Fitnete Rexha është një nga emrat më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe, me theks të veçantë, muzikës qytetare tiranase, shkruan KultPlus.
Reth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, janë të regjistruara në repertuarin e këngëtares Rexha, ku prej tyre më të zgjedhura janë: “Fërfëlloj fëllënza në ujë’’, “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” etj.
Ajo lindi më 3 prill 1933 në Tiranë. Dëshira për tu marrë me muzikë popullore tiranse kishte lindur qysh në fëmijërinë e hershme të saj, pasi ajo ishte e bija e Rexh Delisë “Hero i Popullit’’, familje kjo që njihej për vlerat e traditës, ku ndër vlera të tjera, kultivohej prej shumë brezash kënga popullore.
Rreth moshës 15 vjeçare, Rexha bën regjistrimin e këngëve të para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.
Karrierën e saj si këngëtare e filloi në Estradën e Tiranës, dhe më pas aktiviteti i saj më tutje u zhvillua pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981.
Për kontributin e saj të madh, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër shqipe Fitnete Rexha u shpall “Artiste e Merituar” nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë.
Saga e famshme “Piratet e Karaibeve” po përgatitet të rikthehet në ekran, por ende nuk dihet nëse do ta shohim Johnny Depp përsëri në rolin e Kapiten Jack Sparrow. Pas muajsh spekulimesh, producenti Jerry Bruckheimer ka konfirmuar për Entertainment Weekly se pjesëmarrja e Depp do të varet nga skenari.
“Nëse i pëlqen mënyra se si është shkruar roli, mendoj se do të pranojë. Gjithçka varet nga ajo që është shkruar,” tha Bruckheimer, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të tij.
Saga, e cila nisi në vitin 2003, është shndërruar në fenomen botëror duke arkëtuar mbi 4.5 miliardë dollarë me pesë filma. Megjithatë, filmi i fundit nuk pati suksesin e pritur, duke hapur rrugën për një reboot. Detajet e rrëfimit dhe personazheve të rinj mbeten ende sekret.
Bruckheimer e ka shprehur hapur admirimin për Depp: “Ai krijoi Kapitenin Jack. Nuk ishte vetëm skenari, por edhe pjesë të Pepé Le Pew dhe Keith Richards që ai i solli në rol. Interpretimi i tij ishte unik.”
Për fansat, dilema mbetet: a mund të ekzistojë “Piratet e Karaibeve” pa kapitenin e çmendur dhe karizmatik Jack Sparrow? Përgjigjja pritet me interes nga e gjithë bota e kinemasë./KultPlus.com
Për shumë të rritur që u rritën me televizionin e viteve ’90, “Teletubbies” mbetet një pjesë e dashur e fëmijërisë. Por sot, lokacioni ku u xhirua ky fenomen global është krejt i ndryshëm dhe i pazakontë për syrin e publikut.
Seriali debutoi në vitin 1997 dhe fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm, duke sjellë në ekran katër personazhet ikonike – Tinky Winky, Dipsy, Laa-Laa dhe Po – të cilët u bënë të pandashëm nga kujtimet e miliona fëmijëve në mbarë botën. Xhirimet e skenave të jashtme zhvilloheshin në një zonë të gjelbër në Warwickshire, Angli, transmeton KultPlus.
Pas përfundimit të serisë në vitin 2001, zona pësoi një transformim të madh. Pronari i tokës, për të shmangur vizitat e shpeshta të kuriozëve, krijoi një pellg artificial që mbulon hapësirën ku ndodhej “Tubbyland”. Sot, vendi është i boshatisur dhe i kthyer në një fermë me një dyqan lokal për produkte ujore.
Ky ndryshim ka nxitur reagime të ndryshme në rrjetet sociale: disa fansa ndihen të zhgënjyer që vendi nuk u shndërrua në një atraksion turistik, ndërsa të tjerë e mbështesin vendimin e pronarëve për të ruajtur privatësinë dhe qetësinë e zonës./KultPlus.com
Pas negociatave të gjata, mesfushori shqiptaro-zviceran Ardon Jashari është zyrtarisht pjesë e Milanit. Klubi kuqezi e prezantoi para mediave, ku lojtari u shpreh se ky transferim ka qenë gjithmonë dëshira e tij dhe se puna për ta realizuar marrëveshjen ka qenë e gjatë dhe e vështirë.
“Të luash për këtë klub sjell presion, por është normale. Do të punoj shumë për të shpërblyer besimin,” tha Jashari, duke theksuar se qysh nga kontaktet e para me Igli Taren kishte vendosur ta hidhte këtë hap. Sipas tij, një rol të madh në këtë transferim e kanë pasur edhe Zlatan Ibrahimovic dhe Tare, të cilët i dhanë besim gjatë gjithë procesit.
I impresionuar nga Pirlo dhe i lumtur që do të ndajë mesfushën me Luka Modric, Jashari u shpreh se mezi pret të debutojë në “San Siro”. Ai theksoi se është i gatshëm të përshtatet në çdo pozicion të mesfushës dhe se prioriteti i tij është të ndihmojë skuadrën në të dyja fazat e lojës.
