Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Përvjetori i lindjes të një ndër klasikëve më të mëdhenj amerikanë, Ernest Heminguej

Ernest Heminguej, i lindur më 21 korrik 1899 në Çikago, ishte gazetar dhe shkrimtar i shquar amerikan i shekullit të XX, fitues i Çmimit Nobel dhe Pulitzer, autor i romanit të famshëm, “Plaku dhe deti”. Ai shquhej për pasionet e tij të gjuetisë dhe peshkimit.

Në vitin 1917 ai u bashkua Kryqit të Kuq në frontin e luftës në Itali dhe këtu, në moshën 18 vjeçare, plagoset rëndë dhe dërgohet në spitalin e Milanos ku dashurohet me një infermiere. Kjo histori vjen te romani “Lamtumirë armë”, i cili doli në qarkullim në vitin 1929. Me kthimin në SHBA, ai u martua me Hadley Richardson por mendja i rrinte gjithmonë në Europë. Së fundi arrin të shkëpus një mision gazetarie dhe akoma si i panjohur, vendoset në Paris. Këtu njihet me Gertrude Stein e cila i mëson stilin e shkrimit.

Ernest Heminguej fitoi famë të menjëhershme me romanin “Dielli lind përsëri” (1926), që rrëfen jetën e një brezi të humbur të të rinjve të mërguar në Paris, pas Luftës së Parë Botërore. “Kjo është historia e brezit të humbur”, pati thënë Gertrude Stein, duke përshkruar saktësisht frymën e veprës.

Në maj të vitit 1925, Heminguej u njoh me F. Scott Fitzgerald-in, me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë, por edhe një rivalitet të fortë letrar, përcjellë KultPlus.

Jeta e tij u përfshi nga ngjarje të forta si vetëvrasja e babait, një shkurorëzim dhe më pas rimartesa. Në këtë periudhë botoi romanin “Lamtumirë armë”, dhe më vonë u vendos në Key West, Florida, ku shkroi “Vdekja pasdite”.

Në vitin 1936 ai u bashkua me forcat republikane në Luftën Civile në Spanjë, ku jepet edhe pas pijes, por vazhdon të shkruaj dhe boton librin “Të kesh apo të mos kesh” (1937) që trajton padrejtësitë shoqërore.

Pas qëndrimit në Spanjë dhe më pas në Kubë, u kthye përkohësisht në Paris. Në vitin 1950 botoi romanin “Përtej lumit dhe mes pemëve, një histori dashurie e fundit në krijimtarinë e tij, ndërsa në vitin 1952 publikoi kryeveprën “Plaku dhe deti, për të cilën fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1954.

I moshuar dhe i rënduar nga problemet shëndetësore dhe psikologjike, Heminguej i dha fund jetës më 2 korrik 1961 në Idaho. Presidenti John F. Kennedy e përkujtoi si një nga shkrimtarët më të mëdhenj amerikanë dhe si një qytetar të shquar të botës./KultPlus.com

Zbulohen themele të një vile romake me mozaikë në Durrës

Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, pikërisht në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.

Gjatë punimeve është zbuluar një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike. Zbulimi ka ngjallur interes të madh për rëndësinë që mbart në trashëgiminë kulturore të qytetit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se pas gjetjeve është hartuar menjëherë Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga arkeologu prof. Luan Përzhita, i cili i hapi rrugën një procesi të plotë studimi dhe konservimi, përcjellë KultPlus.

“Kjo vilë romake përfaqëson një pasuri të rrallë për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dhe krahasohet për cilësi me ato të zbuluara në Italinë jugore dhe qendrore”, tha Gonxhja.

Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke zhvilluar një koncept të ri arkitektonik ku edukimi dhe trashëgimia kulturore ndërthuren në mënyrë harmonike. Projekti i ri do të mundësojë që gjetjet të ekspozohen për publikun, duke u integruar natyrshëm në infrastrukturën e shkollës.

Ky model i ri zhvillimi synon të sjellë një transformim të qëndrueshëm urban dhe arsimor për qytetin, si dhe të nxisë turizmin kulturor.

Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, janë të angazhuara për të ndjekur nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e plotë të gjetjeve në projektin e ri të shkollës.

“Ky është një shembull konkret i vizionit për zhvillim të integruar urban, edukativ dhe turistik”, përfundoi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

RËNKIMI

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një,

Zogun në qiell vrarë ta kanë.
Me duar të mia të çara
me rrashtat tona t’shpura mbuluar të kanë.

Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarëjemi…
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!

Plepi im qiellin do ta shpojë,
plepi im i kallur –
qiellin e humbur majë një shpate./KultPlus.com

Dollia shqiptare, pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore

Riti i dollisë zë një vend të veçantë në mikpritjen shqiptare. “Kripë, bukë e zemër” është shprehja që karakterizon mikpritjen shqiptare, ndërsa në shekuj institucioni i mikut ka zënë vend në jetën shoqërore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përcolli sot në rrjetet sociale momente nga riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale.

Dollia është një kryevepër e ngritjes në piedestal të miqve, të të ftuarëve apo vizitorëve në sofrat shqiptare që simbolizon kulmin e mikpritjes, gëzimit dhe haresë, synon lartësimin shpirtëror të palës pritëse dhe miqve në një event, gosti, dasmë, ceremonial apo çdo festim tjetër.

