John Terry heq dorë nga ëndrra për t’u bërë trajner: Jam i befasuar kush e mori punën para meje
Legjenda e Chelseat, John Terry, ka deklaruar se ka hequr dorë nga përpjekjet për t’u bërë trajner kryesor, pas disa refuzimeve që ka marrë gjatë aplikimeve për role menaxheriale.
Ish-qendërmbrojtësi ka punuar më parë si trajner ndihmës nën drejtimin e Dean Smith te Aston Villa dhe Leicester, pasi i dha fund karrierës si lojtar në vitin 2018.
Shumë bashkëkohës të Terryt — si Xabi Alonso, Cesc Fabregas, Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Mikel Arteta — kanë arritur tashmë të sigurojnë punë si trajnerë, gjë që, sipas tij, ka qenë surprizuese.
Terry u shpreh për The Sun: “Kam mbaruar me idenë për t’u bërë trajner. Po e shijoj jetën time, punoj me kohë të pjesshme në akademinë e Chelseat, punoj me fëmijët dhe u përcjell përvojën time. Kam kohë për veten, luaj golf, kaloj kohë me familjen — është një ekuilibër i përkryer”.
Ish-kapiteni i Chelseat kujtoi përvojën pozitive si ndihmës trajner te Aston Villa, kur skuadra u ngjit në Ligën Premier, duke menduar se kjo, së bashku me karrierën e tij si lojtar dhe kapiten i Anglisë, do t’i mjaftonin për të marrë një post drejtues.
“Nuk po kërkoja domosdoshmërisht punë në Ligën Premier apo Championship, por edhe në League One. Megjithatë, gjatë intervistave gjithmonë dëgjoja të njëjtën gjë: ‘Nuk ke përvojë’. Kur shoh disa njerëz që po menaxhojnë sot, jam i habitur”.
Terry pranoi se ndihet i frustruar, por njëkohësisht është pajtuar me faktin që nuk do të marrë drejtimin e një ekipi.
“Kam shumë atribute për të qenë një trajner i mirë, por kjo nuk ndodhi. Tani jam i fokusuar tek akademia dhe po e shijoj jetën”, shtoi legjenda angleze. /Telegrafi/
The post John Terry heq dorë nga ëndrra për t’u bërë trajner: Jam i befasuar kush e mori punën para meje appeared first on Telegrafi.