Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka çelur ekspozitën “Origjina dhe Artizanati” që vjen me një koleksion objektesh me vlerë të lartë historike e estetike, përfshirë punime prej metalesh të rralla dhe aliazhesh dekorative.
Këto objekte, të cilat datojnë nga shekuj të ndryshëm, pasqyrojnë mjeshtërinë e artizanëve shqiptarë në punimin e metaleve dhe përdorimin e motiveve simbolike, të lidhura ngushtë me traditën kishtare dhe jetën shpirtërore të asaj kohe.
“Janë objektet e metalit, të ndryshme, metale të çmuara por edhe aliazhe të ndryshme. Vijnë nga format religjioze deri tek ato të përdorimit të përditshëm apo ato të zbukurimit. Kemi përzgjedhur rreth 40 objekte të cilat janë të ekspozuara”, u shpreh Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë mbetet një nga pikat më të vizituara të rajonit dhe një destinacion i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të prekin nga afër pasurinë shpirtërore dhe artistike të së kaluarës.
“Numri më i lartë i vizitorëve është pikërisht në sezonin veror dhe vendin e parë si vizitorët më të dedikuar janë ato francezë”, tha Prifti.
Ky Muze ka një fond të pasur prej gati 8 mijë objektesh të ndryshme, ku 6500 janë ikona, koleksion ky më i madhi në numër e më interesanti në vlera historike, fetare dhe artistike në Shqipëri e më gjerë, shkruan rtsh.
Këto ditë vere, koreografi i shquar me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, do të sjellë në skenë një nga krijimet e tij më të reja koreografike.
Vepra “Helikopter / Licht” është një balet që sfidon gravitetin përmes fuqisë së trupit, efekteve të dritës dhe muzikës bashkëkohore. “Helikopter / Licht” është një përjetim vizual dhe fizik që eksploron kufijtë e perceptimit, në një vepër që lëviz mes errësirës së kohës sonë dhe shpresës për rilindje.
Koreografi Preljocaj do ta vërë në skenën e Théâtre de l’Archevêché, në Aix-en-Provence (France), në datat 30 dhe 31 korrik 2025.
Angelin Preljocaj pak kohë më parë u pranua zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës. Ai ka lindur në Francë, më 19 janar 1957 dhe filloi të studionte baletin klasik përpara se t’i përkushtohej kërcimit bashkëkohor. Në dhjetor 1984 Preljocaj themeloi kompaninë e tij.
Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mirënjohur narrativë me pjesë më abstrakte./atsh/
Para dy vitesh, ka vdekur në moshën 84-vjeçare prof. dr. Ali Muka, studiues i njohur i arkitekturës popullore e veçanërisht i artit fshatar të ndërtimit.
“Trashëgimia kulturore dhe kultura shqiptare në përgjithësi humbën një studiues të vyer, që ia dedikoi gjithë jetën hulumtimit dhe dokumentimit të së bukurës shqiptare”, kishte shkruar ministrja Margariti për profesor Mukën, i cili do të lërë një vend bosh në radhët e studiuesve të palodhur.
Prof. dr. Ali Muka lindi më 10 dhjetor 1938 në Përmet. Pasi përfundoi shkollën e mesme profesionale (Teknikumin e Ndërtimit) në Tiranë me rezultate të larta, në shtator 1960 u dërgua për të studiuar në Universitetin e Bratislavës (Çekosllovaki), ku studioi vetëm një vit. Pas situatës së krijuar në vitet ’60, i vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Inxhinierisë (dega e Ndërtimit) nga shtatori i vitit 1961 deri në korrik 1966 dhe diplomohet si inxhinier për ndërtime qytetare.
Në vitin 1969 emërohet punonjës shkencor për studimin e kulturës materiale e veçanërisht të banesës tradicionale fshatare, pranë Institutit të Historisë e Gjuhësisë (IGJH), pjesë e Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që nga viti 1978 e derisa doli në pension në vitin 2008 ishte pjesë e Institutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në rolin e punonjësit shkencor.
