Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 July 2025Main stream

U plagosën në aksidentin tragjik në Borsh, si paraqitet gjendja shëndetësore e dy të rinjve te Trauma

By: Rovena
31 July 2025 at 11:38

Nga aksidenti tragjik që ndodhin pasditen e djeshme në Borsh, mbetën të plagosur dy persona dhe humbën jetën dy persona një çift bashkëshortës.

Dy të rinjtë u transportuan me helikopter dhe Trauma dhe siç raporton gazetarja e ABC News, Xhoana Çallaku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.

Kujtojmë se mëngjesin e kësaj të enjteje, me anë të një njoftimi zyrtar policia bëri të ditur dhe arrestimin e autorit të aksidentit, një 29-vjeçar./abcnews.al

I dënuar me rreth 5 vjet burgim për drogë, arrestohet 43-vjeçari në Krujë

By: Rovena
31 July 2025 at 11:13

Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Krujës. Ai është i dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

“Si rezultat i kontrolleve të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, me objektiv lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit “Inside”, kapën shtetasin L. K., 43 vjeç”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Fier, përfundon “vala” e shkarkimeve/ Emërimet e reja mbyllen në fund të korrikut

By: Rovena
31 July 2025 at 10:43

Ka përfunduar procesi i intervistimit të zyrtarëve dhe drejtuesve të bashkisë së Fierit. Ashtu sikundër ishte bërë e ditur në fillim të valës së shkarkimeve në bashkinë e Fierit, emërimet e reja dhe konfirmimi në detyrë i drejtuesve të administratës mbyllet në fund të muajit korrik.

Burime nga bashkia e Fierit konfirmojnë se të gjithë drejtorët e dorëhequr do të largohen nga detyra. Kurse të paktën 5 nga 13 drejtues të njësive administrative do të vazhdojnë detyrën. Faza e intervistimit nga komisioni i vlerësimit në PS të Fierit përfundoi dje.

Ditën e sotme pritet që drejtuesve të cilët do të largohen t’u mbërrijnë shkresat përkatëse zyrtare ku u komunikohet largimi. Ndërsa për drejtuesit që qëndrojnë në punë, komunikohet mospranimi i dorëheqjes. Dorëheqjet kolektive në bashkinë e Fierit dhe drejtoritë rajonale u bënë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama në funksion të vetëpastrimit të administratës publike./abcnews.al

Aksidenti i rëndë me dy të vdekur e dy të plagosur në Borsh, arrestohet autori 29-vjeçar

By: Rovena
31 July 2025 at 09:54

Policia ka vënë në pranga autorin e aksidentit të rëndë që ndodhi ditën e djeshme, 30 korrik, në Borsh, ku ndërruan jetë dy persona dhe mbetën të plagosur dy të tjerë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky 29-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të llojit furgon, që drejtohej nga shtetasi K. M., 66 vjeç, i cili së bashku me pasagjeren D. P., 70 vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi shtetasi M. Q. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi P. A., 23 vjeç, janë transportuar në QSUT, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar./abcnews.al

Venecia: Tarifa për turistët i sjell qytetit 5,4 milion euro

By: Rovena
31 July 2025 at 09:42

Rregullorja që pati premierën më 2024, duhet të ndihmojë për koordinimin më të mirë që turizmit masiv në qytetin lagunë buzë Adriatikut. Por nëse blerja e një bilete hyrëse për në qytet i step vërtetë tursitët, kjo mbetet një temë e diskutueshme.

Qyteti i Venecias ka numëruar gjithsesi mbi 720.000 vizitorë që i kanë sjellë arkës së qytetit gjithsej 5,4 milionë euro – pothuajse dyfish më shumë se në vitin 2024. Po ashtu gjatë kësaj periudhe janë vendosur edhe 2500 gjoba, ndaj atyre që kanë hyrë pa biletë për të vizituar qytetin.

