Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

Taylor Swift dhe Sabrina Carpenter bashkë në këngën “The Life of a Showgirl”

By: Kult Plus
15 August 2025 at 21:00

Pas shpalljes së albumit të saj të 12-të në studio, “The Life of a Showgirl”, më 13 gusht, Taylor Swift zbuloi se kënga titull është një bashkëpunim me këngëtaren Sabrina Carpenter.

Reagimi i Carpenter ishte i menjëhershëm dhe plot emocion, duke ndarë në Instagram Story një imazh të kopertinës së pasme të albumit ku figuron edhe emri i saj. “E di që dikush po çmendet nga gëzimi, dhe ajo jam unë,” shkroi ajo me entuziazëm.

Albumi, i cili publikohet më 3 tetor, është prodhuar nga vetë Swift në bashkëpunim me producentët e njohur Max Martin dhe Shellback. Lista e këngëve përfshin tituj si “Elizabeth Taylor”, “Ruin the Friendship”, “Honey”, “Actually Romantic”, “CANCELLED!”, “Eldest Daughter”, “Father Figure”, “Opalite”, “The Fate of Ophelia” dhe bashkëpunimin me Carpenter në “The Life of a Showgirl”.

Swift e bëri njoftimin fillestar në një video surprizë gjatë një paraqitjeje të rrallë në podcast-in “New Heights”, të drejtuar nga i dashuri i saj Travis Kelce dhe vëllai i tij Jason, në orën 12:12 të mëngjesit të 12 gushtit.

Ky bashkëpunim është kulmimi i një miqësie të afërt mes dy artisteve, me Carpenter që ka shprehur prej kohësh admirimin për Swift. Në një intervistë për Apple Music në vitin 2020, ajo tregoi se albumi folklore e kishte frymëzuar thellë në krijimtarinë e saj./KultPlus.com

Liqeni mbi Akullnajën 79°N krijon çarje në shtresën e akullit të Groenlandës

By: Kult Plus
15 August 2025 at 20:43

Një liqen me ujë të shkrirë ka krijuar çarje të thella në akullin e Groenlandës, sipas një studimi të ri shkencor.

Si rezultat, akullnaja 79°N po tregon shenjat e para të një destabilizimi më të madh, raportoi ekipi kërkimor nga Instituti Alfred Wegener (AWI) në qytetin verior gjerman të Bremerhaven, thuhet në studim.

Sipas shkencëtarëve, akulli i Groenlandës ka filluar të tërhiqet që nga mesi i viteve 1990, dhe vetëm tre gjurmë lundruese kanë mbetur. Njëra prej tyre është akullnaja 79°N.

Sasitë gjithnjë e më të mëdha të ujit të shkrirë po grumbullohen në sipërfaqen e kësaj akullnaje, duke krijuar një liqen me sipërfaqe rreth 21 kilometra katrorë.

Herë pas here, uji nga liqeni ka shpërthyer përmes akullit dhe është shkarkuar përmes çarjeve dhe boshllëqeve, duke lejuar sasi të mëdha uji të arrijnë buzën e gjuhës së akullnajës drejt oqeanit. Shkencëtarët kanë vëzhguar shtatë raste të tilla, katër prej të cilave në pesë vitet e fundit.

Që nga viti 2019, janë formuar fusha të dukshme çarjesh trekëndore, të cilat mbeten të dukshme për vite me radhë. Disa çarje krijojnë kanale me hapje disa dhjetëra metra të gjera, përmes të cilave uji arrin deri në bazën e shtresës së akullit.

Edhe pse çarjet dhe kanalet ndryshojnë me kalimin e kohës, ato vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të gjatë.

Nuk dihet nëse akullnaja do të mund të rikthehet ndonjëherë në gjendjen e saj të mëparshme.

Ekipi kërkimor zbuloi se uji ka arritur nën akullnajë përmes çarjeve. Atje, ai është grumbulluar duke formuar një liqen nën tokë. Imazhet me radar tregojnë se mbi këtë liqen, nën akull, duket se është formuar një flluskë, e cila po e shtyn akullnajën lart në atë pikë.

Trump, letër Begajt: Pres të vazhdojmë bashkëpunimin për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt

By: Kult Plus
15 August 2025 at 20:00

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, sot ka pranuar një letër nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Në mesazh presidenti Trump thekson angazhimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin SHBA-Shqipëri bazuar në  miqësinë, aleancën dhe respektimin e idealeve mbi të cilët është ndërtuar dhe funksionon kombi amerikan.

“Duke mbrojtur sovranitetin, begatinë dhe paqen përmes forcës, së bashku ne mund të arrijmë të pamundurën.

Me kënaqësi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme”,  shkruan presidenti Trump në letrën drejtuar Presidentit Begaj.