“Kur isha i vogël, kam ëndërruar gjithmonë të luaj për Milanin. Ta vesh këtë fanellë është diçka e jashtëzakonshme,” përfundoi mesfushori kuqezi./KultPlus.com
Presidenti lituanez Gitanas Nauseda ka emëruar ministren aktuale të Çështjeve Sociale dhe Punës, Inga Ruginiene, si kryeministre dhe e ka ngarkuar atë me formimin e një qeverie.
Kandidatura e 44-vjeçares social-demokrate tani duhet të miratohet nga parlamenti. Ajo do të jetë në gjendje të formojë kabinetin e saj, i cili më pas do të përballet me një votim tjetër në parlament.
Ruginiene u propozua nga partia e saj si pasardhëse e Gintautas Paluckas, i cili dha dorëheqjen në fillim të gushtit, pas akuzave për marrëveshje të dyshimta biznesi dhe konflikte interesi.
Ajo u zgjodh për herë të parë në parlament vjeshtën e kaluar dhe më pas u emërua ministre e Çështjeve Sociale dhe Punës.
Përpara kësaj, ajo kishte qenë kryetare e Konfederatës së Sindikatave Lituaneze për gjashtë vjet.
Kritikët e akuzojnë Ruginienën se i mungon përvoja politike.
Megjithatë, janë ngritur më shumë pyetje në lidhje me të afërmit e saj që jetojnë në Rusi dhe vizitat e saj të shpeshta në atë vend.
Nauseda tha të enjten se informacioni i disponueshëm deri më tani jep arsye për të besuar se Ruginienë do të “kryejë me sukses” detyrat e kreut të qeverisë.
“Megjithatë, ka disa detaje në biografinë e saj që kërkojnë më shumë vëmendje”, i tha ai një transmetuesi lituanez.
Punimet për ndërtimin e stadiumeve të reja në Mitrovicë dhe Gjakovë po zhvillohen me ritëm të shpejtë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se projektet po ecin sipas planit, duke sjellë kushte moderne për sportistët dhe tifozët. Këto investime synojnë të rrisin cilësinë e organizimit të ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive, si dhe të nxisin zhvillimin e sportit në nivel lokal dhe kombëtar.
Stadiumet e reja pritet të jenë jo vetëm qendra të futbollit, por edhe hapësira multifunksionale për evente të ndryshme komunitare./KultPlus.com
Më 1867, një transaksion i jashtëzakonshëm e ka ndryshuar hartën e Amerikës së Veriut: Rusia ua ka shitur Shteteve të Bashkuara territorin e Alaskës për 7.2 milionë dollarë.
Përtej përfshirjes në shumë mite, legjenda apo thashetheme ndër breza, kjo ka qenë një marrëveshje prej të cilës kanë përfituar të dyja palët.
Lindja e ”Amerikës ruse”
E ashtuquajtura “Amerika ruse” ka nisur të marrë formë shumë përpara vitit 1867. Eksploruesit rusë dhe tregtarët e gëzofëve kanë arritur në Alaskë në fillim të shekullit 18 – kryesisht gjatë Ekspeditës së Dytë të Kamçatkës më 1741, nën drejtimin e Vitus Beringut dhe Aleksei Çirikovit.
Udhëtimet e tyre u kanë hapur rrugën tregtarëve, sidomos atyre që kanë qenë në kërkim të lëkurave të shtrenjta të vidrave dhe që kanë guxuar t’i vizitojnë brigjet e Paqësorit të Amerikës së Veriut.
Në vitet 1760 dhe 1770, prezenca ruse ka qenë mirë e vërejtshme. Një mori ngjarjesh – nisur nga krijimi i pikave tregtare në vendet sikurse Unalaska dhe Kodiaku, e deri te përleshjet mes grupeve indigjene, sikurse ato mes aleutsve dhe tlingitëve – kanë vënë më shumë dritë mbi realitetin e ashpër të zgjerimit kolonial.
Grigory Shelikhov ka qenë figura kryesore në këto vendbanime të hershme ruse dhe në ekspeditat tregtare.
Më vonë, nën lidershipin e Alexander Baranovit, Kompania Ruso-Amerikane e ka konsideruar kontrollin e Alaskës nga Sitka (atëbotë e njohur si Novo‑Arkhangelsku), dhe ka krijuar rrugë tregtare, ka ndërtuar pika të fortifikuara, dhe i ka dërguar atje priftërinjtë ortodoksë, të cilët kanë ndërtuar kisha dhe kanë nisur misione në mesin e komuniteteve lokale.
Pse Rusia e shiti Alaskën?
Në mesin e shekullit 19-të, Perandoria Ruse nuk e ka parë Alaskën si aset strategjik, mirëpo si përgjegjësi në rritje. Kostoja e mirëmbajtjes së një territori aq të largët, sidomos pas humbjes së madhe në Luftën e Krimesë, ka qenë barrë e rëndë për pushtetin.
Për më shumë, prezenca e anijeve britanike në Paqësor, i ka rritur shqetësimet se mbrojtja e “Amerikës ruse” në ndonjë konflikt të ardhshëm do të kthehet në mision të pamundur.
