Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vritet me armë zjarri 65-vjeçari në Vaun e Dejës

Një 65-vjeçar është vrarë me armë zjarri në Vaun e Dejës.

Trupi i pajetë i tij është gjetur rreth orës 21:00, në fshatin Paçram.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./abcnews.al

Një person dënohet me afro 5 vjet burgim për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të hënën me katër vjet e 11 muaj burgim një të dyshuar, pasi ai e pranoi fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë më 2023.

Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili e identifikoi të pandehurin vetëm me inicialet M.A., tha se Gjykata Themelore e dënoi atë me dënim unik prej 4 vjetësh e 11 muaj burgim efektiv dhe 20 mijë euro gjobë.

M.A. e kishte pranuar fajësinë në një marrëveshje me Prokurorinë Speciale, e cila akuzoi atë për dhunë ndaj ushtarëve te KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në Komunën e Zveçanit.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 30 korrik.

M.A akuzohej për katër vepra penale: sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale huliganizëm, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge dhe për posedim të paautorizuar të armëve.

SHBA, autoritetet mund të kërkojnë garanci deri në 15 mijë dollarë për viza të caktuara turistike

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka propozuar që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të dorëzojnë garanci deri në 15.000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Në një njoftim që do të publikohet në Regjistrin Federal të martën, DASH-it thekson se do të nisë një program testues 12-mujor, sipas të cilit, njerëzve nga vende që konsiderohen me shkallë të larta të qëndrimeve të paligjshme pas skadimit të vizës dhe me mangësi në kontrollin e dokumenteve të brendshme, mund t’u kërkohet ta dorëzojnë një garanci prej 5.000, 10.000 ose 15.000 dollarësh kur aplikojnë për vizë.

Propozimi vjen ndërkohë që administrata Trump po ashpërson kërkesat për aplikantët për viza.

Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovim vizash do të duhet t’i nënshtrohen një interviste shtesë personale, gjë që më parë nuk kërkohej.

Përveç kësaj, DASH po propozon që aplikantët për programin e Lotarisë së Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.

Netanyahu merr vendimin: Pushtim i plotë i Gazës

Kryeministri Benjamin Netanyahu konfirmoi se është marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet në zonat ku mbahen pengje.

Zyra e Kryeministrit i përcolli mesazhin Shefit të Shtabit: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen.”

Njoftimi vjen pas muajsh bisedimesh në Doha midis Hamasit, Izraelit dhe ndërmjetësve për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe pengmarrjeje.

Hamasi kërkoi që qindra kamionë me ndihma do të duhej të hynin në Rripin e Gazës që grupi terrorist të rikthehej në negociata, pavarësisht përpjekjeve të shtuara ndërkombëtare për të ofruar burime në enklavën palestineze.

Hamasi publikoi gjithashtu video gjatë fundjavës, duke treguar pengje të dobësuar dhe duke pretenduar se ata po vdisnin urie si pasojë e urisë së përhapur në Rripin e Gazës.

 

Robotët luajnë futboll/ Kina përgatitet për lojërat e para botërore të humanoideve

Nëse futbolli me yjet më të njohur nuk ju emocionon mjaftueshëm, teknologjia më e fundit ka bërë që ky sport të luhet edhe mes robotëve.

Ekipet e robotëve nga Kina dhe vende të tjera po stërviten për Lojërat e para Botërore të Robotëve Humanoide, të cilat janë planifikuar të zhvillohen midis 14 dhe 17 gushtit në Pekin.

Tridhjetë ekipe robotësh nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili, Gjermania dhe Portugalia janë regjistruar për të luajtur në garën e futbollit.

Të pajisur me sensorë vizualë të përparuar, robotët janë në gjendje të identifikojnë topin dhe të vrapojnë në fushë me shkathtësi.

Ata janë gjithashtu të projektuar për t’u ngritur vetë pasi rrëzohen.

