Kushtet më të këqija për punë në Evropë – ku pozicionohet Kosova?
Një ekonomist francez ka kritikuar së fundmi kushtet e punës në vend, duke nxitur debat në Francë.
Euroverify hedh një vështrim mbi të dhënat që qëndrojnë pas këtyre pretendimeve.
Përdoruesit e rrjeteve sociale në Francë kanë reaguar ndaj deklaratave të bëra së fundmi në televizion nga ekonomisti Jean-Claude Delgènes, i cili tha se Franca ka “mbetur plotësisht pas për sa i përket kushteve të punës”.
“Në një studim të realizuar në fund të vitit 2021 dhe të publikuar në 2022, Franca renditet në vendin e 36-të, në fund të listës bashkë me Shqipërinë, për sa i përket kushteve të punës”, deklaroi Delgenes për Public Senat, kanali zyrtar televiziv i dhomës së lartë të Parlamentit francez.
Deklaratat e tij kanë nxitur një lumë reagimesh në rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.
Kjo ndodh në një kohë kur çështja e kushteve të jo të mira të punës është bërë një temë e nxehtë në Francë.
Gjatë dy muajve e gjysmë të fundit, pesë punëtorë të rinj dhe praktikantë të moshës nga 15 deri në 19 vjeç kanë humbur jetën në aksidente në vendin e punës, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet e punës në vend.
Euronews hodhi një vështrim më të afërt mbi të dhënat për të verifikuar pretendimet e Delgenes.
Franca mbetet prapa shumicës së vendeve të tjera evropiane – ku gjendet Kosova?
Këto pretendime bazohen në një studim të vitit 2021 nga Eurofound, një agjenci me seli në Dublin që kryen kërkime mbi kushtet e jetesës dhe punës në vendet evropiane.
Analiza e tyre më e fundit mbi kushtet e punës në Evropë, e njohur si EWCS, daton nga viti 2021. Pritet që rezultatet e përditësuara nga terreni për vitin 2024 të publikohen më vonë gjatë këtij viti.
Kërkimi analizon kushtet e punës në 36 vende evropiane, duke përfshirë të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në studim përfshihet një “indeks i cilësisë së punës”, që kombinon të dhëna mbi aspekte të ndryshme si shëndeti, siguria, kënaqësia në punë dhe të tjera, për të matur nivelin e stresit që punonjësit përjetojnë në vendin e punës.
Rezultatet sugjerojnë se më shumë punonjës në Francë janë të ekspozuar ndaj kushteve “jashtëzakonisht stresuese” ose “shumë stresuese” sesa në shumicën e vendeve të tjera.
Sipas këtyre gjetjeve, vetëm në Serbi, Mal të Zi, Sllovaki dhe Poloni ka më shumë punonjës që punojnë nën kushte “jashtëzakonisht stresuese” ose “shumë stresuese” sesa në Francë.
Ndërkohë, Kosova pozicionohet më mirë duke u renditur në vendin e 10.
Kosova ka një përqindje shumë të vogël të ngarkesës ekstreme, ashtu si shumica e vendeve të tjera të përfshira në analizë. Ndërsa në segmentin e ‘ngarkesës së lartë’, vendi ynë renditet proporcionalisht me shtete të tjera si Spanja, Mali i Zi, Italia dhe Suedia.
Franca nuk është në pozitën e “njëjtë me Shqipërinë”
Kur marrim parasysh edhe ata që kanë përmendur kushtet “me ngarkesë të moderuar”, Franca renditet para fundit, me vetëm Sllovakinë që ka rezultat më të keq, dhe Shqipërinë që paraqitet pak më mirë.
Kështu, kërkimi nuk e vendos Francën “drejt fundit, bashkë me Shqipërinë për sa i përket kushteve të punës”, siç pretendon Delgenes.
Kur shikojmë vetëm punëtorët që përmendin “ngarkesë ekstreme” ose kushtet më të rënda, Franca renditet në vendin e 30-të, mbi shtete të tjera anëtare të BE-së si Kroacia dhe Qiproja, si dhe mbi Mbretërinë e Bashkuar.
Kërkesat për siguri dhe shëndet
Megjithatë, të dhënat vendosin Francën prapa shumicës së vendeve të tjera evropiane kur bëhet fjalë për kushtet e punës.
Të dhënat e siguruara nga Eurostat, zyra statistikore e BE-së, konfirmojnë këtë trend.
Sipas vlerësimeve të fundit, vetëm Malta renditet më keq se Franca për sa i përket numrit të aksidenteve fatale në vendin e punës.
Këto shqetësime janë rritur kohët e fundit me vdekjen tragjike të pesë punëtorëve të rinj në vendin e tyre të punës brenda vetëm dy e gjysmë muajve. Sipas vlerësimeve, dy persona vdesin çdo ditë në vendin e punës në Francë.
Qeveria franceze po shqyrton një propozim për të ndëshkuar punëdhënësit përgjegjës për problemet në vendin e punës, si përmes gjobave dhe ndjekjeve penale, sipas një dokumenti që së fundmi e kanë parë mediat franceze, përfshirë edhe Le Monde. /Telegrafi/
The post Kushtet më të këqija për punë në Evropë – ku pozicionohet Kosova? appeared first on Telegrafi.