Letra e presidentit Trump pason mesazhin që Presidenti i Republikës përcolli për 249 -vjetorin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Fotografia e mjeshtrave korçarë ndriçon mbrëmjen e Lin Festival 2025

By: Kult Plus
15 August 2025 at 20:00

Mbrëmja e edicionit të tretë të Lin Festival u pasurua nga një ekspozitë e veçantë fotografike e sjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Nën dritat e festivalit dhe tingujt e muzikës, u prezantuan veprat e mjeshtrave të shquar korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci.

Fotografitë, të realizuara në fillim të shekullit XX, sollën para publikut histori, peizazhe, portrete dhe momente të rralla nga jeta e juglindjes shqiptare, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë unike artistike e historike.

Kjo shënon pjesëmarrjen e dytë radhazi të Arkivave në Lin Festival, një prani që synon të afrojë thesaret dokumentare dhe vizuale pranë komunitetit dhe vizitorëve.

“Arkivat nuk janë vetëm histori e ruajtur, por frymëzim për brezat,” u shprehën organizatorët, duke falënderuar të gjithë të pranishmit për këtë udhëtim simbolik në kohë./KultPlus.com

28 vjet më parë vdiq Çesk Zadeja, një nga themeluesit e muzikës klasike shqiptare

By: Kult Plus
15 August 2025 at 19:20

Çesk Zadeja (Shkodër, 8 qershor 1927 – Romë, 15 gusht 1997) ka qenë kompozitor shqiptar.

Zadeja ka lindur në Shkodër, në një familje qytetare. Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës.

Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova.

Që në vegjëli, në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Shfaqi që herët talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.

Ai ishte i njohur për kompozimet e tij, sikurse “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, Poema vokale” etj, derisa ishte dekoruar edhe me “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Vdiq në Romë, më 15 gusht 1997. /KultPlus.com

FSK-ja i pranon autoblindat e blera në ShBA, kryeministri Kurti: Një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

By: Kult Plus
15 August 2025 at 18:58

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në ShBA për Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se ky furnizim sipas tij i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit të palëkundur me ShBA-të, dhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-ve”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti në këtë ceremoni pranim- dorëzimi ka marrë pjesë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw./ KultPlus.com

Nisin aplikimet për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2025/2026

By: Kult Plus
15 August 2025 at 18:22

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka hapur sot aplikimet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.

Për vitin shkollor 2025/2026, prindërit do të përfitojnë:

80 euro për nxënësit e klasave I-V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;

80 euro për nxënësit e klasave VI-IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Tekstet shkollore për klasat VI-IX do të përdoren nga gjenerata e kaluar, sipas praktikës së viteve të fundit dhe udhëzimit administrativ përkatës.

Procesi i aplikimit është lehtësuar, pasi llogaritë bankare të prindërve të regjistruara më parë do të përdoren sërish. Pas verifikimit nga shkolla dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, mjetet do të transferohen në xhirollogaritë bankare të prindërve.

📌 Aplikimi bëhet online në: ekosova.rks-gov.net

MAShTI ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor./KultPlus.com

Prishtina 2030: Nënshkruhet marrëveshja për fazën e radhës të Lojërave Mesdhetare

By: Kult Plus
15 August 2025 at 17:58

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po i afrohen gjithnjë e më shumë realizimit. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshja e radhës me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), duke e cilësuar këtë si një hap tjetër konkret drejt organizimit të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vendit dhe rajonit.

Pavarësisht bllokadës së krijuar nga dërgimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese, MKRS, në bashkëpunim me KOK dhe Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), po vijon përgatitjet përmes zgjidhjeve alternative. Në kuadër të KOK, ICMG ka themeluar Komitetin Organizativ të përkohshëm për Lojërat Mesdhetare, i cili do të zhvillojë aktivitetet operacionale sipas standardeve më të larta vendore dhe ndërkombëtare.

Ngjarja sportive synon të jetë jo vetëm një sukses organizativ, por edhe një angazhim strategjik për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve./KultPlus.com

176 vjet nga lindja e perandorit të Francës, Napleon Bonapartës

By: Kult Plus
15 August 2025 at 17:26

Sot janë bërë 176 vjet nga lindja e Perandorit të Francës, Napoleon Bonaparta, shkruan KultPlus.

Napoleon Bonaparta (15 gusht 1769 –  5 maj 1821) në jetën e tij ka qenë politikan, gjeneral brilant lufte, Protektor i Lidhjes se Rhein-it, Mbret i Italisë dhe Konsull i Francës dhe mbas kurorëzimit të tij ne Katedralen Notre Dame de Paris ai u shpall perandor i Francës. Ai e mbaroi shkollën ushtarake për fisnikët në Paris falë një burse studimi te cilën e përfitoi nga mbreti francez Luigji XVI.

Me përfundimin e shkollës ushtarake merr gradën e kapterrit në artilerinë franceze, me vonë me revolucionin francez do të gradohet me gradën gjeneral. Qeverisi Francën nga viti 1799, dhe u emërua Konsull i Parë në nëntor te vitit 1799 deri në maj 1804 me vonë bëhet Perandor Francez me emrin e Napoleone I (Napoléon Ier) nga dhjetori 1804 deri në 14 prill 1814 dhe serisht nga 20 marsi deri në 22 qershor 1815. Në jetën e tij politike ka qenë dhe President i Republikës Italiane nga viti 1803 deri në vitin 1805 dhe mbret i Italisë nga 1805 deri në 1814.

