Mes varfërisë, heshtjes dhe propagandës: Sportistët e Shqipërisë sfidojnë shtetin që i braktis
Sportistët e Shqipërsë janë kthyer në heronj të një kombi që nuk kujtohet për ta, veçse kur i duhet për ndonjë foto propagandistike apo për ndonjë status në rrjete sociale. Ndërsa Shqipëria vidhet përditë, ndërsa miliarda euro shkojnë në xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve që nuk u dridhet qerpiku për skandal pas skandali, sportistët tanë vazhdojnë të punojnë në heshtje, të sakrifikojnë, të ngrenë flamurin kuqezi në arenat ndërkombëtare, shpesh pa mbështetje, pa shpërblim, pa kushte minimale jetese.
Nga sportet individuale te ato kolektive, nga atletët profesionistë deri te talentet në ngritje, të gjithë ndajnë të njëjtin fat të dhimbshëm: një shtet që i braktis, institucione që nuk funksionojnë dhe një sistem që sheh vetëm interesin e vet. Shumë prej tyre jetojnë në kushte ekonomike të vështira, pa qendra trajnimi dinjitoze, pa dietë ushqimore të garantuar, shpesh të detyruar të mbështeten vetëm te forca personale dhe dashuria për sportin.
Ndërkohë, qeveria vazhdon të investojë në fasada, në luks, në “miqtë” e saj biznesmenë, në tendera dhe koncesione të dyshimta. E ndërsa për një sportist të ri nuk ka fonde për një palë këpucë apo për një udhëtim në kampionat, për një oligark ka qindra milionë euro për çdo “projekt strategjik”.
Enkileda Carja, peshëngritësja e talentuar së fundmi ka rrëmbyer tre medalje në Kampionatin Europian për moshat U-17 në Madrid. Me një performancë mbresëlënëse, ajo theu gjashtë rekorde europiane për këtë grupmoshë, duke dëshmuar nivelin e jashtëzakonshëm të saj dhe potencialin që zotëron.
Në atletikë, Luiza Gega vazhdon të jetë figura më madhështore e viteve të fundit. Kampione e Europës, rekordmene dhe simbol i përkushtimit në një sport që kërkon sakrificë dhe disiplinë të jashtëzakonshme, Gega është bërë frymëzim për brezat e rinj dhe shpesh ka ngritur zërin për të gjitha padrejtësitë në botën e sportit.
Edhe gjimnastika shqiptare ka shkëlqyer. Në kampionatin botëror “World Gym for Life Challenge” në Portugali, Shqipëria fitoi medaljen e bronztë me një performancë që u vlerësua si ndër më emocionueset e garës. Vajzat e vogla kuqezi, të moshës nga 7 deri në 12 vjeç, dhanë një shembull të pastër të talentit dhe pasionit që rritet në hije, larg dritave të propagandës.
Në mundje, suksesi ka qenë i njëpasnjëshëm. Turneu Ndërkombëtar në Prizren solli pesë medalje për sportistët nga Kukësi, të cilët përfaqësuan Shqipërinë me krenari dhe sukses. Vëllezërit Ernest dhe Erglena Domi u nderuan si “Kolosët e Vitit 2025”, duke u kthyer në modele frymëzimi për brezat e rinj.
Ndërkohë, në Kampionatin Europian në Bratislavë, Chermen Valiev u shpall kampion Europe në kategorinë deri në 72 kg, ndërsa Zelimkhan Abakarov siguroi medalje bronzi. Këto suksese tregojnë rritjen e vazhdueshme të mundjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Në peshëngritje, Ertjan Kofsha i dhuroi Shqipërisë medalje ari dhe dy bronzi në kampionatin europian në Poloni. Me një ngritje prej 162 kg dhe një total prej 337 kg në dygarësh, ai u shpall nënkampion Europe, duke konfirmuar potencialin dhe përgatitjen serioze të sportistit.
Një tjetër moment historik erdhi në Lojërat Olimpike, ku Islam Dudaev fitoi medaljen e dytë olimpike për Shqipërinë në histori. Triumfi i tij në finalen e bronzit kundër një kundërshtari të fortë si Ismail Musukaev me rezultatin 13-12 është dëshmi e guximit dhe përgatitjes së shkëlqyer.
Por kulmi i suksesit erdhi me Zelimkhan Abakarov, i cili u shpall kampion bote në stilin e lirë për peshën 57 kg në Beograd, duke fituar medaljen e parë të artë botërore për Shqipërinë në këtë sport. Fitorja ndaj kampionit amerikan Gilman Thomas me rezultatin 7-2 është një ngjarje historike për sportin shqiptar.
Këto janë vetëm disa nga emrat që po lartësojnë Shqipërinë me mundin dhe djersën e tyre. Në një vend ku shteti shpesh i përdor sportistët për propagandë dhe i harron sapo mbyllen kamerat, ata vazhdojnë përpara me vetëm një mision: të përfaqësojnë me dinjitet vendin e tyre.
Pavarësisht se nuk kanë mbështetjen që meritojnë, pavarësisht se jetojnë me premtime boshe, këta sportistë janë heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Ata kanë edhe një mision më të madh: t’u japin shqiptarëve krenari, shpresë dhe një arsye për të besuar se suksesi vjen edhe nga sakrifica, jo vetëm nga pushteti.
The post Mes varfërisë, heshtjes dhe propagandës: Sportistët e Shqipërisë sfidojnë shtetin që i braktis appeared first on iconstyle.al.