Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kroçeri ‘Nautica’ zbarkon në portin e Durrësit/ Rama: 676 turistë nga mbarë bota përjetojnë mikpritjen e pashoqë shqiptare

676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës, janë ndalur këtë fundjavë në Portin e Durrësit me anijen kroçierë “Nautica”, ndërsa kanë eksploruar sitet historike të qytetit bregdetar dhe bukuritë e zonave përreth, duke përjetuar edhe mikpritjen e pashoqe shqiptare

(EMRI) Transportonte ilegalisht emigrantët nga Bangladeshi/ Gjirokastër, pranga 40 vjeçarit

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve, duke çuar në pranga një shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës persona nga vende të treta me qëllim kalimin ilegal të kufirit.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Attempt 1”, gjatë të cilit u arrestua:

Edvin Mustafa, 40 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas Policisë, Mustafa u ndalua në aksin rrugor Tepelenë–Krahës, në dalje të qytetit të Memaliajt, teksa po transportonte me një automjet tip Volkswagen 7 emigrantë nga Bangladeshi, të cilët kishte pranuar t’i ndihmonte për kalimin e paligjshëm drejt Kosovës, në këmbim të një pagese.

Manovra të rrezikshme me ‘Jet Ski’/ Tale, gjobë drejtuesit 24 vjeçar, sekuestrohet mjeti lundrues

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe shërbimet e Policisë Kufitare në Shëngjin, gjatë monitorimit të vijës bregdetare, kanë konstatuar në plazhin e Tales, një mjet lundrues tip Jet Ski, që po lëvizte në mënyrë të rrezikshme brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit.

Shërbimet e Policisë ndaluan menjëherë mjetin lundrues dhe shoqëruan në Stacionin e Policisë Kufitare Shëngjin, drejtuesin i tij, shtetasin D. L., 24 vjeç.

Në përfundim të veprimeve, drejtuesi i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, si dhe u sekuestrua mjeti lundrues.

Apeli në Hagë shpall sot vendimin për Pjetër Shalën

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpall sot aktgjykimin në rastin e Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte, të kryera në vitin 1999.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave. Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të jepet sot. Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.

Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.

Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndezi zjarr duke djegur 10 hektarë bimësi/ Rrogozhinë, arrestohet autori. Rrezikoi banesat përreth

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se në lagjen e Shimve, bashkia Rrogozhinë, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në një sipërfaqe të madhe, menjëherë kanë shkuar në zonën ku kishte rënë zjarri.

Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e shërbimeve të Policisë, pas disa orësh, bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, i autorit të dyshuar, shtetasit Iljaz Rusta 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka qenë duke punuar në oborrin e një banese dhe ka ndezur zjarr aty, për djegien e mbeturinave. Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur shpejt duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi rreth 10 ha, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore, si dhe ka vënë në rrezik serioz përfshirjen nga flakët, të banesave përreth.

/ abcnews.al

‘Kjo është Rilindja Urbane 2.0’, Rama: Tirana, zona më e nxehtë, nuk ka lagje pa zaptuesin e saj

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një fazë të re të ndërhyrjes së shtetit kundër ndërtimeve të paligjshme dhe zaptimeve, duke theksuar se “të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, pa asnjë tolerancë.

Rama vuri në dukje se Tirana mbetet zona më e “nxehtë”, ku thuajse çdo lagje ka rastet e veta të zaptimeve.

“Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë. Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve.

Tirana është zona më e nxehtë dhe nuk ka lagje që mos ketë zaptuesin e vet. Ka filluar të bëhet një punë e mirë, dhe të gjitha të dhënat që po mblidhen nga deputetët duhet të zbatohen nëpërmjet një plani veprimi me 60 arkitektë.” / abcnews.al

‘Do krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit’, Rama: Trajtimi i mbetjeve, të kalojë në nivel kombëtar. Nafta, sistem i ri i furnizimit

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria po përgatitet të hyjë në një fazë të re të reformës në menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, duke propozuar krijimin e një operatori kombëtar për shpërndarjen e ujit.

Krahas kësaj, Kryeministri njoftoi se po punohet me Ministrinë e Energjisë për ngritjen e një sistemi të ri kontrolli mbi furnizimin me naftë, që synon të garantojë transparencë më të madhe dhe kontroll efektiv mbi çmimet dhe qarkullimin e karburanteve në vend.

“Jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit. Na duhet një ndërmarrje e shpërndarjes së ujit dhe një koorporatë e re që të adresojë të gjitha problemet e fragmentarizimit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e ca vitesh është e kot të na sjellë rezultate të dëshiruara dhe pse ka përmirësime por janë të pamjaftueshme.

Qoftë për ujin dhe trajtimin e mbetjeve do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe duhet të krijojmë sinergji me koorporata ndërkombëtare. Kjo do të na ndihmojë për shumë arsye për furnizimin me ujë, investimet, transparencën në të gjitha këto procese. Kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që duhet të konsolidohet dhe duhet të bëhet një sistem në nivel kombëtar. Jemi duke punuar me ministrinë e energjisë për një sistem të ri të furnizmit të naftës. Do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe qarkullimin e saj.”

‘Thethi, nuk do lejohen ndërtime dhe resorte’, Rama: Në bregdet, vijojnë prishjet e ndërtimeve pa leje. Brenda 2028, mbyllen legalizimet

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë çdo akuzë për përfshirje të oligarkëve në projektet e zhvillimit në zonat malore dhe bregdetare të vendit, duke theksuar se ndërtimet abuzive dhe çdo ngrehinë për qëllime fitimi do të shembet pa asnjë tolerancë. Rama u shpreh se në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe se asnjë resort nuk do të ndërtohet në Theth apo në territore të mbrojtura

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se procesi i legalizimeve do të përmbyllet brenda vitit 2028, por theksoi se nuk do të ketë legalizime në kundërshtim me ligjin.

“Në Shqipëri nuk ka asnjë oligark, aty nuk bëhet fjalë që do lejohen ndërtime dhe resorte. Është jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion, janë për të ardhur keq.

Thethi dhe banorët e tij nuk janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grup nerëzish që nuk kanë lidhje me këtë histori. Ne do i mbështesin atyre që kanë prona nëpër male me kusht që t’i drejtohen institucioneve, madje kemi bërë dhe paketën e maleve. Kjo po bëhet në të gjithë Shqipërinë, dhe në bregdet ku ka pasur një sërë prishjesh ndertimesh të oligarkëve po ata nuk dalin në televizor, por ka pasur dhe gjoba të rënda për shkelje të rregullave në kantier. Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë. Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve.

Tirana eshte zona me e nxehte dhe nuk ka lagje qe mos kete zaptuesin e vet. Ka filluar te behet nje pune e mire, dhe te gjitha te dhenat qe po mblidhen nga deputetet duhet te zbatohen nepermjet nje plani veprimi me 60 arkitekte. Kjo do te jete rilindja urbane 2.0 ne Tirane dhe te gjitha qytetet e medha.”

Gjermania propozon kufizim të fëmijëve emigrantë në shkollat e saj

Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien propozoi kufizim balancues të numrit të fëmijëve emigrantë në shkollat ​​gjermane. Propozimi i saj gjen mbështetje, por edhe shumë kritika.

Kur Sabine Schwarz mësoi për idenë e Ministres së Arsimit nëpërmjet mesazhit në WhatsApp të një mikeshe, fillimisht mendoi se kjo ishte një shaka pa kripë. Ministrja gjermane e Arsimit, Karin Prien e CDU ishte e mendimit, se një kuotë migrimi në shkollat ​​gjermane ishte një “model i imagjinueshëm”, por do të duheshin parë edhe vende të tjera “për të parë nëse në fund kjo do të ishte 30 apo 40 përqind”. Sabinen e prek kjo temë, ajo është drejtoreshë e një shkolle fillore në landin Renani Veriore-Vestfali me pothuajse 350 nxënës, më shumë se 80 përqind e të cilëve vijnë nga familje emigrantësh.

Propozimi i Prien nuk do të funksiononte në realitet në Gjermani,  sipas saj: “Mendoj se ajo nuk ka menduar për politikën e strehimit apo qëndrimet e njerëzve, dhe as nuk e ka idenë se si duket situata në të vërtetë në disa lagje. Sepse atëherë njerëzit do të duhej të zhvendoseshin në lagjen tonë, të paktën nëse donin të shkonin në shkollën afër vendit ku jetojnë. Ne as nuk kemi përqindjen e njerëzve këtu që do të përshkruheshin si gjermanishtfolës ose gjermanë”, shprehet Schwarz.

