Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Main stream

Kinemaja Verore e Arkivave shfaq “Kapedani” në sezonin kushtuar komedisë shqiptare

By: Kult Plus
22 July 2025 at 15:38

Në kuadër të sezonit artistik kushtuar komedisë shqiptare, Kinemaja Verore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) shfaqi një nga filmat më të dashur për publikun shqiptar, “Kapedani”.

Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) dhe pati praninë e përfaqësuesve të dy institucioneve, përfshirë nëndrejtoreshën e përgjithshme të DPA-së, Marinela Ndria, dhe drejtorin e AQSHF-së, Eljan Tanini, si dhe dhjetëra qytetarë të pasionuar pas kinematografisë vendase.

Për të dytin vit me radhë, kjo nismë ofron një hapësirë të re kulturore për kryeqytetasit, ku cinema e hapur me 140 ulëse, nën qiellin e hapur, ofron një eksperiencë unike për të përjetuar filmin në një atmosferë të veçantë. Për këtë sezon, që fokusohet në komedinë shqiptare, mbështetja e “Cineplexx Albania” ka siguruar një ambient të këndshëm dhe mikpritës për spektatorët.

Drejtuesit e DPA-së theksuan se, duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë shqiptare gjatë periudhës së regjimit komunist, sezoni do të fokusohet te komedia, duke nxjerrë në pah batutat legjendare dhe situatat plot humor të hollë që karakterizojnë filma si “Kapedani”. Filmat e shfaqur jo vetëm sjellin qeshje, por edhe reflektime mbi kohën kur janë krijuar, transmeton oranews.

Dhimitër Shuteriqit: Letërsia shqipe, gjuha dhe shpirti ynë

By: Kult Plus
22 July 2025 at 15:30

Dhimitër Shuteriqi, një njeri me mendje të kthjellët dhe zemër për atdheun, na mëson diçka të rëndësishme: letërsia shqipe nuk është thjesht fjalë të shkruara, por është zemra dhe shpirti i kombit tonë.

Ai thotë se letërsia është ajo që na mban lidhur me rrënjët tona, me historinë dhe me gjuhën që na bën shqiptarë. “Letërsia shqiptare nuk është vetëm një pasqyrë e jetës së përditshme,” thoshte ai, “por një mjet i fuqishëm për të ruajtur dhe për të zhvilluar kulturën dhe gjuhën tonë.”, shkruan KultPlus

Në kohë kur shumë gjëra ndryshojnë dhe njerëzit harrojnë prejardhjen e tyre, fjalët e Dhimitër Shuteriqit na kujtojnë se letërsia është ajo që na ndihmon të mos harrojmë kush jemi dhe nga vijmë. Ajo është ura që lidh të kaluarën me të ardhmen, dhe na mban gjallë në zemrat tona.

Kjo është pleqëria që na lë Dhimitër Shuteriqi, një mësim për të gjithë ne, që ta duam e ruajmë letërsinë dhe gjuhën, sepse aty qëndron edhe shpirti i kombit tonë./KultPlus.com

Kadare, një vit pas ndarjes – Rritet kërkesa për librat e tij nga lexues shqiptarë dhe të huaj

By: Kult Plus
22 July 2025 at 15:00

Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndërronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës.

Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me traditat dhe kulturë evropiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Evropa,transmeton rtsh.

Veprat e tij të përkthyera në 45 gjuhë të botës një vit pas vdekjes se tij kanë një interes të shtuar nga shqiptarët dhe turistët të cilët vizitojnë Shqipërinë dhe ndalesa e radhës është ajo në librari për të mos u larguar pa një vepër të shkrimtarit Ismail Kadare.

“Emri Ismail Kadare vazhdon të jetë i preferuar nga lexuesit shqiptar por edhe të huaj. Veprat e tij janë ndër më të shiturat”, tha librashitësi.

Veprat e tij si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në Gur”, “Prilli i Thyer”, “Pallati i Ëndrrave” janë nder më të lexuarat.

Veprat e tij vendosën Kadarenë si një zë të veçantë në letërsinë botërore, një zë që fliste për absurditetin e diktaturës, dramën e ekzistencës dhe kompleksitetin e historisë shqiptare.

SHBA paralajmëron largimin nga UNESCO

By: Kult Plus
22 July 2025 at 14:43

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të tërhiqen sërish nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), vetëm dy vite pasi kishin rikthyer anëtarësimin në këtë agjenci me seli në Paris.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se vendimi është marrë për shkak të “axhendës përçarëse që UNESCO po ndjek në çështje sociale dhe kulturore”, si dhe për atë që SHBA e konsideron qasjen e njëanshme ndaj Izraelit. Ajo shtoi se pranimi i “Shtetit të Palestinës” si anëtar me të drejta të plota është në kundërshtim me politikën e jashtme amerikane dhe ka nxitur, sipas saj, retorikë anti-izraelite në organizatë, raporton apnews, transmeton KultPlus.

