Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

Egjipt, ekspozohen artefaktet e nxjerra nga qyteti i fundosur në Mesdhe

By: Kult Plus
21 August 2025 at 17:50

Përmes një ekspozite të mbajtur në Egjipt, u prezantuan artefaktet e nxjerra nga thellësitë e qytetit të fundosur në Detin Mesdhe.

Ministri egjiptian i Turizmit dhe Antikiteteve, Sherif Fathy dhe guvernatori i Aleksandrisë, Ahmed Khaled përuruan në Muzeun Kombëtar të Aleksandrisë ekspozitën arkeologjike “Sekretet e qytetit të fundosur”.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve, Mohamed Ismail Khaled tha se ekspozita përfshin 86 artefakte të rralla të zbuluara nga vende të ndryshme, raporton Anadolu.

Ekspozita përfshin një koleksion artefaktesh të lëvizshme të nxjerra nga Gjiri i Abukirit në veri të Egjiptit që nga viti 2000 nga Instituti Evropian i Arkeologjisë Nënujore si dhe sendeve të nxjerra nga “Qyteti Mbretëror” i fundosur në portin lindor të Aleksandrisë.

Skulpturat, qeramikat dhe bizhuteritë në ekspozitë hedhin dritë mbi qytetërimet që kanë jetuar mijëra vjet më parë në qytetin e fundosur në Mesdhe.

Patricia Arquette thotë se nuk do të na duhet të presim ‘shumë gjatë’ për sezonin e ardhshëm të ‘Severance’

By: Kult Plus
21 August 2025 at 17:20

Aktorja fituese e çmimit Oscar dhe dy herë e çmimit Emmy, Patricia Arquette, e cila është sërish e nominuar këtë vit për rolin e saj si drejtuesja manipuluese Harmony Cobel në “Severance”, tha në një intervistë se fansat nuk do të presin “shumë gjatë” për rikthimin e serialit.

“E di që njerëzit kanë qenë shumë të duruar dhe mendova, ‘Oh, ata nuk do të presin aq gjatë sa për sezonin e dytë,’” tha ajo. “Por nuk mendoj se do të zgjasë aq shumë.”

Megjithatë, ajo shtoi me rezervë: “Por kurrë nuk i dihet. Sezoni i parë u pengua nga Covid, i dyti nga një grevë e madhe, kështu që nuk dimë çfarë na pret në këtë botë.”

Sezoni i dytë i “Severance” filloi në janar, pothuajse tre vjet pas sezonit të parë. Arquette tha se nuk ka parë ende një skenar për sezonin e tretë, por është në komunikim me shkrimtarët. Ajo theksoi se prodhuesit janë shumë të kujdesshëm për cilësinë dhe duan që gjithçka të jetë në nivel të lartë.

Sa i përket asaj se çfarë mund të ndodhë në sezonin e ardhshëm, Arquette qëndroi diskrete, duke thënë: “Kam disa informacione të brendshme, por kurrë nuk do t’jua tregoj.”

“Madje as miqve të mi më të ngushtë nuk u them asgjë,” shtoi ajo.

Ajo është e vetëdijshme për dëshirën e zjarrtë të fansave për më shumë rreth botës enigmatike të “Severance”. Lidhur me teoritë e shumta të fansave në internet, ajo tha se ka lexuar disa dhe i pëlqen shumë që njerëzit përpiqen të kuptojnë më tepër.

“Njerëzit janë të zgjuar, janë interesantë,” tha ajo. Por theksoi se disa teori janë “qesharake” dhe tërësisht të pamundura. “Kam lexuar disa që janë aq të pabesueshme, saqë pyes veten: nga e keni nxjerrë këtë?”

“Severance” kryeson këtë vit me 27 nominime për çmimet Emmy, përfshirë: seriali më i mirë dramatik, aktori më i mirë (Adam Scott), aktorja më e mirë (Britt Lower), aktori më i mirë në rol dytësor (John Turturro dhe Tramell Tillman), dhe aktorja më e mirë në rol dytësor (Arquette, e cila është gjithashtu producente e serialit)./CNN/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës prezantohet në Kongresin Botëror të IFLA-s

By: Kult Plus
21 August 2025 at 17:00

Në Kongresin Botëror të IFLA-s, Biblioteka Kombëtare e Kosovës u përfaqësua me kumtesën:
“Rebuilding Memory through Digital Collecting: The Case of the National Library of Kosovo”, të mbajtur nga drejtoresha e saj, Blerina Rogova Gaxha.

Në këtë prezantim u shpalosën projektet e bibliotekës në fushën e ruajtjes së trashëgimisë dhe theksimi i rolit të saj si institucion mbrojtës i identitetit kulturor të vendit. Kumtesa ishte pjesë e sesionit “Collecting in a Digital World: Inclusivity and Sustainability”, ku u vu në pah rëndësia e digjitalizimit për të siguruar qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë ndaj burimeve kulturore.

Ky angazhim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u vlerësua si një kontribut domethënës në debatin global mbi bibliotekat dhe sfidat e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në epokën digjitale./KultPlus.com

“Peep Show Box” sjell Pazarit të Vjetër të Shkodrës në mini-teatër letre

By: Kult Plus
21 August 2025 at 16:40

Më 27 gusht, nga ora 10:00 deri në 13:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” do të zhvillohet punëtoria krijuese “Peep Show Box: Një teatër prej letre i Pazarit të Vjetër të Shkodrës”, e udhëhequr nga artistja Jozefina Vokrrin.

Kjo veprimtari u dedikohet nxënësve, të cilët do të mësojnë të ndërtojnë një mini-teatër prej letre, të frymëzuar nga fotografitë e Koleksionit Marubi që dokumentojnë jetën e gjallë të dikurshme të Pazarit të Vjetër të Shkodrës.

