Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Milan merr Ardon Jasharin/ Brugge bie dakord me kuqezinjtë për yllin shqiptaro-zviceran

Ardon Jashari është tashmë një futbollist I Milanit. E përditshmja italiane, “La Gazeta delo Sport” shkruan se klubi kuqezi arriti marrëveshje me klubin belg, Klub Bryzh, për transferimin e yllit shqiptaro-zviceran.

Jashari ka mbërritur në Milano këtë të mërkurë dhe do të kalojë vizitat mjekësore këtë të enjte, përpara sesa të firmosë kontratën. Sipas kësaj gazete, akordi u arrit mbi bazën e 34 milionë eurove që duhet të paguhen menjëherë për kartonin, dhe 3 milionë euro të tjera si bonuse, që do të arrihen në bazë të klauzolave në kontratë.

Vendimtar në këtë marrëveshje ishte vullneti I Jasharit, që donte të luante vetëm për Milanin, si dhe strategjia e ndjekur nga drejtori sportiv I klubit nga Lombardia, Igli Tare.

Shuhet ylli portugez i topit/ Jorge Costa mbyll sytë në moshën e parakohshme, 53 vjeç

Futbolli portugez dhe ai botëror janë në zi për shuarjen e një ylli. Ish-lojtari I kombëtares së Portugalisë dhe I Portos, Zhorge Kosta, mbylli sytë në moshën e parakohëshme 53-vjeçare pasi pësoi një atak në zemër. Kjo ndodhi, ndërsa ai ndodhej në kompleksin stërvitor të Portos, ndërsa ishte caktuar prej një viti drejtor futbolli I klubit. Zhorge Kosta luajti 50 ndeshje për Portugalinë, ndërsa fitoi Kupën e Botës U20 në vitin 1991. Me Porton fitoi Championsin në 2004 nën drejtimin e trajnerit Zhoze Murinjo, duke qenë kapiten I skuadrës. Po ashtu fitoi Kupën UEFA si kapiten dhe Kupën Interkontinentale, si dhe 8 tituj kampion në Portugali, 5 Kupa të Portugalisë dhe 8 Superkupa. Zhorge Silva punoi për gati 20 vjet si trajner dhe drejtoi 17 skuadra të ndryshme.

Putinit po i mbaron afati/ Trump telefonon Zelensky, diskuton tarifat për Kremlinin

Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump patën një bisedë telefonike me fokusin kryesor te një zgjidhje që do i jepte fund luftës.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky shkruan se me presidentin amerikan diskutuan sanksionet kundër Rusisë, në një kohë kur ekonomia ruse është në rënie dhe pikërisht për këtë arsye Moska është tepër e ndjeshme ndaj vendosmërisë së Trump.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe sulmet e fundit ruse, për të cilat Donald Trump është plotësisht i informuar.

Rusia nuk i ka ndalur bombardimet ndaj Ukrainës dhe sulmet e fundit në jug dhe verilindje të vendit kanë lënë të paktën 6 të vrarë, ndërsa katër të tjerë janë vrarë në rajonin e Luhanskut. Të paktën 17 të tjerë u plagosën.

Zelensky dhe Trump diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes. Presidenti ukrainas tha se draft marrëveshja për dronët është përgatitur dhe mbeten për tu diskutuar detajet për ta përfunduar.

Zelensky thehksoi se tashmë ka angazhime nga Holanda, Suedia, Norvegjia dhe Danimarka për  mbi një miliard dollarë për armët amerikane që Ukraina do të marrë.

Telefonata mes dy liderëve vjen pak ditë para afatit të 8 gushtit që Donald Trump i ka vendosur Vladimir Putin për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës. Nëse Putin nuk pranon, presidenti amerikan do të vendosë sanksione dhe tarifa të reja ndaj Moskës.

Trump Osmanit: Mike e SHBA!/ Presidenti amerikan e falenderon për marrëveshjen për emigrantët

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në të cilën e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Presidenca e Kosovës njofton se ne letrën e Trump shkruhet se vendimi për të pranuar shtetas nga vende të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me SHBA.