Kjo është hera e tretë që SHBA largohet nga UNESCO, dhe hera e dytë që kjo ndodh gjatë një administrate të udhëhequr nga Donald Trump. Vendimi do të hyjë në fuqi në dhjetor të vitit 2026, dhe ishte i pritshëm për drejtuesit e UNESCO-s, pasi administrata Trump kishte paralajmëruar një rishikim të marrëdhënieve me këtë agjenci që në fillim të këtij viti.

SHBA kishte ndalur financimin e saj për UNESCO-n që prej vitit 2011, kur kjo e fundit votoi për pranimin e Palestinës si shtet anëtar. Vendimi i fundit pritet të ketë ndikim financiar në organizatë, megjithëse më i kufizuar sesa më parë, pasi kontribuimi amerikan aktualisht përbën vetëm 8% të buxhetit të përgjithshëm të UNESCO-s.

Kujtojmë se SHBA u tërhoq për herë të parë nga UNESCO në vitin 1984, gjatë administratës Reagan, për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe ndikimin sovjetik në agjenci. U rikthye në vitin 2003 nën presidencën e George W. Bush dhe më pas u largua sërish në 2017 nën Trump, për t’u rikthyer më vonë në 2023 me administratën Biden./KultPlus.com

“Carmen” do të ngjitet sonte në skenë – Baleti dhe Opera e Kosovës do të sjellin një mbrëmje magjike 

By: Kult Plus
22 July 2025 at 14:20

Sonte, më 22 korrik, publiku kosovar do të ketë rastin të shijojë premierën e një prej veprave më pasionante të artit skenik botëror “Carmen”. Shfaqja vjen si bashkëpunim i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Operës së Kosovës, të cilët do të sjellin një performancë të jashtëzakonshme në skenën e AMC Hall, duke nisur nga ora 20:30.

Balerinët dhe solistët operistikë do të ndërthurin mjeshtërisht lëvizjen dhe zërin, duke krijuar një përjetim artistik të veçantë për publikun. “Carmen”, vepër e kompozitorit francez Georges Bizet, është ndër më të njohurat në historinë e muzikës klasike, duke u dalluar për emocionin, dramën dhe pasionin që përcjell,transmeton KultPlus.

Shfaqja do të reprizohet edhe më 24 korrik, për të gjithë ata që nuk do të mund ta ndjekin në mbrëmjen e sotme.

Ky projekt skenik pritet të jetë një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të verës, duke rikthyer fuqishëm emocionin e artit të gjallë në Prishtinë./KultPlus.com

Si sot, më 22 korrik 2003, u nda nga jeta studiuesi dhe shkrimtari i shquar Dhimitër Shuteriqi

By: Kult Plus
22 July 2025 at 14:00

Më 22 korrik 2003, u nda nga jeta Dhimitër Shuteriqi, një nga figurat më të mëdha të letërsisë dhe shkencës shqiptare, i njohur si një nga themeluesit e studimeve moderne të letërsisë shqipe. Ai la pas një trashëgimi të pasur në fushën e albanologjisë, historisë së letërsisë dhe kritikës letrare, duke ndikuar thellësisht në formësimin e kulturës shqiptare të shekullit XX.

Dhimitër Shuteriqi lindi më 21 shkurt 1915 në Berbat të Përmetit dhe u rrit në një familje me tradita kulturore. Ai studioi letërsinë dhe historinë, duke u bërë më vonë një ndër studiuesit më të respektuar në Shqipëri. Gjatë jetës së tij profesionale, Shuteriqi shkroi shumë libra dhe studime që trajtojnë zhvillimin e letërsisë shqiptare, si dhe historinë e kombit shqiptar.

Veprat e tij janë të shumta dhe përfshijnë analiza të thella për autorë të njohur shqiptarë, si dhe përmbledhje të letërsisë kombëtare. Ai ishte edhe redaktor dhe drejtues i disa botimeve të rëndësishme letrare dhe kulturore në Shqipëri. Shuteriqi shërbeu gjithashtu në institucione të rëndësishme akademike dhe arsimore, duke ndikuar në formimin e brezave të rinj të studiuesve dhe letrarëve shqiptarë.

Në kujtim të tij, institucione kulturore dhe shkollore vazhdojnë të organizojnë aktivitete për të nderuar jetën dhe veprën e tij, duke theksuar rëndësinë e tij në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar. Emri i Dhimitër Shuteriqit vazhdon të mbetet një simbol i përkushtimit ndaj letërsisë dhe kulturës kombëtare.

Sot, më 22 korrik, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje Dhimitër Shuteriqin, një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë shqiptare./KultPlus.com

Lezha nderon poetin e shquar Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes

By: Kult Plus
22 July 2025 at 13:46

Shkrimtarë, studiues, botues dhe dashamirës të letërsisë kujtuan në 100-vjetorin e lindjes, figurën e shquar të letërsisë shqiptare, Martin Camaj.

“Në fushën e albanologjisë edhe gjuhësisë, kontributet e Camaj janë të një rëndësie themelore. Pasi përfundojë studimet në Beograd edhe Romë, veprën e parë ai e kishte në gjuhën shqipe. Ai nuk solli vetëm një qasje të re filologjike ndaj teksteve të vjetra, por gjithashtu afirmoi qasje ndërsiplinore në studimet gjuhësore”, thotë Paulin Zefi, përgjegjësi i Bibliotekës “Gjergj Fishta”.

