Evropianët dhe britanikët janë aktualisht në duart e Donald Trump sa i përket çështjes së Ukrainës, dhe momenti i së vërtetës po afrohet.
Armëpushimi është hedhur poshtë, aq sa Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët në kontinent nuk e përmendin më fare në deklaratat e tyre, edhe pse deri para dy ditësh ishte një kërkesë thelbësore.
Por vendimi i presidentit amerikan ka qenë i qartë, dje në mëngjes, gjatë një telefonate herë pas here të tensionuar me Macron-in, Starmer-in, Merz-in, Meloni-n; sekretarin e NATO-s Rutte, Von der Leyen-in dhe Costa-n për BE-në; presidentin finlandez Stubb dhe atë polak Nawrocki, në vend të kryeministrit pro-evropian Tusk.
Mesa duket, Trump nuk e do më Tusk-un në bisedat transatlantike, duke preferuar në vend të tij presidentin “MAGA”, populist dhe mikun e tij.
Liderët evropianë përballë Trump-it
Në kryeqytetet evropiane dhe në NATO ka nisur të përhapet paniku. Së pari, bindja se Trump “i jep gjithmonë të drejtë atij që flet i fundit me të”, d.m.th. Putinit.
Pastaj, New York Times shkroi se presidenti amerikan ka ftuar edhe liderët evropianë, bashkë me Zelensky-n, në Uashington të hënën.
Deri mbrëmë, Starmer, Macron, Meloni dhe të tjerët po shqyrtonin dilemën. Lënia e Zelensky-t vetëm përballë Trump-it, në një rikthim të mundshëm të skenës në Zyrën Ovale të muajit shkurt, do të ishte një rrezik i madh. Sidomos, duke pasur parasysh se çfarë kërkesash ekstreme mund të bëjë Trump në emër të Putin-it, përfshirë dorëzimin e rajoneve të tëra si Donetsku apo njohjen e rusishtes si gjuhë zyrtare.
Për më tepër, tani që liderët evropianë janë të ftuar nga vetë Trump, mosprania e tyre do të ishte e dëmshme, duke qenë se ata vazhdojnë të deklarojnë se “asnjë paqe nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Ukrainës”. Për më tepër, një takim i mundshëm trepalësh Trump-Putin-Zelensky duhet të ndodhë në Evropë.
Por edhe liderët evropianë janë të ekspozuar ndaj të njëjtit rrezik si Zelensky, dhe nëse ndodh një përballje brenda Shtëpisë së Bardhë, kjo mund të çojë në një përçarje të rëndë mes vendeve perëndimore. Prandaj, po shqyrtohet mundësia që në Uashington të shkojë vetëm një përfaqësues evropian në emër të të gjithëve.
Optimizëm për fundin e luftës
Megjithatë, ka edhe optimizëm. Një lider zakonisht i kujdesshëm si Starmer tha: “Fundi i luftës në Ukrainë nuk ka qenë kurrë kaq pranë.”
Edhe liderët e tjerë evropianë, nga Merz te Stubb e deri te vetë Meloni, konfirmojnë: Trump ka dhënë miratimin për garanci sigurie për Kievin.
“Për çdo lloj marrëveshjeje,” shtoi Starmer.
Jo vetëm në drejtim të zgjerimit të mbrojtjes dhe ushtrisë ukrainase, por edhe në një formë të “nenit 5”, për mbrojtjen e Ukrainës.
Ukraina do të mbetet zyrtarisht jashtë NATO-s, por do të mbrohet nga aleatët, veçanërisht nga SHBA-të në rast sulmesh të ardhshme nga Moska.
Ky është një moment kyç edhe për të ashtuquajturën “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, të cilin Trump e ka përmendur në bisedat para samitit në Alaskë, dhe që tani duket se po bëhet realitet.
Jo vetëm kaq: në Anchorage, sipas burimeve të informuara në Londër, Putin ka dhënë miratimin e tij për praninë e trupave perëndimore në Ukrainë.
Nëse kjo është e vërtetë, do të përbënte një kthesë historike dhe një sukses për Starmer, Macron, Merz dhe dhjetëra vende të tjera të “të të vullnetshmëve”, që kërkojnë të menaxhojnë periudhën pas luftës në Ukrainë.
Evropa dhe plani për Ukrainën
Nuk është rastësi që dje, liderët e Koalicionit në një deklaratë të përbashkët ritheksuan bindjen se Ukraina duhet të anëtarësohet si në BE ashtu edhe në NATO.
Sot, ata do të zhvillojnë një video-konferencë për të përpunuar detajet përfundimtare të një plani që është përgatitur prej javësh, përpara një angazhimi të mundshëm të drejtpërdrejtë në terren me trupa perëndimore në Kiev. Këto forca me shumë mundësi nuk do të jenë një forcë paqeruajtëse e plotë ose e stacionuar në qytete dhe infrastrukturë, të paktën fillimisht.
Më shumë gjasa ka që të jenë trupa “siguruese”, që do të mbështesin forcat ukrainase dhe sidomos do të ofrojnë mbulim ajror. Sipas vetë anëtarëve të Koalicionit, përfshirë edhe Melonin, këto trupa do të kenë një “rol aktiv”.
Sepse një nga qëllimet kryesore të Koalicionit është kthimi i shpejtë në normalitet i Ukrainës, ose i asaj që do të mbetet prej saj pas kërkesave dhe copëtimit të imponuar nga Putin-i.
Një paqe që ndoshta nuk do të jetë e drejtë, siç kërkojnë evropianët, por që mund të jetë e qëndrueshme. / abcnews.al /