Sipas Trump, me këtë çështje, tregohet fuqia dhe dhembshuria e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe me prosperitet. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta.”

Më tej Trump shpreh sërish falënderimin ndaj Osmanit, që sipas tij ka qëndruar si mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.

Në fund të letrës, Presidenti ameirkan i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë Melania Trump.

Kujtojmë se Kosova ka pranuar strehimin e 50 emigrantëve nga vende të treta, të dëbuar nga territori amerikan.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha pak muaj më parë se përzgjedhja e shtetasve do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe duke pasur parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik. / abcnews.al

Ngërçi, Osmani tërhiqet/ “Kërkesa në Kushtetuese, në duart e një gjyqtari serb”

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tërhoqi kërkesën që kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për sqarim të pasojave nga moskonstituimi I Kuvendit prej disa muajsh.

Arsyeja e lëvizjes më të fundit të Osmanit, ishte se kërkesa do të shqyrtohej nga një gjyqtar serb. Ajo e quajti Radomir Llaban një rresik për sigurinë kombëtare dhe tha se ai nuk mund të ketë në dorë fatin e rendit kushtetues të vendit.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, tha Osmani në një konferencë për mediat.

Megjithatë Llaban është gjyqtar që në vitin 2018 dhe veprimi i Osmanit ngre shumë pikëpyetje dhe më shumë duket si tërheqje para Albin Kurtit

Gazetari Shkodran Hoti, i ftuar në Balkan Update, se ka pasur raste ku pushteti aktual ka shkelur Kushtetutën dhe presidentja ka qëndruar pasive duke mos reagur.

SINK

Më tej, Hoti tha se presidentja Osmani ka nisur në mënyrë jozyrtare angazhimin e saj politik dhe se asaj i intereson ngërçi politik në Kosovë.

SINK

Rekord historik i nxehtësisë në Japoni/ Për herë të parë temperatura arrin në mbi 41 gradë

Japonia ka regjistruar dy rekorde të reja të temperaturave më të larta ndonjëherë brenda një dite, teksa vala përvëluese e të nxehtit po përfshin vendin.

Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, temperaturat arritën fillimisht në 41.6°C, për t’u rritur më pas në 41.8°C, duke vendosur një rekord të ri historik për vendin.

Temperaturat ekstreme u shënuan të martën në qytetin Isesaki, që ndodhet në prefekturën Gunma në pjesën veriore të rajonit Kanto. Këto vlera e tejkalojnë ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej 41.2°C, i cili ishte regjistruar vetëm javën e kaluar në prefekturën Hyogo, në perëndim të Japonisë.

Përpara kësaj vale të fundit të të nxehtit, rekordi më i lartë ishte 41.1°C, i shënuar më parë në vitet 2020 dhe 2018.

Agjencia Meteorologjike ka bërë të ditur gjithashtu se muaji i kaluar ka qenë më i nxehti që prej fillimit të matjeve në vitin 1898. Temperatura mesatare mujore ishte 2.89°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020.

Edhe qyteti turistik i Kyotos është prekur nga vala përvëluese. Javën e kaluar, temperaturat atje arritën në 40°C, për herë të parë që ndonjë prej pikave të matjes – nga më e vjetra që daton në vitin 1880, deri tek më e reja e hapur në 2002 – ka regjistruar një vlerë të tillë.

Tarifat amerikane mobilizojnë vendet fqinje/ Meksika dhe Kanadaja nisin diskutimet zyrtare

Ministri i Ekonomisë së Meksikës, Marcelo Ebrard, ka njoftuar se do të zhvillojë një takim me ministrin kanadez të financave, Francois-Philippe Champagne, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në kryeqytetin meksikan. Qëllimi i bisedimeve është shkëmbimi i përvojave mbi mënyrën se si të dy vendet po përballen me tarifat tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

“Ata duan të kuptojnë si po arrin Meksika këto rezultate,” u shpreh Ebrard për gazetarët.

