit.

“Në vazhdën e kontrolleve, ashtu siç ka ndodhur edhe me objekte të tjera më parë, ky objekt do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit për interes publik. Jam këtu për t’ju bërë me dije se të njëjtin fat do të kenë të gjitha ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do të vijojë punën në të gjithë territorin e Shqipërisë për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi, me qëllimin që të garantojmë respektimin e ligjit, sigurinë e komunitetit dhe interesin publik”, shprehet Bici.

The post Sekuestrohet pallati pa leje në Vlorë, Rama: I kalon shtetit! Këtë fat do kenë të gjitha objektet në shkelje appeared first on Gazeta Si.

Rama kërkoi pezullimin e AKU-së, Denaj e ‘kursen’: Ngrihet një Komision vlerësimi

12 July 2025 at 10:29

Nga Gazeta Si- Edhe pse kryeministri Edi Rama kërkoi shkrirjen e AKU-së, duke thënë se ende nuk e kupton pse vazhdon të egzistojë, kur më shumë bën dëm sesa mirë, Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, e ka kursyer, duke vendosur vetëm forcimin e kontrollit dhe transparencës në aktivitetin e tij.

Ministrja ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pa miratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj.

Prej kohësh, AKU është përfshirë në skandale të njëpasnjëshme me produktet që janë futur në Shqipëri dhe kanë dalë nga vendi.

The post Rama kërkoi pezullimin e AKU-së, Denaj e ‘kursen’: Ngrihet një Komision vlerësimi appeared first on Gazeta Si.

Në kërkim nga SPAK, dorëzohet në Policinë e Himarës ish-shefi i krimeve

11 July 2025 at 21:55

Ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë Erjon Dani është vetëdorëzuar në policinë e Himarës, pasi është informuar nga mediat se ndaj tij kishte një urdhër arresti të firmosur nga SPAK.

Raportohet se Erjon Dani dyshohet për veprat penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që ndodhej në radhët e policisë së shtetit. SPAK goditi ditën e sotme një grup kriminal që operonte në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.

Në pranga përfunduan 8 persona, përfshi dhe Erjon Danin që u vetëdorëzua ndërsa 5 të tjerë mbeten në kërkim. Grupi kriminal u godit nga zbërthimi i komunikimeve në SKYEC

The post Në kërkim nga SPAK, dorëzohet në Policinë e Himarës ish-shefi i krimeve appeared first on Gazeta Si.

I riu në Mat u mbyt me litar! Shoqërohen 4 persona: I kemi mbyllur konfliktet

10 July 2025 at 11:26

Nga Gazeta Si- Ekspertiza paraprake ka nxjerrë se 23-vjeçari Renis Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar. Policia i ka përqendruar hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Policia ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit, që u gjet i pajetë në afërsi të liqenit të Shkopetit. Të shoqëruarit janë persona që më herët kanë pasur konflikte me viktimën. Ata kanë thënë se problemet që kishin me 23-vjeçarin i kishin mbyllur dhe nuk kanë dijeni për rrethanat e krimit. Pasi u morën në pyetje për disa orë, u liruan nga policia.

Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij. Në vendin tonë 23-vjeçari nuk ka precedentë të theksuar kriminal, por i dyshuar dhe hetuar për vjedhje banesash.

Autorët e paidentifikuar ende, mund ta kenë vrarë të riun përpara se ta hedhin bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit për të fshehur krimin. Dyshimet janë se gjatë kohës që makina binte poshtë, trupi të ketë dalë nga automjeti pak metra pa rënë në ujë.

The post I riu në Mat u mbyt me litar! Shoqërohen 4 persona: I kemi mbyllur konfliktet appeared first on Gazeta Si.

105 vjet Bibliotekë Kombëtare

10 July 2025 at 10:58

Nga Gazeta “SI”– Në 105-vjetorin e themelimit të saj, (10 korrik 1920) Biblioteka Kombëtare vazhdon të mbetet një “bunker” për lexuesin shqiptar.

