Më 13 janar 1933, në Selanik, u shua në mënyrë tragjike një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, Hasan Prishtina. I lindur më 1873 në Vushtrri, ai do të bëhej një nga mendjet dhe zërat më të guximshëm të kohës, një burrë që ia kushtoi jetën idealit të lirisë dhe përparimit kombëtar.
Hasan Prishtina nuk ishte thjesht një politikan apo një luftëtar, ai ishte një vizionar. Në Kuvendin e Junikut të vitit 1912, ishte ndër nismëtarët kryesorë të vendimeve që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë. Programi i tij për zhvillimin e Shqipërisë, hartuar më 1921, mbetet edhe sot një dëshmi e mendimit të tij për një shtet modern, të arsimuar dhe të drejtë, përcjellë KultPlus.
Në arenën politike, shpesh u gjend në përplasje me pushtetet e kohës, pasi nuk pranonte kompromis me parimet. Për këtë arsye, jetën e kaloi mes veprimtarisë atdhetare, internimeve dhe mërgimit. Por asnjë presion nuk e zbehu vendosmërinë e tij.
Vdekja e tij në atentatin e Selanikut, më 13 janar 1933, tronditi mbarë kombin. Larg vendlindjes, por gjithmonë i lidhur shpirtërisht me të, Hasan Prishtina u bë simbol i sakrificës për Shqipërinë./KultPlus.com
Retë luejnë n’naltësin, si qingjat n’kodrina, Ndërsa malli për t’pambërrijtshmen ndryhet n’mue: Dëshirojsha mu kapë n’vallen e reve kuqle E me fluture në t’shkëqyeshmet naltësina Me gëzimin e këngës baritore… E kur hana e luginave ia beh n’shpejti Dhe toka natën n’dishrim thërret, Si rrezet e argjendta mbi kalli- Të shkoj E t’vizitoj Skajet e dhimbjes e vendet ku pashë ankthet.
Vaj! Me u kapë n’vallen e reve nkuqlime Zemra me t’dhanun do t’më dëshironte Që rinija t’gërthet i herë mâ me gëzime Dhe mall i zemrës s’vuajtun t’gufonte. -Por, pse zemra tingëllon përmallshëm si za drithërim dhe droja kaplon thellë zemrën e shpirtin tim?! Kur dëshiroj aq rêtë mbi qytet me i soditë, Derisa malli për t’pambërrijtshmen, m’kap, m’shafit./KultPlus.com
Këngëtari i njohur Shaqir Cërvadiku, i cili u bë simbol i motivimit dhe shpirtit luftarak gjatë viteve të luftës, tashmë vjen në një rol të veçantë në filmin artistik “Pranvera e Përgjakur”, me regji të Ganimet Bytyqi Lalushit.
Me zërin e tij të fuqishëm dhe këngët që dikur jehonin edhe në vijën e frontit, Cërvadiku ka mbetur në kujtesën e shumë ish-ushtarëve të UÇK-së si frymëzues në ditët më të vështira. Meloditë e tij, të mbushura me ndjenja atdhedashurie, u jepnin kurajë dhe forcë luftëtarëve përballë sfidave të luftës.
Në këtë projekt kinematografik, ai sjell të njëjtin emocion dhe frymë në ekran, duke u bërë pjesë e një rrëfimi që rikthen ngjarjet dramatike të pranverës së vitit 1998, periudhë e shënuar nga vuajtjet, dhuna dhe masakrat e kryera nga forcat serbe ndaj popullit shqiptar./KultPlus.com
Pamela Anderson, aktorja 58-vjeçare dhe ikona e kulturës pop, ka nisur një bashkëpunim të pazakontë me markën e stilit të jetesës Flamingo Estate nga Los Angeles. Rezultati është “Pamela’s Pickles” – kavanoza turshish pikante e aromatike, të dekoruara me lule, të cilat kushtojnë 38 dollarë (rreth 32 euro) për copë dhe do të shiten në një edicion të kufizuar.
Receta bazohet në traditën familjare të tezes së madhe të Andersonit, Vie, ndërsa aktorja ka shtuar një prekje personale me petale trëndafili të thata. Për më tepër, Flamingo Estate ka përdorur piper rozë, spec djegës guajillo, kripë deti të tymosur dhe piper organik Espelette të kultivuar në mënyrë rigjeneruese.