Meksika ka arritur të shmangë një tarifë 30% për eksportet drejt SHBA, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi javën e kaluar, duke siguruar një pezullim 90-ditor për të negociuar një marrëveshje tregtare me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Ndërkohë, Kanadaja është goditur nga një tarifë 35% për shumë mallra, duke e rritur ndjeshëm normën e mëparshme prej 25% që kishte lidhje me politikat kundër trafikut të fentanilit.

“Do të shkëmbejmë përvojat tona,” tha Ebrard. “Ata po paguajnë tarifë 35%, ndërsa Meksika jo.”

Megjithatë, Meksika vazhdon të jetë subjekt i tarifës 25% për produktet e lidhura me fentanilin. Sidoqoftë, shumica e mallrave që eksportohen sipas marrëveshjes tregtare SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) janë të përjashtuara nga këto tarifa.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, zhvilloi gjithashtu një takim me ministrin kanadez të financave dhe ministren e jashtme Anita Anand, në Pallatin Kombëtar të Meksikës. / abcnews.al

Greqi/ Fundoset trageti, shpëtojnë mrekullisht udhëtarët

Një traget që operonte në itinerarin nga Nea Stira në Agia Marina u mbyt të martën pasdite në bregun e Glaros, afërsisht dhjetë minuta pas nisjes së tij nga porti.

Trageti “Panagia Paravouniotissa” mbante 105 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit dhe ata janë në gjendje të mirë shëndetësore

Tre anije të Rojës Bregdetare, anije private dhe një anije tjetër që transportonte pasagjerë nxituan në vendngjarje për të ndihmuar në proces.

Trageti pati një prurje të vogël uji, e cila është ndalur dhe po pompohet.

Bill dhe Hillary Clinton thirren në gjyq, do të dëshmojnë për rastin Epstein

Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së ka lëshuar thirrje në gjyq për dëshmi për ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton në lidhje me hetimin e trafikimit seksual ndaj Jeffrey Epstein.

Komiteti i kontrolluar nga republikanët gjithashtu i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të jepte dosje që lidhen me financuesin pedofil, si dhe me tetë ish-zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit.

Donald Trump ka mohuar të ketë pasur dijeni paraprake për krimet e Epstein, duke pretenduar se i dha fund marrëdhënies së tyre shumë kohë më parë. Presidenti amerikan është përpjekur vazhdimisht të heqë një vijë nën vendimin e Departamentit të Drejtësisë për të mos publikuar një raport të plotë të hetimit, por politikanë nga të dy partitë kryesore politike, si dhe shumë në bazën politike të Trumpit, kanë refuzuar të heqin dorë nga interesi i tyre për dosjet e Epstein.

Raportohet se Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019 duke pritur gjyqin për akuzat e trafikimit seksual, dhe që atëherë, teoritë e konspiracionit kanë qarkulluar rreth informacionit që hetuesit mblodhën mbi të dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në krimet e tij.

Republikanët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve iniciuan thirrjet në gjyq për Clintonët muajin e kaluar, si dhe kërkuan të gjitha komunikimet midis administratës demokrate të ish-presidentit Joe Biden dhe Departamentit të Drejtësisë në lidhje me Epstein.

Komiteti më parë lëshoi një thirrje në gjyq për një intervistë me ish-të dashurën e Epstein, Ghislaine Maxwell, e cila kishte vuajtur një dënim me burg në Florida për joshjen e vajzave adoleshente për t’u abuzuar seksualisht nga Epstein.

Arabia Saudite nis ndërtimin e aeroportit më të madh në botë

Arabia Saudite ka nisur punën për ndërtimin e atij që pritet të jetë aeroporti më i madh në botë. Aeroporti Ndërkombëtar Mbreti Salman pritet të hapet në vitin 2030 dhe do të jetë sa 14,000 fusha futbolli së bashku. Ky aeroport gjigand do të ndërtohet rreth aeroportit ekzistues Mbreti Khalid në kryeqytetin Riad. Zgjerimi i tij u njoftua për herë të parë në nëntor 2022 dhe kur të përfundojë, aeroporti do të shtrihet në 57 kilometra katrorë, prej të cilave 12 kilometra katrorë do të jenë të rezervuara për qendra tregtare.

