Pretendimi: Një kompani treni japoneze ka kërkuar falje dhe ka rimbursuar pasagjerët për një vonesë 35-sekondëshe të trenit
Verdikti: Gjysmë e vërtetë
—————————————————————
Njënumërmediashshqipfolëseraportuan në gusht 2025 se në Japoni, një kompani trenash kishte kërkuar falje dhe kishte rimbursuar biletat e pasagjerëve pasi treni ishte vonuar 35 sekonda.
Sipas artikujve, “një drejtues treni Shinkansen kërkoi falje publike nga pasagjerët pasi treni i tij mbërriti 35 sekonda me vonesë në stacionin e destinacionit. Si pjesë e kulturës japoneze të përgjegjësisë dhe respektit ndaj udhëtarëve, kompania vendosi të rimbursojë plotësisht të gjithë pasagjerët, pavarësisht se vonesa ishte më pak se një minutë.”
Megjithatë, ato nuk citojnë ndonjë burim apo referencë për këtë lajm.
Në Japoni, ka raste të dokumentuara të kompanive të trenave që kërkojnë falje edhe për nisje të parakohshme 20-30 sekonda. Një shembull është Tsukuba Express, e cila në 2017 kërkoi falje zyrtare sepse një tren u nis 20 sekonda më herët.
Megjithatë, rimbursimet nuk përmenden kurrë. Për më tepër, sipas rregullave zyrtare të JR (Hekurudhat e Japonisë) në lidhje me Shinkansen, një rimbursim i plotë është i disponueshëm vetëm në rast të një vonese prej të paktën dy orësh. Ky rimbursim varet gjithashtu nga lloji i biletës. Vetëm biletat e blera me tarifën ekspres, jo me tarifën standarde, janë të rimbursueshme.
Pretendimi: Pasqyrimi i gjatë i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka nuk është sferë, por e sheshtë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————-
Një imazh që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste pretendon se pasqyrimi i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka është e sheshtë.
Shkëlqimi i diellitështë një dritë e ndritshme dhe vezulluese që formohet kur rrezet e diellit reflektohen nga valët e ujit. Një valëzim nga një sipërfaqe e lëmuar lokalisht, siç është uji me valë, do ta reflektojë diellin në kënde të ndryshme në çdo pikë të sipërfaqes së valëve. Si rezultat, një shikues në pozicionin e duhur do të shohë shumë imazhe të vogla të diellit, të formuara nga pjesë të valëve të orientuara saktë për të reflektuar dritën e diellit tek shikuesi.
Si formohet shkëlqimi i diellit
Imazhi përdor formën e gjatë të reflektimit të diellit në një sipërfaqe uji për të ‘vërtetuar’ se Toka është e sheshtë. Në realitet, forma e reflektimit është rezultat i sipërfaqes së valëzuar të ujit. Kjo mund të ndodhë lehtësisht në një sipërfaqe të lakuar dhe nuk vërteton një formë specifike të Tokës.
Konspiracionistët e Tokës së Sheshtë krijojnë një ‘simulim’ për të treguar se një sipërfaqe e lakuar nuk formon formën e reflektimit të ngjashme me atë që vëzhgojmë gjatë perëndimit të diellit dhe dalin në përfundimin e gabuar se Toka nuk është një sferë.
Gabimi i tyre është vendosja e vëzhguesit shumë larg sipërfaqes, duke e bërë lakimin shumë të madh për të përfaqësuar Tokën sferike dhe duke përdorur një sipërfaqe të niveluar dhe të lëmuar. Simulimi i tyre do të ishte më i përshtatshëm për të përshkruar se si drita e diellit, reflektimi i Diellit në sipërfaqen e lëmuar të oqeanit, duket nga hapësira. Për shembull, fotografitë e Tokës të marra nga sateliti Himawari-8 duken të ngjashme me karakteristikën e reflektimit në simulimin e tyre.
Reflektimi i ujit të valëzuar mund të simulohet lehtësisht duke përdorur një fletë alumini të rrudhosur. Duke e vendosur atë mbi një sipërfaqe të lakuar, mund ta shohim atë duke prodhuar të njëjtin rezultat.
Pretendimi: Shqipërisë pritet t’i ndodhë një e keqe për të cilën Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç janë shumë të lumtur
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————-
Në rrjetet shqipfolëse po qarkullon një titull alarmues, por i paqartë në detaje: “Vuçiç fërkon duart! Ish Ministri jep lajmin e keq! Ja e keqja që pritet ti ndodhë Shqipërisë! Pse Serbia është kaq e lumtur”
Në brendinë e artikullit që mban këtë titull, megjithatë, nuk gjejmë ndonjë lajm që meriton këtë alarm.
Teksti i referohet një interviste të ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, të botuar që në qershor të këtij viti.
Panariti citohet të ketë thënë se shqiptarët duhet të bëjë shumë kujdes teksa ndodhin konflikte madhore, pasi historitë e së shkuarës rrezikojnë të përsëriten. “Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse në rast se çështjet shqiptare kalojnë në nivelet e mëdha, në tavat e mëdha të bisedimeve, nuk kemi dalë ndonjëherë fitimtarë”, tha Panariti.
Si rrjedhojë e këtij fenomeni, tha ai, Serbia dhe presidenti serb Vuçiç kanë refuzuar dialogun me Kosovën, me qëllim zgjidhjen në nivele më të larta, ku çështjet kombëtare shqiptare, sipas Panaritit, janë në disavantazh.
Askund në artikull nuk raportohet ndonjë “e keqe e madhe” që pritet t’i ndodhë Shqipërisë.
Trajtimi i temës së luftës në Kosovë preferohet nga mediat shqiptare për shkak të interesit të gjerë dhe patriotizmit që ngjall tek lexuesit. Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit, kryesisht mediat online kanë përdorur këtë interes për “mbledhje klikimesh”, duke u kthyer në burim keqinformimi dhe shqetësimi emocional tek lexuesit.
Opinione të ndryshme mbi skenaret duhen pasqyruar si të tilla nga mediat dhe jo si fakte të kryera me tituj bombastik që në kërkim të klikimeve rrezikojnë përhapjen e informacioneve të pavërteta dhe krijimin e panikut.
Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik duke u nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali së fundmi.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Një artikull i portalit lajmetroc.al pretendon se kryeministri britanik është nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali, i cili “ka deklaruar shkurt se veproi ‘për arsye personale’”. Artikulli i botuar në 13 gusht 2025 shoqërohet me një video të ngjarjes.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pozicion që e ka mbajtur nga korriku i vitit 2024.
Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga lokali The Raven në Bath nga bashkëpronari i tij, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin.”
Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e lokalit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”
Prandaj, pretendimi se kryeministri aktual britanik u nxor jashtë një pub është i pasaktë. Video është e vjetër dhe tregon një incident të vitit 2021 që përfshin Keir Starmer, i cili nuk ishte kryeministër në atë kohë.
Në gusht të vitit 2019, një foto e shpërndarë nga faqja satirike “Brryli Broadway” ndezi debat në rrjetet sociale. Në të shfaqej kryeministri Edi Rama, i ulur në një restorant buzë Lungomares së Vlorës, me një cigare të ndezur në dorë.
Kryeministri po shkelte ligjin antiduhan, që nisi të zbatohej me bujë verën e 2014-s dhe ish ashpërsuar sërish pesë vite më vonë.
Rama mohoi shkeljen duke argumentuar se ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit. Por detajet në foto e ‘dogjën’. Komentuesit vunë re se shishet e verës, që shiheshin në sfond, mbaheshin në rafte, gjë që ndodh vetëm në ambiente të mbyllura, aq më tepër në kulmin e vapës përvëluese të gushtit.
“Në sa restorante mbahet vera jashtë, kur temperatura arrin 40 gradë? Në asnjë,” shkruante një qytetar.
Ky nuk ishte një rast i izoluar. Në pesë vite jetë, ligji i ri antiduhan po jepte shenjat e para të dështimit. Një ndër ligjet më të rëndësishme për shëndetin publik, u kthye vit pas viti në një akt formal, i shpërfillur nga të gjithë.
Nga zbatimi i rreptë tek indiferenca shtetërore
Kur ligji i ri kundër duhanpirjes hyri në fuqi në gusht të vitit 2014, pati një efekt të menjëhershëm. Lokalet boshatisën tavolinat nga tavullat e duhanit, pronarët vendosën shenja ndaluese, ndërsa qytetarët u mësuan me idenë se ambientet e mbyllura duhej të ishin pa tym. Kontrolli ishte i forte asokohe. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISSH) gjobiste shkelësit.
Por shifrat zyrtare tregojnë se ky zell nuk zgjati shumë. Nga të dhënat e siguruara nga “Faktoje”, ISSH ka kryer 94,355 inspektime kombëtare në periudhën 2015-2025. Në vitin 2015 u zhvilluan 22,125 inspektime, por në vitin 2025, deri në muajin maj, vetëm 2,319. Pra, një rënie dramatike prej rreth 90% brenda një dekade. Edhe krahasuar me vitin 2024, rënia e inspektimeve është e ndjeshme, duke shënuar 74% krahasuar me kulmin e vitit 2015.
Tirana, kryeqyteti me numrin më të madh të lokaleve, ndjek të njëjtën tendencë. Në vitin 2015 u kryen 4,985 inspektime, ndërsa në pesë muajt e parë të 2025 vetëm 693, reduktim prej 86%. Ligji që nisi të ushtrohej me rreptësi u braktis gradualisht, duke u bërë thuajse inekzistent veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit.