 Numri i migrantëve kriter i prindërve në zgjedhjen e shkollës

Në zonën e shkollës së saj fillore numri i migrantëve është 60 përqind. Gjermanët që jetojnë me shtëpi pranë shkollës së saj preferojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të tjera, thotë Schwarz, gjë që është e trishtueshme. Kur bëhet fjalë për arsimin, gjermanët preferojnë të qëndrojnë mes tyre: Pothuajse 20 vjet më parë, landi Renani Veriore-Vestfali hoqi detyrimin për të dërguar fëmijët në një shkollë afër banimit, madje edhe për shkollën ​​fillore vlen parimi i zgjedhjes së lirë. Rezultati: Familjet gjermane me pretendime për arsimin i shmangin shkollat ​​si ajo e Schwarz – nga frika se një përqindje e lartë e emigrantëve mund të ndikojë negativisht në suksesin shkollor të fëmijëve të tyre.

“Ajo që dëgjon gjithmonë është se migrimi barazohet me një nivel më të ulët arsimimi dhe se fëmijët mësojnë gjithashtu më ngadalë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Për shembull, ne përfituam nga vala e refugjatëve në vitin 2015 sepse kishim shumë fëmijë që ishin shumë të interesuar për një arsim të mirë.” Schwarz kritikon faktin që të gjithë fëmijët paragjykohen njësoj.

Kur vjen puna tek arsimi ekspertët, mësuesit, prindërit e nxënësit janë të mendimit, se duhet reformim. Gjermania del shumë dobët në shumë kategori kur bëhen vlerësime ndërkombëtare: Në studimin e fundit të PISA-s në vitin 2022, Gjermania u rendit vetëm nga mesi në krahasimin ndërkombëtar. Aftësia e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë ra në nivelet më të ulëta të matura ndonjëherë.

Miratim për iniciativën e Prien

Por ka edhe mjaft njerëz që mund ta kuptojnë qasjen e Prien. Një argument: edhe fëmijët ukrainas u shpërndanë në mënyrë sa më të barabartë midis shkollave pas mbërritjes së tyre. Studiuesi i njohur gjerman i arsimit, Klaus Hurrelmann i shkruan DW: “Propozimi i ministres është i kuptueshëm, sepse një përbërje e diversifikuar mirë e klasave shkollore dhe grupeve mësimore bazuar në prejardhjen çon qartë në punë më të mirë.” Megjithatë, ideja është e vështirë për t’u zbatuar në praktikë, sepse kërkon që nxënësit të identifikohen me origjinën, por shumë prindër dhe nxënës e perceptojnë këtë si diskriminues. “Keqkuptimet dhe ndjesia e diskriminimit që vijnë si pasojë e kësaj nuk i barazpeshojnë përfitimet e mundshme. Qasje më të mira do të ishin mbështetja e shkollave me një përqindje shumë të lartë fëmijësh dhe të rinjsh me vështirësi gjuhësore.”

Këtë e kërkon Stefan Düll, president i Shoqatës së Mësuesve Gjermanë. Në këtë kontekst, Düll vlerëson programin e Mundësive tër Reja të qeverive të landeve dhe federatës. Programi parashikon ndarjen e 20 miliardë eurove gjatë viteve të ardhshme për 4,000 shkolla me probleme. Düll e mirëpret debatin e iniciuar nga Prien. Megjithëse dyshon. Propozimi i saj do të dështojë për shkak të zbatimit dhe do ta zhvendosë problemin: Prindërit gjermanë do t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla private. Shoqata e Mësuesve Gjermanë prononcohet për DW e thekson, se  “shoqata e Mësuesve Gjermanë ka theksuar prej vitesh se mësimdhënia është dukshëm më e vështirë kur shumë nxënës nuk kanë aftësi të mjaftueshme në gjuhën gjermane.  Megjithatë, sipas mendimit tonë, është pak e dobishme të rishpërndahen nxënësit thjesht për të arritur një kuotë të caktuar në klasa individuale. Kjo vështirë të realizohet nga një perspektivë organizative dhe nuk nxit kohezionin social brenda një komuniteti shkollor.” / abcnews.al

‘Përvëlohet’ Mbretëria e Bashkuar/ Vendi përfshihet nga vala e tretë e të nxehtit

Mbretëria e Bashkuar po përballet me valën e saj të tretë të të nxehtit për këtë vit, e cila pritet të arrijë kulmin të shtunën, me temperatura që mund të shkojnë deri në 34°C në zona si Midlands dhe Uellsi Jugor. Temperaturat kanë arritur rekorde të reja për vitin 2025 edhe në Skoci dhe Uells, ku termometri shënoi përkatësisht 29.2°C dhe 32.7°C.