Aeroporti Mbreti Khalid ka dy pista paralele për ulje-ngritje të avionëve. Me zgjerimin, numri i pistave do të shkojë në gjashtë dhe numri i pasagjerëve do të arrijë në 120 milionë deri në vitin 2030, ndërsa deri në vitin 2050 pritet të arrijë në 185 milionë. Me hapjen e këtij aeroporti, numri i ngritjeve dhe uljeve të avionëve në Arabinë Saudite do të rritet nga 211,000 në mbi një milion në vit. Kostoja e projektit vlerësohet në 30 miliardë dollarë.

Në janar 2025, përfundoi rikonstruksioni i terminalit ekzistues në aeroportin Mbreti Khalid, duke e çuar një hap më pranë përfundimit të projektit madhor. Terminali i ri ka 38 sportele check-in, 10 kioska vetëshërbimi, 26 sportele kontrolli pasaportash, 10 porta të automatizuara, 24 porta për hipje në avion, 40 sportele pasaportash në zonën e mbërritjes dhe 11 porta vetëshërbimi për daljen e shpejtë.

Dizajni i aeroportit është krijuar nga firma britanike e arkitekturës Foster + Partners, e njohur edhe për projekte si Battersea Roof Gardens, Stadiumi i Wembley-t, dhe memoriali kombëtar për Mbretëreshën Elizabeth II. Në maj të këtij viti, dy kompani amerikane; Bechtel dhe Parsons morën kontrata kyçe për zgjerimin, sipas Engineering News-Record (ENR).

Aeroporti do të ketë ambiente të shumta për ulje, zona të brendshme dhe të jashtme me shumë gjelbërim, dhe dritare të mëdha për të parë avionët. Ky projekt është pjesë e planit ambicioz “Vizion 2030” të Arabisë Saudite, që synon transformimin e vendit. Brenda këtij vizioni përfshihet edhe Qiddiya, një qytet argëtimi që pritet të hapet më vonë këtë vit dhe do të përfshijë një park tematik Six Flags, një ujëvarë gjigande me makina nënujore, katër atraksione që thyejnë rekorde botërore, përfshirë ujëvarën më të lartë në botë, rrëshqitësen më të gjatë për gara me tapeta, dhe rrëshkitësen më të madhe në botë.

Raporti: Netanyahu po ndërmjetëson midis Trump dhe Putin, në përpjekje për të ulur tensionet

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po punon për të ndihmuar në uljen e tensioneve midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.

Kështu u shprehën disa burime pranë Netanyahut për transmetuesin publik Kan.

Disa nga telefonatat e Netanyahut me Putinin janë raportuar në media, dhe disa kanë mbetur sekrete, sipas raportit, shkruan The Times of Israel.

Raporti vjen disa ditë pasi, në një paralajmërim për Rusinë, Trump urdhëroi ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane “bazuar në deklaratat shumë provokuese” të ish-presidentit të vendit, Dmitry Medvedev, i cili ka ngritur mundësinë e luftës në internet.

Trump ka thënë se i dërguari i posaçëm Steve Witkoff do të shkojë në Rusi këtë javë për të nxitur Moskën të bjerë dakord për një armëpushim në luftën e saj me Ukrainën dhe ka kërcënuar me sanksione të reja ekonomike nëse nuk arrihet përparim.

Ai e shkurtoi afatin e tij 50-ditor për veprim në 10 ditë, me këtë afat që skadon të premten./abcnews.al

Hezbollahu paralajmëron: Raketat do të bien mbi Izraelin nëse sulmon Libanin

Në një zhvillim përtej Gazës, por ende shumë të lidhur me luftën, shefi i Hezbollahut e ka kërcënuar drejtpërdrejt Izraelin.

