Një pjesë e kostumografisë shqiptare është dokumentuar në fondin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot disa foto nga një pjesë e kostumografisë shqiptare, ndërsa e cilësoi këtë si një ndër pasuritë e çmuara të etnografisë dhe shpirtit të krahinave shqiptare.
Kumbaro tha se ato “janë të skalitura përjetësisht në kostumografinë tonë madhështore, disa prej të cilave dokumentuar në fondin e Agjencia Kombëtare e Turizmit përmes konkursit “Wanderlust in Albania 2″”.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Një pjesë e kostumografisë shqiptare e dokumentuar në fondin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit./atsh/KultPlus.com
Jeni duke kërkuar një vend për pushime me buxhet të ulët? Ne ju rekomandojme pese destinacionet më të mira në vitin 2025 – nga Spanja në Shqipëri – për pushime të përballueshme, shkruan Sarah Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Independent”.
Shumica e turistëve britanikë do të donin të eksploronin destinacione të reja dhe në zhvillim, në vend të destinacioneve të njohura, të mbipopulluara dhe të shtrenjta për pushime.
Për fat të mirë, ka mjaft mundësi për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa bërë kompromis me diellin apo cilësinë e përvojave.
Shqipëria: Vendi më i mirë për aventura
Qoftë duke shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke zbuluar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra të shndritshme, Shqipëria ka një ngjashmëri të madhe me fqinjën e saj elegante përtej detit Adriatik.
Por krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, vendet e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.
I specializuar në udhëtime për turistë 18-35 vjeç, “Contiki” është operatori i parë turistik për të rinj që ofron udhëtime në të gjithë vendin ballkanik.
Mësoni rreth të kaluarës përmes arkitekturës osmane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit, Tiranës, ecni në shtigjet që të çojne në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe relaksohuni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.
Udhëtimi tetëditor kushton 1,025 euro për person, duke përjashtuar fluturimet.
“Independent” rendit vendet më të mira për t’u vizituar në vitin 2025 – për pushime të përballueshme:
Vendi më i mirë për aventura: Shqipëria
Vendi më i mirë për plazhet: El Gouna, Egjipt
Vendi më i mirë për familjet: Galicia, Spanjë
Vendi më i mirë për ski: Voss, Norvegji
Vendi më i mirë për natyrën: Bosnjë-Hercegovina/atsh/
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.
Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar.
Prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.
Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.
Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.
Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.
Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.
Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.
Figura dhe veprat e Bekim Lumit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë./KultPlus.com
Edicioni i sivjetmë mbahet prej 1 deri me 3 gusht me yjet të skenës ndërkombëtare si: Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, Headie One, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro etj.
Edicioni i sivjetshëm i Sunny Hill Festival sjell një nivel të ri madhështie, me skena gjigante që premtojnë një përvojë spektakolare për publikun.
Skena kryesore ka përmasa mbresëlënëse: 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, duke krijuar hapësirë për performanca të jashtëzakonshme vizuale dhe muzikore. Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era e Kida janë veç disa prej emrave që do të performojnë në këtë skenë.
Ndërsa, skena C4 është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë, e dizajnuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke ju mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit. Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do performojnë në këtë skenë që këtë vit për herë të dytë, ia shton madhështinë festivalit.
Mos e lini pa vizituar edhe skenën “The next stage”. Organizatorët aty kanë krijuar një vend ideal për ata që kërkojnë një atmosferë të veçantë ku dominojnë zërat e artistëve të rinj.
Por Sunny Hill nuk është vetëm për muzikë. Festivali ofron edhe një përvojë të paharruar kulturore. Në parkun e Festivalit këtë edicion do zënë vend mbi 10 tenda promocinale dhe argëtuese me lojëra interaktive e aktivitet të ndryshme. E aty, do zënë vend edhe mbi 15 vendor të ushqimit që do ofrojnë mundësi të ndryshme për të shijuar opsione me të mira nga kuzhina vendase dhe ndërkombëtare.
E veçanta e këtij edicioni padyshim mbetet fakti se Festivali Sunny Hill, këtë vit sjell më shumë artistë se çdo edicion tjetër. Artistë ndërkombëtarë, yje të skenës botërore bashkë me emra të dashur nga skena vendore dhe rajoni do e bëjnë këtë edicion të paharrueshëm.
Nëse tashmë nuk e keni siguruar biletën tuaj, atë mund ta blini në: https://sunnyhillfestival.com/tickets/
Shkrimtarja dhe autorja e njohur për fëmijë, Meliza Krasniqi, është nderuar me çmimin prestigjioz “Dega e ullirit” në kuadër të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit “Ulqini 2025”, për librin e saj më të fundit “Me quajnë Nexhmije Pagarusha”.
Çmimi u nda gjatë ceremonisë solemne të hapjes së panairit, në prani të figurave të rëndësishme të letrave dhe kulturës shqiptare në rajon. Juria e përbërë nga emra të njohur si Liridon Mulaj (kryetar), znj. Irena Toci, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe të Promocionit, z. Genci Nimanbegu, kryetar i Komunës së Ulqinit, dhe z. Čazim Hodžič, vlerësuan lart vlerat artistike dhe edukative të veprës.
Në një reagim publik, Krasniqi u shpreh thellësisht e nderuar për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë emocionale që ky çmim ka për të.
“Ky çmim ka domethënie të veçantë për mua — si degë ulliri që më kujton se fjala për fëmijë mbjell paqe, kujtesë dhe shpresë”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
“Me quajnë Nexhmije Pagarusha” është një vepër që i prezanton gjeneratave të reja figurën madhështore të “Bilbilit të Kosovës”, në një mënyrë të ndjeshme, edukative dhe letrare. Libri konsiderohet një ndër përpjekjet më të arrira të autorës për të ndërtuar ura mes historisë kulturore dhe lexuesve të vegjël./KultPlus.com
Më 30 korrik 1818 lindi Emily Brontë, një nga zërat më origjinalë dhe sfidues të letërsisë britanike, e njohur botërisht për romanin e saj të vetëm, por magjepsës, Wuthering Heights. Edhe pse jetoi vetëm 30 vjet, Brontë arriti të shkruajë një nga veprat më të errëta, më komplekse dhe më të studiuara të kanonit letrar anglez. Historia e dashurisë së furishme dhe hakmarrjes mes Heathcliff dhe Catherine Earnshaw, e vendosur në një peizazh të egër dhe të mbushur me atmosferë gotike, tronditi lexuesit e shekullit XIX për intensitetin emocional dhe thellësinë psikologjike që rrallë shfaqej në veprat e kohës.
Në një periudhë kur gratë nuk priteshin të shkruanin letërsi me ton aq të guximshëm e të zymtë, Emily Brontë botoi romanin e saj nën pseudonimin Currer Bell, për të shmangur paragjykimet gjinore. Por pavarësisht kritikave fillestare, Wuthering Heights u kthye me kalimin e kohës në një klasik të pakontestueshëm. Vepra e saj vazhdon të analizojë tema universale si dashuria shkatërruese, natyra e egër njerëzore dhe ndikimi i klasave shoqërore, shkruan KultPlus.