Dollia përfaqëson kurorëzimin e mikpritjes shqiptare si një institucion unik, tradicional, të lashtë, klasik dhe modern.

Me anë të dollisë, mikpritësi respekton miqtë, të ftuarit apo vizitorët duke sjellë momente solemne e duke i bërë ata të ndjehen si në shtëpinë e tyre./atsh/KultPlus.com

Veç edhe njëherë….

Poezi nga Nerimane Kamberi

Kur u nisa prej katundit,
e u kyça në autostradë,
e putha vathin tënd që e mbaj në qafë,
nanë,
që të më ruash kur voziti si e çmendur
rrugës për Prishtinë.
E puthi vothin sikur dikush që e puth kryqin, dorën e Fatmës,
syrin kundër msyshit, shkronjën e parë të fëmisë.
E kur Armendi thotë : Të këndojmë bashkë refrenin të këngës
“edhe njëherë”, për ata që nuk i kemi më,
kamera nxë një çift të ri, sa Marini, nipi jot,
jo tu u puth, por tu kajt,
Edhe njëherë, veç edhe njëhere,…
E nata e magjishme mbaron, emocioneplot,
shikoj qiellin plot yje të kryeqytetit,
yjet që shndërrisin si vothi jot i arit në qafën time./ KultPlus.com

Ekspozita ‘Krusha ime’ vjen me temën e identitetit të dhimbjes në Natën e Nëntë të Etno Fest

Nga Agron Gërguri

Pjesëmarrëja e mysafirëve ndërkombëtar sa po vjenë e shtohet. Thuaja secili prej tyre vjenë me tema kosovare. Në natën e nëntë u prezentua  Mercedes Pereira nga Spanja me ekspoziten me kostume në temën “Krusha ime”  që për burim inspirimi e kishte Fahrie Hotin si simbol i rimarrjes së vullnetit për jetë pas një tragjedie të madhe. Fahria sot  drejton një organizatë të grave e cila  prodhon ushqime të veçanta frutash. Të gjitha ato produkte Mercedes Pereira i kishte stilizuar në kostume.

Ekspozita e artistes nga Spanja me një fotografi të përbashkët me skulpturën e Nënës Salë. Një fotografi emocionuese plotë mallëgjim e krenari.

Debat e folmja në oda
E folmja në oda kishte një dramaturgji të  organizuar mirë dhe me një rend vleror të fjalës tha në nisje të debatit Fadil Hysaj.

Mënyra e komunikimit sot është stërkeq dhe është banalizuar deri në thuaja një betejë e humbur për të restauruar dialigun e dikurshëm.

Për të ilustruar me përmbajtje debatin apo të folmen me rrotlla Sali Zogjani tregoj disa anekdota që argumentonin këtë mënyrë të komunikimit ku mesazhet e koduara kanë mbërri në destinim pa e lënduar askë. Për aspekte krahasuse të ligjërimit debatuan Skender Boshtrakaj Inis Gjoni, Klara Shehu, Inis Gjoni, Agron Gërguri.



Shfaqja “Engjëjt” si identitet i dhembjes
Reflektimi i s’brendshmës me hijen e pasqyrës për të shpreh përmbajtjen e tragjikës që mbanë në shpirt Hana personazhi i dramës “Engjëjt” autor Odise Plaku.

Derisa ndër vite përsëritet e njëjta pyetje që pret përgjigje ku janë…Nënë Hana i kthehet vetvetes e zhytur në lotët e dhembjes.

Loti nuk është ujë por çekan i gjykatores që pret ta rrah dikush për ta quar në vend drejtësinë e munguar. Në vend të drejtësisë ndërtojnë përmendore që ngrehin lartë zbuluesit në një akt solemn derisa dhembja gërryen?

Përmendoren e përjeton si pajtesë me vdekjen, si keqpërdorim të tragjikës derisa dhembja nuk shërohet përkundrazi nëna vazhdimisht kthehet  tek ngjarja e trisht kur i kanë marrë fëmijët dhe ngre  dilema e dyshime për veprimet e saja a ishin të duhura apo jo. Flet me ndërgjegjen e saj  e vetëngarkon veten me fajin që nuk e ka derisa në jetën publike bëhen pazare me dhembjen. Loti shpërthen si vërshim i dhembjes  mbush kovat dhe zbraz por pa ndryshim në gjendjen e saj, pritja vazhdon …Nëna nuk ndalet s’kërkuari rrugë për të mbërri deri te fati i fëmijëve.

E këputur shprese nga ndotësit e kohës që nuk dëgjojnë  për kë bien këmbët ajo këlthet “A bëjmë mëkat që kërkojmë ata që kemi lindur”. Vuajtja e saj bëhet provë që gërruen ndërgjegjen e kujtëdo qoft apo secilit…e tëra është fatale sepse ka kaluar në psikologji nga vetmia në vetmim…por Hana del përtej dhe nis të rinovojë jetën  për të dal tek fuqia e vullnetit për jetën duke r firmosë me shpirtin e saj IDENTITETIN e dhembjes. 

Autori i shfaqjes Naser Shatrolli e kishte zbërthyer estetikisht dhembjen duke nxjerr disa idioma teatrore që përqonin emocione të fuqishme . Mizinskena e organizuar mirëm temporitmi, dinamika e shfaqjes ishin në shërbim të rrëfimit.