Në një fjalim televiziv, Naim Qassem tha se grupi militant dhe ushtria libaneze – e cila nuk është pjesë e Hezbollahut – do të mbrohen nëse Izraeli angazhohet në “agresion në shkallë të gjerë”.

“Kjo mbrojtje do të çojë në rënien e raketave brenda entitetit izraelit dhe e gjithë siguria që ata kanë ndërtuar gjatë tetë muajve do të shembet brenda një ore”, shtoi ai.

Pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, Hezbollahu hapi zjarr ndaj pozicioneve izraelite, duke deklaruar solidaritet me palestinezët, shkruan Sky News.

Por shumica e komandës së Hezbollahut u vra nga Izraeli, i cili dërgoi trupa në jug të Libanit pas gati një viti sulmesh tregtare.

Në javët e fundit, SHBA dhe Libani – qeveria e të cilit është e ndarë nga Hezbollahu – kanë qenë në bisedime mbi një plan veprimi për çarmatosjen e plotë të Hezbollahut.

Kjo do të ishte në këmbim të përfundimit të sulmeve nga Izraeli dhe tërheqjes së trupave të tij nga pesë pika në Libanin jugor.

Propozimi fillestar përfshinte një kusht që qeveria e Libanit të miratonte një vendim kabineti që zotohej të çarmatoste grupin.

Publikisht, Hezbollahu ka refuzuar të dorëzojë arsenalin e tij të plotë, por grupi privatisht ka konsideruar zvogëlimin e tij./abcnews.al

Protesta masive në Pakistan për lirimin e Imran Khan, arrestohen mbi 240 mbështetës të opozitës

Më shumë se 240 aktivistë të partisë opozitare Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI) janë arrestuar nga policia pakistaneze gjatë protestave të zhvilluara të martën, me rastin e dyvjetorit të burgosjes së ish-kryeministrit Imran Khan.

Sipas autoriteteve të sigurisë, të paktën 122 persona u ndaluan në qytetin Lahore, ku tentuan të bllokojnë rrugët dhe të cënojnë rendin publik. Zëvendës-inspektori i përgjithshëm i policisë, Faisal Kamran, tha se pjesa tjetër e arrestimeve u krye gjatë kontrolleve gjatë natës në rajonin e Punjab-it.

Ndërkohë, mijëra mbështetës të Khan dolën në rrugët e Khyber Pakhtunkhwa, një provincë e drejtuar nga PTI. Protesta të shumta u zhvilluan edhe në qytetet Karachi dhe Muzaffarabad, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Në Lahore, qindra protestues u mblodhën jashtë gjykatës me thirrjet “Lironi Imran Khan!”, ndërsa grupe më të vogla zhvilluan demonstrata në zona të ndryshme të qytetit.

Zëdhënësi i PTI-së, Zulfikar Bukhari, deklaroi se mbi 200 aktivistë janë ndaluar vetëm në Lahore.

Në Quetta, një grup grash protestuese brohoriste “Poshtë qeveria!”, ndërsa në Karachi, rreth 2,000 aktivistë organizuan një marshim me motocikleta, riksha dhe automjete të tjera, të pajisur me flamuj të partisë dhe postera të Khan, përpara se të shpërndaheshin nga policia me gaz lotsjellës.

Protestat vijnë në një kohë të tensionuar për politikën pakistaneze, ndërsa mbështetësit e Imran Khan kërkojnë lirimin e liderit të tyre, i cili ndodhet në burg që nga gushti i vitit 2023. / abcnews.al

Vdes Ion Iliescu, udhëheqësi i parë postkomunist i Rumanisë

Ish-presidenti i Rumanisë, Ion Iliescu – një nga figurat më me ndikim, por gjithashtu më kontroverse të periudhës postkomuniste të Rumanisë – ka vdekur në Bukuresht më 5 gusht, në moshën 95-vjeçare.