Kina po rrit përpjekjet për të zhvilluar robotë humanoide të mundësuar nga inteligjenca artificiale, duke përdorur garat sportive si maratona, boksi dhe futbolli si një fushë prove në botën reale./abcnews.al

Trump: Do të rris ndjeshëm tarifat për Indinë për shkak të blerjes së naftës ruse

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se do të rrisë ndjeshëm tarifat për mallrat nga India për shkak të blerjeve të naftës ruse.

“India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por më pas, për pjesën më të madhe të naftës së blerë, e shet atë në tregun e hapur për fitime të mëdha. Nuk u intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës”, tha Trump në një postim në Truth Social.

“Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën që India i paguan SHBA-së.”

Ai nuk dha detaje se cila do të jetë tarifa.

Ministria e Tregtisë e Indisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Trump javën e kaluar tha se do të vendoste një tarifë prej 25% për mallrat e importuara nga India dhe shtoi se ekonomia e pestë më e madhe në botë do të përballet gjithashtu me një dënim të paspecifikuar, por nuk dha detaje./abcnews.al

BE shtyn tarifat për SHBA/ Vendimi pezullohet për 6 muaj, hynin në fuqi në 7 gusht

Bashkimi Europian do të pezullojë për 6 muaj kundërmasat që kishte planifikuar për tarifat e Shteteve të Bashkuara, që pritej të hynin në fuqi më 7 gusht.

Një zëdhënës I Komisionit Europian tha se unioni është duke punuar me me Shtëpinë e Bardhë për të finalizuar një deklaratë të përbashkët, sicc u ra dakord mes Ursula von der Leyen dhe Donald Trump më 27 korrik.

Edhe pse në takimin mes shefes së Komisionit Europian dhe presidentit amerikan u ra dakord që tarifat e SHBA të jenë 15%, marrëveshja lë shumë pyetje të hapura.

Në të nuk përfshihen përjashtime të tilla si për makinat dhe pjesët e makinave e as për produktet farmaceutike, që zënë një pjesë të mirë të eksporteve në SHBA.

Tarifat e Bashkimit Europian janë të ndara në dy pjesë: njëra në përgjigje të detyrimeve të çelikut dhe aluminit të SHBA-së, dhe tjetra në përgjigje të tarifave bazë dhe të makinave.

Në bazë të marrëveshjes mes dy partnerëve tregtarë, blloku 27 anëtarësh ra dakord të blinte energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë dhe investime shtesë prej 600 miliardë dollarësh në SHBA

Megjithatë marrëveshja nuk e saktëëson se kush apo si specifikisht do t’I bëjë këto investime, teksa unioni nuk ka autoritetin për të detyruar kompanitë private të blejnë naftë amerikane ose drithëra amerikane.

Bahskimi Europian në deklaratën për marrëveshjen e korrikut theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një marrëveshje politike, jo ligjërisht e detyrueshme.

Në pritje të ndonjë tjetër urdhri ekzekutiv të Trump, që do t’I lehtësonte më shumë tarifat, BE shpreson që të marrë disa lëshime sidomos për automjetet dhe pjesët e tyre dhe produktet farmaceutike, teksa pjesa më e madhe e mallrave I nënshtrohen tarifës 15%./abcnews.al

Kamioni përplas ambulancën/ Itali, aksident masiv në Firence, tre viktima e disa të plagosur

Një aksident tragjik ndodhi në Itali në autostradën mes Arezzos dhe Firences, ku një kamion u përplas me një ambulancë dhe automjete të tjera.

Si pasojë e përplasjes, 3 persona humbën jetën dhe të paktën 15 të tjerë u plagosën.

Sipas mediave italiane automjetet kishin ndaluar në momentin e aksidentit, për shkak të bllokimit të trafikut.Sipas informacioneve fillestare, kamioni nuk pati kohë të frenonte dhe goditi automjete të tjera njëra pas tjetrës, duke përfshirë një kamion tjetër, një rulotë, një autobus turistik dhe një ambulancë.

