Nga majat e Evropës në skandal: Goditjet që i kushtuan me përjashtim kampionit të ri
Kampioni evropian i boksit, rumuni 16-vjeçar Renato Nica, është përjashtuar nga sporti pas një incidenti të rëndë të ndodhur të hënën mbrëma, ku ai sulmoi brutalisht kikboksierin Nasim Sava.
Sipas dëshmive, sherri ka nisur për shkak të një vajze. Babai i viktimës, Bodan Sava, ka publikuar pamjet e ngjarjes dhe e ka paraqitur rastin në polici. Nga sulmi, Nasim Sava ka pësuar thyerje të kockave në fytyrë, ndërsa Nica tashmë përballet me akuza penale.
Trajneri i ekipit olimpik të Rumanisë, Relu Auras, ka shpjeguar se Nica kishte dalë jashtë orarit pa dijeninë e stafit dhe ishte përfshirë në një përleshje. “Edhe nëse është kërcënuar, nuk duhej të reagonte në atë mënyrë. Sportistët duhet të dinë të kontrollojnë veten dhe të mos përdorin forcën jashtë ringut,” ka theksuar Auras.
Ai ka shtuar se Nica pretendon se është provokuar dhe kërcënuar me thikë, por kjo nuk justifikon sulmin. “Në karrierën time shumëvjeçare nuk kam parë një rast të tillë”, ka shtuar trajneri.
Nga ana tjetër, babai i Nasim Savas ka treguar se vajza e përfshirë në konflikt ishte e dashura e Nicas dhe kishte pasur kontakte të mëparshme me djalin e tij. “Djali im nuk reagoi edhe pse është kikboksier. Nica e kapi të papërgatitur dhe mund të kishte ndodhur edhe më keq”, ka thënë ai.
Presidenti i Federatës së Boksit të Rumanisë, Vasile Catea, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij. “Nga pikëpamja ime, karriera e tij ka përfunduar. Ne nuk rrisim huliganë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se vendimi final do të merret nga Komiteti Disiplinor.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv rumun, duke ngritur pyetje mbi disiplinën dhe përgjegjësinë e sportistëve të rinj jashtë arenave sportive. /Telegrafi/
The post Nga majat e Evropës në skandal: Goditjet që i kushtuan me përjashtim kampionit të ri appeared first on Telegrafi.