Ish-presidenti ishte shtruar në spital që nga 9 qershori, dhe mjekët e kishin diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Në një komunikatë zyrtare, Qeveria njoftoi me “keqardhje të thellë” vdekjen e Iliescut dhe u shprehu ngushëllime familjes dhe miqve të tij.

I dashur nga disa dhe i refuzuar nga të tjerë, Iliescu ishte një nga politikanët më kontrovers në periudhën demokratike që pasoi përmbysjen e diktatorit të kamotshëm, Nicolae Ceaușescu, në dhjetor të vitit 1989.

Iliescu kishte qenë ministër në qeveri para se të anashkalohej nga Ceaușescu në fillim të viteve ‘70. Në dhjetor të vitit 1989, ai u paraqit si kundërshtar i regjimit të Ceaușescut dhe doli në krye të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, një grup që mori kontrollin e vendit pasi Ceaușescu dhe bashkëshortja e tij u rrëzuan dhe u ekzekutuan.

“Nuk kemi votuar për ChatGPT”, kryeministri suedez kritikohet pse përdor AI-n në punë

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, është kritikuar ashpër pasi pranoi se përdor rregullisht mjetet e inteligjencës artificiale për të marrë një mendim të dytë në lidhje me drejtimin e vendit.

Kristersson, i cili drejton qeverinë e koalicionit të qendrës së djathtë, tha se përdor ChatGPT dhe shërbimin francez LeChat. Ai shtoi se edhe kolegët e tij përdorin AI-n në punën e përditshme.

Në një intervistë për gazetën suedeze Dagens Industri, Kristersson tha: “E përdor vetë mjaft shpesh. Nëse jo për asgjë tjetër, atëherë thjesht për një mendim të dytë. Çfarë kanë bërë të tjerët? Dhe a duhet të mendojmë krejt ndryshe? Pyetje të tilla.”

Megjithatë, ekspertët e teknologjisë kanë shprehur shqetësime për përdorimin e AI-t nga politikanët në këtë mënyrë, dhe gazeta Aftonbladet akuzoi Kristersson-in në një editorial se “ka rënë pre e psikozës oligarkike të inteligjencës artificiale”.

“Duhet të jesh shumë i kujdesshëm,” tha Simone Fischer-Hübner, kërkuese në shkencën kompjuterike në Universitetin Karlstad, duke paralajmëruar për përdorimin e ChatGPT-së për informacione të ndjeshme.

Zëdhënësi i Kristersson-it, Tom Samuelsson, tha më vonë se kryeministri nuk merr rreziqe në përdorimin e AI-t.

“Natyrisht, nuk është informacion i ndjeshëm ndaj sigurisë ai që përfundon atje. Përdoret më shumë si një platformë”, tha ai, citon The Guardian.

Por Virginia Dignum, profesoreshë e inteligjencës artificiale të përgjegjshme në Universitetin Umea, tha se AI nuk është në gjendje të japë një opinion të kuptueshëm mbi idetë politike dhe thjesht pasqyron mendimet e atyre që e kanë ndërtuar.

Sa më shumë të mbështetet tek AI për gjëra të thjeshta, aq më i madh është rreziku i besimit të tepruar në sistem. Është një shpat i rrëshqitshëm,” tha ajo për gazetën Dagens Nyheter. “Duhet të kërkojmë që të garantohet besueshmëria. Ne nuk kemi votuar për ChatGPT.”

UNICEF: Izraeli vret mesatarisht 28 fëmijë palestinezë çdo ditë në Gaza

Sipas Kombeve të Bashkuara, afërsisht 28 fëmijë po vriten çdo ditë në Gaza për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite dhe kufizimeve të saj në ofrimin e ndihmës humanitare shumë të nevojshme.

“Vdekje nga bombardimet. Vdekje nga kequshqyerja dhe uria. Vdekje nga mungesa e ndihmës dhe shërbimeve jetësore”, tha Fondi i OKB-së për Fëmijë (UNICEF) në një postim në X.

