Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

​Ngritja e aktakuzës, Damka e mohon se ka keqpërdorur buxhetin e shtetit

5 July 2025 at 12:03

Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka tha se nuk ka pranuar asnjë ftesë nga gjykatat në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Damkës dhe ushtruesit të detyrës së Sekretariatit të kësaj ministrie, B.K. Që të dy akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Lidhur me këtë, Damka tha se nuk mund të komentojë asgjë sepse nuk ka pranuar apo lexuar aktakuzën.

Para se të hynte për të marrë pjesë në seancën e 42-të të seancës konstituive, Damka u shpreh i bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore apo keqpërdorim siç tha ai me “asnjë cent Republikës së Kosovës”.

“Ende nuk e kam marrë asnjë ftesë nga asnjë gjykatë në Kosovë. Nuk mund të komentojë pasi që nuk I kam lexuar aktakuzat. Kur do ta lexoj aktakuzën dhe të thirrem nga gjykata do të paraqitem me plotë vullnetin në gjykatë dhe jam i bindur se nuk e kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës…Faktet dhe dëshmitë do t’i paraqesim në gjykatë. Për mua është fatkeqësi të përdoret emri Cartitas zviceran i cili organizata qeveritare e Zvicrës e cila që 25 vite kontribon me projektet ndryshme milionëshe në Kosovë. Edhe në këtë projekt ka kontribuar me 1.6 milionë euro dhe është projekti i cili zgjat nga 2022 deri në 204. Gjithçka është transparente”, tha Damka./kp/

The post ​Ngritja e aktakuzës, Damka e mohon se ka keqpërdorur buxhetin e shtetit appeared first on Telegrafi.

Gjykata Themelore hedh poshtë aktakuzën ndaj Klodian Allajbeut, Ekrem Llukës dhe të tjerëve

30 June 2025 at 11:45

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj pronarit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, pronarit të Qendrës Kardiake të Kosovës, Ekrem Lluka dhe të tjerëve për falsifikim të dokumenteve dhe shpërlarje parash.

Gjykata ka konstatuar se aktakuza e ngritur ndaj tyre nuk përfshin prova të mjaftueshme që veprat penale të jenë kryer nga të pandehurit.

“Dokumentet e konsideruara si të falsifikuara janë nënshkruar nga persona të autorizuar dhe nuk ka ndërhyrje që do të plotësonin elementet e veprës penale të falsifikimit sipas nenit 390 të KPRK. Vepra e shpërlarjes së parave nuk mund të ekzistojë pa një vepër paraprake penale të provuar. Prokuroria ka aplikuar gabimisht Kodin Penal të vitit 2019 për vepra të pretenduara të kryera në vitet 2014-2015, kur ka qenë në fuqi Kodi Penal i vitit 2012, i cili ka dispozita më të favorshme”, thuhet në konstatimet e Gjykatës.

Gjykata Themelore e Prishtinës thekson në aktvendim se për pushim të procedurës penale ndaj të gjithë të akuzuarve vendosi pasi konstatoi mungesë të provave.

“Karakteristikë e veprës penale falsifikimi i dokumentit është ajo se dokument nuk rrjedh nga personi i cili është shënuar në të si lëshues (dhënës) i tij. Atë e bën të rremë fakti sa ai është atribuuar personit i cili nuk e ka lëshuar atë dhe tentohet që të krijohet përshtypja se pikërisht një person i caktuar është lëshues (dhënës) i tij (dokumentit), edhe pse në fakt ai nuk e ka lëshuar. Dokumenti i rremë ekziston edhe atëherë kur përmbajtja e tij është e saktë, por atë nuk e ka lëshuar personi i cili në dokument është shënuar si lëshues (dhënës) i tij”, sqaron Gjykata në aktvendim.

Gjykata thekson se “përpilimi është hartim i plotë apo i pjesshëm i dokumentit të rremë, përpilimi i të i plotë i dokumentit do të ekzistonte atëherë kur ndonjë person i atribuohet deklarata të cilën ai fare nuk e ka dhënë”.

