TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.
Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.
Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.
Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka çelur ekspozitën “Origjina dhe Artizanati” që vjen me një koleksion objektesh me vlerë të lartë historike e estetike, përfshirë punime prej metalesh të rralla dhe aliazhesh dekorative.
Këto objekte, të cilat datojnë nga shekuj të ndryshëm, pasqyrojnë mjeshtërinë e artizanëve shqiptarë në punimin e metaleve dhe përdorimin e motiveve simbolike, të lidhura ngushtë me traditën kishtare dhe jetën shpirtërore të asaj kohe.
“Janë objektet e metalit, të ndryshme, metale të çmuara por edhe aliazhe të ndryshme. Vijnë nga format religjioze deri tek ato të përdorimit të përditshëm apo ato të zbukurimit. Kemi përzgjedhur rreth 40 objekte të cilat janë të ekspozuara”, u shpreh Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë mbetet një nga pikat më të vizituara të rajonit dhe një destinacion i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të prekin nga afër pasurinë shpirtërore dhe artistike të së kaluarës.
“Numri më i lartë i vizitorëve është pikërisht në sezonin veror dhe vendin e parë si vizitorët më të dedikuar janë ato francezë”, tha Prifti.
Ky Muze ka një fond të pasur prej gati 8 mijë objektesh të ndryshme, ku 6500 janë ikona, koleksion ky më i madhi në numër e më interesanti në vlera historike, fetare dhe artistike në Shqipëri e më gjerë, shkruan rtsh.
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ekspozita lëvizëse “Your Lens. Your Story. Our Europe!” mbërriti sot në Shtëpinë e Europës në Tiranë, pas ndalesave në Beograd, Podgoricë dhe Shkup.
E konceptuar nga programi WeBalkans, i financuar nga BE, ekspozita sjell 18 fotografi nga të rinj të talentuar nga i gjithë rajoni, duke përdorur sportin për të nxjerrë në pah qëndrueshmërinë, përfshirjen dhe vlerat e përbashkëta që lidhin Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian.
“Me fotografitë e tyre, të rinjtë nga Shqipëria dhe rajoni tregojnë llojin e Evropës që ata duan, dhe rrëfejnë diçka me të vërtetë të fuqishme: idenë se Evropa nuk është vetëm hapësirë gjeografike, por një bashkësi vlerash”, u shpreh Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Ekspozita është e hapur për publikun për t’u vizituar në Shtëpinë e Europës deri më 29 korrik.
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Biblioteka Kombëtare bëri të ditur se ekspozita e saj titulluar “Kujtesa e Mesdheut”, do të qëndrojë e hapur edhe një javë më shumë se afati fillestar.
Duke parë interesin e shtuar të grupeve të vizitorëve, vendas e të huaj, BK vendosi ta lërë të hapur edhe për 1 javë. Deri më tani ekspozita “Kujtesa e Mesdheut” është parë nga 2600 vizitorë, në një muaj, 9 mijë prej të cilëve janë të huaj.
“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.
Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.
E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe.
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Tirana Art Lab do të çelë në Pogradec një ekspozitë të veçantë e cila bën bashkë 9 artistë të arteve pamore.
“Ekspozita Performative #5 – Lyhnida – Liqeni i Dritës”, është një projekt që sjell në Pogradec një rezidencë kërkimore njëjavore e cila do të kulmojë me prodhimin e veprave të reja artistike dhe një ekspozitë publike në galerinë e arteve të këtij qyteti.
Projekti bën bashkë artistë, kuratorë dhe aktivistë: Bora Baboçi, Adela Demetja, Genc Kadriu, Denisa Kasa, Anastas Kostandini, Ledia Kostandini, Mariana Kostandini, Fabio Toska, Ilir Tsouko.
Projekti fokusohet në liqenin e Ohrit, liqenin më të vjetër natyror në Evropë (me një moshë të vlerësuar rreth 4 milionë vjet) dhe një nga më të vjetrit në botë, duke nxjerrë në pah vlerat e tij natyrore dhe kulturore duke trajtuar gjithashtu rreziqet që kërcënojnë këtë ekosistem unik. Përmes një qasjeje inovative, projekti kombinon rezidencën e artistit, krijimin e veprave të reja dhe një prezantim publik për të promovuar praktikat e qëndrueshme artistike dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e këtij ekosistemi të mbrojtur nga UNESCO.
