Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

Hungaria pro Ballkanit, kundër Ukrainës në BE

30 July 2025 at 13:52

Pas takimit me zv/kryeparlamentarin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Çoviç, shefi i diplomacisë hungareze, Péter Szijjártó, kritikoi sjelljen e zyrtarëve në Bruksel ndaj shteteve ballkanike dhe favorizimin e Ukrainës.

“Ne do të donim që të anëtarësohen me shpejt në BE vendet e Ballkanit Perëndimor sepse ato sjellin freski, vrull të ri, energji të re. Ne nuk e mbështesim Ukrainën që të sjellë luftë në Bashkimin Evropian. Ata po i zhysin vendet e Ballkanit Perëndimor në iluzione, sepse nëse do ta mbështesnin vërtet integrimin, këto shtete nuk do të kishin pritur më shumë se pesëmbëdhjetë vjet për anëtarësim. Ne jetojmë në afërsi të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë arsye është interesi dhe qëllimi ynë themelor të sigurojmë paqen në rajon,” tha Péter Szijjártó, ministër i Jashtëm i Hungarisë.

Szijjártó theksoi se qeveria hungareze po ndjek një politikë fqinjësie të përgjegjshme, ndërsa politika e papërgjegjshme e Brukselit, nga ana tjetër, po dëmton vazhdimisht sigurinë e Evropës.

Ai u ankua për udhëheqësit evropianë që shprehin publikisht mbështetje për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që kjo, sipas tij, është një gënjeshtër.

/ abcnews.al

Mashtroi një qytetare duke i marrë 10 000 euro/ Tiranë, arrestohet 33 vjeçari

30 July 2025 at 13:42

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një qytetar për një rast mashtrimi financiar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasit E. D., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, i kishte marrë 10 000 euro shtetasit G. D., me pretendimin se do të shlyente detyrimet tatimore të aktivitetit të tij tregtar. / abcnews.al 

FMN: Ekonomia globale, në rritje/ Përmirësohet parashikimi pas lehtësimit të tarifave nga Trump

30 July 2025 at 13:25

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia globale pritet të rritet më shumë sesa ishte parashikuar në muajin prill të këtij viti, pas vendimit të presidentit Amerikan Donald Trump për të zbutur disa nga kërcënimet e tij për vendosjen e tarifave të ashpra ndaj vendave të ndryshme të botës. Organizata me qendër në Washington rriti parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2025 nga 2.8% në 3%.Ndërkohë, parashikimi për vitin 2026 u rrit nga 3% në 3.1%. Ekonomia globale është rritur me 3.3% në vitin 2024. Pothuajse të gjitha vendet e botës kanë përfituar nga ky përmirësim i perspektivës ekonomike, përfshirë Britaninë, për të cilën FMN tani parashikon një rritje prej 1.2% për këtë vit – 0.1 pikë përqindje më shumë se në vlerësimin e muajit prill. Kjo përmirësim u paralajmërua fillimisht në rishikimin vjetor të Fondit Monetar Ndvrkombëtar për ekonominë britanike në maj.

Trump kishte kërcënuar në prill se do të vendoste tarifa të larta mbi importet nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, përfshirë BE-në, Kinën, Korenë e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, në përpjekje për të luftuar atë që ai e cilëson si konkurrencë të padrejtë. Këto kërcënime tronditën tregjet: aksionet ranë dhe dollari amerikan u dobësua, teksa investitorët u drejtuan drejt aseteve të sigurta.

Më vonë, Shtetet e Bashkuara reduktuan ose shtynë disa tarifa, në këmbim të zotimeve për blerje mallrash amerikane, gjë që qetësoi tregjet. Kjo sjellje e përsëritur e presidentit është cilësuar në tregje si “Trump gjithmonë tërhiqet” ndërsa termi që ekspertët ekonomik  po përdorin si trend është TAKO (Taco) . Në fundjavë, Trump konfirmoi se nuk do të vendoste tarifa 30% mbi importet nga BE, por do të kufizohej në 15%, në këmbim të blerjeve nga BE-ja të naftës dhe gazit amerikan në vlerë afro 800  miliardë dollare.