“Vepra penale ekziston dhe në situatën ku personi i shënuar në dokument nuk ekziston fare apo ka vdekur. Përpilimi i rremë ekziston edhe atëherë kur është përpiluar pjesërisht dokumenti i rremë – në dokumentin ekzistues origjinal (të vërtetë) një pjesë fshihet, i jepet përmbajtje tjetër, i shtohet emri edhe i ndonjë personi, përpos dhënësit të dokumentit, apo shlyhet emri i ndonjë personi që është lëshues (dhënës) i dokumentit etj”.

Kësisoj, Themelorja konstatoi se “nuk kemi të bëjmë me falsifikim dokumenti, edhe në ato situata kur dokumenti është nënshkruar nga personi i autorizuar (nënshkrimi është autentik – origjinal), por përmbajtja e tij është e pa vërtetë ose e pavlefshme”.

Në lidhje me pastrimin e parave, Gjykata gjeti se Prokuroria nuk e arsyetoi saktësisht me argumente këtë pretendim për secilin të akuzuar “cilat para i ka përfituar me veprime të paligjshme (shuma e parave për secilin të pandehur), dhe saktësisht ku i ka pastruar ato, duke saktësuar mënyrën e shpërlarjes, cilën pronë e ka blerë pikërisht me ato para të pista”.

“Meqenëse bëhet fjalë për kompanitë fitim prurëse, të cilat kanë të hyra të ndryshme vjetore nga veprimtaria e tyre (pra, nuk kanë pasur si burim të vetëm paratë e supozuara të paligjshme), lindë pyetja që kërkon sqarim: me cilat prova prokuroria ka vërtetuar se pikërisht me ato para të paligjshme janë blerë “prona imagjinare), dhe jo me paratë e ligjshme në kuadër të biznesit të tyre? Këtë përgjigje nuk e ka dhënë prokurori, nuk ka argumentuar, e që ky pretendim ngelet vetëm nën suaza të “supozimeve-hamendësimeve” por jo pretendim i argumentuar me prova të pakontestueshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore.

Derisa Prokuroria në dispozitivin ku përshkruan veprat penale të pastrimit të parave “nuk përmend asnjë provë konkrete, asnjë xhirollogari konkrete, asnjë transfer konkret të realizuar me paratë e supozuara të pista”, Gjykata thotë se ka kërkuar konfiskim konkret të pronave, “duke mos i identifikuar se ku ndodhen, pa dhënë asnjë argument të vetëm se me cilat prova ka vërtetuar prokuroria se pikërisht këto prona, transfere parash apo xhirollogari janë produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve”.

Shitblerjet janë të ligjshme vetëm kur kryhen me trasanksione bankare, dhe transferi i parave kontrollohet me rigorozitet nga mekanizmat mbikëqyrës të bankave. Po të mos i kishin arsyetuar ato para me dëshmi të ligjshme, nuk do të mund të realizonin transfere të tilla dhe nuk rezulton se së paku te ndonjëri nga këto veprime që prokurori po i vlerëson si vepra penale të jenë ndëshkuar së paku me gjoba administrative”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. /Tv Dukagjini/

The post Gjykata Themelore hedh poshtë aktakuzën ndaj Klodian Allajbeut, Ekrem Llukës dhe të tjerëve appeared first on Telegrafi.

Intervistimi i Martin Berishaj nga Specialja, reagon Çitaku

26 June 2025 at 15:55

Pasi, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Berishaj nuk e ka hallin se në Kosovë iu rrezikohen vendet e punës rreth 140 mij punëtorëve, kjo pasi siç tha “Biznese të tëra, sidomos ato prodhuese, janë në prag të mbylljes, për shkak të shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike”.

“Rreth 140.000 punëtorëve u rrezikohen vendet e punës. Biznese të tëra, sidomos ato prodhuese, janë në prag të mbylljes, për shkak të shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike. Po e dini kush nuk e ka këtë hall? Martin Berishaj”, ka shkruar ajo.

Tutje Çitaku theksoi se pavarësisht dëshmive publike dhe aferave milionëshe, Berishaj vazhdon të jetë ambasador me fuqi të plotë.