E djegur në vitin 2017 dhe e përmbytur një vit më pas, Biblioteka Kombëtare sot nuk e ka më funksionin tradicional për të cilin është krijuar: shërbimin e librit te lexuesi. Shtoji kësaj edhe problemet e funksionimit dhe hapësirës, e cila prej kohësh është kthyer në një çështje për vetë Bibliotekën, por edhe për institucionet dhe dashamirësit e librit. Imazhet e librave të ruajtura në kuti bananesh mbeten ende një dëshmi sesi Biblioteka Kombëtare, ende edhe sot pas 105 vitesh, mbetet në një gjendje thuajse të mjerueshme.

Problematika që pritet të marrë fund me miratimin dhe ndërtimin e godinës së re, e cila ndoshta më në fund do t’ua rikthejë qytetarëve dhe lexuesve hapësirat dhe shërbimet kaq të nevojshme për një shoqëri, kontaktin me librin dhe kulturën e një kombi, dhe jo vetëm.

Historiku i Bibliotekës Kombëtare

Edhe pse institucionet bibliotekare në shtetin shqiptar janë relativisht të reja, tradita bibliotekare ndër shqiptarë është shumë më e hershme. Dokumente dhe burime të ndryshme historike dëshmojnë për ekzistencën e bibliotekave pranë kancelarive të princërve shqiptarë gjatë Mesjetës, ku funksiononin zyrtarë në tri gjuhët kulturore të kohës: latinisht, greqisht dhe sllavonisht. Falë pozicionit gjeohistorik, shqiptarët ndodheshin në një nyje komunikimi mes Lindjes dhe Perëndimit, duke pasur qasje si ndaj librarive të Kostandinopojës, ashtu edhe ndaj kulturës europiane.

Pushtimi osman solli një ndërprerje të ashpër të këtyre zhvillimeve, por jo shuarje të plotë. Tradita vijoi, sidomos në bibliotekat e familjeve të mëdha, pashallarëve dhe bejlerëve, por edhe në ato të institucioneve fetare: kuvende françeskane e jezuitë, manastire ortodokse, medrese, teqe etj.

10 korriku 1920 shënon themelimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë si institucioni i parë shtetëror, publik dhe laik i këtij lloji. Bërthama e saj u formua nga fondi i “Komisisë Letrare Shqipe”, një bashkëpunim shqiptaro-austriak me qendër në Shkodër, themeluar në vitin 1917 në kushtet e Luftës së Parë Botërore. Ky fond u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë më 1920 dhe më pas u pasurua me mbështetje institucionale.

Në përurimin zyrtar të vitit 1922, Biblioteka Kombëtare numëronte rreth 6.000 vëllime. Gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare (1928–1937), nën drejtimin e atdhetarit dhe albanologut Sotir Kolea, institucioni njohu zhvillime të rëndësishme.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fondi i saj ishte rritur në 15.000 vëllime. Në vitin 1947, pas konfiskimit të disa bibliotekave private të personaliteteve të njohura kulturore, koleksioni u zgjerua në rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi ishte nxjerrja e dekretit të 31 majit 1948, që detyronte çdo botues në Shqipëri t’i dërgonte Bibliotekës Kombëtare disa kopje të çdo botimi të shtypur në vend. Ky ligj e konsolidoi BKSh-në si qendër arkivore dhe bibliografike e botimeve shqiptare.

Nga viti 1959, Biblioteka Kombëtare kaloi nën vartësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Në vitin 1966 u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku ndodhet edhe sot.

Me ndryshimet demokratike të viteve ’90, BKSh ndryshoi modelin institucional dhe qasjen ndaj informacionit. Nga një institucion me kufizime tipike të vendeve të ish-Bllokut Lindor, ajo u hap ndaj modelit perëndimor të lirisë së aksesit dhe shërbimit të barabartë për të gjithë përdoruesit.

Sot, në 105-vjetorin e saj, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, edhe pse me shërbime dhe funksion të cunguar, mbetet një urë mes të shkuarës kulturore dhe dijes së së ardhmes.

The post 105 vjet Bibliotekë Kombëtare appeared first on Gazeta Si.