Falë disa betejave ushtarake dhe aleancave të shumta që ndërmorri, Napoleoni pushtoi dhe udhëhoqi gati të gjithë kontinentin Evropian, duke çuar në çdo vend që pushtonte, idealet e Revolucionit Francez. Arriti të kontrollonte shumë mbretëri të Evropës falë familjarëve të tij të cilët emëroheshin nga Napoleoni për të kontrolluar më mirë shtetet e pushtuara (Spanja, Napoli, Westfalia dhe Holanda).

Fushata e Rusisë (1812) shënoi fundin e dominimit te tij në mbare Evropën. Me humbjen në Lipsia nga aleatet evropiane, te cilët ishin formuar për të përballur fuqinë e perandorisë franceze, në tetor të vitit 1813, Napoleoni e la fronin e tij dhe u çua për burgim në ishullin e Elba-s në Itali.

Në mars të vitit 1815, ia del mbanë të arratiset nga ishulli prej të cilit ishte i burgosur duke mbërritur afër Antibes më pas mbërrin në Paris, historianët do ta përshkruajnë këtë mbërritje të Napoleonit me thënien “mbërriti pa shtënë asnjë plumb”. Ai arrin të marr në dore pushtetin për një periudhë relativisht të shkurtër, e cila kujtohet me emrin “Njëqind Ditët”,me pas do të mposhtet në luftën që quhet beteja e Waterloos me 18 gusht 1815. Vitet e fundit të jetës se tij i kaloi i burgosur në ishullin e Shën’Elenes në mbikëqyrjen e Angleze-ve. Mbas humbjes në Waterloo, Kongresi i Vjenës solli në të gjithë Evropën mbretërit të cilët ishin larguar falë Napoleonit./KultPlus.com

Hillary Clinton do ta nominojë Trumpin për Nobelin e Paqes nëse ai i jep fund luftës në Ukrainë

By: Kult Plus
15 August 2025 at 16:51

Presidenti Donald Trump të premten mori një zotim të papritur për nominim për Çmimin Nobel për Paqen – një nga rivalet e tij më të betuara, Hillary Clinton.

Kundërshtarja demokrate e Trumpit i tha podkastit “Raging Moderates” se ajo do ta nominonte me dëshirë atë për çmimin e shquar nëse ai mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë pa lejuar Presidentin Vladimir Putin të merrte territor nga fqinji i saj, raporton “New York Post”.

“Sinqerisht, nëse ai mund t’i jepte fund kësaj lufte të tmerrshme, nëse ai mund ta përfundonte atë pa e vendosur Ukrainën në një pozicion ku ajo duhej t’ia lëshonte territorin e saj agresorit, nëse ai mund t’i kundërvihej Putinit – diçka që nuk e kemi parë, por ndoshta kjo është mundësia – nëse Presidenti Trump do të ishte arkitekti i kësaj, unë do ta nominoja atë për Çmimin Nobel për Paqen”, i tha Clinton intervistueses së podkastit, Jessica Tarlov në një intervistë të publikuar të premten.

“Sepse qëllimi im këtu është të mos lejoj kapitullimin ndaj Putinit”, shtoi ajo.

Kjo ofertë e papritur erdhi ndërsa Trump ishte rrugës për në Alaskë për bisedimet historike me homologun e tij rus, ku shpreson t’i japë fund konfliktit trevjeçar në Ukrainë.

Ai ka shprehur dëshirën për t’u nominuar për Çmimin Nobel për Paqen në të kaluarën, duke ndjekur gjurmët e paraardhësit të tij, Barack Obama.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhuron libra për Lipjanin dhe Shtimen

By: Kult Plus
15 August 2025 at 16:42

Në kuadër të nismës për mbështetjen e bibliotekave të vendit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka dhuruar këtë javë kontingjente me libra në bibliotekën e qytetit të Lipjanit dhe në komunën e Shtimes.

Në mesin e botimeve të dhuruara gjenden edhe dy tituj me vlerë të veçantë historike:

Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës

Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Librat, të botuar nga shtëpia botuese “Rilindja” dhe të përzgjedhur kryesisht për nxënësit e nivelit parauniversitar, do të shpërndahen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke kontribuar në pasurimin e fondeve ekzistuese dhe nxitjen e leximit./KultPlus.com

‘Du’ me shkrue fjalë tjera për ty, veç për ty me shpikë nji gjuhë tjetër’

By: Kult Plus
15 August 2025 at 16:30

Poezi nga Nizar Qabbani

Du’ me shkrue fjalë tjera për ty,

veç për ty me shpikë nji gjuhë tjetër

në përputhje me masën e trupit tand

e të dashtunisë t’eme.