Ambulanca po transportonte një pacient 75-vjeçar dhe përplasja vrau tre personat që ndodheshin në të: pacientin, si dhe dy ndihmës mjekët që ishin në pjesën e pasme të automjetit.

Nga 15 të plagosurit njëri është dërguar në gjendje kritike në spital, katër kanë pësuar lëndime serioze, ndërsa pjesa tjetër kanë pësuar lëndime të lehta.

Sipas dëshmitareve që ndodheshin në vendngjarje, ambulanca u shtyp nga përplasja më pas shpërthyen flakët. Disa shoferë arritën ta shuanin zjarrin para se të përhapej, teksa autostrada mbeti e mbyllur për disa orë./abcnews.al

Të paktën 33 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite ndërsa kërkonin ndihma ushqimore

Të paktën 33 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit ndërsa përpiqeshin të siguronin ndihma ushqimore në Gaza, sipas spitaleve të zonës.

Dëshmitarë raportuan se u përballën me breshëri plumbash teksa turma të uritura po i afroheshin pikave të ndarjes së ndihmave.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se një punonjës i saj u vra kur forcat izraelite granatuan zyrën e tyre.

Dy spitale në jug dhe qendër të Gazës raportuan se kanë pranuar trupa të vrarësh përgjatë rrugëve që çojnë drejt pikave të ndihmës të mbështetura nga Izraeli, përfshirë 11 të vrarë në zonën Teina, teksa po përpiqeshin të arrinin një pikë shpërndarjeje në Khan Younis.

Tre dëshmitarë palestinezë thanë për Associated Press se panë ushtarë që hapnin zjarr përgjatë këtyre rrugëve, të cilat ndodhen në zona ushtarake.

Njëri prej tyre, Yousef Abed, përshkroi se ishte vënë nën zjarr të pakontrolluar dhe pa të paktën tre persona të plagosur rëndë në tokë.

“Nuk munda t’i ndihmoja nga të shtënat”, ka thënë ai.

Aksident në Fier-Levan/ Makina përplaset me shtyllën elektrike, plagoset drejtuesi

Një aksident ka ndodhur në aksin Fier- Levan, në afërsi të “ Kthesës së Zhupanit”.

Drejtuesi i nje automjeti ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur me shtyllën elektrike.

Nga përplasja e fortë, ai ka marrë lëndime të lehta dhe është dërguar me autoambulancë drejt Spitalit të Fierit.

Ndërkohë, në vendngjarje ndodhet policia dhe ekspertët e Policisë Rrugore për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Punonjësit e OSHEE, ndërkohë po punojnë për riparimin e kabujve të tensionit të lartë, të cilët ranë përtokë duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve në këtë aks veçanërisht të frekuentuar gjatë muajve të verës./abcnews.al

Ish kandidati i PD merret i pandehur/ Korrupsion në zgjedhjet e Rrogozhinës në 2023, pesë persona në gjyq

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish kandidatin e PD për Bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha dhe katër persona të tjerë.

Të katër personat, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Engjell Cara kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.

Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se shtetasit Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë.

Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente./abcnews.al

Përmbytje në Brezovicë dhe Ferizaj/ Ndërpritet qarkullimi për automjetet

Një stuhi e fuqishme shiu e shoqëruar me breshër ka goditur sot pasdite zonën e Brezovicës, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në rrugën që të çon drejt njërës prej destinacioneve më të njohura turistike malore në Kosovë.

Siç shihet në disa video të publikuara nga media lokale në Shtërpcë, reshjet e kanë mbushur rrugën me ujë.

Si pasojë, segmenti kryesor rrugor është bërë i pakalueshëm për automjetet dhe qarkullimi është ndërprerë aktualisht.