Emri i projektit i referohet Lychnidos (gjithashtu shkruhet Lyhnida ose Lychnida), emri i lashtë i qytetit të Ohrit, tani në Maqedoninë e Veriut. Fjala Lychnidos rrjedh nga greqishtja lychnos, që do të thotë “llambë” ose “dritë”, duke iu referuar qartësisë dhe shkëlqimit të liqenit të Ohrit, pranë të cilit ndodhet qyteti.
“Ekspozita Performative” është një format i krijuar nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, që synon zbërthimin e formatit të ekspozitës dhe bërjen publike të proceseve artistike dhe kuratoriale nëpërmjet performancës. Ky koncept synon të përfshijë mjetet dhe kushtet e prodhimit artistik përtej vetë ngjarjes së ekspozitës, duke propozuar mënyra të reja ekspozimi dhe pune së bashku.
Projekti do të inaugurohet më 26 korrik, por për publikun do të jetë i vizitueshëm prej datës 27 korrik deri më 5 gusht në Galerinë e Artit Pogradec. Ky projekt ka gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /j.p/
Nga Liridon Mulaj- Që nga hartat etnografike, të krijuara me materiale tekstile, tek dokumentarët e kohës së diktaturës e deri tek poezitë apo videoartet mbi Çamërinë dhe kujtesën, Vila 31 për të dytën herë brenda vitit shndërrohet në një galeri të artit pamor.
Nga një dhomë në tjetrën dhe nga një holl në tjetrin, teksa vila përshkohet nëpërmjet korridoreve të mëdha e me dritë të ish-vilës së diktatorit, të shfaqen instalacione dhe ekrane të mëdha që shfaqin video dhe zëra të cilët nëpërmjet imazhit audioviziv përpiqen të jenë pjesë integrale e ambienteve të asaj shtëpie, në të cilën për shumë vite me radhë, diktatori jetoi vitet kulminante të jetës dhe pushtetit të tij.
Ky fakt duket sikur te artistët krijon një lloj makthi psikologjik, sidomos tek artistët e rinj shqiptarë, të cilët edhe pse nuk e kanë jetuar atë kohë dhe dinë shumë pak për diktatorin, rrëfenjat e prindërve apo edhe gjyshëve ua kanë rrëfyer deri diku tmerrin e diktaturës.
Këtë fakt e cek edhe artisti shkodran Kajro Urovi, i cili studion fotografi në Londër. I lindur në Itali dhe i zhvendosur në Londër në moshën 14-vjeçare, ai thotë për GazetaSi.al se si reagoi gjyshja e tij shkodrane kur mori vesh se nipi i saj do të flinte në vilën e ish-diktatorit.
“Gjyshja u habit shumë kur i thashë se do të flija për tre muaj në shtëpinë e Enver Hoxhës. Ajo më ka rrëfyer herët historinë e saj personale në komunizëm. Por për kontekstin për të cilin unë gjendem këtu, gjërat janë paksa ndryshe sot.”
Urovi thotë se puna e tij artistike ka lidhje me objektet e gjetura përreth vilës nga kopshtari i saj në vitet e diktaturës. Diçka që e shtyu atë drejt njohjes së diktatorit në një kontekst tjetër, atë të kohës së tij.
Kajro Urovi
“Objektet që unë kam ekspozuar janë disa objekte të cilat kopshtari që punonte këtu në vitet ’80 i ka gjetur në ambientet përreth dhe i ka ruajtur deri më sot. Në ekran mandej kam shfaqur intervistën e kopshtarit Bajram Hysaj, i cili rrëfen për kohën dhe vendin ku i gjeti objektet. E gjithashtu ai rrëfen për kohën kur punonte si kopshtar dhe ndante ditën e tij me familjen e diktatorit”, thotë Urovi.
Kajro, i cili jeton në dhomën ku dikur jetonte Nexhmije Hoxha, thotë se rrëfimi i kopshtarit ka qenë interesant, por dhe e kuriozonte për të kuptuar më mirë kontekstin e kohës kur vila ka qenë në funksion.