Kush e rezervon biletën në avancë paguan më pak

Rregullorja këtë herë ishte në fuqi për 54 ditë, e shpërndarë në fundjava dhe ditë pushimesh nga prilli, maji, qershori dhe korrik, përkatësisht nga ora 8.30 deri në 16. Kush e ka rezervuar në avancë biletën, ka paguar pesë euro. Ata që neglizhojn duke blerë biletën në kohën kur kanë dashur të hyjnë në qytet kanë paguar dyfishin. Për vendasit, fëmijët si dhe turistët, që qëndrojnë disa netë në qytet janë bërë përjashtime. Sidoqoftë turistët që kalojnë netët në hotel paguajnë taksën për qytetin.

Michele Zuin, këshilltar financiar në qytetin e Venecias, shpjegon, se ky sistem edhe në vitin e dytë ka funksionuar mirë dhe ka influencuar për një garanci planifikimi me vizitorët. Por sidoqoftë qëllimi primar nuk është të sigurohen të ardhura.

Të ardhurat duhet të përdoren në dobi të qytetit

Më 2024 në fund të fazës së provës në 29 ditë të ardhurat arritën në 2,4 milionë euro me një numër vizitorësh rreth 485.000.

Këto të ardhura, duke u zbritur kostot e shërbimit përkatës, do të përdoren në dobi të qytetit dhe anorëve të tij. Një analizë e plotë e të dhënave të përgjithshme ende nuk është përfunduar.

Në Venecia numri vjetor i turistëve arrin në miliona. Po ashtu shtrohe tpyetja, nëse mjafton një tarifë hyrjeje, për ta kufizua rturizmin masiv. Për më tepër që në qytetit lagunë një kafe kushton po aq sa edhe tarifa e hyrjes. Në qendrën historike të Venecias jetojnë sot më pak se 50.000 vetë, ndërkohë që vijnë miliona turistë në vit./abcnews.al

Rrëzohet pas 14 sekondash raketa e parë australiane, përpjekja historike për të arritur orbitën dështon

By: Rovena
31 July 2025 at 09:21

Raketa “Eris” e para e llojit të saj e ndërtuar në Australi, nga “Gilmour Space Technologies”, u rrëzua vetëm 14 sekonda pas nisjes, të mërkurën në mëngjes, gjatë përpjekjes së parë për të arritur orbitën nga territori australian.

Eris ishte raketa e parë orbitale e projektuar dhe prodhuar në Australi, e cila u nis nga një bazë hapësinore pranë qytetit Bowen, në veri të Queensland. Ajo synonte të transportonte satelitë të vegjël në hapësirë.

Pamjet treguan raketën duke u ngritur nga platforma, përpara se të binte dhe të zhdukej nga pamja. Mbi vendin e ngjarjes u panë re tymi, por nuk pati të lënduar.

Kompania e quajti lëshimin një sukses të pjesshëm, pasi të katër motorët hibride u aktivizuan dhe raketa qëndroi në fluturim për 14 sekonda. Adam Gilmour, drejtuesi i kompanisë, tha se ishte i kënaqur që raketa u ngrit nga toka, duke shtuar se është e rrallë që një kompani private të arrijë orbitën në përpjekjen e parë.

@apnewsThe first Australian-made rocket to attempt to reach orbit from the country’s soil crashed after 14 seconds of flight on Wednesday. The rocket Eris, launched by Gilmour Space Technologies, was designed to carry small satellites to orbit. #rocket #crash #australia♬ original sound – The Associated Press

Kryetari i bashkisë Whitsunday, Ry Collins, e përshkroi lëshimin si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një industrie hapësinore në rajon.

Gilmour Space ka mbështetje nga fonde private dhe këtë muaj mori 5 milionë dollarë australianë nga qeveria federale për zhvillimin e raketës. Më parë, kishte përfituar edhe një grant prej 52 milionë dollarësh për zhvillimin e teknologjive hapësinore.

Ky ishte testi i parë orbital në mbi 50 vjet nga toka australiane. Deri më sot, Australia ka realizuar vetëm dy lëshime të suksesshme drejt orbitës./abcnews.al

Plagosje në Borsh, arrestohet autori i dyshuar

By: Rovena
31 July 2025 at 08:57

Një plagosje me armë zjarri dyshohet se ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në fshatin turistik të Borshit.