Ky projekt nuk është vetëm kulinar, por edhe humanitar. E gjithë fitimi nga shitjet do të dhurohet për Qendrën e Kafshëve të Egra të Kalifornisë (CWC), e cila çdo vit ofron trajtim dhe rehabilitim për mbi 4,000 kafshë të egra të lënduara./KultPlus.com
YouTube po prezanton një sistem të ri verifikimi të moshës të bazuar në inteligjencë artificiale, fillimisht në SHBA, me synimin për të mbrojtur më mirë të rinjtë nga përmbajtjet e papërshtatshme.
Sipas kompanisë, mjeti do të analizojë sjelljen e përdoruesve nga lloji i videove që kërkojnë, kategoritë që shikojnë, deri te jetëgjatësia e llogarisë për të vlerësuar nëse ata janë mbi ose nën 18 vjeç. Nëse sistemi përcakton që një përdorues është i mitur, do të aktivizohen automatikisht masa mbrojtëse, si çaktivizimi i reklamave të personalizuara, kufizimi i rekomandimeve dhe njoftimet për pushime nga ekrani.
Përdoruesit që vlerësohen gabimisht si të mitur do të kenë mundësi të apelojnë, duke përdorur një dokument identifikimi, selfie ose kartë krediti për të konfirmuar moshën. Ata që nuk e bëjnë këtë do të mbeten me cilësimet e kufizuara. Ndryshimi pritet të ndikojë edhe tek krijuesit e përmbajtjes, pasi nëse audienca e tyre kategorizohet kryesisht si e mitur, të ardhurat nga reklamat mund të bien.
Vendimi i YouTube vjen në një kohë presioni të madh politik dhe ligjor në mbarë botën për të rritur sigurinë online për fëmijët dhe adoleshentët. Megjithatë, ky sistem ka ngjallur edhe shqetësime për privatësinë. Aktivistët e të drejtave digjitale paralajmërojnë se metoda e vlerësimit të moshës duke analizuar historikun e shikimeve mund të çojë në mbikëqyrje masive dhe kufizime të panevojshme për përdoruesit e rritur.
Një peticion online ka mbledhur mbi 68 mijë nënshkrime kundër planit, duke paralajmëruar se “kur këto sisteme normalizohen, ato rrallë zhduken dhe mund të përhapen përtej një platforme të vetme, duke rrezikuar lirinë digjitale”./KultPlus.com
Italo Calvino ishte një nga autorët më imagjinativë dhe universalë të letërsisë italiane dhe botërore.
Ai lindi në Kubë, por u rrit në Itali, në Sanremo. Prindërit e tij ishin shkencëtarë dhe kjo ndikoi shumë në formimin e tij intelektual ndërthurja mes shkencës dhe letërsisë do të bëhej një nga tiparet e veçanta të stilit të tij. Në rininë e hershme, Calvino mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore si partizan. Kjo përvojë e ndikoi thellë dhe u reflektua në romanin e tij të parë “Shtegu i merimangave” (“Il sentiero dei nidi di ragno”), një histori e luftës e treguar përmes syve të një fëmije – e thjeshtë, poetike, e thellë.
Më vonë, Calvino iu largua realizmit socialist dhe nisi të eksperimentojë me një stil të ri, të frymëzuar nga përrallat, mitet, matematika, filozofia dhe struktura të çuditshme narrative. Kjo fazë solli trilogjinë e famshme “Paraardhësit tanë”: “Vikonti i përgjysmuar” (Il visconte dimezzato) “Baroni në pemë” (Il barone rampante) “Njeriu i padukshëm” (Il cavaliere inesistente) Këto tre romane janë ndër më të veçantët e letërsisë italiane, plot humor, alegori dhe filozofi.
Në vitet ’60, Calvino iu bashkua grupit Oulipo në Francë një grup shkrimtarësh dhe matematikanësh që eksperimentonin me strukturat e gjuhës dhe mundësitë e pafundme të shkrimit letrar. Kjo e çoi Calvinon drejt një mënyre të re rrëfimi, ku loja me formën dhe strukturën ishte po aq e rëndësishme sa përmbajtja. Romani më i njohur nga kjo periudhë është “Nëse një udhëtar një nate dimri” (Se una notte d’inverno un vaggiatore), një vepër postmoderne ku lexuesi bëhet vetë personazh, dhe çdo kapitull nis një roman të ri.