Por në vilë ka edhe punë artistike të cilat kërkojnë të rikthejnë sërish vëmendjen nga çështje të rëndësishme kombëtare, siç është edhe Çamëria, një çështje e pazgjidhur prej thuajse 80-vitesh. Artistja çame, Erdiola Kanda Mustafaj, e cila jetën e saj e ndan mes Italisë dhe Francës, thotë për GazetaSi.al se rikthimi te rrënjët nëpërmjet punës së saj me titull “Kthim nga Çamëria” dhe qasja të cilën ajo ka për vendlindjen e paraardhësve, vjen në një tjetër prizëm, në të cilin nuk është trajtuar më parë: nëpërmjet artit pamor, instalacionit, poezisë dhe dokumenteve që dëshmojnë për kohën.
“Pika e rëndësishme prej së cilës jam nisur është prejardhja ime çame. Unë e nisa këtë studim për të sjellë një narracion ndryshe, parë nga narracioni shqiptar por edhe ai grek, të cilin nuk kam arritur ta gjej, pra nuk ekziston. Unë besoj se nëpërmjet poezisë, për shembull, mund të krijosh një lidhje më të fortë dhe shpirtërore me kohë të largëta.
Duke qenë tashmë brezi i tretë i çamëve të shpërngulur, ajo nuk beson më në zgjidhjen e çështjes. Por beson se nëpërmjet artit pamor mund të sjellë më shumë dritë dhe një perspektivë të re.
“Unë i përkas brezit të tretë të çamëve të zhvendosur nga Çamëria. Historitë janë të largëta dhe, të jem e sinqertë, nuk besoj më se kjo çështje do të zgjidhet. Por besoj se mund të sjellim një dritë në tërë këtë histori. Unë besoj se arti pamor është një gjuhë e re të cilën ne po e mësojmë prej viteve të fundit, sidomos në Shqipëri. Është një instrument ose një tjetër gjuhë e cila ndihmon të risjellim kujtesën në fokus.”
Erdiola, e cila jetën e saj e ndan mes Francës dhe Italisë, thotë se është shumë e inspiruar nga jetesa në vilën e Enverit por dhe nga Shqipëria.
Erdiola Kanda Mustafaj, Anne Bourrassé
“Ndryshe nga vendet e tjera të Europës ku informacioni gjendet kollaj dhe kudo, në Shqipëri duhen kontakte dhe kjo është shumë interesante. Unë besoj se Shqipëria do të jetë tashmë një nga destinacionet e mia kryesore të aplikimit të artit tim, i cili ka si qëllim memorien dhe kujtesën kolektive. Historia shqiptare më nxit shumë mendim dhe reflektim”, përfundon Erdiola.
Në pritje të artistëve të rinj për një tjetër fazë krijimi dhe njohjeje me historinë e Vilës 31, por dhe të Shqipërisë në tërësi, shtëpia ku dikur jetonte Enver Hoxha duket sikur ngadalë po bie në hullinë e asaj që kryeministri Rama deklaroi në ceremoninë hapëse të rezidencës: “Se në këtë vilë do të bëjmë gjithçka të cilën diktatori nuk e bëri dot.”
Përtej fjalëve dhe premtimeve, në Vilën 31 sot bëhet art nga një brez i cili padyshim sjell për publikun shqiptar një qasje të re dhe një kontekst të ri të asaj çka mbetet nga kujtesa e trishtë e një vendi të vuajtur si Shqipëria.
TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ndau me publikun imazhe nga “vernissage” i ekspozitës “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.
Vernissage janë vizitat private në një galeri përpara hapjes së një ekspozite ndaj publikut të gjerë.
Kuratorja Kim Knoppers shoqëroi përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore në ekspozitë: Néprajzi Múzeum, Ambasada e Hungarisë në Tiranë, Ambasada e Holandës në Shqipëri, Bashkia Shkodër etj.