Shtëpia e Bardhë ka vendosur afatin e 1 gushtit që disa vende, përfshirë Vietnamin dhe Korenë e Jugut, që të nënshkruajnë marrëveshje tregtare me Washingtonin. Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme sa I përket aktivitetit ekonomik global. Të dhënat tregtare të publikuara këtë javë treguan se importet e mallrave në SHBA ranë me 11.5 miliardë dollarë në qershor, duke arritur 264.2 miliardë dollarë, pas një rritjeje të mëparshme në përpjekje për të shmangur tarifat. Kjo e uli deficitin tregtar amerikan në 86 miliardë dollarë, nga 96.4 miliardë që ishte në muajin  maj.

Pasuritë e etnografisë së krahinave shqiptare/ Rama: Të skalitura në kostumografinë tonë dhe të dokumentuar në fondin e Agjencisë së Turizmit

30 July 2025 at 12:58

Kryeministri Edi Rama ka promovuar pasuritë e trashëgimisë shqiptare përmes një postimi në rrjete sociale, ku vë në pah madhështinë e kostumeve popullore nga krahinat e ndryshme të vendit.

Ai ndau disa nga imazhet më përfaqësuese të kostumografisë shqiptare, të dokumentuara nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në kuadër të një konkursi të posaçëm kulturor.

“Pasuritë e çmuara të etnografisë dhe shpirtit të krahinave shqiptare, të skalitura përjetësisht në kostumografinë tonë madhështore, disa prej të cilave dokumentuar në fondin e Agjencia Kombëtare e Turizmit përmes konkursit.”, tha Rama.

Asnjë negociatë! Pas TikTok dhe Instagram, Australia ndalon aksesin e të miturve nën 16 vjeç në platformën Youtube

30 July 2025 at 11:43

Australia ka vendosur të përfshijë YouTube në listën e platformave sociale të ndaluara për fëmijët nën moshën 16 vjeç, në kuadër të një ligji të ri që synon të mbrojë të miturit nga ndikimet e dëmshme të rrjeteve sociale.

Ligji, i cili hyn në fuqi në dhjetor, tashmë ndalon aksesin në TikTok, Instagram, Facebook, X  dhe Snapchat për adoleshentët nën 16 vjeç. Me përfshirjen e YouTube, fëmijët do të mund të shikojnë video, por nuk do të lejohen të kenë llogari, të ngarkojnë përmbajtje apo të ndërveprojnë me të tjerët në platformë.

YouTube ka reaguar ndaj vendimit duke thënë se nuk është një rrjet social dhe se platforma ofron “përfitime dhe vlerë” për të rinjtë australianë. Kompania njoftoi se do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se vendimi është pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur fëmijët nga dëmet sociale që vijnë nga rrjetet. “Ne e dimë që kjo nuk është zgjidhja e vetme, por do të përbëjë një ndryshim të rëndësishëm,” u shpreh ai.

Ligji po ndiqet nga afër edhe nga vende të tjera. Norvegjia ka shpallur një masë të ngjashme, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po e konsideron zbatimin e të njëjtit model.

Përjashtim nga ndalimi do të kenë aplikacionet për lojëra online, mesazhe, edukim dhe shëndet, të cilat konsiderohen me rrezik më të ulët për të miturit.

Kompanitë e teknologjisë që nuk respektojnë ligjin do të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë. Ato janë të detyruara të çaktivizojnë llogaritë ekzistuese të përdoruesve nën 16 vjeç dhe të ndalojnë krijimin e të rejave. / abcnews.al

Tarifat ‘hidhërojnë’ çokollatën amerikane/ Kakao importohet me çmim të lartë, favorizohet tregu në Kanada e Meksikë

30 July 2025 at 11:16

Tarifat tregtare të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, të cilat synojnë të nxisin prodhimin vendas, po japin efekt të kundërt në industrinë e çokollatës: po rrisin ndjeshëm koston e importit të kakaos – një përbërës kyç që nuk kultivohet në SHBA dhe po dëmtojnë konkurrueshmërinë e fabrikave amerikane ndaj atyre në Kanada dhe Meksikë.

Sipas bisedave me 11 drejtues, ekspertë dhe tregtarë të industrisë, tarifat po e vështirësojnë operimin e fabrikave amerikane, ndërkohë që nën marrëveshjen e lirë tregtare USMCA, Kanadaja dhe Meksika mund të eksportojnë çokollatë në SHBA pa tarifa, pavarësisht nga origjina e kakaos që përdorin.