Sipas burimeve nga policia, është plagosur një i ri, të cilin fatmirësisht plumbi e ka kapur në dorë, duke shmangur pasoja më të rënda që mund të kishin qenë edhe fatale.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku dy shokë po konsumonin alkool. Sipas dëshmive, pas një debati mes tyre, njëri prej të rinjve ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të mikut të tij, duke e plagosur.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit. Personi i lënduar është transportuar në spital ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të Komisariatit të Policisë Himarë, nën drejtimin e shefit të komisariatit, autori u identifikua në kohë rekord dhe u vu në pranga. Ai është shoqëruar në ambientet e komisariatit ku ka dhënë dëshminë e tij dhe ka rrëfyer ngjarjen.

Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje.

/abcnews.al

Virusi vdekjeprurës që shpërthen pas transmetimit nga kafshët e infektuara

By: Rovena
31 July 2025 at 08:49

Virusi Nipah (NiV) është një virus zoonotik shumë vdekjeprurës që përhapet nga kafshët te njerëzit dhe ka shkaktuar shpërthime të shumta, përfshirë në Kerala, Indi. Që nga 2018, shteti ka regjistruar 10 raste të kalimit të virusit, me katër raste vetëm këtë vit. Simptomat përfshijnë encefalit dhe probleme të frymëmarrjes, dhe trajtimi përfshin antivirale me spektrin e gjerë. Përhapja e virusit është monitoruar me kujdes përmes një sistemi të fortë mbikëqyrjeje dhe masash të menjëhershme.

Më 12 korrik, një rast i ri infektimi me virusin Nipah u konfirmua te një burrë 52-vjeçar në distriktin e Palakkadit në Kerala, duke shënuar rastin e dhjetë me këtë virus, (transmetimi i patogjenit nga kafshët te njeriu) në këtë shtet të jugut të Indisë që nga viti 2018. Vetëm këtë vit, Kerala ka raportuar katër raste me Nipah, përfshirë dy vdekje, të gjitha brenda një rrezeje prej 50 km nga kufiri i distrikteve Malappuram dhe Palakkad.

Shteti është në gjendje alarmi të lartë, me 675 persona nën mbikëqyrje në pesë distrikte.

Çfarë është virusi Nipah?

Virusi Nipah (NiV) është një virus zoonotik (virus që mund të transmetohet nga kafshët te njerëzit) dhe është shumë i rrezikshëm, duke shkaktuar vdekjen në 40 deri 75 për qind të rasteve të infektuara te njerëzit. Pjesë e së njëjtës familje është edhe virusi Hendra, që gjendet në Australi, mirëpo NiV është një nga viruset më të njohura të gjinisë henipavirus, e cila shkakton një gamë sëmundjesh neurologjike dhe shpesh edhe probleme me frymëmarrjen te njerëzit dhe kafshët.

Lakuriqët e familjes Pteropodidae, që gjenden në Oqeaninë, Azinë Juglindore dhe Jugore, dhe Afrikën Sub- sahariane janë “depo natyrale” të virusit, që do të thotë se virusi jeton dhe riprodhohet natyrshëm në këto kafshë pa iu shkaktuar dëm atyre, por të tjerëve po.

Përhapja e virusit te njerëzit mund të ndodhë drejtpërdrejt ose përmes kafshëve të tjera, siç janë derrat ose kuajt, të cilët mund të jenë në kontakt me njerëzit.

Cilat janë simptomat e virusit Nipah?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infeksionet njerëzore me NiV variojnë nga infeksione pa simptoma deri në infeksione të rënda të frymëmarrjes, ngërçe dhe encefalit akut (inflamacion i trurit). Prezantimi klinik i infeksionit me NiV është neurologjik, duke prekur sistemin nervor qendror dhe duke shkaktuar sindromën e encefalitit akut (AES), e cila karakterizohet nga ngërçe, konfuzion dhe humbje të vetëdijes. Kur sëmundja përparon, mund të shkaktojë dëmtime në mushkëri dhe mund të çojë në sindromën e rrezikut të frymëmarrjes së rëndë (ARDS), që mund të jetë kërcënuese për jetën. Koha e inkubacionit të virusit besohet të jetë nga 4 deri në 14 ditë.

Ku ka pasur shpërthime të virusit Nipah më parë?

Infeksioni i parë me NiV te njerëzit u regjistrua në vitin 1998, kur fermerët dhe kasapët nga Malajzia dhe Singapori u infektuan nga derrat e infektuar. Ky shpërthim preku më shumë se 250 individë dhe shkaktoi mbi 100 vdekje.