Veç inspektimeve, edhe situata me gjobat është po aq shqetësuese pasi reflekton mungesën e ekzekutimit efektiv të ligjit. Në dhjetë vite janë vendosur gjithsej 2,073 gjoba. Kulmi i tyre ishte viti 2019, kur, pas zgjerimit të hapësirave të ndalimit, u dhanë 466 gjoba, më shumë se dyfishin e viteve para dhe pas tij. Por ky ishte një moment i shkurtër. Pas 2019-s, edhe numri i gjobave ka rënë ndjeshëm. Vetëm 12 gjoba në vitin 2021 dhe po aq në pesë muajt e parë të 2025.
Edhe më shqetësues është fakti se gjobat, edhe kur vendosen, nuk ekzekutohen. Nga mbi 2 mijë të tilla të vendosura dekadën e fundit, janë arkëtuar vetëm 262, pra 12.6%. Vlera e mbledhur është 786 milion lekë, ndërsa pjesa tjetër është peng i zvarritjeve përmbarimore.
Ekspertët: Shëndeti publik në rrezik
Eksperti Roland Shuperka, një nga hartuesit e ligjit antiduhan, e përmbledh me pak fjalë problemin: “Në shumë ambiente publike, sidomos në bare dhe kafene, ligji nuk zbatohet në praktikë.”
Shuperka rendit disa arsye: mungesë vullneti politik, mungesë monitorimi real, trajtim të pabarabartë të subjekteve dhe, paradoksalisht, gjoba shumë të larta që kanë krijuar hapësirë për abuzim nga vetë inspektorët.
Por ndoshta më e rëndësishmja është mungesa e një fushate të qëndrueshme ndërgjegjësimi. Në fillim, mesazhet kundër duhanit u shfaqën në çdo lokal, shkollë apo media. Sot, këto mesazhe janë zhdukur, duke lënë terren të lirë për një normalizim të duhanpirjes në ambiente të mbyllura.
“Ligji ka qenë një gur themeli për shëndetin publik në Shqipëri, por duhet një angazhim i fortë për zbatim dhe kontroll”, përfundon Roland Shuperka, ekspert për kontrollin e duhanit në Shqipëri.
Pasojat janë të matshme. Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të duhanpirjes në rajon: rreth 38% e popullsisë. Duhanpirja është shkaku kryesor i 7 tumoreve, mes tyre kanceri i mushkërive (90%), i laringut (90%), i faringut dhe ezofagut (80%), i zgavrës së gojës dhe buzës, si dhe i fshikëzës urinare (70%).
Mjekët paralajmërojnë se rritja e numrit të duhanpirësve të rinj do të sjellë pasoja katastrofike. Deri në vitin 2030 pritet që numri i tumoreve në vend të rritet me 60% krahasuar me vitin 2020, kryesisht për shkak të konsumit të duhanit. Në vend të ndërgjegjësimit dhe parandalimit, të rinjtë ekspozohen ndaj një kulture ku cigaret shihen si pjesë normale e jetës shoqërore.
Historia e ligjit antiduhan në Shqipëri është historia e një nisme që nisi me zell dhe përfundoi me dështim. Në vitin 2014, ishte një shembull se si shteti mund të vendoste rregulla të forta për mbrojtjen e shëndetit publik. Por dhjetë vite më pas, është shembull se si mungesa e vullnetit politik, korrupsioni i vogël i përditshëm dhe indiferenca shoqërore mund ta zhbëjnë çdo nismë.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.
Pretendimi: Refuzimi i astronautit Neil Armstrong të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë është provë se udhëtimi ishte i rreme.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Një video që ka marrë mbi 1700 pëlqime në Instagram duket se tregon astronautin Neil Armstrong, një nga astronautët që zbarkoi për herë të parë në Hënë në vitin 1969, duke refuzuar të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë. “Përse Neil Armstrong e shmangu këtë pyetje?” shkruhet në mbishkrimin e videos, duke pretenduar kështu se ky refuzim provon se ulja e Armstrong në Hënë ishte e pavërtetë.
Video, e xhiruar në 2010, tregon astronautin Neil Armstrong që përballet me një burrë të quajtur Bart Sibrel, i cili pretendon se është nga “ABC Digital.” Sibrel i afrohet Armstrong dhe i kërkon të vërë dorën mbi Bibël dhe të betohet se ka ecur në Hënë. Armstrong thotë në video: “Zoti Sibrel, duke ju njohur, kjo ndoshta është një Bibël e rreme.” Në klip, Sibrel vazhdon të këmbëngulë dhe madje i ofron 5 mijë dollarë. Armstrong më pas thotë: “Zoti Sibrel e ka bërë veten budalla para botës… Z. Sibrel, ju nuk meritoni përgjigje.”
Sibrel, një konspiracionist dhe producent filmash, është i njohur për pretendimin se ulja në Hënë ishte e rreme dhe për ndjekjen e astronautëve të misioneve Apollo me një Bibël për t’u betuar se ata ecën në Hënë.
Sibrel u godit me grusht në fytyrë nga astronauti Buzz Aldrin, njeriu i dytë në Hënë, pasi u përball me astronautin në vitin 2002. Autoritetet nuk e akuzuan Aldrin, duke thënë se ai u provokua nga Sibrel, raportoi LA Times në atë kohë.
Nuk ka prova që ulja në Hënë ishte e falsifikuar ose që astronautët nuk ecën në Hënë.
Megjithatë, ekzistojnë prova të panumërta shkencore që tregojnë se uljet Apollo në Hënë nuk ishin të inskenuara, të ofruara nga NASA dhe palë të tjera. NASA ofron fotografi, orë të tëra pamjesh video, transkripte dhe regjistrime audio të misioneve të ndryshme Apollo, që përfshinin mijëra personel. Astronautët sollën mostra të shkëmbinjve dhe dheut hënor gjatë misioneve të tyre, të cilat janë ende duke u studiuar. Orbita e Zbulimit Hënor të NASA kapi vendet e uljes së Apollo 11 dhe misioneve të tjera në vitin 2009.
Bazalt (majtas) dhe breccia (djathtas) të marrë nga sipërfaqja e Hënës gjatë misionit Apollo 11
Anije kozmike hënore orbitale të vendeve të tjera kapën vendet e uljes, përfshirë Selene japoneze, e cila fotografoi një aureolë të lënë në sipërfaqen e hënës nga misioni Apollo 15 në vitin 1971. Përveç kësaj, astronautët Buzz Aldrin dhe Armstrong lanë një reflektor lazer hënor në sipërfaqe, për të ndihmuar në matjen e saktë të distancës hënore nga toka, e cila është ende në përdorim sot.
Pretendimi: Kjo video tregon Gardën Kombëtare amerikane në Washington DC në Gusht 2025
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon Gardën Kombëtare amerikane të mobilizuar në Washington DC në gusht 2025.
Trupat e Gardës Kombëtare të ShBA kanë nisur të shfaqen në rrugët e Washington DC së fundmi, një ditë pasi presidenti Donald Trump vendosi trupat në qytet dhe mori kontrollin e forcës policore, duke argumentuar se krimi i dhunshëm ishte jashtë kontrollit.
Megjithatë, të dhënat nga policia e Washington tregojnë rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme midis viteve 2023 dhe 2024, megjithëse kjo vinte pas një rritjeje pas pandemisë.
Zyrtarët thonë se pritet të vendosen 800 trupa të Gardës Kombëtare, si dhe 500 agjentë federalë të zbatimit të ligjit.
Megjithatë, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon këtë mobilizim.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në TikTok që më 14 qershor 2025.
Sipas përshkrimit që shoqëron videon, ajo tregon pamje nga Washington DC gjatë provave të një parade ushtarake që u mbajt më 14 qershor 2025 me rastin e 250 vjetorit të pavarësisë së ShBA.
Pretendimi: Baba Vanga parashikoi se alienët do të vizitojnë Tokën në 2025
Verdikti: E paprovuar
————————————————-
Zbulimi i një komete ndëryjore në fund të korrikut 2025 ka ringjallur teori aliene dhe një artikull i portalit të quajtur, ironikisht, realiteti.net ka kombinuar këto teori me ‘parashikuesen’ bullgare Baba Vanga, e cila pretendohet se ka parashikuar vizitorë alienë në Tokë për vitin 2025.
Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.
Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftra botërore.
Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.
Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”
Ndërkaq, artikulli pretendon se “disa shkencëtarë, përfshirë profesorin e Harvardit Avi Loeb, kanë pohuar se 3I/ATLAS mund të jetë një anije kozmike aliene për shkak të karakteristikave të tij të pazakonta.”
Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, komuniteti shkencor pajtohet që 3I/ATLAS është një kometë ndëryjore, i treti objekt ndëryjor që viziton sistemin tonë diellor. Avi Loeb ka shpjeguar se teoria aliene ishte një lloj eksperimenti mendor dhe jo një teori e mirëfilltë.
Në një përpjekje të re për të pozicionuar veten si një aktor të vogël, por ambicioz në industrinë globale të mbrojtjes, Shqipëria ka nisur një proces të ngadaltë, por të vendosur për të ringjallur industrinë e saj ushtarake. Objektivi është i qartë: të prodhojë armë dhe pajisje me vulën “Made in Albania”, të afta për t’u përdorur nga ushtria shqiptare dhe potencialisht për t’u eksportuar në tregje ndërkombëtare deri në vitin 2030.