Kanadaja, nga ana tjetër, nuk vendos tarifa mbi importet e kakaos së papërpunuar ose të përpunuar pjesërisht (si gjalpi dhe pluhuri i kakaos), ndërsa Meksika kultivon vetë një pjesë të kokrrave të saj. Kjo u jep fabrikave në të dy vendet avantazh të qartë përballë atyre amerikane, të cilat aktualisht paguajnë tarifa nga 10% deri në 25% për lëndët e para – me rrezikun që ato të shkojnë deri në 35% më 1 gusht.

Një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën dhe po dëgjon reagimet e industrisë për të realizuar agjendën ekonomike të Presidentit Trump.

Gjiganti amerikan i çokollatës Hershey, i cili prodhon kryesisht në SHBA, por ka edhe fabrika në Kanada dhe Meksikë, ka vlerësuar se do të përballet me një kosto shtesë prej 100 milionë dollarësh në tremujorin e tretë dhe të katërt të këtij viti, nëse tarifat mbeten në fuqi. / abcnews.al

Japonia evakuon centralin bërthamor të Fukushimës

30 July 2025 at 10:58

Autoritetet japoneze kanë evakuuar centralin bërthamor të Fukushimës si masë paraprake pas paralajmërimeve për cunami të shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm në Lindjen e Largët të Rusisë.

Deri tani nuk janë raportuar të lënduar dhe situata mbetet nën kontroll, sipas zyrtarëve japonezë. Megjithatë, ky veprim ka rikthyer kujtime të dhimbshme për vendin nga tragjedia e vitit 2011, kur një cunami i fuqishëm goditi centralin bërthamor Fukushima Daiichi, duke shkaktuar katastrofë bërthamore dhe më shumë se 18,000 viktima.

Kompania Tokyo Electric Power (TEPCO), e cila menaxhon centralin, tha se evakuimi është bërë “për të garantuar sigurinë absolute”.

Masat janë pjesë e një protokolli të rreptë për emergjencat bërthamore dhe autoritetet thonë se nuk ka asnjë shenjë për rrjedhje radioaktive. / abcnews.al

Paqësori nuk gjen qetësi pas tërmetit 8.8 ballë!/ Valët e para të tsunamit po arrijnë në Kaliforni

30 July 2025 at 10:35

Valët e para të tsunamit kanë filluar të godasin bregun e Kalifornisë, pas tërmetit shkatërrues që ndodhi në gadishullin Kamçatka në Lindjen e Largët të Rusisë.

Sipas degës lokale të Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së (NWS), matësit e nivelit të detit në bregun verior të shtetit kanë regjistruar valët e para.

NWS Eureka paralajmëroi qytetarët që të qëndrojnë larg plazheve, pasi valët pritet të vazhdojnë të rriten gjatë gjithë natës, sidomos me afrimin e baticës së lartë.

“Rrini larg bregdetit! Valët do të forcohen dhe paraqesin rrezik serioz,” thuhet në paralajmërimin zyrtar të agjencisë.

Autoritetet lokale po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe pritet të publikojnë njoftime të reja në orët në vijim.

Polonia mund të humbasë mbi 2 miliardë dollarë për shkak të tarifave të reja amerikane

30 July 2025 at 08:51

Polonia rrezikon të humbasë rreth 2.16 miliardë dollarë amerikanë për shkak të tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj produkteve evropiane, sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga Kryeministri polak, Donald Tusk.

“Humbjet do të jenë të ndjeshme në të dy anët e Atlantikut, por një marrëveshje e vështirë tregtare është më e mirë sesa një luftë tarifore pa kuptim mes aleatëve,” shkroi Tusk në rrjetin social X.

Marrëveshja e re kuadër mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, e arritur të dielën, vendos një tarifë importi prej 15% për shumicën e mallrave evropiane një masë që shmang tarifat më të larta të kërcënuara më parë dhe tenton të stabilizojë tregtinë ndëratlantike.

Megjithëse Polonia nuk eksporton në mënyrë të drejtpërdrejtë shumë produkte në SHBA, ekonomia e saj pritet të ndjejë ndikime të mëdha pasi kompanitë polake janë shpesh furnizues apo nënkontraktorë për vende të tjera si Gjermania, që më pas eksporton produkte të përfunduara, përfshirë automjetet, drejt tregut amerikan.

Automjetet janë ndër më të prekshmet nga tarifa e re 15%, që paraqet një rritje të madhe krahasuar me normën e mëparshme prej 2.5% para kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.