Çfarë i ka shtuar edhe më shumë benzinë zjarrit kanë qenë vështirësitë financiare, për të cilat e ka ngritur alarmin ministri i atëhershëm i Financave, Mikhail Reutern.
Ai ka paralajmëruar se mirëmbajtja e Kompanisë Ruso-Amerikane, e cila e ka menaxhuar koloninë, nënkuptonte ndarjen e shumë subvencioneve – fonde të cilat Qeveria e atëhershme nuk kishte kapacitet t’i ndante.
Akullnaja Margerie në Parkun Kombëtar të gjirit të Alaskës.
Nisja e negociatave
Diskutimet për fatin e Alaskës nuk kanë vonuar. Më 1853, guvernatori i përgjithshëm i Siberisë Lindore, Nikolay Muravyov‑Amursky, ka sugjeruar se Rusia përfiton më shumë nëse ia shet Alaskën ndonjë vendi mik – sikurse ishin Shtetet e Bashkuara – sesa ta mbronte atë dobët apo ta humbte në rast të ndonjë krize.
Në mesin e viteve 1860, urgjenca financiare dhe parashikimet strategjike kanë rezultuar në këtë përfundim.
Në një takim të posaçëm të zhvilluar më 16 dhjetor 1866, ishte përfshirë cari Aleksandri II, vëllai i tij, duka i madh Konstantini, ministri i Jashtëm, Alexander Gorchakov, ministri i Financave, Reutern, dhe i dërguari rus, Eduard de Stoeckl. Ata janë pajtuar në parim për shitjen e territorit dhe jo për mbajtjen e tij, për shkak të barrës financiare.
Spitali i Shërbimit Natyror të Alaskës. Fotografi e 6 nëntorit 1960.
Arritja e marrëveshjes
Në mars të vitit 1867, de Stoeckl ka arritur në Uashington për të diskutuar me Sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, William H. Seward.
Ata kanë diskutuar fillimisht një çmim mes 5-7.5 milionë dollarëve, dhe në fund janë marë vesh për 7.2 milionë dollarë.
Traktati është nënshkruar më 30 mars 1867, dhe kështu Alaska është transferuar zyrtarisht nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Në Shën Petersburg, cari e ka miratuar marrëveshjen në fund të marsit. Udhëheqësi i Kompanisë Ruso-Amerikane është informuar në prill, dhe duket se nuk ka qenë i përgatitur për shitje. Deri në shtator të vitit 1868, kompanisë i është ndarë një dëmshpërblim financiar për humbjet që mund t’i jenë shkaktuar.
Në Uashington, Senati amerikan e ka ratifikuar traktatin me 37 vota për dhe dy kundër.
Më 18 tetor 1867, territori i është transferuar zyrtarisht SHBA-së, përmes një ceremonie të organizuar në Sitka.
Kjo datë ende shënohet në Shtetet e Bashkuara si Dita e Alaskës.
Zemërimi publik dhe trashëgimia
Në Rusi, njerëzit kanë pasur emocione të përziera. Disa e kanë kritikuar marrëveshjen, duke e quajtur të “turpshme”, dhe kanë vuajtur për humbjen e tokës së ndërtuar me djersë dhe sakrificë.
Në Shtetet e Bashkuara, disa janë tallur për blerjen e një toke që është përshkruar si e pavlerë, për shkak të motit të ashpër.
Të tjerë që kanë parë vlerë në atë tokë, kanë ëndërruar që të ardhmen të fitojnë qasje në Azi dhe ishujt e saj të pasur, pikërisht përmes Alaskës.
Lumi Kojukuk në Alaska.
Kush pati të drejtë?
Koha ka treguar për rëndësinë e kësaj toke. Në fund të shekullit 19, nga Alaska është nxjerrë ar, dhe zbulimet e mëvonshme të naftës, ia kanë rritur edhe më tepër vlerën territorit.
Rusia, në anën tjetër, ka përfituar nga marrëveshja, sepse rusët argumentonin se me ato para e kanë modernizuar linjën hekurudhore dhe i kanë forcuar kufijtë e Lindjes së Largët – territore me më shumë përparësi strategji, sesa Alaska e ngrirë.
Pikë kthese në histori
Shitja e Alaskës nuk ka qenë vetëm marrëveshje për tokë – ky moment e ka shënuar edhe një pikë kthese.
Kjo shitje ia ka mundësuar Rusisë që të përqendrohej në zonat e saj të thella aziatike, ndërsa SHBA-ja ka fituar në aspektin gjeopolitik pasi e ka rritur qasjen në Paqësor dhe ngadalë ka mësuar më shumë për pasurinë natyrore të Alaskës.
Kështu, “Amerika ruse” është transformuar gradualisht në shtetin amerikan të Alaskës – një legjendë jo e humbjes apo mashtrimit, por e diplomacisë, pragmatizmit dhe riformësimit të gjeografisë globale. / abcnews.al / KultPlus.com
Më 14 gusht 1956 u nda nga jeta një prej figurave më të mëdha të teatrit dhe letërsisë botërore – Bertolt Brecht, dramaturg, poet dhe teoricien gjerman, i cili la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në artin skenik.