“Peep Show Box” është një format vizual ku përmes një kutie të punuar me dorë, krijohet një skenë me disa shtresa, duke i dhënë spektatorit ndjesinë e thellësisë dhe një rrëfim vizual të gjallë. Teknikë e njohur që prej shekullit XIX, ajo rikthehet sot si një mjet edukativ dhe imagjinativ për të sjellë më afër trashëgiminë urbane dhe vizuale të qytetit.

Ky aktivitet synon jo vetëm të nxisë kreativitetin, por edhe të afrojë të rinjtë me artin, fotografinë dhe historinë e Shkodrës përmes lojës dhe krijimit./KultPlus.com

Rama ndan rrëfimet e pushuesve në plazhet e jugut: Janë fantastike, mikpritja dhe ushqimet gjithashtu

By: Kult Plus
21 August 2025 at 16:19

Kryeministri Edi Rama ndau sot rrëfimet e pushuesve që kanë zgjedhur plazhet e jugut të Shqipërisë në këtë gusht.

“Bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, ku plazhet janë fantastike, mikpritja gjithashtu, por më emocionuese akoma janë rrëfimet e vetë pushuesve shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës për përvojat në rivierën tonë”, shkruan Rama.

“Mirë shumë. Jemi duke u kënaqur. Uji na ka qëlluar shumë i bukur këtu. Po e shijojmë shumë, është shumë i shëndetshëm dhe po shohim që shumë njerëz po vijnë gjithë kohën. Jemi të kënaqur, edhe moti është super”, u shpreh një pushuese nga Kosova.

Një tjetër pushues tha se vjen për të katërtin vit radhazi. “Është viti i katërt radhazi që po vij në Dhërmi. Për herë të parë kur kam ardhur këtu, jam dashuruar me Dhërmiun edhe më pëlqen shumë, sidomos ushqimi, deti, plazhi, e të gjitha”, tha ai.

Një turist i huaj u shpreh se po ia kalon shumë mirë. “Deti është i mahnitshëm, rëra është e bukur, njerëzit janë të bukur, absolutisht na pëlqen”, tha ai.

Një shqiptar që jeton prej 20 vitesh në Angli u shpreh se, po kalon shumë bukur. “Siç e shikoni, koha është shumë e bukur, me diell, temperatura është shumë e mirë, ushqimi është shumë i mirë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Unë kam lindur këtu në Shqipëri, por jetoj në Angli, kam njëzet vjet që jetoj dhe vij për pushime këtu i kaloj në Shqipëri”, tha ai.

Një turist nga Australia, u shpreh se, “këtu më pëlqen absolutisht. Plazhi është i mahnitshëm, tepër i bukur, ushqimi është i mirë, pijet të mira. Do t’ia rekomandoja kujtdo”, tha ai.

Ndërsa një turiste polake u shpreh se atmosfera është fantastike. “Jemi me familjen. Kohë e bukur, plazh i bukur”, tha ajo.

“Duket shumë bukur. Ka banorë të dashur, dyqane të bukura dhe restorante të mira. E dua Shqipërinë të gjithin, si vend është i bukur. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Gjithçka është e bukur”, tha një tjetër turist i huaj.

Një turist italian, i ardhur nga Milano, tha se, “vendi na ka pëlqyer shumë, deti është i mrekullueshëm, është një vend shumë natyral, nuk e kishim imagjinuar. Kërkuam në internet për të ardhur këtu. Kemi parë shumë, por Himara është vendi që preferojmë”.

“Ky është një plazh fenomenal, një plazh i mrekullueshëm, një ushqim i mrekullueshëm, një mjedis i mrekullueshëm. Po kalojmë shumë mirë. Kam një mendim shumë të mirë, sepse erdha të zbuloj tiparet e vendit tuaj të bukur, dhe ato janë shumë, shumë të bukura”, tha një tjetër turiste e huaj.

Ndërsa një çift turistësh nga Polonia vlerësuan mjaft bukuritë e Shqipërisë.

“Shumë bukur, keni male të bukura, diell të bukur, vend simpatik. Kam udhëtuar shumë, por e sugjeroj këtë vend për ta parë”, thanë ata.

Një turist nga SHBA vlerësoi Rivierën shqiptare.

“Bukur të shikosh Rivierën shqiptare, vend fantastik për të ardhur me pushime, vend i bukur. Vijmë nga Shtetet e Bashkuara, kemi udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, duke parë të gjitha bukuritë, tingujt e ndryshëm dhe po kënaqemi me të gjithë njerëzit”, tha ai./ atsh/ KultPlus.com

Kënga ‘Levitating’ e Dua Lipës kalon shifrën 1 miliard shikime në Youtube

By: Kult Plus
21 August 2025 at 15:47

Kënga “Levitating” e Dua Lipës vazhdon të ngjitet në lartësi të reja, duke arritur shifrën e një miliard shikimeve në YouTube. Kjo shënon videon e saj të tretë muzikore që arrin këtë arritje, pas “New Rules” të vitit 2017 dhe “No Lie”.

Videoklipi i realizuar nga Warren Fu dhe xhiruar në bashkëpunim me TikTok, videoja e “Levitating” e paraqet këngëtaren e popit duke hyrë në një portal galaktik që nga brenda duket si një ashensor retro. E veshur me një fustan blu me shkëlqim dhe me shkëlqim në qepallat e syve — që përputhet me vargjet “Glitter in my eye, shining just the way you like” — Lipa dhe disa miq kërcejnë në ritmin e këtij hiti të madh, trannsmeton Billboard.

Në videoklip i bashkohet edhe DaBaby, bashkëpunëtori i saj, remiksi i të cilit e ndihmoi këngën të ngjitej në vendin e dytë në Billboard Hot 100 në vitin 2021. “Levtating është një nga këngët kryesore të albumit Future Nostalgia, dhe u bë një nga këngët më përcaktuese të vitit 2024.

Që atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime. Përveç se është fejuar me aktorin Callum Turner dhe ka publikuar albumin Radical Optimism në vitin 2024.

