Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Specialja pranon prova nga Serbia, por a do të merren ato si të besueshme? – flasin juristët

Gjykata Speciale ka marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve në prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të cilat kanë ardhur nga Serbia, këtë të papranueshme e ka konsideruar ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kurse njëjtë nuk thonë edhe njohësit e kësaj gjykate që thonë se pranimi i këtyre provave është diçka tjetër, e besueshmëria diçka tjetër.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Gjykata Speciale ka marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve si prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Këto dokumente kanë qenë të ndara në tri anekse, e që në njërin prej tyre, janë kryesisht dokumente që kanë ardhur hiç më pak se nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe struktura të tjera të këtij shteti.

Një ditë pas raportimit për vendimit, janë ka ngjallur reagime të ashpra në Kosovë.

Madje e tillë ishte edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që reagoi me anë të një postimi në Facebook.

“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.”

Ajo vendimin e ka vlerësuar të papranueshëm, duke thënë se pranimi i këtyre materialeve përbën deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri.

“Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë. Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë.  Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit”, ka shtuar Haxhiu.

Por, reagimin e Haxhiut dhe të tjerëve, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e konsideron më shumë emocional ose politik sesa racional.

Ai thotë se provat mund të pranohen, por që të njëjtat pastaj verifikohen nga Gjykata.

“Në rastin konkret nuk domethënë që provat janë të besueshme, pra pranueshmëria e provave është diçka tjetër, dhe në fund, kur bëhet vlerësimi i provave personale dhe materiale, bëhet edhe vlerësimi i besueshmërisë dhe kredibilitetit të secilës provë, veç e veç. Në rastin konkret, provat mund të pranohen nga shteti i Serbisë, por besueshmëria dhe kredibiliteti do të vlerësohen”, ka thënë Alija.

Alija thotë që edhe mbrojtja mund të përdorë prova që burimin e kanë nga Serbia.

“Edhe mbrojtja mundet me i përdorë provat që vijnë nga Serbia, që i kanë shkarkuar nga databaza e Hagës, që janë administruar nga proceset që janë administruar ndaj Millosheviqit ose Gjorgjeviqit”, ka shtuar Alija.

Vendimi për pranimin e provave të reja është marrë më 29 maj 2025, por ai është bërë publik më 25 korrik.

The post Specialja pranon prova nga Serbia, por a do të merren ato si të besueshme? – flasin juristët appeared first on Telegrafi.

OVL e UÇK-së: Skandali që trondit drejtësinë, roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së!

Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kanë shprehur shqetësim pas lajmeve që kanë qarkulluar sot se një ish-roje burgu, që kishte shërbyer në kohën kur Hashim Thaçi ishte i burgosur në Hagë, është rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe i është dhënë roli i prokurorit në procesin kundër krerëve të UÇK-së.

OVL e UÇK-së në një reagim për media theksojnë se Ky zhvillim skandaloz e vendos në pikëpyetje serioze gjithë integritetin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara.

Lexoni të plotë reagimin:

Skandali që trondit drejtësinë: Roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së!

Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin indinjatë dhe shqetësim të thellë lajmin tronditës të publikuar sot në media, sipas të cilit një ish-roje burgu, që kishte shërbyer në kohën kur z. Hashim Thaçi ishte i burgosur në Hagë, është rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe i është dhënë roli i prokurorit në procesin kundër krerëve të UÇK-së.

Ky zhvillim skandaloz e vendos në pikëpyetje serioze gjithë integritetin e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Si është e mundur që një individ me histori direkte të kontaktit dhe mbikëqyrjes së të akuzuarve, të avancojë befas në pozitën e një prokurori?

A është ky drejtësi apo një farsë e ndërtuar mbi urrejtje të kamufluar dhe urdhra të errët politik?

Ky veprim e zhvesh përfundimisht këtë proces nga çdo petk i paanshmërisë. Ai konfirmon dyshimet tona se procesi nuk është as i drejtë dhe as ligjor, por një ndjekje politike e organizuar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

U bëjmë thirrje opinionit publik, shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare që të mos heshtin përballë këtij skandali që rrezikon jo vetëm të drejtat e individëve të akuzuar, por edhe vetë themelet e drejtësisë ndërkombëtare.

Ky nuk është më vetëm një gjykim, kjo është një padrejtësi e montuar, e cila po përpiqet të rishkruajë historinë tonë të lavdishme të çlirimit!. /Telegrafi/

 

The post OVL e UÇK-së: Skandali që trondit drejtësinë, roja e burgut bëhet prokuror kundër UÇK-së! appeared first on Telegrafi.

Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se qëndrimi i disa shteteve anëtare po i jep Serbisë hapësirë për veprime destruktive.

Në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Thaçi theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm.

“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi,” deklaroi ai.

Thaçi gjithashtu kritikoi pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke thënë se kjo situatë po e motivon Serbinë të sillet në mënyrë armiqësore ndaj vendit.

“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën,” theksoi Thaçi.

Ai aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

The post Thaçi: Roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm, BE-ja po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën appeared first on Telegrafi.

