Jakin Marena
Sali Berisha nuk ka asnjëherë informacion kur atij nuk i intereson për çfarë flitet e bëhet apo dëshiron të fshehë diçka të madhe, përfshirë edhe tentativën për të mos dhënë një qëndrim të qartë mbi një ngjarje apo mbi një fakt.
Me një fjalë, kur Berishës nuk i shkon diçka për ‘osh’ ai bën sikur nuk di asgjë, nuk ka asnjë informacion sado i thjeshtë të jetë, sikur s’njeh askënd, sikur s’ka kaluar kurrë nëpër ato rrugë apo vise që përmenden. E bën aq hapur një gjë të tillë, sa teksa në fillim besohej se vërtetë lideri demokrat nuk merrej me ‘gjëra aq të vogla’ në dukje, por me kalimin e kohës një besim i tillë ka rënë tërësisht, për të zënë vend qartë akuza për hipokrizi ndaj tij.
E themi këtë sepse Berisha ndërsa shprehet për gjërat që nuk i shërbejnë se nuk ka dijeni apo nuk i njeh, tregon qartë se e mban syrin te ‘vrima e çelësit’, duke ‘përgjuar’ dhe marrë nëpër gojë të gjithë ata shqiptarë, politikanë, gjyqtarë, prokurorë ose të thjeshtë, të cilët i cilëson kundërshtarë të tij dhe të familjes së tij, teksa nxjerr në tregun mediatik ‘lajme’ nga më të paimagjinueshmet dhe të pabesueshmet!
Dikush tha se Berisha na kujton atë barcaletën që kishim në rini, kur pyetej një nga personat me kujtesë fenomenale por autodidakt, për ngjarje, data e periudha historike dhe për ta zënë gafil, e pyesnin se ku është bërë Lidhja e Prizrenit, ndërkohë që ai thoshte me pafajësinë proverbiale të tij: Këtë vërtet nuk e di! Por Berisha nuk është nga ky kontigjent. Ai ka kujtesë të fortë, ndërkohë që ‘harron’ vetëm atë që i leverdis ta harrojë, të mos e kujtojë apo të mos e njohë!
Këto na erdhën në mendje, teksa dëgjuam ditë më parë përgjigjen e tij në lidhje me situatën e investimit të dhëndrit të Donald Trump në Sazan! Duke këmbëngulur se nuk ka asnjë dijeni nëse mund të jetë shitur apo falur për Jared Kushner ky ishull, pavarësisht se është në Shqipëri dhe për më tepër Berisha pretendon se nuk fluturon, as noton e as ecën në tokë asgjë pa qenë ai në dijeni.
“Së pari, të jem i hapur me ju, nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me një shitje. Ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro, siç dihet, për një periudhë të caktuar të terreneve, trojeve dhe tokave. Unë nuk kam asnjë dijeni se, ishulli i Sazanit është blerë nga çifti Kushner apo është shitur nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama personalisht, nuk kam asnjë lloj dijenie, sepse ligjet shqiptare nuk parashikojnë një gjë të tillë”, deklaroi Berisha para mediave. Pra, s’di gjë!
Por vetëm pak kohë më parë Berisha ka deklaruar se kryeministri Rama ia dha Sazanin dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump për qëllime e influencë politike. Teksa u shpreh se për Sazanin ka pasur kërkesa dhe oferta për Sazanin nga shumë biznesmenë dhe investitorë që prej vitit 2001, por qeveria së fundmi vendosi ta jepte të Jared Kushner. Berisha tha i bindur se Rama ia dha Sazanin dhëndrit të presidentit amerikan thjeshtë e vetëm për qëllime e influencë politike. Duke prezantuar tashmë një ndryshim qëndrimi me 360 gradë, në deklaratën e një ditë më parë për këtë investim të rëndësishëm, krahasuar me atë që ka dhënë disa muaj më parë!
Tani këtë ‘piruetë’, Berisha e ka bërë nga frika prej Trump, nga frika se do t’i shkojnë dëm gati 20 milionë dollarët lobime në SHBA për të hequr ‘non gratën’ apo së paku për të garantuar një vizë sa për të shkelur tokën amerikane, nga frika se mund të zbardhen detaje tronditëse nga dosja e tij në DASH që e shpalli ‘non grata’, nëse ‘harron’ sulmon vajzën e preferuar të Trump, Ivanka e dhëndrin e tij Kushner, apo se kështu i volit politiksht në këtë moment, kjo mbetet për t’u parë.
E themi këtë sepse Berisha po atë ditë doli si gjithnjë jashtë kontrollit me fantazitë e tij, duke sulmuar kryeministrin Edi Rama, në lidhje me atë që kreu i PD e quan skandali me shefin e FBI, McGonigal. Teksa ka deklaruar se do të ngrejë një komision hetimi për këtë çështje, ndërsa akuzon kreun e SPAK, Altin Dumani se është një vegël e Edi Ramës, pasi sipas tij e ka varrosur këtë dosje të rëndë! Që për hir të së vërtetës s’ka lidhje aspak me Shqipërinë e shqiptarët!