Aktorja Vafi Redhi e kishte mishëruar personazhin e Hënës nga niveli i reagimit social deri  në nivel psikologjik. Ajo me veprime foljore plotë ngjyra të dhembjes, fuqi emocionale, veprime fizike që zbërthenin gjendjen e personazhit duke nxjerr në dritën e skenës përmbajtjen e dhembjes fuqishëm dhe të latuar  estetikisht.

Muzika, skenogragia dhe ndriçimi kontribuuan në pataqitjen dhe zbërthimin e temës së shfaqjes. 

Në Etno nejë mysafirët i argëtoj grupi Rilindja.

Etno fest me përmbajtjen e programeve po e përmbushë misionin në organizimin, prezantimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe trajtimin e saj modern përmes arteve të ndryshme që e ushqejnë njëra tjetren dhe krijojnë identitetin e Etno Festit./ KultPlus.com

Në Mitrovicë hapet akademia ‘International Piano Balkan Academy’, thirren për aplikim artistët e rinj

Për herë të parë në Kosovë, një shtëpi me famë botërore në fushën e muzikës klasike, që realizon regjistrime CD dhe albume për artistë të njohur ndërkombëtarisht, po vjen për të kontribuar në Kosovë përmes International Piano Balkan Academy, e cila është hapur në Mitrovicë.

IPBA në Kosovë është hapur nga pianistja Melisa Ibrahimi, ku president dhe drejtor artistik ështe profesori me famë botërore Giuseppe Devastato.

Kjo akademi ka për qëllim të mbështesë pianistët e rinj nga Kosova dhe Ballkani, duke u ofruar mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre përmes koncerteve, regjistrimeve profesionale, përgatitjes për gara ndërkombëtare dhe bursave për studime jashtë vendit.

Një mundësi e tillë nuk ka ndodhur më parë në Kosovë apo në rajon, dhe aplikimet janë hapur për vitin akademik që nis nga shtatori deri në qershor.

Gjatë këtij viti, studentët do të përfitojnë:

• Koncerte Recitale në Evropë

• Regjistrim profesional të një albumi CD me KNS Classical

• Bursa për studime ndërkombëtare në Evropë

• Përgatitje intensive për gara pianistike të nivelit të lartë Profesor i akademisë është Giuseppe Devastato, pianist i njohur botërisht, anëtar jurie në konkurse prestigjioze ndërkombëtare dhe pedagog në tri universitete në Spanjë dhe Itali./ KultPlus.com

Kelmendi, thesari magjik i Malësisë së Madhe, Rama ndan pamje

Në çdo cep të Malësisë së Madhe gjenden gjurmë të një historie të thellë, natyrë e paprekur dhe mikpritje që të mbetet në mendje. Në zemër të kësaj zone ndodhet Kelmendi, një destinacion që nuk njeh kufij sezonalë dhe që dita-ditës po shndërrohet në një pikë referimi për turizmin malor në Shqipëri.

I rrethuar nga fshatra me arkitekturë alpine dhe histori shekullore, Kelmendi të fton në një udhëtim të paharruar, ku çdo vizitë është një përjetim unik. Ushqimet tradicionale, mikpritja e ngrohtë e banorëve, peizazhet e egra dhe të paprekura, e kanë kthyer këtë zonë në një perlë turistike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kelmendi, duke e cilësuar atë vend si “magjik”.

Zona ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të shumëllojshëm. Ecje në shtigje të pashkelura, eksplorim i shpellave të lashta, lundrim me kajak në lumin e kthjellët të Cemit, apo kalërim përmes peizazheve të egra, të gjitha janë përvoja që të lidhin me natyrën.

Një nga pasuritë më të veçanta të Malësisë së Madhe janë shpellat, që jo vetëm mahnitin me format e tyre natyrore, por edhe zbulojnë të dhëna të rëndësishme për jetën e hershme njerëzore. Shpellat më të njohura ndodhen në Kelmend, Shkrel, Kastrat dhe Gruemirë, dhe janë një thesar për eksploruesit dhe studiuesit.

Qoftë verë apo dimër, Kelmendi mbetet një destinacion për këdo që kërkon turizmin malor, larg zhurmës, pranë natyrës, historisë dhe shpirtit të saj malësor./atsh/ KultPlus.com

Përzgjidhen projektet e dhjetë animatorëve të rinj – Përfundon me sukses edicioni i parë i iniciativës Anibar Pro – Genesis

Gjatë edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, u përmbyll me sukses iniciativa më e re profesionale Anibar Pro – Genesis. Në këtë ngjarje të veçantë u duartrokit progresi dhe potenciali i talentëve të rinj në industrinë e animacionit.

Kjo nismë francezo-kosovare, e realizuar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze në Kosovë, është kthyer në një shtyllë të rëndësishme të misionit të festivalit për fuqizimin e krijuesve të rinj dhe zhvillimin e industrive kreative në rajon.

Gjatë pesë ditëve të festivalit i cili mbajt në Pejë, 18 animatorë te rinj prezantuan konceptet e
filmave të tyre para një audience ndërkombëtare të përbërë nga producentë, studio dhe mentorë,
në kuadër të Genesis Pitching Sessions. Programi profesional përfshiu gjithashtu punëtori, panele
diskutimi dhe aktivitete rrjetëzimi me fokus në ndërmarrësi, mentorim dhe tregim etik.