Për vite me radhë, uzinat ushtarake të Mjekësit, Gramshit dhe Poliçanit, që dikur furnizonin me armatim regjimin komunist u lanë të kalben nën barin e egër dhe kujtimet e një ekonomie të mbyllur. Por në prill të vitit 2024, Kryeministri Edi Rama shpalli publikisht ambicien për të ringjallur prodhimin ushtarak në vend dhe për të kthyer Shqipërinë në një eksportues të mundshëm të armatimeve brenda dekadës.
“Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’. – EDI RAMA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË, 03.04.2024
Ky premtim politik është pasuar me disa hapa. Qeveria miratoi ligjin për krijimin e një shoqërie shtetërore që do të merret ekskluzivisht me prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake. Shoqëria “KAYO” sh.a., e themeluar më vonë atë vit, u ngarkua me misionin për të rilindur një industri të zhdukur.
Që në muajt e parë të ekzistencës së saj, KAYO mori nën administrim hapësirat fizike të tre uzinave historike të vendit si Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës, Uzina Mekanike në Gramsh dhe tani është në proces të marrjes edhe të Kombinatit Mekanik në Poliçan. Njëkohësisht me Vendim të Këshillit të Ministrave, KAYO-s iu transferuan edhe ish-Uzina e pjesëve të ndërtimit të automjeteve në Tiranë si dhe ish-uzina e përpunimit të bakrit në Rubik.
Gjatë kësaj kohe KAYO i tha Faktojes se ka firmosur pesë memorandume mirëkuptimi me kompani ndërkombëtare të mëdha që janë aktorë në nivel global për prodhimin e teknologjive dhe sistemeve ushtarake. Por përmbajtja e këtyre memorandumeve mbetet konfidenciale për shkak të marrëveshjeve të konfidencialitetit dhe sekretit industrial dhe se ato do të bëhen publike në momentin e krijimit të shoqërive të përbashkëta për nisjen e aktivitetit prodhues – sqaron KAYO.
Ndërkohë, qeveria ka ndarë një sërë fondesh për të mbështetur këtë ringjallje industriale. Deri tani, janë alokuar 440 milionë lekë në dy drejtime: nga njëra anë, për të shlyer borxhet historike të uzinave ndaj punonjësve dhe bashkive, dhe nga ana tjetër, për të themeluar strukturën ligjore dhe organizative të KAYO-s. Në anën tjetër buxheti ka financuar edhe shpenzimet e vetë kompanisë. Për vitin 2024 janë disbursuar 150 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për këtë ndërmarrje, ndërsa për vitin 2025 është parashikuar një shumë e njëjtë, e cila pritet të lëvrohet në muajt e ardhshëm sipas përgjigjes që Ministria e Financave dha për Faktojen.
Megjithatë, pyetjet e mëdha mbeten. A është e arritshme ambicia për të eksportuar armë shqiptare brenda pesë viteve të ardhshme?
Për kolonelin Dritan Demiraj, projekti ka rëndësi kombëtare dhe s ii tillë është i mirëpritur, por propaganda nuk mjafton. “Kërkohen investime serioze, profesionalizëm dhe transparencë që mungon, si dhe bashkëpunim me kompani të shquara”, thotë ish-Ministri i Brendshëm, Demiraj. Ai thekson se projekti duhet të nisë me prodhimin e armatimit të këmbësorisë, veshmbathjeve dhe logjistikës së Forcave të Armatosura. “Brenda 2-3 viteve, me investime serioze, kjo është e realizueshme”, vlerëson ai.
Në fakt, përpjekjet e deritanishme të KAYO-s për të rilindur këtë industri janë kufizuar tek puna për të themeluar një shkollë fluturimi në Vlorë — e cila pritet të përgatisë pilotë, instruktorë dhe teknikë – tek negociimi për prodhimin apo përshtatjen e mjeteve motorrike të posaçme apo tek prodhimi i veshjeve dhe aksesorëve ushtarakë.
Nga ana e tij, ish-komandanti i Forcave Detare, kapiteni i rangut të parë Artur Meçollari, e sheh industrinë ushtarake jo vetëm si element të sigurisë, por edhe si mundësi ekonomike. Ai ngre dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë e politikave të mbrojtjes në Shqipëri. Si shembull sjell shkëputjen e bashkëpunimit me kompani si “Lockheed Martin” – kompania që ndërtoi dhe mirëmbajti sistemin e vëzhgimit të hapësirës ajrore dhe detare – dhe “Damen Shipyards” – kompania holandeze e prodhimit të anijeve – duke vënë kështu në pikëpyetje besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Vetëm një vit pas marrjes së detyrës, ministri Vëngu ka riorientuar të gjitha partneritetet, duke ulur ndjeshëm besueshmërinë e Shqipërisë tek partnerët strategjikë dhe duke cënuar gatishmërën operacionale.”, thotë kapiten Meçollari, i cili paralajmëron se pa bashkëpunime të fuqishme dhe qëndrueshmëri politike, projekti nuk mund të ecë përpara.
Në aspektin buxhetor, Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj ndaj NATO-s për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një standard që u arrit të përmbushet për herë të parë në vitin 2024. Në projektbuxhetin e vitit 2025, Ministria e Mbrojtjes parashikohet të marrë 52.6 miliardë lekë, që përbëjnë pikërisht këtë 2%.
Pavarësisht ksaj, kapërcimi drejt eksportit mbetet një sfidë e madhe në këndvështrimin e Artur Meçollarit pasi tregu global i armatimeve është i rregulluar rreptësisht dhe i ndikuar nga zhvillimet gjeopolitike. “Shqipëria nuk mund ta ringjallë industrinë pa partnerë të fuqishëm, dhe më parë duhet të rifitojë besueshmërën si vend serioz dhe i sigurtë”, përfundon Meçollari.
Sipas Demirajt, Shqipëria duhet t’i kthejë sytë edhe nga vendet e rajonit për bashkëpunime pasi sipas tij “potenciali ekziston jo vetëm për të mbuluar nevojat e Shqipërisë, por edhe për të eksportuar armë të këmbësorisë, dhe në të ardhmen edhe sisteme luftarake si dronë apo artileri, duke bashkëpunuar me vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia”. Edhe Meçollari thekson se “Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë për nevojat e përbashkëta në modernizimin dhe pajisjen e strukturave respektive dhe shmangjen e konkurencës midis tyre.
Por qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të jenë seriozë, vlerëson Demiraj, pasi e vetmja mënyrë që të futesh në tregjet ndërkombëtare është nëpërmjet prodhimit të materialeve dhe armatimeve cilësore, që në ditët e sotme janë lehtësisht të testueshme. Për momentin, përpjekja duket më shumë si një projekt industrial me vlerë strategjike dhe simbolike, sesa një burim i afërt të ardhurash. Por në një kohë kur siguria në Evropë është vënë sërish në pikëpyetje dhe vendet kërkojnë më shumë diversifikim të burimeve të furnizimit, Shqipëria mund të gjejë një vend në këtë panoramë të re — nëse i çon deri në fund projektet që ka nisur.
Faktoje ka udhëtuar në Delvinë për të sjellë rrëfimet e banorëve që në pak orë humbën shtëpitë, vreshtat, mijra pemë ullinjsh dhe cdo investim e kursim të bërë gjatë jetës. Rrëfimet tronditëse të banorëve që duket sikur kanë marrë ngjyrën e hirtë të një qyteze të djegur dëshmojnë pafuqinë e strukturave shtetërore për të minimizuar dëmet katastrofike të zjarrit që përpiu cdo gjë në pak orë.
Nën një oaz të vogël poshtë pjergullave të zhuritura, bashkëshortët, Luan dhe Monika Muho shfaqin emocione të përziera; gëzim që shpëtuan jetët e tyre dhe frikë e panik se ai zjarr katastrofik nuk do u shuhet në kujtesë, këtu e më pas. “Shpëtuam, por këtë tmerr që jetuam nuk do e kalojmë lehtë, as ne e as fqinjët”-thotë 73-vjeçari Luan Mara për Faktoje. Në Delvinë asgjë nuk është si më parë! Qindra banorë të traumatizuar, fëmijë e gra të larguar në panik e sipër nga vatra e tmerrit, gjashtë banesa të djegura, mijëra ullinj të shkrumbuar, vreshta të kthyera në thengjinj dhe bimësi e zhdukur. Ajo që ka mbetur pas mes hirit të zi, është dalja në “dritë” e pafuqisë së strukturave shtetërore, mungesës së mjeteve dhe sakrifica njerëzore e efektivëve të ushtrisë, zjarrfikësve dhe policisë, të cilët punuan pa pushim, të paktën të shpëtonin jetët e qytetarëve, dhe ia arritën…
Tmerri në prag
“Vatra më e madhe e zjarrit ndodhi në shtatë e gjysmë në darkë (shënim e martë 12 gusht). Kjo erdhi si pasojë e zjarrvënies në Leshnik dhe nuk u parapri që të ndërhyhej dhe shpëtonim edhe ne nga e keqja që na erdhi. Duhet të ishin marrë masa më përpara që ta përballonin”-thotë për Faktoje.al, 73-vjeçari Luan Mara, një nga ata banorë të rrezikuar seriozisht, banesa e të cilit është buzë kodrinës e cila u shkrumbua plotësisht. “Erdhën policia dhe na largoi”-ndërhyn bashkëshortja e tij, ndërsa herë pas here kur kujton çdo moment të forcës së zjarrit para pafuqisë së tyre që për pak u mori jetën. Përlotet…“Nuk merrnim dot frymë, afshi i zjarrit, tymi, paniku na përfshiu të gjithëve”-tregon 65-vjeçarja
“Nuk merrnim dot frymë, afshi i zjarrit, tymi, paniku na përfshiu të gjithëve”-tregon 65-vjeçarja
ndërsa qan teksa kujton çastin ku dy vajza fqinje të saj bërtisnin e mundoheshin të shuanin zjarrin që i shkoi në pragun e shtëpisë. “Situata e rëndë filloi në shtatë e gjysmë. Erdhi nga mali përbri. Unë isha në oborr kur shpërtheu flaka. Filluan të bërtisnin vajzat poshtë, nuk dilnin nga shtëpia. Zjarrfikësit kishin vajtur tek pusi i naftës. Një tmerr, luftë. Erdhën zjarrfikëset dhe policia, nuk ishin pak erdhën 50 policë. Na tërhoqën edhe ne. Dëme kemi në ullinj, po shpëtuam kokën”-thotë 65-vjeçarja Monika Moho për Faktoje.al. Edhe fqinji i saj Liro, që sapo ka ardhur i drobitur nga qafa e malit pranë, me një pompë të vogël në krahë, thotë se tashmë po ndihmon sa të mundet forcat zjarrfikëse për të shuar trungje pemësh të larta të cilat janë ende aktive nga zjarri dhe mund të bëjnë dëm sërish.