Moti i keq ka goditur edhe komunen e Ferizaj./abcnews.al

“Thirrjet antishqiptare rikthejnë të shkuarën”/ Selimi: Qevera e Mickoski nuk duhet t’i japë inkurajim thirrjeve shoviniste

Gazetari nga Shkupi, Sefer Selimi thotë se thirrjet antishqiptare që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, janë një kthim pas në të shkuarën.

Në një intervistë për “Ballkan Update” në ABC News, Selimi e cilësoi cinike dhe ofenduese reagimin e kryeministrit maqedonas, i cili tha se nuk i dëgjoi thirrjet në sallë.

“Nuk është diçka as e papritur as befasuese. Këto janë thirrje nga e kaluara, jo edhe aq e largët. Këto thirrje stimulohen, në rastin më të keq dhe në rastin më të mirë nuk ndëshkohen . Këto thirrje shoviniste kanë burimet që nga vitet 1990. Është cinike dhe ofenduese. Kjo do t’i ngjasojë, do ketë fatin ky hetim dhe ky reagim institucional, do ketë fatin e ndëshkimit të policit që më 28 nëntor, përdhosi flamurin kombëtar. U paralajmëruan sanksione për policin, ai pas disa muajsh u avancua në karrierën e tij. Do ketë reagim nga ana e shqiptarëve. Se cilat do jenë përmasat, kjo është e vështirë për t’u parashikuar. Gjërat do të intensifikohen.”, theksoi ai./abcnews.al

SHBA dhe Arabia Saudite zhvillojnë takim të nivelit të lartë të mbrojtjes në Pentagon

Zyrtarët amerikanë dhe sauditë u mblodhën në Pentagon javën e kaluar për një forum të nivelit të lartë për të forcuar lidhjet e mbrojtjes midis Uashingtonit dhe Riadit.

Takimi dy-ditor shënoi sesionin e 9-të të Komitetit të Planifikimit të Përbashkët Strategjik (SJPC), të udhëhequr nga shefi i politikës së Pentagonit Elbridge Colby në anën amerikane dhe Ndihmësministri i Mbrojtjes Dr. Khalid Biyari që përfaqësonte delegacionin saudit.

“Mbretëria e Arabisë Saudite është një partner kritik dhe i hershëm i mbrojtjes për Shtetet e Bashkuara që kërkon të bëhet më e aftë dhe e pavarur në mbrojtjen e saj. Ne po punojmë shumë për partneritet me Arabinë Saudite për ta mundësuar atë ta bëjë këtë”, tha Colby në një postim në X.

Zëdhënësi kryesor i Pentagonit Sean Parnell tha se të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi prioritetet kryesore të mbrojtjes dhe sfidat rajonale të sigurisë.

Ai vuri në dukje se delegacionet riafirmuan mbështetjen e tyre për marrëdhënien e qëndrueshme dypalëshe.

Colby përshëndeti përpjekjet saudite për të ndërtuar kapacitetet e saj të vetëmbrojtjes dhe “për të dhënë kontribute më të mëdha drejt arritjes së objektivave të përbashkëta rajonale”, shtoi Parnell.

Takimi erdhi mes një serie shitjesh të fundit të armëve nga SHBA-të në Mbretëri.

Më herët këtë vit, administrata Trump miratoi një marrëveshje armësh prej 3.5 miliardë dollarësh që përfshinte 1,000 raketa të avancuara ajër-ajër me rreze të mesme veprimi (AMRAAM) dhe 50 seksione udhëzimi AIM-120C-8.

Uashingtoni gjithashtu miratoi shitjen e municioneve të drejtuara me precizion në Arabinë Saudite në mars.

Afati i Trump për marrëveshje, drejt përfundimit/ Kremlini: Putin, i gatshëm të takohet me Zelenskyn

Kremlini ka njoftuar se Vladimir Putin është gati të takohet me Volodymyr Zelenskyn.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se shefi i tij do të takohet me udhëheqësin ukrainas “pasi të bëhet puna përgatitore në nivel ekspertësh”.