Drejtori Ekzekutiv i Anibar, Vullnet Sanaja, vlerësoi ndikimin e programit Genesis dhe ndau vizionin e tij për të ardhmen, duke theksuar se kjo iniciativë ishte vetëm faza e parë e një rruge të
gjatë që do të vazhdojë me më shumë mundësi për zhvillim, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe
mbështetje të drejtpërdrejtë për krijuesit e rinj.


Momenti kulmor i ngjarjes erdhi kur anëtarët e jurisë – Olivier Catherin, Corinne Destombes dhe
Manon Messiant, figura të njohura të animacionit evropian, shpallën dhjetë projektet e përzgjedhura që do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre nën përkujdesje profesionale:
● Albana Hajdini – Stick With Me
● Alisa Fejza – Fading Echoes
● Bleona Brahimi – Inside the Box
● Diellza Franca – At Hana’s
● Erza Qorrolli – Engji
● Finesa Peja – Cice!
● Kaltrina Berisha – Imagine if You Can’t Imagine the Imaginable
● Leonita Thaqi – Liminal
● Rina Lasku – No More Dirt
● Yll Avdiu – As the Forest Whispers

Të përzgjedhur për origjinalitetin, vizionin dhe potencialin e tyre artistik, këta krijues të rinj do të përfitojnë nga mentorim i strukturuar, punëtori dhe masterklasa me producentë e ekspertë të animacionit. Secili prej tyre do të lidhet me një nga producentët që takuan gjatë Genesis, duke siguruar kështu udhëzim të vazhdueshëm për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tyre.



Me përfundimin e edicionit të parë, Anibar Pro – Genesis është pozicionuar si një shtyllë e fuqishme në kuadër të festivalit. Më shumë se një platformë për përzgjedhje të projekteve, ky program shndërrohet në një inkubator të qëndrueshëm kreativ që ndërton ura mes animatorëve të rinj në Kosovë dhe tregut ndërkombëtar.

Ndërsa perdet mbyllen për këtë edicion, një gjë është e qartë: zërat e këtyre të rinjve sapo kanë
nisur të dëgjohen. Gjenerata e re e animatorëve është këtu, dhe e ardhmja e tyre duket premtuese./ KultPlus.com

‘Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm’ prezantohet në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment

Profesori universitar, Fitim Uka ka njoftuar se libri “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” do të prezantohet edhe në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, profesori Uka ka thënë se prezantimi i librit  në Cambridge University Press, është vulë e një suksesi të padiskutueshëm.

“Po, po, hiq më pak se në librin e Cambridge University do të shkruhen emrat e një gjenerate të re studiuesish nga Kosova. Ata do të jenë autorët e një kapitulli që e prezanton psikoterapinë tonë në mbarë botën.

Një herë Wiley, e tash edhe Cambridge University Press, janë vula e një suksesi të padiskutueshëm.

Mirënjohës për mbështetjen dhe mbani mend këta emra: Arian Musliu, Rineta Maliqi, Vanesa Sopjani, Lum Zharku, Adela Bajrami, Lira Baliu, Albina Statovci, Fjolla Rexha, Loretë Tovërlani, Drin Shehu, Erestina Uka, Altina Limani”, ka shkruar profesori Uka./ KultPlus.com

E bëri shqiponjën, garuesi i Kosovës diskualifikohet në garën në Mal të Zi

Sportisti nga Gjakova, Shkëlzen Goqi, është diskualifikuar nga gara tradicionale e kërcimeve në ujë nga “Ura e Vezirit” në Podgoricë, pas një gjestikulacioni me simbolin e shqiponjës dykrenare.

Gara u mbajt të shtunën për herë të parë pas 15 vitesh, ndërsa para kërcimit, Goqi përshëndeti publikun duke bërë simbolin kombëtar shqiptar. Ky veprim u konsiderua si “provokim” nga një pjesë e shikuesve dhe organizatorëve, duke çuar në përjashtimin e tij nga gara dhe ndalesë për pjesëmarrje të ardhshme.

Organizatori Edvald Krniq dhe autoritetet lokale e cilësuan gjestin si shkelje të rregullave të sjelljes sportive, ndonëse nuk ekziston ndonjë ndalim zyrtar për simbole të tilla në garë. Goqi për KOHËN deklaroi se u përball me ofendime dhe kërcënime nga huliganë serbë, por se nuk ishte provokim, por shprehje krenarie kombëtare.

Diskualifikimi i tij ka nxitur debat mbi lirinë e shprehjes në sport dhe ndikimin politik në ngjarje sportive në rajon.

Rikthehet fuqishëm ikona e muzikës Armend Rexhepagiqi, me një koncert madhështor promovon albumin me shtatë këngë

Vjollca Duraku

Ikona e muzikës, Armend Rexhepagiqi, përmes një koncerti madhështor mbrëmë ka shënuar një rikthim të fuqishëm në skenën muzikore me promovimin e albumit “Dashuri e Vjetër”, shkruan KultPlus. Shtatë këngët e projektit të tij më të ri erdhën si dhuratë për publikun e tij besnik, pas një mungese të gjatë kohore, duke dhuruar emocione kulminante. Interpretimi i temave emocionale me një thelb të thellë artistik, padyshim që e pozicionon artistin Rexhepagiqi në majë të industrisë muzikore, e posaçërisht në vendin ku çdo krijues e adhuron, në zemrat e publikut.

