Çfarë do të thotë ‘40% mundësi për shi’ në aplikacionin e motit? Shumica nuk e kuptojnë
Çfarë fshihet pas përqindjes së shiut në parashikimin e motit?
Sa herë keni hapur aplikacionin e parashikimit të motit në iPhone-in tuaj dhe keni parë shkrimin “40% mundësi për shi” dhe keni menduar: a do të thotë kjo se do të bjerë shi për 40% të kohës? Apo se 40% e territorit do të përfshihet nga reshjet? Ose ndoshta se keni 40% mundësi që të prishni stilin e flokëve? Nëse jeni të hutuar – nuk jeni vetëm.
Në Reddit është hapur një diskutim që ka shkaktuar një valë debatesh për kuptimin real të këtij përqindjeje të famshme. Një përdorues me emrin Wonderscout1 shpjegon: “Nëse meteorologu është 80% i sigurt që do të bjerë shi, por pret që reshjet të përfshijnë vetëm 50% të një rajoni të caktuar, aplikacioni do të tregojë 40% mundësi për shi.”
“Apo, në anën tjetër, nëse është 100% i sigurt që do të bjerë shi në një zonë, por vetëm 40% i sigurt që reshjet do të arrijnë vendndodhjen tuaj, prapë do të shfaqet 40%,” shton ai.
Të hutuar? Shumë janë.
Ndërsa disa pranuan se edhe pas këtij shpjegimi nuk kuptuan shumë, të tjerë dhanë shpjegime edhe më të sakta:
“Kjo përqindje në të vërtetë tregon probabilitetin që në një pikë të caktuar brenda një zone më të gjerë të bjerë shi. Llogaritet si: probabiliteti që diku të bjerë shi × përqindja e territorit që do të preket.” Ose, siç tha dikush në mënyrë të thjeshtë: “Përqindja nuk do të thotë se do të bjerë shi 40% të kohës, por se ka 40% shanse që shi të bjerë pikërisht aty ku ndodhesh ti.”
Por a është kjo e saktë?
Kjo përqindje, që në aplikacione si ai i iPhone-it e shihni si “40% chance of rain” (40% shanse për shi), i referohet probabilitetit që në një vend të caktuar gjatë një intervali të caktuar kohor, zakonisht brenda një ore – të bjerë shi. Pra, “40% shanse për shi” do të thotë se ka 40% mundësi që gjatë asaj ore aty të bjerë shi, transmeton Telegrafi.
Çfarë NUK do të thotë kjo?
– Nuk do të thotë se do të bjerë shi 40% të ditës.
– Nuk do të thotë se 40% e territorit do të përfshihet nga reshjet.
– Nuk do të thotë se do të bjerë shi 40% të kohës gjatë asaj ore.
Po shpjegimi i Reddit-it?
Një përdorues në Reddit përshkroi një metodë të vjetër meteorologjike nga SHBA, të njohur si formula PoP:
PoP = C × A, ku:
C = besimi i meteorologut që do të bjerë shi diku në rajon
A = përqindja e atij rajoni që do të preket nga reshjet
Shembull: 80% siguri që do të bjerë shi, por vetëm në 50% të territorit → 0.8 × 0.5 = 0.4 → 40% shanse.
Por! Kjo formulë nuk është universale dhe nuk përdoret domosdoshmërisht nga Apple apo aplikacionet moderne të motit. Sot ato mbështeten më shumë në modelet e mësimit makinerik dhe të dhënat mikrolokacionale precize, duke bërë që numrat të jenë shumë më të saktë dhe shpesh i referohen pikërisht vendndodhjes suaj aktuale.
Përfundimi për përdoruesit e iPhone-it
Kjo përqindje tregon probabilitetin e reshjeve për vendndodhjen tuaj të saktë gjatë një ore të caktuar (p.sh. “40% shanse për shi midis orës 14:00 dhe 15:00”).
Nëse shihni “40%”, do të thotë se modelet parashikojnë 40% shanse që shi të bjerë pikërisht aty ku ndodheni, gjatë atij intervali kohor. /e.t