Ndërtimet / Shkarkohen nga detyra drejtuesit e policisë së Shkodrës dhe Thethit

10 July 2025 at 10:26

Nga Gazeta Si- Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka deklaruar se ka shkarkuar nga detyra drejtorin e policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefin e komisariatit Nik Nikolla.

Gjithashtu pezullohet nga detyra edhe shefi i stacionit të policisë së Thethit. Masat vijnë pas aksionit për ndërtimet pa leje.

Proda tha se po bëhet një hetim disiplinor për shkelje të rënda.

“Shefi i stacionit të policisë së Thethit nuk meriton më të veshë uniformën”, tha Proda.

The post Ndërtimet / Shkarkohen nga detyra drejtuesit e policisë së Shkodrës dhe Thethit appeared first on Gazeta Si.

Shkrumbohet restoranti në Theth, pronarja: Nuk ishte shkëndijë elektrike

10 July 2025 at 09:53

Një restorant në Theth është shkrumbuar totalisht pasi u përfshi nga flakët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit dhe kanë qenë banorët e zonës që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Pronarja e restorantit, Aida Gjeçaj thotë se ekspertët kanë përjashtuar si shkak shkëndijën elektrike. Ajo hedh dyshime se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme, por përjashton mundësinë e ndonjë konflikti me njeri.

Teksa falënderon komshinjtë për ndërhyrjen e shpejtë, Aida Gjeçaj thekson se punimet në restorant kishin përfunduar vjet dhe se dëmi mund të llogaritet deri në 150 mijë euro. Ajo thotë se nuk ka ndërtuar asnjë gjë pa leje dhe se objektet në pronësi të saj nuk ishin në listën e objekteve që do të shemben nga IKMT.

“E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin.”, deklaroi ajo.

Gjeçaj thotë se pret që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të zbardhë ngjarjen.

The post Shkrumbohet restoranti në Theth, pronarja: Nuk ishte shkëndijë elektrike appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e 26-vjeçares shtatzënë, burg përjetë për shqiptarin. Prindërit e viktimës: Drejtësia u vu në vend

9 July 2025 at 19:50

Pas dy orësh shqyrtimi, Gjykata e Trevisos i dha dënimin maksimal Bujar Fandajt , 40-vjeçarit me origjinë nga Kosova, i cili rrëfeu vrasjen e Vanessa Ballan, 26 vjeç, gruas që ishte shtatzënë në kohën e krimit.

Vrasja ndodhi më 19 dhjetor 2023, në Riese Pio X (Treviso). Salla e gjyqit ishte kapluar nga emocionet, teska prindërit e vajzës shpërthyen në lot kur u lexua vendimi.

“Drejtësia është bërë, por jeni të mallkuar për jetë”, bërtitën ata.

Bujar Fandaj, i përfaqësuar nga avokatet Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli, mori pjesë në dhënien e vendimit dhe më pas u dërgua përsëri në burg. Më 19 dhjetor, dy vjet më parë, Vanessa Ballan u gjet e vdekur në shtëpi nga partneri i saj me plagë të shumta thike.

Dyshimi u përqendrua menjëherë te Bujari, me të cilin Ballan kishte pasur më parë një lidhje romantike, të cilën ajo e përfundoi në verën e vitit 2023 me vendimin e saj. Një vendim që ai dyshohet se nuk e pranoi dhe për të cilin dyshohet se mori hak.

Pasi hyri në shtëpi duke hapur me forcë një dritare, Bujari e sulmoi gruan e re, nënë e një fëmije 5 vjeç dhe shtatzënë me partnerin e ri, e goditi tetë herë me thikë përpara se të largohej duke u përpjekur të planifikonte arratisjen e tij nga Italia. Burri u arrestua nga karabinierët disa orë më vonë në shtëpinë e tij, ku ai pranoi krimin, megjithëse më vonë u përpoq të mohonte paramendimin.

The post Vrasja e 26-vjeçares shtatzënë, burg përjetë për shqiptarin. Prindërit e viktimës: Drejtësia u vu në vend appeared first on Gazeta Si.

