30 ditë paraburgim për të arrestuarin për vrasjen në Prizren – pas përleshjes të qenve e goditi me thikë, viktima dhe i dyshuari ishin shokë
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit E.B, për vrasjen e rëndë në Prizren.
Në njoftim thuhet se Gjykata pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit është e bazuar, dhe Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.
Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se vrasja e rëndë ka ndodhur pas një fjalosje të shkurtër mes viktimës dhe të dyshuarit të cilët kishin përleshur qentë.
Viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin shok.
“Më datë 10 Gusht 2025, rreth orës 20:30 min, në Prizren, në lagjen ‘Tusus’, në rrugën “Lapidari”, i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje privon nga jeta të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht nxisin qenët e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën patent, ngjyrë e zezë dhe e godet në pjesën e gjoksit H.Sh., i cili nuk e ka pritur këtë goditje me faktin se ata kanë qenë shok.
Më pas i pandehuri ik në drejtim të fshatit, ndërsa i ndjeri përcillet në qendër emergjente të Spitalit ‘Daut Mustafa’, në Prizren, në gjendje të rëndë shëndetësorë ku më pas është dërguar në QKUK-së në Prishtinë ku edhe ndërron jetë nga plagët e marra”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjykata njofton se i dyshuari më datë, kohë dhe vend të njëjtë posedon armën e ftohtë, pa leje, në vend publik ku ishin të grumbulluar një numër i madh i njerëz, duke e përdorur për qëllime vdekjeprurësve thikën patent, me ngjyrë të zezë, me të cilën ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit H.Sh.
“Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, të cilat arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ky kryer veprat penale, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri pas kohës kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë në arrati, dhe prania e tij para institucioneve të drejtësisë është siguruar pas kërkimit dhe arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, nga këto arsye ekziston rreziku se me lënien në liri apo masë alternative, i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe të jetë i paarritshëm për institucionet, duke penguar zhvillimin e procedurës hetimore të pa penguar”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se kjo çështje penale është në fazën fillestare të hetimit, dhe para Prokurorit të Shtetit do të merren në pyetje dëshmitarët e rastit dhe i pandehuri, andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimi në dëshmitarë, apo fshehjes së fakteve dhe provave tjera materiale, për çka është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm. /Telegrafi/
The post 30 ditë paraburgim për të arrestuarin për vrasjen në Prizren – pas përleshjes të qenve e goditi me thikë, viktima dhe i dyshuari ishin shokë appeared first on Telegrafi.