Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses

By: Kult Plus
5 August 2025 at 22:00

Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) përmbylli me sukses edicionin e tij të pestë, duke kthyer Prishtinën në qendër të muzikës operistike për dhjetë net me radhë. Ky eveniment prestigjioz u zhvillua në ambiente të ndryshme të kryeqytetit dhe solli në skenë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ofruan koncerte dhe performanca të shkëlqyera artistike.

RLIOF tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke shërbyer si një platformë ku artistët e operës nga vende të ndryshme bashkohen me publikun kosovar për të përjetuar së bashku magjinë e këtij zhanri muzikor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për suksesin e festivalit dhe falenderoi artistin Rame Lahaj dhe gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe pasionin që kanë vënë në organizimin e këtij eventi. Ai theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e kulturës dhe muzikës klasike në Kosovë dhe për vendosjen e Prishtinës si një destinacion të rëndësishëm artistik.

“RLIOF është një hapësirë ku zërat më të mirë të operës bashkohen me publikun tonë në një përjetim të rrallë kulturor. Faleminderit Rame Lahaj dhe ekipit që po e bëjnë këtë festival një ngjarje të veçantë në kalendarin artistik të vendit,” shkroi Çeku.

Festivali përfshiu një gamë të gjerë koncertesh, recitalesh dhe eventesh kulturore që patën jehonë të madhe në media dhe mes publikut, duke tërhequr dashamirës të muzikës nga e gjithë Kosova dhe më gjerë.

RLIOF pritet të vazhdojë të rritet e fuqizohet në vitet në vijim, duke ofruar mundësi për artistët e rinj dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në skenën ndërkombëtare/KultPlus.com

“Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozimit në Vjenë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:42

Skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës, Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila thekson se ekspozita u realizua falë bashkëpunimit mes Ambasadës së Shqipërisë në Austri, Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave dhe vetë muzeut austriak. Hapja e saj u shoqërua me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga e gjithë bota.

Shqipëria u përfaqësua me emra të njohur të fushës, si akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Skulptura 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u prit me interes të madh nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pranë Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:20

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump./ KultPlus.com

NASA synon të ndërtojë reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:15

Agjencia hapësinore amerikane, NASA, është duke përshpejtuar planet për ndërtimin e një reaktori bërthamor në sipërfaqen e Hënës deri në vitin 2030, raportojnë mediat amerikane. Kjo nismë është pjesë e objektivit afatgjatë të SHBA-së për krijimin e një baze të përhershme njerëzore në Hënë.

Sipas raportimit të Politico, kreu në detyrë i NASA-s ka theksuar se edhe Kina dhe Rusia kanë plane të ngjashme, duke ngritur shqetësime se ato mund të shpallin “zona ndalimi” në Hënë në të ardhmen.

Ndërsa ambiciet janë të mëdha, disa shkencëtarë kanë shprehur dyshime për realizimin e këtij projekti brenda afatit të përmendur, sidomos pas shkurtimeve të fundit buxhetore të NASA-s. Po ashtu, janë ngritur shqetësime se nisma të tilla udhëhiqen më shumë nga interesa gjeopolitike sesa nga nevoja shkencore.

SHBA, Kina, Rusia, India dhe Japonia janë në garë për eksplorimin e Hënës, me qëllimin final të krijimit të vendbanimeve të përhershme njerëzore në të ardhmen e afërt. Reaktori bërthamor shihet si një burim i qëndrueshëm energjie për misione afatgjata në hapësirë./KultPlus.com

Pas përmbylljes së Festivalit Sunny Hill, Dua Lipa nis pushimet në jug të Shqipërisë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:14

Pas një përmbylljeje të suksesshme të edicionit të pestë të Festivalit Sunny Hill, Dua Lipa nis pushimet në Shqipëri.

Pas një performance elektrizuese në natën e parë të festivalit muzikor më të rëndësishëm në rajon, Sunny Hill, që edhe këtë vit është prezantuar para publikut me artistë të njohur botëror, Dua Lipa ka zgjedhur të relaksohet në brigjet e bukura të jugut të Shqipërisë.

Këngëtarja me famë botërore lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram, duke e shoqëruar me një fotografi të jashtëzakonshme, ku të shfaqura janë perëndimi i diellit, ujërat e kristalta, dhe një shpat i bukur mali.

“Arrita në shtëpi me kohë për këtë perëndim të mrekullueshëm të diellit”, është mbishkrimi i artistes së njohur.

Prezenca e saj e shpeshtë në hapësirat shqiptare si dhe angazhimi për të promovuar pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit e ka shndërruar atë në një ambasadore kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Duas i është dhënë shtetësia e Kosovës me dekret presidencial nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani./ KultPlus.com

Filmi “F1” thyen rekordet dhe bëhet suksesi më i madh në karrierën e Brad Pitt

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:00

Pas premierës më 27 qershor, “F1: The Movie” është shndërruar në një nga filmat më të suksesshëm të vitit 2025 dhe tashmë edhe më i suksesshmi në karrierën e Brad Pitt.

Me regji të Joseph Kosinski dhe me një histori që ndjek jetën e pilotit fiktiv Sonny Hayes, roli i Pitt ka kapur imagjinatën e publikut botëror, përcjellë KultPlus.

Filmi ka arkëtuar plot 545 milionë dollarë, duke lënë pas hite të mëparshme të aktorit si World War Z, Fight Club apo Inglourious Basterds. Përveç suksesit në kinema, “F1” ka hyrë fuqishëm edhe në kulturën pop: tifozët tashmë veshin fanellat e skuadrës fiktive APXGP, ndërsa krahasimet me pilotët realë të Formula 1 janë të pashmangshme.

Kritikët gjithashtu janë pozitivë. Me një vlerësim 7.9 në IMDB, filmi konsiderohet “argëtues dhe vizualisht mbresëlënës”, me një Brad Pitt në një formë të shkëlqyer. Në listën e filmave më të shikuar të vitit, “F1” renditet në vendin e tetë globalisht, duke lënë pas edhe prodhime të mëdha si Napoleon apo Killers of the Flower Moon.

Ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë një vazhdim, një gjë është e sigurt: Brad Pitt ka dominuar pistën kinematografike si asnjëherë më parë./KultPlus.com

Shpërthimi i nëndetëses Titan, roja Bregdetare Amerikane publikon gjetjet e hetimeve

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:51

Raporti i Rojës Bregdetare të SHBA-së mbi shpërthimin e anijes nëndetëse Titan sapo është publikuar, pas një hetimi kompleks dyvjeçar. Në qershor të vitit 2023, nëndetësja e kompanisë OceanGate shpërtheu rreth 90 minuta pasi filloi zbritjen drejt rrënojave të Titanikut në Oqeanin Atlantik.

Nëndetësja Titan nisi zhytjen e saj drejt Titanikut, i cili ndodhet 3,800 metra thellë në Oqeanin Atlantik, në mëngjesin e 18 qershorit 2023. Por, vetëm 500 metra larg mbërritjes te rrënojat e famshme, nëndetësja pësoi një dështim katastrofik.

Pesë personat në bord ishin drejtori ekzekutiv i OceanGate, Stockton Rush, i cili pilotonte nëndetësen; eksperti francez i Titanikut, Paul-Henri “PH” Nargeolet, që ishte bashkëpilot; dhe tre pasagjerë që kishin paguar për zhytjen: eksploruesi britanik Hamish Harding, biznesmeni britaniko-pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar, Suleman. Të gjithë humbën jetën në mënyrë të menjëhershme.

Shpërthimi ishte aq i shpejtë, sa askush nuk do të kishte pasur kohë të kuptonte se çfarë po ndodhte. Një operacion i madh kërkim-shpëtimi u nis, me aeroplanë, anije dhe robotë nënujorë që kontrolluan Oqeanin Atlantik. Por, më 22 qershor u gjetën rrënojat e anijes Titan.

Roja Bregdetare e SHBA-së (USCG) kaloi dy vjet duke hetuar katastrofën e Titanit – një proces i gjatë dhe kompleks. Në shtator 2024, USCG organizoi një seancë dëgjimore publike dyjavore, ku dëshmuan ish-punonjës të OceanGate, pasagjerë të mëparshëm të Titanit dhe ekspertë të zhytjeve në ujëra të thella.

Mbetjet e anijes Titan, të nxjerra nga fundi i detit, janë shqyrtuar gjithashtu me kujdes. Qëllimi i USCG-së ishte të përcaktonte se çfarë shkoi keq dhe të jepte rekomandime për të parandaluar një tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Raporti nga Bordi i Hetimit Detar shqyrton:

  • Çfarë e shkaktoi incidentin – dhe si dështoi nëndetësja.
  • Nëse kishte prova për ndonjë akt të “sjelljes së keqe, paaftësisë, neglizhencës, mungesës së aftësive ose shkeljes së qëllimshme të ligjit” që kontribuoi në katastrofë.
  • Nëse ka prova për ndonjë vepër penale.
  • Nëse ka nevojë për ligje apo rregullore të reja.

Raporti rendit si faktor kryesor të shpërthimit: mosndjekjen e protokolleve të përcaktuara inxhinierike për sigurinë, testimin dhe mirëmbajtjen e nëndetëses.

Ai identifikoi gjithashtu:

  • Nevojën për qeverisje të duhur korporative;
  • Një kulturë profesionale të shëndetshme në vendin e punës;
  • Mbikëqyrje të përmirësuar rregullatore.

“Në vitet para incidentit, OceanGate përdori taktika frikësuese, leje për operacione shkencore dhe reputacionin e saj të favorshëm për të shmangur mbikëqyrjen rregullatore,” thuhet në raport.
“Duke krijuar dhe shfrytëzuar strategjikisht konfuzionin rregullator dhe sfidat e mbikëqyrjes, OceanGate ishte në gjendje ta operonte Titanin plotësisht jashtë protokolleve të përcaktuara për zhytje në ujëra të thella.”

Raporti thekson se drejtori ekzekutiv Stockton Rush ishte në gjendje të injoronte të dhënat jetësore për shkak të mungesës së mbikëqyrjes.
“Mungesa e mbikëqyrjes nga palët e treta dhe mungesa e stafit me përvojë në OceanGate gjatë operacioneve të Titanit në vitin 2023 i lejoi Rush-it të injoronte inspektimet jetësore, analizat e të dhënave dhe procedurat parandaluese të mirëmbajtjes – duke çuar në një ngjarje katastrofike,” vijon raporti.

Tetë faktorë kryesorë që çuan në shpërthimin fatal nën ujë:

  1. Proceset e projektimit dhe testimit nuk i respektuan parimet themelore të inxhinierisë për një mjedis kaq të rrezikshëm.
  2. OceanGate nuk kreu analizë të ciklit jetësor të nëndetëses.
  3. Kompania u mbështet tepër te sistemi i monitorimit në kohë reale dhe nuk analizoi siç duhet të dhënat.
  4. Titan u përdor vazhdimisht pas një sërë incidentesh, pa u vlerësuar rreziqet.
  5. Ndërtimi me fibra karboni çoi në të meta që dobësuan integritetin strukturor.
  6. Kompania dështoi të kryente hetime të plota pas aksidenteve të mëparshme.
  7. Mjedisi i punës ishte toksik – punonjësit largoheshin për të heshtur shqetësimet për sigurinë.
  8. Mungesa e mirëmbajtjes parandaluese gjatë periudhës kur nëndetësja nuk ishte në përdorim.

Shpërthimi u shkaktua nga humbja e integritetit strukturor të trupit prej fibre karboni, duke çuar në vdekjen e menjëhershme të të gjithë personave në bord.

“Njerëzit në bord ishin të ekspozuar ndaj afro 4,930 paund për inç katror të presionit të ujit, çka rezultoi në vdekjen e menjëhershme të të pesë personave,” thuhet në raport.