Të gjithë në “sheshin e panikut”
“Sheshi para Bashkisë u mbush me shumë njerëz, ishte i vetmi vend që nuk rrezikohej përkohësisht nga zjarri. Kaos i madh e frikë, njerëzit pyesnin për të afërmit nëse i kishin parë dikush.
Me keq nuk kish ku shkonte”-thotë Gëzim Lame, banor i Delvinës dhe pronar i një lokali aty pranë Bashkisë. “Me thënë të drejtën angazhim pati për të shpëtuar shtëpi e njërëz, por duhet të ishte ndërhyrë më parë nga ajri”-këmbëngul një tjetër qytetar, i cili vetë thekson se nuk ka pësuar dëme, por shumë familje të tjera kanë lënë katandi, kryesisht ullishte të dëmtuara thujase plotësisht.
Duart në kokë
Bimësia, ullishtet, vreshtat, pishat e buta, gështenjat, pemët frutore dhe shkurret, janë shkruambuar thuajse plotësisht, duke lënë pas një pamje të trishtë, pasojat e së cilës do jenë aty, për shumë dekada. Vetëm 14 orë…kaq mjaftuan që Delvina dhe rrethinat e saj sot të duket si pas apokalipsit. “Bo bo ullinjtë e mi. Bo bo c’qenka bërë…”-qe reagimi i parë i një banori të Delvinës sapo u ngjit në kodrën e qytetit, kah Mali i Sopotit. Poshtë saj, në një pllajë të madhe ndodheshin mijëra pemë ullinjsh, disa shekullorë dhe tjerë më të rinj.
Asgjë nuk ka mbetur, shkrumb e hi gjithçka, zi kudo, me përjashtim të ndonjë gropëze që zjarri nuk ka mundur të jetë aq i fuqishëm duket ndonjë pemë e përcëlluar, ende e pakallur. “Ke dëgjuar ‘vaj Delvine’? Ja këtu bëhej. A sheh më ullinj t’i, a sheh si janë bërë”-flet, pyet sikur gjithkush ka përgjegjësi (edhe ne), e më pas po vetë jep përgjigje. I kërkojmë të flasë me emër e para kameras, por mesoburri që nuk do dhe gjithkush do i jepte të drejtë teksa gjithë kohës shfaq një lloj traumatizimi. “Çfarë të flas unë? Shihni çfarë bëhet. Kujt t’ja vë fajin për këtë nuk e di”-vjon të përsërisë, duke shtuar pas çdo fjalie të shkurtër vetëm:.. “Bo, bo, bo,”- me duart në kokë.
Një zjarrefikëse e Delvinës prodhim i vitit 1963
Një grup i vogël ushtarësh gatiten disi përtueshëm sapo shohin se po fotografohen dhe mediat janë përqark. Mundohen të mbajnë qëndrim drejt, edhe pse këmbët i lëshojnë. Duart të nxira nga shkrumbi i zi i zjarrit që la lënë pas, fytyra e sterrosur, ndonëse këta njerëz i zbardhën faqen Delvinës, shpëtuan jetë njerëzish.
Secili prej tyre është hero I gjallë në vetvete, sepse kanë bërë që sot të mos numërohen të vdekurit, po ashtu edhe një grup zjarrfikësish ca më tej dhe disa efektivë policie po aq të dërmuar. Ti pyesësh në u lodhën duket sikur i fyen… Lodhjen, mundin, problemet me frymëmarrjen dukshëm e shfaqin. Mjetet që kanë në duar një pirg lopatash, ndonjë shkurre dhe pak pompa krahu që shërbejnë për neutralizimin e vatrave të vogla. Një zjarrfikëse e Delvinës, nga dy të vetmet që ka qëndron paksa pushim… Vitprodhimi është 1963…! “Mbahet ende dhe ishte mirë se futej në terren të thyer”-thotë një burim në kushtet e anonimitetit. Sa për veshje speciale është luks të kërkohet. Po ashtu edhe zjarrfikëse moderne që kanë fuqi hedhëse të ujit në distancë të largët. Një tjetër problem me pjesën logjistike ishte se zjarrfikëset nuk shoqëroheshin me autobote në vendin ku ndërhynte dhe u duheshin të ktheheshin për furnizin në qendrën e tyre. Zjarrfikës të paguar keq, po ashtu edhe ushtarë, veçanërisht të repartit të xhenios që futen të parët mes flakëve. Sanduiç dhe ujë… Kjo qe dreka dhe darka e forcave ushtarake, zjarrfikëse dhe policore që morën pjesë për gati 24 orë në shpëtimin e zonës urbane të Delvinës. Shpëtuan njerëz e shtëpi, pasi gjithçka tjetër këtu është shkrumbuar.
Zjarri një javë përqark…
Gati një ironi therëse edhe e natyrës u luajt në trekëndëshin Vlorë-Delvinë-Finiq. Ndërsa qyteti i Vlorës një javë më parë përmbytej nga shtrëngata shiu, në Finiq dielli përvëllues dilte e humbte nga re të dendura duke shkarkuarr shumë rrufe. “Një rrufe ra në majën e Malit pranë Finiqit duke ndezur një varët zjarri fillimisht të vogël, por që me kalimin e kohës pati përhapje”-thotë për Faktoje.al, Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, i cili gjithashtu shton se “terreni ishte mjaft i thyer dhe ishte e pamundur ndërhyrja me forca njerëzore”. Ndërsa për ndërhyrje nga ajri erdhi por vonë, shumë vonë zjarri shkatërroi gjithçka gjeti përpara.
Dy avionë canader të ardhur nga Italia dhe dy helikopterë shuan një pjesë të zjarrit aktiv në mëngjesin e së mërkurës. “Duket që situata është përmirësuar ndjeshëm megjithëse kanë qenë orë shumë të ethshme nga zjarri kërcënues. Zjarri shkoi në tre anët e Delvinës dhe u bë shumë problematik”-thotë për Faktoje.al, Prefekti i Vlorës Plator Nesturi, i cili pohon gjithashtu se situata ishte mjaft serioze. “Gjëja e parë ishte evakuimi i banorëve dhe më vonë filloi ndërhyrja shtëpi më shtëpi e rrugë, pikërisht në segmentet që vinte zjarri. Sipër Delvinës ndodhen pikat e puseve të naftës dhe këtu kishte vëmendje të shtuar si dhe një depozitë gazi”-thotë ai, ndërsa shton se ka pasur ndihmë nga të gjithë bashkitë e qarkut Vlorë me mjete zjarrfikëse, por edhe nga Gjirokastra dhe Fieri.
“Ka pasur një ndihmë të shtuar nga forcat e ushtrisë mbi 120 efektivë, kjo e shoqëruar me 60 efektivë të zjarrfikësve nga njësitë vendore. Në të gjithë atë luftë që u bë mund të themi që dëmet jo se janë të vogla, por kemi shpëtuar me efektivitet një dëm që do ishte shumë herë më të mëdha. Së pari kemi shpëtuar jetë njerëzore”-thotë Nesturi. Ai gjithashtu zbulon për Faktoje.al se është në plan hartimi krijimi i dy qendrave zjarrfikëse që do të shërbejnë për ndërhyrjet me efikase në të ardhmen. “Kemi menduar të kemi krijimin e dy zonave, që do jenë të tilla që të përmbushin kapacitetet, të jenë të varura nga ushtria. Njëra do jetë në Bonavi, afër Vlorës, dhe tjetra në Finiq. Do ketë një pozicionim zjarrfikëseve në dy zona më problematike. Efikasiteti është më i madh madh jo vetëm bashkitë e zjarrfikësve që punojnë në terren, por në situata emergjence do ketë ndërhyrje me shtim kapacitetesh të këtyre dy stacioneve”-tha Nesturi. Bilancet e dëmeve ende nuk janë bërë, një për një, porn ë fund do shfaqet një shifër katastrofike. Delvina dhe rrethinat e saj janë shkrumbuar. Bimësia, gjallesat pemët frutore, ullishte dhe vreshta nuk janë më, qindra hektarë janë shndërruar në pluhur e hi, e bashkë me të zbuluam mangësitë e mëdha të mjeteve dhe burimeve njerëzore në kohë ermërgjancash.