Sot, në përvjetorin e lindjes së saj, Emily Brontë përkujtohet si një nga figurat më të fuqishme të letërsisë femërore dhe një autore që sfidoi kohën e saj me një zë letrar të papërsëritshëm. Wuthering Heights mbetet dëshmi e një talenti të rrallë dhe një pasqyrë e thellë e shpirtit njerëzor, që vazhdon të frymëzojë lexues e studiues në mbarë botën./KultPlus.com
Të shumtë janë vizitorët që shohin nga afër pasuritë që ruan në fondin e tij Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se janë me qindra vizitorë nga e gjithë bota, që çdo ditë mikpriten nga “Onufri”, i cili u ofron atyre një përvojë të pasur shpirtërore dhe artistike përmes ikonave të rralla dhe audioguidës në disa gjuhë të huaja.
Muzeu Ikonografik “Onufri” ndodhet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”. Arkitektura ku është vendosur muzeu është kisha më e madhe e lagjes Kala. Ajo ka qenë Katedralja e qytetit të Beratit dhe së bashku me ndërtesat e Mitropolisë formonte një kompleks arkitektonik.
Nga ky kompleks ka mbetur vetëm kisha, e cila është ndërtuar në vitin 1797, por që mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Nga të dhënat historike, dimë se Katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur mjediset e komuniteteve fetare kaluan nën administrimin e shtetit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo, piktorët me mbiemër Çetiri e shumë piktorë të tjerë anonimë./atsh/KultPlus.com
Një vit përpara se të ndërronte jetë, më 1996-ën, studiuesi, filozofi dhe disidenti i njohur Arshi Pipa i dhuroi Shkodrës një nga pasuritë më të çmuara të jetës së tij: bibliotekën personale.
Sot ajo ruhet në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës si një thesar me vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe shkencore.
Fondi ndahet në dy degë kryesore: Albanologji dhe Filozofi, ndërsa përfshin edhe koleksione të plota të revistave më të njohura shqiptare të kohës.
“Ka shumë vepra që janë vetëm në gjuhë të huaj, sidomos në aspektin e filozofisë, që nuk janë përkthyer ende në gjuhën shqipe. Gjithë pasuria e librave që Arshi Pipa ka pasur dhe i ka dhuruar Muzeut… bashkë me të edhe disa sende personale, si tryeza e punës, çanta apo makina e shkrimit,” thotë Majlinda Laçaj, përgjegjëse e Muzeut Historik të Shkodrës.
Interesi për këtë fond nga studiues të ndryshëm vendas dhe të huaj ka qenë i vazhdueshëm ndër vite, çka dëshmon rëndësinë e trashëgimisë që ka lënë pas Pipa.
“Kam pasur një ditë një reagim shumë të veçantë nga një turist holandez, i cili kishte në fondin e tij muzeor disa libra të Arshi Pipës. Foli me një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe me një çudi shumë të madhe se si është e mundur që në një muze qyteti të gjenden pasuri dhe fonde të tilla,” tregon znj. Laçaj.
Arshi Pipa (1920–1997) ishte një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar të shekullit XX. Përndjekur nga regjimi komunist, ai e zhvilloi aktivitetin e tij shkencor dhe letrar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dha mësim në disa universitete të njohura dhe botoi vepra të shumta për gjuhën, letërsinë dhe filozifinë.
Biblioteka e tij sot është jo vetëm një pasuri për Shkodrën, por një burim i rëndësishëm për këdo që kërkon të zbulojë më shumë mbi trashëgiminë kulturore shqiptare, transmeton RTSH.
Më 30 korrik 2007, bota e kinemasë humbi një nga titanët e saj më të mëdhenj, regjisorin suedez Ingmar Bergman, i cili ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Bergman konsiderohet një nga regjisorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i njohur për filma që trajtojnë pyetje të thella ekzistenciale dhe filozofike, duke ndryshuar përgjithmonë peizazhin e artit filmik. Me veprat e tij ikonike si “The Seventh Seal” (Kalaja e shtatë), “Wild Strawberries” (Mollët e egra) dhe “Persona”, Bergman eksploroi dimensionet më të errëta të shpirtit njerëzor, dyshimin ndaj Zotit, frikën nga vdekja, kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, dhe izolimin emocional.
Filmat e tij nuk ishin thjesht histori për t’u parë, por eksperienca filozofike që kërkonin nga publiku një përfshirje të thellë mendore dhe emocionale. Përmes simboleve dhe imazheve të fuqishme, Bergman trajtoi dilemën e përjetshme midis besimit dhe skepticizmit, shpresës dhe dëshpërimit, dashurisë dhe vetmisë. “The Seventh Seal”, për shembull, me figurën alegorike të Vdekjes që luan shah me protagonistin, është bërë një nga skenat më të njohura dhe të citueshme në historinë e kinemasë. Përtej suksesit të tij në film, Bergman ishte një autor i frymëzuar edhe në teatër dhe letërsi, duke shkruar dhe drejtuar mbi 170 prodhime teatrore gjatë karrierës së tij. Ai ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të respektuar, që përfshinte bashkëpunime me aktorë legjendarë dhe studio intensive mbi natyrën njerëzore dhe ekzistencën, shkruan KultPlus
Trashëgimia e Bergmanit shtrihet edhe në akademinë universitare, ku filmat e tij studiohen jo vetëm si vepra artistike, por edhe si tekste filozofike dhe psikologjike. Ai bëri që kinemaja të njihej si një medium i fuqishëm për eksplorimin e pyetjeve të mëdha të jetës dhe vetëdijes njerëzore, duke sfiduar perceptimet e thjeshta dhe duke i hapur rrugën artit filmik për të qenë një formë e vërtetë reflektimi dhe introspektive. Në një botë ku arti shpesh kërkon thjesht argëtim, Bergman mbetet një shembull i rrallë i një artisti që përdori kinemanë për të thelluar kuptimin e ekzistencës dhe për të sfiduar publikut të tij të mendojë për natyrën e vetes dhe universin përreth./ KultPlus.com
Shkrimtarja shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga është përfshirë në listën e gjatë të pretendentëve për çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”, me romanin e saj të parë “Keqinterpretimi” (Misinterpretation). Ky është një nga vetëm dy romane debutuese që konkurrojnë këtë vit për çmimin me vlerë 50,000 £ (rreth 67,000 dollarë amerikanë), dhe përfaqëson një moment të veçantë për letërsinë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Romani i Xhogës është vendosur në Nju Jorkun e sotëm dhe ndjek historinë e një përkthyeseje shqiptare, e cila pranon me ngurrim të përkthejë gjatë seancave terapeutike të Alfredit, një të mbijetuar torture nga Kosova. Pavarësisht paralajmërimeve të burrit të saj, ajo përfshihet emocionalisht në botën e ndërlikuar të klientit të saj. Ankthi i Alfredit ngjall tek ajo kujtime të thella dhe të shtypura, ndërsa një përpjekje impulsive për të ndihmuar një poet kurd e çon në një situatë të rrezikshme dhe në një plan të pamatur, përcjellë KultPlus
Ndërsa vendime të pafat fillojnë të grumbullohen, martesa dhe shëndeti i saj mendor lëkunden. Në përpjekje për t’u shkëputur nga gjithçka, ajo udhëton spontanisht në Shqipëri për t’u ribashkuar me nënën e saj, një përballje që e bën të rikthejë në vëmendje jetën që ka ndërtuar në Shtetet e Bashkuara. Kur kthehet në Nju Jork, ajo përballet me pasojat e veprimeve të saj dhe detyrohet të vërë në pikëpyetje kufirin midis realitetit dhe imagjinatës, si dhe të vërtetës dhe keqinterpretimit.