“ Sepse i shërben liderit suprem. Një ditë në Prokurori, një ditë në Ambasadë. Marrëzia nuk paska kufi”, ka shkruar ndër të tjera Çitaku. /Telegrafi/

The post Intervistimi i Martin Berishaj nga Specialja, reagon Çitaku appeared first on Telegrafi.

Rakiq nuk u paraqit as pas ftesës së dytë për intervistim nga Prokuroria Speciale

20 June 2025 at 10:41

Ish-lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim, nuk është paraqitur më 18 qershor.

Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha se kjo është hera e dytë që Rakiq është ftuar për intervistim.

Sipas saj, herën e parë Rakiq kishte justifikuar mungesën përmes një raporti mjekësor, duke deklaruar probleme shëndetësore.

“Lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se Goran Rakic kur është ftuar herën e parë e ka njoftuar Prokurorinë Speciale, përmes një raporti mjekësor se ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet për intervistim”, tha Luta.

Ajo shtoi se Prokuroria Speciale e ka ftuar sërish Rakiqin më 18 qershor, mirëpo ai ende nuk ka paraqitur ndonjë arsyetim për mungesën.

“Prokuroria Speciale shumë shpejt do ta caktoj seancën e radhës për intervistim”, ka thënë ndër të tjera Luta për Telegrafin. /Telegrafi/

The post Rakiq nuk u paraqit as pas ftesës së dytë për intervistim nga Prokuroria Speciale appeared first on Telegrafi.

Barrikadat në veri, lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe 10 të dyshuar të tjerë

18 June 2025 at 15:53

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për lëshimin e një letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq, në kuadër të hetimeve që lidhen me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022.

Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, e cila ka njoftuar se përveç Radoiçiqit janë lëshuar urdhërarreste edhe për dhjetë persona të tjerë të dyshuar në këtë rast.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq. Përveç Radoiçiq, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, ka thënë Luta.

Hetimet lidhen me rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore të Kosovës në vitin 2022, dhe sipas Prokurorisë, ky rast ka përmasa të mëdha.

“Duke u hetuar mund të konfirmojmë se janë rreth 50 persona, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”,thuhet më tej në përgjigjen nga Prokuroria Speciale.

Prokuroria ka shtuar se rasti aktualisht është në fazën e hetimeve dhe se për veprimet tjera publiku do të njoftohet me kohë.

“Duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta. /Telegrafi/

The post Barrikadat në veri, lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe 10 të dyshuar të tjerë appeared first on Telegrafi.

Përfundon intervistimi i Besnik Bislimit, nuk flet për mediat

18 June 2025 at 11:48

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi është intervistuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale, në kuadër të hetimeve për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.

Intervistimi i cili ka zgjatur rreth dy orë, tashmë ka përfunduar. Pas daljes nga objekti i Prokurorisë, Bislimi nuk ka bërë asnjë koment për mediat, ndërsa avokati i tij deklaroi shkurt se “intervistimi ka shkuar mirë”.

Emri i Bislimit është përmendur në këtë rast nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, në kontekstin e funksionalizimit të impiantit për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Në fund të majit, Prokuroria Speciale kishte urdhëruar bastisje në katër lokacione në Prishtinë dhe Ferizaj, nën dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit.

Në kuadër të këtyre hetimeve, ishte intervistuar edhe ministri Peci në cilësinë e të dyshuarit, si dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha./Telegrafi/

The post Përfundon intervistimi i Besnik Bislimit, nuk flet për mediat appeared first on Telegrafi.

Paraburgim ndaj 22 personave nën dyshime për trafikim me drogë, reagon avokati i njërit prej tyre

5 June 2025 at 14:51

Pas një hetimi disa mujor, të martën u zhvillua operacioni anti-drogë i koduar “Qielli i Thyer”, i realizuar mbi bazën e urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Si rezultat, u arrestuan 22 persona, mes tyre edhe Shemsi Bahtiri.

Ky arrestim shkaktoi reagime politike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke e cilësuar Bahtirin si eksponent të kësaj partie dhe njeri të afërt me ministrin në detyrë, Xhelal Sveçla.