Ajo gjithashtu është distancuar nga DaBaby pas komenteve të tij homofobike në festivalin “Rolling Loud” në vitin 2021.

“Jam e habitur dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby-t,” shkroi ajo në një deklaratë menjëherë pas fjalës fyese të reperit, ku ai përhapte keqinformim ofendues për komunitetin LGBTQ. “Nuk e njoh këtë si personin me të cilin kam punuar.”/ KultPlus.com

Quentin Tarantino zbulon se cilin film e konsideron ‘më të mirin’ e tij

By: Kult Plus
21 August 2025 at 15:26

Regjisori i famshëm i Hollivudit, Quentin Tarantino, ka zbuluar se cilin nga filmat e tij e konsideron veprën më të mirë, duke ndarë me publikun edhe filmin e tij të preferuar personal dhe atë për të cilin ndihet se “ka lindur” për ta bërë.

Në një intervistë për podkastin “The Church of Tarantino”, regjisori 62-vjeçar bëri një ndarje të qartë mes tre filmave kryesorë të tij:

Filmi i tij më i mire

Tarantino e cilësoi filmin e vitit 2009, “Inglourious Basterds”, si “kryeveprën” e tij. Filmi, me protagonistë Brad Pitt dhe Christoph Waltz, ndjek një grup ushtarësh amerikanë që planifikojnë të vrasin udhëheqës nazistë.

Filmi i tij i preferuar

Për këtë kategori, ai zgjodhi filmin e tij më të fundit me metrazh të gjatë, “Once Upon a Time… in Hollywood”.

Filmi që ndien se ka lindur për ta bërë

Tarantino tha se filmi “Kill Bill”, i ndarë në dy vëllime, është filmi për të cilin ai ndjen se “ka lindur”. Ai theksoi se çdo aspekt i këtij filmi vjen drejtpërdrejt nga imagjinata dhe pasionet e tij.

Tarantino, fitues i dy çmimeve Oscar për skenarët e filmave “Pulp Fiction” dhe “Django Unchained”, theksoi gjithashtu se, pavarësisht sa i do këta filma, ai i vlerëson “Pulp Fiction” dhe “Reservoir Dogs” si vepra me “budallallëqe amatoreske”, duke pranuar se i kishte bërë në fillim të karrierës kur “nuk dinte se çfarë duhej të dinte”.

Gjatë intervistës, ai zbuloi se projekti i tij i fundit, “Aventurat e Cliff Booth”, një vazhdim i “Once Upon a Time… in Hollywood”, sapo ka filluar xhirimet. Kjo vjen pasi ai hoqi dorë nga ideja për filmin e tij të fundit, “The Movie Critic”, duke shpjeguar se kishte humbur entuziazmin për ta sjellë atë në ekranin e madh.

‘Vajzë Fest’ rikthehet në Vlorë: Tri ditë art, film, trashëgimi dhe mikpritje në zemër të Labërisë

By: Kult Plus
21 August 2025 at 15:00

Për të tretin vit radhazi, fshati Vajzë në Vlorë kthehet në një qendër të gjallë arti dhe kulture me “Vajzë Fest”, që zhvillohet nga 22 deri më 24 gusht 2025.

Festivali sjell bashkë artistë, kineastë, muzikantë, poetë dhe figura publike në një mozaik aktivitetesh që përfshijnë film, teatër, këngë polifonike, valle popullore, muzikë bashkëkohore dhe ekspozita.

Risia e këtij edicioni është “Dita Olimpike” në Parkun Arkeologjik të Amantias, organizuar në bashkëpunim me KOKSH, si një rikthim simbolik i shpirtit të garave të lashta. Për të rinjtë dhe dashamirësit e natyrës do të ketë hiking, kampingje nën yje, net me zjarre dhe eksplorime në shpellat dhe ujëvarat e zonës.

Përvoja pasurohet me kuzhinën tradicionale të Labërisë – gatime shtëpie, bulmet të freskët, mish të pjekur, raki dhe verë, të shërbyera në ambientin natyror të Shpellës së Bletës.

Eventi organizohet nga Shoqata e fshatit Vajzë, në bashkëpunim me bashkinë Selenicë dhe komunitetin vendas, duke e kthyer Vajzën në një destinacion unik për artin, natyrën dhe trashëgiminë shqiptare.

Kopja e rrallë e ‘The Hobbit’ / Rekord në ankand, libri me ilustrime shitet 50 mijë euro

By: Kult Plus
21 August 2025 at 14:00

Një kopje e rrallë e librit “The Hobbit” është shitur në ankand në Angli për një vlerë gati 50 mijë euro. Vëllimi është një kopje e rrallë e botimit të parë me ilustrime nga autori John Ronald Reuel Tolkien. Stafi ai ankandit zbuloi librin ndërsa po rendiste sendet e një pronari shtëpie në Bristol që kishte vdekur.

Një specialiste librash në shtëpinë e ankandeve tha se ajo po shfletonte në një bibliotekë të rregullt kur hasi një vëllim me kapak të fortë të zbukuruar me male dhe një dragua.

Kur romani “The Hobbit” u botua në vitin 1937, u shtypën vetëm 1,500 kopje. Librat përmbanin ilustrime nga Tolkien, të cilat tregonin dragonj që fluturonin mbi male dhe pyje.

Botimet e para përmbanin gjithashtu dhjetë ilustrime bardh e zi nga autori. Romani, i cili ndjek Hobbitin me emrin Bilbo Baggins, zhvillohet rreth 60 vjet para trilogjisë “Zoti i Unazave”.

Ekspertët kishin pritur që libri të shitej 12,000 £. Çmimi përfundimtar prej 50 mijë eurosh është një rekord për një kopje të botimit të parë.

Nis ‘Shkodra Jazz Festival’, ‘Skanderbeg Chamber Orchestra’ ekzekutoi vepra të njohura botërore

By: Kult Plus
21 August 2025 at 13:18

Salla “Kardinal Mikel Koliqi” mirëpriti koncertin e hapjes së festivalit “Shkodra Sounds”, edicioni i IX, me pjesëmarrjen e “Skanderbeg Chamber Orchestra”.