“Keqinterpretimi” është botuar nga Daunt Books Originals dhe është vlerësuar nga kritika për ndjeshmërinë dhe thellësinë emocionale me të cilat trajton temat e traumës, identitetit, përkthimit dhe kujtesës. Përfshirja e Ledia Xhogës në listën e gjatë për çmimin “Booker” përfaqëson një arritje të rëndësishme jo vetëm për autoren, por edhe për letërsinë shqiptare dhe diasporën letrare shqiptare në përgjithësi.
Juria do të shpallë listën e ngushtë me 6 finalistët më 23 shtator 2025, ndërsa fituesi i çmimit do të bëhet publik më 10 nëntor në një ceremoni në Londër./KultPlus.com
Regjisor i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit. Ky është një prej konstatimeve që ishte bërë për Bekim Lumin në ditën kur ai vdiq. Por gjatë jetës së tij prej artisti, Lumi nuk është njohur vetëm si regjisor. Midis të tjerash ai ishte edhe studiues.
Regjisori i njohur i teatrit shqiptar dhe njëkohësisht profesor i nderuar që përcolli shumë gjenerata sot gjashtë vite u nda nga jeta. Ai ishte ndër njerëzit që e donin më së shumti teatrin. Këtë e dëshmoi edhe vepra e tij e fundit që e jetësoi në skenë pak para se vdekja ta marrë, shkruan KultPlus.
Ndonëse ishte në ditët e tij të fundit, ai si rrallë ndonjë njeri tjetër, mblodhi të gjitha forcat për të realizuar ëndrrën e tij të fundit, jetësimin e veprës “Arturo Ui” në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Por, këtë ëndërr nuk pati fatin ta shoh bashkë me publikun në premierën e saj, pasi që gjendja ju përkeqësua dhe shëndeti i tij i lig ja pamundësoi një gjë të tillë, por ai po frymonte lirshëm që kishte arritur që atë shfaqje ta sjellë para publikut.
Lumi ishte një ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ndër veprat që ai ka vënë në skenë mund të përmendim Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2010 – William Shakespeare, “Këmisha e gjakut” (bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të W. Shakespeare-it, si dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2008 – Eugene Ionesco, “Çifti Martin”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2006 – Federico Garcia Lorca, “Shtëpia e Bernarda Albës”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2005 – A. P. Çehov, “Arushani” & “Fejesa” (dy komedi), Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2003 – Slavomir Mrozhek, “Galani”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2002 – Eugene Ionesco, “Mësimi”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2000 – “Kësulëkuqja në botën e minave” (shfaqje me kukulla), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1999 – A. P. Çehov, “Për gruan dhe tokën e jap edhe kokën” (komedi e adaptuar mbi disa tekste të Çehov-it dhe mbi disa fragmente të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1998 – Gjergj Fishta, “Zogu i shqiptarit dhe zogu i gomarit” (tragjikomedi mbi veprat epike dhe satirike “Lahuta e Malcis’ ”, “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”), Teatri “Loja” & Theater Truebuene, Mynih (Gjermani), etj. Lumi ka qenë kryeredaktor i revistës teatrale “Loja”.
Ai është vlerësuar me Mirënjohje Speciale “Sound of MESS” me shfaqjen “Këmisha e gjakut”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit MESS, Sarajevë (Bosnje e Hercegovinë). Në vitin 2011 ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë muzikore” për shfaqjen “Çifti Martin”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Kamertal – Vratza (Bullgari). Çmimi “Shfaqja më e mirë” – Shfaqja “Mësimi”, Festival International del Teatro – Lugano (Zvicër).
U nda nga jeta më 30 korrik 2018 pas një sëmundje të rëndë. /KultPlus.com
Brigjet e lumit Vjosë, tashmë zemra e Parkut të parë Kombëtar të Lumenjve në Europë, po mbushen çdo ditë e më shumë me vizitorë nga e gjithë bota. Nga dashamirët e natyrës e deri te aventurierët me kanoe, Vjosa po shndërrohet në një prej destinacioneve më të kërkuara për ekoturizëm në rajon.
Me rrjedhën e saj të lirë që përshkon kanione spektakolare, pyje të dendur dhe fusha të gjelbra, Vjosa është cilësuar nga ekspertët si “lumi i fundit i egër në Europë” – një mrekulli natyrore që ka shpëtuar nga ndërhyrjet industriale dhe që ruan një biodiversitet të jashtëzakonshëm.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në rrjetet sociale foto nga brigjet e Vjosës të mbushura me turistë vendas e të huaj, duke theksuar vlerat natyrore dhe potencialin që ky park ka për të nxitur turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri.
“Vjosa nuk është vetëm një lum, por një pasuri kombëtare dhe europiane. Ruajtja e saj është një investim për të ardhmen e gjelbër të vendit,” – është shprehur ndër të tjera Kryeministri në postimin e tij.
Turistët, të tërhequr nga bukuritë e paprekura dhe mundësitë për aktivitete si eksplorimet me kanoe, kampingjet ekologjike dhe shëtitjet në natyrë, e shohin Vjosën si një oaz të rrallë autenticiteti dhe qetësie larg betonit dhe zhurmës së qytetit.
Autoritetet vendore dhe organizatat mjedisore janë të angazhuara për të ruajtur këtë pasuri natyrore përmes menaxhimit të qëndrueshëm dhe edukimit të vizitorëve mbi rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit unik të lumit./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me yjet e operës botërore që po marrin pjesë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon.
Në këtë takim solemn, Presidentja Osmani ka mirëpritur edhe artistët e ftuar special të këtij edicioni, përfshirë Ramón Vargas, një nga tenorët më të shquar të skenës operistike botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja me famë ndërkombëtare nga Gjeorgjia, si dhe dirigjentin Besmir Vokopola, i njohur për bashkëpunimet e tij me institucione prestigjioze të muzikës klasike.
Presidentja Osmani ka vlerësuar lart kontributin e Ramë Lahajt në promovimin e Kosovës përmes artit dhe kulturës, duke theksuar rolin e tij si ambasador kulturor në skenat më të mëdha të operës në botë. Ajo gjithashtu ka përgëzuar përkushtimin e tij për të sjellë artistë të kalibrit ndërkombëtar në Prishtinë dhe për të ngritur standardet e artit operistik në vend.
“Festivali ‘Rame Lahaj’ tashmë është bërë një ngjarje kulturore me dimension evropian, që i jep Kosovës një vend të merituar në hartën ndërkombëtare të muzikës klasike,” – u shpreh Presidentja Osmani. Festivali, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të pestë, ka arritur të bëhet një platformë elitare për bashkëpunim artistik dhe përfaqësim të denjë të kulturës kosovare në botë./KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Miqësisë, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2011, me motivacionin se miqësia midis popujve, vendeve, kulturave dhe individëve mund të frymëzojë përpjekjet për paqe dhe të ndërtojë ura midis komuniteteve.
Asambleja e Përgjithshme njeh në dokument rëndësinë e miqësisë si një “ndjenjë fisnike dhe e çmuar në jetën e qenieve njerëzore në mbarë botën”.
Në nderim të kësaj dite, OKB-ja inkurajon qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe grupet e shoqërisë civile të zhvillojnë aktivitete dhe iniciativa që kontribuojnë në promovimin e një dialogu midis qytetërimeve, solidaritetit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit.