Në Bangladesh ka pasur shpërthime çdo vit që nga viti 2001, ku njerëzit infektoheshin duke pirë lëng nga frutat e palmës të ndotur nga urina ose pështyma e lakuriqëve. Në vitin 2014, infeksionet me NiV në Filipine ishin të lidhura me therjen e kuajve dhe konsumimin e mishit të kuajve të infektuar.

India ka raportuar dy shpërthime në Bengalin Perëndimor në vitet 2001 dhe 2007. Në vitin 2018, India Jugore raportoi shpërthimin e parë të NiV në Kerala, ku 19 raste të konfirmuara shkaktuan 17 vdekje. Që nga atëherë, Kerala ka raportuar shpërthime të NiV pothuajse çdo vit.

Çfarë ka ndodhur në Kerala?

Pavarësisht se Kerala ka regjistruar 10 raste të virusit Nipah që nga viti 2018, vetëm dy prej tyre u shndërruan në shpërthime me raste të transmetimit nga njeriu te njeriu.

“Po raportojmë tani raste të izoluara të infeksioneve me Nipah, në vend të grupeve ose shpërthimeve siç ndodhi në vitin 2018”, tha Thekkumkara Surendran Anish, zyrtar në Qendrën e Shëndetit të Keralas për Kërkimin dhe Qëndrueshmërinë e Nipahit.

Gjashtë rastet e fundit të infeksioneve me NiV në shtet kanë qenë shpërthime të rastësishme, pa transmetim nga njeriu te njeriu.

“Mijëra njerëz vdesin çdo vit në Indi nga AES ose ARDS, ku nuk dimë shkakun. NiV, në fakt, nuk është një shkak i zakonshëm për sindromat e frymëmarrjes dhe encefalitit”, tha ai. “Por në Kerala, pasi i gjithë sistemi shëndetësor ka prioritet Nipahin, po zbulojmë më shumë infeksione me Nipah”.
Megjithatë, është shqetësuese që të katër rastet e NiV në vitin 2025 janë regjistruar në një periudhë të shkurtër kohore dhe në një zonë të vogël, shtoi Anish. “Katër raste të pavarura të kalimit të virusit në një periudhë disamuajshe brenda një rrezeje prej 50 km sugjerojnë një prani shumë të lartë të lakuriqëve dhe virusit në këtë zonë”.

Wall Street kërkon më shumë qartësi mbi projektin sekret të Inteligjenca Artificiale së Mark Zuckerberg në Meta

By: Rovena
31 July 2025 at 08:43

Në qendër të vëmendjes së investitorëve në Wall Street është vënë një iniciativë sekrete e inteligjencës artificiale që po zhvillohet brenda Meta-s, nën drejtimin e Mark Zuckerberg. Kreu i kompanisë ka ndërmarrë një ofensivë të kushtueshme për të rekrutuar emrat më të njohur në fushën e AI dhe për të ndërtuar infrastrukturën që do të mbështesë objektivat e tij ambicioze.

Zuckerberg ka ofruar bonuse që arrijnë në nëntë shifra për të joshur ekspertë të AI nga kompani si OpenAI, Apple dhe Google, me synimin që Meta të pozicionohet si lider global në këtë sektor, pas performancës së dobët të modeleve të saj përballë konkurrentëve.

Burime të afërta me zhvillimet tregojnë se Zuckerberg ka krijuar një njësi të re brenda zyrave të Meta në Menlo Park. Kjo strukturë funksionon e izoluar nga pjesa tjetër e kompanisë dhe është e çliruar nga burokracitë e zakonshme të një korporate me vlerë 1.8 trilionë dollarë. Në krye të saj janë vendosur dy figura të njohura: Alexandr Wang (nga Scale AI) dhe Nat Friedman (nga GitHub). Njësia operon në mënyrë të pavarur dhe mbetet e panjohur edhe për shumë punonjës të tjerë të Meta-s.

Megjithatë, mungesa e transparencës dhe e një strategjie të qartë kanë shkaktuar shqetësim tek investitorët.