Përgjatë veprimtarisë së tij shkencore për një periudhë gati 40-vjeçare, prof. Muka u shqua veçanërisht në fushën e gjurmimit, dokumentimit e studimit të arkitekturës popullore, me theks vendbanimet, ndërtimet dhe artin fshatar të ndërtimit. Bilanc i gjurmimeve mbi 30-vjeçare është materiali grafik, fotografik e përshkrimor, i depozituar në Arkivin Etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Falë kësaj veprimtarie të dendur në terren, duke filluar nga viti 1974 e në vazhdim, prof. Muka botoi mbi 140 artikuj në revistat periodike shkencore.
Në veprimtarinë e gjerë kërkimore shkencore dhe botuese të prof. Ali Mukës zënë vend të spikatur dy prej monografive më të rëndësishme në fushën e studimit të banesës tradicionale të zonave rurale shqiptare, siç është monografia (“Banesa fshatare dhe familja e madhe”, (2001) dhe “Ndërtimet tradicionale fshatare-monografi etnologjike” (2007).
Gjithashtu ai ka patur edhe një aktivitet pedagogjik si pedagog e lektor i jashtëm në universitetet shqiptare, duke i drejtuar studentët në ekspedita e praktika në terren apo edhe si udhëheqës i temave të tyre të diplomës. / KultPlus.com
Shkrimtari i njohur Stephen King në një intervistë për ”The Atlantic”, ndan disa këshilla ose, siç i quan ai, rregulla, për të gjithë krijuesit e rinj. Shumë prej tyre, më shumë sesa me shkrimin, kanë të bëjnë me ripunimin e tekstit.
Shkruaj për vete, më pas shqetësohu për lexuesit. Në fillim shkruaje historinë sikur po ia tregon vetes tënde. Më pas, gjatë ripunimit, hiq të gjitha pjesët që nuk kanë lidhje me përmbajtjen.
Shmangi ndajfoljet; nuk janë miq të mirë.
Mos u fikso pas gramatikës. Qëllimi i letërsisë nuk është korrektesa gramatikore, është ta mbajë lexuesin të interesuar.
Beso në vete. Jam i bindur se frika është arsyeja e letërsisë së dobët.
Lexo, lexo, lexo. Nëse nuk ke kohë të lexosh, nuk ke kohë të shkruash.
Mos u përpiq të kënaqësh të tjerët. Është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë.
Fike televizorin, është gjëja e fundit për të cilën ka nevojë një shkrimtar.
Ka dy sekrete për të qenë i suksesshëm, të paktën për mua: Jam i shëndetshëm dhe i martuar
Qëndroi besnik stilit tënd.
Pusho! Lexoje librin tënd pas 6 javësh. Do të jetë një eksperiencë interesante.
Mos përfshi në tekst pjesët e mërzitshme dhe… vriti personazhet e tu të dashur, gjithmonë.
Shkruaj për të qenë i lumtur. Mos shkruaj për para, për t’u bërë i famshëm, për të bërë miq apo për të zënë të dashur. Letërsia është magjike, ashtu siç është uji për jetën. Uji është falas. Pra, pi!
Mitrovica do të jetë nikoqire e një mbrëmjeje të veçantë kulturore, kushtuar ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj. Koncerti do të startojë në ora 20:00, në hapësirën e pikës kryesore të Interex në po këtë qytet.
Në mbrëmjen e tretë me radhë të festivalit, që do të mbahet në Mitrovicë, publiku do të ketë rastin të përjetojë magjinë dhe emocionin e këngës shqipe përmes interpretimeve të jashtëzakonshme të artistëve ndërkombëtarë dhe vendas: mezzosopranos së njohur egjiptiane Gala El Hadidi, Edona Reshitajt, Adhurim Grezdës dhe A R B Ë R E S H Ë. Artistët do të shoqërohen nga grupi muzikor “Gent Rushi Group”, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me nostalgji.
Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” kjo mbrëmje në Mitrovicë do të jetë një vijim i homazhit artistik për bilbilin e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, duke bashkuar breza të ndryshëm përreth një trashëgimie të përbashkët kulturore.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj do të vazhdojë rrugëtimin e tij artistik me mbrëmje të tjera në Prishtinë: 27 korrik, ora 13:30 |Educating the audience of the future (HyperActive, Prishtina Mall) 28 korrik, ora 20:30|Opera Night (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë); 29 korrik, ora 19:30| New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë); 30 korrik, ora 20:30| Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë);
Festivali do të kulmojë me Gala Mbrëmjen në Sheshin Skënderbeu, më 2 gusht, ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të operës botërore: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo, tenori ynë Rame Lahaj, nën tingujt e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli./KK/
Korça në verë është një ndjesi e freskët, e qetë, mbushur me aromë lulesh dhe kujtimesh.
Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe historia që ndihet në çdo hap e bëjnë këtë qytet gjithmonë të veçantë.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale pamje nga rrugicat karakteristike të “qytetit të serenatave”, me kalldrëmet e pastra, portat e vjetra që ia shtojnë hijeshinë dhe oborret plot lule që rrëfejnë për vëmendjen e korçarëve ndaj së bukurës. Ai e cilësoi Korçën, një qytet i cili përmirësohet çdo ditë, por pa humbur kurrë shpirtin që e bën kaq të dashur.
Pikërisht sot, në Korçë, nis aktiviteti i shumëpritur sidomos prej të rinjve, festivali i muzikës elektronike Lumina.
“Qyteti ynë bëhet skenë e ritmit dhe dritës, aty ku muzika elektronike takohet me natyrën, nën qiellin e hapur të Parkut Rinia”, shkroi Filo duke i rikujtuar korçarëve por edhe vizitorëve të shumtë, këtë ngjarje që do të zhvillohet për dy net rresht 25 dhe 26 korrik dhe ku hyrja do të jetë pa pagesë.
Me festivalin Lumina, Korça bëhet zemra e ritmit, dritës dhe magjisë, duke ftuar të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, për të përjetuar një atmosferë unike dhe për të zbuluar një tjetër dimension të Korçës./atsh/KultPlus.com
Kam dashur çdo grua pa masë, Në rrugë, në dhomë e kuzhinë, Madje dhe lart në tarracë, Ku ndejnë rroba e fshijnë. Në zënka s’kam sharë asnjë grua, S’kam shkruar keq në asnjë fletë. Do vdes. Do flasin gratë për mua: “Ky ishte poet i vërtetë”.
Peizazhe verore me sfond detin apo bregdetin me pisha! Figura njerëzore të zhytura në veprime të thjeshta të përditshmërisë: një përqafim, një përkëdhelje, lexim ose thjesht qëndrim në heshtje përballë horizontit e që lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat se me realitetin.
Kjo është ajo çfarë ofrojnë pikturat e artistit të ri Mario Shemaj në ekspozitën e parë të çelur prej tij në galerinë e Tiranës.
“Ka filluar për pasion: me peizazhe verore, ku në sfond janë deti e pishat, gradualisht duke i shtuar figura, që krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me natyrën e gati intime. Shumica e figurave janë të kthyera me kurriz, simbolikë intimiteti e një momenti melankolik e nostalgjik.”, – thotë Shemaj për “Report TV”.
Personazhet, njëherësh të njohur e të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit. Jo për t’u larguar por për të ruajtur intimitetin e brishtë të çastit. Kjo mosprezencë e drejtpërdrejtë krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.
“Nisën para katër vitesh me skica, me vizatime të thjeshta, me peizazhe. Vazhdimisht punoja, bëja dhe punë të tjera, por këto piktura, që ndërtoja në periudhën e verës, më vinin më të gëzueshme.”, – vëren artisti.