Libri është një eksplorim i vetë aktit të leximit dhe është bërë një vepër-kult në letërsinë bashkëkohore. Një tjetër libër me ndikim është “Kështjella e fatit të kryqëzuar” (Il castello dei destini incrociati), ku personazhet tregojnë historitë e tyre përmes letrave të tarotit një eksperiment i mrekullueshëm letrar që flet për fatin, rastësinë dhe strukturat narrative. Por ndoshta vepra më popullore e tij në botë janë “Përrallat italiane” (Fiabe italiane), ku Calvino mblodhi dhe rishkroi me mjeshtëri më shumë se 200 përralla popullore nga të gjitha krahinat e Italisë, duke i dhënë atyre një zë të freskët dhe modern. Në vitet e fundit të jetës, Calvino përgatiti një seri leksionesh për Universitetin e Harvardit, të titulluara “Gjashtë propozime për mileniumin e ri” (Lezioni americane). Ai vdiq përpara se t’i mbante ato leksione, por tekstet mbetën si një testament i mendimit të tij për të ardhmen e letërsisë. Ai fliste për: lehtësinë, saktësinë, shpejtësinë, shkathtësinë, dukshmërinë dhe shumëzimin – si vlera letrare për shekullin XXI. Calvino ishte një mjeshtër i metaforës, simbolit, strukturës.
Ai nuk shkroi kurrë për të treguar vetëm një histori, por për të kërkuar kuptimet pas saj – qoftë përmes një kalorësi që nuk ekziston, një baroni që jeton në pemë, apo një lexuesi që kurrë nuk mbaron dot librin. Stili i tij përzihet mes fabulës filozofike, fantazisë, lojës letrare dhe ndjenjës së thellë për ekzistencën. Calvino është një autor që mund të lexohet nga të rritur dhe adoleshentë njësoj si një përrallëtar modern që të çon larg realitetit, për të të kthyer më i ndriçuar tek vetja. Sot, veprat e tij përkthehen në më shumë se 40 gjuhë dhe konsiderohen si një pasuri universale. Ai është një ndër ata autorë që na kujton se letërsia nuk ka kufij as në hapësirë, as në kohë, as në imagjinatë. /Konica.al/ KultPlus.com
Daniel Day-Lewis është kthyer sërish në botën e aktrimit me një foto të parë në filmin ”Anemone”, sipas “The Hollywood Reporter”.
Projekti nga “Focus Features” do të ketë premierën në “Festivalin e Filmit në New York”, i cili nis më 26 shtator dhe zgjat deri më 13 tetor dhe shënon rikthimin e fituesit të trefishtë të çmimit “Oscar” pas tetë vitesh “në pension”.
Është debutimi i parë i tij si regjisor në një film me metrazh të gjatë për djalin e Lewis, Ronan Day-Lewis dhe është bashkëshkruar nga të dy ata.
Përshkrimi zyrtar e cilëson “Anemone”-n si “një dramë familjare magjepsëse për jetë të shkatërruara nga trashëgimi të dukshme, të pajetueshme të dhunës politike dhe personale”.
I vendosur në veri të Anglisë, filmi ndjek një burrë në moshë të mesme (Sean Bean) që “niset nga shtëpia e tij në periferi për një udhëtim në pyje, ku ribashkohet me vëllanë e tij eremit (Day-Lewis). Të lidhur nga një e kaluar misterioze e ndërlikuar, dy burrat ndajnë një marrëdhënie të tensionuar, herë pas here të butë , një marrëdhënie që u ndryshua përgjithmonë nga ngjarje shkatërruese dekada më parë”.
Përveç interpretimit “të pamëshirshëm” të aktorëve kryesorë, *Anemone* sjell punë të spikatur mbështetëse nga Samantha Morton dhe Samuel Bottomley, si dhe një kinematografi spektakolare në format të gjerë nga Ben Fordesman”.
“Anemone “ është filmi i parë artistik i Day-Lewis që nga “Phantom Thread “i vitit 2017.
Përpara publikimit të filmit, aktori kishte lëshuar një deklaratë në revistën “W” se “ nuk do të punonte më si aktor dhe se ishte jashtëzakonisht mirënjohës ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve dhe audiencës së tij gjatë shumë viteve.
”Ky ishtë një vendim privat dhe as ai dhe as përfaqësuesit e tij nuk do të bëjnë ndonjë koment të mëtejshëm mbi këtë temë”, shtoi aktori.