Mbas fjalëve përshëndetësë të drejtorit të Muzeut të Etnografisë së Budapestit, dr. Lajos Kemecsi, Ambasadores së Hungarisë në Tiranë, Martina Kasnyik, Ambasadorit të Holandës në Tiranë, Reinout Vos, dizajnerit të tekstileve, Jozef Martini, kuratorja Kim Knoppers i shoqëroi të pranishmit në një shëtitje vizuale në Pazarin e Vjetër të Shkodrës.
Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.
TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Galeria e Artit Tiranë ka përgatitur një ekspozitë vetjake të artistit Mario Shemaj, me titull “Fllad vere” (Summer breeze).
Ekspozita do të sjellë pranë publikut një cikël punimesh të krijuara në periudha të ndryshme, ku figurat njerëzore, të zhytyra në akte të thjeshta të përditshmërisë, lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat sesa me realitetin.
Personazhet, njëherësh të njohur dhe të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit, me një mungesë pranie të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë paraqitjeje e personazheve krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj (21 korrik-20 gusht) dhe mund të vizitohet nga e hëna në të premte. /j.p/
Nga Gazeta “SI”- Në fundjavë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hap dyert për ekspozitën më të re: “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”. Një udhëtim në kohë që rikthen në vëmendje një nga hapësirat më të gjalla të qytetit dikur, pazarin e famshëm të Shkodrës.
Për herë të parë, publiku shqiptar do të mund të shohë nga afër koleksionin e tregtarit Palokë Laca, një figurë e njohur e jetës ekonomike të qytetit. Artefaktet e tij, që prej vitesh ruhen në arkivën e Muzeut të Etnografisë në Budapest, ekspozohen tashmë në vendlindjen e tyre.
“Palok Laca është marrë me tregti, thjesht i ka trashëguar këto. Kishte kontakte me familje të nivelit të lartë. Ka një hollësi të madhe të koleksionimit sepse janë shumë të bukura”, thotë një nga kuratorët, duke hedhur dritë mbi rrënjët e këtij thesari të çmuar që dëshmon për një shije të rafinuar.
Ekspozita synon të rindërtojë përmes imazhit dhe sendit jetën shumëdimensionale të pazarit shkodran, një nyje ku ndërthureshin kultura, zeje, tregti dhe identitet vendor.
Një hapësirë të veçantë zë gjithashtu edhe puna e dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një interpretim bashkëkohor të motiveve tradicionale përmes tekstileve të punuara në jacquard. Martini, i njohur ndërkombëtarisht për bashkëpunimet me emra të mëdhenj të modës si Fendi dhe Versace, është një prej krijuesve shqiptarë që ka arritur të veshë yje botërorë, një ndër to këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa.
TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, hapën mbrëmë ekspozitën “Armiku i jashtëm” me kurator Bashkim Shehun.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur përfytyrimet se si mund të ishte “armiku i jashtëm” nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike “Hosteni” përgjatë viteve të diktaturës 1945-1990.
Ekspozita është një kujtesë vizuale dhe kulturore për mekanizmat e propagandës së kohës. Vendet zyrtarisht mike të Shqipërisë pakësoheshin kohë mbas kohe duke u shndërruar menjëherë në vende armike në një proces që solli vetizolimin total të vendit.
Në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës në COD, krahas kuratorit Bashkim Shehu, ndanë reflektime dhe kujtime për rolin e “Hostenit” në jetën publike të kohës edhe Zhani Ciko dhe Përparim Kalo, duke sjellë një pasqyrë të gjallë të kontekstit historik dhe kulturor të atyre viteve.
Ekspozita do të qëndrojë e çelur për publikun deri më datën 23 gusht. /j.p/
TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit u çel ekspozita “Nënqyteti” e piktorit Anastas Kostandini.
Ekspozita sjell për publikun 31 vizatime si një hartë poetike të Pogradecit, me vende të harruara, të zhdukura apo të transformuara. Ekspozita është një projekt mes Anastas Kostandinit, i njohur si Taso dhe vajzës së tij Ledias, e cila këto punime i ka transformuar në QR kode të vendosura nëpër qytet, pikërisht në zonat ku janë bërë vizatimet dhe që tregojnë godina, objekte dhe zona historike.
Pogradecarët e përjetuan këtë ekspozitë si një udhëtim emocional dhe artistik në thellësinë e identitetit qytetar.
