Pac-Man feston 45-vjetorin: nga një fetë picë në një ikonë botërore e lojërave

Historia e Pac-Man filloi në fund të viteve ’70, kur dizajneri japonez Toru Iwatani po hante një picë dhe vuri re se, pasi hoqi një fetë, forma e saj ngjante me një gojë të hapur. Ky moment i thjeshtë frymëzoi krijimin e një prej personazheve më të njohur në historinë e videolojërave.
Fillimisht i quajtur “PukMan” në Japoni nga shprehja “paku paku taberu”, që do të thotë “të hash me pangopësi”. Pac-Man debutoi në vitin 1980 dhe shpejt u bë loja arcade më e suksesshme e të gjitha kohërave, duke gjeneruar mbi 14 miliardë dollarë.
Loja u dallua për thjeshtësinë e mekanikës dhe për faktin që ishte e dizajnuar për të tërhequr si burrat ashtu edhe gratë, në kontrast me lojërat e shtënave që dominonin në atë kohë. Fantazmat ikonike si Blinky, Pinky, Inky dhe Clyde u frymëzuan nga estetika japoneze wabi-sabi, që vlerëson thjeshtësinë dhe kalimtarinë.
Pac-Man ka pasur ndikim edhe në shkencë: nga studime të aktivitetit të trurit me rezonancë magnetike deri te kërkime me majmunë makakë që zbuluan aftësinë e tyre për të marrë vendime strategjike.
Sot, Pac-Man po merr një formë të re me lojën Shadow Labyrinth, ku bashkohet me personazhin “Swordman No. 8” dhe mund të shndërrohet në robotin luftarak “GAIA”.
Presidenti i Bandai Namco, Nao Udagawa, thotë se sfida është ta mbash personazhin të freskët, por thjeshtësia e tij është çelësi i suksesit. Përmes bashkëpunimeve me marka si Krispy Kreme dhe dhomave të arratisjes në Mançester e Dubai, kompania planifikon që Pac-Man të mbetet i rëndësishëm edhe për 45 vitet e ardhshme./KultPlus.com