Putini më parë ka refuzuar një mori propozimesh nga Zelensky për t’u takuar për negociata, shkruan The Sun.

Por ndryshimi i qëndrimit të tij vjen mes presionit nga Donald Trump mbi Rusinë që të bjerë dakord urgjentisht për një armëpushim me Ukrainën.

Afati i fundit i Trump për një paqe në Ukrainë pritet të skadojë vetëm pak ditë pasi presidenti e uli periudhën e pritjes prej 50 ditësh në vetëm “10-12 ditë”.

Kjo do të thotë që rusët kanë kohë deri më 8 gusht për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën, përndryshe do të përballen me “tarifa dytësore” shkatërruese.

Trump më parë ka kërcënuar se masat e reja mund të nënkuptojnë sanksione, të cilat do ta pengonin më tej Rusinë.

Pavarësisht presionit nga Uashingtoni, Rusia ka vazhduar sulmin e saj kundër fqinjit të saj pro-perëndimor.

Trump ka shprehur zhgënjim me Putinin, duke vënë në pikëpyetje nëse udhëheqësi rus dëshiron vërtet paqe me Ukrainën.

Në fillim të korrikut, Trump përshkroi një bisedë të mirë me Putinin në telefon, vetëm për të mësuar të nesërmen se Rusia kishte nisur një sulm tjetër në qytetet ukrainase./abcnews.al

Protesta pro Palestinës/ Australi, mijëra persona marshim në urën në Sydney

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në Marshimin për Njerëzimin të dielën në Sydney të Australisë, në mbështetje të Palestinës, pavarësisht shiut të rrëmbyeshëm.

Për shkak të protestës, Ura e Portit të Sydney-t u mbyll, pasi u autorizua nga Gjykata Supreme vetëm një ditë më parë, në atë që organizatorët e quajtën një vendim “historik”.

Australia ka qenë nën presion në rritje për të njohur shtetin palestinez, pasi Franca, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar treguan se do ta bënin këtë, me kushte.

“E di që është ana tjetër e botës, por na prek edhe ne këtu masivisht”, tha një pjesëmarrës.

Policia ka vlerësuar se në marshimin e së dielës morën pjesë 90,000 njerëz.

Ura e Portit të Sydney-t u mbyll për herë të fundit për një tubim publik në vitin 2023, kur rreth 50,000 njerëz marshuan mbi rrugën ikonike për Paradën Botërore të Krenarisë./abcnews.al

Kriza ushqimore në Gaza, Trump: Duam që njerëzit të ushqehen, nuk po ndodh një gjenocid

Ndërsa mbërriti në Pensilvani pas pushimeve të fundjavës, Donald Trump foli me gazetarët rreth krizës ushqimore në Gaza.

I pyetur nëse kishte të reja për Gazën, presidenti amerikan tha se kërkon që njerëzit atje të ushqehen dhe se SHBA po jep para për këtë, shkruan Sky News.

“Vetëm ne duam që njerëzit të ushqehen. Dhe ne jemi i vetmi vend që po e bën vërtet këtë. Po japim para për të ushqyer njerëzit.”, theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

I pyetur në lidhje me akuzën për gjenocid, Trump tha: “Nuk mendoj se është kështu. Ata janë në luftë.”

Javën e kaluar, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, vizitoi një vend shpërndarjeje ushqimesh në Gaza, të operuar nga një kontraktor amerikan i mbështetur nga Izraeli.

Witkoff dhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, vizituan një vend shpërndarjeje të Fondacionit Humanitar të Gazës në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht dhe tani është një zonë ushtarake izraelite kryesisht e shpopulluar.

I dërguari u shpreh se kishte kaluar më shumë se pesë orë brenda Gazës për të fituar “një kuptim të qartë të situatës humanitare dhe për të ndihmuar në hartimin e një plani për të ofruar ndihmë ushqimore dhe mjekësore për popullin e Gazës”.

❌