“Nënqyteti” është një projekt artistik që zbulon shtresat e fshehura dhe të harruara të qytetit të Pogradecit, por që mbeten të gjalla në kujtesën e banorëve dhe në identitetin e territorit. Kjo ekspozitë u realizua si iniciativë e COSV Albania në kuadër të ndërhyrjeve të realizuara në dobi të territorit dhe komunitetit në rajonin e Pogradecit, të mbështetura nga projekti “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS Tirana). /j.p/
TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Turistë të huaj e vendas, fëmijë e të rritur kanë vizituar përgjatë javës që lamë pas ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut”, nga koleksionet e Bibliotekës Kombëtare.
Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.
E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe.
“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 korrik, nga ora 9:00 deri në 20:00.
TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Parku Arkeologjik i Apolonisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe Qendra Muzeore Durrës prezantuan ekspozitën fotografike mbi aspektet më të spikatura të zhvillimeve arkeologjike, tregtare dhe ekonomike të dy qyteteve antike, Apoloni dhe Dyrrah.
Kjo ekspozitë e hapur në mjediset e Parkut Arkeologjik të Apolonisë vjen si një histori e rrëfyer përmes monedhave, që nga antikiteti deri në ditët e sotme.
“Monedha në këtë qytet është e lidhur me financimin e veprimeve ushtarake, me luftën. Stateri pritej për të paguar mercenarët dhe për të financuar veprimet ushtarake. Më pas, drahmja u pre për tregtinë, sepse u zhvilluan edhe qytete të tjera ilire, tregje rajonale, dhe për këtë arsye priten më shumë monedha, u zhvillua më shumë tregtia dhe pati më shumë qarkullim monetar”, u shpreh Alba Selita, eksperte e numizmatikës.
Prerja e monedhave daton që në shekujt VII–VI para erës sonë, në Dyrrah dhe Apoloni, duke dëshmuar për një zhvillim të fortë ekonomik të këtyre vendeve në atë periudhë.
“Ishte një monedhë shumë e fortë dhe mendoj që vazhdon të mbetet e tillë. Edhe në periudhën kur i gjithë territori i Ilirisë kthehet në një domein të Perandorisë Romake, qyteti i Apolonisë mbetet i lirë dhe i pavarur, ndryshe nga qytetet e tjera që kthehen në koloni, dhe vazhdojnë akoma të përdorin monedhën e tyre brenda territorit me shkëmbimet që kishin, pavarësisht se monedha kryesore në atë kohë ishte ajo romake”, tha për mediet Ornela Dyrmishi, drejtore e Parkut Arkeologjik, Apoloni.
Çelja e një ekspozite të tillë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ka për synim tërheqjen e vizitorëve dhe njohjen e të huajve me zhvillimin në kohën ilire, monedhat e të cilëve janë gjetur edhe në vende të tjera, si në Maqedoninë e Lashtë, Itali, Greqi, Azi të Vogël dhe Egjipt, si rezultat i shkëmbimeve tregtare. /j.p/
Në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare, Arkivi i Shtetit në Bari, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.
Ekspozita paraqet një ndërthurje të dokumenteve origjinale dhe materialeve të digjitalizuara, që hedhin dritë mbi kontributin e Gurakuqit në formësimin e shtetit shqiptar, nga Rilindja Kombëtare deri në përfshirjen e tij në jetën politike, kulturore dhe institucionale të vendit.
Ky aktivitet është pjesë e një serie të ngjeshur ngjarjesh që DPA ka zhvilluar në Itali, përfshirë Konferencën IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër, vizitën në komunitete arbëreshe në Kalabri dhe Pulja, si dhe bashkëpunime me institucione si Universiteti i Kalabrisë, Dioqeza e Rosanos dhe Arkivi i Barit.
Përmes kësaj ekspozite, Gurakuqi nuk përkujtohet vetëm si një figurë historike, por si një simbol i lidhjes së fortë kulturore e historike midis Shqipërisë dhe Italisë./atsh/ KultPlus.com
TIRANË, 16 qershor/ATSH/ “Kujtesa e Mesdheut – Nga Antikiteti në Kohët Moderne” është ekspozita e cila do të çelet në Bibliotekën Kombëtare, me mbi 700 vepra origjinale, libra, dorëshkrime, harta dhe gravura nga shek. XIV-XIX, që pasqyrojnë trashëgiminë e pasur mesdhetare.
