A do të bëhet relevante Evropa? Do të vazhdojë Zelensky gjatë në pushtet?
Intervistë me Ambasadorin Zef Mazi
Pyetje: Dëshiroj të flasim shkurt për disa aspekte të situatës gjeostrategjike. Shumë zhvillime po ndodhin. Si e shihni gjendjen aktuale të luftës në Ukrainë, edhe në kontekstin e planit të Presidentit Trump me ultimatumin 50-ditor ndaj Rusisë?
Përgjigje: Situata gjeopolitike në Evropë dhe në botë është në ndryshim të shpejtë dhe të paparashikueshëm. Zhvillimet e fundit të luftimeve në Ukrainë dhe politika e Presidentit Trump, kuptoj se konfirmojnë “vogëlsinë” e Evropës dhe parëndësinë në rritje të saj, pavarësisht sesi dhe sa fort ajo po lufton të paraqesë të kundërtën. Politika aktuale amerikane kundrejt Rusisë, Ukrainës dhe rolit të Evropës flet për paaftësi në Perëndim për të kuptuar mirë dhe për të pranuar, rrënjët, arsyet dhe realitetet e konfliktit. Ajo flet edhe për paaftësi për të parashikuar sa do të mund të zgjasë qeveria e Zelensky-t. Duket se ecet paralel me margjinalizimin ekonomik të Evropës. Këto kanë implikime të rëndësishme strategjike.
Trumpi ka kërcënuar Rusinë me ultimatum, si dhe Kinën dhe Brazilin. Ai i ka premtuar Ukrainës 17 sisteme të mbrojtjes me raketa Patriot. Ai ultimatum duket pa përmbajtje. Tani ultimatumi është ulur nga 50 në 10-12 ditë! Një imagjinatë më shumë fluturake e momentit. Ose do të dështojë ose, për të mos thënë se dështoi, do të gjendet një deus ex machina, një mënyrë ose një tjetër, që të ndryshohet, ose shtyhet, ose harrohet. Ai ka bërë thirrje që Evropa të blejë armë amerikane për të financuar luftën kundër Rusisë, ka kërcënuar me sanksione të tjera Kinën, Indinë dhe Brazilin që të mos blejnë naftë ruse për të parandaluar Rusinë të financojë luftën. Duket jorealiste, joefektive. Lidhur me dërgimin e sistemeve Patriot, ushtarakë me përvojë vënë në dyshim nëse ekziston kapaciteti për t’i dërguar Ukrainës 17 bateri të sistemit Patriot! Sistemet që u janë premtuar një vendi evropian mësohet se nuk arrijnë para 2026, kohë e gjatë. Ndërkohë Ukraina po shkatërrohet për hir të ambicjeve dhe objektivave të të tjerëve që e kanë bindur atë se mund te fitojë ndaj Rusisë. Lufta vazhdon pa arritur dicka substanciale, pa ndryshuar trajektoren e saj, pavarësisht ndihmave financiare dhe ushtarake.
Rusia është e qartë ka superioritet ushtarak. Ukraina ka vendosmëri, shpirt luftarak, qëndrueshmëri, vende-vende ndërmerr mjaft veprime të efektshme luftarake, ndërkohë që raportohet se ka mangësi të mëdha forcash ushtarake të trajnuara dhe të gatshme për luftë. Mjafton të shohësh vetëm një shifër prodhimi për të kuptuar se për çfarë raportesh bëhet fjalë: sipas raportimeve, mësohet se Rusia prodhon dhe fut në veprim rreth 1 mijë dronë në ditë. Kjo shifër kapërcen ndjeshëm të gjitha kapacitetet e Perëndimit për të furnizuar Ukrainën me dronë. Lufta në Ukrainë ka dështuar me të gjithë që janë përfshirë. Duket se presioni me vazhdimin e dërgesave të armatimeve dhe sanksionet e mëtejshme janë thjesht për konsum politik. Realisht nuk shoh si mund të sjellin përfitim strategjik.
