Franca dhe Kaledonia e Re kanë arritur një marrëveshje “historike”, përmes së cilës arkipelagu përtej detit do të shpallet zyrtarisht si një shtet i ri, por do të mbetet sërish pjesë e Republikës Franceze.
Arritja e marrëveshjes u publikua sot (12 korrik) , pas përfundimit të bisedimeve 10-ditore në Paris, që synonin zgjidhjen e krizës politike dhe etnike në këtë territor të trazuar.
Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirje më herët për dialog gjithëpërfshirës me aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë të Kaledonisë së Re, pas valës së dhunës separatiste që goditi vendin vitin e kaluar, ku humbën jetën 14 persona dhe u shkaktuan dëme ekonomike në vlerën e rreth 2 miliardë eurosh, duke ulur PBB-në e territorit me 10%.
Sipas marrëveshjes së re, territori do të quhet “Shteti i Kaledonisë së Re”, duke ruajtur një status të veçantë brenda Francës dhe me qytetarët që do të vazhdojnë të kenë nënshtetësi franceze.
“Nuk do të ketë më referendume për pavarësinë, përveç atij që do të konfirmojë këtë marrëveshje të re,” tha Nicolas Metzdorf, deputet dhe përfaqësues i krahut Anti-Pavarësi, në një deklaratë për agjencinë AFP.
Marrëveshja synon të zbusë tensionet e thella midis komuniteteve kanake autoktone, shumë prej të cilëve kërkojnë pavarësi të plotë, dhe popullsisë pro-franceze, që mbështet ruajtjen e lidhjeve me Parisin.
Tashmë, dokumenti do të kalojë për miratim në parlamentin francez dhe më pas në një referendum, që do të konfirmojë statusin e ri të territorit.
Kryeministri Franccois Bayrou e quajti këtë zhvillim një hap me “dimensione historike”, duke theksuar rëndësinë e pajtimit dhe rikuperimit ekonomik pas trazirave.
Kaledonia e Re, me një popullsi prej rreth 270,000 banorësh, ndodhet në Oqeanin Paqësor, rreth 17,000 kilometra nga Parisi, dhe ka qenë nën sundimin francez që prej shekullit XIX.
Megjithatë, tensionet rreth statusit të saj politik kanë qenë të vazhdueshme, me përplasje të herëpashershme midis kanakëve pro-pavarësisë dhe forcave besnike ndaj Francës.
Kombësi e re dhe status i dyfishtë
Marrëveshja 13-faqëshe e shpallur të shtunën përfshin krijimin e një kombësie të veçantë të Kaledonisë së Re, me mundësinë që banorët të mbajnë njëkohësisht edhe kombësinë franceze.
Kryeministri François Bayrou e quajti marrëveshjen e së shtunës një akt me “dimensione historike”, edhe pse ajo kërkon ende miratim parlamentar dhe votë popullore me referendum, që pritet të mbahet në vitin 2026.
Kosto e lartë e dhunës dhe përparësitë ekonomike
Pas trazirave që shpërthyen në maj 2024 – kur Parisi planifikoi t’u jepte të drejtën e votës mijëra banorëve jo-autoktonë me banim afatgjatë – situata u përkeqësua ndjeshëm. Kanakët vendas e panë këtë si kërcënim për të ardhmen e tyre politike dhe si pengesë për pavarësinë. Si pasojë, shpërthyen dhuna që la 14 të vdekur dhe 2 miliardë euro dëme ekonomike (rreth 10% e PBB-së së territorit).
Në marrëveshje parashikohet që, në të ardhmen, vetëm personat që kanë jetuar për të paktën 10 vjet në arkipelag do të kenë të drejtë vote.
E kaluara dhe rruga drejt një statusi të ri
Referendumi i fundit për pavarësinë u mbajt në vitin 2021, por u bojkotua nga grupet pro-pavarësi për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 në popullatën Kanake. Ky ishte referendumi i tretë që nga viti 2018, dhe të gjithë i kanë refuzuar pavarësinë.
Pas referendumit të vitit 2021, situata politike në arkipelag mbeti e bllokuar. Në qershor 2025, Macron deklaroi se dëshironte një “projekt të ri” për Kaledoninë e Re.
Marrëveshja përfshin gjithashtu një pakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare, me fokus në industrinë e përpunimit të nikelit, një sektor kyç për ekonominë lokale.
Të dy dhomat e Parlamentit francez do të mblidhen në tremujorin e katërt të vitit për të miratuar marrëveshjen, e cila më pas do t’i paraqitet popullsisë së Kaledonisë së Re në një referendum në vitin 2026.