Ekspozita do të çelet në 18 qershor dhe do të prezantojë për publikun një pjesë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot këtë ekspozitë, si një dritare unike drejt historisë sonë të përbashkët.
“Nga Homeri, Aristoteli dhe Plutarku, tek hartat osmane dhe veprat veneciane, nga besimet monoteiste tek udhëtarët dhe gjeografët e mëdhenj, kjo ekspozitë është një dritare unike drejt historisë sonë të përbashkët”, u shpreh Rama.
Ekspozita organizohet në kuadër të aktiviteteve për shpalljen e Tiranës, Kryeqytet Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut 2025.
Ajo do të çelet në 18 qershor në bibliotekën Kombëtare dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 18 korrik.
Nga Samantha De Martin – Një figurë mashkullore, kallëp i trupit të vetë artistit, mban mbi supe një çati të përmbysur në formë krahësh, duke evokuar idenë e një njerëzimi të pezulluar mes transhendencës dhe pasigurisë. Qenia njerëzore shndërrohet në udhëtar, protagonist i një rrugëtimi të detyruar dhe dramatik të atyre që detyrohen të braktisin tokën e tyre.
Për ngjarjen e dytë në hapësirën Conciliazione 5 , projekt arti bashkëkohor i promovuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Edukimin i Vatikanit, i konceptuar me rastin e Jubileut 2025 dhe i kuruar nga Cristiana Perrella për vitin e parë , Adrian Paci sjell veprën skulpturore Home to Go (2001), duke përqendruar vëmendjen në fuqinë transformuese të udhëtimit, e aftë të prodhojë imazhe të fuqishme dhe sugjestive.
E ekspozuar në një window gallery të dukshme 24 orë në ditë, përgjatë rrugës via della Conciliazione, vetëm pak hapa nga Sheshi i Shën Pjetrit, kjo vepër ndërvepron me shenjtërinë e vendit përmes referencave të saj ndaj ikonografisë së Krishterë të Pasionit. Një motiv shpesh i pranishëm në rrugëtimin artistik të Pacit, që nga Cappella Pasolini (2005) deri te Via Crucis (2011) për kishën e Shën Bartolomeut në Milano. Skulptura Home to Go përshkon itinerarin e pelegrinëve drejt Shën Pjetrit dhe Portës së Shenjtë, duke i dhënë një kuptim të dyfishtë, shpirtëror dhe estetik këtij udhëtimi.
No Man is an Island – Ndërthurja mes kujtesës dhe valëve
No Man is an Island është titulli i projektit që përfshin Home to Go, por që shtrihet edhe pak metra më tutje nga via della Conciliazione, me instalacionin video The bell tolls upon the waves (2024), vendosur nga Paci në Corsie Sistine të Kompleksit Monumental Santo Spirito in Sassia.
Ky vend i lashtë shërimi dhe mikpritjeje daton që nga viti 727 pas Krishtit, kur mbreti sasone Ina themeloi Schola Saxonum për pelegrinët që vinin drejt Varrit të Shën Pjetrit.
Instalacioni i ri është prodhuar nga Fondazione Giorgio Pace dhe ekspozohet për herë të parë në Itali. Ai frymëzohet nga një ngjarje reale. Në vitin 1566 në Termoli, gjatë një sulmi turk, grabitësit përpiqen të vjedhin Kambanën e Shën Katerinës, që përdorej për të paralajmëruar detarët në rast rreziku. Por gjatë transportimit, kambana bie në det dhe fundos anijen mbi të cilën ndodhej. Duke risjellë këtë ngjarje, Paci krijon një kambanë të re mbi një platformë në detin përballë Termolit, si për të rikthyer simbolikisht kambanën historike nga thellësitë. E gjithë kjo ndërhyrje dokumentohet përmes një videoje ku tingujt e kambanës krijohen nga vetë lëvizjet e valëve, herë të buta, herë të dhunshme.
