Vapa e madhe – si të përballoni temperaturat ekstreme
Shumica prej nesh e mirëpresin motin e ngrohtë, por kur bëhet shumë nxehtë, paraqiten rreziqe për shëndetin. Gjatë valëve të të nxehtit, më shumë njerëz se zakonisht sëmuren rëndë apo edhe vdesin.
Nëse këtë verë godet një valë e të nxehtit, sigurohuni që të mos dëmtojë ju apo dikë që njihni.
Pse është problem vala e të nxehtit?
Rreziqet kryesore të shkaktuara nga vala e të nxehtit janë:
-Moskonsumimi i mjaftueshëm i ujit (dehidratimi)
-Mbinxehja, e cila mund të përkeqësojë simptomat për ata që tashmë kanë probleme me zemrën apo frymëmarrjen
-Rraskapitja nga nxehtësia dhe goditja nga nxehtësia
Kush është më së shumti në rrezik?
Valët e të nxehtit mund të ndikojnë te secili, por njerëzit më të ndjeshëm janë:
-Të moshuarit – veçanërisht ata mbi 75 vjeç dhe gratë
-Ata që jetojnë vetëm ose në shtëpi përkujdesjeje
-Njerëzit me sëmundje të rënda apo afatgjata, përfshirë sëmundjet e zemrës apo mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave, Parkinsonin apo disa gjendje të shëndetit mendor
-Ata që marrin disa lloje të ilaçeve që mund t’i bëjnë më të ndjeshëm ndaj të nxehtit
-Ata që e kanë të vështirë të freskohen – foshnjat dhe fëmijët e vegjël, personat që janë të shtrirë në shtrat, ata me varësi ndaj drogës apo alkoolit ose me sëmundjen e Alzheimerit
-Njerëzit që kalojnë shumë kohë jashtë ose në vende të nxehta – ata që jetojnë në katin e sipërm, personat pa strehë ose ata që punojnë jashtë
Këshilla për përballimin e motit të nxehtë
Qëndroni larg të nxehtit sa të mundeni. Nëse duhet të dilni jashtë, qëndroni në hije, sidomos mes orës 11:00 dhe 15:00, përdorni krem kundër diellit, kapelë dhe veshje të lehta, dhe shmangni ushtrimet fizike ose aktivitetet që ju nxehin më shumë.
Ftohni veten. Hani dhe pini gjëra të ftohta, shmangni alkoolin, kafeinën dhe pijet e nxehta, bëni dush të ftohtë ose vendosni ujë të ftohtë mbi lëkurë apo rroba.
Mbani hapësirat ku jetoni të freskëta. Mbyllni dritaret gjatë ditës dhe hapini natën kur temperatura bie. Ventilatorët elektrikë mund të ndihmojnë nëse temperatura është nën 35 gradë. Kontrolloni temperaturën në dhoma, veçanërisht aty ku jetojnë ose flenë persona në rrezik më të lartë.
The post Vapa e madhe – si të përballoni temperaturat ekstreme appeared first on Telegrafi.