Due me i ikë fjalorëve të gjuhës,

e buzët me i lan’ mbrapa.

M’asht mërzit goja eme,

tash dua nji gojë tjetër,

që herë bahet

pemë qershije, herë kuti

shkrepsash.

Nji gojë nga e cila fjalët vijnë

si nymfat prej detit,

a si zoçkat e bardha të pulës

nga kapela e magjistarit./KultPlus.com

Gjama e burrave: Rituali tradicional i dhimbjes dhe nderit në traditën shqiptare

By: Kult Plus
15 August 2025 at 15:57

Gjama e burrave është një ritual mortor tradicional shqiptar, i cili praktikohet kryesisht në zonat veriore të Shqipërisë dhe në Malësinë e Madhe. Ky ritual rrjedh nga traditat e lashta fisnore dhe besimet e thella në nderin, respektin dhe forcën e burrërisë. Përmes gjamës, komuniteti burrëror shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e një anëtari, duke ruajtur një dinjitet dhe një strukturë të rreptë organizative.

Në këtë ceremoni, burrat e fshatit ose fisit mblidhen pranë trupit të të ndjerit dhe nisin një klithmë të përbashkët, të fuqishme dhe ritmike. Kjo klithmë simbolizon jo vetëm hidhërimin e thellë, por edhe forcën e bashkimit dhe solidaritetit mes tyre. Gjama ndiqte rregulla strikte: burrat ulërinin me gjithë fuqinë e zërit, por nuk lejohej shfaqja e lotëve apo dobësive emocionale, pasi besohej se kjo do cënonte nderin e të ndjerit dhe familjes së tij, transmeton KultPlus.

Ky ritual përbën një shprehje kolektive të dhimbjes dhe respektit, që pasqyron kodet morale të Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku nderi dhe burrëria ishin vlera themelore të shoqërisë malësore. Gjama e burrave është një manifestim i fortë i solidaritetit dhe përkujdesjes komunitare, ku dhimbja përjetohet dhe shprehet si një përvojë e përbashkët.

Sot, kjo traditë është bërë më e rrallë dhe nuk praktikohet me intensitetin e dikurshëm, por mbetet një pasuri e vyer kulturore dhe një kujtim i fuqishëm i identitetit të hershëm shqiptar, i cili ruhet ende në kujtesën kolektive dhe në disa ceremoni simbolike në zonat malësore./KultPlus.com

‘Solitude vs Fantasy’ e Xhelsina Petritaj, piktorja: Veprat, shenjë revolte ndaj realitetit

By: Kult Plus
15 August 2025 at 15:00

Ekspozita “Solitude vs Fantasy” e artistes Xhelsina Petritaj, e hapur në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë, sjell rreth 20 vepra që përballin vetminë dhe fantazinë, si reflektim mbi plagët e kohës dhe realitetin shoqëror. Përmes ngjyrave dhe formave, artistja shpreh revoltë ndaj luftërave dhe konflikteve, duke e kthyer artin në një dëshmi personale dhe universale.

“Solitude vs Fantasy”, është titulli i ekspozitës së artistes Xhelsina Petritaj, e hapur në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Me rreth 20 vepra, mes tyre dhe disa nudo sensuale, artistja kërkon të përballë dy botë të saj, vetminë dhe fantazinë, duke i kthyer në formë arti si revoltë ndaj realitetit të sotëm.

Ekspozita është një rrëfim vizual ku shpalosen përjetime të brendshme, emocione të forta dhe mesazhe sociale, të cilat Xhelsina i ngjiz në kanavacë me ngjyra, linja dhe simbolikë të thellë. Për autoren, arti nuk është vetëm estetikë, por një mënyrë për të reflektuar mbi kohën dhe plagët e saj.

Petritaj shprehet se në veprat e saj, sidomos ato në akrilik, nuk preferon të përdorë sfond, duke lënë hapësirë që protagonizmi i figurës të marrë frymë. Një vend të veçantë zë dhe posteri i ekspozitës, i zgjedhur për arsye të thella artistike.

Ndjeshmëria e saj artistike e bën të mos mbetet indiferente ndaj dramave të mëdha njerëzore. Në ekspozitë gjen vepra të frymëzuara nga plagët e luftërave dhe konflikteve në botë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, duke ftuar vizitorët të zbulojnë dialogun e ndjerë mes vetmisë dhe fantazisë në sytë e një artisteje që refuzon të heshtë përballë plagëve të kohës./syritv/KultPlus.com

‘Nuk di si mund të ketë çmallje, kur s’është ajo s’jam ai’

By: Kult Plus
15 August 2025 at 14:35

Poezi nga Pano Taçi

Ajo dhe unë

Të shkoj, s’guxoj se mund ta shoh,

ajo më pret, ç’të bëj nuk di.

Nuk di, nëse do mund ta njoh,

s’është më ajo, s’jam më ai.

Ne s’presim pashkët për ringjallje

bota na vrau që të dy.

