Insistimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani muaj më parë për të hequr tarifat ndaj produkteve amerikane që futen në vend, si një sinjal që i dërgohet SHBA-ve dhe administratës Trump për bashkëpunim, më në fund i është përgjigjur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Duke hequr në këtë mënyrë tarifat për mallrat që hyjnë nga SHBA. Ish-ministri i Financave, Haki Shatri në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News tha se është një vendim i shumëpritur dhe se do të duhej të ishte marrë më herët.
Gjatë intervistës, nënvizoi se veprime të tilla ndikojnë në përmirësimin e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është një vendim i mirëpritur edhe pse është mjaft i diskutueshëm. Për të gjitha vendimet është në diskutime se sa janë të qëndrueshme apo të ligjshme, jo vetëm kjo e tarifave. Megjithatë është një veprim i mirë që duhet të ishte bërë më herët. Mund të them që efekti në ekonomi edhe në buxhet është shumë simbolik. Pra është një ndikim simbolik në ekonomi e buxhet, por është një vendim shumë i mirëpritur për shkak të raportit me aleatët”, tha Shatri.
Më tej gjatë intervistës, theksoi se sipas tij e sheh si një vendim të marrë nën presion.
“Këtë vendim mund të them që e ka marrë shumë vonë dhe nën presionin e opinionit. U prit shumë gjatë pasi është dashur shumë më herët. Dhe të gjitha veprimet me aleatin tonë kryesor duhet të harmonizohen sepse gjithmonë kanë qenë në funksion të stabilizimit të vendit”, u shpreh më tej ai.
Ndër të tjera u shpreh kritik ndaj qeverisjes së Kurtit duke thënë se ka ideologji marksiste dhe se vendimet e marra nga vetë ai kanë treguar që kanë qenë në dëm të Kosovës.
“Nuk ka avancuar raportet me aleatët dhe të gjitha veprimet i ka bërë në dëm të Kosovës”, shtoi ai.
/abcnews.al/