Agjencia theksoi se fëmijët në Gaza kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pastër, ilaçe dhe mbrojtje, duke shtuar: “Më shumë se çdo gjë tjetër, ata kanë nevojë për një armëpushim, TANI”.

Izraeli ka vrarë më shumë se 18,000 fëmijë – një fëmijë çdo orë – që nga fillimi i luftës së tij në Gaza.

Zhurmë për mandatin e tretë/ Trump i paqartë: Ndoshta jo, por do ta doja

Mandati i dytë i Donald Trump ka sjellë një tronditje politike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për mbarë botën.

Deklaratat e vazhueshme të republikanit për një rikandidim në vitin 2028, edhe pse nuk ia lejon kushtetuta, kanë shkaktuar gjithmonë zhurmë dhe ende mbetet e paqartë se çfarë plani Trump ka përgatitur. Nga ana tjetër, tarifat tregtare ndaj thuajse çdo shteti në botë, kanë shkaktuar trazira ekonomike që ende mbeten të pazgjidhura.

Në një intervistë për NBC Neës, Trump iu rikthye sërish çështjes shumë të diskutuar: zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. I pyetur nëse do të kandidonte sërish për president, Trump nuk dha një përgjigje të prerë: Ndoshta jo, tha ai, duke ripërsëritur se megjithatë do dontë ta bënte diçka të tillë.

“Do doja të kandidoja”, theksoi Trump, I cili pretendon se ka shifrat më të mira të sondazheve dhe vuri në dukje se në vitin 2024 fitoi edhe votën popullore.

Preidenti amerikan dërgoi edhe një mesazh përtej oqeanit. Trump paralajmëroi se nëse Bashkimi Europian nuk investon 600 miliardë dollarë në SHBA, siç u ra dakord në marrëveshjen e 27 korrikut, do të përballet me tarifa prej 35%.

Kërcënimi I ri I Trump vjen pasi dy partnerët tregtarë arritën një marrëveshje që I vendos tarifat amerikane ndaj importeve të unionit në 15%.

Teksa blloku 27 anëtarësh ia doli të merrte tarifat më të ulëta nga ato që ishin paralajmëruar, vende të tjera duket se po e paguajnë shtrenjtë mungesën e një marrëveshjeje.

Brazili kërcënohet nga tarifa 50% duke filluar nga 6 gushti, masë që do të godiste rëndë importet e kafesë.

Nëse bisedimet nuk përparojnë në një marrëveshje, një nga sektorët kryesorë të eksportit të Brazilit mund të marrë një goditje serioze.

Prandaj një pjesë e prodhuesve janë në kërkim të tregjeve të reja, me shpresën se kërkesa në rritje për kafe në Azi, mund të ndihmojë në rikuperimin e humbjeve që mund të shkaktojë mungesa e tregut amerikan

Kina dhe Rusia i përfundojnë stërvitjet detare pesëditore në Detin e Japonisë

Marinat e Rusisë dhe Kinës i kanë përfunduar të martën ushtrimet detare pesëditore, duke dëshmuar lidhjet e tyre gjithnjë e më të forta ushtarake përmes stërvitjeve kundër nëndetëseve dhe përmes qitjeve me municion të vërtetë në Detin e Japonisë.

Flota e Paqësorit e Rusisë theksoi se anijet kineze dhe ruse lëvizën së bashku në një formacion të përbashkët gjatë ushtrimeve “Ndërveprimi Detar 2025”, përfshirë një anije të madhe ruse kundër nëndetëseve dhe dy anije shkatërruese kineze.

Po ashtu, në ushtrime morën pjesë edhe nëndetëse me naftë dhe elektrike nga të dyja vendet, si dhe një anije kineze për shpëtimin e nëndetëseve, sipas autoriteteve ruse.

Ushtrimet nisën më 1 gusht me stërvitje pranë Vladivostokut në Lindjen e Largët të Rusisë, para se forcat detare të të dyja vendeve të zhvillonin ushtrime detare në Detin e Japonisë duke filluar nga 3 gushti.

❌