Këtë vit, ndërsa bota përballet me diferenca të thella midis kombeve, brenda shoqërive, madje edhe brenda familjeve, thirrja për miqësi nuk është sentimentale. Është thelbësore. Ajo na nxit të guxojmë të besojmë në diçka më të mirë. Është një thirrje për të imagjinuar një të ardhme ku ndryshimi nuk do të thotë distancë dhe ku besimi është më i fortë se frika. Nëpërmjet miqësisë, ne nuk përballemi vetëm me botën ashtu siç është, por fillojmë ta formojmë botën ashtu siç do të donim të ishte./atsh/KultPlus.com
E vendosur në cepin juglindor të Evropës, Shqipëria ofron një ndërthurje të bukurisë natyrore magjepsëse, kulturës së pasur lokale dhe çmimeve të përballueshme – që kohët e fundit ka filluar të tërheqë vëmendjen e turistëve – në kërkim të përvojave autentike evropiane, sipas “Travel and Tour World” (TTW).
Me një vijë bregdetare që shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, rajoni jugor i Shqipërisë, i njohur si Riviera Shqiptare, është një parajsë.
Këtu, turistët do të gjejnë ujëra të kristalta, plazhe të pastra dhe një atmosferë të qetë – pa turma vizitorësh apo çmime të larta si në destinacionet e tjera të njohura mesdhetare.
Vend i përballueshëm dhe i arritshëm
Një nga aspektet më joshëse të vizitës në Shqipëri është përballueshmëria e saj.
Ndryshe nga vendet e tjera mesdhetare si Bregu i Amalfit ose Santorini, Shqipëria ofron çmime shumë më të ulëta për akomodim, ngrënie dhe aktivitete të tjera.
Një natë në një shtëpi mysafirësh ose në një hotel të vogël – zakonisht kushton midis 20-30 euro.
Të ngrënit jashtë është po aq lirë. Një vakt tipik në një restorant lokal, duke përfshirë ushqime të freskëta deti, sallatë dhe një pije, mund kushtojë rreth 10–15 euro.
Edhe një birrë freskuese pranë plazhit kushton rreth 1–1,50 euro.
Zhvillimi i infrastrukturës
Infrastruktura e Shqipërisë është përmirësuar, vitet e fundit për të mbështetur numrin në rritje të turistëve që vizitojnë vendin.
Qeveria ka investuar në projekte transporti për ta bërë më të lehtë për vizitorët të eksplorojnë vijën bregdetare të mrekullueshme të vendit dhe zonat në brendësi.
Një shembull i dukshëm është Tuneli i Llogarasë i ndërtuar rishtazi, i cili ka ulur ndjeshëm kohën e udhëtimit midis qytetit bregdetar të Vlorës dhe Rivierës Shqiptare.
Ky itinerar i ri e shkurton udhëtimin nga 30 minuta në vetëm 7, duke e bërë atë më të përshtatshëm, efikas dhe të shpejtë – për të aksesuar plazhet e virgjëra të Shqipërisë jugore.
Për më tepër, hapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka rritur aksesin në Shqipëri, duke ofruar fluturime direkte nga qytetet kryesore evropiane.
Ky zgjerim po ndihmon në pozicionimin e Shqipërisë si një nga destinacionet më të spikatura në hartë për turistët nga vende të tilla si Britania e Madhe, Gjermania dhe më gjerë.
Kulturë e pasur dhe bukuri natyrore
Shqipëria është një vend i pasur me trashëgimi kulturore dhe bukuri natyrore.
Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të listuara nga UNESCO, të njohura për arkitekturën e tyre osmane, ofrojnë një pamje magjepsëse të së kaluarës së vendit.
Adhuruesit e historisë mund të vizitojnë rrënojat e lashta të Butrintit dhe Apollonisë – ku shfaqen mbetjet e Greqisë së Lashtë, Romës dhe Perandorisë Bizantine.
Përveç vendeve të saj historike, Shqipëria është shtëpia e një shumëllojshmërie mrekullish natyrore.
Alpet Shqiptare, Parku Kombëtar i Lumit Vjosa dhe Liqeni i Shkodrës ofrojnë hapësirë të bollshme për aventura në natyrë, të tilla si ecje në natyrë, rafting dhe vëzhgim i jetës së egër.
Peizazhet e larmishme të Shqipërisë – nga malet dhe lumenjtë te plazhet dhe pyjet – ofrojnë gjithçka për çdo vizitorë.
Ndikimi ekonomik i turizmit: Industria në rritje e Shqipërisë
Turizmi është një sektor thelbësor i ekonomisë së Shqipërisë, duke kontribuar mbi 20% në PBB-në e vendit.
Në vitet e fundit, qeveria shqiptare ka njohur vlerën e turizmit dhe vazhdon të investojë në tërheqjen e vizitorëve ndërkombëtarë.
Bordi i turizmit i vendit ka nisur fushata ndërkombëtare që synojnë turistë nga Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera evropiane.
Këto përpjekje synojnë ta pozicionojnë Shqipërinë si një destinacion kryesor për vizitorët që kërkojnë një arratisje unike dhe të përballueshme në Mesdhe.
Qëndrueshmëria sipas planit të strategjisë së turizmit të Shqipërisë
Shqipëria po bën hapa përpara në promovimin e praktikave të turizmit të qëndrueshëm.
Një nga arritjet më të rëndësishme mjedisore të vendit është përcaktimi i lumit Vjosa si park kombëtar, duke siguruar ruajtjen e njërit prej lumenjve të fundit të egër të Evropës.
Ky angazhim për mbrojtjen e burimeve natyrore të Shqipërisë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të balancuar rritjen e turizmit me ruajtjen e mjedisit.
Qeveria po punon ngushtë me organizatat mjedisore për të siguruar që zhvillimi i ardhshëm të jetë në përputhje me praktikat e qëndrueshme.
Pse Shqipëria është sekreti i Mesdheut?
Shqipëria shquhet si një nga perlat e fundit të pazbuluara të Evropës.
Me plazhet e saj të pastra, historinë e pasur dhe çmimet miqësore, ajo ofron një përvojë udhëtimi autentike dhe të shëndetshme – që është gjithnjë e më e rrallë në destinacionet turistike të komercializuara.
Banorët miqësorë dhe mikpritës të vendit, aksesueshmëria e lehtë, përballueshmëria dhe atraksionet e larmishme e bëjnë atë zgjedhjen për një arratisje nga vendet e mbipopulluara.
Pavarësisht nëse jeni duke pushuar në plazhet e pastra të Ksamilit, duke bërë ecje në Alpet Shqiptare apo duke shijuar ushqime të freskëta deti në një restorant lokal, Shqipëria ofron një përvojë të paharrueshme me një kosto shumë më të ulët se destinacionet e njohura.
Ndërsa turizmi në Shqipëri vazhdon të rritet, është e qartë se kjo parajsë mesdhetare është në rrugën e saj për t’u bërë një destinacion që duhet vizituar me patjetër – për një pushim autentik dhe me buxhet të përballueshëm./atsh/KultPlus.com
“Malet e zeza” famëkeqe të Zambisë, grumbuj të mëdhenj mbetjesh minerare që shëmtojnë horizontin e rajonit Copperbelt, janë jashtëzakonisht personale për Stary Mwaba, një nga artistët pamorë më të njohur të vendit.