Sfondet janë të ndezura, të zhytura në dritë, ku qielli dhe deti shkrihen në një të vetme. Format katrore të telajos sjellin një ndjesi stabiliteti dhe ndaljeje, ndërsa loja delikate e kompozimeve dhe e ngjyrës përçon idenë e një kohe që nuk matet me sekonda, por me ndjenja. Një kohë pa kohë, ku gjithçka qëndron pezull, ashtu si flladi i një vere që nuk mbaron.
Më 25 korrik të vitit 1942, opera e mirënjohur e Verdit, “La Traviata”, u vu për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.
Operan e Giuseppe Verdi-t e solli kompania artistike italiane “Carro di Tespi Lirico”.
Në vitin 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). “Carro di Tespi Lirico” mbulonte operan dhe këngën lirike, ndërsa tri të tjerat vinin në skenë pjesë teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte, deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë, teatrin dhe operan lirike.
Me përjashtim të “La Traviata”, trupa Carro di Tespi Lirico dha edhe disa shfaqje të tjera në korrik të 1942. Me gjasë, kjo ishte hera e parë që një opera lirike vihej në skenë në Shqipëri. Skena u vendos në krye të Viale del Impero (sot “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”), në lartësinë ku sot ndodhet Sheshi “Nënë Tereza”./atsh/KultPlus.com
E themeluar në vitin 1475 me dekretin e Papa Sikstit IV të atëhershëm, kjo bibliotekë, e njohur sot si Biblioteka Apostolike e Vatikanit, përmban vepra të rëndësishme në shumë fusha dhe gjuhë të ndryshme.
Biblioteka Apostolike e Vatikanit, një nga bibliotekat më të vjetra në botë me një histori mbi 500-vjeçare, është një burim i rëndësishëm nga i cili studiuesit mund të përfitojnë me mbi 80.000 dorëshkrime, mbi 300.000 monedha dhe medalje, afërsisht 150.000 vepra vizuale dhe 2 milionë libra të lashtë dhe modernë të shtypur.
E vendosur në Qytetin e Vatikanit, një nga shtetet më të vogla në botë, dhe që strehon mijëra vepra nga shumë kultura, Biblioteka Apostolike e Vatikanit hapi dyert e saj për anëtarët e Shoqatës së Shtypit të Huaj në Romë, e cila përbëhet nga gazetarë që mbulojnë Italinë dhe Vatikanin, përfshirë një korrespondent të Agjencisë Anadolu.
Kur hedhim një vështrim në historinë e Kishës Katolike, shohim se papët bënë përpjekje për të krijuar biblioteka dhe arkiva që nga shekulli i 4-të pas erës sonë e tutje, por deri në shekullin e 13-të, këto arkiva dhe biblioteka ishin shpërndarë . Thuhet se shumë vepra u humbën për shkak të proceseve të tilla si zhvendosja e papatit në qendra të tjera përveç Romës për një kohë të caktuar.
E themeluar në vitin 1475 me dekretin e Papa Sikstit IV të atëhershëm, kjo bibliotekë, e njohur sot si Biblioteka Apostolike e Vatikanit, përmban vepra të rëndësishme në shumë fusha dhe gjuhë të ndryshme, jo vetëm në fe, por edhe në histori, drejtësi, filozofi, shkencë, teologji dhe letërsi.