“E dija që ishte e pazakontë të bëja një deklaratë të tillë. Por doja të vija një vijë ndarëse. Nuk doja të tërhiqesha përsëri në një projekt tjetër. Gjithë jetën kam folur për mënyrën se si duhet të ndaloj së aktuarit, dhe nuk e di pse këtë herë ishte ndryshe, por impulsi për të ndaluar më pushtoi dhe u shndërrua në një detyrim. Ishte diçka që duhej ta bëja… Më vjen keq të përdor fjalën e tepërdorur ‘artist’, por kishte diçka nga përgjegjësia e artistit që rëndonte mbi mua. Duhet të besoj në vlerën e asaj që po bëj. Puna mund të duket jetike. Madje e parezistueshme. Dhe nëse audienca e beson atë, kjo duhet të jetë e mjaftueshme për mua. Por kohët e fundit, nuk ishte”, përfundoi Daz-Lewis. /atsh/ KultPlus.com
Nga 15 gushti 2025, në Sheshin e Akademikëve në Pejë, do të mbahet edicioni i parë i Festivalit “Via Dinarica Kosovo”.
Ky festival shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar, i cili ka revitalizuar shtegun ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik, ndërsa është përkrahur edhe nga bizneset lokale me grante. Festivali do të zgjasë tre ditë, më 15, 16 dhe 17 gusht.
Sipas njoftimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfshihen në aktivitete të ndryshme në natyrë, si vrap malor dhe hiking, të ndjekin lancimin ose premierën e dokumentarit të zhvilluar në shtegun Via Dinarica Kosovo, të dëgjojnë muzikë live dhe DJ të vizitojnë ekspozita arti dhe panaire të produkteve lokale.
Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për publikun, pa bileta.
Sipas njoftimit, hapja zyrtare do të mbahet të premten, duke filluar nga ora 18:30. Në skenë do të jenë: përfaqësuesja e Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadori i Italisë për Kosovë; kryetarët e komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtori për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësues të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin.
Me kasolle buzë detit, rërë të bardhë të valëzuar dhe ujëra bruz, destinacioni evropian është krahasuar me ishullin e bukur të Azisë Jugore – që është një “hit” për turistët.
Plazhet me rërë të bardhë e të pastër dhe ujërat kristalore në Rivierën Shqiptare konsiderohen nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”, shkruan Matt Jackson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.
Vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.
Dhërmiu shquhet si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje rëre prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon.
Baret buzë detit ofrojnë birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.
Megjithatë, më në jug ndodhet Ksamili, i konsideruar si “Maldivet e Evropës” në mediet sociale.
Plazhet si Pema e Thatë janë bërë gjithashtu të njohura për turistët – falë kasolleve të ngritura në plazh.
Këto kasolle, të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, janë bërë një sensacion viral në TikTok.
Një amerikane që ëndërronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Evropë zbuloi një destinacion mahnitës të ngjashëm me Maldivet – ku birrat kushtojnë vetëm 1,50 paund.
Cepee Tabibian u largua nga Teksasi për në Spanjë kur mbushi 35 vjeç, por vetëm vitin e kaluar ajo zbuloi destinacionin e bukur evropian që ajo pretendon se shumë amerikanë nuk e njohin ende.
Artikulli i botuar në CNBC, zbulon se Cepee kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë përpara se të zgjidhte të kalonte një muaj në vendin ballkanik.
Cepee i kushtoi një muaj kryeqytetit, Tiranës, ndërsa eksploroi edhe vijën bregdetare të Shqipërisë.
Ndërsa Cepee pranon se Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, ajo këmbëngul se ky vend plotëson shumë kritere – për individët që duan të shkëmbejnë jetën në SHBA me Evropën.
Cepee e vlerësoi Shqipërinë për koston e përballueshme të jetesës dhe peizazhet mahnitëse.
“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje”, shkroi ajo.
Cepee tha se shpenzimet e ushqimeve, të të ngrënit jashtë dhe kujdesit mjekësor e bëjnë Shqipërinë një mundësi tërheqëse për personat që duan të punojnë si nomadë digjitalë apo pensionistët.
Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të zhvillojnë turne nëpër Alpe, si dhe në detin Adriatik në perëndim dhe në detin Jon në jug.
“Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia. Në një ditë të kthjellët, ju mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me target”, shtoi ajo.
“Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë”, tha Cepee.
Cepee, gjithashtu, vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit – pas izolimit të saj nën regjimin komunist deri në vitin 1992. /atsh/ KultPlus.com
Porto Palermo Festival solli një mbrëmje të paharrueshme në Kalanë e Ali Pashës, ku qielli dhe deti u mbushën me tingujt e muzikës klasike shqiptare.