“Kur ishim fëmijë, e quanim ‘mu danger’, që do të thotë ‘në rrezik’,” thotë Mwaba.
“‘Mali i zi’ ishte ai vend ku nuk duhej të shkoje,” thotë piktori, i cili ka lindur dhe jetuar në Copperbelt deri në moshën 18-vjeçare.
“Por ne gjithsesi futeshim fshehurazi, për të mbledhur fruta të egra që, për çudi, arrinin të rriteshin atje,” kujton artisti.
Sot, të rinjtë që shkojnë drejt “mu danger” janë në kërkim të copëzave të xeheve të bakrit mes mbetjeve të gurta të këtyre grumbujve të lartë, trashëgimi toksike e një shekulli prodhimi industrial minerar në Zambi, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të bakrit dhe kobaltit.
Ata hapin tunele të thella dhe dredha-dredha dhe nxjerrin gurë për t’i shitur kryesisht blerësve kinezë, të cilët më pas nxjerrin bakrin.
Është një punë e vështirë, e rrezikshme, shpesh e paligjshme dhe ndonjëherë fatale. Por mund të jetë edhe fitimprurëse dhe në një rajon ku papunësia tek të rinjtë është rreth 45%, për disa të rinj është mënyra e vetme për të mbijetuar.
Vepra më e fundit e Mwabas e ekspozuar këtë muaj në Muzeun Kombëtar të Lusakës rrëfen historinë e të rinjve që punojnë në malin e zi në qytetin Kitwe dhe kap ritmet e jetës mes banorëve të lagjes Wusakile.
Ata punojnë për drejtues bandash të njohur si “jerabos”, një formë e deformuar e fjalës “jail boys”, që nënkupton perceptimin e tyre si kriminelë.
Artisti ka pikturuar një seri portretesh të mëdha, duke përdorur gazeta të vjetra si kanavacë. Ai pret artikuj që i tërheqin vëmendjen, të cilat i quan “rrëfime të mëdha”, dhe i ngjit në një letër bazë.
Ai përdor një hekur saldimi për të djegur disa nga fjalët dhe për të krijuar një seri vrimash në rrëfimet. Pastaj derdh bojë për të krijuar portretet, apo siç i quan ai, “rrëfime të vogla”.
“I marr këto rrëfime të mëdha, dhe krijoj vrima në mënyrë që të mos mund t’i kuptosh më. Pastaj i imponoj imazhet e njerëzve që njoh mbi to, për të treguar që rrëfimet e vogla, rrëfimet e njerëzve të zakonshëm kanë gjithashtu rëndësi,” shpjegon Mwaba. “Ata kanë histori që janë të rëndësishme dhe që janë pjesë e historisë më të madhe.”/BBC/KultPlus.com
përse, vdekje ku tambli prekë tokën mbinë lufta ku tamblit i sosë gjaku gufon gjak
mendo me zë, vdekje veç kur kësisoj bën nuk ma punon pas shpine o, gjithçka që ke shpikë ndodhet nën dhé.
ke ardhë në çast të fundit, vdekje “nanë” tingëllon si gojë e mbushur gji të vetëdijshme janë për të tyren vdekje
shterru, gji morti ku gojën lagë – aty ku s’ka tambël s’ka as lot as vdekje
LINGUA
(Gjuha)
Epimenidi, kretan, thotë që të gjithë kretanët rrejnë (kurse Epimenidi është vetë kretan) për rrjedhojë, s’është e vërtetë që kretanët rrejnë pra, Epimenidi thotë të vërtetën pra: të gjithë kretanët rrejnë
Mandra, ciganesha, thotë që të gjithë ciganët vdesin (kurse Mandra është vetë ciganeshë) për rrjedhojë, është e vërtetë që ciganët vdesin pra, Mandra thotë të vërtetën sepse Mandra është grua dhe e pavdekshme
* * * (LIRIA) * * *
Liria ashtu si gozhda,
nuk e di se si duket druri në anën tjetër
nëse në anën tjetër s’është syri
Liria ashtu si kungimi
nuk e di kush ka jetuar për bukë e ujë
përderisa nga varri të mos i pikojë vaj i shenjtë
Liria, sikurse fjala,
s’mund ta bëjë të plotë vajtimin
(liria ime, jepmë sy që gjuhën mos ta grijë)
ai që s’e ka dikënd
varroset me shpenzimet e Tokës
pa dyshim
• Tijana Rakoçeviqi (1994) është poete, eseiste dhe dramaturge nga Mali i Zi. E shpërblyer dhe përkthyer disaherësh për cilësitë e saj letrare.
Mbrëmjen e kaluar, arti operistik mori jetë në zemër të Prishtinës, aty ku tingulli u bashkua emocionin dhe e shndërroi hapësirën përballë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në një skenë të magjisë muzikore. ‘Opera Night’, e zhvilluar në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, solli para publikut kosovar sopranon shqiptare me famë botërore, Marigona Qerkezin, shkruan KultPlus.
Ky rikthim kishte një simbolikë të veçantë. Pas një karriere që ka marrë hov në skena prestigjioze të Evropës, Qerkezi u kthye në vendlindje jo vetëm si një artiste e suksesshme, por si një zë që i përket këtij publiku dhe që flet në gjuhën e shpirtit të saj. Emocionet e saj në skenë u reflektuan qartë edhe në përzgjedhjen e repertorit – një udhëtim muzikor përmes epokave, stileve dhe kulturave të ndryshme, që ndërthuri elegancën franceze, pasionin italian, ndjeshmërinë shqiptare dhe frymën amerikane të shekullit XX.
Mbrëmja u hap me një nga veprat më prekëse të repertorit lirik, ‘Après un rêve’ të Gabriel Fauré. Më tej, Qerkezi solli një nga ariet më të dashura të repertorit operistik, “O mio babbino caro” nga Giacomo Puccini, e cila u interpretua me ndjeshmëri të thellë. Në vijim, u zhyt nën emocionet që u transmetuan përmes ‘Casta Diva’ nga opera Norma, e që u vu në jetë përmes zërit të Qerkezit, shoqëruar nga pianistja, Jess Rucinski.
Pas kësaj, vëmendja u pozicionua tek pianistja Rucinski, e cila interpretoi me finesë veprën “Lied ohne Worte” të Felix Mendelssohn, duke krijuar një atmosferë melankolie përmes tingujve të pastër të pianos.
Marigona Qerkezi u rikthye më pas me një tjetër perlë të Puccinit, “In quelle trine morbide”, pasuar nga aria e fuqishme “Vissi d’arte” nga Tosca – një interpretim që ndërthurte shpirt, kontroll teknik dhe forcë dramatike, për të vazhduar më pas me veprën e fuqishme ‘Merce, dilette amiche’ të Verdit.
Pianistja Rucinski sërish erdhi me një interpretim solo teksa solli në piano veprën impresioniste “Sonatine, II. Animé” të Maurice Ravel.
Pjesa e dytë e mbrëmjes mori një ton më të ngrohtë dhe modern, me interpretimin e këngës “Summertime” të George Gershëin – një përzierje e klasikes me jazz-in, që nxori në pah fleksibilitetin vokal dhe interpretativ të Qerkezit.
Ndërkaq, me veprën “Sinfonia” të kompozitorit shqiptar Aulon Naçi, Marigona Qerkezi solli në skenë edhe frymën e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke emocionuar publikun me një ndjeshmëri të veçantë.