Orkestra u krijua në vitin 1997 nga artisti i ndjerë Rrok Jakaj dhe mbetet një ndër ansamblet më të veçanta të muzikës së dhomës. Drejtori artistik, Florian Jakaj, tha se festivali është një mundësi e mirë për jetën kulturore të Shkodrës.

“Mbi të gjitha është një përvjetor ku bëhet edhe një bilanc se çfarë kemi bërë në të gjithë këto vite dhe kush është synimi ynë. E rëndësishme është që nuk jemi vetëm pasi bashkë mund të bëjmë gjëra më të mira”, u shpreh Jakaj.

Violinisti Paçalin Pavaci, që jeton jashtë vendit, u shpreh se rikthimi në Shkodër për të interpretuar për publikun e tij është një emocion i veçantë.

“Është një emocion shumë i madh se për herë të parë mblidhen të gjithë shkodranët që vijnë nga disa vetën të botës ku punojnë në zanatin e tyre. Është edhe një demonstrim dhe më madh për shkollën tonë që ka nxjerrë instrumentistë kaq të mirë. Shkodra është dashni, ne këtu kemi zemrën, tabanin dhe çdo gjë ka filluar këtu”, tha violinisti Paçalin Pavaci.

Ky koncert shënoi një fillim të bukur të “Shkodra Jazz Festival” që do të vijojë me aktivitete të tjera muzikore. /RTSH/ KultPlus.com

‘Palace of Youth’ vjen me premierë në Kino Armata më 24 gusht

By: Kult Plus
21 August 2025 at 12:46

Kino Armata këtë javë sjell premierë në Prishtinë filmin “Palace of Youth” nga Maddie Gwinn.

Projekti “Palace of Youth” është realizuar ndër vite duke sjell në ekran realitetin e të rinjve kosovarë përmes muzikës, tregimeve personale dhe shprehjes kreative.

Filmi i regjisores Maddie Gwinn sjell një pasqyrë të skenës muzikore underground në Kosovë, duke ndjekur jetën, sfidat dhe ëndrrat e një brezi që përfaqëson mbi 55% të popullsisë, të rinj nën moshën 25 vjeç.

“Vendet shfaqen dhe zhduken — ne mund të kishim qenë thjesht një prej tyre. E zënë midis dukshmërisë dhe errësirës, skena muzikore underground e Kosovës është zëri i një brezi të pasluftës që përballet me izolimin në një komb gjysmë të njohur”, thuhet në sinopsisin e filmit.

-Maddie Gwinn është regjisore debutuese nga Seattle. Ajo u diplomua me një BFA në prodhim filmi nga Chapman University dhe Filmakademie Baden-Württemberg.

Premiera jepet më 24 gusht, në ora 20:00, në KinoArmata./ KultPlus.com

Vdes Frank Caprio, gjykatësi i njohur amerikan

By: Kult Plus
21 August 2025 at 12:15

Frank Caprio, një gjyqtar i njohur dhe yll televiziv në Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Caprio, i cili luajti për shumë vite në serialin ”Caught in Providence”, vdiq nga kanceri në pankreas, me të cilin u diagnostikua vitin e kaluar.

Menjëherë pas ditëlindjes së tij të 87-të, gjyqtari iu nënshtrua trajtimit në fillim të vitit 2024.

Më 19 gusht, në një video të postuar në rrjetet sociale nga shtrati i tij në spital, Caprio njoftoi rishtrimin e tij për shkak të përkeqësimit të shëndetit.

Caprio, i zgjedhur në vitin 1985, u bë i famshëm për serialin “Caught in Providence”.

Në sallën e gjyqit, gjyqtari merrte rregullisht vendime të buta dhe humane në rastet që përfshinin njerëz në nevojë dhe veteranët e luftës./ atsh/ KultPlus.com

Shqipëria e ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir” në Francë

By: Kult Plus
21 August 2025 at 11:10

Shqipëria ka qenë e ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir” në Francë.

Vendi ynë ka marrë pjesë nga data 3 deri më 17 gusht në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir”, një nga ngjarjet më të njohura muzikore të Francës, e cila zhvillohet në rajonin piktoresk të Dordogne.

Kjo pjesëmarrje e Shqipërisë në këtë festival që ndërthur traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut përmes një programi të pasur muzikor dhe artistik, është pjesë e nismës CulturAlb, projektit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cila ka për qëllim promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se gjatë fundjavës së kaluar, kuarteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura performoi së bashku me mezzo-sopranon Flaka Goranci. Interpretimi i tyre i titulluar “Melodi Shqiptare” riktheu në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore shqiptare. Përkrah Gorancit ishin edhe Vilson Guri, Erbi Piranaj, Stela Bello dhe Bashkim Kupi, të cilët sollën një program që kremtoi dashurinë, natyrën dhe jetën, duke e bërë muzikën të lirë, të stolisur dhe të mbushur me nostalgji. Organizatorët e festivalit vlerësuan interpretimin e artistëve shqiptarë si një zbulim të një universi tingullor të rrënjosur thellë në shpirtin e popullit.

Më 16 gusht, festivali organizoi një takim letrar të fokusuar te veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Në aktivitet morën pjesë violinisti Tedi Papavrami dhe shkrimtarja Ornela Vorpsi. Papavrami u shfaq jo vetëm si interpretues, por edhe si përkthyes i veprave të Kadaresë. Përpara diskutimit letrar, violinistja e re shqiptare Vesa Dume, vetëm 13 vjeçe, performoi një koncert të shkurtër që mahniti audiencën.

Koncertet e festivalit zhvillohen në kisha historike dhe monumente.