Nuk di si mund të ketë çmallje,

kur s’është ajo s’jam ai.

T’i falem Zotit të harresës,

që shpuzat i mbulon me hi?

E ç’vlen ky loti i pendesës,

s’është më ajo, s’jam më ai.

T’i falem Zotit të mëshirës,

për gjithë sa shkoi të ndez qiri.

Po qe se dalim humbëtirës,

je ti ajo, jam unë ai?/KultPlus.com

Trump dhe kultura: Yjet që nderon dhe plani për të transformuar Amerikën

By: Kult Plus
15 August 2025 at 14:00

Të mërkurën, presidenti Donald Trump u rikthye në Qendrën Kennedy për të bërë njoftime për të nderuarit e këtij viti, duke paraqitur vizionin e tij për këtë institucion arti që do të realizonte qëllimin që premtoi më herët këtë vit: “të reflektonte yjet më të ndritura në skenën e tij nga gjithë Kombi amerikan.”

Trump është i etur të lërë shenjën e tij në Amerikë, jo vetëm përmes pjesëmarrjes në legjislacion dhe buxhet, por duke ndryshuar atë që njohim, nderojmë dhe mësojmë, përmes muzeve amerikane, universiteteve dhe më gjerë.

Për kolegjet, ai po bën marrëveshje ku premton të mbajë financimin deri sa shkollat të paguajnë qeverinë për shkelje të ndryshme që ai thotë se kanë kryer, duke fituar një “të shlyer” për një periudhë të caktuar kohe. Për Washington-in, ai solli FBI-në, ushtarakët dhe tanket. Për Qendrën Kennedy, ishte më e lehtë: ai thjesht emëroi një bord që do ta bëjë atë kryetar. “Do të jetë një mbrëmje e madhe,” tha Trump, për mbrëmjen e ardhshme të çmimeve të Qendrës Kennedy. “Më kërkuan të jem udhëheqës,” shtoi ai, duke thënë se refuzoi, por që bordi insistoi. “Vitin tjetër do ta nderojmë Trump.”

“Yjet” e tij ishin: George Strait, artisti rekord-shënues i muzikës country. Po ashtu, Michael Crawford, “një nga talentet më të mëdha që kam parë ndonjëherë,” tha Trump. Ai lavdëroi rolet e Crawford-it në teatër, kryesisht në “The Phantom of the Opera.” Trump bëri një prezantim të gjatë për një “ikona të filmit aksion dhe një mik i imi, një njeri shumë unik,” tha ai. Ky ishte Sylvester Stallone. “Ai ishte shumë i nderuar të nderohej.” Gloria Gaynor, këngëtarja e himnit të madh amerikan të homoseksualëve “I Will Survive,” gjithashtu ishte në listë, “një këngë e pabesueshme,” tha Trump. “Një nga ato këngë që bëhet më e mirë çdo herë që e dëgjon.” Ivana Trump e pranoi, kjo ishte kënga që, siç shkroi në memoirin e saj “Raising Trump”, ajo e dëgjonte me kufje gjatë procesit të divorcit nga Trump. Po ashtu, në listë ishte dhe banda legjendare rock KISS, që janë të njohur për stilin e tyre të veçantë të makiazhit.

Dashuria e presidentit për kulturën ka qenë gjithmonë e thellë, nëse jo e ngushtë, dhe shpesh i është drejtuar diskos. Një listë Spotify e këngëve të fushatës së tij presidenciale të vitit 2020 bashkon artistë të ndryshëm por të ngjeshur, si Elton John, Village People dhe Bachman-Turner Overdrive. Kjo listë përfshin gjithashtu Rolling Stones, të cilët janë ndër shumë artistët që kanë kundërshtuar mbështetje e tij ose përdorimin e muzikës së tyre. Trump duket se adhuron këngën “Macho Man” dhe këngët më të zhurmshme të shfaqjeve. Ky është presidenti që dikur supozohej të kishte dikë që t’i luante këngën “Memory” nga Cats sa herë që ishte i trishtuar.

Përvojën e tij të shikimit të “Cats”, Trump e kujtonte me pasion të madh në një takim me besimtarët e Qendrës Kennedy në mars, gjatë të cilit ai premtoi të sillte përsëri muzikat e Andrew Lloyd Webber në kryeqytetin e kombit tonë. Një gjë interesante për “Memory”, kënga më e famshme e shfaqjes, është se ajo është e famshme për performancën e Betty Buckley, që Trump thotë se e kujton me detaje të mëdha. Buckley vetë thotë se krijoi këtë performancë duke ndjekur gratë që ishin të pastreha. Ajo shpjegoi për New Yorker: “Përpiqesha të interpretoja ato, duke u luajtur me një qasje të dobët, por ajo që pashë në rrugë ishin gra që po mundoheshin të mbahen me dinjitet, dhe kështu që vetëprezentimi i tyre ishte krejtësisht dinjitoz dhe plot hir.”