“Është shumë e rëndësishme që figura të tilla si Martin Camaj të kujtohen. Madje duhet të organizohen më shumë aktivitete të tilla. Pse e them këtë? sepse për ë rinjtë është edhe më e rëndësishme të njohin figura të tilla letrare dhe jo vetëm. Në një kohë kur të rinjtë nuk janë më të prirë drejt botës së leximit por më shumë drejt internetit”, shprehet drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Lezhë, Jona Davidi.

Kontributi në letërsi i Martin Camajt dhe rolin e tij në ruajtjen dhe zhvillimin e Gjuhës Shqipe në diasporë, u cilësua si një pasuri e çmuar e kulturës kombëtare.

“Ai me shumë dimonsialitetin e vet, edhe këtu kam parasysh jo vetëm letërsinë e tij, por poezinë, prozën dhe prozë poetike që rrallë kush e realizon”, shprehet botuesi Franko Kulli.

“Martin Camaj është nder themeluesit e letërsisë moderne. Proza edhe poezitë e tij janë një ndërlidhje mes gjuhës shqipe dhe filozofisë perëndimore”, thotë shkrimtari Martin Dedaj.

Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Lezhë u përmbyll me recitime poetike nga veprat më të njohura të Martin Camajt, duke sjellë emocion dhe reflektim përmes vargjeve të tij.

Camaj konsiderohet si një nga autorët kryesorë të prozës moderne shqiptare. Romani i tij “Rrathë” konsiderohet si romani i parë psikologjik i shkruar në shqip, shkruan shqiptarja.

Varret e të parëve 

By: Kult Plus
22 July 2025 at 13:38

Poezi nga: Yiannis Ritsos
Përktheu: Agim Mato

Duhet t’i ruajmë të vdekurit tanë me çdo kusht, nga frika
se një ditë prej ditësh
do t’i çvarrosin të huajt dhe do të na i marrin. Atëhere
pa mbrojtjen e tyre
rreziku do të ishte i dyfishtë. Si mund të rrojmë
pa shtëpitë, mobiljet, pronat dhe mbi të gjitha
pa varret e gjyshërve luftëtarë e të mënçur? Le të kujtojmë
se si spartanët grabitën fshehurazi nga Tegjeu eshtrat e
Orestit. Do të duhej
që armiqtë të mos e dinin ku i kemi varrosur. Po si mund
ta dimë se cilët janë armiqtë tanë,
kur dhe nga do të shfaqen?
Jo, nuk duhen varre madhështore, zbukurime që bien në sy –
gjëra që
tërheqin vëmendjen dhe cmirën e të tjerëve. Të vdekurve
këto as që u hyjnë në punë – radhë radhë, të urtësuar e të
heshtur, tashmë nuk duan kujdes,
as pijen e preferuar të mjaltit, blatimet e lavdet e kota.
Shumë më mirë do të qe një gur i xhveshur, një vazo lulesh,
një shenjë e fshehtë ose asgjë.
Ndoshta është më e sigurt t’i mbajmë brënda vetes, po të qe
e mundur
dhe shumë më mirë akoma as vet të mos e dinim ku pushojnë.
Kush mund ta dijë si do të rrokullisen punën në ditët tona?
mundet që vet ne t’i çvarrosim, t’i flakim tutje, në një ditë
të bukur.

Festivali i Filmit në Venecia 2025: Ja filmat më me potencial për çmime

By: Kult Plus
22 July 2025 at 13:04

Drejtori artistik i Festivalit të Filmit në Venecia, Alberto Barbera, ka zbuluar programin e pasur dhe shumë të pritur të edicionit të 82-të, që do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 6 shtator 2025. Festivali sjell një përzierje të filma me yje të mëdhenj hollivudianë dhe produksione të vogla, por me potencial të madh për çmime, duke krijuar kështu një panoramë të gjallë dhe shumëngjyrëshe kinematografike.

Në garë për Luanin e Artë do të jenë filma të mëdhenj nga regjisorë si Kathryn Bigelow, Guillermo del Toro, Chloe Zhao, Noah Baumbach, Luca Guadagnino, Yorgos Lanthimos, Olivier Assayas, Park Chan-wook dhe Benny Safdie. Ndër filmat më të pritur janë “The Smashing Machine” i Safdie, me Dwayne Johnson në rolin e një kampioni UFC, si dhe “Bugonia”, bashkëpunimi i fundit midis Yorgos Lanthimos dhe Emma Stone, pas suksesit të tyre në vitin 2023 me “Poor Things”. Luca Guadagnino prezanton dramën psikologjike “After the Hunt”, me Julia Roberts dhe Andrew Garfield, që do të shfaqet jashtë garës,transmeton KultPlus.

Platforma Netflix do të jetë prani e fortë në festival me tre filma origjinalë në garë: “A House of Dynamite” nga Kathryn Bigelow, që trajton një krizë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë; komedia-dramë “Jay Kelly” e Noah Baumbach me George Clooney në rolin kryesor; dhe “Frankenstein” i Guillermo del Toro, një risjellje e klasikut të krijuar me aktorë si Oscar Isaac dhe Mia Goth.