Pretendimi: Një anije aliene po vjen me shpejtësi drejt Tokës dhe do të mbërrijë pas 116 ditësh
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Një artikull i portalit shqiperia-ime jep alarmin se “një anije aliene po vjen me shpejtësi drejt tokës [dhe] 116 ditë përcaktojnë fatin e globit.”
Në brendinë e tekstit bëhet fjalë për “një objekt misterioz hapësinor, i quajtur 3I/ATLAS.”
Që në fjalinë e dytë të artikullit zbulohet se “profesori i Harvardit, Avi Loeb, spekulon se është një sondë aliene.” Pra, kemi të bëjmë me një spekulim, jo një fakt, siç lë të kuptohet titulli alarmues i shkrimit.
Sipas Administratës Kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), 3I/ATLAS u zbulua për herë të parë më 1 korrik 2025. Forma e rrugës së tij, që dallon nga orbita rreth Diellit, i lejoi astronomët të arrinin në përfundimin se është një objekt ndëryjor, i treti i njohur i asaj klase.
Ndërsa disa nga karakteristikat e tij ende nuk janë përcaktuar, komuniteti shkencor pajtohet që 3I/ATLAS është një kometë. Sipas NASA, “ai ka një bërthamë dhe një komë të akullt (një re e ndritshme gazi dhe pluhuri që rrethon një kometë ndërsa i afrohet Diellit). Kjo është arsyeja pse astronomët e kategorizojnë atë si një kometë.”
Agjencia hapësinore sqaron gjithashtu se 3I/ATLAS nuk përbën rrezik për Tokën. “Edhe pse trajektorja e objektit e sjell atë në sistemin e brendshëm diellor, ai nuk do t’i afrohet Tokës. Ndërsa kometa 3I/ATLAS udhëton nëpër sistemin diellor, ajo nuk do t’i afrohet planetit tonë më shumë se 1.6 au (rreth 150 milionë milje, ose 240 milionë kilometra,” shkruhet në faqen zyrtare të NASA.
Avi Loeb, një profesor i astrofizikës teorike në Universitetin e Harvardit dhe kolegët e tij publikuan një punim më 16 korrik duke analizuar objektin 3I/ATLAS brenda kontekstit të Paradoksit të Fermit dhe Hipotezës së Pyllit të Errët, të cilat kërkojnë t’i përgjigjen pyetjes: “Nëse universi është kaq i madh, ku janë të gjithë?”
Loeb ka tërhequr dhe më parë vëmendje me komentet e tij mbi objektet ndëryjore dhe mundësinë e jetës jashtëtokësore. Në vitin 2017, pas zbulimit të objektit të parë ndëryjor të regjistruar që hyri në sistemin diellor, Loeb tha The Guardian: “Me shumë mundësi është me origjinë natyrore, por për shkak se është kaq i veçantë, do të donim të kontrollonim nëse ka ndonjë shenjë të origjinës artificiale, siç janë sinjnalet e radios.” Në një libër të vitit 2021, ai propozoi që ‘Oumuamua, objekti i parë ndëryjor që kaloi nëpër sistemin tonë diellor, ishte një artefakt teknologjik jashtëtokësor. Shumë shkencëtarë e konsideruan këtë të pamundur. Hulumtimi i Loeb deri më tani është pritur me skepticizëm të konsiderueshëm nga shkencëtarë të tjerë, të cilët vënë në dyshim vlefshmërinë e punës së tij.
Kontaktuar nga kolegët e Lead Stories, Avi Loeb shpjegoi se teoria aliene ishte një lloj eksperimenti mendor, duke thënë: “E paraqita këtë mundësi për të inkurajuar vëzhguesit që janë të bindur se 3I/ATLAS është një kometë që të mbledhin sa më shumë të dhëna të jetë e mundur në një përpjekje për të më provuar gabim… Edhe nëse 49 nga 50 objektet ndëryjore të ardhshme që do të zbulohen nga Observatori Rubin do të rezultojnë të jenë kometa ose asteroide, i vetmi objekt i jashtëzakonshëm me origjinë teknologjike mund të ndryshojë të ardhmen e njerëzimit.”
“Ne theksojmë fuqimisht se kjo punë është kryesisht një ushtrim mësimor, që përmban vëzhgime interesante dhe rastësi të pazakonta që meritojnë të raportohen në literaturën shkencore. Skenari më i mundshëm është që 3I/ATLAS të jetë një objekt ndëryjor krejtësisht natyror, me shumë mundësi një kometë, dhe autorët presin të dhëna astronomike që konfirmojnë këtë origjinë më të mundshme.”
Pavarësisht këtyre spekulimeve, vetë autorët pranojnë se mungojnë provat e origjinës jashtëtokësore. Kjo mbështetet edhe nga shumica e komunitetit shkencor.
Hipoteza se 3I/ATLAS mund të arrinte në Tokë deri në nëntor nuk bazohej në rrugën e projektuar aktuale të objektit. Në vend të kësaj, autorët e punimit vlerësuan kohën e mbërritjes bazuar në manovrat që një anije teorike aliene mund të bënte duke përdorur gravitetin e Diellit ose Jupiterit për të lëshuar një anije të tillë në drejtim të Tokës.
Studime të tjera akademike mbi objektin në fjalë sugjerojnë gjithashtu se ai është një “kometë ndëryjore” dhe jo një “objekt alien.”
Në të njëjtën kohë, Loeb, i cili ka bërë dhe më parë pretendime të ngjashme të refuzuara nga komuniteti shkencor, tha:
“Komitetet e shkencëtarëve kryesorë që vendosin se si të ndajnë fondet federale shpesh i rezistojnë investimeve në kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore duke argumentuar se është shumë e rrezikshme dhe mund të rezultojë në shpërdorimin e parave të taksapaguesve. Por nëse këta rishikues do të ishin mjaft të përulur për t’i pyetur taksapaguesit se për çfarë dëshirojnë të shpenzojnë paratë e tyre të taksave, ata do ta gjenin kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore në krye të listës së prioriteteve. Kujdestaria dhe tallja nuk janë peizazhi që dëshiroja kur fillova karrierën time shkencore 45 vjet më parë…”
Chris Lintott, profesor i astrofizikës në Universitetin Oxford, e quajti teorinë e Loeb-it për përfshirjen e alienëve “absolutisht absurde,” duke vazhduar: “Është një kometë dhe asnjë rrezik. Është mjaft emocionuese që ne mund të studiojmë një objekt që u formua para se të lindte Dielli dhe nuk ka nevojë të shpikim histori idiote për të tërhequr vëmendjen.”
Jane Luu, profesore e astrofizikës në Universitetin e Oslos, theksoi se nuk është vetëm ajo ose disa njerëz të tjerë, por shumë shkencëtarë që aktualisht po studiojnë 3I/ATLAS. Ajo tha se nuk ka prova që mbështesin spekulimet rreth natyrës së 3I/ATLAS. “Vëzhgimet tona kanë treguar se është një kometë. Nuk i afrohet Tokës: Nuk është në një trajektore përplasjeje,” tha ajo.
David Jewitt, profesor i astronomisë në UCLA, i tha Lead Stories: “Kam parë shumë kometa dhe e tëra çfarë mund të them është se 3I më duket si një kometë.”
Jason Wright, profesor i astronomisë dhe astrofizikës në Universitetin Shtetëror Penn, kreu një analizë të detajuar të gabimeve të Loeb. Në artikullin e tij, ai vuri në dukje të meta të shumta metodologjike dhe i hodhi poshtë hipotezat e teknologjisë aliene si “kërkuese vëmendjeje.”
Ekspertët dhe astronomët e intervistuar nga Space.com i hedhin poshtë kategorikisht pretendimet e Loeb-it si “gjepura.” Ata theksojnë se vëzhgimet tregojnë qartë se 3I/ATLAS është një kometë ndëryjore natyrore, tipike për sa i përket aktivitetit dhe përbërjes. Ata besojnë se pretendimet e Loeb nuk kanë bazë shkencore ose vëzhguese.
Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump do të pranojë një takim me Vladimir Putin vetëm nëse presidenti rus pranon të flasë me Volodymyr Zelensky.
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————-
Njoftimi se Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord të takohen për të diskutuar luftën në Ukrainë u parapri në mediatshqipfolëse nga lajmi se Trump kishte deklaruar se nuk do të kishte takim me Putin nëse ai nuk pranon të ulet me udhëheqësin ukrainas Zelensky.
Megjithatë, kjo deklaratë nuk është e Trump, por e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Madje, më 7 gusht, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump ishte “i hapur” për t’u takuar me Putin, megjithëse preferenca ishte ende për një takim trepalësh.
“Siç tha Presidenti Trump dje, rusët shprehën dëshirën e tyre për t’u takuar me Presidentin Trump dhe Presidenti është i hapur për këtë takim”, tha Leavitt në një deklaratë për ABC News. “Presidenti Trump do të donte të takohej si me Presidentin Putin ashtu edhe me Presidentin Zelensky sepse dëshiron që kjo luftë brutale të përfundojë. Shtëpia e Bardhë po punon mbi detajet e këtyre takimeve të mundshme dhe detajet do të ofrohen në kohën e duhur.”
