Muzika e filmave shqiptarë në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të japë një koncert të veçantë në parkun “Rinia”.
Repertori i zgjedhur me këtë rast do të jetë me pjesë nga kolonat zanore të filmave më të dashur të kinematografisë shqiptare. Mjedisi, muzika dhe interpretimi “live” premtojnë për një mbrëmje magjike me “Retro Film”.
Orkestra Simfonike e RTSH-së ftoi artdashësit të përjetojne emocionet e kinemasë përmes muzikës në zemër të Tiranës.
Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Shqipërisë. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.
Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të Ramë Lahaj & Friends Concert, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota. /j.p/
The post Muzika e filmave shqiptarë në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.