I njëjti zë, stil dhe identitet muzikor me shumë ndryshime në mënyrën e qasjes ndaj tematikave specifike e rikthenin Rexhepagiqin në një pasqyrues të pjesëve më të thella të njeriut, deri aty ku dhimbja dhe dashuria bëhen një, dhe njeriu merr përmasa hyjnore. Tema e dashurisë, ndarjes, nostalgjisë, pendesës e kujtimeve dominuan në këtë koncert që rrëmbente me vete publikun në çdo moment. Ndërkaq, ironia therëse e shprehur në fjalë të thjeshta përmes një autenticiteti personal ishte ‘specialitet’ i artistit që depërtonte lehtësisht në qenien e secilit duke të ftuar në vetë-reflektimi të thellë.

Koncertit të shumëpritur i parapriu një kolazh fotografik, ku paraqiteshin momente të veçanta nga jeta personale dhe profesionale e tij, duke përfshirë bashkëshorten, bashkëpunëtorët dhe paraqitjet muzikore që shënuan kthesë në karrierën e tij të bujshme muzikore. Pas pak, një tym i shpërndarë në skenën gjigande ishte paralajmërimi i fundit për këtë takim të shenjtë në mes të artistit dhe publikut që me padurim priste të përfshihej në artin e tij.

Kënga “Dashuri e Vjetër” shënoi fillimin e një nate të paharrueshme, e cila e përjetësoi krijimtarinë muzikore të artistit përmes albumit me të njëjtin titull. Kjo baladë nostalgjike prek në ndjesi emocionale për një dashuri të humbur duke kërkuar rikthimin e saj. Tendenca për rifillmin e një relacioni paraqitet si kontrast me titullin “Dashuri e Vjetër”. Teksti poetik i Aida Barakut i kombinuar me zërin e ndjeshëm të artistit janë një kombinim i fuqishëm për këtë influencë të madhe muzikore.

“Ti nuk më meriton”- një projekt i mëhershëm muzikor ishte pjesë e mbrëmjes po ashtu, duke paraqitur elementet e pasojave të një dashurie të njëanshme që dërgon në përpjekje sfilitëse, vuajtje, depresion dhe ndërtim të karakterit të brendshëm duke e rikthyer njeriun përsëri te vetja dhe te fuqia e tij. Ndërsa, këngët “A don hala” dhe “Tavolina e mërzisë” me tekst të Aida Barakut ishin këngë ‘mysafire’ në këtë promovim perlash. Të kënduara në stilin unik të këngëtarit Rexhepagiqi, këngët nga ana e publikut që përbëhej nga të gjitha moshat përjetoheshin si krijime krejtësisht të reja.

“Thuhet që pas një burri të sukseshëm qëndron një grua e mençur. Te unë kjo nuk vlen. Ajo është shumë para meje, dua t’i them nga këtu faleminderit, të dua shumë. Një duartokitje të madhe për Aida Barakun. Të dua zemër”, është shprehur Armend Rexhepagiqi.

Ndërsa, kënga “Boll m’ke dal” që shprehte lodhje emocionale nga një lidhje dashurie, në mënyrë të veçantë shpërfaqte përpëlitjet shpirtërore për tu larguar nga kjo gjendje. Balada të përthithte me një ndjeshmëri të madhe, po aq sa teksti i këngës “Kutia e zezë” që përcjellte ndjenja të thella intime përmes alegorisë së kutisë së zezë. Kurse kënga “Edhe një herë” erdh si homazh për të gjithë të dashurit e këngëtarit të cilët nuk jetojnë në këtë dimension, këngë kjo që preku thellë edhe audiencën.

Këngët tjera të interpretuara mbrëmë ishin: “Ma ke nal”, “So dashni”, “Harrova”, “Bileta”, “Dashurinë ku e kam”, “Dudije” dhe “Bilbili”. Përderisa, kënga më ritmike e albumit të ri “Krejt Prishtinën për ditëlindje” që shpërfaqë një dedikim emocional duke kërkuar riparimin e marrëdhënies në një moment special si “Ditëlindja” shënoi fundin e koncertit, ku u prezantuan me këngë edhe këngëtaret e njohura Fifi dhe Ronela Hajati.

Duke qenë falënderues për përkrahjen e shtetit të Kosovës, këngëtari Rexhepagiqi ka thënë se me kënaqësi do të vazhdojë punën e tij prej artisti.

“Në njëfarë mënyre jam edhe më i obliguar të vazhdoj të punoj dhe të arsyetoj këtë besim. Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen. Me kënaqësi shumë të madhe i falënderoj të gjithë sponsorët e këtij koncerti”, është shpehur Rexhepagiqi, duke bërë edhe thirrje për paqe në botë.

“Muzika më parë ka një mision. Të përçojë dritë. Secili nga ju, të gjithë ne nga Prishtina, nga Kosova bëjmë apel për paqe në tërë botën përmes një duartrokitje. Bota ka nevojë për mirësi! Ju faleminderit!”, ka bërë apel artisti duke ftuar publikun për një duartrokitje të madhe.