Edhe nga LVV reaguan duke e përjashtuar Bahtirin nga partia.

Ndërkohë, avokati i Shemsi Bahtirit, Fanol Krasniqi, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar mënyrën si është trajtuar ky rast në opinionin publik. Ai u shpreh se ndjen detyrimin profesional dhe etik për të kundërshtuar manipulimet dhe padrejtësitë që, sipas tij, janë bërë nga institucionet dhe një pjesë e mediave.

Krasniqi theksoi se Prokuroria Speciale, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që ta lidhë drejt për drejtë Bahtirin me ndonjë aktivitet kriminal.

“Për më tepër, përshkrimi i kërkesës së Prokurorisë është i përgjithshëm dhe i paqëndrueshëm në substancë. Megjithatë, një pjesë e mediave, me një papërgjegjësi të madhe profesionale, kanë shpërndarë tituj  të pavërtetë, duke e paraqitur Bahtiri si ‘boss të një grupi kriminal’. Dua të jem shumë i qartë: ky pretendim nuk ekziston askund në dyshimet-zyrtare të Prokurorisë. Është një shpikje e pastër mediatike që synon linçimin publik dhe njollosjen e imazhit të një qytetari për të cilin nuk ekziston asnjë provë konkrete”, tha ai.

Tutje avokati theksoi se bazuar në analizën e tij si avokat i Bahtirit dhe në përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë, konstaton se paraburgimi ndaj tij është vendosur në mënyrë INDIREKTE mbi dy lidhje që nuk mund të konsiderohen as provë, as argument juridik:

Që është baba i një të dyshuari me emër Brilant Bahtiri në këtë rast;

Që është shok dhe i afërt me disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pa qenë vetë pjesë apo aktivist i këtij subjekti.

“Nëse gjatë ndonjë hetimi ndaj djalit të tij Brilant Bahtiri – i cili është subjekt i veçantë në këtë çështje – z. Bahtiri është takuar me të, qoftë edhe nën masa të fshehta të ndjekjes, atëherë shtrohet pyetja thelbësore: Ku është krimi këtu? A është bërë ndonjë veprim i jashtëligjshëm vetëm pse një baba është takuar me birin e tij(Brilant Bahtiri)? A mund t’i mohohet një babai e drejta për të takuar fëmijën e vet, pa ditur nëse ai është apo jo nën hetim? “, ka shkruar ai.

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë ta deformojë apo ndalojë marrëdhënien natyrore, njerëzore dhe të pandashme mes babait dhe birit.

“Kjo është një lidhje që as ligji, as morali, as shoqëria nuk mund ta bëjnë objekt ndëshkimi. Nuk po kërkoj trajtim të veçantë. Po kërkoj drejtësi, drejtësi të pastër, pa paragjykime politike, pa presion publik dhe pa shtremberime mediatike. Nëse ndonjëherë provohet me fakte dhe prova reale përfshirja e z. Shemsi Bahtiri në ndonjë vepër penale, unë publikisht do të tërhiqem nga përfaqësimi i tij dhe do të shqyrtoj seriozisht tërheqjen nga profesioni i avokatit. Por derisa nuk ka asnjë provë, dhe derisa po trajtohet vetëm si baba i dikujt dhe shok i dikujt, ky rast është një dështim i rëndë i sistemit të drejtësisë dhe një abuzim mediatik i dëmshëm. Të jesh baba nuk është krim. Të jesh mik i dikujt nuk është bazë për ndalim. Të jesh i pafajshëm, derisa të vërtetohet e kundërta – kjo është e drejtë themelore, jo privilegj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj 22 të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në vepra penale.

Të pandehurit: R.N., A.K., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., E.E., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O.V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., të dyshuar për veprat penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK, lidhur me veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK- së dhe veprën penale Shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 të LPPPFT. /Telegrafi/

The post Paraburgim ndaj 22 personave nën dyshime për trafikim me drogë, reagon avokati i njërit prej tyre appeared first on Telegrafi.

