Të shtënat me armë ndërpresin ndeshjen e Kupës së Botës, lojtaret e waterpolos dolën nga pishina dhe u shtrinë në tokë
Kanadaja dhe Kina kanë ndërprerë përkohësisht ndeshjen e tyre në Kampionatin Botëror të waterpolos për Femra U20, që po zhvillohet në Brazil, pasi pranë pishinës ku po luhej u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.
Policia braziliane konfirmoi të hënën se askush nuk është lënduar gjatë incidentit, i cili ndodhi në qytetin e Salvadorit.
Kina e fitoi ndeshjen hapëse të turneut me rezultatin 12-8 të dielën. Pamjet tregojnë momentin kur loja u ndal përkohësisht, ndërsa lojtarët u tërhoqën në një zonë të sigurt, u shtrinë në dysheme dhe u fshehën, pasi dëgjuan të shtënat jashtë kompleksit të vaterpolos në lagjen Pituba. Në atë çast, Kina po kryesonte 3-2.
“Ndeshja u ndal për rreth një minutë. Ekipi ynë pa policinë që po merrej me situatën”, deklaroi Marco Antonio Lemos, president i Federatës së Sporteve Ujore të shtetit Bahia.
Policia bëri të ditur se të shtënat ishin rezultat i një përplasjeje me një hajdut të dyshuar, i cili ndodhej jashtë objektit sportiv dhe po përpiqej të arratisej.
Tifozët u njoftuan për incidentin vetëm pasi loja kishte rifilluar. Ky është edicioni i parë që Brazili pret një Kampionat Botëror të Vaterpolos për Femra U20, me pjesëmarrjen e 16 ekipeve nga mbarë bota. /Telegrafi/
The post Të shtënat me armë ndërpresin ndeshjen e Kupës së Botës, lojtaret e waterpolos dolën nga pishina dhe u shtrinë në tokë appeared first on Telegrafi.