Koncerti është vlerësuar lart edhe nga figura të shquara nga bota e artit dhe e kulturës, të cilët këngëtarin Armend Rexhepagiqi e cilësuan si artist të rrallë me një art muzikor të jashtëzakonshëm.

Drejtoresha e Mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se Rexhepagiqi është artist që ka pasur ndikim në krijimin e memories kolektive.

“Harrova” “Shkel” “Oj Dude, Dudie” ishin këngët që i këndonte publiku, edhe pa Armendin, por edhe kënga e re “Dashni e vjetër” ishte ngjizur në memorien e adhuruesve të tij, që kumbonte në hapësirën e parkingut të Prishtinës, që për një natë të vetme shndërrohet në një energji Prishtine, për tu kthyer sërish në një hapësirë pa jetë. Se nëse Armendi është brenda shijes së secilit, është vështirë të thuhet, se artistët kanë audienca të ndryshme, por se është kujtesë kolektive, definitivisht po. Mbrëmë, prindërit që luftojnë me fëmijët e tyre për çështje adoleshence, për nje moment u shndërruan po në ata adoleshentë. Burra e gra të rritur me një shpirt të rinuar!”, thënë drejtoresha Pajaziti.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila nga afër ka ndjekur koncertin ka thënë se çdo akord i artistit Rexhepagiqi ka rikthyer ndienja, emocione dhe nostagji për krijimtarinë që sipas saj që sfidon kohën.

“Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme. Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja.  Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostagji dhe për krijimtarinë që sfidon kohën”, ka shkruar presidentja Osmani.

Kurse, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se artistët si Armend Rexhepagiqi janë të rrallë.

“Artistët si Armend Rexhepagiqi janë të rrallë. Zëri, ndjeshmëria dhe muzika e tij kanë lënë gjurmë në kulturën tonë. Koncerti i tij i mbrëmshëm ishte fantastik. Një rikthim i shumëpritur i një prej artistëve tanë më të veçantë, me albumin e ri ‘Dashni e vjetër”, ka shkruar ai në facebook.

Ndërkaq, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se koncerti i Armend Rexhepagiqit, “Dashuri e vjetër” ka ndezur shpirtin e gjithë qytetit.

“Prishtinë je ma shumë se qytet, je ndjenjë, je melodi që nuk ndalet kurrë! Armend, ky nuk ishte veç koncert, ti ndeze shpirtin e një qyteti të tërë”, ka shkruar Kryetari Rama në facebook.

Artisti Armend Rexhepagiqi pas koncerti “Dashuri e Vjetër” të mbajtur prapa Pallatit të Rinisë, do të prezantohet edhe në Shkodër, në Festivalin “ZaFest”, më 25 korrik./ KultPlus.com

Vilë romake me mozaikë nën themele, Gonxhja: Riprojektohet nga arkitekt spanjoll shkolla ‘Gjergj Kastrioti’

Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.

Bëhet fjalë për një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se menjëherë pas zbulimit, është hartuar Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga arkeologu prof. Luan Përzhita, që i hapi rrugën konservimit dhe studimit të detajuar të gjetjeve.

“Kjo vilë romake përfaqëson një pasuri të rrallë për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dhe krahasohet për cilësi me ato të zbuluara në Italinë jugore dhe qendrore”, tha Gonxhja.

Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke ndërtuar një koncept ku ndërthuren edukimi dhe trashëgimia. Projekti i ri do të mundësojë ekspozimin publik të gjetjeve, duke i integruar ato në infrastrukturën e shkollës.

Ky është një model unik zhvillimi që synon transformimin urban dhe arsimor të qytetit, si dhe promovimin e turizmit kulturor.

Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, do të ndjekin nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e gjetjeve në projektin e ri.

“Ky është një shembull konkret i vizionit për zhvillim të integruar urban, edukativ dhe turistik”, përfundoi ministri Gonxhja./atsh/ KultPlus.com

Studentët e Universum pjesë e një projekti ndërkombëtar me Gjermaninë dhe Keninë

Studentët e Universum International College kanë qenë pjesë e një eksperience të jashtëzakonshme ndërkombëtare që bashkoi të rinj nga Kosova, Gjermania dhe Kenia në një projekt të përbashkët me ndikim global.

Faza e parë e këtij projekti nisi në Kosovë, ku studentë nga Gjermania udhëtuan drejt kampusit të Universum për të punuar së bashku me studentët tanë në tema me rëndësi sociale dhe kulturore. Për një javë, kampusi i Universum u kthye në një qendër të energjisë rinore, shkëmbimit të ideve dhe punës kreative ndërkulturore.

Pas kësaj faze, studentët e Universum së bashku me studentët nga Kenia udhëtuan në Gjermani, ku vazhduan punën në projekt dhe morën pjesë në aktivitete të shumta akademike, kulturore dhe sociale. Gjatë qëndrimit atje, ata prezantuan rezultatet e punës së tyre, u përfshinë në panele ndërkombëtare dhe ndërtuan rrjete të reja bashkëpunimi me studentë nga vende të ndryshme të botës.