Pas shpalljes së nderimeve, presidenti ofroi disa mendime për njerëzit e pastrehë. Si pjesë e planit të tij për ta bërë Washington-in “të bukur”, tani që ai ka marrë në kontroll departamentin e policisë së qytetit dhe ka dërguar oficerë federalë dhe Gardën Kombëtare, Trump tha: “Ne do të duhet t’i largojmë tendat dhe njerëzit që jetojnë në parqet tona.”

“Po thonë ‘ai është një diktator,’” tha Trump për kritikët e tij të qasjes aktuale në qeverisje. “Në vend që të thonë ‘ai është një diktator,’ ata duhet të thonë ‘do t’i bashkohemi atij.’” Presidenti premtoi ndërhyrje më të madhe në qytete përtej DC-së, duke përfshirë Los Angeles, Chicago dhe New York: “I gjithë vendi ynë do të jetë kaq ndryshe.”

“Unë nuk dua të shpall një emergjencë kombëtare,” tha ai, “por nëse do të duhet, do ta bëj.”/CNN/KultPlus.com

Cillian Murphy merr rolin kryesor në filmin e ri të Netflix ‘Steve’, rikrijim i romanit bestseller ‘Shy’

By: Kult Plus
15 August 2025 at 13:33

Cillian Murphy, aktori që ka magjepsur audiencën me performancat e tij të paharrueshme në role të ndryshme si fizikanti i flaktë në “Oppenheimer”, superkrimineli në “The Dark Knight” dhe gangsteri i ftohtë në “Peaky Blinders”, tani po sjell një tjetër portret të fuqishëm në ekran. Në “Steve”, një projekt i bazuar në romanin bestseller të Max Porter me emrin “Shy”, ai luan rolin e Steve, një drejtor shkolle që përballet me sfida të papërshkrueshme dhe një situatë dramatike që i ndryshon jetën.

I shkruar nga vetë Max Porter dhe drejtuar nga Tim Mielants, “Steve” ofron një pamje të ndjerë të jetës së një individi që është i kapur në një rreth vicioz të humbjes dhe pasigurisë. Rrëfimi ndjek Steve, një drejtor shkolle që përpiqet të ruajë qetësinë dhe kontrollin në një moment kur shkolla e tij është e rrezikuar të mbyllet, dhe jetët e studentëve dhe stafit janë në balans. Kjo situatë është e pasqyruar paralelisht me historinë e njërit prej studentëve të tij, Jay Lycurgo, i cili po kalon një luftë të brendshme me pasigurinë dhe ndjenjat e humbjes, transmeton KultPlus.

Për Cillian Murphy-n, ky është një hap tjetër i guximshëm në karrierën e tij të pasur. Pas roleve epokale dhe të fuqishme, ai merr një drejtim të ri si një drejtor shkolle që është i detyruar të përballet me humbjen e mundshme të një institucioni që ai e ka udhëhequr për shumë vite.

Projekti u njoftua për Netflix në shkurt 2024 si i prodhuar nga kompania e prodhimit të Cillian Murphy, Big Things Films, me bashkëpunëtorin e tij Alan Moloney, gjithashtu producent. Tim Mielants është regjisor, dhe Max Porter ka përshtatur romanin e tij Shy për filmin. Murphy dhe Porter kanë bashkëpunuar më parë në adaptimin skenik të “Porter’s Grief Is the Thing with Feathers” dhe në filmin e shkurtër “All of This Unreal Time”. Porter i dha Murphy-t një kopje të “Shy” në një botim prove para se të përfundonte dhe Murphy u citua të ketë thënë “thjesht më theu zemrën. Janë llojet e gjërave që i dua si lexues dhe si interpretues”. Jay Lycurgo gjithashtu iu bashkua kastit.

Cillian Murphy ofron një tjetër interpretim të fuqishëm, duke treguar se, pavarësisht se sa i njohur është për rolet e tij epike në filma aksioni dhe dramë, ai ka një gamë të pasur të aftësive që e bëjnë të përshtatshëm për një varg të gjerë rolesh. Në fund të fundit, “Steve” është një histori që do të mbetet në mendje për shumë kohë, duke na kujtuar se përpjekjet njerëzore për të gjetur shpresë dhe kuptim janë gjithmonë të vlefshme dhe thelbësore./KultPlus.com

Rama publikon pamje nga Bjeshkët e Dobërdolit, destinacion i veçantë në Tropojë

By: Kult Plus
15 August 2025 at 13:00

Tropoja dhe Alpet e saj kanë njohur rritje të vazhdueshme të vizitorëve dhe turistëve duke e zgjedhur si një destinacion të veçantë të turizmit malor.

Një prej destinacioneve është edhe Bjeshka e Dobërdolit e vendosur në lartësitë e maleve të Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit, në pjesën e sipërme të luginës se Gashit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga lugina e bjeshkëve të Dobërdolit, e rrethuar nga gjelbërimi dhe me kuajt që enden të lirë mes kësaj bukurie natyrore alpine.