Brecht, i lindur në Augsburg më 1898, është krijuesi i konceptit të “teatrit epik”, një formë revolucionare e teatrit që synonte t’i largonte shikuesit nga emocionet e thjeshta dhe t’i nxiste drejt reflektimit kritik mbi realitetin shoqëror.
Teatri epik – një revolucion në skenë Në vend që publiku të humbiste në iluzionin e një historie, Brecht kërkonte t’i mbante ata “të zgjuar” gjatë gjithë shfaqjes. Me teknika si ndërprerja e rrëfimit, përdorimi i titrave, muzika si koment dhe prishja e “murit të katërt”, ai e ktheu teatrin në një mjet të drejtpërdrejtë të analizës shoqërore. Veprat e tij më të njohura si Nëna Kurajë dhe Fëmijët e Saj, Opera për Tre Grosh dhe Jeta e Galileut, nuk ishin thjesht histori, por thirrje për të parë botën me sy kritik.
Ndikimi global Brecht nuk ishte thjesht dramaturg, por një mendimtar që ndikoi qindra regjisorë, aktorë dhe dramaturgë anembanë botës. Metodat e tij pedagogjike u bënë themel i shkollave të teatrit dhe aktrimit, ndërsa veprat e tij vazhdojnë të luhen në çdo kontinent.
Brecht në skenën shqiptare Edhe teatri shqiptar është ndikuar nga qasja e Brecht-it. Që nga vitet ’60, disa prej dramave të tij u përkthyen dhe u vunë në skenë nga Teatri Popullor (sot Teatri Kombëtar), duke sjellë në Shqipëri frymën kritike dhe eksperimentale të teatrit epik. Regjisorë shqiptarë, si Mihal Popi dhe Pirro Mani, kanë përdorur elemente brechtiane në inskenimet e tyre, duke e pasuruar gjuhën skenike me teknika që i ftojnë spektatorët të mendojnë e jo vetëm të ndjejnë.
Një trashëgimi që nuk shuhet Edhe pas më shumë se gjysmë shekulli nga ndarja e tij nga jeta, Bertolt Brecht mbetet një figurë referuese për teatrin modern. Ai na mëson se arti nuk është vetëm argëtim, por një mjet për të sfiduar mendësitë, për të pyetur dhe për të ndryshuar botën./KultPlus.com
“Ndoshta disa njerëz nuk do të jenë përgjithmonë në jetën tonë. Disa mund të jenë duke kaluar në të. Është njësoj si disa njerëz që kalojnë në jetën tonë për të na sjellë diçka: një dhuratë, një bekim, një mësim që duhet ta mësojmë. Për këtë arsye, ata shfaqen në jetën tonë”.
“Gjëja që më prek më shumë në shpirt, është kur dikush më thotë “Ti vërtet ke bërë ndryshimin””.
“Mos u shqetëso shumë. Gjëja e duhur do të vijë në kohën e duhur. Gjërat ndodhin në mënyrën se si janë shkruar të ndodhin”.
“Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Asgjë nuk ndalon të qëndrojë ashtu siç është, por vazhdon të ecë. Si një lumë”.
“Fati është i përkohshëm, romanca mund të jetë e bukur, por dashuria është gjëja më e rëndësishme. Pa dashurinë, fati dhe romanca do të kishin një jetë shumë të shkurtër”.
“Unë besoj tek dashuria me shikim të parë për një shtëpi, por jo për njerëzit”.
“Është e vështirë të bësh ndryshime. Mësohesh me gjërat dhe nuk dëshiron të largohesh prej tyre. Ndoshta do të bëjë mirë të ndihesh pak jo në rehat me gjërat që ke, për ca kohë, dhe të bësh diçka ndryshe”.
“Unë nuk kam nevojë për një mashkull që të jem e lumtur. E kisha dikë, ishte mjaftueshëm i mirë. Nuk pres të gjej dikë tjetër si ai, ndaj pse të kënaqem me diçka më pak? Jam shumë herë më mirë e vetme”.
“Më mban mend mua? I jam kthyer vetes sime të shkuar. Pa përgjegjësi, pa detyrime, pa ankesa. Nuk dua të zotëroj gjë, të dua dikë apo të lidhem shumë me njerëzit, vendet apo gjërat. Ky është një rregull që funksionon shumë mirë për këdo”.
“Mos e lër jetën të të fluturojë nga duart. Ajo nuk do të kthehet më mbrapsht. Nuk ke për të pasur më një mundësi të dytë”.
“Mos merr vendime me frikë, pasi ato asnjëherë nuk do të të çojnë atje ku dëshiron”.
“Për disa gjëra në jetë, ia vlen pritja”.
“Dashuria është e ngatërruar. Nëse vërtet e do dikë, nuk mund ta shmangësh dot dhimbjen. Njerëzit vdesin, largohen, gjërat ndryshojnë. Por ka raste kur gjithçka funksionon dhe nga ato duhen marrë shembuj”. /KultPlus.com
S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them.
Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem, Se më mungon dhe të mendoj. Po s’të kërkoj. Madje s’të shkruaj as njatjeta. Nuk di si je. Dhe më mungon ta di.
Ke projekte? Buzëqeshe sot? Ç’ëndërrove? Do dalësh? Ku do t’shkosh? Ke ëndrra? A hëngre?.