Po atë ditë, vetë Trump tha se Putin nuk ka nevojë të takohet me Zelenskyn si kusht që ai dhe Putini të takohen. “Jo, ai [Putin] nuk duhet ta bëjë këtë,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. Zelensky udhëtoi për në Berlin për bisedime me kancelarin gjerman Friedrich Merz, udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara përpara takimit të planifikuar midis Trump dhe Putin.
Shënim:Data 18 gusht 2025 website sinjali.come ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Pretendimi: Nuk është dielli që shkakton kancerin e lëkurës, por kremi i diellit
Verdikti: E pavërtetë
—————————————
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se “dielli nuk shkakton kancer, ndryshe nga kremi i diellit.”
Për të mbështetur tezën e tij, postimi i mësipërm pretendon më tej se “normat e kancerit të lëkurës janë rritur rreth 200% që nga prezantimi i kremit kundër diellit me oksibenzone.”
Megjithatë, ky pretendim është i rremë. Një formë e hershme e kremit kundër diellit u zhvillua në fund të viteve 1890, ndërsa kremi i parë modern kundër diellit u zhvillua nga kimisti zviceran Franz Greiter në fund të viteve 1940. Ndërkaq, përshkrimi më i hershëm i melanomës mund të gjendet në shkrimet e Hipokratit, i cili jetoi midis viteve 460 dhe 375 p.e.s. Më tej, mjeku francez René Laennec mbajti leksione mbi melanomën në vitet 1800.
Së bashku me dritën e dukshme, dielli lëshon forma të tjera të energjisë, duke përfshirë rrezatimin ultravjollcë (UV). Edhe pse atmosfera thith një pjesë të këtij rrezatimi, shumica e rrezeve UVA dhe disa rreze UVB ende arrijnë sipërfaqen e Tokës.
Në vitin 2009, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) klasifikoi rrezatimin UV si diellor ashtu edhe atë artificial si agjentë të provuar që shkaktojnë kancer tek njerëzit (kancerogjenë të Grupit 1).
Studimetë shumtaepidemiologjike tregojnë një lidhje shkak-pasojë mes ekspozimit ndaj rrezatimit UV dhe të gjitha llojeve kryesore të kancerit të lëkurës. Australia, e cila ka disa nga nivelet më të larta të rrezatimit UV në botë, ka gjithashtu shkallën më të lartë të kancerit të lëkurës. Sipas agjencisë qeveritare australiane Cancer Australia, ekspozimi i tepërt në diell është përgjegjës për rreth 95% të melanomës dhe 99% të kancerit të lëkurës jo-melanoma në disa rajone.
Si rrezatimi UVA ashtu edhe ai UVB kontribuojnë në rritjen e rrezikut të kancerit të lëkurës, por në mënyra të ndryshme. Rrezet UVA depërtojnë thellë në lëkurë, duke shkaktuar plakje të parakohshme të lëkurës. Rrezatimi UVB zakonisht arrin vetëm shtresat e jashtme të lëkurës dhe është fajtori kryesor për djegien nga dielli dhe kancerin e lëkurës, siç tregohet në figurën më poshtë.
Rrezet UVB dëmtojnë strukturën e ADN-së në qelizat e lëkurës, gjë që vazhdon për orë të tëra pas përfundimit të ekspozimit. Qelizat e lëkurës kanë mekanizma efektivë për të riparuar këtë dëmtim. Megjithatë, ekspozimi i zgjatur ose i përsëritur ndaj rrezatimit UV shkakton grumbullimin e qelizave të dëmtuara. Kur këto qeliza ndahen dhe bëjnë kopje të ADN-së së tyre, ndryshimet strukturore të shkaktuara nga rrezatimi UVB rezultojnë në mutacione që mund të bëjnë që qelizat e dëmtuara të zhvillohen në një tumor.
Nuk ka prova që sugjerojnë se përbërësit e kremit mbrojtës nga dielli rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës. Anasjelltas, ka prova të forta që përdorimi i rregullt i kremit mbrojtës nga dielli zvogëlon plakjen e parakohshme të lëkurës dhe ul rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës.
Shoqata Amerikane e Dermatologjisë rekomandon përdorimin e një kremi mbrojtës nga dielli rezistent ndaj ujit, me spektër të gjerë (mbron nga rrezet UVA dhe UVB) me një faktor mbrojtjeje nga dielli (SPF) 30 ose më të lartë kur jeni jashtë. Përveç kësaj, ajo rekomandon masa të tjera mbrojtëse, duke përfshirë kërkimin e hijes dhe veshjen e rrobave mbrojtëse nga dielli dhe syzeve të diellit.
Njoftimi se Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord të takohen për të diskutuar luftën në Ukrainë prodhoi një valë lajmesh dhe titujsh sensacionalë në disa media shqiptare. Në shumë raste, theksi nuk është vendosur te faktet e konfirmuara, por te parashikime, interpretime dhe informacion i paverifikuar.
Kush e lexon këtë titull mund të mendojë se është arritur një marrëveshje paqeje, apo edhe se lufta mund të ketë përfunduar. Në realitet, i vetmi fakt i konfirmuar deri më tani është se të dy liderët kanë pranuar të zhvillojnë një takim. Nuk ka asnjë marrëveshje të shpallur, asnjë plan të detajuar për t’i dhënë fund luftës. Kjo, madje, shpjegohet edhe në tekstin e lajmit me titull tepër optimist dhe çorientues.
Lajme keqkuptuese dhe shpesh keqinformuese mbi këto zhvillime u shpërndanë edhe për aspekte të tjera të ndodhisë. Një prej tyre u nxit nga paqartësitë e deklaratave të vetë presidentit amerikan Donald Trump.
Disa media raportuan se Trump nuk do të takohej me Putin nëse ky i fundit nuk pranonte të takohej edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kjo ishte deklarata e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, por që pa kaluar as një ditë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Levitt deklaroi se Trump ishte i hapur për t’u takuar me Putin-in, edhe pse më e mira do të ishte një takim trepalësh. Kjo u konfirmua më vonë edhe nga një deklaratë publike e presentit Trump, i cili tha se “jo, ai [Putin] nuk duhet ta bëjë këtë”.
Pavarësisht këtij informacioni të përditësuar, lajmet në disa media online në Shqipëri mbeten të papërditësuara dhe ende përmbajnë informacionin e vjetër, tashmë të kundërshtuar nga vetë presideni Trump.
Një tjetër detaj i takimit për të cilin u shpërnda dezinformim në media, ka qenë vendi i mundshëm i takimit.
Putin përmendi Emiratet e Bashkuara Arabe si një vendtakim të mundshëm, por disa tituj e paraqitë sikur ky vendim është marrë dhe konfirmuar nga të dyja palët.
Në të vërtetë, asnjë njoftim zyrtar nuk konfirmoi vendndodhjen deri dy ditë më vonë. Dhe ajo ishte Alaska.
Një tjetër informacion i pakonfirmar dhe i shpërndarë në media të ndryshme shqiptare ishte ai për një plan të supozuar nga kampi i Trump, sipas të cilit Rusia do të ndalte luftën në këmbim të mbajtjes së territoreve të pushtuara dhe heqjes së sanksioneve nga SHBA dhe BE. Kjo informatë, e botuar fillimisht nga një gazetë polake, nuk është verifikuar nga burime të tjera dhe mbetet e pakonfirmuar.
Ndërkohë në një deklaratë publike, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ai do të mundohet që territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia t’i kthehen pas ukrainasve. Në anën tjetër, Zelensky e ka refuzuar vazhdimisht çdo plan që i jep Moskës territore të pushtuara, çka e bën edhe më të diskutueshme mundësinë e një marrëveshjeje të tillë.
Sipas Ledion Krisafit, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, takimi mes Trump dhe Putin mund të shërbejë për të fituar kohë nga ana e Rusisë. Ai vëren se Kremlini e sheh Trump-in si mundësinë më të mirë, krahasuar me eurpianët, për të marrë shumicën e kërkesave që ata kanë në lidhje me Ukrainën.
Në anën tjetër – vijon Krisafi – Putin mund ta përdorë këtë takim si një mjet për të shmangur veprimet e padëshiruara të Trump ndaj Rusisë dhe për të projektuar një imazh të gatishmërisë për dialog, pa pasur realisht synim të ndalë luftën në këtë fazë. Nga ana tjetër, edhe Trump mund ta paraqesë takimin si një hap drejt paqes.
Në fund, rezultati që Ledion Krisafi parashikon nuk është ai që Trump trumpeton.
“Nuk mendoj që rusët kanë qëllim të ndalojnë luftën në këtë stad, edhe nëse shumica e kërkesave të tyre plotësohen. Qëllimi i tyre është shpartallimi i kombit ukrainas dhe kjo arrihet duke vazhduar këtë luftë të ngadaltë në dukje por që po e sfilit dhe bluan Ukrainën.” – përmbyll Krisafi.
Takimi i Trump dhe Putin për të folur mbi luften në Ukrainë u trajtua gjerësisht në media pasi përbën një nga çështjet më me interes në zhvillimet gjeopolitike botërore. Raportimi i saktë i informacioneve dhe verifikimi i tyre është thelbësor për të përmbushur misionin e informimit të publikut. Përfitimi nga situata e luftës në Ukrainë duke përdorur tituj keqinterpretues apo raportimi i deklaratave të njëanshme si fakte të kryera, vetëm çorienton lexuesit dhe ul besimin e tyre tek mediat.