The bell tolls upon the waves, me ngarkesën e saj të thellë simbolike, flet për humbjen, por njëkohësisht edhe për praninë shpirtërore dhe kujtimin. Rezonanca e saj theksohet nga konteksti historik i vendosjes, duke krijuar një marrëdhënie poetike midis një vepre të hershme që e bëri të njohur artistin dhe kësaj krijimtarie të re. Kështu, Paci vazhdon të ndërtojë një tregim të qëndrueshëm përmes kujtesës personale, shpirtërores dhe shqetësimeve universale të kohës sonë.
Një titull që kumbon në shpirtin e njerëzimit
Titulli i ekspozitës No Man is an Island eshtë një citat nga poeti anglez i shekullit të XVII, John Donne, marrë nga Meditation XVII (Devotions Upon Emergent Occasions, 1624):
“Asnjë njeri nuk është një ishull, i tërë në vetvete; çdo njeri është një pjesë e kontinentit, një pjesë e tërësisë (…) vdekja e çdo njeriu më zvogëlon mua, sepse jam pjesë e njerëzimit; prandaj, mos pyet për kë bie kambana; ajo bie për ty.”
Ky mesazh për përkatësinë e përbashkët dhe përgjegjësinë e ndërsjelltë përbën thelbin e Jubileut dhe të gjithë programit të Conciliazione 5, që, siç ka theksuar Kardinali José Tolentino de Mendonça, Prefekt i Dikasterit, synon të jetë një hapësirë e hapur për shpirtëroren, mendimin kritik dhe fuqinë transformuese të artit.
TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Ditën e djeshme u çel, në Romë, “No Man is an Island”, projekti më i ri i artistit Adrian Paci.
“No Man is an Island” është një ekspozitë që fton të reflektojmë mbi humanizmin, përgjegjësinë e përbashkët dhe përvojat që na afrojnë, përmes një rrëfimi vizual mbi udhëtimin dhe fuqinë transformuese që ai mbart.
Titulli vjen nga vargjet e poetit anglez, John Donne, që na kujtojnë se askush nuk është një ishull i veçuar, por pjesë e një bashkësie më të gjerë njerëzore.
Artisti Adrian Paci ndërton një narrativë ku udhëtimi bëhet hapësirë reflektimi për përkatësinë, ndërlidhjen dhe sfidat e kohëve tona.
Në inaugurim ishte e pranishme zëvendësministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri si edhe ambasadorja pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.
Adrian Paci ka lindur në vitin 1969, në Shkodër. Ai ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 u vendos në Milano. Gjatë karrierës së tij, Adrian Paci ka hapur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musée d’Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); National Gallery of Kosovo, Prishtina (2012); Kunsthaus Zurich, Zurich (2010); Bloomberg Space, London (2010); The Center for Contemporary Art – CCA, Tel-Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005).
Veprat e tij gjenden në disa koleksione private dhe publike, përfshirë Metropolitan Museum, New York; Muzeun e Artit Modern, New York; Musée d’Art Contemporain de Montréal; Centre Pompidou, Paris; Israel Museum, Jeruzalem; MAXXI, Romë; Fundacio Caixa, Barcelonë; Moderna Museet, Stokholm; Kunsthaus Zürich, Zyrih; UBS Art Collection, Londër; Museum of Contemporary Art, Majemi, Shtetet e Bashkuara; New York Public Library, New York; Solomon Guggenheim Foundation, New York; Seattle Art Museum, Seattle.
Artisti i njohur italian Fabrizio Bellomo sjell në Tiranë ekspozitën personale të titulluar “Abito Mari”.
E hapur në Galerinë Artit Bashkëkohor në Tiranë “GOCAT”, ekspozita që vjen në kuadër të javës kulturore italiane, shfaqet si një udhëtim artistik dhe reflektues mbi peizazhin bashkëkohor të rajonit të Mesdheut.
Përmes veprave të tij, Bellomo eksploron marrëdhëniet komplekse dhe shpesh të padukshme mes njeriut dhe mjedisit përreth, duke vendosur në qendër të vëmendjes ndërthurjet kulturore dhe historike që lidhin Pulian, Kalabrinë dhe Shqipërinë.