Sillte kolumbiane për prostitucion në Tiranë, arrestohet 1 person

9 July 2025 at 13:59

Nga Gazeta Si- Policia e Tiranës ka arrestuar një 20-vjeçar i cili në bashkëpunim me një kolumbian trafikonin vajza të huaja, kryesisht nga Kolumbia, për t’i shfrytëzuar për prostitucion. 

I riu i arrestuar është identifikuar si K. P., ndërsa kolumbiani është ende në kërkim.

Në njoftimin e policisë thuhet se ka nisur hetimi për shtatë të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), pasi u kapën në flagrancë në një apartament me qira ditore në rrugën “Gjon Muzaka, ku dyshohet se ushtronin prostitucion.

Efektivët sekuestruan një shumë parash, 7 celularë dhe sende të tjera të kundraligjshme.  

The post Sillte kolumbiane për prostitucion në Tiranë, arrestohet 1 person appeared first on Gazeta Si.

28 të arrestuar në Itali, goditet Ndrangheta. Të përfshirë edhe shqiptarë

9 July 2025 at 13:48

Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Romës, është goditur një organizatë kriminale në Itali, duke çuar në arrestimin e 28 anëtarëve të Ndranghetës.

Të arrestuarit, siç shkruajnë mediat italiane, akuzohen në nivele të ndryshme për organizatë kriminale të destinuar për trafik ndërkombëtar të drogës si dhe për krime të torturës dhe armëmbajtjes.

Në krye të grupit dyshohet të jetë një 57-vjeçar kalabrez, i dënuar më parë si anëtar i Ndranghetës. Ky person u transferua në Romë në fillim të viteve 2000, ku mori kontrollin e zonës San Basilio, duke formuar një organizatë ku përfshihen edhe tre fëmijët e tij, me lidhje të qëndrueshme me një strukturë kriminale shqiptare e cila mbante në dorë logjistikën (nxjerrjen e ngarkesave nga portet e Spanjës dhe Holandës dhe transportin e mëtejshëm), si dhe shpërndarjen e drogës në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas hetimeve, kokaina blihej në Amerikën e Jugut dhe vinte përmes kontenierëve në portet e Spanjës, Roterdamit në Holandë dhe Gioia Tauros në Itali, për t’u shitur më pas në tregun e Romës.

Në total, ndaj të hetuarve rëndojnë 80 akuza për trafik droge, ndërsa është sekuestruar mbi 1 ton kokainë e 1,497 kg hashash. Plus këtyre, është dokumentuar edhe një rast torture me metodë mafioze, ndaj katër personave që dyshohet se privuan nga liria një trafikant droge. Torturat janë filmuar me telefon dhe videot janë shpërndarë për të krijuar frikë dhe nënshtrim ndaj kësaj organizate.

Gjithashtu, u zbulua se të arrestuarit përdornin sisteme të avancuara kriptofonike për komunikim operativ, duke shmangur kontrollin policor. Këto pajisje furnizoheshin nga një qendër në Romë, e drejtuar nga një 46-vjeçar shqiptar.

Ky operacion, thonë mediat italiane, konfirmon aleancën e qëndrueshme midis Ndranghetës dhe organizatave kriminale shqiptare, të cilat, përmes rrjetit të tyre në shumë vende europiane dhe më gjerë, sigurojnë kanale alternative furnizimi dhe kontrollojnë portet.

The post 28 të arrestuar në Itali, goditet Ndrangheta. Të përfshirë edhe shqiptarë appeared first on Gazeta Si.

Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës

PRISHTINË, 9 korrik/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si një akt moral të përgjegjësisë së tij pas rastit të 27-vjeçarit Agon Fejzullahu në Lipjan, i cili vdiq mëngjesin e së hënës, pak pas arrestimit nga zyrtarë policorë të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se organet e shtetit duhet t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së rastit.

“Kërkoj përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarjeje që na ka tronditur të gjithëve. Në emër të PDK-së, kërkoj dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme si një akt moral i përgjegjësisë së tij politike dhe ligjore,” tha ai.

Këtë koment ai e bëri nga foltorja e Kuvendit, pas dështimit për herë të 44-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë.

/kosovapress/

The post Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