Avokati Musa thotë se Ministria e Drejtësisë po punon në favor të ZPS-së, e jo për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Avokati Skënder Musa ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar udhëzimin administrativ që më herët lejonte sigurimin e fondeve shtesë për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me gjykimin në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas tij, fshirja e nenit 11 nga udhëzimi administrativ, nen që mundësonte kërkesa për buxhet shtesë në raste të veçanta, ka rrezikuar seriozisht cilësinë e mbrojtjes në fazën më kritike të procesit.

“Është e tmerrshme që një pushtet shqiptar në Kosovë, një ministri e Drejtësisë që udhëhiqet prej një shqiptari e largon nenin nga udhëzimi administrativ që duhet të paguhen edhe pagesa shtesë që i kërkon mbrojtja në një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën. Dhe në këtë fazë që është vendimtare për që të paraqitet mbrojtja më efikase. Është e pamundshme që çdo ekip tjetër të përgatit në fazën përfundimtare të procesit. Dhe të jetë efektive mbrojtja ashtu e siç ka qenë mjaftë e ashpër Prokuroria Speciale në raport me të akuzuarit dhe me mbrojtjen. Dhe në çdo pikë prokurorët special e kanë shfrytëzuar që mbrojtja të duket sa më e dobët”, ka thënë Musa.

Musa ka shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi Ministrinë e Drejtësisë, duke i fajësuar se “kanë punuar në favor të Prokurorisë Speciale dhe jo në favor të mbrojtjes”.

“Pa asnjë dyshim konsideroj që Ministria e Drejtësisë, personat përgjegjës prej ministri deri personat përgjegjës që janë për financa kanë punuar në favor të prokuroria speciale dhe jo në favor të mbrojtjes’”, ka thënë Musa.

The post Avokati Musa thotë se Ministria e Drejtësisë po punon në favor të ZPS-së, e jo për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Telegrafi.

“15 vjet në burg, zgjodhi lirinë e popullit, jo lirinë e tij” djali i Jakup Krasniqit me një dedikim prekës

Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka thënë se babait të tij po i bëhen 15 vjet në burgje, dhe se kjo po ndodhë pasi ai zgjodhi lirinë e një populli dhe jo lirinë e tij.

Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Krasniqi shkruan tutje se babai i tij zgjodhi luftën kundër gjenocidit serb, e jo heshtjen ndaj tij, transmeton Telegrafi.

“Zgjodhi Kosovën shtet, e jo më kurrë nën Serbi. Në vend që ta shijonte rolin e gjyshit me mbesat e tij, çdo ditë e më shumë po plaket në qeli, larg vendit të tij. Prandaj, sot, ende në moshën 74 vjeçare, po duron padrejtësi. Babë, edhe pse s’munde ta shijosh as rininë, as pleqërinë, e shijove Kosovën e lirë, të cilës aq shumë i dhe”, shkroi mes tjerash ai.

Më poshtë reagimi i tij:

“Nga burgjet e Jugosllavisë, te qelitë e Hagës.

Jakup Krasniqi u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burg nga sistemi fashist i Jugosllavisë, që udhëhiqej nga të njëjtat politika gjenocidale të Serbisë së sotme.

Në rigjykimin që iu bë, u dënua me 15 vite burg, sepse kishte thënë: “Unë nuk jam jugosllav, unë jam shqiptar.”

Megjithatë, ai mbajti 10 vjet, 3 muaj dhe 19 ditë burg, për t’u liruar më 23 korrik 1991.

Rreth tri dekada më vonë, ai vihet sërish në pranga.

Jo nga Beogradi.

Jo nga UDB-ja.

Jo nga serbët.

Por nga ata që u betuan se do të sillnin drejtësi ndërkombëtare.

Ata që heshtën për masakrat e Serbisë, por u ngutën të hapin dosje për çlirimtarët.

Jakup Krasniqi, sot në moshën 74-vjeçare, vazhdon të mbahet në paraburgim, jo për atë që bëri, por për atë që përfaqëson: historinë e lavdishme të një populli, masakrat e të cilit ende nuk kanë gjetur drejtësi, dhe lirinë e një populli të shtypur e të vuajtur që me shekuj ishte lënë në harresë nga bota perëndimore.

I lodhur nga vitet, i rënduar nga mosha, por kurrë i thyer:

Ai është dëshmi e gjallë se liria nuk falet e as nuk fitohet me fjalë, por me burg, me pushkë dhe me jetë.

Ai është turpi i një bote që po gjykon viktimën, ndërsa e përkëdhel kriminelin.

Ai është simbol i asaj që mbështetësit e politikave të Beogradit do ta donin të shlyer: luftën e drejtë të një populli!

Jeta na tregoi se herë është e padrejtë e herë mizore. Këtë më së miri e dëshmon jeta e Jakup Krasniqit, i cili u mbyll në qelitë e ftohta të dy sistemeve të ndryshme:

Dikur nga uniforma jugosllave, sot nga kravata ndërkombëtare.

Dikur sepse kërkoi zërin e lirisë, sot sepse u bë zëri i lirisë!