Dy prej emrave më të njohur të skenës, tenori Kastriot Tusha dhe pianisti Ardian Trebicka, u bashkuan në një koncert që tejkaloi kufijtë e një performance të zakonshme.
Në repertor u ndërthurën serenata të ëmbla dhe perla të muzikës së kultivuar shqiptare, të cilat, në sfondin magjik të mureve shekullore dhe valëve të detit, morën një jetë të re. Çdo notë dhe melodi përcolli emocione të thella, duke u kthyer në histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të rikthyera për publikun.
Ky koncert la pas një ndjesi të fortë se arti dhe natyra, kur bashkohen, krijojnë përjetime që mbeten gjatë në shpirt./KultPlus.com
Para se të bëhej i famshëm në Hollivud si Tarzani në 12 filma, Johnny Weissmuller shkëlqeu në sportin e notit, duke u bërë një nga notarët më të suksesshëm të shekullit XX.
Ai fitoi pesë medalje të arta olimpike në vitet 1924 dhe 1928, si dhe një medalje bronzi në sportin e ujit me top (water polo).
Në vitin 1922, Weissmuller bëri histori duke u bërë personi i parë që notoi 100 metra stil i lirë për më pak se një minutë, me kohën rekord 58.6 sekonda. Gjatë karrierës së tij sportive vendosi gjithsej 67 rekorde botërore.
Pas suksesit në pishina, ai u kthye në një ikonë të kinemasë, duke mishëruar rolin e Tarzanit dhe duke i dhënë jetë një prej figurave më të dashura të ekranit të madh.
Ky kombinim i talentit sportiv dhe karizmës filmike e bën Johnny Weissmuller një nga legjendat më unike të sportit dhe artit botëror./KultPlus.com
Did you know Tarzan was an Olympic champion?
Before becoming a Hollywood star, Johnny Weissmuller, who played Tarzan in 12 movies, won five Olympic golds in swimming, and became the first person ever to swim the 100m freestyle in under a minute. #Olympics@WorldAquaticspic.twitter.com/9HwFUsfw6A
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të hapë sezonin e ri artistik me një paraqitje të veçantë dhe njëkohësisht debutimin e tij në Gjermani.
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Hamburg, koncerti do të mbahet më 8 shtator 2025 në Hauptkirche St. Petri (Bei der Petrikirche 2, 20095 Hamburg), duke nisur nga ora 19:30, përcjellë KultPlus.
Nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, kori do të prezantojë programin “Horizonte”, një udhëtim muzikor që ndërthur breza dhe kultura. Në repertor përfshihen vepra nga tradita ndërkombëtare korale, si dhe krijime të kompozitorëve kosovarë nga gjenerata e dytë e deri tek përfaqësuesit e shkollës së re të muzikës.
Ky koncert pritet të jetë një mundësi e veçantë për prezantimin e artit koral të Kosovës në një skenë prestigjioze gjermane, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve./KultPlus.com
Më 31 tetor 1975, bota dëgjoi për herë të parë “Bohemian Rhapsody”, kryeveprën e Freddie Mercury-t dhe grupit Queen. Në vitin 2018, filmi biografik i Queen-it u publikua pikërisht në këtë datë, si homazh për momentin historik.
Titulli i këngës kombinon dy koncepte: “Rhapsody” , një formë muzikore e lirë, e ndarë në pjesë të ndryshme dhe “Bohemian” term që lidhet me figurën e lirë e rebele, por edhe me historinë e Faustit, personazhit që i shet shpirtin djallit në veprën e Goethe-s.
Sipas interpretimeve, kënga është një rrëfim metaforik për jetën e vetë Freddie Mercury-t, ndarë në shtatë pjesë muzikore: nga balada e butë, te opera dramatike dhe kulmi rock. Teksti përshkruan një njeri që bën një “pakt me djallin”, përballet me frikë, faj dhe shpëtim shpirtëror. Referencat përfshijnë figura biblike, opera klasike dhe simbole të numerologjisë – kënga zgjat 5 minuta e 55 sekonda, një numër që lidhet me transformimin shpirtëror.