“Është njësoj si Projekti Manhattan po hedhin shuma të mëdha në AI pa e ditur saktësisht drejtimin. Në mungesë të një plani të qartë për komercializim, durimi i investitorëve mund të soset,” paralajmëroi Uday Cheruvu nga Harding Loevner.

Ky nuk është eksperimenti i parë i madh për Zuckerberg. Në vitin 2022, ai ndryshoi emrin e kompanisë në Meta dhe investoi miliarda dollarë në ndërtimin e “metaversit” një projekt që rezultoi zhgënjyes dhe uli ndjeshëm vlerën e aksioneve.

Pas suksesit të ChatGPT, Zuckerberg e konsideron AI-në si fazën e ardhshme të zhvillimit teknologjik që mund ta mbajë Metën në krye të rrjeteve sociale dhe industrisë së reklamave online. Kjo teknologji ofron mundësi të reja në personalizimin e përmbajtjes dhe të reklamave, ndërkohë që konkurrentë si OpenAI, Anthropic, Google dhe Amazon po intensifikojnë gjithashtu investimet në këtë fushë.

Meta ka rritur ndjeshëm buxhetin e saj të investimeve kapitale në prill, duke parashikuar shpenzime nga 64 deri në 72 miliardë dollarë. Ndërkohë, përpjekjet për rekrutimin e talenteve në AI – që synojnë zhvillimin e asaj që quhet “superinteligjencë” pritet të rrisin shpenzimet vjetore për kërkim dhe zhvillim me 1.5 deri në 3.5 miliardë dollarë.

Zuckerberg është i bindur se investimi do të japë rezultate pozitive, duke u mbështetur në modelin financiar të qëndrueshëm të Meta. Deri tani, kompania ka rekrutuar rreth 50 studiues të njohur në fushën e AI, përfshirë bashkë-krijuesin e ChatGPT, Shengjia Zhao, i cili do të drejtojë laboratorin e ri të kërkimeve.

Por jo të gjithë ndajnë këtë entuziazëm. Ekspertët paralajmërojnë se një ekip i mbushur me talente nuk është garanci për sukses, ndërsa brenda kompanisë po lindin tensione për shkak të ristrukturimeve dhe ndjesisë se ekipi ekzistues i AI po anashkalohet.

Zuckerberg duket i vendosur të ecë përpara me ritme të shpejta, pavarësisht kritikave që kanë marrë modelet më të fundit si Llama 4. Meta madje ka nisur të lejojë përdorimin e modeleve konkurrente, duke pranuar se produktet e saj nuk janë ende në nivelin e duhur.

Ndërkohë, Meta pritet të publikojë këtë javë raportin me rritjen më të ngadaltë të fitimeve në dy vitet e fundit. Megjithatë, aksionet e saj janë rritur me 20% që nga fillimi i vitit, ndërsa investitorët presin me interes të shohin nëse vizioni i Zuckerberg për AI do të arrijë të justifikojë miliardat e investuara./abcnews.al

Yesterday — 30 July 2025Main stream

Aksident në aksin Lushnje-Fier/ Makina përplaset me motoçikletën

By: Rovena
30 July 2025 at 15:10

Aksident në Lushnje-Fier. Një automjet përplas një motoçikletë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur “pushimi i shoferit.

Nuk dihet ende nëse ka të lënduar. Policia dhe grupi hetimor ndodhet në në vendngjarje./abcnews.al

Vrau efektivin e Forcave Shqiponja/ Gjykata e Fierit dënon me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën

By: Rovena
30 July 2025 at 14:35

Azgan Mërnica dënohet me burgim përjetë. Gjykata e Fierit mori vendimin sot. Mërnica 24-vjeç vrau në maj të vitit 2024 efektivin e forcave Shqiponja 29-vjeçarin Novruz Cenalia në fshatin Baltez.

Mërnica dhe Cenalia u përballen në aksin rrugor që lidh fshatrat Baltëz dhe Dermenas ku Mërnica udhëtonte me të ëmën.

Efektivi i Shqiponjave i kërkoi Mërnices të ulte shpejtësinë pasi segmenti rrugor në fjalë, kalon mes zonave të banuara, por Mërnica në atë kohë 23-vjeç, ndaloi makinën dhe doli me një pistoletë në dorë duke ia drejtuar 28-vjeçarit Novruz Cenalia. Mërnica  qëlloi tre herë në drejtim të policit duke e lënë të vdekur në vend.