Prandaj, natyrshëm më vjen pyetja: A jemi të lirë?

Nëse kjo nuk është padrejtësi historike, atëherë çfarë është?

Sa kohë do të qëndrojmë si spektatorë, ndërsa zërat më të fuqishëm të çlirimit mbahen në burg nga një drejtësi që po i shërben narrativës së Serbisë?

Pesha e prangave të Jakup Krasniqit, e mbajtur për këto 15 vite, atë nuk e rrënoi, por do ta rrënojë të ardhmen e Republikës sonë, të formuar nga po ato dy duar që ende i mbajnë prangat e padrejtësisë!

Kjo nuk është thirrje për mëshirë, kjo është thirrje për drejtësi!

Dhe nëse Kosova ende është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk duhet të heshtë.

Sepse sot është ai, nesër mund të jetë fati ynë historik ai që burgoset!

15 vite burg në total.

15 vite në dy botë të ndryshme.

Por të dyja me të njëjtin qëllim: ta heshtin zërin e lirisë!

Por ai nuk heshti. Dhe nuk do të heshtë.

Dhe nëse ne kemi pak ndërgjegje, pak dinjitet dhe pak kujtesë historike as ne nuk duhet të heshtim.

Liria nuk është e plotë derisa i fundit i çlirimtarëve të jetë i lirë.

Kosova nuk do të ketë qetësi, derisa drejtësia të mos e njohë UÇK-në si atë që ishte: ushtria e një populli që kërkoi liri.

Historia nuk e fal harresën.

Dhe kombet që harrojnë, zhduken”./Telegrafi/

The post “15 vjet në burg, zgjodhi lirinë e popullit, jo lirinë e tij” djali i Jakup Krasniqit me një dedikim prekës appeared first on Telegrafi.

Eliza Hoxha: Shteti ka dështuar të mbrojë qytetarët e tij në Hagë

Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha nga Platforma “Liria ka emër” ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës për mënyrën se si e kanë trajtuar raportin me Dhomat e Specializuara në Hagë. Ajo ka theksuar mungesën e llogaridhënies, transparencës dhe mbështetjes institucionale për të akuzuarit kosovarë që po gjykohen atje.

Në një intervistë në emisionin “Five” të Televizionit Dukagjini, Hoxha ngriti shqetësime për funksionimin dhe qëllimin themelor të Dhomave të Specializuara, duke thënë se aktakuzat aktuale nuk përputhen me rrëfimin për të cilin ishte themeluar ky institucion.

“Qysh në fillim kemi qenë të zëshëm dhe me shumë delikatesë e kemi adresuar ndjeshmërinë dhe faktin që këto dhoma operojnë jashtë territorit të Kosovës. Juridikisht dhe kushtetueshëm, ato i detyrohen Kosovës, por ka munguar përgjegjësia e vërtetë për llogaridhënie,” theksoi Hoxha.

Ajo kritikoi edhe mënyrën se si janë mbajtur seancat informuese nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar ato si formale dhe pa mundësi për dialog real me publikun. “Këto procese ishin vetëm për të bërë një ‘tik’, jo për të informuar publikun se çfarë po ndodh realisht në Hagë,” tha ajo, duke përmendur edhe mungesën e hapësirës për pyetje në prezantimet e kryetares Ekatarina Trendafilova.

Hoxha përkujtoi se tre vite më parë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut kishte kërkuar të vizitonte të akuzuarit në Hagë për të vëzhguar gjendjen e tyre, por kjo nuk ishte lejuar. Ajo e cilësoi këtë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Shteti i Kosovës ka dështuar të sigurojë mbështetje juridike dhe financiare për qytetarët e vet. Janë dashur individë, PDK-ja dhe fondacione të ndryshme që të ndërhyjnë për të ndihmuar procesin e mbrojtjes,” u shpreh Hoxha, duke kritikuar edhe reduktimin e fondeve për mbrojtjen përmes një udhëzimi administrativ.

Ajo përfundoi se përgjegjësia është e dyanshme: Dhomat e Specializuara që kanë funksionuar në mënyrë të mbyllur e të anshme dhe institucionet e Kosovës që kanë treguar mosinteresim dhe mungesë angazhimi për qytetarët e vet të akuzuar.

Ndryshe, sot në konferencën “Lira ka Emër”, akademik Arsim Bajrami ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave themelore të njeriut dhe për komplot ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.

Bajrami e cilësoi këtë Gjykatë si “derivat i një raporti të rremë dhe të fabrikuar nga Dick Marty”, që sipas tij u sponsorizua nga Rusia dhe Serbia.

Ai tha se përmes këtij procesi, po tentohet të rishkruhet historia moderne e Kosovës dhe të inkriminohet padrejtësisht lufta çlirimtare.

“Gjykata Speciale është një projekt i montuar politikisht për ta shtrembëruar të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Ajo është ndërtuar mbi një mashtrim ordiner të Raportit të Martyt dhe për këtë heshtja e Këshillit të Evropës është bashkëfajësi e pastër”, theksoi Bajrami.