Një risi e këtij viti është pjesëmarrja e platformës arthouse Mubi, që hap festivalin me filmin “La Grazia” të Paolo Sorrentino, si dhe me triptikun “Father Mother Sister Brother” të Jim Jarmusch, ku luajnë emra të mëdhenj si Cate Blanchett dhe Adam Driver. Mubi sjell gjithashtu filmin e regjisorët korean Park Chan-wook, “No Other Choice”.

Pjesëmarrje të rëndësishme vijnë edhe nga Franca, me Olivier Assayas dhe filmin e tij politik “The Wizard of the Kremlin” që eksploron ngritjen e Vladimir Putinit, me Jude Law në rolin kryesor, si dhe me rikthimin në Venecia të François Ozon me “The Stranger”, një adaptim i romanit të Albert Camus. Italia do të prezantojë filma të njohur si “Below the Clouds” i Gianfranco Rosi dhe biografinë “Duse” për aktoren legjendare Eleonora Duse.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit do të jenë edhe serialet televizive, ku Italia përfaqësohet me tre produksione, përfshirë “Portobello” të Marco Bellocchio dhe serialin Netflix “The Monster of Florence”.
Juria kryesore do të drejtohet nga dy herë fituesi i Oscarit, Alexander Payne, ndërsa programi i festivalit përfshin gjithashtu filma jashtë garës, dokumentarë dhe filma të shkurtër nga regjisorë të njohur si Sofia Coppola, Werner Herzog dhe Gus Van Sant.

Festivali i Filmit në Venecia 2025 premton të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike të vitit, duke ofruar një pasqyrë të pasur të tendencave të reja dhe talentëve më të mëdhenj në skenën ndërkombëtare të filmit./KultPlus.com

15 Vjet nga Vendimi i GjND-së, Ambasada publikon videodokumentarin

By: Kult Plus
22 July 2025 at 12:29

Sot shënohen 15 vjet nga shpallja e Opinionit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, sipas të cilit Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Për këtë përvjetor historik, Ambasada e Kosovës në Hagë ka publikuar një video-dokumentar që përmbledh momentet kyçe dhe reflektimet 15 vjet pas këtij vendimi të rëndësishëm, transmeton KultPlus

“Në këtë përvjetor historik, me krenari paraqesim një dokumentar video special që reflekton mbi Opinionin Këshillimor të vitit 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. 15 vjet më vonë, rëndësia e tij ligjore, politike dhe diplomatike vazhdon të formësojë diskursin ndërkombëtar,” thuhet në njoftimin e Ambasadës në Facebook.

Videoja përmban përmbledhje dhe momente të rëndësishme nga ky proces historik dhe nënvizon rëndësinë e vendimit për të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Kur arti hahet – bananja e Maurizio Cattelan zhduket sërish në Francë

By: Kult Plus
22 July 2025 at 12:19

Një vizitor në galerinë Centre-Pompidou Metz në Francë ka ngrënë bananën nga vepra e njohur artistike “Komediani” të Maurizio Cattelan, raporton CNN. Vepra, që përbëhet nga një banane e ngjitur në mur me ngjitës, u konsumua më 12 korrik, ndërsa stafi i sigurisë veproi menjëherë dhe e riktheu elementin në vend,përcjellë KultPlus.

Galeria thekson se banania është vetëm një pjesë e pritshme e veprës dhe zëvendësohet rregullisht sipas udhëzimeve të artistit. Artistit i ka shkaktuar zhgënjim fakti që vizitori konsumoi vetëm bananen, pa e përfshirë edhe lëvoren dhe ngjitësin, që janë pjesë integrale të veprës.

“Komediani” ka për qëllim të nxjerrë në pah absurdin e spekulimeve financiare dhe brishtësinë e sistemeve të dijes që mbështesin tregun e artit. Nuk është hera e parë që kjo banane është ngrënë; më parë, në vitin 2019 dhe 2023, vizitorë të ndryshëm e kanë konsumuar atë në evente dhe muze të ndryshëm në botë.

Vlera e veprës në ankandin e vitit 2024 arriti në 6.24 milionë dollarë, kur koleksionisti Justin Sun e bleu dhe më pas e konsumoi bananen vetë, duke i dhënë kështu një tjetër dimension veprës.

Galeria Centre-Pompidou Metz e quan “Komediani” si një nga veprat më të ngrëna të artit në 30 vitet e fundit./KultPlus.com

Në moshën 70-vjeçare, Bruce Willis nuk e kujton më që ka qenë një aktor i famshëm

By: Kult Plus
22 July 2025 at 12:08

Aktori i njohur Bruce Willis, i famshëm për rolet në filmat klasikë si Die Hard, The Sixth Sense dhe Pulp Fiction, sipas përditësimeve të fundit nga miq të afërt të familjes, nuk kujton më shkallën e famës së tij.

