SHBA – Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington
UASHINGTON, 22 gusht /ATSH – DPA/ – Shorti i grupeve të “Kupës së Botës 2026” në futboll do të hidhet më 5 dhjetor në Uashington, njoftoi të sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.
Trump tha në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino, se ceremonia e hedhjes së shortit do të mbahet në “Qendrën Kennedy” në kryeqytet.
“Kupa e Botës 2026” do të zhvillohet nga 11 qershor deri më 19 korrik 2026 në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Turneu është zgjeruar nga 32 në 48 skuadra, të cilat do të ndahen në 12 grupe.
Fillimisht besohej se shorti do të mbahej në Las Vegas, siç ndodhi për botërorin e parë në SHBA në vitin 1994.
Infantino dhe Trump kanë marrëdhënie të afërta, dhe ata mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të “Kupës së Botës për klube”, e cila u zhvillua në SHBA në qershor dhe korrik, në “Trump Tower” në Nju Jork.
Trump ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të trofeut pas finales në Nju Xhersi.
Trump e quajti Kupën e Botës si “ngjarjen më të madhe në sport” dhe, në lidhje me shortin, shtoi se “ishte një nder i jashtëzakonshëm të sjellim këtë ngjarje globale dhe këtë grup të jashtëzakonshëm njerëzish dhe këta sportistëtë pabesueshëm – më të mirët në botë – në qendrën kulturore të kryeqytetit tonë.”
Deri në kohën e shortit do të dihen 42 nga 48 skuadra pjesëmarrëse, ndërsa gjashtë të tjera do të përcaktohen në ndeshjet play-off në mars. Për këto ekipe do të vendosen përkohësisht vende në short.
Tre vendet organizatore kualifikohen automatikisht, ndërsa 10 skuadra tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen: kampionia në fuqi Argjentina, por dhe Australia, Brazili, Ekuadori, Irani, Japonia, Jordania, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe Uzbekistani. /Ad. Ab./
The post SHBA – Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.