Ky projekt tregoi edhe një herë se studentët e Universum janë të gatshëm të përfaqësojnë denjësisht Kosovën në çdo cep të globit, me profesionalizëm, kreativitet dhe vizion të qartë për të ardhmen.unnamed (1).jpg

🌐 Universum International College vazhdon të jetë lidere në ofrimin e mundësive ndërkombëtare për studentët e saj, përmes projekteve ndërkombëtare, bursave Erasmus+ dhe bashkëpunimeve globale që forcojnë arsimin dhe krijojnë qytetarë të botës

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, info@universum-ks.org ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./KultPlus.com

Ministri Çeku: Rikthim emocionues i Armend Rexhepagiqit me albumin “Dashni e vjetër”

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar lart rikthimin e këngëtarit dhe kantautorit të njohur Armend Rexhepagiqi, pas koncertit të mbajtur mbrëmë në Prishtinë.

Përmes një postimi, ministri Çeku tha se artistë si Rexhepagiqi janë të rrallë dhe të pazëvendësueshëm në skenën muzikore shqiptare. Ai përshkroi koncertin si “fantastik” dhe theksoi se zëri, ndjeshmëria dhe muzika e artistit kanë lënë gjurmë të thella në kulturën tonë.

“Një rikthim i shumëpritur i një prej artistëve tanë më të veçantë, me albumin e ri ‘Dashni e vjetër’. Një natë ku emocionet, kujtimet dhe krijimtaria u shkrinë në një performancë që prek zemrën,” u shpreh ministri Çeku.

Albumi i ri i Rexhepagiqit është mirëpritur me entuziazëm nga publiku, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e muzikës së tij për të prekur gjenerata të tëra./KultPlus.com

Presidentja Osmani për koncertin e Armend Rexhepagiqit: Një natë magjike e mbushur me emocion dhe nostalgji

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas koncertit të mbajtur nga artisti i njohur Armend Rexhepagiqi, duke e quajtur ngjarjen një natë të paharrueshme që bashkoi emocionin, kujtimin dhe dashurinë për muzikën.

“Në një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme,” – shkruan Osmani, duke vlerësuar thellësisht ndikimin që artisti ka pasur në breza të tërë.

Ajo e përshkroi Rexhepagiqin si një artist me zë që “sfidon kohën” dhe një shpirt që “rrëmben zemrat e shumë gjeneratave”, duke e cilësuar performancën si një udhëtim ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja.

“Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostalgi dhe për krijimtarinë që sfidon kohën!” – përfundon mesazhin e saj Presidentja Osmani./KultPlus.com

Sibel Halimi: Muzika e Armend Rexhepagiqit bashkoi gjenerata dhe emocionoi Prishtinën

Mbrëmë, Prishtina u bë një zë i vetëm me këngët e Armend Rexhepagiqi, duke bashkuar kujtime e shpresa të gjeneratave të ndryshme.

Në një njoftim nga Drejtoria e Kulturës, drejtoresha Sibel Halimi theksoi se arti dhe kultura na kujtojnë se dashuria për vendin nuk është vetëm ndjenjë, por burim që na mban të gjallë dhe të lidhur.

“Përmes muzikës së tij, Armendi na tregoi se kjo dashuri rritet sa herë që e mbajmë gjallë mes njerëzve”, thuhet në njoftim.

Koncerti u përmbyll me emocione të forta dhe duartrokitje të gjata, duke e shndërruar natën në një moment të veçantë për kryeqytetin.

Kur poeti shkruan

Kur poeti shkruan, 
toka lëvizë pakëz 
në vendlindjen e parardhësit të tij. 

Nga fjalori nisin të bien gërma. 
Një djalosh shkruan një grafit me ngjyrë të kuqe: 
mesazh që shënohet në gjuhën spanjolle. 

Kur poeti shkruan, 
kuvendojnë brezat, 
ndërrohen kohët. 

Diku shtresohet shkëlqimi. 
Diku një përmendore e rëndësishme lehtë përkulet. 
Kur poeti nisë të shkruaj, 
e bën këtë përmes ëndrrës dhe kryeneçësisë. 

Pikëla shiu marrin fuqi në një libër. 
Ai libër do bëhet ujë. 
Në atë çast – 
pasardhësit dyshues nuk e vlerësojnë, 
prozatorët ngazëllehen, 
piktorët bashkëndiejnë. 

Kur poeti shkruan, 
rrokë përvoja të poetëve të amshuar, 
rijetëson brengat e tyre. 

Në një vend plasaritet shtegu, 
që të hyjë lagështia në zërin e dikujt që ka diçka për të kumtuar. 
Palpon qarkullimin e vet poeti 
teksa shkruan. 

E lë në kopertinë emrin e një gruaje: 
ajo grua njëherë ka qenë Dezdemonë. 
Murosë ai poeti – me guralecë, 
me të njëjtit që ishte gurëqëlluar. 

E mandej, 
mbulohet me një grusht dheu. 

KUR POETI E KRYEN POEZINË 

Kur e kryen poezinë, 
nuk mund ta besojë poeti se për çfarë shkroi. 

Që ka hyrë në diskutime teologjike, 
që i është tëhuajësuar vetes, 
që kërkon shtëpi tjetër, 
dashuri tjetër 
dhe fat tjetër. 

Kur e kryen poezinë, 
e kupton që e ka thënë dhe atë që nuk e kishte menduar, 
që i janë përvjedhë dhe fjalë të huaja. 