Tre vite më parë, Luiza Gega u shpall kampione e Europës në 3000 m

By: Kult Plus
21 August 2025 at 10:57

 Sot shënohen tre vite nga shpallja e atletes Luiza Gega si kampione e Europës, në 20 gusht 2022.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar përkujtoi sot këtë rezultat historik të atletes shqiptare.

Luiza Gega u shpall kampione e Europës në 3000 m me pengesa në Europianin e atletikës, mbajtur në Mynih.

Atletja e ‘Team Albania’ e ndali kohën në 9:11.31, duke vendosur edhe rekordin e kampionatit në këtë disiplinë.

Luiza Gega mban gradën “kolonele” në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Danimarka heq TVSH-në 25% për librat, lufton ‘krizën e leximit’

By: Kult Plus
21 August 2025 at 10:25

Danimarka do të heqë dorë nga TVSH-ja për librat, në një lëvizje ambicioze që synon të nxisë më shumë njerëz të lexojnë. Me një normë takse prej 25%—më e larta në botë—qeveria daneze beson se kjo politikë po kontribuon në një “krizë leximi” në rritje.

Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, njoftoi se propozimi do të përfshihet në projektligjin e buxhetit të qeverisë. Kjo masë pritet t’i kushtojë shtetit rreth 330 milionë korona (rreth 38 milionë paund) në vit.

“Kjo është diçka për të cilën unë, si ministër i Kulturës, kam punuar, sepse besoj se duhet ta vëmë gjithçka në lojë nëse duam t’i japim fund krizës së leximit që për fat të keq është përhapur vitet e fundit”, tha Engel-Schmidt.

Ai shprehu krenari për arritjen e kësaj marrëveshje, duke e cilësuar si një investim thelbësor në kulturën e popullit danez.

Ndryshe nga vendet e tjera nordike, të cilat gjithashtu kanë një TVSH standarde prej 25% por e kanë ulur ose hequr plotësisht për librat, Danimarka ka pasur normën më të lartë në këtë kategori. Për shembull, TVSH-ja për librat në Finlandë është 14%, në Suedi 6% dhe në Norvegji zero.

Një analizë e ngjashme e ndërmarrë nga Suedia në vitin 2001, kur u ul TVSH-ja, tregoi se shitjet e librave u rritën, por kryesisht u blenë nga lexuesit ekzistues, pa ndikuar gjerësisht te lexuesit e rinj.

Engel-Schmidt theksoi se masa nuk ka vetëm si qëllim shitjet, por edhe “përhapjen e literaturës”, dhe për këtë arsye, janë ndarë fonde shtesë për të forcuar bashkëpunimin mes bibliotekave dhe shkollave.

Nëse çmimet e librave nuk bien pas heqjes së TVSH-së, ministri tha se do të rishqyrtojë masën. “Nëse rezulton se heqja e TVSH-së do të thotë vetëm që fitimet e botuesve të rriten dhe çmimet të mos bien, atëherë duhet të shqyrtojmë nëse ishte gjëja e duhur për t’u bërë,” paralajmëroi ai.

Letrat më të famshme të dashurisë të të gjitha kohërave

By: Kult Plus
20 August 2025 at 23:55

Kanë pushtuar popuj me miliona banorë, por kanë qenë rob i një njeriu të vetëm. Kanë qenë të lavdishëm e të papërkulshëm, po një njeri i vetëm i ka bërë aq sa melankolikë dhe të thyeshëm. Autorë të më të mëdhenjve veprave pa limit fantazie, po aq sa pengje të një letre dashurie. “Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja?” i shkruan mbreti i letërsisë franceze, Honore de Balzak konteshës polake Evelina Hanska. Një tjetër shkrimtar, Volteri, për hir të dashurisë do të arratisej nga burgu për të qenë pranë të dashurës së tij Olymbe Dunover, një vajzë e varfër që ai e dashuronte marrëzisht. “Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty”, i shkruan në vitin 1713 të dashurës së tij, disa minuta para se të arratisej. Por dashuria nuk është e bukur vetëm në letrat e shkrimtarëve, por edhe në atë të udhëheqësve. “Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish”, i shkruan presidenti amerikan, Ronald Regan, bashkëshortes së tij për 31 vjetorin e martesës. Edhe Napoleoni, perandori i egër francez i shkruante me ëmbëlsi Zhozefinës, bashkëshortes së tij të parë. “Zhozefinë, do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq”. “Tirana Observer” boton letrat më të famshme të dashurisë. Çfarë i shkruanin mbretërit, perandorët e presidentët vajzave që u kishin robëruar zemrat? Fjalët e ëmbla të Hygoit, Gëtes, Xhek Londonit, Xhejm Xhojsit dhe dashuritë e vështira të Franz Kafkës, Lord Bajronit e Bethovenit.

Napoleoni i shkruan bashkëshortes së tij, Zhozefinës,

Paris (1795)

Kam ecur me mendjen mbushur me mendimet për ty. E ëmbla ime, e pakrahasueshme ç’efekt të çuditshëm ke mbi zemrën time. Por çfarë mbetet akoma kur nga buzët e tua, zemra jote merr një dashuri që më tret si zjarri? Je e zemëruar? Pse më dukesh e trishtuar? Je e shqetësuar?… Sa dhimbje ndjej në shpirt! Ti do të largohesh në mesditë. Do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq.

Viktor Hugo për Adele Foucher

1821

E dashur!

Kur dy shpirtra të cilët kanë kërkuar njëri-tjetrin për aq kohë për t’u rigjetur në më fund…, një bashkim i furishëm dhe i pastër si vetë ato… fillon në tokë dhe vazhdon përjetë në parajsë. Ky bashkim është dashuri, dashuri e vërtetë…, një besim i cili hyjnizon të dashuruarin, një bashkim jeta e të cilit rrjedh nga përkushtimi dhe pasioni dhe për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla. Kjo është dashuria që ti më bën të ndiej… Shpirti yt është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve.
I yti përgjithmonë
V.H

Robert Schumann për bashkëshorten e tij Clara Schumma

1838

E dashur, kam qarë nga gëzimi duke e ditur se e je e imja dhe shpeshherë e pyes veten nëse të meritoj. Dikush mund të mendojë se në zemër e në mendje asnjë burrë nuk mund të grumbullojë në zemër aq shumë gjëra në një ditë… Por sa i
lumtur ndihesha dje e pardje! Nga letrat e tua buronte një shpirt fisnik, një besim e një mal me dashuri.
Çfarë nuk do të bëja për dashurinë tënde!