Përgjegjësia e Rojës Bregdetare

Raporti shqyrtoi edhe nëse mund t’i atribuohej ndonjë përgjegjësi Rojës Bregdetare të SHBA-së (USCG).
Përfundimi ishte se nuk kishte asnjë provë për sjellje të keqe, paaftësi, neglizhencë apo shkelje të ligjit nga punonjës të USCG-së apo ndonjë personel tjetër që të ketë kontribuar në tragjedi.

10 përfundime kryesore nga raporti 335-faqësh:

  1. OceanGate dështoi të ndiqte protokollet inxhinierike për sigurinë, testimin dhe mirëmbajtjen – faktori kryesor sipas USCG-së.
  2. Shpërthimi i papritur u shkaktua nga humbja e integritetit strukturor – të gjithë në bord vdiqën menjëherë nga presioni ekstrem.
  3. Stockton Rush injoroi inspektimet dhe procedurat e sigurisë për shkak të mungesës së mbikëqyrjes.
  4. Dizajni me fibra karboni ishte me të meta – shenjat paralajmëruese u injoruan.
  5. Mjedisi toksik i punës në OceanGate dekurajoi shqetësimet për sigurinë përmes shkarkimeve dhe frikësimeve.
  6. Presioni financiar në vitin 2023 ndikoi në vendime që rrezikuan më tej operacionet.
  7. Punonjësit u detyruan të heqin dorë përkohësisht nga pagat, me premtimin se do të shlyheshin më vonë.
  8. Ish-punonjës: “Kompania ishte nën stres të madh ekonomik dhe merrte vendime që rrezikonin sigurinë.”
  9. Kornizat ligjore dhe rregullatore për zhytje në ujëra të thella ishin të pamjaftueshme për të përballuar teknologjitë moderne.
  10. Sikur Stockton Rush të kishte mbijetuar

Çeku në hapje të Evropianit U17: Kosova, mikpritëse e ngjarjeve të mëdha sportive

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:40

Në Prishtinë ka nisur Kampionati Evropian U17 për hendbolliste, një ngjarje sportive madhore që po zhvillohet gjatë kësaj jave në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes dhe theksoi rëndësinë e këtij eventi për vendin tonë, transmeton KultPlus.

“Kosova jonë, vend i ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare. Vendi ynë, përveç sportistëve të jashtëzakonshëm që po na bëjnë krenarë në botë, po tregon çdo ditë se mund të organizojë ngjarje të mëdha sportive me shumë sukses,” u shpreh ministri Çeku.

Ai gjithashtu ftoi qytetarët të mbështesin ekipin kombëtar të vajzave dhe të përjetojnë atmosferën e veçantë që ky kampionat po sjell në kryeqytet.

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, duke dëshmuar kapacitetin për organizimin e kompeticioneve serioze dhe me standarde të larta./KultPlus.com

Kryetari Ilir Ferati promovon turizmin në Istog: “Ky vend i bekuar me pasuri natyrore është thesar për zhvillim të qëndrueshëm”

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:20

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka prezantuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të qytetit të tij përmes një videoje promovuese, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së natyrës.

Në fokus të videos janë malet e Moknës, Lugu i Butë, burimet e freskëta, shtigjet alpine dhe mikpritja tradicionale që ofron ky rajon. Ferati përshkruan Istogun si një vend ku jetesa e shëndetshme nuk është luks, por përditshmëri, përcjellë KultPlus.

“Ky vend i bekuar me pasuri natyrore e kulturore ka potencial të jashtëzakonshëm për investime dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Me politika të mençura, me vizion afatgjatë dhe me dashurinë për tokën tonë, Istogu mund të bëhet shembull se si zhvillimi ekonomik shkon dorë për dore me ruajtjen e natyrës”, tha Ferati.

Përmes kësaj nisme, Komuna e Istogut synon të promovojë vlerat e saj natyrore, si dhe të tërheqë vizitorë dhe investitorë që ndajnë të njëjtin vizion për një zhvillim të balancuar dhe të përgjegjshëm.

Ferati fton të gjithë qytetarët dhe turistët që të vizitojnë Istogun dhe të përjetojnë nga afër paqen, aventurën dhe mikpritjen që ofron ky qytet në zemër të Rrafshit të Dukagjinit./KultPlus.com

Armend Rexhepagiqi performon sonte në Kalanë e Ulqinit në kuadër të “Ditëve të Diasporës”

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:00

Ulqini bëhet sonte epiqendra e muzikës shqiptare, ku artisti i njohur Armend Rexhepagiqi do të ngjitet në skenën magjike të Kalasë së Ulqinit për një koncert të hapur për publikun.

Mbrëmja muzikore organizohet në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, duke sjellë një atmosferë të veçantë për qytetarët dhe mërgimtarët, transmeton KultPlus.

Koncerti fillon në ora 21:30, ndërsa hyrja është e lirë për të gjithë të interesuarit.

Ngjarja është organizuar nga Komuna e Ulqinit, me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës, Organizatës Turistike dhe Qendrës për Kulturë, si pjesë e aktiviteteve që synojnë të forcojnë lidhjet kulturore me mërgatën shqiptare dhe të promovojnë trashëgiminë kulturore të qytetit.

Pritet që Rexhepagiqi të interpretojë disa nga hitet e tij më të njohura, duke krijuar një përjetim emocional në ambientin historik të kalasë.


Sipas organizatorëve, ky është një ndër koncertet më të rëndësishme të verës në Ulqin, që synon të bëhet traditë në kalendarin kulturor të qytetit./KultPlus.com

Orkestra Frymore e Durrësit, koncert dhe atmosferë festive në qytetin bregdetar

By: Kult Plus
5 August 2025 at 19:21

Sheshi “Liria” në Durrës u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë të hapur artistike, ku u zhvillua koncerti festiv i Orkestrës Frymore, nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja dhe me pjesëmarrjen e solistes Juna Ruci.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se ky aktivitet u zhvillua në vazhdën e eventeve të shumta kulturore dhe artistike të këtij sezoni turistik, ndërsa Orkestra Frymore e qytetit dhuroi një koncert emocionues për qytetarët dhe turistët që zgjedhin Durrësin si destinacion.

Nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja, orkestra solli një repertor të pasur me vepra të njohura nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj.

“Një emocion i veçantë iu shtua koncertit falë interpretimit mjeshtëror të solistes Juna Ruçi. Tingujt e muzikës dhe entuziazmi i të pranishmëve krijuan një atmosferë festive në qytetin tonë”, pohoi Sako.

Repertori përfshiu vepra nga kompozitorë të njohur si: Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Bizet, Shostakovich, Beethoven, Morricone, The Beatles, ndërthurur mjeshtërisht për të sjellë një përjetim muzikor të larmishëm dhe frymëzues.

Ky aktivitet është pjesë e kalendarit artistik të verës në Durrës, që synon të promovojë artin dhe të krijojë hapësira kulturore për komunitetin./atsh/ KultPlus.com

Stavri Shkurti, inxhinieri që u ngjit në panteonin e artit skenik shqiptar, monologu i një ylli që nuk shuhet

By: Kult Plus
5 August 2025 at 19:00

Nga Albert Vataj

Atje ku skena hesht e dritat fiken, zëri yt ende tingëllon si një lutje e thellë. Mbi dërrasat që panë rrëfimin tënd, në sytë që përjetuan shpërthimin tënd interpretues, mbetet gjurma jote, e përjetshme, e pathyeshme, e denjë për një aktor që nuk interpretoi, por jetoi çdo rol.

Në Selanik, larg Korçës që të lindi, u mbyll një akt, por nisi një përjetësi. Nuk ishe vetëm një aktor i skenës apo i kinemasë, ti ishe një vetëqëndrim i artit, një fije zëri që nuk shuhej, një frymë që ngjizej çdo herë që përkulemi para portreteve të tua. Në ty akti interpretues nuk luhej, por rridhte nga thellësia e shpirtit, si ujë që buron natyrshëm nga një zemër që e donte artin më shumë se vetveten.

Sytë e publikut nuk panë thjesht rolet, por të panë ty, të derdhur në skenë, të ftohtë e të ngrohtë njëherësh, të butë e të zjarrtë, të heshtur dhe të klithshëm. Monolog mes fantastikes dhe reales, kështu të përjetësuan ata që të njohën nga afër dhe ata që të deshën nga larg. Gruaja jote, Florika, ruan kujtimet si gurë të çmuar. Ne, që s’të kemi takuar ndoshta kurrë, të ndjejmë thellë, përmes rolit të Salës, Besimit, Kapllanit, e aq e aq figurave të tjera që ti i veshe me shpirtin tënd të pashtershëm.

Në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, ti nuk ishe një emër mes shumë të tjerëve, ishe themel, shtyllë, ndriçim. Një ndër themeluesit e tij, ti u shfaqe në skenë si zë i gurtë i një brezi që nuk pranoi të luante rolet, por i jetoi ato. Regjisorë si Sokrat Mio, Piro Mani dhe Dhimitër Orgocka panë tek ty jo vetëm aktorin që kishte lindur me dhunti, por njeriun që pa shkollë të lartë aktrimi, arrinte majat e skenës thjesht me fuqinë e shpirtit dhe të pasionit.

Rrugëtimi yt, Stavri, nuk ndaloi në skenën e Korçës. E gjurmoi veten edhe në kinemanë shqiptare, duke u bërë pjesë e filmave të shquar si Tana (1958), Vitet e para (1965), Prita (1968), Mëngjese lufte (1971), Rrugicat që kërkonin diell (1975), Zonja nga qyteti (1976), Ilegalët (1976). Çdo shfaqje e jotja ishte një përjetim, ishe vetë epoka që merrte frymë përmes teje.

Në teatër ti jetove tek “Hijet e natës”, “Këneta”, “Nata e 12-të”, “Martesa e avokatit”, “Zonja nga qyteti”, “Fytyra e dytë”, “Engjëjt e skëterrës”, “Plumbat e shkronjave”, “Karnavalet e Korçës”, “Qyteti i akuzuar”. Skenat e këtyre veprave nuk janë më të njëjtat që prej kur mungon ti, sepse mungon zëri yt i gurgulluar, që vinte jo si fjalë, por si rrufe ndjenjash.

Stavri Shkurti nuk ishte vetëm aktor. Ishte edhe mjeshtër pas kameras, punonjës i pasionuar i Kinostudios “Shqipëria e Re”, piktor, operator, teknik trukesh, i specializuar në Bashkimin Sovjetik dhe Gjermaninë Lindore, ku mori dhe një diplomë si inxhinier. Ky dimension i dyfishtë, i artistit në skenë dhe mjeshtrit në teknikë, e bëri figurën tënde të pakrahasueshme. Ishte fryma jote ajo që ravijëzonte çdo kuadër të filmit dokumentar, çdo imazh që rrëfente jetën e fshatarit, të partizanit, të punëtorit.

Si operator i parë i filmit Dueli i heshtur, ti theve kufijtë e pamundësisë. Në det të hapur, në stuhitë e realitetit shqiptar, kamera jote gjente dritën. Mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë mbajnë firmën tënde të heshtur, por të skalitur në kujtesën e ekranit shqiptar: Kur zbardhi një ditë, Yjet e netëve të gjata, Nga mesi i errësirës, Liri, a vdekje, Qyteti më i ri në botë, Tinguj lufte e deri tek ai që nuk arrite ta shohësh të përfunduar: Kur xhirohej një film.

Në verën e vitit 1998, në Selanik, u mbyll heshturazi një jetë, por u hap një përjetësi. Një mik e përshkroi atë moment si “nënshkrim i fundit stavror në librin e jetës”. Edhe në spital, zëri yt nuk heshti – ishte monologu i fundit, që kapërceu dhimbjen dhe heshtjen, që shënoi jo një fund, por një kthesë drejt amshimit.