Do t’më pëlqente të mund të kërkoja. Po s’kam forcë. Dhe as ti nuk e ke. Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.
“Dhe mendojmë. Dhe kujtomë. Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.
Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Gërmimet e sivjetme të arkeologëve në Parkun Arkeologjik Ulpiana, i cili gjendet në territorin e komunës së Graçanicës – rreth 12 kilometra nga Prishtina, kanë sjellë zbulime të reja në historinë e Dardanisë së lashtë.
Zbulimet e një mbishkrimi të ri në dyshemenë e bazilikës, saktësuan vitin kur u inaugurua bazilika dhe emrin e qytetit romak ku ajo u ndërtua – Justiniana Secunda.
Në komunën e Graçanicës ndodhen mbetjet arkeologjike të kësaj bazilike e cila është më e madhja e zbuluar deri më tani në Ballkan (78 x 23 metra), e ndërtuar nga perandori romak Justiniani i Madh, i cili kishte prejardhje dardane dhe që sundoi në vitet 527-565 pas erës sonë.
Punimet po udhëhiqen nga profesori francez, Christophe Goddard nga Universiteti “Ecole Normale Superieure” në Paris dhe ekipi i tij, në bashkëpunim me profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Profesori Goddard thotë se mbishkrimi që zbuluan ishte një kushtim nga vetë perandori Justinian dhe saktëson se bazilika në këtë qytet të lashtë romak u ndërtua në vitin 545 pas erës sonë, apo 1480 vjet më parë.
“Ndërtesa nuk jetoi shumë – maksimumi 150 vjet – dhe kjo bëri që dyshemetë të ruheshin mrekullisht. Mbishkrimi i dytë jep edhe emrin e qytetit: ‘Justiniana Secunda’ dhe tregon se bazilika i ishte kushtuar Shën Mërisë”, thotë Goddard për Radion Evropa e Lirë.
Në vitin 2023, në mbishkrimin e parë që u zbulua në mozaikun e dyshemesë së bazilikës u tregua se perandori Justiniani i Madh së bashku me bashkëshorten e tij Teodora themeluan qytetin romak Justiniana Secunda në Dardaninë e lashtë.
Ky projekt arkeologjik u financua nga Bashkimi Evropian në vlerë të 1 milion eurove, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe shteti i Francës.
Ekipet synojnë që këtë vit të përfundojnë kërkimet në hapësirën e kishës, për të vazhduar me kërkime të tjera vitin e ardhshëm bazuar në një pajisje teknologjike që detekton çfarë ka nëntokë ende pa gërmuar.
“Vitin tjetër planifikojmë të gërmojmë në pjesën veriore të qytetit për një pallat 40 x 40 metra dhe dhomën e pagëzimit, që sipas geofizikës duket se është e ruajtur dhe ndoshta ka mozaik”, thotë Goddard.
Përgjatë kërkimeve arkeologët gjetën edhe monedha të ndryshme dhe suvenire të kohëve të lashta.
Pas gërmimeve do të fillojë restaurimi i mozaikëve dhe mureve, me synim që ta përfundojnë deri verën tjetër.
“Për të mbrojtur zbulimet, të gjitha sipërfaqet do të mbulohen me material pambuku dhe rërë – dhe vendi do të duket si plazh, por poshtë do të jetë ruajtur plotësisht”, thekson Goddard.
Pas zbulimeve, parkun e Ulpianës e vizitoi ditë më parë edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili shkroi në Facebook se po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, për plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteve ndërkombëtare, studime e publikime.
Ulpiana, përndryshe, ishte një nga qytetet më të rëndësishme romanke në Ballkan – pjesë e provincës romake të Dardanisë.
Rëndësia historike e këtij qyteti buron nga roli i tij si qendër e administrimit, tregtisë dhe kulturës romake në rajon.
Ai përmban mbetje të ndërtesave të ndryshme romake dhe bizantine, përfshirë tempuj, bazilika, banja dhe mure të qytetit, të njohur edhe si “Justiniana Secunda”.
Kërkimet e para në këtë hapësirë filluan në vitet 1950./REL
Korça ka hapur mbrëmjen e parë të Festës së Birrës me një pjesëmarrje të madhe nga vizitorë vendas e të huaj.
Festa zhvillohet te terminali i autobuseve, ku skena ka mikpritur disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, duke krijuar një atmosferë festive që ka mbajtur publikun në këmbë.
“Është eventi më i madh veror në Shqipëri. Është një festë e cila është konsoliduar dhe zgjeruar nga viti në vit për të arritur në përmasa si ato të sotme, me shumë gjallëri. E veçanta e këtij viti është pjesëmarrja e shumë kompanive të birrave, që janë edhe kryefjala, shoqëruar edhe me kompani të tjera të produkteve ushqimore për të vijuar me një komponent tjetër të festës që është performanca artistike”, tha Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë Korçë.
Vizitorët kanë shijuar birrat e prodhuara në vend dhe ushqimet tradicionale, duke e kthyer ngjarjen në një nga më të priturat e verës në qytet.