Biblioteka, me një gjatësi totale raftesh prej 50 kilometrash, përmban një trashëgimi të rëndësishme kulturore që përbëhet nga 80 mijë dorëshkrime, mijëra libra të vjetër, 150 mijë pulla dhe vepra grafike, 150 mijë fotografi, 2 milionë libra të lashtë dhe modernë të shtypur, si dhe më shumë se 300 mijë monedha dhe medaljone./AA/
Ditën e tregut e ndesha shokun tim në tregtizë, Kur më pa syve të mallur i shpërtheu një dritzë e fytyra e mrrollur iu mbush me gaz, iu zgra, si dikur kur shkonim së bashku maleve me gja…
Na harrove – tha – s’të merr malli për ne në breg, burri s’vdes për së gjalli, pa i gjetur vetes shteg… E more rrugën e shkollës. Ani, të gjithë jemi krenuar, beso, që edhe ne kemi shkollar, që fëmijët tanë i mëso’…
Por ti na ktheve shpinën, u ndave prej votrës sonë e ne një vend në sofër për ty e kemi ruajtur gjithmonë. Sa herë dasma kemi ba ke qënë i thirrur me na pri’ e sa herë ka vdekë kush vajtorët kanë derdhur lot edhe për ty…
E di: rëndë po të flas. Por, për besë, s’e kam me sherr, s’e kam me gverr – dashuria e madhe shpirtin ta shtjerr… A e di kur ti këndoje e unë të përcillja me fyell – katundin e rritnim në melodi, i jepnim gaz, i jepnim diell?…
Mos e lë pa u ngjitur, dimrit na gjen në shtëpi, bukë kallamoqe kemi, untë s’të lëmë – këngën me përtëri…
ulur çdo ngarkesë e mbingarkesë në raportet e: miqësisë, shoqërisë, klasave a shtresave, pronave, jetës e vdekjes, kohëve;
fjalë që lodhin akademikët: mrollur, zgra, gverr;
rima të brendshme: Kur më pa syve të mallur i shpërtheu një dritzë e fytyra e mrrollur Na harrove – tha – s’të merr malli për ne në breg, burri s’vdes për së gjalli,
lojë e këndshme: unë të përcillja me fyell – (fiell) katundin e rritnim në melodi, i jepnim gaz, i jepnim diell?… ke qënë i thirrur me na pri’ e sa herë ka vdekë kush vajtorët kanë derdhur lot edhe për ty… (ti)
Kënga e thjeshtë është aq e thjeshtë sa thuhet por jo aq e thjeshtë sa duket.
Në zemër të Tetovës, nën ngjyrat kuqezi, u zhvillua një mbrëmje e veçantë kushtuar trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ansamblet kombëtare sollën në skenë disa nga perlat e folklorit, përballë një publiku entuziast që duartrokiti me emocion çdo këngë e valle.
Programi i kuruar me kujdes përçoi frymën e unitetit dhe krenarisë kombëtare, duke bashkuar shqiptarët përtej kufijve në një festë të gjallë me ritme, ngjyra dhe traditë./liberale/
Masat e nxehta dhe të fuqishme ajrore me origjinë nga Afrika Veriore janë fuqizuar sot më tej, duke ngritur vlerat maksimale deri në 39°C.
Këto masa pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditës së premte dhe sidomos të shtunën, kur temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 43 apo 44°C – duke thyer rekordin absolut të temperaturës më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Kosovë. Deri më tani, ky rekord mbahet nga vlera prej 42.0°C, e regjistruar më 24 korrik 2007 në Prizren, ndërsa më herët, po ashtu në Prizren, ishte regjistruar 40.8°C më 25 korrik 1987.
Bashkë me fuqizimin e këtyre masave ajrore, pritet të depërtojnë edhe koncentrime të larta të pluhurit saharian në atmosferë, të cilat mund të zbehin dukshmërinë, turbullojnë pamjen e qiellit dhe të ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit.
Gjatë pasdites së së shtunës, si pasojë e paqëndrueshmërisë së lartë në atmosferë, do të ketë zhvillime konvektive të vranësirave, të cilat në zona të caktuara pritet të sjellin rrebeshe të izoluara shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra mjaft të forta, lokalisht me shpejtësi deri në 80 km/h. Në kushte të pranisë së pluhurit saharian, këto reshje mund të marrin formën e reshjeve të baltës (“shi me baltë”), një fenomen i zakonshëm kur uji bie përmes shtresave të ngarkuara me pluhur.