Familja jote, Florika, Dionisi dhe Gjergji, të ndoqën në emigracion pas viteve ’90, por kujtimi yt nuk njohu kufi. Korça të përcolli me nderimet që të takonin, të shpalli “Qytetar Nderi”, por më pas ra një heshtje. Një heshtje e çuditshme që më së shumti flet për harresën tonë sesa për mungesën tënde. Florika rrëfen me dhimbje se askush nuk erdhi të pinte një kafe në kujtim tëndin. Dhe më dhimbshme akoma, se varri yt u përdhos, se emri yt prej bronxi u grabit si të ishte thesar,e në fakt ishte.

Ti nuk kërkove asgjë, por i dhe gjithçka teatrit dhe filmit. Ndaj nuk mund të harrohesh. Je pjesë e asaj panteoni artistësh që nuk i ndau arti nga njeriu. Aktor shprehës, me zë që gufonte nga thellësia, me një portret që mbante barrën e epokave, me një përkushtim që nuk kishte të ndalur. Me ty nuk mbeti vetëm një kujtim. Mbeti një frymë, një akt i hapur, që shfaqet sa herë hapet një perde, ndizet një dritë, fillon një film.

Në udhën ku nuk ka më skena, le të mbetemi spektatorë të kujtimit tënd, me duart që duartrokasin zemrën, dhe heshtjen që bëhet poezi. Sepse, për ty jeta ishte veç film. Dhe për ne, film ishte vetë jeta jote./ KultPlus.com

Dolly Parton shpallet “ICON” nga Guinness World Records

By: Kult Plus
5 August 2025 at 19:00

Këngëtarja legjendare e muzikës country, Dolly Parton, është nderuar zyrtarisht me titullin “ICON” nga Guinness World Records, gjatë një ceremonie të mbajtur në Nashville, Tennessee, qyteti që feston gjithashtu Ditën e Dolly Parton.

79-vjeçarja, me një karrierë të jashtëzakonshme që ka lënë gjurmë në historinë e muzikës botërore, u shpreh e përulur dhe falënderuese: “Jam krenare për këtë, falënderuese dhe mendoj se duhet të kem bërë diçka siç duhet.”

Ky vlerësim i veçantë i shtohet koleksionit të saj prej 11 rekordesh Guinness, mes të cilave edhe “Më shumë albume të publikuara nga një këngëtare country” dhe “Më shumë nominime për Grammy për një artiste country femër”, transmeton KultPlus.

Përveç muzikës, Dolly Parton ka ndikuar thellësisht edhe përmes projekteve të tjera si parku tematik “Dollywood”, muzikali autobiografik “DOLLY: A True Original Musical” dhe nisma “Imagination Library” që shpërndan falas libra për fëmijët në mbarë botën.

Titulli “ICON” i Guinness i është dhënë më parë vetëm disa figurave të rralla si Taylor Swift dhe sportisti britanik Billy Monger, një dëshmi e ndikimit të jashtëzakonshëm të Parton në kulturën botërore.

Dolly Parton mbetet një simbol i përkushtimit, talentit dhe shpirtit human, që vazhdon të frymëzojë breza të tërë në mbarë botën./KultPlus.com

Panairi artizanal gjallëron qendrën e Podujevës në kuadër të “Ditëve të Diasporës”

By: Kult Plus
5 August 2025 at 18:30

Në sheshin qendror të Podujevës është hapur sot panairi artizanal, pjesë e manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, duke sjellë ngjyra, shije dhe kulturë për qytetarët dhe mërgimtarët që ndodhen në vend.

Panairi organizohet nga shoqatat “Duart e Arta Llapjane” dhe “Gratë e Batllavës”, dhe ofron produkte artizanale, veshje kombëtare si dhe ushqime tradicionale të përgatitura nga gratë e zonës.

Në hapje morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja Marigona Lahu, deputetja Drita Pajaziti dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica.

Kryetari Bulliqi vlerësoi kontributin e grave pjesëmarrëse në panair, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes artizanatit dhe gatimeve tradicionale.

Ky është panairi i tretë në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Diasporës” dhe do të mbetet i hapur edhe gjatë ditës së nesërme për të gjithë vizitorët që duan të njohin nga afër punimet dhe shijet tradicionale të rajonit të Llapit./KultPlus.com

Investime milionëshe në kulturë dhe sport: MKRS rikthen vëmendjen në kryeqytet

By: Kult Plus
5 August 2025 at 18:00

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur listën e investimeve të përfunduara, në zhvillim dhe në planifikim në qytetin e Prishtinës.

Përmes një postimi publik, ministri Hajrulla Çeku ka prezantuar projektet që përfshijnë ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturën kulturore, sportive dhe historike të kryeqytetit.

Ndër projektet e përfunduara dhe në realizim janë:

Teatri Kombëtar i Kosovës me një fond prej 7 milionë eurosh,


Stadiumi “Fadil Vokrri” me 1.3 milion euro,


Muzeu Kombëtar i Kosovës me 2.9 milionë euro,


Galeria Kombëtare e Kosovës (1.5 milionë €),


Ndërtimi i stadiumit ndihmës në Bërnicë (1.6 milion €),


Restaurimi i shtëpive tradicionale si ajo e Hynilerëve (245 mijë €), e familjes Sylejmani (185 mijë €), dhe të tjera.


Projektet në fazë prokurimi apo projektimi përfshijnë:

Biblioteka Kombëtare e Kosovës (22 milion €),


Qendra multikulturore me sallë koncertale (10 milion €),


Muzeu i Artit Bashkëkohor dhe Teatri i ri në ish-Rilindja (6 milion €),


Teatri i Operës dhe Baletit (projektim, 2.4 milion €).


Mbështetje ndërkombëtare për Lojërat Mesdhetare 2030:

Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë, janë në proces grante dhe kredi ndërkombëtare me vlerë deri në 120 milionë euro, për rijetësimin e Pallatit të Rinisë dhe rinovimin e infrastrukturës sportive dhe studentore në kryeqytet.