Kërcënimi me sanksione ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë duket joefektiv. Do apo nuk do, është realitet i njohur se Rusia duket se është adaptuar me sanksionet tashmë prej 3 vitesh dhe nuk i bën më përshtypje. Kina, India dhe Brazili, shtylla në BRICS, nuk janë të gatshme të braktisin marrëdhëniet e tyre tregtare me Rusinë.
Synimi ndaj Rusisë, vecanërisht i flamurtarëve britanikë është mjaft i vjetër – të rrethohet Rusia në tërë periferinë e saj, nga balltikët, në Detin e Zi, në Euro-Azi, në Kaukaz me Azerbajxhanin që e nxisin të përplaset me Iranin, në Lindjen e Largme, kudo përreth kundër saj të krijohen pika presioni dhe tensioni për të izoluar dhe dobësuar Rusinë.
Kina jo vetëm nuk luajti fare vendi dhe qëndroi në mbështetje të Rusisë kur delegacioni i Unionit Evropian, kryesuar nga Presidenti i Këshillit, Antonio Kosta, në përbërje ishte edhe Ursula von der Leyen vizitoi Kinen. Xi Jinping raportohet se përgjysmoi kohën e caktuar për takimin. Kina ka premtuar dyfishim të mbështetjes për Rusinë. Ajo mban mirë parasysh dhe llogarit se konflikti në Ukrainë mund të ndikojë edhe ndaj interesave të saj ndaj Tajvanit. Brazili ka thënë: “Nëse nuk doni të bëni tregti me ne, ne nuk do të bëjmë tregti me ju”. India zor se do ta vinte në kandar dhe të sakrifikonte sovranitetin e saj me paparashikueshmërinë e politikave perëndimore.
Në prill 2025 Trump tha se do t’i vendoste sanksione të forta Kinës. Brenda 90 ditëve i hoqi pasi Kina iu përgjigj duke bllokuar eksportin e elementëve të rrallë (si Skandiumi, Ceriumi, Itriumi, Lantanumi) dhe atyre magnetikë që dëmtuan rëndë industrinë automobilistike amerikane. Kjo flet se Amerika nuk ka më levë presioni ndaj Kinës, këto sanksione vetëm dëmtojnë Perëndimin.
Pyetje: Përmendët edhe sesa do mund të qëndrojë qeveria e Zelenskyt. Diçka më konkrete?
Përgjigje: Hamendësoj se po punohet për ta larguar presidentin Zelensky. Sipas një raporti të gazetarit të famshëm investigativ amerikan, Seymour Hersh, Amerika po bën plan ta zëvendësojë Zelenskyn me një drejtues të ri për t’i hapur rrugën një armëpushimi edhe pa kushte, që Rusia nuk e pranon, dhe negociatave me Rusinë.
Nuk mund të përjashtohet edhe se ultimatumi kaq ditor mund të përdoret për ndryshimin e qeverisë. Rusët nuk do të ulen të bëjnë paqe me të. Ndoshta do të duhet një drejtim i ri që të pranonte kushtet tashmë e ashpërsuara dhe të diktuara nga Rusia. Mundësia e sjelljes në post të Zaluzhnit, ish-komandantit të forcave të armatosura ukrainase, prej afro dy vitesh ambasador i Ukrainës në Londër, zor se do të ishte i pranueshëm nga perspektiva dhe këndvështrimi rus, sepse ai është i lidhur me elemente ultranacionaliste dhe të ekstremit të djathtë. Nuk mund të kuptohet sot për sot se si do të jetë e ardhmja e Ukrainës.
Pyetje: Për t’iu kthyer Evropës, ka thënie të thekshme nga tre drejtuesit e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë. Shihni se mund të ketë efekt ajo që thonë ata?