Edhe vende të tjera të Evropës Qendrore kanë shprehur shqetësime për ndikimin e kësaj marrëveshjeje. Ministria e Financave e Çekisë bëri të ditur se tarifat amerikane pritet të ngadalësojnë rritjen ekonomike të vendit me 0.2 pikë përqindje deri në fund të vitit dhe me 0.39 pikë përqindje në vitin 2026. / abcnews.al

Britania paralajmëron: Do njohim shtetin e Palestinës në shtator nëse Izraeli nuk vepron për t’i dhënë fund tmerrit në Gaza

30 July 2025 at 08:23

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të njohë shtetin palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr “hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund situatës të tmerrshme në Gaza” dhe për të arritur një armëpushim.

“Mund ta konfirmoj që Mbretëria e Bashkuar do të njohë Shtetin e Palestinës pranë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, përveçse qeveria izraelite ndërmerr hapa të rëndësishëm për të marrë fund situatën e tmerrshme në Gaza, pranon një armëpushim dhe angazhohet për një paqe të qëndrueshme afatgjatë, duke ringjallur perspektivën e zgjidhjes me dy shtete“, tha ai.

Starmer po përballet me presion të shtuar brenda Partisë Laburiste për të adoptuar një vijë më të ashpër ndaj Izraelit, presion ky që është bërë më i fortë pas njoftimit të fundit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili deklaroi se Franca do të njohë një shtet palestinez në muajin shtator, duke u bërë vendi i parë i G7 që kryen një veprim të tillë.

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer më herët ka refuzuar një thirrje nga më shumë se 130 deputetë laburistë për të ndjekur Emmanuel Macron dhe për të njohur zyrtarisht një shtet palestinez, mes shqetësimeve se kjo çështje do të errësonte vizitën e Presidentit Trump në Mbretërinë e Bashkuar.

Presidenti francez njoftoi të enjten e kaluar se do të njohë zyrtarisht një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, duke rritur presionin ndaj Starmer-it.

Ministra të kabinetit e kanë nxitur në mënyrë private kryeministrin që të bëjë të njëjtën gjë, dhe të premten më shumë se një e treta e deputetëve të tij nënshkruan një letër duke i kërkuar që të veprojë po ashtu. / abcnews.al

Yesterday — 29 July 2025Main stream

Sigurimi i banesave nga tërmeti/ Radonshiqi: Nismë që duhet të ndërmerrej më herët. Për pensionistët dhe të papunët, qeveria…

29 July 2025 at 14:21

Tregu i sigurimeve është zgjeruar në periudhën janar-qershor duke u rritur me mbi 8%. Pesha kryesore dhe rritja më e madhe ka ardhur kryesisht nga sigurimet motorike, teksa një tendencë në zgjerim ka parë edhe segmenti i sigurimit të jetës.

Ekspertja e sigurisë Romina Radonshiqi u shpreh se sigurimi i banesave nga tërmeti është një masë mbrojtëse që duhet të merrej më herët. Më tej, Radonshiqi tha se për pensionistët dhe të papunët qeveria ka gjetur një zgjidhje duke marrë mbulimin e kostove për këto familje në nevojë për të cilat kjo pagesë ka një peshë në buxhetin e tyre.

“Është një masë mbrojtëse që duhet të ndërmerrej para shumë vitesh. Sigurimi i banesave është diçka shumë e rëndësishme, duhet të edukohemi t’i kushtojmë rëndësi sigurimit të jetës dhe pronës. Banesa është shumë e rëndësishme sepse hyn tek nevojat fiziologjike. Shqipëria është një vend me risk të lartë sizmik dhe sigurimi i ndërtesës duhet të na ulë mbrojtjen dhe menaxhimin e riskut. Është një nismë e vonuar, niveli i sigurimit të pronave ishte tepër i ulët nga qytetarët.

Në draft kemi edhe përshpejtim të procedurave, në një periudhë 9 mujore qeveria e ka përshpejtuar procedurën dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Nuk do të influencojë shumë tek financat e individit. Pensionistët ose të papunët, për ta një shumë do të ndikonte në buxhetin e tyre ndaj dhe qeveria ka gjetur zgjidhje duke marrë mbulimin e kostove për këto familje në nevojë.” / abcnews.al

FOTOLAJM/ Kina nën pushtetin e ujit. Të paktën 30 viktima dhe mbi 80.000 të evakuuar

29 July 2025 at 13:55

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e fortë në Pekin dhe zonat përreth kanë shkaktuar të paktën 30 të vdekur dhe kanë detyruar evakuimin e dhjetëra mijëra njerëzve. Shirat e shpeshta u intensifikuan rreth kryeqytetit kinez dhe zonave të tjera përreth, ku qyteti ka regjistruar reshje deri në 54 cm gjatë një periudhe “shira ekstreme të pandërprerë”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua.