Këto investime përfaqësojnë një nga fazat më dinamike të zhvillimit kulturor dhe sportiv të Prishtinës në dekadat e fundit, duke dëshmuar përkushtimin institucional për rikthimin dhe promovimin e trashëgimisë, artit dhe sportit në vend./KultPlus.com

Autorë të mërgatës shqiptare përurojnë libra në BKK

By: Kult Plus
5 August 2025 at 17:19

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, organizoi sot një ngjarjeje të rëndësishme kulturore: përurimin e librave të autorëve shqiptarë të mërgatës.

BKK përmes rrjetit social “Facebook” ka njoftuar se kjo ngjarje forcon edhe më tepër lidhjet midis krijuesve në mërgatë dhe atyre në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin dhe ruajtjen e kulturës dhe letërsisë shqipe.

“Në një takim të ndarë me autorët, përfshirë Shqipe Bytyqin dhe Musa Jupollin, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi: ‘Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”, thuhet në njoftim.

Po ashtu theksohet se në një takim në zyrë, Rogova-Gaxha ua dha dy vëllimet e librave “Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, botime të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë” premierë botërore në Sarajevë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 17:15

Filmi artistik me metrazh të gjatë “Burri i Shtëpisë” (“Man of the House”), me regji dhe skenar të Andamion Murataj, do të ketë premierën botërore në programin zyrtar të konkurrimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila gjithashtu ka mbështetur financiarisht këtë projekt kinematografik.

Filmi, me një kohëzgjatje prej 110 minutash, trajton historinë e Franit, një personazh kompleks, lindur si grua, por që për shkak të rrethanave zgjedh të jetojë si burrë, duke marrë rolin tradicional të “burrneshës”.

Në përpjekje për t’i ofruar dashurinë e munguar një mbese të vogël, Fran duhet të përballet me një vendim të dhimbshëm: të mbrojë identitetin e saj të ndërtuar me vite, apo të heqë dorë nga ai për t’u rilidhur me ndjenjat dhe rolin amësor.

“Burri i Shtëpisë” është një produksion i shtëpisë kinematografike “Lissus Media” dhe përfaqëson Shqipërinë në një prej festivaleve më prestigjioze të Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Edicioni i 31-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë do të mbahet nga 15 deri më 22 gusht 2025. Në këtë edicion do të konkurrojnë 50 filma në kategori të ndryshme, mes të cilëve edhe 15 premiera botërore. Festivali do të çelet me filmin “The Pavilion” të regjisorit Dino Mustafic, ndërsa do të nderohen me çmime personalitete si Paolo Sorrentino, Willem Dafoe dhe Stellan Skarsgård./KultPlus.com

”Metro”: Tirana, qyteti me histori interesante, ushqim të shijshëm dhe jetë nate të larmishme

By: Kult Plus
5 August 2025 at 16:32

Në një artikull për të përditshmen ”Metro”, gazetarja britanike Martina Andretta përshkruan një udhëtim në Tiranë, ku për vetëm 61 paund në ditë shijon një qytet të gjallë, me histori interesante, ushqim të shijshëm dhe jetë nate të larmishme.

”Tirana po zhvillohet me ritme të shpejta dhe ofron shumë për turistët, nga muzetë e periudhës komuniste te arkitektura moderne. Udhëtimi është i lirë, ushqimi cilësor dhe akomodimi i përballueshëm.

Një murale gjigante e një vajze të pikturuar me ngjyra toke, një bllok apartamentesh me vija të ndritshme apo një rrokaqiell i ri në formën e një koke.

Duke udhëtuar nëpër Tiranë, nuk mund të mos ngresh kokën. Shoferi im i taksisë, Erioni përkulet mbi timon dhe tregon ndërtesat përreth nesh.

“Kjo është e re, ajo tjetra është shumë e njohur për turistët, edhe kjo është e re”, thotë ai.

Një aromë joshëse përhapet nga një tezgë pranë xhamit të makinës. Një shitës po hap ballokume të freskëta, një ëmbëlsirë tradicionale, dhe kulaç. Në një cep, burrat po luajnë domino mbi një tavolinë të improvizuar.

Tirana ndihet e gjallë. Kryeqyteti shqiptar, me pothuajse 600 000 banorë, është pak a shumë sa madhësia e lagjes londineze ”Brent”, por ajo ka plane ambicioze.

Dhe me historinë e saj të larmishme, klimën mesdhetare dhe kuzhinën e shijshme, është një zgjedhje e nënvlerësuar për një pushim të përballueshëm në qytet.

Gjëra për të bërë në Tiranë

Është e pamundur të vizitosh Tiranën pa u takuar me kujtimet e së kaluarës së saj komuniste. Jo shumë larg sheshit ”Skënderbej”, i njohur si zemra e qytetit, ndodhet një bunker nëntokësor i Luftës së Ftohtë.

”Bunk’Art 2” dhe ”Bunk’Art 1”, i vendosur më larg – janë muze që i japin jetë paranojës së Enver Hoxhës.

Udhëheqësi komunist i Shqipërisë ishte aq i fiksuar pas pushtimit të huaj saqë vlerësohet se urdhëroi krijimin e më shumë se 170 000 bunkerëve – duke e bërë Shqipërinë vendin me më shumë bunkerë në botë.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Tirana përbëhej kryesisht nga ndërtesa gri të stilit sovjetik.

Në filli të viteve 2000, Edi Rama – kryetari i atëhershëm i bashkisë dhe tani kryeministër – nisi një iniciativë për të injektuar ngjyra në kryeqytet.

Si rezultat, ka murale kudo që kthen kokën, nga cepat e banesave deri te stolat e parkut. Nëse planifikoni të qëndroni vetëm disa ditë, merrni në konsideratë t’i bashkoheni një turi arti rrugor që do t’ju çojë në vende të fshehura që ia vlejnë.

Atraksione të tjera që ia vlen të vizitohen përfshijnë Xhaminë e Et’hem Beut – një monument i bukur kulturor që i shpëtoi shkatërrimit gjatë epokës komuniste – dhe malin e Dajtit, i cili mund të arrihet me teleferik.