Ai kritikoi ashpër edhe vetë institucionet e Kosovës, duke i konsideruar si të dështuara në mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të qytetarëve që po përballen me këtë proces gjyqësor.

“Kuvendi e formoi Gjykatën Speciale me mirëbesim për drejtësi, por ajo tani është shndërruar në një gjykatë monoetnike e diskriminuese, që bashkëpunon më shumë me Serbinë sesa me autoritetet e Kosovës”, deklaroi ai.

Bajrami renditi një sërë shkeljesh që, sipas tij, e bëjnë këtë gjykatë të paligjshme dhe të paragjykuar: mbajtje të gjatë e të pajustifikuar në paraburgim, mohimi i barazisë së palëve në proces, dëshmi të fabrikuara e të përcjella nga shërbimet sekrete serbe, si dhe mungesë totale transparence dhe monitorimi ndërkombëtar.

Në lidhje me aktakuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, Bajrami tha se ajo është juridikisht e paqëndrueshme dhe politikisht e rrezikshme.

“UÇK-ja nuk ka qenë ushtri shtetërore me komandë qendrore. Ishte një lëvizje popullore, një guerile patriotike që s’kishte as strukturë shtetërore dhe as plan të përbashkët kriminal. Plani i vetëm shtetëror ishte ai i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, përmes operacionit gjenocidal ‘Patkoi’”, theksoi akademiku.

Ai kritikoi rëndë institucionet kosovare për dështimin në mbështetjen e të akuzuarve dhe në ndërkombëtarizimin e shkeljeve që po ndodhin në këtë proces.

The post Eliza Hoxha: Shteti ka dështuar të mbrojë qytetarët e tij në Hagë appeared first on Telegrafi.

Prokurorja pas vendimit për Shalën: Do ta shqyrtojmë me kujdes aktgjykimin

Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në gjyqin e apelit ndaj Pjetër Shalës duke theksuar se zyra e saj do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme.

“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e Shala”, tha Uest në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.

“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme”, vazhdoi Prokurorja e Specializuar.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të 16 korrikut 2024, Shala u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar; torturë; dhe vrasje e paligjshme – dhe u dënua me 18 vjet burg.

Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe ndryshoi gjatësinë e dënimit të Shala në 13 vjet burg.

Sipas Krimet e Shalws u kryen në periudhën prej rreth 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave – kryesisht shqiptarë të Kosovës – që ishin paraburgosur në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri.

Trupi Gjykues konstatoi në aktgjykimin e shkallës së parë se viktimat e kësaj çështjeje gjyqësore ishin mbajtur në kushte çnjerëzore e degraduese dhe i ishin nënshtruar abuzimit psikologjik e fizik, dhe një nga viktimat u vra.

Shala apeloi kundër aktgjykimit të shkallës së parë dhe seanca dëgjimore e apelit u zhvillua më 15 dhe 16 maj 2025.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021. /KP/

The post Prokurorja pas vendimit për Shalën: Do ta shqyrtojmë me kujdes aktgjykimin appeared first on Telegrafi.

“Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës

Organizatat e dala nga lufta, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Hagë, e cila uli dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së e kanë konsideruar këtë vendim si një tjetër padrejtësi ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Në reagimin e përbashkët, këto organizata shprehin “pakënaqësinë e thellë” me vendimin, duke theksuar se kishin pritur një aktgjykim lirues.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, vendimi i Apelit nuk ndihmon drejtësinë, por “e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”.

Organizatat theksojnë se e vërteta është në anën e UÇK-së dhe nuk kanë frikë nga ajo.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

The post “Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës appeared first on Telegrafi.

Vendim i ri për Pjetër Shalën, i ulet dënimi nga 18 në 13 vjet burgim

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka marrë vendim për rastin e Pjetër Shalës, duke rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së tij, por duke gjetur disa shkelje në aktgjykimin e shkallës së parë.

“Paneli miraton pjesërisht pikat 7, 12 dhe 14 të ankesës, dhe vendosi t’i ulë dënimin Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

“Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (pika 1), torturës (pika 3), dhe vrasjes së paligjshme (pika 4)”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Paneli pranoi pjesërisht tri nga 14 pikat e apelit të Shalës dhe gjeti disa shkelje në vlerësimin e provave dhe në caktimin e dënimit.

Sa i përket dënimit për vrasjen e paligjshme, Apeli theksoi se “Trupi Gjykues nuk i dha peshë të mjaftueshme faktit që ai (Shala) nuk pati rol komandues në lidhje me kontributin personal të tij në krimin e vrasjes”.

Po ashtu, lidhur me disa viktima për të cilat Shala ishte shpallur fajtor për torturë apo ndalim arbitrar, Apeli konstatoi mungesë provash të mjaftueshme.

“Në gjyq nuk ishin paraqitur dëshmi gojore për keqtrajtimin e tyre… ndaj Paneli i Apelit prapësoi verdiktin e fajësisë për këta persona”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht kësaj, Apeli konfirmoi se Shala mbetet fajtor për krime të rënda.

“Paneli i Apelit theksoi se ka konfirmuar verdiktet e fajësisë së Shalës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, dhe se ulja e dënimit të tij nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda”, u theksua në aktgjykim.