Vodhën dy banesa në Tiranë/ Identifikohen dy hajdutët, njëri i arrestuar e tjetri në kërkim

By: Rovena
30 July 2025 at 14:30

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vlera”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes.

Identifikohen 2 shtetas që vodhën me thyerje, në 2 banesa. Vihet në pranga njëri prej tyre, shpallet në kërkim tjetri.

Gjenden në banesën e shtetasit të arrestuar dhe sekuestrohen 900 000 lekë, 5 700 euro, 12 ora, 20 bizhuteri (varëse, unaza) dhe 8 celularë, të dyshuara të vjedhura, dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Vlera”, si rezultat i të cilit janë zbardhur 2 raste në këtë fushë dhe janë identifikuar 2 autorët e dyshuar. Njëri prej tyre, shtetasi R. K., 57 vjeç, është arrestuar, ndërsa tjetri, shtetasi G. L., 30 vjeç, është shpallur në kërkim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje, në 2 banesa, gjatë muajve shkurt dhe korrik, shuma të konsiderueshme parash, sende me vlerë dhe celularë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer ai dhe shtetasi i arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim./abcnews.al

Të paktën 46 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite

By: Rovena
30 July 2025 at 13:40

Të paktën 46 palestinezë kanë humbur jetën të mërkurën si rezultat i sulmeve dhe të shtënave nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës, shumica prej të cilëve ishin duke pritur për ndihmat ushqimore, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë shëndetësorë.

Në mesin e të vdekurve përfshihen më shumë se 30 persona që u vranë teksa kërkonin ndihmë humanitare, sipas burimeve që kanë trajtuar dhjetëra të plagosur.

Ushtria izraelite s’ka komentuar ende rreth këtyre sulmeve, ndonëse pretendon përmes ligjërimit të saj të zakonshëm se nuk i shënjestron civilët, duke ia hedhur fajin grupit militant palestinez, Hamas, për shkak se ata operojnë në zona të dendura me popullsi, ka shkruar AP.

Këto zhvillime kanë ndodhur në kohën kur udhëheqësia e Britanisë së Madhe ka njoftuar se do ta njohë një shtet palestinez në muajin shtator, nëse Izraeli nuk e ndërpret fushatën ushtarake në enklavën palestineze, duke lëshuar deklaratë të ngjashme me atë të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Në Ministrinë e Jashtme të Izraelit kanë bërë të ditur se e kundërshtojnë deklaratën e Britanisë.

Në spitalin e Shifës të qytetit të Gazës është njoftuar se janë pranuar 12 persona të vrarë të martën në mbrëmje, kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmave që po prisnin kamionët me ndihma që po vinin nga pika kufitare Zikim, në veriperëndim të Gazës.

Po ashtu, sipas zyrtarëve të spitalit, 13 persona të tjerë u vranë nga sulmet ajrore në kampin e refugjatëve Jabaliya dhe në qytetet veriore Beit Lahiya dhe Beit Hanoun.

Në qytetin jugor të Khan Younisit, mjekët e spitalit Nasser kanë deklaruar se janë pranuar trupat e pajetë të 16 personave që, sipas tyre, u vranë të martën në mbrëmje përderisa po prisnin kamionët me ndihma pranë korridorit të sapo-ndërtuar Morag, i cili e ndan  Khan Younisin nga qyteti më jugor i Rafahut.

Në këtë spital kanë bërë gjithashtu të ditur se kanë pranuar trupin e një burri tjetër që u vra nga sulmi mbi një tendë në Khan Younis.

E në spitalin Awda, kanë njoftuar se janë pranuar trupat e katër palestinezëve që u vranë të mërkurën nga të shtënat izraelite pranë një pike të shpërndarjes së ndihmave që drejtohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (FHG).

Delvinë/ Ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë, nën hetim 3 autorët e dyshuar

By: Rovena
30 July 2025 at 13:22

Te persona janë vënë nën hetim si persona të dyshuar për zjarret në zonën e pyllëzuar në fshatin Kalasë. Dyshohet se këta persona ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën banesa.