Pas kësaj, ajo interpretoi këngët “Non ti scordar di me” e Ernesto Curtis dhe “I Feel Pretty” nga West Side Story të Leonard Bernstein. Në pjesën finale të koncertit, Qerkezi interpretoi “Klänge der Heimat” të Johann Strauss II, një vals që u përcoll me mjeshtëri dhe finesë të jashtëzakonshme.
E momenti kulminant dhe më emocionues i mbrëmjes erdhi tek vepra e fundit, teksa Qerkezi solli perlën e muzikës shqiptare ‘Margjelo’ të Prenk Jakovës. Interpretuar me një mjeshtëri të rrallë, kjo performancë u përmbyll me ovacione të zjarrta nga publiku.
Si surprizë e veçantë e mbrëmjes, në skenë u ngjit tenori dhe themeluesi i festivalit, Rame Lahaj, i cili bashkë me Marigona Qerkezin solli një duet nga opera Tosca e Puccinit. Ky moment i përbashkët, përveçse një dhuratë për publikun, ishte një dëshmi e vërtetë se opera në Kosovë po jeton përmes emrave që jo vetëm përfaqësojnë vendin me dinjitet në botë, por edhe i rikthehen atij me dashuri dhe përkushtim.
Pas kësaj paraqitje dinjitoze që erdhi si një rikthim për të në Kosovë, Marigona Qerkezi tha për KultPlus se ndjehet shumë e lumtu që ishte pjesë e këtij koncerti, dhe çdo ndjenjë që ka arritur në çdo paraqitje në teatro prestigjioze, iu shtua në këtë mbrëmje teksa performoi përpara publikut të saj.
“Ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe shumë e veçantë që me siguri do të mbetet shumë gjatë në zemrën time, një rikthim për publikun tim të dashur, një paraqitje e parë për pesë-vjetorin e këtij festivali madhështor ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, po besoj që publiku e ka shijuar shumë po aq sa e kam shijuar edhe unë. Unë erdha nga performancat e mia në Royal Opera House në Londër prej rolit të Leonorës, kjo magjia e punës dhe e asaj që kam zgjedhur ta bëj gjatë gjithë jetës që dashurinë e publikut e mbaj gjithmonë me vete dhe e kam të freskët atë të publikut londinez, ajo mu shumfishua, mu shtua dhe mu thellua edhe më shumë me publikun tim i cili është gjithmonë i veçantë dhe ajo dashuria mbizotëron dhe vullneti për të performuar para publikut tim”, theksoi Qerkezi.
Tutje ajo foli edhe për programin duke theksuar se ka dashur të interpretojë vepra të periudhave të ndryshme, por duke mos lënë anash as krijimtarinë shqiptare.
“Ka qenë një program mjaft i pasur, me kompozitorë të ndryshëm nga periudha të ndryshme stilistike dhe përveç veprave të cilat i kam interpretuar si të plota në skenë, disa prej tyre dhe të tjera do t’i interpretoj edhe në të ardhmen. Kam zgjedhur edhe vepra të kompozitorëve tanë, interpretova veprën e kompozitorit tonë Aulon Naçi, një simfoni që e kam interpretuar për vite e vite në vende të ndryshme. Gjithashtu, përmbylljen e koncertin e kam bërë me një perlë shqiptare siç është ‘Margjelo’”, tha Qerkezi, duke shtuar mes tjerash që ndjehet e lumtur edhe për prezantimin e saj në formë të surprizës, bashkë me tenorin e mirënjohur, Rame Lahaj.
Ndërkaq, për KultPlus foli edhe pianistja Jess Rucinski, e cila përveç se e shoqëroi në piano soprano Qerkezi, dhuroi edhe momente të veçanta teksa performoi dy vepra solo.
“Ishte shumë bukur. Më pëlqeu kjo hapësirë midis qytetit. Ishte kënaqësi të shihja se sa shumë njerëz erdhën dhe se sa shumë e vlerësojnë Marigonën. Për mua, edhe pse nuk kam qenë kurrë në Kosovë dhe kisha vetëm lidhje indirekte me Festivalin, ndihem shumë e mirëseardhur me njerëzit me të cilët kam punuar dhe jam takuar”, tha Jess Rucinski.
Ju kujtojmë se Rame Lahaj International Opera Festival, vazhdon rugëtimin e tij duke sjellë performance të muzikës operistike nën interpretimin e muzikantëve vendor dhe të huaj, ku do të kurorëzohet më datë 2 gusht ku do të mbahet koncerti ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com
Në natën e 28 korrikut, jo si në netët e mbushura me muzikë, ngjyra, pije dhe festë të gjallë, Prishtina e zhurmshme dhe e etur për jetë, perëndoi nën një tjetër frymë, më e heshtur, më e mbyllur, më melankolike. Ajo nuk ishte më qyteti që vallëzonte nën dritat e netëve të verës, por një qytet që kujtonte, që kthehej pas, që dëgjonte zërin e kujtimeve të veta, të tjetrit, apo edhe të vetes e tjetrit së bashku.
Në burgun-muze të Prishtinës, “Burgu i Idealit” aty ku dikur mbylleshin trupat por jetonin idealet, u ngjitën dy net radhazi skenat e shfaqjes “Kujtime nga Lumi”, nga regjisorja dhe dramaturgia Zana Hoxha. Në një hapësirë të ngarkuar me histori dhe heshtje, ku muret janë dëshmitarë të dhimbjeve e shpresave, zërat e aktorëve sollën një rrëfim ndryshe, një udhëtim poetik ndërmjet kujtesës dhe ëndrrës, mes lirisë së mohuar nga tjetri dhe asaj që vazhdon të kërkohet për veten.
Në Prishtinën që kujtonte, përjetonte dhe lëkundej mes harresës dhe rikthimit, perëndimi i diellit i gjeti spektatorët të mbledhur pranë Fontanës së Pallatit të Rinisë. Ajo fontanë, që prej kohësh është vëzhguar si një objekt, mori jetë sërish atë mbrëmje nga fryma e artit, përcjellë KultPlus.
Në këtë hapësirë simbolike, aktorët dolën në skenë mes tingujve të këngës së Minatorit “E di se do të shoh”, një nisje e butë e ngarkuar me ndjesi që paralajmëronte udhëtimin emocional që do të pasonte. Prej aty, publiku u ftua të ndjekë shfaqjen më tej, në një tjetër hapësirë plot domethënie, në Burgun e Idealit, ku zëri i artit bëhet dëshmi.
Që në çastin kur publiku kaloi portën e Burgut të Idealit, u bë e qartë se kjo nuk do të ishte një shfaqje e zakonshme.
Vendosja e shfaqjes në burg, në vetvete, ishte një deklaratë, një zgjedhje e guximshme artistike që i jepte trup shfaqjes para se të niste, që krijonte një tension të ndjeshëm te spektatorët. Nuk kishte nevojë për fjalë, vetë korridoret e ngushta, të mbyllura dhe zhurma e hapave në beton, paralajmëronin se kjo natë do të ishte e ngjethshme.
Njerëzit e ulur aty, mes mureve që kishin dëgjuar klithma dhe heshtje të rënda, tashmë dëgjonin fjalën e artit të shkruar për tu kthyer në një art që vihet në skenë. Dhe secili, në mënyrën e vet, përjetonte dramën jo vetëm si spektator, por si dëshmitar i një historie të përbashkët, që na flet nga e kaluara, por ende ndikon në frymëmarrjen e së tashmes.