Festa do vijojë edhe 4 netët e ardhshme me emrat më të njohur të tregut muzikor në vend por edhe këngëtarë të huaj, ndërsa nuk do të mungojnë birrat dhe ushqimi tradicional./rtsh/ KultPlus.com
Ç’është jeta për ty? – e pyeta. -Flluska sapuni, – m’u përgjigj. -Po vdekja? -Shpërblimi i jetës! -Ç’është bota? -Një pikë helm në hapësirë! -Ç’është më e kuptuar në Botë? -Vdekja. -Cila është kafsha më e egër? -Njeriu! -Po më e butë? -Ajo që s’ka lindur! -Cili njeri ju duket më i poshtër? -Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen! -Ç’është budallallëku? -Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je! -Po puna më e mençme? -Te gëzosh të tanishmen! -Ç’është më e afërme? -Vdekja! -Po më e largët? -Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit. -Çfarë është e pavdekur? -Hapësira! -Çfarë është më e bukur? -Fantazia! -Po më e shëmtuar? -Sëmundja! -Më e hidhur? -Jeta! -Më e ëmbël? -Hiçi! -Ç’gjë është më e madhe? -Libri i Botës! -Po më e rëndë? -Fjala! -Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi: -Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani? -Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur? -Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb! -Kur shpërblehet njeriu? -Kur e kujton veten të lumtur! -Çfarë gjë ju duket më e mërzitur? -Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër! -Çfarë gjë ju duket më e vështirë? -Të jesh njeri! -Po më e lehtë? -Të krijosh krijesë njerëzore! -Cili është ngushëllimi i të pasurit? -Pesha e qeses! -Po i të vobektit? -E ardhmja! -Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti. -Vdekja! -mu përgjigj serioz -Po ç’përmban jeta e njeriut? -Vetëm dyshime!/ KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka miratuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026.
Sipas njoftimit nga MASHTI, ky udhëzim përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë: institucionet parashkollore dhe klasat parafillore, shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, shkollat e mesme të larta dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim.
“Kalendari i vitit te ri shkollor gjithashtu përcakton pushimet vjeshtore, dimërore dhe pranverore, si dhe festat zyrtare, për të siguruar një planifikim të qartë e të strukturuar për nxënësit dhe mësimdhënësit.MAShTI shpreh falënderim për anëtarët e grupit punues, të përbërë nga mësimdhënës, përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit, të shkollave dhe të vetë Ministrisë, për punën dhe angazhimin e tyre në hartimin e këtij dokumenti gjithëpërfshirës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe drejtuesit e shkollave, MAShTI është duke bërë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një fillim të mbarë dhe një vit shkollor të suksesshëm, plot mundësi për mësim dhe zhvillim.
MAShTI gjithashtu uron të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për një vit shkollor të mbushur me arritje dhe përvoja të reja.
Sunderland ka konfirmuar se mesfushori Granit Xhaka do të mbajë shiritin e kapitenit për sezonin e ardhshëm të Premier League 2025/26.
I transferuar këtë verë nga Bayer Leverkusen për rreth trembëdhjetë milionë funta, Xhaka ka fituar menjëherë besimin e klubit falë përvojës së tij të madhe. Tridhjetë e dy vjeçari më parë ka qenë kapiten i Arsenal dhe ka luajtur një rol vendimtar në fitoren historike të titullit të parë në Bundesliga nga Leverkusen.
“Është një krenari e madhe për mua të jem kapiten i këtij klubi. Shpresoj të tregoj lidershipin tim brenda dhe jashtë fushës, duke ndihmuar shokët e skuadrës dhe klubin në çdo aspekt. Ata që më njohin e dinë që jam fitues dhe dua të fitoj dhe këtë e pres edhe nga bashkëlojtarët”, ka thënë Xhaka.
Sunderland rikthehet në Premier League pas tetë vitesh dhe sezonin e hap më 16 gusht, në shtëpi ndaj West Ham./rtk/ KutlPlus.com
Më 14 gusht 1914, në fshatin Gollomboc të Prespës, lindi Sterjo Spasse,shkrimtar, publicist dhe intelektual që do të linte një gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe. Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, ai kujtohet jo vetëm si autor i romaneve që u bënë pjesë e leximit të detyrueshëm për breza të tërë, por edhe si një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare.
Nga Prespa në botën e letrave
Sterjo Spasse kreu shkollën fillore në vendlindje, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i vazhdoi në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, duke përfshirë edhe Beogradin, ku u njoh me zhvillimet letrare dhe kulturore të kohës. Që herët, ai tregoi një interes të madh për letërsinë dhe gazetarinë, duke botuar tregime e artikuj që shfaqnin qartësinë e mendimit dhe shqetësimin e tij për realitetin shoqëror.
Vepra që lanë gjurmë
Romani i tij i parë, Pse? (1935), është një ndër veprat e para të realizmit kritik shqiptar, ku autori trajton dramën e individit përballë padrejtësive dhe vështirësive ekonomike. Më pas, me romanet Afërdita (1944) dhe Afërdita përsëri në fshat (1958), Spasse solli portretizime të ndjera të jetës në fshat, marrëdhënieve mes njerëzve dhe përplasjes mes traditës e ndryshimit.