Prokurorët reagojnë ndaj deklaratave të Donika Gërvalles: Respektoni ndarjen e pushteteve, mos ndërhyni në drejtësi

28 May 2025 at 11:37

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklaratave të fundit publike të përfaqësuesve të subjektit politik Guxo dhe disa zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë komentuar veprimet e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e hetimit ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci dhe intervistimit të tij.

Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe prokurorit të çështjes, Admir Shala.

“Prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet. Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve”, thuhet në reagim.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial dhe të përmbahen nga çdo deklaratë që mund të interpretohet si presion i drejtpërdrejtë ose i tërthortë ndaj punës së prokurorëve.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë garantuese e pavarësisë së secilit prokuror në Republikën e Kosovës, duke mbështetur ata që veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe në interes të zbatimit të drejtë të ligjit, pa frikë dhe pa favor”, përfundon reagimi. /Telegrafi/

The post Prokurorët reagojnë ndaj deklaratave të Donika Gërvalles: Respektoni ndarjen e pushteteve, mos ndërhyni në drejtësi appeared first on Telegrafi.

Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, sekuestrohen materiale

27 May 2025 at 13:33

Pjesëtarët e Njësitit të Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, me dyshimet për përfshirje në një çështje të lidhur me një fabrikë për përpunimin e mbetjeve shtazore.

Gjatë ndërhyrjes, hetuesit kanë marrë disa materiale të cilat dyshohet se lidhen me rastin në fjalë.

Në fotografitë e shkrepura nga reporteri i Telegrafit, shihen zyrtarët duke vendosur materialet e sekuestruara në veturat e tyre zyrtare.

Ndërkaq, prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala po qëndron në hapësirat e Ministrisë së Bujqësisë, ku që disa orë po kryhen bastisje në lidhje me rastin për mbetjet shtazore.

Shala para mediave ka treguar se ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore.

“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i vetenerinarisë ë kompanisë përfituese”, tha Shala.

Ndërkaq, nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione.

“Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, kanë thënë nga Prokuroria.

Edhe nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se: “Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, thanë për Telegrafin nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/

Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/
Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë /Foto: Ridvan Slivova/

 

 

The post Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, sekuestrohen materiale appeared first on Telegrafi.

Prokuroria Speciale: Kemi caktuar prokurorin që do ta hetojë rastin e kanosjes së presidentes Osmani

23 May 2025 at 19:22

Pas kritikave nga Presidenca se Prokuroria Speciale nuk ka caktuar ende një prokuror, i cili do të merrej me rastin e kërcënimit me jetë të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar organi i akuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin e kanosjes se Presidentes se Republikës së Kosovës.

“Për më shumë, pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë se Kosovës për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, transmeton Telegrafi.

Prokuroria Speciale thotë se “të enjten kur edhe është pranuar raporti policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”.

“Po ashtu, Prokuroria Speciale, siguron opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, Presidenca e Kosovës sot ka shprehur shqetësim për mungesën e veprimit të Prokurorisë Speciale lidhur me hetimin e kërcënimeve me jetë ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidentes, ka thënë se rreth një javë pasi kërcënimi më i fundit u raportua në adresën zyrtare elektronike të Presidencës dhe u hap rasti nga Policia e Kosovës, ende nuk është caktuar asnjë prokuror që të merret me çështjen. /Telegrafi/

The post Prokuroria Speciale: Kemi caktuar prokurorin që do ta hetojë rastin e kanosjes së presidentes Osmani appeared first on Telegrafi.

Arrestohet ish-komandanti serb i policisë, dyshohet për krime lufte gjatë viteve 1998/1999

15 May 2025 at 10:51

Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se mëngjesin e së mërkurës është arrestuar M. D, i nacionalitetit serb, nën dyshimet për krime lufte në komunën Zveçanit.

M.D është arrestuar me urdhër të prokurores speciale Florije Salihu- Shamolli, pas hetimore disa mujore në bashkëpunim me Hetuesit e Krimeve të Luftës, transmeton Telegrafi.