Nga dita e diel, pritet depërtimi gradual i masave më të freskëta nga perëndimi i kontinentit. Si pasojë, temperaturat do të pësojnë ulje prej të paktën 6 deri në 10°C në nivel vendi. Moti do të karakterizohet nga intervale me diell dhe vranësira, ndërsa në disa zona të caktuara priten rrebeshe lokale shiu dhe disa shkarkesa rrufesh.
Në fillim të javës së ardhshme pritet ulje më e theksuar e temperaturave dhe shpeshtim i reshjeve, duke sjellë mot më të freskët dhe më të paqëndrueshëm në gjithë territorin. /MeteoKosova/
Kalaja e Bashtovës është gati të mirëpresë vizitorët, pas përfundimit të punimeve për konservimin dhe restaurimin e saj.
Ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore, i ndërtuar në shekullin XV nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e drithit, është restauruar përmes një sërë ndërhyrjesh të kujdesshme që synojnë ruajtjen e strukturës, zbulimin e historive të saj të fshehura dhe përshtatjen për një përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.
Mes shumë ndërhyrjeve të realizuara aty, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, renditi restaurimin e mureve dhe kullave, përmirësimin e aksesit dhe kushteve të sigurisë, kërkimet arkeologjike të detajuara, zhvillimin e një sistemi interpretues me multimedia interactive si dhe ngritjen e një qendre moderne për vizitorët.
Kjo ndërhyrje u realizua në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë një mesazh falënderimi për bashkatdhetarët gjatë pritjes së përvitshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë. Në postimin e tij, ai theksoi se ky është një moment i veçantë për të shprehur mirënjohjen ndaj atyre që kanë kontribuar për zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës.
Kurti nënvizoi se bashkatdhetarët janë mbështetje e vazhdueshme për projektet e ndryshme, duke i cilësuar ata si heronj që kanë ngritur zërin në mbrojtje të Kosovës, duke kontribuar në çdo hap të saj. Ai falënderoi ata për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm, duke theksuar se ky angazhim është i pazëvendësueshëm për përparimin e vendit, transmeton KultPlus
Pritja vjetore është një mundësi për të forcuar lidhjet dhe për të shprehur mirënjohjen për diasporën kosovare, e cila është një ndër faktorët kryesorë në zhvillimin e Kosovës, përmes mbështetjes dhe ndikimit të saj në nivel ndërkombëtar./KultPlus.com
Qyteti antik i Butrintit vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj edhe gjatë sezonit veror.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga turistët e shumtë që edhe në këto ditë të nxehta korriku zgjedhin të vizitojnë qytetin antik, që ndodhet 20 km larg Sarandës.
“Parku Kombëtar i Butrintit që zgjohet çdo ditë me zërat e vizitorëve që vijnë nga e gjithë bota për të prekur historinë dhe bukurinë”, shkruan Rama krahas pamjeve.
Ky park vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri. Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e turisëve nga vende të ndryshme të botës.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.
Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit./atsh/
Më 25 korrik 1997 u nda nga jeta Fahrie Hoti, një prej figurave më të shquara të volejbollit shqiptar. Mjeshtre e Merituar e Sportit, ajo la një gjurmë të thellë dhe të pashlyeshme në historinë e këtij sporti.
Fahrie Hoti u aktivizua që në moshë fare të re dhe për plot 18 vite luajti me skuadrën e volejbollit të “17 Nëntorit” të Tiranës, duke u bërë një nga ikonat e këtij ekipi dhe e volejbollit kombëtar në përgjithësi. Ajo ishte jo vetëm një lojtare e jashtëzakonshme, por edhe truri i skuadrës, duke i dhënë asaj një profil modern dhe dinamik.
U radhit krah volejbollisteve të mëdha si Ela Tase dhe Mimoza Ibrahimi, duke përfaqësuar denjësisht edhe Kombëtaren shqiptare në arenën ndërkombëtare. Sukseset e shumta të ekipit të “17 Nëntorit” janë të pandara nga emri i saj.