Winston Churchill për bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill

10 gusht, 1894

E dashura ime Clemmie!

Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari… Se ç’do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë. Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.
Bashkëshorti yt i dashur

Lord Bajron, drejtuar Tereza Guiçiolit

25 gusht, 1819

E dashura ime Tereza!

E kam lexuar këtë libër në kopshtin tënd; dashuria ime ti nuk ishe aty, përndryshe nuk do të mund ta kisha lexuar. Është një prej librave të tu të preferuar dhe shkrimtari ishte një miku im. Ti nuk do t’i kuptosh këto fjalë në anglisht dhe të tjerët nuk do t’i kuptojnë, çka është dhe arsyeja pse nuk i kam kthyer ato në italisht. Por ti do të njohësh shkrimin e atij që të deshi me pasion dhe ti do ta zbulosh atë nëpërmjet një libri që ishte i yti se ai mund të mendonte vetëm për dashurinë. Nga ajo fjalë e bukur në të gjitha gjuhët, por mbi të gjitha në gjuhën tënde “amor mio” përbëhet ekzistenca ime këtu e më vonë kudo që të jem. Unë e ndjej se ekzistoj këtu ku jam dhe e ndjej se do vazhdoj të ekzistoj për atë qëllim që di të përcaktosh; fati im gjendet në duart e tua. Unë të dua dhe ti më do, të paktën ashtu siç më thua dhe siç vepron, çka të paktën është një ngushëllim i madh. Por ajo që ndjej për ty është më shumë se dashuri. Unë nuk mund të pushoj së dashuri ty. Mendo për mua ndonjëherë, nëse Alpet dhe oqeani do të na ndajnë, por ato nuk do të munden asnjëherë, vetëm nëse ti e dëshiron një gjë të tillë.

Ronald Reagan për bashkëshorten e tij
4 mars, 1983

E dashur Zonjë e Parë!

E di se sipas traditës këtë mëngjes unë duhet të vendos kartolina të tipit “Gëzuar Përvjetorin!”, në tabakanë ku ndodhet mëngjesi yt. Por gjërat janë disi të ndërlikuara. Unë i zëvendësova ato me një dhuratë të cilën e dorëzova disa javë më parë. Sidoqoftë kjo mbetet dita që shënon 31 vite lumturie, të tillë që rrallë burrave u ndodh. Të kam thënë njëherë që kjo ka qenë njësoj siç e ëndërron një adoleshent martesën. E akoma mendoj njësoj. Ti e di se unë e dua fermën, por këto dy ditët e fundit ma kanë bërë më se të qartë se unë e dua atë vetëm kur ti je aty. E kjo është e vërtetë për çdo vend, në çdo kohë. Kur ti nuk je aty, unë nuk jam
askund, vetëm një i humbur në kohë e hapësirë. Unë ndjej më shumë
se dashuri për ty, unë nuk jam i plotë pa ty. Ti je jeta në mua. Kur ti
nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj
sërish.
Gëzuar përvjetorin dhe faleminderit për 31
vitet e mrekullueshme!
Të dua
Bashkëshorti yt mirënjohës,
Ronald

I mbyllur në burg për ta ndaluar që të takonte Olymbe Dunover, vajzën e varfër të një gruaje të shtresës së ulët, Volteri u arratis pak pasi shkroi letrën.

Hagë 1713

Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty. Po, e adhuruara ime, sonte unë do të të shoh ty edhe nëse do të më duhet të lë kokën për këtë gjë. Për hir të Zotit, mos mu drejto me terma të tillë shkatërrimtarë kur shkruan; ti duhet të jetosh dhe të jesh e kujdesshme; ki kujdes nga zonja, mëma jote, duke qenë se ajo është armikja jote më e tmerrshme. Çfarë duhet të them? Ki kujdes nga të gjithë; mos beso askënd; ji gjithnjë në gjendje gatishmërie në çdo moment, sapo të dalë hëna; unë do të largohem fshehurazi nga hoteli, merr me vete kaloshin pasi do të largohem si veriu për në Sheveningen; unë do të marr letër e bojë me vete; ne do të shkruajmë letrat tona.
Nëse më do binde veten; dhe mblidh gjithë fuqinë e mendjes që të të vijë në ndihmë; mos lejo që nëna jote të vërejë ndonjë gjë, përpiqu të marrësh pikturat e tua dhe ji e bindur se asnjë kërcënim, apo dhe torturat më të mëdha nuk do të më ndalojnë që të të shërbej ty. Jo, asgjë nuk ka fuqinë që të më ndajë nga ty; dashuria jonë është ngritur me virtyte dhe do zgjasë për sa të jemi gjallë. Lamtumirë, nuk ka asgjë që unë nuk do guxoja të bëja për hirin tënd; ti meriton shumë më shumë se aq!
Lamtumirë zemra ime e dashur!
Volter

Theodore Roosevelts drejtuar bashkëshortes së tij, Edith Roosevelt
20 maj 1943

E dashur Bunny

E di se çfarë është kjo – një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapeleve të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s’ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s’e menduam asnjëherë se do t’i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë “Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë”.
Me shumë, shumë dashuri,
Th. R

Vincent Van Gog, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij, Kee, e cila nuk i pranoi kurrë. 7 shtator 1881

I dashur Theo,
Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një “kurrën e kurrës”, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në “kurrën e kurrës” një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.
V.