Apeli gjithashtu theksoi se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion vetëm mbi individë, e jo grupe apo organizata, dhe se “as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi dhe nuk u shpallën përgjegjës dhe fajtorë për këto krime”.

Shala më 16 korrik të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe ishte dënuar 18 vjet burgim.

Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit. /Telegrafi/

The post Vendim i ri për Pjetër Shalën, i ulet dënimi nga 18 në 13 vjet burgim appeared first on Telegrafi.

Djali i Kadri Veselit reagon ndaj deklaratës së Kurtit

Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit prej liderëve historikë të UÇK-së, Kadri Veselit, Klestori Veseli, i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Kurti në një emision televiziv tha se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) “ka disa kryetarë dhe disa prej tyre marrin instruksione nga Haga”.

Klestori e cilësoi këtë deklaratë si të pavend dhe aspak dinjitoze, duke thënë se ajo rëndon gjendjen emocionale të familjes së tij dhe të bashkëluftëtarëve të babait të tij, të cilët tash e disa vite po përballen me sfida të mëdha.

“Për familjen tonë dhe familjet e bashkëluftëtarëve të babait, që po ballafaqohemi me sfida jo të lehta tash e disa vite, deklaratat e tilla jo vetëm që na rëndojnë gjendjen neve, por nuk i bëjnë nder as vetë kryeministrit në detyrë”, shkroi ai në Instagram.

Ai shtoi se kryetari i PDK-së është Memli Krasniqi dhe se Kurti e çdo aktor tjetër politik nuk duhet të shmangin debatin politik konstruktiv.

“Kurti e kushdo tjetër në skenën politike, nuk kanë pse t’i frikësohen debateve konstruktive politike”, u shpreh ai.

Ndaj deklaratës së Kurtit, gjatë ditës së enjte ka pasur reagime./Telegrafi/

The post Djali i Kadri Veselit reagon ndaj deklaratës së Kurtit appeared first on Telegrafi.

Tha se i kanë shkurtuar fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, Sallahu i reagon Krasniqit: Janë shpifje, i kemi paguar mbi 32 milionë euro  

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu i është kundërpërgjigjur sot kritikave të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu i kanë zvogëluar fondet për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Lidhur me këtë deklaratë të Krasniqit, ka reaguar sot zëvendësministri në detyrë, Sallahu përmes një postimi në Facebook.

“Në mandatin tonë janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e personave që mbahen në paraburgim në Hagë! Pra, deklarimet e Memli Krasniqit janë veç shpifje!”, shkruan Sallahu.

Ndryshe, deklarata e Krasniqit erdhi pas një interviste të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i cili theksoi se zyrtarët e PDK-së po i vizitojnë shpesh Thaçin e Veselin në Hagë për instruksione politike. /Telegrafi/

The post Tha se i kanë shkurtuar fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, Sallahu i reagon Krasniqit: Janë shpifje, i kemi paguar mbi 32 milionë euro   appeared first on Telegrafi.

Gucati viziton ish krerët e UÇK-së në Hagë: Lufta jonë ka qenë e pastër dhe e drejtë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka qëndruar sot për vizitë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim.

Përmes kësaj vizite, Gucati ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e vazhdueshëm të OVL UÇK-së për luftëtarët e lirisë që po përballen me një proces të padrejtë dhe politik.

“Nuk do të ketë kurrë drejtësi të plotë pa drejtësi për UÇK-në. Lufta jonë ka qenë e pastër dhe e drejtë, dhe kjo e vërtetë nuk shuhet kurrë”, ka thënë ai.

Kryetari i OVL e UÇK-së ka thënë më tej se beteja e tyre nuk është vetëm personale, por një sfidë për dinjitetin dhe drejtësinë e gjithë luftës çlirimtare. /Telegrafi/

The post Gucati viziton ish krerët e UÇK-së në Hagë: Lufta jonë ka qenë e pastër dhe e drejtë appeared first on Telegrafi.

“Shpresë” që Apeli do të ulë dënimin prej 18 vitesh për Pjetër Shalën

Apeli i Dhomave të Specializuara për Kosovën ka në duar uljen ose kthimin në rigjykim të rastit të Pjetër Shalës, i dënuar për krime lufte me 18 vjet burgim. Organizata e veteranëve të UÇK-së, ka pak shpresë që do jetë një vendim në favor të Shalës e avokatët thonë se mund të ketë ulje të dënimit

Edhe pak javë kanë mbetur që Pjetër Shala, i dënuar për krime lufte nga shkalla e parë e Dhomave të Specializuara për Kosovën të kuptojë edhe vendimin e shkallës së dytë për të.

Paneli i Gjykatës së Apelit, ka caktuar 15 korrikun, datën e shpalljes së aktgjykimit për këtë rast.

Në seancat e mbajtura në Apel, Pjetër Shala i dënuar nga shkalla e parë, me 18 vjet burgim, ka kërkuar anulim të dënimit ose rigjykim të rastit, nën arsyetimin se vendimi përmban shkelje të shumta.