“* A. M., 56 vjeç, D. G., 60 vjeç dhe S. Ç., 34 vjeç, banues të tre në fshatin Kalasë, Delvinë. Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas, më datë 24.07.2025, rreth orës 02:00, kanë ndezur zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë, Delvinë, ku si pasojë e përhapjes së flakëve për disa ditë me radhë (24–28 korrik), zjarri ka depërtuar në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur: 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në fshatin Senicë, 1 kishë, rreth 20 mijë rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë”, njofton policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për të përcaktuar dhe provuar përgjegjësinë penale të çdo shtetasi të përfshirë në këtë ngjarje, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë së plotë ligjore të autorëve.

Vijon puna për verifikimin e plotë të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga zjarri, në bashkëpunim me Bashkinë Delvinë dhe institucionet përgjegjëse./abcnews.al

Trump tregon arsyen e prishjes së miqësisë me Epstein

By: Rovena
30 July 2025 at 13:14

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpjeguar se lidhjet e tij me Jeffrey Epstein u ndërprenë pasi ky i fundit rekrutoi vajza të reja që punonin në klubin e tij privat, Mar-a-Lago.

“Epstein mori punonjëse nga spa-ja ime. I thashë të mos e bënte më dhe që nga ai moment për mua gjithçka përfundoi,” u shpreh Trump për gazetarët gjatë kthimit nga Skocia, ku u përball me pyetje të shumta për marrëdhënien e tij me financierin e ndjerë.

I pyetur nëse bëhej fjalë për vajza të reja, Trump konfirmoi: “Po”, duke përmendur edhe Virginia Giuffre, e cila kishte nisur punë në Mar-a-Lago në moshën 16-vjeçare. Giuffre kishte akuzuar më parë si Epstein-in, ashtu edhe princin Andrew për abuzim seksual. Ajo ndërroi jetë këtë vit në Australi në rrethana të cilësuara si vetëvrasje.

Deklarata e Trump vjen në një kohë kur Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e ngushtë e Epstein-it, është thirrur për të dëshmuar në Kongres më 11 gusht. Maxwell ka kërkuar imunitet ose falje përpara se të dëshmojë, por komisioni hetimor e ka përjashtuar këtë mundësi.

Ndërkohë, javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Epstein u përjashtua nga Mar-a-Lago për shkak se “ishte i frikshëm”. Kur u pyet për mospërputhjen mes kësaj deklarate dhe asaj personale, Trump tha se të dyja arsyet janë “më shumë a më pak e njëjta gjë”.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Epstein u ndërprenë në fillim të viteve 2000, pas një miqësie që kishte zgjatur më shumë se dhjetë vjet.

Trump është përballur me kritika për mosmbajtjen e premtimit për të bërë publike dokumentet e çështjes Epstein, përfshirë edhe listën e famshme të klientëve.

Sipas një raporti të Wall Street Journal, emri i Trump del në dokumente të Departamentit të Drejtësisë, por përfshirja e tij nuk përbën provë për ndonjë shkelje.

Ish-presidenti ka mohuar çdo akuzë dhe ka paditur gazetën për shpifje. Ai ka theksuar gjithashtu se nuk ka në plan të falë Maxwell-in, edhe pse ligjërisht ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë./abcnews.al

 

Trump: SHBA nuk e ka në plan të ndjekë shembullin e Britanisë për shtetin palestinez

By: Rovena
30 July 2025 at 11:32

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja nuk e ka në plan që ta ndjekë shembullin e Britanisë, pasi kryeministri britanik Keir Starmer tha se do ta njihte një shtet palestinez nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte.

Ai u ka thënë gazetarëve se nuk ka ndonjë “këndvështrim” mbi vendimin e Starmerit, megjithëse deklaroi se e sheh atë si “shpërblim për Hamasin”, raportoi CNN.

Trump shtoi se Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, “po thonë të njëjtën gjë, dhe ajo është në rregull, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të pajtohem po ashtu”.

Ai ka përmendur edhe krizën e urisë në Gaza, për çka ka theksuar se ai dhe zonja e parë janë thellësisht të prekur nga pamjet e fëmijëve të uritur.