70-vjeçari u diagnostikua në vitin 2023 me demencë frontotemporale (FTD), një çrregullim neurologjik progresiv që prek sjelljen, gjuhën dhe memorien. Willis ishte tërhequr më parë nga karriera pasi i ishte diagnostikuar afazia, një gjendje që ndikon në komunikim që në fazat fillestare, raportojnë mediat e huaja , transmeton KultPlus.com

Glenn Gordon Caron, krijuesi i serialit televiziv Moonlighting që e bëri Willis të njohur, tha se aktori nuk kupton më plotësisht pse njihet në publik apo pse e ndjekin paparacët. “Ai nuk është më plotësisht verbal; dikur lexonte shumë, tani nuk lexon më. Të gjitha ato aftësi gjuhësore nuk i ka më. Por ai është ende Bruce. Kur je me të, e di që është Bruce, dhe je mirënjohës që është aty, por ai është pa atë gëzim të jetës,” u shpreh Caron.

Gruaja e Willis, Emma Heming Willis, ka kërkuar publikisht respekt për privatësinë e tij, duke bërë thirrje që paparacët dhe fansat të mos bëjnë presion mbi të në publik, duke përmendur natyrën e sëmundjes së tij.

Gjithashtu, ish-bashkëshortja e tij, Demi Moore, ka ndarë momente private me Willis, duke treguar se aktori qëndron stabil, por me humbje të mëdha për shkak të sëmundjes.

Familja e Willis synon të rrisë ndërgjegjësimin për demencën frontotemporale, një sëmundje ende më pak e njohur se Alzheimeri, por që prek shumë njerëz nën moshën 60-vjeçare./KultPlus.com

Sot shënohet 15-vjetori i Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës

By: Kult Plus
22 July 2025 at 11:56

Sot shënohet 15-vjetori i shpalljes së Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, një moment kyç në historinë e shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar në një postim në Facebook se ky mendim i GjND-së dha dritë për të drejtën e popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje dhe liri. Ai e përshkroi këtë akt si vulosje të ligjshmërisë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe si dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje, shkruan KultPlus.

Kurti theksoi se Mendimi Këshilldhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i dhënë shpresë popujve liridashës që drejtësia mund të triumfojë në fund.

Ai nënvizoi gjithashtu se ky vendim do të shërbejë si mësim për gjeneratat e juristëve për parimësinë dhe etikën në interpretimin e vlerave universale dhe si një kujtesë për politikën serbe, e cila me nxitim kërkoi pyetje nga GJND-ja dhe pësoi humbje të madhe politike.

Ky përvjetor rikujton edhe vuajtjet nga kolonizimi, diskriminimi sistematik dhe gjenocidi ndaj popullit shqiptar të Kosovës./KultPlus.com

Nga rubairat te astronomia – jeta shumëdimensionale e Omar Kajamit

By: Kult Plus
22 July 2025 at 11:25

Omar Kajami, një nga figurat më të ndritura të Lindjes së Mesme mesjetare, u lind në vitin 1048 në Nishapur të Persisë, një qytet që në atë kohë përfaqësonte një qendër të madhe të dijes, kulturës dhe filozofisë

I pajisur me një mendje jashtëzakonisht të mprehtë, ai nuk kufizohej vetëm në një fushë: ishte poet, filozof, matematicien, astronom dhe mendimtar i lirë. Trashëgimia e tij përfshin jo vetëm poezinë e përjetshme, por edhe kontribute madhore në shkencat ekzakte dhe mendimin logjik. Në botën perëndimore, Kajami njihet më së shumti për rubairat e tij katrena të fuqishme që në përkthimin brilant të Edward FitzGerald-it u bënë një sensacion në shekullin XIX. Por përtej vargjeve të ëmbla për verën, dashurinë dhe kotësinë e jetës, fshihet një shpirt që luftonte me pyetjet më thelbësore të ekzistencës. Kush jemi? Përse vuajmë? Çfarë është Zoti dhe a ka vërtet një drejtësi hyjnore?

Në shumë prej poezive të tij, Kajami ngrihet kundër dogmës, hipokrizisë fetare dhe formalizmit boshe. Ai preferon verën ndaj predikimit, momentin ndaj premtimeve të botës tjetër, buzëqeshjen ndaj frikës. “Pi verë, sepse bota nuk ka kuptim dhe ndoshta as një fund”, thotë një nga vargjet e tij më të njohura. Ai nuk është një hedonist sipërfaqësor, por një filozof që i njeh kufijtë e mendjes njerëzore dhe zgjedh ta sfidojë absurdin me gëzim të qetë.
Ndryshe nga poetët sufistë, ai nuk përpiqet të mistifikojë jetën. Në vend të ekstazës shpirtërore, ai kërkon paqe në kuptimin e kotësisë. Në vend të përuljes, ai ofron reflektim të kthjellët. Në vend të bindjes, ai mbjell dyshim. Dhe pikërisht për këtë arsye, poezia e tij nuk vjetrohet, nuk ngurtësohet në muze, por mbetet një pasqyrë e përhershme e mendimit kritik dhe ndjeshmërisë njerëzore. Matematika dhe astronomia nuk mbetën jashtë këtij shpirti kërkues. Kajami ndihmoi në reformimin e kalendarit persian, që në disa aspekte është më i saktë se ai gregorian. Punoi mbi ekuacionet algjebrike dhe kontribuoi në teoritë e konikeve risi të asaj kohe. Por, megjithëse shkenca i dha emër dhe respekt në kohën e tij, ishin vargjet që e bënë të pavdekshëm. Në mënyrë ironike, ai është një nga ato figura që gjenerata të tëra e kujtojnë jo për kontributet shkencore, por për katrenat që e mbijetuan kohën si himne të një filozofie të thellë, lirike dhe herë-herë melankolike.

