Dhimbja e stomakut nuk është gjithmonë e njëjtë, ndonjëherë është një shpim i mprehtë, ndonjëherë një fryrje bezdisëse, e herë të tjera shoqërohet me simptoma të tjera që nuk duhen neglizhuar. Sipas gastroenterologes Dr. Reshma Rakshit, shumë njerëz mësohen me dhimbjen dhe nuk kërkojnë ndihmë mjekësore, duke rrezikuar shëndetin e tyre.
Por çfarë sinjalizojnë në të vërtetë këto dhimbje? Më poshtë gjeni disa nga llojet më të zakonshme të dhimbjes së stomakut dhe shpjegimet përkatëse:
Dhimbje e mprehtë në anën e sipërme të djathtë të barkut
Kjo dhimbje shpesh lidhet me gurët në tëmth. Ato formohen në fshikëzën e tëmthit dhe mund të shkaktojnë një dhimbje të papritur që përhapet edhe drejt shpatullës së djathtë ose pjesës së sipërme të shpinës. Zakonisht lidhet me një dietë të pasur me yndyrna.
Fryrje dhe ndjesi gazrash
Fryrja shpesh është rezultat i gazrave të tepërt në traktin tretës, të shkaktuar nga përtypja e shpejtë, konsumimi i ushqimeve të pasura me fibra (si perimet jeshile apo fasulet), ëmbëlsuesit artificialë ose çamçakëzi. Megjithatë, nëse fryrja shoqërohet me humbje peshe ose gjak në jashtëqitje, duhet të konsultoheni menjëherë me mjekun.
Dhimbje në pjesën e sipërme të barkut që shtohet pas ngrënies
Kjo mund të jetë ulçerë. Shkaktarët më të zakonshëm janë ilaçet anti-inflamatore si ibuprofeni dhe aspirina. Dhimbja mund të përhapet në shpinë, dhe në raste të rënda, mund të shfaqen të vjella me gjak, urth ose humbje oreksi.
Dhimbje që fillon në shpinë dhe shoqërohet me djegie gjatë urinimit
Kjo mund të jetë shenjë e një infeksioni të veshkave. Simptoma të tjera përfshijnë marrje mendsh, mungesë energjie dhe ndjesi të përzier. Kërkohet trajtim i menjëhershëm me antibiotikë.
Dhimbje e mprehtë në pjesën e poshtme të barkut, e shoqëruar me të përziera
Ky është një tregues i qartë për apendicitin, veçanërisht nëse dhimbja lokalizohet në anën e djathtë poshtë. Nëse nuk trajtohet, apendiksi mund të shpërthejë, një situatë urgjente që kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Dhimbje barku dhe diarre
Kjo është shenjë e një gastroenteriti, zakonisht i njohur si “gripi i stomakut”. Shkaktohet nga infeksione bakteriale apo virale, shpesh përmes ushqimit të kontaminuar. Këshillohet pushim, hidratim i mirë dhe higjienë e rreptë, veçanërisht larja e duarve pas tualetit dhe para ngrënies.
Dhimbje barku e shoqëruar me fryrje të vazhdueshme
Këto janë simptoma tipike të sindromës së zorrës së irrituar (IBS). Kjo sindromë ndahet në tri forma: ajo me diarre, ajo me kapsllëk, dhe ajo e përzier. Simptomat shpesh përfshijnë ndjenjën e nevojës urgjente për tualet edhe menjëherë pas kryerjes së nevojave.
Kur duhet të shqetësoheni?
Nëse përjetoni dhimbje të vazhdueshme, të përkeqësuar nga ushqimi, humbje të pashpjegueshme në peshë, gjak në jashtëqitje apo të vjella me gjak, mos e lini pas dore. Këto janë shenja që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore.
The post Çfarë po ju thotë stomaku? Llojet e dhimbjeve dhe kur duhet të shqetësoheni appeared first on iconstyle.al.