Avokatët në Kosovë, thonë se bazuar në praktikat e së kaluarës, Apeli edhe në këtë rast mund të ulë dënimin ndaj Shalës.

“Nga analogjia që është përdorur tek rasti i z.Mustafa mund të pritet që të kemi zbutje të dënimin nëse eventualisht nuk ka ndonjë rigjykim ose lirim dhe nëse procedohet me dënim të ulët dënimi sepse në rastin e z.Mustafa gjykata Supreme ka dhënë instruksione dhe të merren parasysh të gjitha rrethanat ligji i ish jugosllavis, ligji i unmikut..”, ka deklaruar Taulant Hodaj – Avokat i akredituar nga Specialja.

“Nëse i referohemi praktikës gjyqësore të gjykatës speciale me theks të veçantë gjykatës së shkallës së parë e njëjta ka aplikuar një politike të ashpër ndëshkimore që në instanca të tjera lartësia e dënimit është rishikuar, vlerësoj se mund të ndiqet kjo logjikë”, ka theksuar Ardian Bajraktari – avokat.

Ndërkohë, në organizatën e veteranëve të UÇK-së, nuk besojnë në këtë gjykatë, që sipas tyre nuk sjell drejtësi në rastet e trajtuara.

“Ne kemi dyshimet tona që kjo gjykatë nuk ka me marr ndonjë vendim në favor të z.Shala në këtë rast por edhe bashkëluftëtarë të tjerë, sepse ka humbur besimi në këtë gjykatë fillimisht kem besu që gjykata ka me bë punën e drejtë e nuk ka me anu, por me gjasë është duke rreshqit prej asaj për çka është themelu si gjykatë me sjell drejtësi, është bërë gjykatë politike”, ka deklaruar Gazmend Syla- Nënkryetar i OVL-UÇK-së.

Pjetër Shala është pjesëtari i dytë i dënuar nga Dhomat e Specializuara për Kosovën, për krime lufte.

Salih Mustafa ishte dënuar me 26 vite burgim, dënim ky që i ishte ulur në 15 vite./RTV Dukagjini/

The post “Shpresë” që Apeli do të ulë dënimin prej 18 vitesh për Pjetër Shalën appeared first on Telegrafi.

Abazi: Nëse është gëzuar dikush më së shumti për Gjykatën Speciale është vetë Kurti

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi, ka deklaruar se nga vakumi politik i krijuar nga Gjykata Speciale ka përfituar vetëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas tij, zhvillimet e fundit politike dhe gjykimet që po mbahen në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë krijuar një boshllëk në skenën politike, nga i cili, siç tha ai, Kurti ka dalë përfituesi kryesor.

“Vakumin politik të cilin e ka krijuar Gjykata Speciale, po duket që vetëm Kurti ka përfituar prej këtij vakumi politik”, ka deklaruar Abazi në KlanKosova.

Ai shkoi edhe më tej duke thënë se “nëse është gëzuar dikush më së shumti për Gjykatën Speciale, është vetë Kurti, sepse i ka krijuar atij një avantazh politik në raport me subjektet e tjera”.

Deklaratat e Abazit vijnë në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar shpesh qasjen e Kurtit ndaj këtij procesi.

The post Abazi: Nëse është gëzuar dikush më së shumti për Gjykatën Speciale është vetë Kurti appeared first on Telegrafi.

Të dënuarit nga Gjykata Speciale e Kosovës do të burgosen në Belgjikë

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje me Belgjikën, e cila do të mundësojë që të dënuarit nga kjo gjykatë të vuajnë dënimin me burgim në territorin belg.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e Dhomave të Specializuara për të kryer mandatin e vet,” deklaroi kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në një njoftim për media.

Ajo u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që të ndjekin shembullin e Belgjikës dhe të lidhin marrëveshje me Dhomat e Specializuara për zbatimin e dënimeve, në mënyrë që – siç tha ajo – të fuqizohet korniza institucionale e kësaj gjykate.

Dhomat e Specializuara kujtuan se, sipas një marrëveshjeje të vitit 2014 ndërmjet përfaqësueses së atëhershme të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, dhe ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, të dënuarit në formë të prerë nga kjo gjykatë nuk mund të vuajnë dënimin në Kosovë, por jashtë saj.

Gjykata Speciale, që vepron në Hagë, heton dhe gjykon krimet e supozuara të kryera nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe pas luftës, konkretisht nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Aktualisht, para kësaj gjykate po zhvillohet procesi gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Të dënuarit nga Gjykata Speciale e Kosovës do të burgosen në Belgjikë appeared first on Euronews Albania.

Osmani, OVL-UÇK-së: EULEX-i e Specialja janë të ndara, mandatin e Speciales mund ta vazhdojë vetëm Kuvendi

Zgjatja e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka nxitur reagime në vend, duke sjellë përplasje mes Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe Presidencës së Kosovës.

OVL-UÇK ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani se ka dhënë pëlqimin për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe Gjykatës Speciale, ndërsa vetë organizata ka publikuar përgjigjen zyrtare që ka marrë nga Zyra e Presidentes lidhur me këtë çështje.

