Dhimitër Shuteriqi, studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë shqipe
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Më 22 korrik të vitit 2003 u nda nga jeta akademiku Dhimitër Shuteriqi.
Akademiku i lindur në 26 korrik 1915 në Elbasan, ishte shkrimtari dhe studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë sonë. Dhimitri ishte i biri i Simon Shuteriqit, një prej anëtarëve të Kongresit të Elbasanit 1909. Mësimet fillore i kreu pranë vendlindjes në Normalen e Elbasanit e më pas shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës dhe universitetin në Francë në Grenoble për filozofi.
“Nëse puna shkencore më çoi të qëmtoj fjalët e shkruara shqipe përpara vitit 1555, e bëra sepse, përpara atij viti, na kanë mbetur vetëm 3-4 fraza shqipe, po dhe se më ra në sy që, si emra njerëzish e vendesh, fjalët shqipe të regjistruara nëpër dokumentet e huaja nuk ishin pak. Puna më tregoi se mund të qëmtoja rreth 300 për 30 vjet”, shprehej ndër të tjera Shuteriqi në një intervistë të dhënë në vitin 1989.
Tradita e hershme e shkrimit shqip u studiua dhe botua në korpusin e botimeve të autorit, i cili gjurmoi fjalēn shqipe që nga shek. XIV-të duke lënë pas një varg veprash me rëndësi të shumëfishtë.
Me kthimin në atdhe, në 1942-shin, Dhimitër Shuteriqi u bë pjesë aktive në Luftën ANÇ. Ai krahas funksioneve politike gjatë regjimit komunist mbante edhe postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik.
Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, ka marrë Çmimin e Republikës së shkallës së parë. Pjesëmarrjës si delegat i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe autor e recensues i një sërë veprash me tema historike. Për publikun njihet me romanin me dy volume “Çlirimtarët” dhe “Historia e letërsisë shqiptare”. Në krijmtarinë e tij studimore do të shënohen edhe studime për shumë figura të historisë së Shqipërisë si Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Ismail Qemali, Dora d’Istria, A. Z. Çajupi e të tjerë. /j.p/
The post Dhimitër Shuteriqi, studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.