“Ata fëmijë duken shumë të uritur… Secili, përveç nëse janë zemërftohtë ose më keq, të çmendur, nuk mund të thotë gjë tjetër veçse është e tmerrshme kur sheh fëmijë”, ka thënë Trump.

“Nuk kishte vend”/ Masakër në një kopsht zoologjik në Gjermani, vriten 12 majmunë

By: Rovena
30 July 2025 at 11:14

Një kopsht zoologjik në qytetin Nuremberg të Gjermanisë ka bërë të ditur se të martën asgjësoi 12 babuinë, duke i dhënë fund një debati të gjatë mbi mungesën e hapësirës për kafshët, pavarësisht protestave të aktivistëve për të drejtat e kafshëve.

Tiergarten Nürnberg kishte paralajmëruar që në shkurt të vitit 2024 për planet për të vrarë një pjesë të majmunëve, duke theksuar se kopshti nuk kishte më vend për ta. Sipas deklaratës së asaj kohe, ishin shqyrtuar mundësitë për strehimin e tyre diku tjetër, por asnjëra prej tyre nuk rezultoi e realizueshme.

Ky vendim ngjalli reagime të forta nga grupet që mbrojnë të drejtat e kafshëve, të cilët protestuan pranë kopshtit zoologjik. Të hënën, drejtuesit e institucionit deklaruan se ishin duke u përgatitur për të ndërmarrë veprimin e paralajmëruar. Mëngjesin e së martës, kopshti mbeti i mbyllur për publikun për “arsye operacionale”, pa dhënë më shumë detaje.

Më vonë gjatë ditës, policia raportoi se disa aktivistë kishin hyrë me forcë në territorin e kopshtit, ndërsa disa prej tyre u ulën në tokë për të bllokuar veprimet, përpara se të largoheshin nga autoritetet.

Pak më pas, sipas raportimeve të mediave gjermane, u konfirmua se ishin vrarë 12 babuinë. Kopshti nuk dha detaje të mëtejshme, por organizatat për mbrojtjen e kafshëve bënë të ditur se do të dorëzojnë një padi penale.

Në kopsht jetonin gjithsej 43 babuinë nga Guinea, një numër që i tejkalonte kapacitetet për strehimin e rreth 25 kafshëve dhe pasardhësve të tyre, duke sjellë tensione dhe vështirësi në menaxhim.

Autoritetet e kopshtit theksuan se ndër vite kishin bërë përpjekje për të zgjidhur situatën, duke zhvendosur 16 babuinë në institucione të ngjashme në Paris dhe Kinë që prej vitit 2011. Megjithatë, kopshte të tjera që më parë kishin pranuar kafshë nga Nurembergu, përfshirë një në Spanjë, tashmë ishin në kapacitet të plotë.

Në kopshtet zoologjike europiane, eutanazia e kafshëve përdoret në raste të caktuara për arsye të ndryshme. Disa raste kanë shkaktuar zemërim të madh publik. Kujtojmë se në vitin 2014, kopshti zoologjik i Kopenhagës vrau një gjirafë dyvjeçare, të cilën më pas e copëtoi përpara publikut, mes tyre edhe fëmijë, dhe trupin ia hodhi luanëve./abcnews.al

EMRI/ I vendosi tritol lokalit në Tiranë, pak ditë më parë, policia arreston autorin e dyshuar

By: Rovena
30 July 2025 at 10:47

Policia e Tiranës ka arrestuar një prej autorëve të dyshuar, për tritolin e vendosur në një lokal në datën 18 korrik.  Në pranga është vënë 46-vjeçari Hysni Lila, i cili dyshohet se është një autorët e përfshirë në ngjarje. Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në ngjarje.

“Në vijim të punës intensive hetimore me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 18.07.2025 ku u vendos një sasi me lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, është bërë e mundur identifikimi, kapja e ndalimi i shtetasit H. L., 46 vjeç, banues në Lushnje.

Nga hetimet ka rezultuar se motomjeti që u përdor për vendosjen e lëndës plasëse ishte në pronësi të 46-vjeçarit, i cili dyshohet se ia ka dhënë për përdorim autorit të ngjarjes”, njofton policia.

Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në ngjarje me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

❌
❌