“Bohemian Rhapsody” nuk është thjesht një këngë, por një udhëtim artistik i mbushur me simbole, që ka fituar statusin e kryeveprës së muzikës moderne dhe është votuar shpesh si kënga më e mirë e të gjitha kohërave./KultPlus.com
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muriç, është zyrtarisht pjesë e Sassuolos, skuadra italiane që këtë sezon është rikthyer në Serie A. Për 25-vjeçarin kjo është aventura e parë në futbollin italian, pas eksperiencave në Angli, Turqi, Spanjë dhe Holandë.
Muriç ka nënshkruar një marrëveshje huazimi njëvjeçar, ndërsa Sassuolo do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit të tij pas një viti për shumën prej 10 milionë euro.
Ky transferim pritet t’i japë portierit kosovar një mundësi të re për të treguar vlerat e tij në njërën nga ligat më të forta të botës./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kinës (NLC) ka hapur një ekspozitë të veçantë kushtuar dokumenteve dhe materialeve historike nga Lufta e Rezistencës së Popullit Kundër Agresionit Japonez (1931-1945).
Ekspozita sjell tekste, artefakte, arkiva të dixhitalizuara dhe seanca interaktive, duke pasqyruar rezistencën e popullit kinez ndaj pushtuesve japonezë. Materialet e ekspozuara janë rezultat i një projekti të nisur në vitin 2012 për ruajtjen e arkivave nga periudha revolucionare.
Vizitorët mund të përdorin kode QR për të qasur në burime dixhitale mbi ngjarje kyçe, të krijojnë stema përkujtimore, materiale koleksioni dhe të lënë mesazhe në një mur të dedikuar.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 tetor, zhvillohet edhe në shtatë biblioteka të tjera në provincat Hebei, Jiangsu, Zhejiang dhe Hubei. Sipas NLC-së, deri në korrik janë kataloguar e publikuar 2,714 vëllime me dokumente lufte nga Lufta e Dytë Botërore./KultPlus.com
Ne tani po ikim pak nga pak që këtej Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim. Mbase, shpejt edhe unë do duhet të ngre Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.
Pyje të dashura mështeknash! Ti tokë! E ju, rërëra të ultësirave! Përpara kësaj turme në vrapim Nuk mund ta fsheh melankolinë.
Kam dashur shumë në këtë botë, Gjithëçka që vesh mish dhe shpirt. Paqe mështeknave që hapin degët E pasqyrohen në ujin e trëndafiltë.
Për mjaft mendime kam rënë në heshtje, Shumë këngë brenda vetes kompozova. I lumtur jam mbi këtë tokë të zymtë Për gjithçka që jetova dhe frymova.
I lumtur jam që kam puthur gra, Që shtypa lule, u shtriva mbi bar, Dhe që nuk qëllova kurrë në kokë Motrat tona kafshët, si i marrë.
E di që atje nuk lulëzojnë zabelet, Nga qafa e mjellmës thekra s’fëshfërin Ndaj para turmës së vrapuesve unë Provoj gjithmonë rrëqethje, dridhërim.
Unë e di se në atë vend s’do të ketë kurrë Fusha të tilla flokëverdha nën mjegulla krejt. Edhe pse njerëzit për mua janë të dashur Dhe jetojnë me mua mbi këtë tokë të shenjtë./KultPlus.com
Poeti i njohur shqiptar, Sami Mulaj, është vlerësuar me Çmimin Letrar të Karrierës nga Akademia “Troci-al”, si njohje për kontributin e tij shumëvjeçar në letërsinë shqipe. Në një reagim publik, Mulaj shprehu mirënjohje të thellë për këtë çmim, duke e cilësuar si “nder, frymëzim dhe gëzim” që e ndan me të gjithë ata që e kanë lexuar dhe mbështetur në rrugëtimin e tij poetik.
Me këtë rast, ai publikoi edhe poezinë “Krusha e Madhe”, kushtuar veprimtarit dhe mendimtarit të shquar Ukshin Hoti, i cili prej 26 vitesh mbetet pa një varr. Poezia përshkruan me tone të dhimbshme dhe metaforike mungesën e stinëve, luleve e dritës në vendlindjen e Hotit, si simbol i humbjes dhe plagës që nuk shërohet.
Ky vlerësim e vendos Mulajn mes zërave të rëndësishëm të poezisë shqipe, me një krijimtari që prej dekadash ka prekur zemrat e lexuesve./KultPlus.com
Nga 15 deri më 17 gusht 2025, Sheshi i Akademikëve në Pejë do të jetë nikoqir i edicionit të parë të Festivalit “Via Dinarica Kosovo”, një ngjarje që shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar për revitalizimin e shtegut ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik. Projekti është mbështetur edhe nga bizneset lokale përmes granteve.