Për kuratorët e ekspozitës, Ardian Isufi dhe Elton Koritari, “Abito Mari” është një hetim artistik nëpër skutat dhe periferitë e Italisë dhe Shqipërisë, që pasqyrojnë eksperienca dhe përvoja paralele.
Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 12 korrik, shërben si një hapësirë për dialog dhe përsiatje mbi identitetin, përkatësinë dhe ndikimet e ndërsjella kulturore në këtë hapësirë gjeografike të pasur me histori dhe ndryshime dinamike.
Më këtë projekt, Fabrizio Bellomo është ftuar të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës së Bienales së 16-të në Venecia.
TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Një grup maturantësh të shkollës artistike “Onufri” hapën një ekspozitë me titull “Identitete në Telajo” në kalanë e Elbasanit. Gjimnazistët prezantuan përmes punimeve të tyre me temën e diplomës, copëza nga bota e brendshme, e materializuar kjo në ngjyra dhe forma të ndryshme.
Çdo vepër përtej teknikës dhe estetikës mbart një histori personale, ndërsa punimet artistike janë një dëshmi e zhvillimit të talenteve të rinj dhe e vazhdimësisë së traditës së artit në Elbasan, një qytet me rrënjë të thella kulturore.
Ekspozita tërhoqi vëmendjen e turistëve dhe artdashësve elbasanas. Të rinjtë u vlerësuan për talentin dhe përkushtimin e tyre, duke dëshmuar se arti nuk ka moshë, por ka zë dhe ky zë, këtë herë, u dëgjua përmes telajos dhe skulpturës.
TIRANË, 3 qershor/ATSH/ “I soli di tutte le terre” titullohet ekspozita e artistit Enzo Cuchi, e cila do të hapet më 6 qershor në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD.
Në këtë ekspozitë, Cuchi, një figurë kryesore e artit bashkëkohor ndërkombëtar në ekspozitën e tij të parë në Shqipëri, sjell një sërë veprash.
Në këto punime prezantohen fazat më të rëndësishme të karrierës së tij të gjatë, duke filluar me disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat, të tilla si Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.
Vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies së Cucchi-t me krahinën e Marche-ve, një territor themelor i kërkimit të tij artistik, me një seksion që bashkon një seri pikturash të vogla kushtuar vendeve të ndryshme të një krahine që zotëron, sipas Cucchi-t, “të gjithë aktualitetin e një emocioni që është i nevojshëm për një artist”.
Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet vizatimit, një shprehje e rëndësishme e mendimit të Cucchi-t me një përzgjedhje që dokumenton aktivitetin dhjetëvjeçar të artistit kushtuar vizatimit, të cilin ai e konsideron bazën e artit dhe marrëdhënies së tij me Marche-t, duke i mbushur fletët me elementë tipikë të peizazhit të krahinës.
“Kështu, arti i Cucchit mbërrin në Shqipëri, duke sjellë diellin, selvitë, tokën, fushat dhe kodrat e Marche-ve, për të ndarë diejt mesdhetarë, të cilët ngrohin tokën dhe bashkojnë dy brigjet e Adriatikut, të cilin Predrag Matvejević e përcaktoi si “deti i intimitetit”, nën shenjën e pikturës”, shpjegojnë kuratorët e Spazio Taverna-s.
I konsideruar si artisti më vizionar midis eksponentëve të Transavanguardia-s, Enzo Cucchi (Morro d’Alba, 1949), që nga vitet 1980, ka fituar famë ndërkombëtare. Ai ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja, si Kunsthalle në Bazel, Solomon R. Guggenheim në Nju Jork, Tate Gallery në Londër, Centre Georges Pompidou në Paris, Castello di Rivoli, Rivoli (Torino), Palazzo Reale në Milano, Muzeu i Artit Sezon në Tokio, Akademia Franceze në Romë – Villa Medici, Musèe d’art modern në Saint-Etienne Metropole dhe MAXXI.
Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës.
Veprat e tij gjenden në koleksionet kryesore të muzeve të botës dhe në koleksionet private më prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 5 korrik.