Flakët që prej dy ditësh po shkrumbojnë pyjet e kullotat e Gramshit, mëngjesin e së mërkurës iu afruan Nartës, fshatit më të madh të njësisë administrative Skëndërbegas. Banorët u njoftuan të largohen me urgjencë. Shumë u strehuan në konviktin e qytetit, të tjerë në zona të sigurta pranë fshatit.
“Kam punuar 70 vjet dhe i lashë të gjitha atje. Ç’e desha jetën kur humba gjithçka,” thotë një grua e moshuar, e tronditur, teksa largohet nga Narta e rrethuar nga të katër anët nga zjarri. Në duar mban vetëm një trastë me rrobat e trupit. Bagëtitë dhe ushqimet e dimrit i ka lënë pas.
Një tjetër grua, që ka kaluar natën në konviktin e Gramshit, rrëfen se bashkëshorti i saj refuzon të largohet. “Është ende atje, në zonën e rrezikshme. Kur pa dëmin, tha që nuk lë shtëpinë. Nuk e di si do ta bindin të zbresë,” thotë ajo.
Nga fshati Bletas, një burrë rreth të gjashtëdhjetave tregon sesi flakët erdhën nga Kullollasi dhe u përhapën brenda minutash.
“Policia na mori dhe ikëm. Bagëtitë i lashë sipër. Pashë shtëpi të djegura rrugës. Shumë lanë gjithçka mbyllur në kasolle.”
Prefekti i Elbasanit, Ilir Bejtja, i pranishëm në terren prej dy ditësh, e përshkruan situatën si “shumë të rëndë”. Sipas tij, mbi 150 forca zjarrfikëse, 9 mjete, mbi 100 vullnetarë dhe katër helikopterë po luftojnë flakët që, pas shkrumbimit të Kullollasit, Bletasit, Menkollarës, Bulçarit e Shimërit, i janë afruar Nartës. “Është pyll pishe, shpërndahet më keq se baruti,” thotë Bejtja.
Kryebashkiaku Besjan Ajazi konfirmon se rreth 50 banorë të Nartës janë strehuar në konvikt dhe dhjetëra familje të tjera janë zhvendosur në zona të sigurta.
Ndërkohë, një tjetër vatër është regjistruar në Kodovjat, e pavarur nga fronti kryesor i Skëndërbegasit. Në 48 orët e fundit, Gramshi është goditur nga disa zjarre: fillimisht në Sojnik, të hënën, më pas në Kullollas të martën, që u përhap në disa fshatra, dhe tani në Kodovjat.
Dëmet janë të mëdha: qindra hektarë pyje dhe kullota të djegura, katër fshatra të dëmtuar rëndë dhe dhjetëra familje të shpërngulura. Në Nartë, frika se flakët mund të rikthehen është ende e pranishme, edhe pse banorët janë përkohësisht jashtë rrezikut.
Më e rëndë situata shfaqet në njësinë administrative Skëndërbegas, ku 4 fshatra kanë pësuar dëme të konsiderueshme dhe sipërfaqja e djegur llogaritet me qindra hektarë pyje dhe kullota.
Pretendimi: Kjo video tregon zbulime të çuditshme në Antarktidë
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————–
Një video që duket se tregon një ekip eksplorues duke zbuluar një sërë strukturash dhe artefaktesh të çuditshme në shpella akulli po qarkullon në rrjetet konspiracioniste me pretendimin se ajo tregon zbulime në Antarktidë, “kontinenti që na është ndaluar sepse fsheh të vërteta që nuk duhej t’i dinim.”
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në TikTok nga llogaria @the_undiscoveredd
Nëse i hedhim një sy llogarisë që ka postuar videon, vëmë re se ajo poston ekskluzivisht video të ngjashme që tregojnë zbulime të pazakonta në vende të errëta.
Disa video janë etiketuar nga postuesi si të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale.
Njësoj, edhe video që po qarkullon në rrjete sociale me gjasa është gjeneruar me të njëjtat programe nga llogaria the_undiscoveredd.
Shqipëria po përballet me një valë zjarresh të paprecedentë. Gramshi dhe Delvina janë dy zonat më të rrezikuara, me helikopterë dhe autobote që ndërhyjnë pa pushim. Ekspertët thonë se mungesa e investimeve dhe papërgjegjshmëria po shkatërrojnë pyjet dhe kullotat tona.
Esmeralda Topi
Gjatë 24 orëve të fundit, Shqipëria ka përjetuar një valë të paprecedentë zjarresh, me 64 vatra të regjistruara në të gjithë vendin, nga të cilat 24 mbeten ende aktive. Mbi 10 mijë forca emergjencash, janë në terren duke punuar pa ndërprerje, por situata nuk po favorizohet për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë.
Operacioni i gjerë kundër flakëve ka vijuar gjatë gjithë natës, me qëllim mbrojtjen e zonave të banuara dhe parqeve kombëtare. Ministria e mbrojtjes bën me dije se nga ajri po operojnë pesë helikopterë, tre në Gramsh dhe dy në Delvinë, ndërsa njësitë tokësore vazhdojnë ndërhyrjen në zona të vështira dhe të thella pyjore.
Aktualisht, Gramshi dhe Delvina rezultojnë zonat më problematike. Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuim në fshatrat Nartë dhe Skënderbegas të Gramshit dhe në Delvinë.
Në Gramsh, zjarri ka marrë përmasa të mëdha në Kullollas dhe Skënderbegas, duke shkaktuar edhe një viktimë dhe dëme materiale. Në Mukaj e Sojnik, situata mbetet e rrezikshme dhe ndërhyrjet nga ajri po vazhdojnë me mbështetjen e forcave vendore.
Në Delvinë, zjarri që ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, ka shkatërruar 5 shtëpi. Një avion nga Italia, njësitë zjarrfikëse, forcat e FNSH-së, Delta dhe Shqiponjat, bashkë me 7 autobote uji dhe 120 trupa të Forcave të Armatosura po ndërhyjnë me intensitet, duke e ndjekur flakën deri mbi fshatin Vllahat.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Ndërsa në Tepelenë, Shkodër, Tiranë, Dibër dhe Kolonjë, forcat e emergjencës vijojnë operacionet, duke përdorur çdo mjet të mundshëm për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Parashikimet meteorologjike paralajmërojnë temperatura të larta dhe erëra të forta, që rrisin rrezikun për riaktivizimin e zjarreve dhe krijimin e vatrave të reja.
Pse po digjet vendi?
Por pas çdo flake, pas çdo tymi, ka një të vërtetë më të hidhur se çdo raport operativ. Inxhinieri i pyjeve Abdulla Diku e thotë qartë:
“Po e djegim Shqipërinë me duart tona. E dimë që Shqipëria është një vend i vogël. Një grusht tokë që për shekuj është mbrojtur me gjak, dhe që sot, po digjet… nga vetë shqiptarët e saj. Zjarret që përpijnë pyje e kullota nuk janë fatkeqësi natyrore. Janë krim kundër vendit, të vetmit që kemi në këtë botë.”
Diku thekson se pas çdo tragjedie nuk zhduket vetëm një pyll. “Është toka jonë që bëhet më e varfër, ajri më i rëndë, vendi ynë më i zbrazët,” thotë ai.
Nga ana tjetër, Agron Haxhimali, drejtues i Institutit të Bashkive, nxjerr në pah një tjetër problem thelbësor: “Shumë para në ‘seli’ dhe pak në ‘front’. Bashkitë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta për emergjencat dhe zjarrfikësit, por kapacitetet operative shpesh mungojnë. Nga 70 stacionet zjarrfikëse për 61 bashki, buxheti vendor për vitin 2025 është 21 milionë euro, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, me 55 milionë euro, kryen kryesisht funksione koordinuese dhe mbikëqyrëse.”
Burimi: Ministria e Financave
Haxhimali thekson pabarazinë mes përgjegjësive dhe resurseve: paratë dhe kapacitetet kryesore qëndrojnë te niveli qendror, ndërkohë që emergjencat ndodhin në terren.
“Kjo sjell mungesë efektive të mjeteve, teknologjisë dhe trajnimit lokal, duke e bërë shpesh të vështirë reagimin në kohë,” shprehet ai. Rishpërndarja e buxhetit dhe investimi në pajisje moderne, dronë monitorimi dhe sisteme alarmi të hershëm janë hapa të domosdoshëm për të përmirësuar situatën.
Abdulla Diku paralajmëron se papërgjegjshmëria e bashkive dhe mosinvestimi në specialistë pyjesh ka lehtësuar shkatërrimin. “Çdo institucion duhet të nxjerrë përgjegjësinë nga çdo kryetar bashkie që nuk investon në pajisjet bazike për mbrojtjen nga zjarri dhe nuk ka përgatitur planin e masave sipas ligjit,” thotë ai.
Ndërsa helikopterët dhe autobotet përpiqen të shuajnë flakët, debati mbi modelin e decentralizimit dhe buxhetin mbetet i hapur. A është ky modeli që na duhet, apo duhet të rishikohet për të sjellë më shumë kapacitete tek bashkitë? Haxhimali e përmbledh me një ironi të hidhur: “Sot kemi shumë para në zyrë dhe pak në terren. Zjarret ndodhin në terren, jo në seli.”
Në këto kushte, Instituti për Bashkitë Shqiptare kërkon mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe e kategorizon situatën si emergjencë civile.
Instituti shpreh solidaritet të plotë me qytetarët e komunitetet e prekura, si dhe me trupat zjarrfikëse që rrezikojnë jetën në terren. Po ashtu, theksohet nevoja për një vlerësim të plotë të dëmeve dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre.