Programi i festivalit do të përfshijë aktivitete të shumta në natyrë, si vrap malor dhe hiking, premierën e dokumentarit të xhiruar përgjatë shtegut, muzikë live dhe DJ, ekspozita arti dhe panaire të produkteve vendore.
Të gjitha aktivitetet do të jenë falas dhe të hapura për publikun. Hapja zyrtare do të mbahet të premten në ora 18:30, me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadorit të Italisë në Kosovë; kryetarëve të komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtorit për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësuesve të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin./KultPlus.com
Taylor Swift njoftoi të martën se do të publikojë një album të ri: “The Life of a Showgirl.” Njoftimi surprizë për albumin e saj të 12-të origjinal erdhi në mënyrë dramatike, ndërsa një orë numërimi mbrapsht në faqen e saj të internetit përfundoi në orën 12:12 të mëngjesit.
Në një video të publikuar në Instagram, që jep një vështrim të shkurtër të paraqitjes së Swift në podcastin “New Heights” të Travis Kelce, të bashkë-prezantuar me vëllanë e tij Jason Kelce, Swift nxori një valixhe ngjyrë mente me inicialet “TS” të shkruara me portokalli, duke thënë: “Ky është albumi im i ri.” Ajo nuk tregoi se kur do të publikohet albumi apo ndonjë informacion tjetër rreth tij. Fansat do të duhet të presin edhe pak për të parë dhe dëgjuar më shumë kur paraqitja e shumëpritur e Swift në podkastin “New Heights” të publikohet të mërkurën në orën 7 pasdite me orën Lindore.
Pas Swift, në skenën e “New Heights”, ndodheshin disa libra me kopertina ngjyrë portokalli që përmbanin veprat e artistëve Jean-Michel Basquiat, Marc Chagall dhe Ruth Asawa, të cilët mund të jenë ndikime apo referenca për muzikën e saj të re.
E njohur për përfshirjen e “Easter eggs” apo shenjave të fshehta përpara publikimeve të saj, Swift shkaktoi një shpërthim spekulimesh të hënën pasi në Instagram u publikua një karusel me 12 foto. Mbishkrimi thoshte: “Duke menduar për kur ajo tha ‘Shihemi në epokën tjetër…’”
Njoftimi surprizë përkoi me një zbulim të bërë të hënën mbrëma, ku u bë e ditur se Swift do të bashkohej me Travis Kelce, të dashurin e saj dhe lojtarin e Kansas City Chiefs, si dhe me vëllain e tij për një episod të “New Heights,” pas paralajmërimit se një i ftuar “shumë i veçantë” do të merrte pjesë në episodin e së mërkurës. Empire State Building në qytetin e Nju Jorkut u ndriçua me ngjyrë portokalli, ngjyra e kopertinës së re të albumit të Swift, të martën në mbrëmje. Një mbishkrim në llogarinë zyrtare të ndërtesës në Instagram shkruante: “Në epokën tjetër.”
Ky është albumi i parë i Swift që nga përfundimi i turneut të saj rekordthyes Eras Tour në dhjetor. Ai është i disponueshëm për porosi paraprake në faqen zyrtare të Swift në format fizik: vinyl, kasetë dhe CD.
Albumi më i fundit i Swift ishte “The Tortured Poets Department,” një album i dyfishtë me 31 këngë që ajo e njoftoi në vitin 2024 gjatë turneut Eras dhe ndryshoi listën e këngëve të performuara për të përfshirë edhe ato nga albumi i ri. “The Life of a Showgirl” do të jetë publikimi i saj i parë që kur ajo u bë pronare e plotë e gjithë katalogut të saj muzikor, rreth gjashtë vite pasi protestoi për shitjen e masterëve të saj nga ish-shtëpia diskografike.
“Të thuash që është ëndrra ime më e madhe që është realizuar, është në fakt një mënyrë e përmbajtur për ta thënë,” shkroi Swift, duke shtuar se ishte në gjendje të “riblerte” muzikën e saj nga Shamrock pas suksesit të turneut Eras Tour. Shitja e masterëve të gjashtë albumeve të para të Swift tek producenti Scooter Braun dhe kompania e tij Ithaca Holdings në vitin 2019 ishte e diskutueshme, me Swift që pretendonte se ishte kapur në befasi dhe nuk iu dha mundësia të blinte katalogun në atë kohë. Braun këmbënguli se ekipi i saj ishte në dijeni për marrëveshjen që po ndodhte.