Në letrën e dërguar OVL-së, ekipi ligjor i Presidencës sqaron se vendimi për zgjatjen e mandatit të EULEX-it është marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian, dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë shkëmbim letrash mes Presidentes së Kosovës dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së lidhur me këtë mandat.

Sipas Presidencës, pretendimet se Presidentja ka zgjatur mandatin e Gjykatës Speciale janë të pavërteta dhe përbëjnë propagandë politike. Në përgjigje theksohet se vetëm Kuvendi i Kosovës ka kompetenca për të ndryshuar, vazhduar ose ndërprerë mandatin e kësaj gjykate.

“Nëse keni nevojë për sqarime shtesë, si gjithmonë jemi të gatshëm të takohemi. Megjithatë, ju sigurojmë se deklarimet se kinse Presidentja ka vazhduar mandatin e Gjykatës Speciale janë shpifje dhe propagandë. Sipas Kushtetutës sonë, mandatin e Gjykatës Speciale mund ta ndryshojë, vazhdojë apo ndërpresë vetëm Kuvendi i Kosovës”, thuhet në letrën që OVL-UÇK e ka publikuar.

Në të njëjtën përgjigje, Presidenca thekson se Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet mbrojtëse e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe e të drejtave të veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.

The post Osmani, OVL-UÇK-së: EULEX-i e Specialja janë të ndara, mandatin e Speciales mund ta vazhdojë vetëm Kuvendi appeared first on Telegrafi.

​“Liria ka Emër” e shqetësuar me procesin gjyqësor në Hagë, kërkon rishqyrtim të praktikave të punës së Gjykatës Speciale

Platforma “Liria ka Emër” ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë.

Në konferencë për media u tha se po shkelen të drejtat e njeriut, duke theksuar se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është larg nga standardet evropiane. Veç tjerash, u bë thirrje që të rishqyrtohen praktikat e punës së Gjykatës Speciale.

Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër” tha se këto shkelje duhet të evidentohen, në këtë kohë kur procesi po shkon drejt fundit.

“Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut, Gjykatës së Hagës, që janë bërë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerëve. Siç dihet, Kosova e ka mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale pa rezervë me besimin e saj që do të përcillen në veprim nga standardet evropiane. Megjithatë, procesi që është zhvilluar ndaj krerëve të UÇK-së për më shumë se 4 vjet ka qenë larg standardeve evropiane. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë shumë alarmante gjatë këtij procesi”, deklaroi ai.

Në konferencë për media, Tasholli iu ka bërë thirrje shteteve financuese të gjykatës, siç tha ai që të garantohet që puna e gjykatës të zhvillohet në përputhje me parimet themelore të drejtësisë dhe standardeve ndërkombëtare.

“Gjitha këto shkelje, nga mohimi i të drejtave themelore dhe procedurale dhe vonesat e pajustifikueshme në proces tregon që procesi ndaj ish krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të pa anshëm. Kërkojmë me vendosmëri që të rishqyrtohen praktikat e kësaj gjykate, të sigurohet respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të garantohet që procesi gjyqësor të zhvillohet mbi bazë të drejtësisë dhe jo mbi bazën e paragjykimeve”, shtoi Tasholli.

Përparim Gruda, i cili është jurist tha se është shqetësuese se si po shkelet Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Speciale.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë për më shumë se 4 vite në paraburgim. Nuk janë në burg, janë në paraburgim, prezumohen të pafajshëm ligjërisht. Kjo është e argumentuar juridikisht që është shkelje e standardeve për të drejtat e njeriut, shkelje e Kushtetutës së Kosovës, shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e zbatueshme sipas nenit 22 të Kushtetutës në Kosovë dhe është e obligueshme për Gjykatën Speciale, është shkelje e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e detyrueshme për Gjykatën Speciale, sipas nenit 53 të Kushtetutës” u shpreh ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha se duhet të ndërpritet procesi i marrjes së provave përmes Serbisë.

“Ka raste kur dëshmitarët e paraqitur nga Prokuroria janë rimarrë në pyetje në një kohë më të gjatë nga trupi gjykues se sa nga ekipet mbrojtëse, çka besoj unë është zvarritje e tepruar dhe është shkelje e një parimi i barabarësisë së armëve që e quajmë në drejtësi dhe e shansës që mbrojtja të ketë kohën e njëjtë me trupin gjyqësor dhe me organin e akuzës, në këtë rast Dhomën e Specializuar të Prokurorisë. Shkelja e tretë në këtë gjykatë është marrja e provave përmes Serbisë. Dihet tashmë që Serbia është një vend armiqësor ndaj Kosovës dhe UÇK-së dhe fakti që prokuroria ka akses për të marrë prova atje dhe siç e dini mbrojtja e të akuzuarve nuk ka akses, sepse nuk ka kuptim që të presim që Hashim Thaçi dhe të tjerët, përkatësisht mbrojtja e tyre të marrë prova, i vë në një pozicion të pa barabartë prokurorinë me mbrojtje”, deklaroi ai.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më tre prill (3 prill 2023) – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./kp/

The post ​“Liria ka Emër” e shqetësuar me procesin gjyqësor në Hagë, kërkon rishqyrtim të praktikave të punës së Gjykatës Speciale appeared first on Telegrafi.