Në pjesën e sipërme të luginës gjenden disa liqene akullnajore, më i madhi prej të cilëve është liqeni i Dashit në një lartësi prej 2175 m. Ky është edhe një ndër liqenet akullnajore më të mëdhenj të Alpeve tona.

Këto bjeshkë janë të rrethuara me shumë male me mbi 2000 m lartësi me shkëmbinj me moshë gjeologjike nga më të vjetrit në Shqipëri.

Prej muajsh ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës nga Tropoja e Vjetër deri në Bjeshkën e Dobërdolit.

Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që eksplorojnë bjeshkët madhështore dhe natyrën e paprekur të kësaj treve./atsh/KultPlus.com

Nga konduktor i autobusit në superyll: Rajinikanth mbush 50 vjet në kinemanë indiane

By: Kult Plus
15 August 2025 at 12:30

Për individët e suksesshëm në industrinë e showbizit, 50 vjet mund të jenë një arritje e vështirë për t’u arritur. Por për superyllin indian Rajinikanth, ky përvjetor jubilar nuk është vetëm për mbijetesë, është për një mbretërim të pandërprerë, duke shndërruar kinematë në tempuj dhe audiencën në besimtarë. Pjesa më e madhe e punës së tij është në industrinë e filmit dhe kinemasë “Tamil”, ku filmat e tij kanë përcaktuar breza të tërë.

Në vitin 1975, një i ri Shivaji Rao Gaekwad, që më vonë do të bëhej i njohur në mbarë botën si Rajinikanth, hapi derën për herë të parë në një set filmi në Madras (tani Chennai) për filmin “Apoorva Raagangal”, ku interpretoi një rol të shkurtër por të paharrueshëm si një mashkull kokëfortë.

Pothuajse pesë dekada më pas dhe me 170 filma, filmi i tij më i ri, “Coolie”, u shfaq më 14 gusht. Ky film kremton udhëtimin e tij, me një histori që, në disa pjesë, pasqyron jetën e tij. Ai luan një hero të klasës punëtore që i kundërvihet një të pasuri shtypës.

Superylli 74-vjeçar është një fenomen, i adhuruar në tempuj të ndërtuar për të, imazhi i tij mbartet në avionë gjatë promovimeve të filmave, dhe nderohet në Japoninë e largët me pasionin që zakonisht i rezervohet idhujve lokalë.

Historia e Rajinikanth është e një të huaji që u bë një nga më të dashurit të kinemasë indiane, një hero i klasës punëtore, të cilit i jepet pëlqim nga çdo lloj kategorie shoqërore dhe gjeografike. Jeta e tij është një rrugëtim jashtëzakonisht i larmishëm nga varfëria deri në superfamë të pakontestueshme, duke fituar Çmimin “Dadasaheb Phalke”, çmimin më të lartë kinematografik të Indisë dhe “Padma Vibhushan”, çmimin e dytë më të lartë shtetëror.

Për miliona fansa dhe rreth 50,000 klube fansash, ky përvjetor është një mundësi tjetër për të festuar heroin e tyre.

Për ta, ai është një demigod, idolizimi i të cilit ka një përmasë mitike. “Perënditë duhet të shfaqen në një formë,” thotë A Rajendran, një adhurues i flaktë.

Naman Ramachandran, autor i biografisë “Rajinikanth: A Definitive Biography”, vëren se fansat e Rajinikanth janë të ndryshëm, duke përfshirë si bankierë të Wall Street, ashtu edhe pastruese në Tamil Nadu. Magjia e tij në ekran qëndron në faktin se ai luan ëndrrën e të mundurit të të gjitha mundësive: të mundesh përballë vështirësive pa humbur njerzillëkun.

Një dokumentar i vitit 2015 për superyllin, “For the Love of a Man”, i realizuar nga Rinku Kalsy dhe Joyojeet Pal, kap thellësinë e këtij adhurimi, fansat që hipotekojnë shtëpitë, shesin arin familjar dhe trajtojnë premierat e filmave si festivale të paharrueshme.

“Kjo nuk është adhurim,” shpjegoi Kalsy, “është identitet. Ai përfaqëson atë që ata shpresojnë të jenë: të thjeshtë, të moralshëm, por të fuqishëm kur është e nevojshme.”

Shtëpia e tij në Chennai është bërë një tempuj për mijëra adhurues që kërkojnë një shikim, një bekim, ose emërimin e një fëmije. Në vitin 2016, linja ajrore AirAsia publikoi një avion të mbuluar me fytyrën e tij për të shënuar daljen e filmit të tij “Kabali”, një simbol që tregon se imazhi i tij mund të mbajë një film në ajër.

Adhurimi shpesh shndërrohet në punë shoqërore, kur klubet e fansave organizojnë fushata dhurimi gjaku, ndihmë për fatkeqësi dhe ngjarje komunitare në emër të tij. Siç shkruan Aishwarya Rajinikanth në librin e saj “Standing on an Apple Box”: “Ati im nuk sillet asnjëherë si një superstar në shtëpi… përveç në filmat e tij.”