Kritikët islamikë e panë shpesh si skeptik, madje si heretik. Por për lexuesit e lirë, Kajami mbetet një poet i përjetësisë. Ai nuk kërkon të bindë askënd, nuk predikon. Ai pyet, mediton dhe me një gotë verë në dorë e një shikim drejt yjeve, na fton të ndalemi për një çast dhe të mendojmë: a mos ndoshta jeta është pikërisht kjo një çast i shkurtër, i çmuar, që duhet jetuar me vetëdije e gëzim? Vargjet e tij përkthehen ende sot në qindra gjuhë. Ato lexohen në kafenetë e Teheranit, në universitetet e Londrës, në dhomat e vogla të leximit në Tokio. Fjalët e tij i tejkalojnë kufijtë fetarë, kulturorë dhe gjuhësorë, duke ofruar një humanizëm të pashoq, të natyrshëm dhe të thellë. Ai nuk kërkonte të shpëtonte botën, as të shpjegonte gjithësinë thjesht të përballonte absurditetin me një buzëqeshje të butë dhe një varg të mprehtë. Sot, portreti i tij qëndron në monedhat iraniane, ndërsa poezia e tij vazhdon të ripërkufizojë mënyrën se si e shohim jetën, kohën dhe vetveten. Nga shkretëtirat e Persisë e deri në raftet e bibliotekave moderne, Omar Kajami mbetet një udhërrëfyes i çuditshëm por i vërtetë: i heshtur, por i paepur në kërkimin për kuptim. Në një botë që kërkon gjithmonë përgjigje të shpejta, ai na kujton forcën që ka pyetja, dyshimi dhe një gotë e thjeshtë verë./panorama/

Elon Musk prezanton “Baby Grok”, chatbot-in e parë me inteligjencë artificiale për fëmijë

By: Kult Plus
22 July 2025 at 11:14

Elon Musk, CEO i kompanive SpaceX, Tesla dhe themelues i startup-it të inteligjencës artificiale xAI, ka njoftuar krijimin e një versioni të ri të chatbot-it Grok, të dedikuar posaçërisht për fëmijët: “Baby Grok”, transmeton KultPlus

Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Musk shkroi:
“Do të krijojmë Baby Grok, një aplikacion të dedikuar për fëmijë.”

“Baby Grok” pritet të jetë një version miqësor, edukativ dhe i sigurt i Grok-ut chatbot-i i fuqizuar nga AI që Musk e prezantoi më herët përmes kompanisë së tij xAI. Sipas informacioneve të para, ky version do të përshtatet me nevojat e fëmijëve, duke ofruar ndërveprim të kontrolluar, përmbajtje të përshtatur për moshën dhe funksione edukative.

Ky njoftim vjen pak pas lansimit të Grok 4, gjenerata më e avancuar e chatbot-it të Musk, e cila është ndërtuar me teknologji të re trajnimi dhe ofron performancë të përmirësuar në krahasim me versionet e mëparshme.

Musk nuk ka dhënë ende një datë zyrtare për publikimin e Baby Grok, por njoftimi ka ngjallur menjëherë interes, si te përdoruesit, ashtu edhe në komunitetin e teknologjisë dhe edukimit./KultPlus.com

We’re going to make Baby Grok @xAI, an app dedicated to kid-friendly content

— Elon Musk (@elonmusk) July 20, 2025

Kur kartëmonedhat shqiptare humbën vlerën: Çfarë ndodhi në vitin 1945?

By: Kult Plus
22 July 2025 at 10:50

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të Qeverisë Demokratike, Shqipëria përballej me një situatë të vështirë ekonomike dhe monetare. Në mungesë të mundësisë për të shtypur kartëmonedhë të re, autoritetet ndërmorën një hap të pazakontë: vulosjen e kartëmonedhave ekzistuese.

Më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpalli zyrtarisht nisjen e procesit të vulosjes së kartëmonedhave dhe çekmonedhave të emetuara më parë nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë. Kjo masë kishte për qëllim të kontrollonte inflacionin dhe të përmirësonte qarkullimin monetar në vendin që sapo kishte dalë nga lufta, përcjellë KultPlus.

Procesi i vulosjes nisi më 27 qershor dhe zgjati deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare e më pas në gjithë territorin e Shqipërisë. Vulosja përfshiu vetëm kartëmonedhat me prerje 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vlerë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga shqiptare.