Diçka që më habiti për Shqipërinë ishte ushqimi i saj eklektik dhe i shijshëm. Është një përzierje shijesh mesdhetare dhe ballkanike, me pjata të shijshme me mish dhe ushqime të shijshme vegjetariane.

Shijova ndoshta shumë byrek si dhe salca me bazë kosi dhe dollma.

Një nga vaktet e mia të preferuara ishte te Piceri Era Blloku, ku shërbehen qofte të shijshme shqiptare me një salcë kremoze me nardem kumbulle, një reçel tradicional.

Sigurisht, nuk mund të mos e vija në provë jetën e natës shqiptare.

Shkoni në Radio Bar Tirana për disa kokteje vërtet të lira me atmosferë retro.

Nëse po kërkoni diçka më luksoze, bari rrotullues 360° në Sky Club ofron një pamje të jashtëzakonshme dhe një atmosferë romantike. U ula atje për dy orë, duke pritur që dielli të perëndonte dhe të lyente horizontin të kuq duke pirë martini.

Megjithatë, i preferuari im ishte Bar Komiteti.

Vendi e quan veten një “kafe-muze” dhe është i dekoruar me objekte nga periudha komuniste. Në mure ka peceta të punuara me dorë, makina qepëse të përdorura dhe kostume tradicionale. Pas vizitës sonë të parë, kur pimë disa kokteje klasike, u kthyem përsëri, këtë herë të vendosur të provonim raki.

Ekipi pas barit na priti me një buzëqeshje, duke bërtitur nga larg “u kthyet përsëri?!”.

Për shkak të disa vështirësive gjuhësore, vendosëm t’i besonim plotësisht kamerierit tonë për të zgjedhur një përzgjedhje pijesh me raki bazuar në opsionet “pikante, të ëmbla ose të tharta”.

Nuk u zhgënjyem kur morëm një infuzion freskues me bazë manaferrash dhe me shoqërimin perfekt të muzikës live në sfond.

Një qytet që ndryshon me shpejtësi

“Kudo në Shqipëri ka një kantier ndërtimi aktiv”, më thotë Arber Musabelliu, një guidë lokale nga Free Walking Tour Tirana.

Kur e vizitoi vitin e kaluar, Alice Murphy e ”Metro” vuri re gjithashtu se disa zona të vendit ishin të mbingarkuara dhe të mbipopulluara.

Përpara se të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë në vitin 1920, Tirana ishte një qytet relativisht i vogël, në një pozicion strategjik në qendër të vendit.

Tani, pak më shumë se 100 vjet më vonë, është një qytet modern evropian me plane të guximshme zhvillimi.

Një masterplan – i njohur si Tirana 2030 – synon ta transformojë kryeqytetin në një qendër urbane më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe teknologjike.

I udhëhequr nga arkitekti italian Stefano Boeri, vizioni përfshin ndërtesa të çuditshme.

Disa nga ato që janë ngritur tashmë përfshijnë një hartë të pikselizuar të vendit, një rrokaqiell që duket se është frymëzuar nga një set Jenga dhe një bllok patriotik apartamentesh luksoze në formën e heroit kombëtar të Shqipërisë.

Dhe, për shkak se Tirana përbëhet kryesisht nga ndërtesa të ulëta të epokës komuniste, efekti është çorientues.

Arkitektura zakonisht nuk është gjëja ime, por në Tiranë, u fiksova.

Duke parë horizontin e qytetit, me malin Dajti në sfond, sytë e mi u magjepsën nga këto shtylla monumentale, që ngriheshin mbi peizazhin.

Ku të qëndroni në Tiranë

Krahasuar me kryeqytetet e tjera evropiane, Tirana është e vogël dhe e lehtë për t’u eksploruar në këmbë. Autobusët në qendër janë gjithashtu shumë të shpeshtë.

Për një pushim fundjave, qëndroni pranë Bllokut të gjallë ose sheshit ”Skënderbej” për të qenë afër atraksioneve kryesore dhe jetës së natës.

Qyteti ka shumë mundësi të përballueshme kur bëhet fjalë për akomodimin.

Meqenëse po udhëtoja me tre miq, zgjodhëm diçka me hapësira të përbashkëta. Për ne, shfrytëzimi maksimal i kohës sonë së bashku – qoftë duke vizituar një muze apo thjesht duke pushuar në divan pas një dite shëtitjeje – ishte gjëja më e rëndësishme.

Zgjodhëm një Airbnb me dy dhoma gjumi dhe dy banjo me një vlerësim 4,98 për 220 paund në total.

I vendosur pranë Bllokut, ishte vetëm katër minuta në këmbë nga rruga kryesore, që do të thoshte se mund të ktheheshim lehtësisht në shtëpi pas darkës dhe pijeve në një nga baret në modë të lagjes.

Apartamenti u certifikua si i Preferuari i Mysafirëve, që do të thotë se lista u vlerësua shumë nga mysafirët e mëparshëm.

Eltoni, pritësi ynë, ishte jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe u sigurua që të ndiheshim si në shtëpi./atsh

‘Dua 3 vjet vetëm për letërsi’, letra e Mitrush Kutelit drejtuar kryeministrit të regjimit komunist, Mehmet Shehut

By: Kult Plus
5 August 2025 at 16:30

Në tetor të vitit 1964, vetëm tre vite para se të ndahej nga jeta, Dhimitër Pasko, i njohur më së shumti me emrin letrar Mitrush Kuteli, i drejtohet me një letër Kryeministrit të atëhershëm, Mehmet Shehu. Në këtë letër, një nga prozatorët dhe kritikët më të spikatur të letërsisë shqipe shpreh lodhjen e tij fizike e mendore nga angazhimet e përditshme si përkthyes dhe kërkon një leje të posaçme krijimtarie.

Letra u shkrua në një moment të vështirë të jetës së tij, kur ai tashmë kishte kaluar përmes burgut dhe “rehabilitimit” politik në kohën e diktaturës. Në moshën 58-vjeçare, me një shëndet të rënduar dhe nën barrën e një pune të vazhdueshme, Kuteli kërkonte tri vite për t’u shkëputur nga përkthimet dhe për t’iu përkushtuar veprës së tij origjinale, transmeton KultPlus.