Gjykata Speciale i vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka vendosur të vazhdojë paraburgimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të çështjes që lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë.

Vendimi është marrë nga gjykatësja paraprake Marjorie Masselot, e cila theksoi se rreziqet për arratisje, pengim të drejtësisë dhe kryerje të veprave të tjera penale mbeten të pranishme.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Thaçi ka kryer veprat penale të shpalljes së sekretit zyrtar, fyerjes ndaj gjykatës dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Akuzat burojnë nga hetimet që lidhen me procesin tjetër gjyqësor në të cilin Thaçi po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e bazoi vendimin e saj në disa faktorë, përfshirë mundësinë që Thaçi të ndikojë te dëshmitarët ose të pengojë procedurat gjyqësore.

Në arsyetimin e saj, gjykatësja theksoi se Thaçi ka pasur rol udhëheqës në grupe që kanë synuar të ndikonin te dëshmitarët përmes shpërndarjes së informacionit të ndaluar dhe ofrimit të përfitimeve për të ndryshuar deklaratat.

Gjithashtu, gjykata nënvizoi se masat e sigurisë në ambientet e paraburgimit të Gjykatës Speciale janë më të sigurta për të parandaluar komunikimet e paautorizuara dhe ndikimet e mundshme ndaj procesit gjyqësor.

Përveç kësaj, Gjykata konfirmoi se procesi gjyqësor po ecën përpara me ritëm të kënaqshëm, ndërsa mbrojtja ka dorëzuar mocionet paraprake dhe prokuroria ka përfunduar pjesën më të madhe të dorëzimit të provave.

Gjykata i ka dhënë afat Thaçit që, nëse dëshiron, të paraqesë parashtresat e tij lidhur me shqyrtimin e radhës të paraburgimit deri më 27 qershor 2025. Në rast se nuk dorëzon parashtresa, Prokuroria Speciale duhet të bëjë paraqitjet e saj deri më 7 korrik 2025.

The post Gjykata Speciale i vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit appeared first on Lapsi.al.

Vdes njëri nga viktimat pjesëmarrëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Një nga viktimat pjesëmarrëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e njohur me kodin V296/06, ka ndërruar jetë.

Lajmi është bërë i ditur në një parashtrim të mbrojtësit të viktimave, që i është orëzuar trupit gjykues më 5 qershor 2025.

Kjo viktimë ishte pranuar të merrte pjesë në procedurë më 21 prill 2021, me pretendime për dëm mendor si viktimë indirekte e burgimit/arrestimit të paligjshëm, ndalimit dhe trajtimit mizor, vrasjes dhe zhdukjes me forcë. Përveç statusit të viktimës, ajo kishte edhe statusin e dëshmitarit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas parashtrimit, mbrojtësi i viktimave është njoftuar për vdekjen nga një i afërm i ngushtë i saj.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse ndonjë anëtar i familjes do të kërkojë të vazhdojë pjesëmarrjen në proces në emër të saj.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë çështje gjyqësore.

Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së.

Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.

Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

The post Vdes njëri nga viktimat pjesëmarrëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Telegrafi.

Mocioni për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të dorëzohet më 12 qershor

Ekipet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë kanë afat deri më 12 qershor për të dorëzuar një mocion të përbashkët lidhur me rrëzimin e pikave të aktakuzës ndaj tyre.

Ky mocion pritet të përmbajë kundërshtime ndaj vazhdimit të procesit apo kërkesa të tjera procedurale nga ana e mbrojtjes.

Sipas një njoftimi nga Dhomat e Specializuara, trupi gjykues ka caktuar që Prokuroria të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik, por më pas ka vendosur ta shkurtojë afatin kohor duke e caktuar datën 7 korrik si afatin përfundimtar të dorëzimit.

“Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik. Megjithatë, në këtë vendim, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme, të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e Prokurorisë më 7 korrik”, thuhet në vendim.

Avokati Ardian Bajraktari, duke komentuar zhvillimet e fundit, tha se një rrëzim i tërësishëm i aktakuzave do të përbënte një epilog të mundshëm të këtij procesi, i cili ka zgjatur me vite dhe është shoqëruar me, siç u shpreh ai, “shkelje të shumta”.

“Referuar asaj që është parë deri më tash, rrëzimi i tërësishëm i pikave të aktakuzës do të ishte epilog real i përfundimit të këtij procesi të stërzgjatur dhe me shkelje të shumta. Po ashtu, vlen të theksohet se në varësi prej epilogut të vendimit të trupit gjykues të korrikut, kjo do të jetë rrethanë determinuese për këtë proces të mëpastajmë. Vlerësoj që së paku në shkallën e parë të përfundojë brenda këtij viti ose vitin e ardhshëm më së largu”, deklaroi Bajraktari për RTK.

Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së.

Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.

Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

The post Mocioni për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të dorëzohet më 12 qershor appeared first on Telegrafi.

❌