Kultura e fansave të Rajinikanth gjithashtu fshin kufirin mes kinemasë dhe jetës.

Çdo premierë filmi bëhet një spektakël ritualistik. Të shohësh një film të Rajinikanth nuk është thjesht një shfaqje, por një karneval që është një përzierje e krenarisë popullore, krenarisë së klasës punëtore, festës shoqërore dhe gëzimit të ekstazuar.

Pas tre orësh drejtësie supernatyrore, humorit, romancës dhe hakmarrjes, kinematë janë mbushur me popcorn sikur të ishte konfeti, dhe fansat rrjedhin nëpër rrugë, duke bërtitur nga gëzimi i çliruar.

Këtë vit, festimet kanë arritur kulmin: në rrethin e Madurai, një fans ka ndërtuar një tempull të zbukuruar me mbi 5,500 posterë dhe foto, duke ofruar lutje para një statuje të yllit.

Një nga katër fëmijët, Rajinikanth u rrit në varfëri; babai i tij ishte një polic. “Kur braktisa shkollën, babai më dërgoi të punoja si punëtor krahu,” kujton ai. Një i afërm e ndihmoi të bëhej konduktor autobusi.

Një mik, duke vënë re pasionin e tij për teatrin, grumbulloi fonde për ta dërguar në Institutin e Filmit të Madras, një shkollë filmike e financuar nga shteti. Atje, u shfaq talenti i tij dhe regjisori i njohur Tamil, K. Balachander, i dha mundësinë e tij të parë në 1975.

Rajinikanth u dallua nga imazhi i yjeve të tjerë të kinemasë Tamil, si MG Ramachandran, për ngjyrën e tij të errët të lëkurës, dialektin e tij të ashpër dhe ecjen e tij të rafinuar që u bë një element i pazëvendësueshëm i identitetit të tij kinematik.

Ai nisi me rolet e heroit të keq dhe të pavlerë që morën vlerësime në filma si “Apoorva Raagangal”, “Moondru Mudichu” dhe “Pathinaru Vayathinile”, dhe mori role të pasura në “Avargal”, “Johnny”, “Mullum Malarum”, si dhe role tragjike në “Bhuvana Oru Kelvikuri”.

Nga vitet 1990, ai u njoh për rolet e tij të mëdha dhe figura shpirtërore si Sri Raghavendrar dhe Baba. Në vitin 1998, “Muthu” u bë një sensacion në Japoni.

Filma si “Sivaji” dhe “Enthiran”, ku ai luajti një robot, ishin hitet më të mëdha, dhe pavarësisht problemeve shëndetësore, filmat e tij vazhduan të arrinin sukses të madh komercial.

Në fillim, kritikët e përçmonin Rajinikanth si “Mbreti i Stilit”, të njohur për gjestet e tij të njohura si hedhjet e cigareve, shtypjen e syzeve dhe frazat me humor të theksuar. Megjithatë, vlerat që karakteret e tij përfaqësojnë: besnikëria, guximi, humori dhe drejtësia, janë të përhershme dhe universale.

Regjisori SP Muthuraman, i cili ka punuar me të në 25 filma, e atribuon suksesin e tij në “punë të palodhur, dedikim, mirësjellje dhe sjellje përgjegjësie ndaj kolegëve, producentëve dhe shpërndarësve”.

Historiani i filmit Theodore Baskaran thotë se yjet më të mëdhenj të kinemasë Tamil mbajnë një pozicion dikur të mbajtur nga perënditë popullore.

Më shumë se një celebritet, ndikimi i Rajinikanth shtron adhurimin e fansave që qëndrojnë të rreshtuar në mëngjes me qumësht dhe lule. Ata besojnë se heroi e tyre mund t’u japë ngjyrë dhe magji ëndrrave dhe jetës së tyre./BBC/KultPlus.com

Qendra Kinematografike e Kosovës emëron Këshillin e ri Profesional

By: Kult Plus
15 August 2025 at 11:59

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook se është emëruar Këshilli i ri Profesional.

“Jemi shumë të lumtur të ju njoftojmë se Qendra Kinematografike e Kosovës, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi, ka emëruar Këshillin e ri Profesional.” – shkruhet në postimin e publikuar.

Këshilli Profesional përbëhet nga: Eroll Bilibani, Agnes Nokshiqi, Nita Deda, Urtina Hoxha, Brikena Mulliqi – Përfaqësuese e MKRS-së.

Emërimi i këtij këshilli është një hap i rëndësishëm për të forcuar më tej infrastrukturën institucionale të sektorit të filmit në Kosovë, duke i dhënë prioritet politikave që promovojnë kreativitetin dhe zhvillimin e industrisë kinematografike. Ky është një moment kyç për filmbërësit, pasi ofron mundësi të reja për mbështetje dhe zhvillim të projekteve filmike të nivelit të lartë./KultPlus.com

❌
❌