Vula e përdorur kishte trajtën e një drejtkëndëshi me përmasa 52×34 mm, dhe përmbante një shqiponjë dykrenare me yll mbi të, si dhe mbishkrimin “Banka e Shtetit Shqiptar”. Elementët vizualë ishin të vijëzuar dhe të hijëzuar për të garantuar dallueshmërinë dhe origjinalitetin.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vulosja u realizua pa kufizim shume, por kartëmonedhat që nuk u paraqitën për vulosje u shpallën të pavlefshme dhe dolën jashtë qarkullimit. Në total, rreth 20% e monedhës në qarkullim mbeti jashtë këtij procesi, pasi nuk u përfshinë prerjet nën 20 franga.

Efekti në qarkullimin monetar ishte i ndjeshëm: nga një emision prej 384.396.000 franga shqiptare në fund të vitit 1944, shifra ra në 286.100.000 në fund të vitit 1945, një rënie që shënoi një ndërhyrje të rëndësishme në ekonominë e pasluftës./KultPlus.com

Kalaja e Himarës, një thesar i trashëgimisë kulturore

By: Kult Plus
22 July 2025 at 10:30

Mëngjeset në Kalanë e Himarës, ofrojnë pamje mahnitëse, që rikujtojnë pasurinë historike dhe natyrore që mbart ky vend i mrekullueshëm.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.

Qyteti i lashtë i Himarës në vetvete është një monument i rëndësishëm me moshë rreth 3.500-vjeçare. Kalaja (e njohur ndryshe si Barbakas) ka dy porta hyrëse, në veri dhe jug dhe kufizohet nga dy kanione, ai i Vishës (monument natyror) në veriperëndim dhe në juglindje nga kanioni ose përroi i Kole Midharit.

Kalaja e Himarës ekziston, të paktën qysh nga mesi i shekullit të IV para Krishtit dhe kontrollonte rrugën nëpër bregdet nga Oriku për në Buthroto. Përmendet me emrin Chimera (toponimia Himarë lidhet nga disa studiues me Kimeran, një qenie mitologjike me trup luani koke dhie dhe luani dhe bisht gjarpri) dhe përfshihet në fisin Epirot të Kaonëve.

Në disa pjesë të saj janë ruajtur mure rrethuese të periudhës Helenistike. Blloqet e mëdha të gureve poligonale janë të ngjashëm me muret rrethuese të Finiqit, Butrintit dhe qyteteve të tjera të Kaonisë të së njëjtës periudhë.

Kisha e Episkopisë konsiderohet nga monumentet më të rëndësishme dhe gjendet brenda mureve helenistike. Sipas një versioni është e ndërtuar mbi themelet e një tempulli kushtuar Apolonit. Ajo përbëhet nga tempulli kryesor dhe një gjysmë tjetër e zbuluar ku prehen dhe dy peshkopë/atsh/

22 Korriku, Dita Botërore e Trurit: Kujdesi për trurin fillon në çdo moshë

By: Kult Plus
22 July 2025 at 10:15

Sot, më 22 korrik, shënohet Dita Botërore e Trurit, një nismë ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit të trurit dhe sfidat që lidhen me sëmundjet neurologjike.

Kjo ditë globale e kujdesit shëndetësor organizohet për të 12-in vit radhazi nga Federata Botërore e Neurologjisë (WFN), dhe këtë vit vjen me një fushatë historike të titulluar “Shëndeti i trurit për të gjitha moshat”. Qëllimi është i qartë: të theksohet rëndësia e mbrojtjes së trurit gjatë gjithë ciklit të jetës, nga fëmijëria e deri në moshën e tretë.

Federata Botërore e Neurologjisë ka përçuar pesë mesazhe kyçe për këtë Ditë Botërore:

Ndërgjegjësimi – Sëmundjet neurologjike janë shkaku kryesor i jetës me aftësi të kufizuara dhe shkaku i dytë i vdekjeve në mbarë botën.

Edukimi – Kujdesi për trurin duhet të nisë që në moshë të hershme dhe të vazhdojë gjatë gjithë jetës.

Parandalimi – Një mënyrë jetese e shëndetshme, aktiviteti fizik, ushqimi i balancuar, gjumi cilësor dhe menaxhimi i stresit janë faktorë kyç në parandalimin e çrregullimeve neurologjike.

Aksesi – Kujdesi neurologjik duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pa dallim statusi social apo ekonomik.

Ndikimi – Politikat globale për shëndetin e trurit duhet të përfshijnë parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e drejtë për çdo individ.

Në një botë ku sëmundjet neurologjike si demenca, epilepsia, sëmundja e Parkinsonit dhe goditjet cerebrale prekin miliona njerëz çdo vit, kjo ditë është një thirrje e fortë për më shumë vëmendje, edukim dhe investim në shëndetin e trurit./KultPlus.com

“Mirror”: Vizitoni qytetin e bukur evropian, Tiranën

By: Kult Plus
22 July 2025 at 10:05

Ekspertja e udhëtimeve Chelsea Dickenson është gjithmonë në kërkim të destinacioneve më pak të njohura.