Pastaj që, nuk e di kush është, nga është. 
Që ka hulumtuar dete, 
– ende vijon të mbetet ai që gjurmon dashurinë? 
Dikush do të thotë që kjo ishte 
veç replikë mbi aromat. 

Kur e kryen poezinë, 
poeti e kupton që është veçse në fillim. 

Që nuk ka lëvizë, 
sikur e gjithë ajo kohë ka ecur mbrapsht. 
Qorrazi duart kanë bërë lëvizje qarkore. 
Ai pikërisht, atëherë, ia nisë. 

Kur e kryen poezinë, 
atëherë nisë të kuptojë, 
që asnjëherë dhe asnjë poezi, 
faktikisht, s’ka për ta përfunduar. 

KUR MENDON SE U BË POET… 

Kur poeti e kërkon temën, 
kryqëzohen rrugët njëkahëshe. 

Stopohet karuseli, stepet njeriu, 
letrat flatrojnë gjithandej, 
kërkojnë adresa të moçme. 

Ndjehet fajtor poeti 
për atë që s’e ka bërë. 
Biles më shumë se për vetë ato që ndanë bashkëfajësinë. 
Përfundon në mes të verës motmoti – 
erëmon në qafën e një gruaje bergamoti. 

Epoka e tij është mendimi i trishtë i botës. 
Beson që e gjithë kjo s’i ndodhë veç atij, 
s’ndodhë veçse në atë çast. 

Përderisa shkruan poeti, 
është barrë e kohës. 
Dhe zgavër në mes kohësh. 
Nëse e mbanë veten, 
e pranon humbjen me klas, 
përshëndetë dhe dëshpërimtarët e panjohur. 

Dhe nisë e kupton se sa është larg vetes, 
se sa nuk është ai që donte të bëhej. 

Pavle Goranoviqi (1973), shkrimtar malazez. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe shpërblyer disaherësh. 

Shqipëroi: Argëzon Sulejmani 

Saranda, destinacioni i preferuar i fundjavës, Rama ndan pamje nga plazhet plot me turistë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga plazhet e Sarandës, ku fundjava ka sjellë një tjetër fluks të lartë vizitorësh, vendas dhe të huaj.

Saranda vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të sezonit veror, falë ujërave të kristalta, shërbimeve turistike në rritje dhe mikpritjes që e karakterizon prej vitesh.

Fluksi i turistëve në qytetin jugor dëshmon jo vetëm për popullaritetin në rritje të Rivierës shqiptare, por edhe për ndikimin pozitiv që turizmi po sjell në ekonominë vendase.

Vitet e fundit Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në mediet ndërkombëtare për sa i përket klasifikimit të vendit si një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët huaj, ku spikatin qytetet si Ksamili, Saranda dhe Vlora./atsh/KultPlus.com

Dashnia e vjetër me Armend Rexhepagiqin

Shumë shpesh kam parë artikuj të ndryshëm botëror për radhët e gjata të qytetarëve për të takuar një shkrimtar, për të prerë një biletë për koncerte të operave, për të takuar ndonjë futbollist, apo ndonjë figurë të njohur.

Shkruan: Ardianë Pajaziti

Kur them radhë, e kam fjalën rresht për dy, dhe jo turmë. Se turma kemi parë shumë edhe në Kosovë. Por mbrëmë, këtë radhën rresht për dy e pashë me sytë e mi. Radha ishte shumë e gjatë, prerjen e bënin semaforët, për të vazhduar më tutje drejt ngjalljes së emocioneve të fshehura.

Shumica gjeneratë e viteve të 70-ta, por që kishte edhe mbi këtë moshë e deri te moshat më të reja pritnin në radhë për tu futur në koncertin e rikthimit të këngëtarit Armend Rexhepagiq, dhe përderisa pritnin, ishte një ndjenjë ndryshe.

Takonin, takonin dhe takonin bashkëmoshatarë, shokë të dikurshëm të klasave, të shkollave, të aktiviteteve të ndryshme, që nuk ishin parë për shumë vite. Armendi i kishte mbledhë, sikur të ishte një takim gjenerate, takim nostalgjie, takim i rinisë!

E pashë një burrë afër të 50-ave që për herë të parë merrte pjesë në një koncert, dhe se këtë vendim e kishte marr vetëm për kujtimet e këngëve të Armend Rexhepagiq, një grua me karrocë që e shoqeronin familjarët e saj, dhe një tjetër që festonte datëlindjen e 50-të, dhe pikërisht për datëlindjen e tij, e gjithë Prishtina kumbonte “Krejt Prishtinën për ditëlindje.

“Harrova” “Shkel” “Oj Dude, Dudie” ishin këngët që i këndonte publiku, edhe pa Armendin, por edhe kënga e re “Dashni e vjetër” ishte ngjizur në memorien e adhuruesve të tij, që kumbonte në hapësirën e parkingut të Prishtinës, që për një natë të vetme shndërrohet në një energji Prishtine, për tu kthyer sërish në një hapësirë pa jetë.

Se nëse Armendi është brenda shijes së secilit, është vështirë të thuhet, se artistët kanë audienca të ndryshme, por se është kujtesë kolektive, definitivisht po.

Mbrëmë, prindërit që luftojnë me fëmijët e tyre për cështje adoleshence, për nje moment u shnderruan po në ata adoleshentë. Burra e gra të rritur me një shpirt të rinuar!/KultPlus.com

❌