Pjesë nga letra e Moxartit, dërguar të shoqes, Constanze

17 tetor 1790

P.S: Ndërsa po shkruaja faqen e fundit, lotët më kullonin mbi letër. Por duhet të mbushem me gëzim. Një numër i madh puthjesh po vijnë drejt meje. Dreq! Shikoj një turmë të madhe! Ha! Ha!…Sapo kapa tre. Janë shumë të ëmbla.
Ti mund t’i përgjigjesh kësaj letre, por duhet ta adresosh përgjigjen tënde: Linz, Poste Restante. Kjo është adresa më e sigurt.

Ndërkohë nuk e di me siguri, nëse do të shkoj në Regensburg. Nuk mund të ta them përfundimisht. Vetëm shkruaj mbi zarf se letra mund të mbahet deri sa ta kërkojnë.

Mirupafshim, e dashura gruaja ime e vogël. Kujdesu për veten! Më shkruaj dhe më thuaj si të pëlqejnë shtëpitë tona të reja. Mirupafshim. Të puth miliona herë!

Shkrimtari amerikan, Mark Twain, letër për Olivia Langdon, bashkëshorten e tij të ardhshme

12 maj 1869

Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime.
Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.

Pas vdekjes së kompozitorit të madh, Ludving van Bethoven, në sendet e tij u gjet edhe kjo letër dashurie. Ajo është shkruar për një grua të panjohur, të cilën Bethoven e quante “E pavdekshmja, e dashura ime”

6 korrik 1806

Engjëlli im, gjithçkaja ime, shpirti im!
Vetëm pak fjalë sot, dhe këto me penën tënde. Nuk do shkruaj deri nesër, pasi do lëviz nga shtëpia me qira. Çfarë humbje kohe.
Përse gjithë kjo brengë kur nevoja flet? A mund të rezistojë dashuria jonë përveçse me sakrifica? A mund ta ndryshosh faktin se ti nuk je tërësisht e imja, se unë nuk jam tërësisht yti?
O Zot! Shiko jashtë bukuritë e natyrës dhe qetësoje veten me atë çfarë është. Dashuria kërkon gjithçka dhe kjo është shumë e drejtë.
Nëse do ishim tërësisht të bashkuar, ti do ta ndjeje dhimbjen po ashtu si unë.
Tani një ndryshim të gjërave të brendshme nga gjërat e jashtme. Me siguri do e shohim njëri-tjetrin. Aq më tepër që unë s’mund të t’i tregoj vëzhgimet që kam bërë gjatë këtyre ditëve të fundit, të cilat kanë prekur jetën time. Nëse zemrat tona do të ishin bashkë, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga këto.
Zemra ime është e mbushur plot me gjëra që dua të t’i them ty. Ah! Ka momente kur ndjej se fjalët s’janë asgjë. Gëzohu, bëhu e vërteta ime, thesari im, gjithçkaja ime, ashtu sikurse unë jam i yti. Perënditë duhet të na japin pjesën tjetër, e cila do të jetë më e mira për ne.

I yti besnikërisht
Ludvig

Shkrimtari rus, Kont Leo Tolstoi për të fejuarën e tij, Valeria Arsenev

2 nëntor 1856

Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd.
Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.
Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.

Gëte u njoh me Sharlot von Shtein, në vitin, 1775 ndërsa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij dhe u bë edhe bashkëshortja e tij.

17 qershor 1784

Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty.
Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë. Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh.
Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato. Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë.
Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.

Xhejms Xhois (1882 – 1941) takoi në vitin 1904 Nora Barnacle, e cila do të bëhej në të ardhmen gruaja e tij. Kjo letër e shkruar vetëm disa muaj pasi Xhojs takoi për herë të parë Norën, tregon thellësinë e ndjenjave të tij.

15 gusht, 1904

E dashura ime Nora,

Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë. Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin.
Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat.
Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.

Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Evelina Hanska
19 qershor 1836

Engjëlli im i dashur,

Gati po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin.
Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje. Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes.
Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka.
Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme!
I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash.
O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur.
Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!

Mbreti Henry VIII (1491 – 1547) i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij, Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn. Dashuria që i shpreh Anës në letrën e mëposhtme, nuk do të zgjaste gjatë, pasi ajo do të ekzekutohej për tradhti bashkëshortore në vitin 1936.

1528

E dashura dhe shoqja ime,
Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.

HR

Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet

15 gusht 1846

Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla…
Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.

Për “Stella”, Beatrice Campbell

Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, dhe aktorja angleze Beatrice Campbell, së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, shkëmbyen letra për 40 vjet.

27 shkurt 1913
Për Stelën,

Dua vagabondin zuzar brenda meje,
Dua zonjën time të errët
Dua engjëllin tim, joshjen time
Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…
Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim
hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim
mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,
shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,
dritën time në mes të detit,
palmën time në mes të shkretëtirës
kopshtin tim me lulet e dashura
një mijë gëzimet e mia të paemërta
dërdëllitjet e mia të ditës,
ëndrrat e mia të natës
të dashurën time dhe yllin tim…

Gonxhja: Atmosferë super në Sarandë me Solar Music Festival

By: Kult Plus
20 August 2025 at 23:30

Solar Music Festival dhuroi një superatmosferë në Sarandë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga ky festival teksa u shpreh se, për dy net radhazi, bregdeti i Jonit u ndez me ritme elektronike, drita magjike dhe energji që nuk u shua deri në orët e vona të mbrëmjes.

Festivali u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si pjesë e nismave që i japin turizmit veror më shumë energji, gjallëri dhe një dimension kulturor.

Solar Music Festival, i cili mbahet prej disa vitesh, sjell në qytetin e bukur të Sarandës DJ të nivelit botëror, artistë dhe muzikantë të njohur e jo vetëm.

Ky festival është kombinimi i muzikës së mirë, festave të jashtëzakonshme në anije, si edhe të pushuarit në plazh përgjatë ditës.