Kohët e fundit, ajo zbuloi një qytet evropian të vendosur në Shqipëri – një destinacion i vlerësuar për vijën e tij bregdetare mahnitëse, shkruan Ellen Jenne në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

“Tirana, duhet të jetë në radarin e shumë turistëve, është vërtet interesante, sepse Shqipëria ka marrë shumë më tepër vëmendje për Rivierën e saj… Por, mendoj se kryeqyteti i saj, Tirana, është absolutisht i mrekullueshëm”, tha ajo.

E vendosur në zemër të Shqipërisë, Tirana është e rrethuar nga kodra dhe male, përfshirë Dajtin.
Qyteti u themelua nga një gjeneral etnik shqiptar dhe guvernator i Perandorisë Osmane në vitin 1614 dhe u bë një vend i pavarur në vitin 1912, pothuajse tre shekuj më vonë.

Tirana është vlerësuar si një parajsë për turistët që kërkojnë hapësira të gjelbra, me zona të shumta në natyrë për t’u çlodhur gjatë muajve me diell të verës.

Në Tiranë ekziston një kulturë kafenesh dhe restorantesh, kështu që ka kaq shumë vende në natyrë për t’u ulur. Gjithashtu mund të shijoni ëmbëlsira tradicionale për vetëm 45 qindarka.

Qyteti është plot me ëmbëlsira ballkanike, të tilla si kadaif, kompekaj dhe bakllava. Një specialitet tjetër për të provuar është byreku.

Një banor vendas i Tiranës ofroi disa këshilla mbi vendet më të mira të kuzhinës. “Kernace Zgare Fatosi” është vendi i preferuar për adhuruesit e qofteve, bukës dhe kosit.

Nëse dëshironi të provoni kuzhinën tradicionale shqiptare, shkoni në “Restorant GjinoKastra”.

Për disa eksplorime dhe atraksione kulturore, vizitoni Sheshin Skënderbej, Kalanë e Tiranës, Pazarin e Ri dhe Sofrën e Ariut.

Vizitoni zonën e Bllokut, për të shijuar një pije ndërsa shihni pamjet panoramike të qytetit, nga “Hotel Xheko Imperial”.

Një tjetër avantazh i vizitës në Tiranë?
Fluturimet ofrohen me çmime të ulëta. Kryeqyteti shqiptar renditet si një nga destinacionet e rralla ku mund të gjeni një fluturim vajtje-ardhje për afërsisht 40 paund gjatë sezonit më të qetë.
Një fluturim nga Londra me “Ryanair” në shtator mund t’ju kushtojë vetëm 15 paund vajtje-ardhje.
Gjithashtu, për një pushim treditor dhe dy netë në qytet do të shpenzoni vetëm 100 paund./atsh/

NewsBreak shkruan për Sunny Hill Festival: Muzika po rishkruan kufijtë dhe po ngritë Kosovën

By: Kult Plus
22 July 2025 at 09:50

Nga 1 deri më 3 gusht, në një kodër të gjelbër pranë Prishtinës zhvillohet edicioni i gjashtë i Sunny Hill Festival, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në Evropë që shkon përtej thjesht argëtimit, duke u kthyer në një lëvizje sociale me ndikim të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Në qendër të këtij edicioni qëndron rikthimi i Dua Lipës, ylli më i ndritur i Kosovës, e cila performon në vendin e saj si pjesë e “Radical Optimism Tour”, turneu më i suksesshëm i vitit me të ardhura që tejkalojnë 110 milionë dollarë. Kjo është shfaqja e saj e vetme në festivale në Evropë këtë sezon, duke rritur ndjeshëm prestigjin dhe ndikimin e Sunny Hill,raportojnë mediat e huaja, transmeton KultPlus.

Festivali nisi në vitin 2018 me një mision të veçantë: të vendosë Kosovën në hartat digjitale globale, pasi shumë platforma të mëdha për hartografi e kishin shpërfillur ose gabuar shfaqjen e shtetit të ri. Që atëherë, Sunny Hill është bërë një platformë e fuqishme për kauza humanitare dhe sociale, duke financuar ndërtimin e shkollave dhe ndihma për komunitetet e prekura nga fatkeqësitë.

Në vitet e fundit, festivali u kthye edhe në një zë për lëvizjen “Visa Free Kosovo”, duke ndihmuar në heqjen e vizave për qytetarët kosovarë drejt zonës Schengen në fillim të vitit 2024.

Me një park të dedikuar të ndërtuar në fshatin Bernicë dhe një kapacitet prej mbi 100,000 vizitorësh, Sunny Hill Festival sot është krahasuar me ngjarje të mëdha botërore si Coachella, jo vetëm për madhësinë, por edhe për ndikimin ekonomik dhe kulturor në rajon.

Sipas organizatorëve, festivali sjell në Prishtinë rreth 50 milionë euro të ardhura shtesë çdo vit, përmes turizmit dhe shpenzimeve të vizitorëve ndërkombëtarë, duke e kthyer kryeqytetin në një destinacion modern dhe dinamik europian.

Sunny Hill është më shumë se një festival muzikor është një motor i shpresës, zhvillimit dhe afirmimit të Kosovës në skenën botërore./KultPlus.com

❌
❌