Proza e tij shquhet për thjeshtësinë dhe rrjedhshmërinë, por edhe për aftësinë për të paraqitur një tablo të gjallë të realitetit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX. Personazhet e Spasses janë të ndërtuar me kujdes dhe me një vërtetësi të tillë, saqë lexuesi arrin t’i ndjejë si njerëz të gjallë, me dilema, ëndrra dhe plagë shpirtërore.
Një figurë që i mbijetoi kohës
Sterjo Spasse nuk ishte thjesht një shkrimtar; ai ishte një mësues i përkushtuar, një gazetar me penë të mprehtë dhe një zë që ngrinte pyetje të guximshme për kohën e tij. Gjatë jetës, ai përjetoi ndryshime të mëdha politike e shoqërore, por arriti të ruante një qëndrim krijues që e bën të vlefshëm edhe sot.
Trashëgimia
Sterjo Spasse ndërroi jetë më 12 shtator 1989, duke lënë pas një trashëgimi letrare që vijon të lexohet, studiohet dhe të frymëzojë. Sot, në përvjetorin e lindjes, ai kujtohet si një penë që nuk iu tremb realitetit, por e vështroi me sy kritik dhe e shndërroi në art.
Në një kohë kur letërsia shpesh harrohet përballë ritmit të shpejtë të jetës moderne, veprat e tij mbeten një dëshmi e fuqisë së fjalës së shkruar dhe e rëndësisë së rrëfimit të historisë sonë./KultPlus.com
Beyoncé ka rrëmbyer çmimin e saj të parë Emmy falë performancës madhështore “Beyoncé Bowl”, e zhvilluar gjatë ndeshjes së NFL për Krishtlindje në Netflix mes Baltimore Ravens dhe Houston Texans.
Spektakli, me tematikë western dhe i mbajtur në qytetin e saj të lindjes, Houston, shënoi debutimin live të disa prej këngëve nga albumi i fundit Cowboy Carter. Çmimi iu dha në kategorinë “Kostumet më të mira” për një shfaqje, dokumentar apo reality – një vlerësim që jepet nga një proces i veçantë jurie.
Ky sukses e çon këngëtaren me 35 çmime Grammy një hap më afër arritjes prestigjioze “EGOT”, që përfshin fitimin e një Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.
Përveç fitores, Beyoncé është e nominuar edhe për “Specialin më të mirë varieté” si producente e “Beyoncé Bowl” dhe për regjinë më të mirë në një shfaqje varieté. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Jay-Z, garon në të njëjtën kategori si producent ekzekutiv i performancës së Kendrick Lamar në Super Bowl./KultPlus.com
Romanet e Danielle Steel janë shitur në miliona kopje një dhjetëra gjuhë dhe kanë pasur gjithmonë një vend mes librave më të shitur që nga vitet ’80. Steel e filloi karrierën e vet profesionale në marrëdhëniet publike dhe reklama, para se të fillonte të shkruante romane herët në vitet ’70.
Ashtu si Barbara Cartland dhe Stephen King, Steel ka injoruar snobët mes njerëzve të dijes me sukses popullor të jashtëzakonshëm. Shumë nga romanet e saj janë kthyer edhe në filma televiziv të suksesshëm. Ajo ka shkruar gjithashtu një seri librash për fëmijë si dhe disa libra joletrar, përfshirë librin Një yll që shkëlqen i vitit 1998, një libër dedikuar të birit Nick Traina, i cili vrau veten në moshën 19 vjeçare pasi luftoi abuzim me drogën dhe sëmundjet mendore.
Emri i saj i lindjes është Danielle Fernande Dominique Schuelein-Steel. Deri në vitin 2005, romanet e saj janë shitur në 530 milionë kopje. Romanet e saj kanë ruajtur shkallën e librit më të shitur te Neë York Times për më shumë se 390 javë radhazi dhe 22 prej tyre janë adoptuar për televizion. Në 2001 ajo u shpall njëra nga “30 gratë më të pushtetshme të Amerikës” nga Ladies’ Home Journal. Në vitin 1997, pasuria e saj vlerësohej në 600 deri 800 milionë dollarë. Sot kjo shifër është dyfishuar.
Steel lindi në San Francisco të Kalifornisë. Prindërit e saj qenë : John Schulein Steel, një pasardhës i themeluesve të birrës Lowenbrau dhe Norma da Câmara Stone Reis, vajza e një diplomati portugez. Steel kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në Francë. Që kur qe e vogël, u përfshi në festat e organizuara nga prindërit, duke pasur rastin të vëzhgojë sjelljet dhe jetët e të pasurve dhe të famshmëve. Prindërit e saj u divorcuar kur qe shtatë vjeç dhe ajo u rrit kryesisht në New York nga i ati, duke u takuar rrallë me të ëmën që kishte lëvizur në Evropë.