Kjo e shtyu këngëtaren që të rimerrte kontrollin e muzikës së saj në mënyrën e vet, duke premtuar se do t’i rixhironte albumet. Ajo vazhdoi të publikonte ato që i quajti “Taylor’s Version” për albumet “Red,” “Speak Now,” “Fearless” dhe “1989.” Me secilin album “Taylor’s Version”, ajo përfshiu edhe këngë të papublikuara më parë, që i quajti “nga kasaforta.”/CNN/KultPlus.com
Kur thue Shkodra, mundesh me nënkuptu tançka përfaqson kyt gurthemel të rand të historisë, kulturës, traditës dhe qytetarisë.
Kur përmend Shkodrën, mundet me ndërmend gjithçkaqë që asht ngjiz dhe ka marrë vullnesë krenie në t’gjallt e t’pasionuemit, bijt e bijat e këtij qyteti, njiksaj përkatësie, e cilla ma shum’ se gjeografike, mundet me ken shpirtnore dhe artistike, siç diti me dëshmu dhe me xan vend në faqet e lavdishme të historisë si gurthemel i rand i kaprcyelleve.
E ndërsa lyp me dallue prej tan atyne yjeve qi kan shndrit qiellin mëkimit të naltuar në shpirtje shkodrane, tue e nusnue këtë amë legjendash, ma i shndritshmi vezullim n’ta asht jarja shkodrane. E kur nëpër këtë tempull të muzikës kërkon me gjet nji emën, nji za, nji prej atyne qi e kanë këndue dhe e naltue këtë mjeshtëri të krijimit, do ta kesh sa t’pamujtun njaq edhe sfiduese. Gjithqysh, prej atyne që u përfaqësuen, e jarja shkodrane u mori njaq sa dhe u dha, nji za i gjithpranum në këtë virtuozitet interpretues, asht Bik Ndoja. Shpirti i tij krijues dhe tansia mëkuese përgjat nji jete në skenën e kangës dhe në ëndjen e adhurimit, u plazmu duke mbetun tash e përgjithmon të pashlyem, shkodrane, n’traditën e jares dhe shqiptare, n’galerinë e veprave që morën status thesari kombëtar.
Bik Ndoja, jo vetëm me jaren, por me tan pasuninë shpirtnore që mori jetë kah kanga, mujti me i dhan njat za qi kishte me mbet ma i epërmi, ma i andshmi, ma i duartrokituni në skenën shqiptare dhe asaj botnore. Bik Ndoja kishte lindun për me këndu dhe kurrgja nuk mujti me e ba njat za me pushue, e njat zemër me rrah me dashni pa cak. Ai u ngjit në apogje dhe shndriti si yll, pa arritun për me shkëlqy si n’skenë njashtu edhe në podet e nderimeve dhe titujve, edhe pse meritoi ndoshta ma shumë se gjithkush tjetër. Shndriti me virtuozitetin e interpretimit të jares shkodrane, njashtu siç shndrin në ag nji diell qi lind tue dëbu terrin.
Bik Ndoja bani jetën e nji njeriu t’përkorë, pa ankime dhe trazime, megjithëse rreth tij, siç nuk i munguen njerëz qi e vlerësuen talentin, u gjindën ndër ta qi u rreken ta pengonin në ngjitjen e këtij ylli n’qiellin e vet. Por ai nuk u dha, nuk e shterri zanin e tij të magjishëm, nuk e la atë shpirt artisti dorzan dredhive dhe smirës. Gjithqysh ai triumfoi.
Në vitin 1969, Bik Ndojës i’u akordua titulli “Artist i merituar”. Plot 30 vite më vonë, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, duke qenë ky vlerësimi i fundit së gjalli. Në lëmin e meritave vlen të përmendet fakti se që nga viti 2011, dosja “Mjeshtri i Madh” pret në institucionin e Presidencës, për t’iu akorduar ndoshta pas vdekjes.
Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja, u lind në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925 për t’u shue më 27 dhjetor 2015. Ishte dhe mbetu lëvruesi dhe përçuesi i jares shkodrane, këtij visari të papërsëritshëm, kësaj urëbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit, traditës dhe bashkëkohjes në artin e këndimit./KultPlus.com