Sipas një deklarate nga Pekini, 28 persona humbën jetën në distriktin Miyun dhe dy të tjerë në distriktin Yanqing deri në mesnatë të së hënës. Të dy këto zona janë zona malore larg qendrës së qytetit.

Mbi 80,000 njerëz janë evakuuar në Pekin, duke përfshirë rreth 17,000 në Miyun, thuhet në deklaratën e qeverisë. Po ashtu, katër persona u raportuan të vdekur nga një shpërthim dheu në një zonë rurale të qarkut Luanping në provincën e Hebei, e cila kufizohet me Pekinin. Tetë persona janë shpallur të zhdukur.

Presidenti kinez Xi Jinping urdhëroi përpjekje të plota për kërkim-shpëtimin pas mesnatës së së hënës, për të minimizuar viktimat. Përmbytjet e fundit kanë shkaktuar viktima dhe dem ete medha në Pekin dhe provincat e Hebei, Jilin dhe Shandong, tha ai, sipas Xinhua.

Autoritetet e Pekinit shpallën një përgjigje emergjente të nivelit të lartë në orën 20:00 të së hënës, duke urdhëruar njerëzit të qëndrojnë brenda, duke mbyllur shkollat, pezulluar punët e ndërtimit dhe ndaluar turizmin dhe aktivitetet e jashtme.

/ abcnews.al

Shqiptarët shënojnë në Rusi/ Rubin i ka të gjithë golat nga Daku, Hoxha, Shabanhaxhaj

29 July 2025 at 13:31

Janë gjithsej katër, dhe tre po tregohen protagonistë.

Rubini njihet në Rusi si skuadra e shqiptarëve, dhe rëndësia e tyre duket qartë pas dy javëve të para të kampionatit.

Skuadra nga Tatarstani ka arritur një fitore e një barazim, me 4 gola të shënuar e dy të pësuar, dhe që të gjitha rrjetat janë realizuar nga futbollistët që I përkasin kombit tonë.

Në ndeshjen e fundit, në barazimin luftarak ndaj Zenitit në Kazan, rezultati 0-2 u barazpeshua falë goditjeve nga Veldin Hoxha dhe Mirlind Daku.

I pari do të luajë për Kosovën, ndërsa I dyti është ndër futbollistët e Shqipërisë.

Ndeshja e javës së parë ishte në fushën e Ahmatit në Grozni në 20 korrik, dhe u arrit një fitore e rëndësishme 2-0.

Në startin e Premier Ligës ruse, Dardan Shabanhaxhaj dhe Veldin Hoxha.

Shabanhaxhaj ka zgjedhur të luajë për Austrinë, ndërsa është me origjinë nga Kosova.

Hoxha, I lindur në Kroaci, ka dy gola, ndërsa Daku ka një gol e një asist.

Besohet se sulmuesi kuqezi mund të luftojë për Këpucën e Artë, ndërsa Rubini ëndërron të garojë për titullin. / abcnews.al

Uria kërcënon Gazën/ Sulmet dhe kufizimet e ndihmave, krizë të rëndë humanitare

29 July 2025 at 13:24

Rripi i Gazës po përballet me skenarin më të rëndë të urisë. Paralajmërimi vjen nga mekanizmi kryesor global për matjen e urisë, Iniciativa e Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore që në raprtin e tyre thonë se ofensiva ushtarake e Izraelit dhe kufizimet e ashpra të ndihmës po shkaktojnë një krizë humanitare të paprecedentë.