Në nder të kontributit dhe figurës së saj, salla sportive e Klubit Sportiv “Tirana” mban sot me krenari emrin Fahrie Hoti. /KultPlus.com
Rita Ora ka tërhequr vëmendjen gjatë pjesëmarrjes së saj në Gala-n e Verës nga Gala One në Saint-Tropez të enjten. Këngëtarja 34-vjeçare shkëlqeu në tapetin e kuq, duke pozuar me shumë elegancë dhe duke u bashkuar me emra të njohur si Jamie Foxx, Frida Aasen, dhe Kelly Rutherford në këtë ngjarje të shkëlqyer.
Rita ishte veshur me një fustan të zi midi, që theksonte trupin e saj të mrekullueshëm, dhe e kombinonte me taka të zeza. Ajo e kompletoi pamjen me taka të zeza dhe një çantë kadifeje, të qëndisur me lule vintage blu, shkruan daily mail
Kjo ngjarje erdhi disa ditë pasi Rita tregoi se si ndihej “e shëmtuar” në vitet e fundit të 20-ve për shkak të faktit se “nuk ishte aq e hollë si njerëzit e tjerë”. Këngëtarja foli për këtë temë në podcast-in “Happy Place” të Fearne Cotton, në bashkëpunim me Dove’s Self Esteem Project, duke ndarë mendimet e saj rreth besimit në trup.
Rita foli hapur për mënyrën se si është ndryshuar marrëdhënia e saj me trupin vitet e fundit dhe shpeshherë ndjente se trupi i saj nuk ishte “atraktiv”. Ajo tha:
“Unë mendoj se për mua, për të dukur në një mënyrë të caktuar filloi të më rëndonte kur isha në fund të 20-ve, ka filluar të më godasë atëherë, sepse qëndroja pa energji, nuk po kujdesesha për trupin tim, po sëmuresha shpesh dhe nuk ndihesha si trupi im të ishte i nxehtë,” shpjegoi Rita.
Ky rrëfim i saj ndihmoi shumë individë të reflektojnë mbi marrëdhënien e tyre me trupin dhe të kuptojnë se besimi në trup është një proces i vazhdueshëm dhe personal./KultPlus.com
Drejtoresha e Burimeve Njerëzore të “Astronomer”, Kristin Cabot, ka dhënë dorëheqjen nga pozita e saj pas një incidenti të papritur që ndodhi në një koncert të Coldplay, ku ajo u filmua duke përqafuar ish-CEO-n e kompanisë, Andy Byron. Pamjet u kapën nga kamera e famshme “kiss cam”, e cila transmetoi momentin në ekranin e koncertit, duke shkaktuar një situatë të sikletshme për të dy personat, pasi ata përpiqeshin të fshiheshin pas incidentit.
Dorëheqja e Kristin Cabot vjen menjëherë pas largimit të Andy Byron, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi kompania njoftoi se ai do të pezullohej dhe hetohej për shkak të disa çështjeve të brendshme, transmeton Daily Mail.
Në video, shfaqet Cabot dhe Byron duke përqafuar njëri-tjetrin, përpara se të kuptonin se po transmetoheshin përpara një audience të madhe, duke nxitur një reagim të menjëhershëm nga Chris Martin, vokalisti i Coldplay, i cili komentoi me humor: “Oh, shikoni këta të dy.” Publikumet shpërthyen në të qeshura, ndërsa Martin vazhdoi: “Ose janë në lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”
Incidenti shpejt u përhap në rrjetet sociale, duke u bërë objekt i meme-ve dhe ironiave online, duke shkaktuar shumë diskutime dhe komente lidhur me sjelljen e dy figurave të larta të kompanisë. Pas largimit të Byron dhe dorëheqjes së Cabot, ngjarja ka ngritur pyetje për kulturën dhe etikën brenda kompanisë “Astronomer”, ndërkohë që shumë po shikojnë me interes se si do të zhvillohen hetimet dhe çfarë do të ndodhë me të ardhmen e kompanisë./KultPlus.com