Përgjigje: Evropa është ekonomikisht dhe ushtarakisht irelevante dhe e paaftë të adresojë sfidat e gjithëanëshme që paraqet konflikti në Ukrainë. Ndërsa bëhen përpjekje, ndonëse të vakta, ndoshta më intensive nëpërmjet kanaleve të tjera midis Amerikës dhe Rusisë, Macron, Starmer dhe Merz tingëllojnë luftënxitës të mëdhenj, deri në papërgjegjshmëri, që po i çojnë vendet e tyre drejt një sfilitje ekonomiko-shoqërore-ushtarake. Në këtë prizëm, nëse Gjermania dërrmohet, Evropa bie, ekonomia kolapson sepse është dërrmuar motori i saj. Tani qarkullojnë edhe fjalë se po mendohet për të prerë programet sociale për të bërë financime të papërgjegjshme ushtarake. A shihet ku po shkohet?!
Është habi sesi vendet evropiane, që kanë vuajtur nga pushtimi i tmerrshëm 80 vjet më parë, nuk protestojnë kundër kësaj retorike. Shoh përshkallëzim mjaft të rrezikshëm, dëgjohen edhe plane të NATO-s për të futur trupa në Kaliningrad, sipas gjeneralit amerikan Kris Donohue (ndoshta me dijeninë e qendrës derisa askush deri tani nuk e ka kundërshtuar atë deklaratë). Kaliningradi është territor i Federatës Ruse, një nga bazat e mëdha ruse midis Polonisë dhe Lituanisë, në Detin Balltik, vendosur që në marrëveshjen e Potsdamit. Kjo do të përbënte sulm ekzistencial kundër Rusisë dhe integritetit territorial të saj. Kjo mund të ndezë konflikt bërthamor. Luhet me zjarrin. A nuk shihet se bëhet fjalë për tmerr!?
Deklarata Veriore, me të cilën Franca dhe Britania e Madhe kërkojnë të zgjerojnë mbulimin bërthamor mbi Evropë, tingëllon jo e përgjegjshme, pavarësisht nga situata apo dobësia ushtarake evropiane. Unë nuk di se ka tregues të qartë që të provojnë se popullsitë në vendet e Evropës i kanë burimet dhe motivimin për luftë. Edhe ideja e “rekrutimit” duket si patentë për dështim; lufta moderne kërkon luftëtarë, ushtarë dhe vullnetarë tepër të mirëtrajnuar që sot duket se mungojnë. Rusofobia e skajshme në elitat evropiane të BE dhe roli negativ i mediave si bashkëfajtore, rreziku rus, rreziku rus, sulmi rus ndaj Evropës, etj., e ka bërë të pamundur të bëhen biseda serioze substanciale kudo në Evropë. Ky është realiteti i trishtë.
Dikur Evropa ka qenë qendra e forcës, sot ajo ka margjinalizuar veten duke ndjekur politika luftënxitëse dhe keqmenaxhim ekonomik. Evropa nuk mund të sjellë diçka substanciale në tryezë, nuk ka krenari kombëtare por një elitë politike globaliste, woke, që gjithnjë e më shumë i ka kthyer institucionet evropiane në autoritariste dhe jo aq demokratike sa thuhet.
Muajt e ardhshëm do të duket nëse strategjitë do të duhen adoptuar që të mund t’i përgjigjen realitetit duke i dhënë fund konfrontimit, duke u takuar, duke dëgjuar mendimet, arsyetimet, shqetësimet e njëri-tjetrit direkt. Ndryshe do të ecet si sonambul drejt buzës së greminës. Kur të mbarojë lufta, ajo duhet të mbarojë një herë e përgjithmonë. Duket se jetohet me fantazinë e vetëkrijuar. Situata Perëndim-Rusi është aq e rrezikshme sa fare lehtë mund të cojë në konfrontim të madh bërthamor që do na prekë të gjithëve në një Luftë të tretë Botërore që duket se ka filluar. Nuk duket se ka mbetur sadopak sens morali tek elitat politike! Bëhet fjalë për një carje dhe ndryshim të thellë. Nuk mund të vizatohet me ngjyra të bukura pamja dhe situata aktuale gjeostrategjike!
The post A do të bëhet relevante Evropa? Do të vazhdojë Zelensky gjatë në pushtet? first appeared on JavaNews.al.