Në këtë valë zjarresh, qindra hektarë pyje dhe kullota janë shkrumbuar. Ligji parashikon 5 deri në 20 vite burg për zjarrvënien e qëllimshme, por në dhjetë vitet e fundit, nga 253 procedime penale, vetëm 3 persona janë dënuar.
Pretendimi: Ekstremistët islamikë po shkatërrojnë objekte historike në Siri
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një postim në Instagram publikon një video që pretendohet se tregon radikalë islamikë në Siri duke shkatërruar objekte arkitekturore mijëravjeçare. Kjo llogari e paraqet videon si pjesë e vandalizmit kulturor që po ndodh në këtë vend të trazuar nga lufta civile dhe që së fundi është duke u udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa, drejtuesi i forcave rebele të konsideruar më parë si terroriste nga ShBA. Megjithatë, kërkimet tona tregojnë se këto pamje nuk vijnë nga Siria, dhe për më tepër ato nuk janë filmuar kohët e fundit.
Videoja në fakt daton nga marsi i vitit 2015 dhe përshkruan shkatërrimin e qytetit të lashtë të Hatrës në Irakun verior. Në atë kohë, kjo zonë ishte nën kontrollin e shtetit islamik të ISIS, i cili ndërmori një fushatë për të shkatërruar trashëgiminë arkeologjike që binte ndesh me traditën islame. Ky fakt u raportua nga media si BBC dhe NBC, dhe u dënua nga UNESCO si një krim lufte. Video e publikuar nga Associated Press me date 4 prill 2015 tregon të njëjtat imazhe si ato të postuara në Instagram, të publikuara në 29 korrik 2025.
Në këto imazhe, mund të shihen militantët e ISIS duke shkatërruar skulptura të rëndësishme të epokës asiriane dhe romake duke përdorur çekiçë dhe armë zjarri. Hatra, një qytet që mbrohet nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Botërore, u ndërtua në shekullin e 2-të ose të 3-të para erës sonë dhe lulëzoi si një qendër fetare dhe tregtare e Perandorisë Parthiane. Ky është një djetër tjetër i gabuar në postimin në Instagram që pretendon se këtu bëhet fjalë për objekte që ekzistojnë prej 10,000 vitesh. Një pjesë e skulpturave të thyera ishin restauruar në periudhën moderne pas dëmtimeve të mëparshme dhe kjo shpjegon pluhurin e bardhë që ngrihet në video.
Pra shkatërrimi ka ndodhur me të vërtetë, por në vitin 2015 dhe jo në Siri, po në Irak gjatë marrjes nën kontroll të territorit nga ISIS. Për më tepër, gjuha e përdorur në postim tregon një tendencë kundër besimit musliman, duke mos bërë dallimin me faktin që pjesa dërrmuese e vendeve muslimane e konsideroi ISIS si një shtrembërim të traditës islame.
Pretendimi: Kura ndaj kancerit është zbuluar në vitet ’30-të, por nuk e lejuan të zhvillohej
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Në rrjetet sociale shqiptare po qarkullon pretendim se që prej vitit 1930, një shkencëtar amerikan ka zbuluar një “metodë moderne” për të shëruar kancerin, duke përdorur një mikroskop shumë të avancuar. Postimi pretendon se ky mikroskop arriti të identifikonte “vibrimin e sëmundjes” dhe më pas, vetëm përmes ultratingujve arriti të shëronte 15 pacientë, duke mos përdorur ilaçe. Por ky pretendim që është hedhur poshtë nga studimi të mëtejshme mbi metodën e “shpikur” nga Royal Raymond Rife në vitet 1920.
Në vitet 1920, Rife ndërtoi një mikroskop me zmadhim të lartë dhe pretendonte se mund të dallonte mikroorganizma të ndryshëm, madje edhe të kapte “frekuencat vdekjeprurëse” që do t’i shkatërronin këto mikroorganizma. Sipas tij, duke aplikuar këto frekuenca elektromagnetike, patogjenët e ndryshëm që gjenden në trupin njerëzor, duke përfshirë ato që shkaktojnë kancer, mund të eliminohen. Këto pretendime të Rife mbeten spekulime pasi idetë e tij nuk u pranuan nga komuniteti mjekësor dhe nuk kanë arritur të provohen me metoda shkencore.
Institucione të besueshme si Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) kanë deklaruar se nuk ka asnjë provë se aparatet që ndjekin metodat e mikroskopit Rife mund të kurojnë kancerin. Disa kompani u përpoqën ta komercializonin këtë makineri ndër vite, derisa Shoqata Amerikane e Kancerit i hodhi poshtë pretendimet e tyre në vitet 1994.
Në fakt, raste të dokumentuara tregojnë se pacientë që kanë braktisur trajtimet mjekësore tradicionale (si kimioterapia) për t’iu drejtuar metodave të tilla alternative, shpesh janë përkeqësuar duke çuar në disa raste edhe me vdekje. WebMD dhe burime të tjera mjekësore serioze theksojnë se sukseset që raportohen përmes këtyre pajisjeve bazohen në dëshmi të paverifikuara dhe jo studime klinike më të gjëra.
Metoda e Rife kategorizohet nga WebMD si pseudoshkencë. Ato nuk janë miratuar nga asnjë autoritet shëndetësor dhe nuk ekzistojnë prova që të mbështesin pretendimin se ato funksionojnë. Pra, pretendimi se kanceri mund të shërohej që në vitin 1930 me ultratinguj dhe frekuenca elektromagnetike është një mit i pabazuar.
Në një kohë kur Shqipëria po kalon një situate dramatike për shkak të zjarreve të favorizuara nga temperatuarat ekstremisht të larta dhe avionët zjarrëfikës të ardhur nga vendet e BE-së nga flota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile po ndihmojnë Shqipërinë të përballojë situatën, zyrtarët e lartë duket se po “fshihen” pas propagandës duke maskuar të vërtetën mbi shkallën e përgatitjes shtetërore për emergjenca të tilla.
Më 29 korrik 2025, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu deklaroi publikisht se “janë alokuar fondet, kemi buxhetin dhe kemi realizuar edhe procedurën për blerjen e dy avionëve zjarrfikës”. Kjo deklaratë erdhi fill pas publikimit nga Faktoje të një artikulli ku dokumentohej se qeveria shqiptare nuk e kishte mbajtur premtimin për të siguruar dy avionë zjarrfikës për sezonin e zjarreve në verën 2025.
Por sa e vërtetë është kjo deklaratë?
Çfarë thotë Ministria e Mbrojtjes?
Pas kësaj deklarate Faktoje u interesua për më shumë detaje përmes një kërkese për informacion. Në përgjigjen e saj zyrtare për Faktoje, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se nuk bëhet fjalë për avionë zjarrfikës, siç pretendoi ministri Vëngu, por për avionë shumërolësh, të cilët do të pajisen edhe me kapacitete për fikjen e zjarreve nga ajri. Këta avionë nuk janë të dedikuar për emergjenca civile apo shuarje zjarresh, por do të kenë gjithashtu funksione ushtarake.
Për më tepër, në kundërshtim me deklaratën e ministrit që pretendonte përfundimin e procedurës së blerjes, Ministria e pranoi se procesi është ende në zhvillim:
“Blerja e këtyre avionëve është në proces, i cili po shkon drejt përfundimit.”
– Ministria e Mbrojtjes për Faktoje
Gjithashtu, Ministria nuk dha informacione mbi koston e këtyre avionëve, si dhe refuzoi të tregojë afatet se kur do të merren në dorëzim ato, duke u justifikuar me klasifikimin “për qëllime ushtarake”.
Një histori që përsëritet
Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes i referohet këtyre avionëve shumërolësh si zgjidhje për përballimin e zjarreve. Në shtator 2024, në një tjetër përgjigje për Faktoje, institucioni parashikonte se avionët do të viheshin në funksion në fund të vitit 2025 ose fillim të vitit 2026.
Pra, edhe një vit më vonë, nuk ka ndryshuar as statusi i procedurës dhe as mungesa e transparencës.
Për këtë arsye, Faktoje e kategorizon deklaratën e ministrit Pirro Vëngu si të pavërtetë.
Në një kohë kur vendi përballet çdo verë me dhjetëra vatra aktive zjarri dhe një sistem të kufizuar menaxhimi të emergjencave, nevojitet më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në komunikimin publik, e jo deklarata që nuk qëndrojnë përballë fakteve.
Rama justifikon situatën
Menjëherë pas publikimit të artikullit nga Faktoje.al, Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjete sociale duke shmangur përgjegjësinë direkte dhe duke vendosur debatin në një perspektivë më të gjërë. Ai theksoi se zjarret nuk zgjidhen vetëm me një apo dy avionë zjarrfikës dhe se Shqipëria ka më shumë mjete ajrore këtë vit se çdo vit tjetër, falë mbështetjes nga Mekanizmi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rama bëri krahasime me vendet e tjera, duke treguar se edhe Greqia, Italia, Turqia dhe Spanja përballen me zjarre të shumta, pavarësisht kapaciteteve të tyre. Ai nënvizoi gjithashtu se parandalimi i shkaqeve të zjarreve dhe menaxhimi strategjik janë po aq të rëndësishëm sa reagimi emergjent, duke sugjeruar se fokusimi vetëm tek numri i avionëve nuk ofron zgjidhje të plotë.
Ky artikull u rishikua duke shtuar reagimin e Kryeministrit Edi Rama mbi situatën e zjarreve dhe perspektivën e qeverisë.