Hyn dhe në detaje të imta fare, a thua ka qenë prezent në SHBA në të gjitha aktet që ai thotë se kanë ndodhur mes ish shefit të FBI dhe njerëzve të Ramës, që i përmend me emër, mbiemër, familjarë, nga vijnë si origjinë, ku kanë punuar, kur janë martuar, sa kalamaj kanë, e gjëra të tjera të këtij lloji! E di se nuk merret njeri për verifikimin e këtyre detajeve të panevojshme, ndërkohë që ata që u përmend emrin as duan t’ia dinë se çfarë thotë Berisha. Kapet pas çdo situate, pas çdo lajmi të rremë në media, të cilin pasi e merr dhe e përpunon siç di vetëm ai, e degjeneron në atë farë feje, sa dhe nëse ka ndonjë përqindje sado të vogël vërtetësie brenda tij, e “këput” fare, duke e bërë tërësisht të pabesueshëm e të papërtypshëm. Berisha këtu është në ‘habitatin’ e vet!
Kërkon hetim për McGonigal, pavarësisht se SHBA e ka mbyllur hetimin e vet atje, për shkelje të rregullave e ligjeve amerikane nga ana ish zyrtarit të lartë të FBI-së, ku s’përmendet në asnjë rast fjala “korrupsion” apo lidhje me Shqipërinë. Berisha ditë pas dite po bën teori konspirative, duke e kthyer Shqipërinë në qendër e botës dhe duke cilësuar Ramën me pa të drejtë, njeriun që qeveris jo vetëm Shqipërinë por dhe Amerikën. Dikur përmes Sorosit e zyrtarëve të lartë të FBI, sipas Berishës, ndërsa tani hajde merre vesh se me kë po e ‘menaxhon’ Rama dhe Trump-in.
Ndërkohë që Berisha nuk di se çfarë ndodh me ishullin tonë në Shqipëri, Sazanin, e tha një ditë më parë, kohë më parë sajonte teori të pabesueshme konspiracioni, për nga nga shkalla e fantazisë, duke e “impostuar” kryeministrin e vendit Rama, në “një ishull” të veçuar të Paqësorit në mes të askundit dhe ku sipas tij “po pyetet nga agjentët e FBI”. Paçka se asokohe Berishës, ende nuk ia kishin pranuar 20 milionë dollarët për lobim në SHBA për të hequr atë të bekuar ‘non grata’. Ndërsa ende nuk kishte ardhur Trump në Shtëpinë e Bardhë!
Dhe këtu ka një kontraditkë shumë të madhe në ato që thotë Berisha, në kohë të ndryshme, për të treguar se ka informacion të ‘thelluar’ për gjithçka dhe nga ana tjetër bën sikur është i paditur dhe për informacione elementare. Nga njëra anë flet me detaje për gjithçka, duke thurur teori të mëdha konspiracioni, sikur ka qenë në “ishullin” ku “qëndroi për tre ditë” sipas tij Rama duke u pyetur nga agjentët e FBI”, sikur ka qenë pas ferrës dhe ka dëgjuar dhe mbajtur shënim gjithçka, sikur ka qenë prezent si hije në të gjitha marrëveshjet e supozuara nga vetë ai, mes Ramës e ish zyrtarit të FBI që i paskan bërë “puçin” kreut të PD për ta shpallur ‘non grata’ nga SHBA e për ta evidentuar nga CIA amerikane si filorusin më të madh në Shqipëri, që u financua me gjysmë milioni dollarë për të destabilizuar vendin, para që i mori Berisha në fakt!
E sipas këtij realiteti paralel që ka krijuar vetë dhe me të vetët, Berisha kërkon të ngrejë komision hetimi për ‘McGonigal’, çështje që tashmë e ka harruar dhe vetë Amerika! Hajde merre vesh!
Apo flet me kompetencë dhe për ngjarjet më të fundit, ato të përfshirjes së shumë fshatrave dhe zonave turistike nja zjarret, pothuajse në 99 për qind të raste të vënë nga dora e njerëzve, ‘piromanët’ ndjejnë kënaqësi kur shohin djegien e vreshtave me ullinj, pemëtoreve, pyjeve apo banesave, ndonjë kishe dhe kasolleve të bagëtive me gjithë bagëtitë brenda, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve shqiptarë! Berisha sërish bën kompetentin, të gjithëditurin, duke deklaruar se nuk kishte ushtarë e policisë shqiptarë për fikjen e flakëve, por ishin të huaj! Ka fyer të gjithë këta heronj që u përballën e flakët për të shpëtuar jetë njerëzish e pasurinë e shqiptarëve, anipse rrezikuan dhe jetën e tyre.