Oborri i dikurshëm i të burgosurve ishte zgjedhur për të ndjekur shfaqjen “Kujtime nga lumi”. Në atë hapësirë të heshtur tani ngrihej zëri i aktorëve, dhe qielli që dikur ishte vetëm një copëz lirie për të dënuarit, u bë kupolë e një shfaqjeje që flet për lirinë, dhimbjen, mungesën dhe shpresën.
Burgu, si vend konkret por edhe si metaforë, ishte më shumë sesa një sfond. Ai ishte një personazh i heshtur në vetë shfaqjen, një prani që thellonte çdo fjalë të thënë dhe çdo heshtje të qëllimshme. Kjo hapësirë, që dikur përfaqësonte kontrollin, izolimin dhe nënshtrimin e individit, u kthye në një ide të fuqishme për të eksploruar pikërisht të kundërtën, kërkimin për të qenë vetvetja, nevojën për t’u dëgjuar, për të dalë jashtë strukturave që kufizojnë shpirtin.
Duke ndjekur narrativën e dyfishtë të Mances dhe Hanës, shfaqja ndërtonte ura mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme, mes krizës individuale dhe realitetit kolektiv. Sepse liria, ashtu si mungesa e saj, kurrë nuk është vetëm personale, ajo është një përvojë që na bashkon dhe na përplas, një nevojë që na lidhet me tjetrin, me shoqërinë, me sistemin.
Ngjarja nis në vitin 1994, në një kohë të turbullt, por në një moshë kur njeriu nuk e kupton ende peshën e historisë. Mance dhe Hana, dy adoleshentë, luajnë buzë një lumi, lumi i tyre që i mbledh të gjitha: kujtimet, turpin, heshtjen, dhimbjen, dëshirën për të qenë dikush tjetër dhe për të shpëtuar.
Hapësira e skenës ishte ndërtuar me kujdes për të ripërjetuar kujtimet. Lumi i improvizuar në mes të skenës nuk ishte thjesht vendi ku ndodhte veprimi. Ai ishte vetë kujtesa, ai që rrjedh dhe kurrë nuk qëndron i njëjtë.
Dritat kaltëroshe që ndriçonin skenën krijonin një atmosferë të brishtë, gati të tejdukshme, si një ëndërr që nuk e di nëse po ndodh apo po kalon. Kjo dritë nuk ishte ndriçim, ishte ndjesi, ajo e një kujtese të papërpunuar, që endet si mjegull mbi të tashmen.
Ideja e krijimeve të tilla, improvizimeve skenike në një hapsirë jo të zakonshme, dritat e zbehta por të forta në të njëjtën kohë, kostumet secili me domethënie të veten deri te robdishambri simbolik i vdekjes e tretjes, duhet të kenë qenë sfidë për krijuesit e organizatorët. Sa i përket kësaj pjese Zana Hoxha u shpreh se procesi i provave ka qenë shumë i mirë.
“Kemi filluar diskutmet për shfaqjen në prill, në maj kemi filluar provat, pastaj kemi vazhduar në fund të qershorit e në korrik. Nuk kemi pasur hapsirë tonën të rregullt për prova dhe ka qenë sfiduese në aspektin teknik, po në aspektin njerëzor jo, sepse të gjithë e kanë dashur projektin.”- thotë regjisorja dhe njëkohësisht edhe dramaturgia e shfaqjes.
Në strukturën e rrëfimit të shfaqjes u përjetua një narrativë e dyfishtë mes Mances dhe Hanës, duke pasuar shpesh me anakroni. Të dy personazhet bartën kujtime të thella dhe të pathëna.
Hana, e lënduar nga lufta, nga trauma e një dhune që nuk ka pasur emër, ndërsa Mance, i dhunuar nga shtëpia, nga vetja, nga shoqëria që nuk e lejon të jetë ashtu siç është.
Kujtimi i Hanës, e rrahur nga një i rritur si fëmijë, nuk përçoi vetëm kujtimin e një personazhi, por kujtimin e vetë regjisores, i vënë në skenë jo për të rrëfyer vetëm një të kaluar, por për të kuptuar se si kjo e kaluar vazhdon të formësojë çdo të tashme.
Në atë çast, ndodh një ndërprerje, regjisorja, Zana, del vetë në skenë. Nuk është më teatri që po luhet. Është jeta. Është rrëfimi i saj, kujtimi i saj. Një rrëfim që nuk është më pjesë e skenarit, por një hapje e vetes. Ajo flet për atë që ka qenë dhe për atë që është, dhe befas, kufiri mes publikut dhe skenës tretet.
Në një intervistë për KultPlus, regjisorja Hoxha, kur u pyet rreth zanafillës së idesë së shfaqjes u shpreh se ka qenë në një rezidencë artistike në Vjenë, këtë vit në maj, “Mu kthyen kujtimet e shokut tim Mance që unë i kisha harruar gati krejt dhe e ndieva si nevojë t’i trajtoj këto kujtime dhe të bëj diçka.” – shtoi regjisorja.
Publiku gjatë shfaqjes u ftua të ndajë kujtime, ato që njeriu i ka ngulitur thellë në harresë e nuk e di pse nuk i ka thënë kurrë. Sepse, në të vërtetë, kjo është forca e kujtesës, ajo nuk jeton vetëm në vetëdije.
Frojdi do të thoshte se shumë nga ato që na përcaktojnë, që na bëjnë ata që jemi, qëndrojnë në nëndijen tonë, të shtypura, të fshehura, por gjithsesi veprojnë. Kujtimet që i kemi harruar me vetëdije, jo sepse nuk vlejnë, por sepse na kanë lënduar, janë ato që shpesh na formësojnë në heshtje.
Arketipi, siç do ta quante Jungu, lind pikërisht këtu, kur një përvojë e veçantë bëhet e përbashkët. Kur kujtimi i një individi nis të flasë për shumëkënd. Në këtë shfaqje, Mance nuk është më vetëm një djalë i rrahur dhe i heshtur, ai bëhet arketip i të gjithë atyre që janë mbyllur në ndonjë mënyrë, për shkak të identitetit, zërit, dëshirës, kujtesës. Ai është kujtim, por edhe pasqyrë.
Mance, personazhi më i brishtë, por ndoshta edhe më i thelli, është një shpirt që kërkon një zë. Ai është ndryshe, jo vetëm sepse këndon, jo vetëm sepse nuk ndihet si vetja në veten e tij, por sepse ka guximin të mos e fshehë veten. Dhe për këtë, dënohet. Rrihet. Izolohet. Në një nga momentet më tronditëse, ai vesh robdishambrin e nënës së tij dhe kapet duke kënduar në një çast intimiteti, gëzimi të pastër por që i ndalet menjëherë. Muzika fiket, ai mbyllet. Është një simbol i asaj se si sistemi, familja, shoqëria, të gjitha ndërhyjnë për të ndalar të bukurën nëse ajo nuk është “në rregull”.
Mance është një personazh real i kujtimeve të Zana Hoxhës. Për KultPlus ajo tregoi se Mance ka qenë miku i saj që është vetëvrarë.