Steel filloi të shkruajë tregime si fëmijë, dhe kur qe adoleshente, filloi të shkruajë poezi. E diplomuar në liceun Francez të Nju Jorkut më 1965, ajo studioi letërsi, kompozim dhe kompozim mode, fillimisht te Shkolla Parson e më pas në Universitetin e Nju Jorkut. /KultPlus.com
Koleksioni “Dolce & Gabbana Fall/Winter 2006” ka mbetur një nga më të diskutuarit dhe më të memorizuarit në historinë e modës, jo vetëm për shkak të estetikës dhe dizajnit të jashtëzakonshëm, por edhe për simbolizmin e thellë dhe emocionet e fuqishme që paraqet çdo imazh. Fushata fotografike që shoqëroi këtë koleksion shpërfaq një botë të errët dhe sensuale, ku pasioni, fuqia dhe dominimi janë të pranishëm në çdo detaj, duke krijuar një lidhje të fortë mes artit, natyrës njerëzore dhe luksit të pastër.
Një nga imazhet më të njohura dhe më të diskutuara të kësaj fushate është ajo që tregon një burrë që puth këmbën e një gruaje, një skenë që ngjall nënshtrim dhe adhurim. Ky moment nuk është thjesht një akt i zakonshëm i pasionit, apo reklamës së këpucëve luksoze, por një akt që simbolizon relacionin mes pushtetit dhe përulësisë, ku burri është i gatshëm të ofrojë adhurimin e tij të plotë përpara gruas. Kjo fotografi është një pasqyrë e asaj që D&G përpiqet të shprehë me koleksionin e 2006: një marrëdhënie e ngjizur mes forcës dhe sensualitetit, ku të dyja janë të pandashme, transmeton KultPlus.
Në këtë atmosferë të nënshtrimit dhe pasionit, një tjetër imazh i fortë është ai që tregon një grua me thikë mbi gruan tjetër, një simbol i agresivitetit dhe fuqisë që është gjithashtu i theksuar në gjithë koleksionin. Thika, e përdorur shpesh si një mjet për të përforcuar dramatizimin dhe tensionin në art, këtu paraqet një lidhje mes pasionit të dhunshëm dhe aftësisë për të dominuar, duke e kthyer çdo model në një figurë që nuk është thjesht pasive, por aktivisht pjesëmarrëse në krijimin e këtij misteri dhe tensioni.
Një nga karakteristikat më të theksuara të “Dolce & Gabbana Fall/Winter 2006” është përdorimi i veshjeve që shprehin luks dhe sofistikim, por si një vazhdimësi e stilit te barokut me një ndërthurje të modernes. Të gjitha veshjet shquhen të mbushura me detaje të ndërlikuara dhe materiale të pasura. Përdorimi i leshit, mëndafshit, kadifesë dhe lëkurës është një element që nxjerr në pah futurizmin dhe elegancën e traditës, duke krijuar një pamje që është një bashkim i botës klasike dhe asaj moderne.
Një nga elementet më të fuqishme të këtij koleksioni është përdorimi i ngjyrave të errëta, si e zeza dhe e kuqja, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me misterin dhe pasionin, dhe që shprehin fuqinë dhe kontrollin. Ngjyrat e arit, të përdorura për aksesorët dhe bizhutë, nxjerrin në pah luftën mes pasionit dhe materializmit, duke i dhënë kështu një ndjesi të thellë të pasurisë dhe e shijes së rafinuar që shoqëron gjithmonë D&G.
Çdo akt i këtij koleksioni kishte një kuptim të veçantë dhe çdo detaj ka qenë i lidhur ngushtë me emocionin dhe dramën. Modelët ne foto janë të pozicionuar shpesh në mënyra që shprehin dominim dhe nënshtrim në të njëjtën kohë, duke krijuar një atmosferë të tensionuar dhe provokuese që e bën këtë koleksion një reflektim të mrekullueshëm të dëshirës, pasionit dhe fuqisë njerëzore krahas fuqisë luksoze të modës.
D&G ka qenë gjithmonë një markë që ka shquar për aftësinë e saj për të shpjeguar më shumë sesa thjesht trende dhe dizajne, duke sjellë mesazhe dhe tema të thella sociale dhe psikologjike. Koleksioni “Fall/Winter 2006” është një pasqyrë e kësaj qasjeje, ku moda nuk është vetëm për t’u veshur, por një mjet për të për të shfaqur ndjesi të fuqishme që kërkojnë reflektim dhe diskutim.
Koleksioni “Dolce & Gabbana Fall/Winter 2006” është më shumë se thjesht një koleksion mode, është një art i thellë dhe i rafinuar, një balancë e precizuar mes fuqisë dhe sensualitetit, dhe një shfaqje e botës së luksit që nuk ka frikë të përshkruajë realitetin e pasionit të errët. Fotografitë dhe veshjet e këtij koleksioni janë një pasqyrë e pasionit të brendshëm të njerëzve, një përshkrim i një bote që është e ndërlikuar, e pasur dhe e mbushur me tension./KultPlus.com
Besa Llugiqi është në prova intensive në realizimin e rolit të Violetës në shfaqjes operistike “La Traviata” që do të prezantohet premierë më 17 gusht në Teatrin Antik të Taormina të Sicilisë, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje operistike është duke u punuar nga Enrico Castiglione dhe do të prezantohet në kuadër të Festivalit të Operës në Taorminë 2025.
KultPlus ju sjell pamje nga provat e kësaj shfaqje./ KultPlus.com