Sipas autoriteteve britanike, kjo valë të nxehti përfshin pothuajse të gjithë vendin, përfshirë edhe zona që zakonisht nuk përjetojnë temperatura të tilla si Ishujt Perëndimorë të Skocisë, ku Stornoëay pritet të shënojë një maksimum prej 24°C – një rekord për dekadën e fundit.

Alarme portokalli për rrezik shëndetësor janë lëshuar për pjesë të mëdha të Anglisë jugore, Midlands dhe East Anglia, të vlefshme deri të hënën në orën 09:00. Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e motit mund të ndikojnë në shëndetin e të gjithë popullatës, veçanërisht tek grupet vulnerabël si të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme kardiovaskulare apo respiratore.

Në disa zona është vendosur ndalim për përdorimin e tubave të ujit për të kufizuar konsumin e ujit, ndërsa paralajmërime për rrezik zjarresh janë lëshuar në Skoci dhe Irlandën e Veriut, për shkak të kushteve shumë të thata dhe temperaturave të larta.

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) dhe Agjencia për Sigurinë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) kanë theksuar nevojën për masa paraprake: qëndrimi në ambiente të freskëta, pirja e shumë ujit, përdorimi i rrobave të lehta dhe shmangia e ekspozimit të gjatë në diell gjatë mesditës.

Po ashtu, priten vonesa në transportin publik për shkak të mbinxehjes së infrastrukturës dhe ngarkesës në rrugë dhe linjat hekurudhore.

Kjo është një prej valëve më të gjata dhe më intensive të të nxehtit që ka përfshirë Britaninë këtë vit, dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe solidaritet, duke kontrolluar të afërmit dhe fqinjët e moshuar gjatë këtyre ditëve kritike.

Superliga, ndryshime për titullin. Pas 4 fazave, pikët përgjysmohen/ Tahiri: Të shtohen 2 ekipe, kampionati të mbahet vitin tjetër

Formula e superligës do të ketë ndryshime për titullin. Në mbledhjen e sotme në FSHF me drejtuesit e elitës së futbollit u konfirmuan ndryshimet e reja.

Trajneri Ledjo Pano tha per programin ‘Botërori i vogël’ se mbajtja e ndeshjeve në ‘Air Albania’ është diçka pozitive, gjithashtu edhe përgjysmimi i pikëve është më mirë sesa zerimi i tyre, siç funksiononte më parë.

“Belgjika e ka me 6 ekipe, katër janë pak. Që të ndryshosh formatin minimumi duhet të ketë 14 ekipe e sipër. Nëse e bën me play off është diçka tjetër. Ndeshjet në Air Albania është diçka pozitive.

Përgjysimi i pikëve, është gjysma e së keqes nga zerimi I tyre. Ecuria gjhatë gjithë kampionatit nxjerr ekipin final. Përderisa përghjysmohen pikët do të luhet mes njëri tjetrit.”

Trajneri Ermal Tahiri u shpreh se do të ishte më mirë që të shtoheshin ekipe të tjera dhe kampionati të bëhet vitin tjetër me 12 ekipe në katër faza.

“Të shtosh dy ekipe dhe viti tjetër të bëhet një kampionat me 12 ekipe në 4 fazë. E ke të kompletuar sepse nëse të gjitha klubet e tjera të botës, si Juventusi me 22 ekipe ato bëhen 5 të parat 5 të dyta për në Europë dhe 5 të tjerat hyjnë në grupe për të luajtur. Nga vendi i fundit deri në vendin e 16 luajnë play off prapë nga fillimi siç e ka Greqia. Ai që është për në UEFA luan nga 8a te 5a.” / abcnews.al

Bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit në prag të dështimit, rriten tensionet në Doha

Bisedimet për një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Doha po shkojnë drejt dështimit, sipas zyrtarëve palestinezë të përfshirë në proces. Ata thonë se delegacioni izraelit nuk ka mandat të plotë negociues dhe po përdor bisedimet për përfitime politike gjatë vizitës së kryeministrit Netanyahu në SHBA.

Çështjet kryesore që po bllokojnë marrëveshjen janë mënyra e shpërndarjes së ndihmave humanitare dhe tërheqja ushtarake nga Gaza. Hamasi kërkon që ndihmat të shpërndahen nga OKB-ja, ndërsa Izraeli propozon një mekanizëm të mbikëqyrur nga fondacione të mbështetura nga SHBA. Ndërkohë, ndryshimet e papritura në propozimin izraelit për zonat neutrale dhe prania e vazhdueshme ushtarake në Gaza janë cilësuar nga Hamasi si shkelje e besimit.