Festivali ka një program argëtues të jetës së natës, ndryshe nga festivalet e tjerë./atsh/KultPlus.com

Demi Lovato, ikona e muzikës mbush 33 vjeç

By: Kult Plus
20 August 2025 at 22:20

Sot, këngëtarja, aktorja dhe aktivistja e njohur Demi Lovato feston 33-vjetorin e lindjes. E lindur më 20 gusht 1992 në Albuquerque, New Mexico, Demi ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që shkon përtej muzikës pop, duke u kthyer në një zë të fuqishëm për shëndetin mendor, vetëpranimin dhe forcën personale.

Që nga fillimet si aktore në seriale të Disney Channel si “Camp Rock” dhe “Sonny with a Chance”, e deri te sukseset e mëdha me këngë si “Skyscraper”, “Heart Attack” dhe “Sorry Not Sorry”, Demi ka treguar vazhdimisht talent, pasion dhe guxim për të qenë vetvetja, edhe në dritën e vështirësive personale, transmeton KultPlus.

Në dekadën e fundit, Lovato ka qenë e hapur për betejat e saj me shëndetin mendor, varësinë dhe vetëbesimin, duke ndarë historinë e saj me miliona fansa në të gjithë botën. Dokumentarët si “Dancing with the Devil” dhe daljet publike kanë ndihmuar shumë njerëz që përballen me sfida të ngjashme.

Në vitet e fundit, Demi ka përqafuar më shumë autenticitet, duke ndarë edhe udhëtimin e saj rreth identitetit gjinor dhe përdorimit të përemrave që reflektojnë më mirë ndjesinë e saj personale. Ky hap ka bërë që ajo të shihet edhe më shumë si një ikonë për komunitetin LGBTQ+ dhe për të gjithë ata që kërkojnë të jetojnë të vërtetën e tyre.

Në vitin 2024, Demi publikoi këngë të reja dhe njoftoi një rikthim në muzikën rock, duke iu kthyer rrënjëve të saj me energji dhe stil të ri. Në korrik 2025, ajo publikoi singëllin e fundit “Phoenix”, një himn për ringjalljen personale, që u prit ngrohtësisht nga publiku dhe kritikët.

Ndërsa feston 33-vjetorin, Demi Lovato nuk është vetëm një yll i muzikës pop, ajo është një simbol i kurajos, ndryshimit dhe vetëdashurisë./KultPlus.com

Yesterday — 20 August 2025Main stream

Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale

By: Kult Plus
20 August 2025 at 21:20

Në Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau një ansambël imazhesh nga Fototeka e saj, që rrëfejnë historikun e vendit.

E dyta në rang republike për nga madhësia, pas Fototekës “Marubi” (për fotot para ‘44-s), fototeka.arkiva.gov.al është tërësisht e digjitalizuar, duke garantuar akses të menjëhershëm të qytetarëve, blerjen e imazheve të riprodhuara me rezolucion të lartë, si edhe ruajtjen e tyre afatgjatë në trajtën autentike.

Fototeka e DPA-së përllogarit rreth 135 mijë fotografi origjinale, prej të cilave afro 41 mijë ilustrojnë jetën politike nga Pavarësia deri në shtetndërtim.

Përmes imazheve paraqitet edhe jeta shoqërore nëpërmjet aktivitetit ekonomik, kulturor, arsimor dhe fetar.

Fondi prej rreth 43 mijë fotografish të Institutit “Luce” kryen një retrospeksion në Shqipërinë nën Italinë fashiste. Mes tyre, rreth 13 mijë fotografi që gjenden në negativë, u përkasin fotografëve të njohur korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci./atsh/KultPlus.com

‘N’mujsh me andrrue, por pa u ba rob i andrrimit, n’mujsh me mendue, por pa t’u ba fiksim’

By: Kult Plus
20 August 2025 at 20:50

Poezi nga Rudyard Kipling

Shqipëroi: Ag Apolloni

N’mujsh

N’mujsh me mbledhë mendjen kur krejt rretheqark

Janë trenue e dojnë me t’ba fajtor gjithqysh,

N’mujsh vetes me i besue kur s’të besojnë aspak,

Por edhe dyshimin e tyne me e marrë parasysh.

N’mujsh me pritë pa u lodhë prej pritjes,

E kur shpifin për ty, ti mos me u ngutë,

E kur t’urrejnë, ti mos me iu përgjigj nxitjes,

Por pa u ba shumë i mirë, as shumë i urtë.

N’mujsh me andrrue, por pa u ba rob i andrrimit,

N’mujsh me mendue, por pa t’u ba fiksim

N’mujsh me provu shijen e Triumfit dhe Dështimit

Dhe me i trajtue si mashtrues të dy, pa dallim.

N’mujsh me durue me i pa se si fjalët e tua të drejta

maskarejtë i shtremojnë me i mashtru mendjet e lehta

ose me i pa t’prishta gjanat për të cilat t’ka shkue jeta

e me u përkulë me i ndreq me veglat e vjetra.

N’mujsh me i vu bast krejt ato çka i ke fitue

Dhe me i rrezikue thjesht me nji turr-a-jaz.

Me i humbë të tana, e me ia nisë ku pate fillue

dhe për atë humbje as mos me të plasë.

N’mujsh zemrën, muskujt dhe nervat prej kreje

Me i ba me t’shërby kur fati t’ka pshtet për mur,

E me vazhdue, kur s’ka mbetë asgja mbrenda teje

Veç Vullnetit që të thotë: “Mbahu, he burrë!”

N’mujsh me folë me turmat, por pa i mashtrue,

Ose me ecë me mbretin pa ia lidhë shumë nalt,

N’mujsh armikun e mikun mos me i lanë me t’lëndue ,

N’mujsh njeriun mos me ngre n’qiell, as me hedh n’baltë;

N’mujsh me e mbushë çdo minut të pamëshirë

Me gjashtëdhjetë sekonda jetë, pa dyshim,

E jotja do të jetë bota me gjithçka të mirë,

Dhe, për më tepër, do të jesh Njeri, o bir im!/KultPlus.com

❌
❌