“Mance ka vdekur, ia ka marrë jetën vetes dhe unë kam dashur të kthej vëmendjen te fenomenet e tilla kur personat ndihen që nuk i sheh askush dhe janë të pashpresë. Kam dashur të kthej njëlloj shprese dhe ta bëj në një mënyrë që edhe publiku t’i ndaj përvojat e veta bashkë me aktorët”- u shpreh regjisorja.
Po në zemër të shfaqjes “Kujtime nga lumi” qëndron edhe një tekst, vepra “Lum Lumi” nga Ali Podrimja. Kjo vepër, e shkruar pas humbjes së birit të poetit, nuk është thjesht elegji. Është një akt i zhveshjes së shpirtit, një përpjekje e dëshpëruar për të gjetur kuptim në një dhimbje.
Ali Podrimja shkroi “Lum Lumi” për të birin, por si çdo vepër e madhe, ajo del përtej kontekstit personal. Në këtë shfaqje, dhimbja e Podrimjes përthithet nga dhimbjet e Mances, Hanës, regjisores, e më pas edhe nga vetë publiku. Po ashtu si Podrimja që nuk mund të gjejë përgjigje pse ndodhi humbja, edhe shfaqja nuk ofron përgjigje, por ndan të njëjtin boshllëk, të njëjtën plagë, të njëjtën heshtje që pason.
Lidhja mes poezisë dhe skenës është një urë që nuk shihet, por që ndihet. Fëmija i humbur në poezinë e Podrimjes gjendet sërish në Mancen, një jetë e mohuar para kohe, një dritë që nuk u lejua të rritet. Dhe ashtu si Podrimja i flet birit të tij që nuk i përgjigjet më, edhe aktorët i flasin kujtimeve të veta, personave të humbur, vetes që nuk është më.
Përmes poezisë, shfaqja arrin një dimension më universal, ajo nuk është më vetëm për Kosovën e viteve ’90, për luftën, për identitetin, për seksualitetin apo për dhunën. Ajo bëhet për çdo humbje që s’mund të thuhet plotësisht, për çdo të afërm të zhdukur, për çdo vetvete të shtypur, për çdo dashuri që s’arriti të jetojë.
Në fund të shfaqjes Mance vdes. Pas gjithë kësaj rruge që ndjek shfaqja, nga lumi si lojë, në lumin si dëshmitar i dhimbjes, nga kujtimet që përpiqemi t’i harrojmë, në kujtimet që na formojnë, ajo që mbetet në fund është Hana, e vetme. Ajo nuk është më ajo vajza që luante buzë lumit. Tani ajo qëndron në heshtje përballë gjithë asaj që ka humbur, Mancen, zërin e tij, shpresat e papërmbushura, kohët që nuk kthehen, e vetveten që është detyruar të mbijetojë duke bartur gjithçka.
Ky fund i heshtur, pa zgjidhje dhe pa kthim, nuk është pessimist,është i vërtetë. Sepse ndonjëherë, nuk ka shërim të plotë. Ka vetëm vazhdimësi. Dhe në këtë vazhdimësi, Hana mbetet si një figurë që kujton, që nuk harron, që zgjedh të mbajë kujtimet jo si barrë, por si dëshmi.
Mesazhi i shfaqjes nuk është vetëm për të kujtuar të kaluarën por për të kuptuar se sa shumë nga ajo që jemi, edhe sot, vjen nga gjëra që nuk i themi me zë. Që kujtimet nuk janë të padëmshme, por kanë fuqi. Dhe se, për t’u bërë vërtet të lirë, duhet të guxojmë të shohim përbrenda, të përballemi me to, t’i ndajmë, edhe nëse na lëndojnë.
Në fund, “Kujtime nga lumi” është një shfaqje për ata që janë ndryshe, për ata që kanë humbur në vete dhe për vete, për ata që kanë heshtur dhe për ata që guxojnë ta thyejnë këtë heshtje. Është një kujtim i përbashkët që bëhet ujë i përbashkët, dhe ndoshta, në atë ujë, gjenden copëza nga vetja.
Sepse siç lumi rrjedh gjithmonë, edhe kujtimi, edhe dhimbja vazhdojnë. Dhe ajo që mbetet është njeriu që kujton, e që nuk lejon që tjetri të harrohet. Këtë bën Hana. Këtë bën Zana. Këtë bën Mance. Këtë bën shfaqja.
Ndërkaq ju kujtojmë që në këtë shfaqje lujnë aktorët Qendresa Kajtzati dhe Edon Shileku, në rolet kryesore, si dhe Flamur Ahmeti dhe Elsa Belegu. Kompozitor Liburn Jupolli, skenografe Grace Ramsey, menaxhere produksioni Venera Ismaili dhe Elira Lluka Qorrolli, si dhe teknik i dritave Skënder Latifi./KultPlus.com
Më shumë se 1,000 bare, pube dhe restorante në Mbretërinë e Bashkuar do të organizojnë ngjarje muzikore si pjesë e një festivali të ri kombëtar, të quajtur Seed Sounds Weekender, që do të mbahet në shtator. Kjo nismë ka mbështetjen e Matty Healy, këngëtarit të grupit The 1975, i cili ka paralajmëruar për shuarjen e hapësirave të vogla muzikore, vendet ku lindin yjet e së ardhmes.
“Vendet lokale nuk janë thjesht vende ku bandat e reja nisin karrierën, ato janë themeli i çdo kulture të vërtetë,” tha Healy në një deklaratë. “Pa to, nuk do të kishim The Smiths, Amy Winehouse apo The 1975. Do të kishim heshtje.”
Festivali synon të mbështesë hapësirat që quhen “seed venues”, vendet e para ku artistët e rinj bëjnë debutimin e tyre. Shembuj të këtyre hapësirave përfshijnë Grapes pub në Sheffield ku debutuan Arctic Monkeys, Rayner’s Hotel në Londër ku këndoi për herë të parë Amy Winehouse, dhe The Castle Hotel në Manchester, një nga skenat e para të The 1975.
Sipas organizatorëve, këto hapësira po përballen me sfida të jashtëzakonshme ekonomike. Sektori i mikpritjes në Mbretërinë e Bashkuar është në rënie, dhe mbi 370 pub-e pritet të mbyllen vetëm gjatë vitit 2025, sipas Shoqatës Britanike të Birrës dhe Pub-eve, që fajëson taksat dhe kostot e larta.
Kit Muir-Rogers, bashkëthemelues i platformës së muzikës live GigPig, tha se ky festival është “një moment për të bashkuar dhe për të festuar hapin më të rëndësishëm në rrugëtimin e një artisti”.
Sipas tij, ky lloj muzike tani po njihet gjerësisht si “seed music” dhe këto hapësira si “seed venues”, vende që mbjellin talentin që një ditë do të ngjitet në skenat më të mëdha si ajo e Glastonbury.
Matty Healy, ambasadori i këtij festivali, shtoi se rrënimi i financimeve për këto hapësira është simptomë e një tendence më të gjerë për të shkatërruar infrastrukturën demokratike që mundëson artin. “Në vend të saj, mbetet një ekonomi kulturore ku vetëm të privilegjuarit kanë mundësi të krijojnë, dhe ku mbijeton vetëm arti që sjell fitime të menjëhershme,” tha ai.
Seed Sounds Weekender do të mbahet nga data 26 deri më 28 shtator, në shumë lokacione në të gjithë Britaninë – për të kujtuar se muzika e vërtetë lind në bodrume, në lokale të vogla, dhe jo në zyra korporatash apo arena të mëdha./BBC/KultPlus.com