U poqën nga njëra anë zjarri, fryt i devijancës së trurit njerëzor siç janë ‘piromanët’, nga ana tjetër vapa e tmerrshme nga temperaturat më të lartat e dekadave me radhë, nga ana tjetër Berisha që flet ‘kaluar’ nga bjeshkët e Tropojës ku gjendet bashkë me dhëndrin, se ushtarët dhe policët shqiptarë nuk janë në aksion për fikjen e zjarreve. Madje hedh dhe lajme të tjera me ithtarë të tij, sipas të cilave zjarret janë ndezur për të pastruar vendin për ndërtimin e kullave! Kulla në Gramsh, në Delvinë, Bulqizë, Munellë? S’ka faj’ i ka punët në terezi, është me vila e shtëpi në Shqipëri dhe në të gjitha kryeqytetet më në zë të Evropës, leku letër dhe e ka harruar kasollen e lopës në Viçidol të Tropojës, ku ka lindur dhe është rritur!!
Nga ana tjetër Berisha bën të paditurin për shumë e shumë gjëra, përfshirë dhe ishullin tonë, jo në mes të Paqësorit, por diku aty përballë Vlorës sonë heroike. Bën të paditurin sidomos për ato shkelje ligji e deri korrupsioni të përgjakshëm ku kanë gisht ai e familja e tij, kanë shkaktuar humbje jetësh të pafajshme, miliona euro të vjedhura, prona të tjetërsuara dhe vrasje nga shteti i drejtuar prej tij në mes të bulevardit. Sipas akuzës këto të gjitha, nuk po ia shpikim ne! Për këto gjëra të ‘vogla’ nuk kishte dhe nuk ka ‘dijeni” Berisha fare. Po fare. Madje as nuk i kupton, bën sikur nuk dëgjon pyetjet dhe nuk sheh asgjë.
Ende ka ‘dilema’, nëse Berisha e ka mësuar se ku ‘bie’ Gërdeci, fshati që hodhi në erë djali i tij me biznesin e demontimit të municioneve, duke vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosur mbi 300 të tjerë. Berisha asokohe deklaroi se nuk e dinte ku binte Gërdeci, megjithëse e ka marrë me zvarritje këtë zonë gjatë zboreve, një jetë të tërë. Deklaroi se nuk dinte se nga binte Gërdeci, nuk e kishte dëgjuar këtë emër kurrë më parë, pavarësisht se ishte ‘therur’ me ish zv.kryeministrin Ilir Rusmali e ish ministrin Financave Ritvan Bode, të cilët nuk pranuan për qamet kalimin e lejes për Gërdecin me vendim qeverie, duke ia lënë ‘peshqesh’ ministrisë së Mbrojtjes, të drejtuar asokohe nga Fatmir Mediu, i cili tani është në dyert e gjykatave!
Berisha madje nuk ‘dinte’ as se punonte baxhanaku i tij në këtë punishte, i marrë në punë nga Shkelzeni, duke i ngatërruar me qëllim dhe emrin, teksa deklaronte emrat e viktimave të këtij shpërthimi të korrupsionit shtetëror të drejtuar nga djali i tij sipas akuzave, dhe për të cilin ishte angazhuar i gjithë shteti, në fillim për ta ngritur e më pas për të mbrojtur krimin që ndodhi. Duke shkatërruar edhe drejtësinë shqiptare nga themelet. S’i kish treguar gjë liria për martesën e motrës! Le më të ketë qenë në drekën e vogël në formë dasme, të organizuar me këtë rast!
Ndaj nuk e besojnë më shqiptarët Berishën, në këto ‘pirueta’ që bën herë pas here. I ka mashtruar aq shumë, sa dhe historinë më të bukur konspirative të tregojë, madje të ‘qendisur dhe me fije ari’ ta rrëfejë, gjithnjë shqiptarëve Berisha do t’ju kujtohet se tha se nuk e dinte ku binte Gërdeci, nuk njihte baxhanakun e tij. Prandaj nuk na bëri shumë përshtypje deklarata e Berishës se s’dinte asgjë çfarë ndodhte me Sazanin dhe investimet e dhëndrit të Trump. ‘Film’ i parë ky!Për më tepër dukej sikur pajtohej me Ramën në këtë pikë, duke dalë tërësisht nga boshti i tij konspirativ i kohëve më parë. Sidomos para zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti.
Megjithatë, në fund të herës Berisha është shumë, shumë argëtues! Sidomos kur bën sikur s’sheh, sikur s’kupton, sikur s’njeh askënd, sikur nuk ka asnjë informacion! E pastaj ngrihet ‘pupthi’ e fillon e ‘kurdiset’ pas disa minutash, me informacione të ‘dorës së parë’ për detaje nga më të imtat! Anipse në 99% të tyre del bllof, duke i ardhur përgënjeshtrimet nga të gjitha anët! Por ama bën sikur i di të gjitha!
Ta ‘hajë kush ta hajë’, ai ka për detyrë që ta nxjerrë nga goja atë që ka në mendje, jo të thotë ndonjë të vërtetë! Kështu ka vepruar gjithnjë, ky është ‘habitati’ i tij për 35 vite me radhë! Nuk presim të ndryshojë tani në pleqërinë e thellë! Madje as nuk duam që të ndryshojë për aq vite sa i kanë mbetur. Është më argëtues kështu! Dhe mbi të gjithë, larg pushtetit, pa mundur të ngatërrojë gjë më. Na dhimbsen pak, demokratët, por ata Berishën duan!