Newcastle refuzon 145 milionë euro për Isakun, ky është çmimi i tij
Tregu i transferimeve në Angli është ndezur dhe këtë herë në qendër të vëmendjes është Alexander Isak. Sulmuesi suedez, një nga yjet kryesorë të Newcastle United, ka marrë një ofertë marramendëse nga Liverpool, në vlerë prej 145 milionë euro.
Megjithatë, drejtuesit e “Magpies” e kanë refuzuar menjëherë, duke vlerësuar se lojtari i tyre kushton së paku 175 milionë euro.
Ky refuzim nuk është pritur mirë as nga vetë Isak dhe as nga drejtuesit e Liverpoolit. Në St. James’ Park qëndrimi i klubit për momentin mbetet i palëkundur, por presioni po rritet.
Sulmuesi suedez ka shprehur qartë dëshirën për t’u larguar këtë verë dhe objektivi i tij është i padiskutueshëm: ai dëshiron të vishet kuq e zi dhe të luajë në “Anfield”. Për të, nuk ekziston plan B – nuk është i interesuar për asnjë tjetër opsion.
Në këtë garë është futur edhe një konkurrent i tretë. Manchester United po e ndjek me vëmendje situatën dhe është i gatshëm të sfidojë Liverpoolin financiarisht nëse Newcastle vendos ta shesë lojtarin.
Megjithatë, për momentin, Isak nuk ka treguar interes për projektin e “Djajve të Kuq”, duke mbetur i përqendruar te synimi i tij: Liverpooli.
Nga ana tjetër, Newcastle ndodhet në një udhëkryq delikat. Ata janë të vetëdijshëm se mbajtja e një lojtari që ka humbur dëshirën për të qëndruar mund të ndikojë negativisht në atmosferën e skuadrës.
Megjithatë, klubi nuk është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesat e tij financiare, duke e vlerësuar Isakun si një nga pasuritë më të çmuara të merkatos.
Historia nuk ka përfunduar. Vera është e gjatë dhe, pavarësisht se për momentin marrëveshja duket e vështirë, gjithçka mund të ndryshojë nëse Newcastle dorëzohet përballë presionit të lojtarit dhe ofertave në rritje.
Ajo që është e sigurt është se Alexander Isak e ka marrë vendimin e tij – dhe tashmë mbetet të shihet se cili klub do të ndërmarrë hapin tjetër. /Telegrafi/
The post Newcastle refuzon 145 milionë euro për Isakun, ky është çmimi i tij appeared first on Telegrafi.