Për më tepër, planet për ngritjen e një kampi gjigant për palestinezët në Rafah kanë nxitur akuza për zhvendosje të detyruar. Ndërmjetësit paralajmërojnë se pa ndërhyrjen e menjëhershme të SHBA-ve, bisedimet mund të shemben plotësisht, duke përkeqësuar krizën humanitare në Gaza, ku deri tani janë vrarë mbi 57,800 palestinezë. / abcnews.al

Sulm masiv rus ndaj Ukrainës, Polonia ngre avionët luftarakë në ajër

Polonia dhe vendet aleate kanë ngritur gjatë natës avionët e tyre luftarakë, pas një sulmi të fuqishëm nga forcat ruse ndaj Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur në platformën X nga Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë, siç raporton Rbc-Ukraina.

“Për shkak të aktivitetit të aviacionit rus me rreze të gjatë veprimi, i cili po godet objektiva, veçanërisht në Ukrainën Perëndimore, forcat ajrore polake dhe ato aleate kanë nisur operacione në hapësirën ajrore të Polonisë”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe ato të zbulimit radar janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie.

“Masat e ndërmarra synojnë të garantojnë sigurinë në zonat që kufizohen me rajonet e kërcënuara”, thuhet në njoftim. / abcnews.al

Izraeli sulmon qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza, të paktën 59 të vrarë

Të paktën 59 palestinezë janë vrarë në Gaza pasi ushtria izraelite hapi zjarr pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Rafah dhe ndërmori sulme ajrore në zona të ndryshme të territorit.

Kryqi i Kuq, i cili operon një spital në qytetin jugor të Rafahut, bëri të ditur se 25 persona u shpallën të vdekur sapo mbërritën në spital, ndërsa gjashtë të tjerë humbën jetën pas shtrimit. Gjithashtu, sipas deklaratës, spitali pranoi 132 pacientë me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

“Shumica dërrmuese e pacientëve kanë pësuar plagë nga të shtënat. Të gjithë personat që ishin të vetëdijshëm pohuan se ishin duke tentuar të merrnin ushqim në një qendër shpërndarjeje ndihmash”, thuhet në njoftimin e Kryqit të Kuq.

Organizata theksoi se ky incident përbën fluksin më të madh të viktimave që prej hapjes së spitalit në maj të vitit të kaluar.

Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi se kishte qëlluar “të shtëna paralajmëruese” në afërsi të qendrës së ndihmave, por tha se “nuk është në dijeni për persona të lënduar” si pasojë e këtij veprimi.

Në një deklaratë zyrtare, IDF tha: “Më herët sot, disa persona të dyshuar u panë duke iu afruar trupave të IDF që po operonin në zonën e Rafahut, duke përbërë një kërcënim për to, qindra metra larg qendrës së shpërndarjes së ndihmave.”

“Trupat e IDF ndërhynë për të parandaluar afrimin dhe qëlluan të shtëna paralajmëruese.”

Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime të mëdha për sigurinë e civilëve në Gaza dhe për pengesat në shpërndarjen e ndihmave humanitare në një zonë tashmë të rënduar nga kriza e vazhdueshme humanitare. / abcnews.al

Presidenti Begaj në Ohër: Faktori shqiptar në RMV, urë lidhëse dhe garanci për progresin e marrëdhënieve

Presidenti Bajram Begaj vizitoi Ohërin, ku u takua me Presidenten Siljanovska-Davkova për të diskutuar bashkëpunimin bilateral mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim u theksua rëndësia e integrimit europian dhe nevoja për projekte të përbashkëta që sjellin vlerë për qytetarët e të dy vendeve.

Presidenti Begaj nënvizoi rolin kyç të faktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ata si urë lidhëse dhe garanci për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe progresive mes dy vendeve.

“Në Ohër për një vizitë njëditore, me ftesë të Presidentes Siljanovska-Davkova. Folëm për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe integrimin europian. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë.
Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut eshtë urë lidhësë, i rëndësishëm dhe garanci për progresin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona. Zhvilllimi i projekteve të përbashkëta jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe kulturore e sociale është i arritshëm dhe i mirëpritur. Me forca të përbashkëta drejt progresit! “/ abcnews.al

❌