Ky dokument nuk është thjesht një kërkesë administrative, ai përfaqëson një dëshirë të thellë për të rifituar hapësirën e humbur krijuese, për të ruajtur identitetin e vet artistik dhe për të lënë pas një trashëgimi të vërtetë letrare. Në të ndjehet edhe zhgënjimi ndaj kufizimeve që regjimi i kohës i kishte imponuar, por edhe përpjekja e tij për të ruajtur dinjitetin dhe integritetin si intelektual.

Letra është një dëshmi e qartë e tensionit midis krijimtarisë së lirë dhe presioneve politike, por mbi të gjitha, është një pasqyrë e ndjenjës njerëzore për të mos e lënë talentin të zbehet në heshtje.

Letra e Mitrush Kutelit për Mehmet Shehun:


Shokut, Mehmet Shehut
Kryetarit të Këshillit të Ministrave të R.P. të Shqipërisë
Tiranë

Shoku Mehmet,
Kam pothuaj dy muaj që kam pregatitur një kujtesë mbi punën time letrare dhe publicistike gjatë 40 vjetëve, mbi gjëndjen time familjare, ekonomike dhe shëndetësore, mbi përpjekjet dhe projektet e mija të sotme në letërsi. Në këtë kohë e kam hedhur e pritur me mendje kujt t’ja dërgoj, në dorë, këtë kujtesë dhe kam ngurruar. Sot po dal nga ky ngurrim dhe po ua dërgoj Juve. Mendimi që më shtyri të ndalem tek Ju është ky: “Shoku Mehmet, thashë, është i mbytur në punë të mëdha dhe të rëndë pa për të drejtuar anijen e shtetit, të popullit tonë, ndër stuhirat e vrazhda ndërkombëtare të ditëve tona, por në të njëjtën kohë është edhe shkrimtar. Pra do të më dëgjojë dhe kuptojë”. Kështu thashë, kështu po bëj: po ua dërgoj Juve “Kujtesën”.

Këtë shkresë u mundova ta përmbledh në faqe sa më të ngushta, po praseprara u zgjat, u derdh në njëzet faqe. S’kam ç’bëj: janë 40 vjet pune e luftë në fusha të ndryshme: letrare, publicistike, ekonomike. Është dhe aspirata që të mos mbetem një shkrimtar i një epoke të kaluar, po edhe i së sotmes. Në mendjen time gurgullojnë kaq dëshira dhe projekte, të cilat dua t’i hedh në letrë dhe s’mund. S’mund sepse shëndeti im është i keq dhe ato pak çaste më të kthjellta që më mbeten duhet t’ja kushtoj punës së ditës, përkthimit. Mirëpo ndjej që kjo punë, përkthimi, është shumë më pak e vlefshme dhe e dobishme se sa ajo që mund të bëja po t’ja kushtoja çasteve të mija të mira shkrimeve origjinale. Pra arrita shpejt atje ku më dhëmb dhëmbi: dua të kem nja 3 vjet të lirë, të mijat, që të përfundoj atë që kam filluar dhe mbase disa nga ato që kam mbrujtur në mendje. Këta 3 vjet i kërkoj në trajtën e një leje krijimtarie. Shumë? Nuk janë shumë, shoku Mehmet. Kam bërë dyzet vjet punë të çaprashitur në fusha të ndryshme, dua 3 vjet vetëm për letërsi. Po të bëj diçka të mirë? Po. Them kështu, ndon se jam i shkuar nga mosha (58 vjeç) dhe me një shëndet që nuk shkon mbroth. Shumë kolegë të tjerë të më rinj, me një veprimtari më të pakët e në caqe më të ngushta, kanë fituar prej kohe mundësinë t’i kushtohen vetëm shkrimit, si profesionistë. Unë nuk kërkoj një gjë të tillë. Ata vjetët e paktë që më kanë mbetur – them kështu se me bluajnë sëmundjet – kërkoj 3 vjet lirim nga puna e rëndomtë që të bëj diçka të parëndomtë.

Cila është garancia se do të bëj një punë të tillë? Ata 40 vjet punë të së kaluarës që, në s’thonë gjë tjetër shumë-shumë pozitive për vëndin tim, thonë të paktën se nuk e kam harxhuar kohën as me dëfrime, as me aspirata karjerizmi, por gjithnjë në punë. Po te lexoni me kujdes do të shihni se kështu është.

A do të bëhet Partia dhe Ju mecena im? Nuk di, por unë shpresoj dhe pres. Dhe duke shpresuar dhe pritur, vazhdoj të punoj – domosdo të punoj i çaprashitur në dy fusha: përkthim dhe krijim. Dhe shumë i lodhur.

Ju dërgoj të fala,
Dhimitër Pasko
(M. Kuteli)
Tiranë, 20 tetor 1964./KultPlus.com

‘Ridënimi’ i Fatos Lubonjës në garë për çmimin prestigjioz ‘Angelus’ 2025

By: Kult Plus
5 August 2025 at 16:22

Romani “Ridënimi” i autorit Fatos Lubonja është përzgjedhur si kandidat për çmimin letrar “Angelus” 2025, një ndër çmimet më të rëndësishme për letërsinë e Evropës Qendrore të përkthyer në gjuhën polake.

Vepra është përkthyer në polonisht me titullin “Drugi wyrok”, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, përmes Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj, një fond vjetor që synon promovimin e letërsisë shqipe jashtë vendit. Përkthimi është realizuar nga Dorota Horodyska dhe libri është botuar nga shtëpia botuese polake “Pogranicze”, transmeton KultPlus.

“Ridënimi” i përket zhanrit të kujtimeve dhe konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të kujtesës në letërsinë shqipe. Aktualisht, libri është mes 14 veprave që garojnë për çmimin “Angelus” 2025.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), ka bërë të ditur se lista përfundimtare me shtatë titujt e nominuar do të shpallet në muajin shtator./KultPlus.com

❌
❌