“Dëshmitë në rritje tregojnë se uria masive, kequshqyerja dhe sëmundjet po çojnë në rritjen e vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit,” thuhet në paralajmërimin zyrtar të Iniciativës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore. Megjithatë, institucioni theksoi se ky është një alarm dhe jo një klasifikim përfundimtar dhe zyrtar i urisë.Paralajmërimi vjen në një kohë kur numri i vdekjeve nga uria në territorin palestinez është në rritje, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shton presionin ndaj Izraelit për përkeqësimin e situatës humanitare.  Vetë presidenti Amerikan Donald Trump deklaroi nga Mbretëria e Bashkuar se Uria ka mbërthyer Rripin e Gazës ndërkohë që Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu, aleati I tij thotë se në enklavën palestineze nuk ka rënë Zija e Urisë. Iniciativa e  Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore kërkoi në alarmin e lëshuar prej saj ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lejimin pa ndalim të shpërndarjes së ndihmave humanitare.Sipas të dhënave më të fundit, rreth 470,000 persona në Gaza po përballen me “kushte të ngjashme me urinë”, ndërsa rreth 90,000 gra dhe fëmijë kanë nevojë për ndihmë urgjente ushqimore.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza konfirmoi të hënën se pothuajse 150 persona kanë humbur jetën nga kequshqyerja që prej fillimit të luftës, përfshirë të paktën 88 fëmijë. Sipas të njëjtit burim, numri total i të vrarëve në Gaza është afruar në 60,000, me mijëra prej tyre fëmijë.Pas një bllokade 11-javore, Izraeli lejoi ndihma të kufizuara humanitare nga fundi i majit, por sipas organizatave humanitare, niveli i ndihmës së lejuar është shumë larg nga nevoja aktuale. Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se një e treta e popullsisë në Gaza “nuk ha për ditë të tëra”, duke rritur frikën se numri i viktimave do të rritet ndjeshëm në mungesë të reagimit të menjëhershëm.

Edhe kete te marte pauza taktike e luftimeve vijon te jete aktive ne rripin e Gazes ku nga ora 10 e mengjesit deri ne oren 20 do te lejohet kalimi I ndihmave humanitare me kamione si dhe hedhja e tyre nga ajri per civilet palestineze. / abcnews.al

Fronti Izrael-Palestinë/ Ministria e Shëndetësisë: Mbi 60.000 palestinezë në Gaza janë vrarë që nga tetori

29 July 2025 at 13:19

Më shumë se 60,000 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamas.

Sulmi izraelit u lançua si hakmarrje për sulmin e Hamasit dhe grupeve të tjera militante, të cilat vranë rreth 1,200 persona dhe morën rreth 250 të tjerë si pengje.

Në 24 orët e fundit, 113 persona janë vrarë dhe 637 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit, duke e çuar numrin e palestinezëve të vrarë që nga tetori 2023 në 60,034. Po ashtu, është raportuar se nga këto 113 viktima, 22 janë lidhur me pikë ndihme.

Numri i të vdekurve nuk bën dallim midis ushtareve dhe civilëve.

Ministria shtoi: “Disa viktima ende ndodhen nën rrënoja dhe nëpër rrugë, pasi ekipet e ambulancës dhe mbrojtjes civile nuk mund të arrijnë në ta për momentin.”

Analizë/ Nga BE-ja te Vatikani, si po i vihen të gjithë kundër Izraelit

29 July 2025 at 11:57

Dje 58 ish-ambasadorë të BE-së dënuan “veprimet çnjerëzore të përditshme të Izraelit ndaj popullit palestinez në Gaza”, duke i kërkuar Brukselit të ndërmarrë veprime. Komisioni Evropian reagoi menjëherë. Propozoi pezullimin e pjesshëm të aksesit të Izraelit në programin Horizon dhe fondet për kërkimin shkencor.

Ndërkohë, Holanda u shpreh e gatshme për “masa tregtare” kundër shtetit hebre. Më parë, 35 diplomatë të lartë italianë në pension i kishin dërguar një letër të hapur kryeministres Meloni, duke kërkuar njohjen e shtetit palestinez.

Me këtë qëllim, dje nisi një konferencë treditore në OKB, e drejtuar nga Franca dhe Arabia Saudite (partner kyç i Perëndimit në Lindjen e Mesme), që u bojkotua nga SHBA-të dhe Izraeli.

“Është një shfaqje kundërproduktive që ndihmon Hamasin”, u përgjigj me zemërim Shtëpia e Bardhë.

Samiti, i thirrur në qershor dhe më pas shtyrë për shkak të sulmit izraelit ndaj Iranit, synon të përcaktojë parametrat e një rruge për krijimin e një shteti palestinez, duke garantuar sigurinë e Izraelit.

“Nuk ka alternativë”, deklaroi ministri francez i Jashtëm Jean-Noel Barrot në fjalën e tij në Pallatin e Qelqit, “tani duhen masa konkrete”.

Përveç Parisit, janë 11 vende evropiane që kanë njoftuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez: Suedia, Sllovenia, Spanja, Irlanda, Bullgaria, Qipro, Republika Çeke, Hungaria, Rumania, Polonia dhe Sllovakia.

Po kështu mendojnë 144 vende anëtare të OKB-së nga 193 në total. Italia, si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, është ende e rezervuar.

“Nuk është çështje përmbajtjeje, por kohe”, shpjegoi ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, pasi kryeministrja Giorgia Meloni e kishte cilësuar iniciativën e Macron si “kundërproduktive”.

Sipas Romës, është i nevojshëm njohja reciproke paraprake e Izraelit në Lindjen e Mesme. Një qëndrim i ngjashëm mban edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili megjithatë mund të ndryshojë dhe të njohë së shpejti Shtetin e Palestinës, nën presionin e më shumë se 200 deputetëve dhe disa ministrave të rëndësishëm.

Edhe Selia e Shenjtë u përfshi në debat dhe kritikoi Melonin, e cila kishte cilësuar si të parakohshme këtë nismë. “Pse e parakohshme?”, pyeti retorikisht kardinali Pietro Parolin. Bashkëpunëtori i parë i Papës shikon me simpatinë konferencën e OKB-së të nisur nga Franca dhe Sauditë.

“Shpresojmë të sjellë ndonjë fryt”, tha ai. Sekretari i Shtetit të Vatikanit u pyet dje nga gazetarët, në margjinat e Xhubileut të influencerëve katolikë, për vendimin e fundit të Macron për njohjen formale të Palestinës në shtator.

“Ne prej kohësh, siç thoni ju, e kemi bërë këtë”, deklaroi duke adoptuar dialektin romak të bashkëbiseduesve të tij.

“Për ne kjo është zgjidhja, pra njohja e dy shteteve që jetojnë pranë njëri-tjetrit me autonomi, por edhe me bashkëpunim dhe siguri”, tha ai.

Selia e Shenjtë kishte nënshkruar 25 vjet më parë një marrëveshje bazë me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (Olp), ndërsa dhjetë vjet më parë, me vullnetin e Papa Françeskut, u nënshkrua marrëveshja me Shtetin palestinez. Qeveria izraelite atëherë shprehu “keqardhjen” e saj.

Kohët e fundit, kolonët izraelitë sulmuan Taybeh, fshatin e fundit të krishterë në Bregun Perëndimor, dhe praninë e tyre nëpër vendbanime, sipas Parolinit, “nuk ndihmon në realizimin e shtetit palestinez”.

Sa i përket kishës në Gaza që u godit nga ushtria izraelite, kardinali, i cili prej ditësh kishte shprehur dyshime mbi rastësinë e incidentit, vuri në dukje se “nëse duhet, mund të gjendet mënyra” për të shmangur atë që Izraeli e quajti “gabim në zjarr”.

Situata në Rripin e Gazës, tha Parolin, “është e paqëndrueshme”.

Situata me zjarret/ Mbrojtja: Janë evidentuar 52 vatra zjarri. Shuhen 46 prej tyre

29 July 2025 at 11:42

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar.

Mbeten aktive vatrat në këto zona:

–           Në zonën perëndimore të tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, ku ndërhyrja nuk mundëson futjen e trupave, për shkak të terrenit të thepisur dhe bimësisë shumë të dendur. Ditën e sotme vatra e zjarrit po monitorohet nga MZSH e Bashkisë.

–           Në fshatin Spatharë, bashkia Skrapar,  ku zjarri ka  rënë në një sipërfaqe kullote.  Në vendngjarje ndodhen forca nga të gjitha strukturat operacionale, që po punojnë  për vënien nën kontroll të vatrës.

Në monitorim,  me qëllim shmangien e riaktivizimit  janë vatrat në këto zona:

–           Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, bashkia Pustec

–           Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë

–           Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq

–           Në fshatin Veliq, bashkia Tropojë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:

–           52 automjete zjarrfikëse

–           722 forca operacionale.

–           Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura, që operuan në dy zona.

Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave,

sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës, dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit.

Për sa u përket zjarreve në pyje

sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rreziku “I MODERUAR. / abcnews.al

❌
❌