Sipas hetimeve M. D, dyshohet se në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në këtë rajon, në kuadër te MUP-it, gatë viteve 1998/1999 ka marrë pjesë në vrasje, dëbim, plaçkitje, torturë, e rrahje të civilëve shqiptarë.

“Dyshohet se gjatë prillit të 1999-ës, i pandehuri M.D, së bashku me forcat serbe të organizuara në formacione të strukturuara, përfshirë Ushtrinë Jugosllave dhe Policinë Serbe, mori pjesë në operacionin në fshatin Zhazhë, ku kishin mbetur të vrarë shtatë civilë”, bëhet e ditur nga Prokuroria Speciale.

Tutje, thuhet se trupat e civilëve shqiptarë u gjetën pas përfundimit të luftës në varrezat e fshatit Suhodoll, ne komunën e Mitrovicës.

Brenda afatit ligjor, sipas Kodit te Procedurës Penale, Prokuroria Speciale do të paraqes në Gjykatën Themelore te Prishtinës, Departamenti Special kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit./Telegrafi/

The post Arrestohet ish-komandanti serb i policisë, dyshohet për krime lufte gjatë viteve 1998/1999 appeared first on Telegrafi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ndalon një të dyshuar për spiunazh

6 May 2025 at 11:37

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar sot një person H.S. shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, nga neni 124 i KPRK-së.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se aksioni dhe arrestimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Po ashtu, në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, është kryer edhe bastisje në dy lokacione në Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

Prokurori i shtetit nga PSRK-ja, ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale. /Telegrafi/

 

 

The post Prokuroria Speciale e Kosovës ndalon një të dyshuar për spiunazh appeared first on Telegrafi.

Aktakuzë ndaj mësimdhënësit për përdhosje të simboleve kombëtare dhe nxitje të urrejtjes në Ditën e Flamurit

24 April 2025 at 15:26

Prokuroria Speciale e Kosovës pas zhvillimeve të hetimeve ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit M.H.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se i pandehuri M.H., në cilësinë e personit zyrtar (mësimdhënës), me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, me rastin e festimit të ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarr veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare.

“Nga provat e siguruara gjatë fazës së hetimeve dhe pas analizimit të tyre është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë së i pandehuri M.H., në cilësinë e personit zyrtar (mësimdhënës), me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, i njëjti me rastin e festimit të ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarr veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare, më konkretisht flamurit kombëtar dhe plisit, çka me këto veprime ka kryer veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’ nga neni  141 par. 4  lidhur me par. 3 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtin ta shpallë fajtorë dhe ta dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, Prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që në pajtim me nenin 62 të KPRK-së, ndaj të pandehurit M.H, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues ‘Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik’ “, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

The post Aktakuzë ndaj mësimdhënësit për përdhosje të simboleve kombëtare dhe nxitje të urrejtjes në Ditën e Flamurit appeared first on Telegrafi.

U zhduk në ditën kur kishte për tu kthyer në Gjermani, familja thotë se tash e gjashtë vjet nuk dinë asgjë për Mirjeta Zekën

27 March 2025 at 14:37

Janë bërë gjashtë vjet nga zhdukja e gruas nga Mitrovica, Mirjeta Zeka. Ajo ishte humbur pa gjurmë, pikërisht në ditën kur kishte pasur të kthehej në Gjermani së bashku me bashkëshortin e tij.

Familja Zeka në një reagim publik drejtuar mediave ka thënë se fundi i muajit mars shënon një tjetër përvjetor të dhimbshëm të zhdukjes së Mirjeta Zekës, transmeton Telegrafi.

“Një rast që vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërsa dhimbja dhe pasiguria rëndojnë mbi familjen e saj dhe gjithë shoqërinë tonë. Gjashtë vite pas zhdukjes së Mirjetës, për fat të keq, ky rast mbetet i pazgjidhur për shkak të mungesës së veprimit efektiv nga organet e drejtësisë. Zvarritja e hetimeve dhe mungesa e rezultateve konkrete pasqyrojnë një neglizhencë të rëndë institucionale, e cila minon besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e familjes.

Tutje në reagim thuhet se familja e Mirjetës meriton të dijë të vërtetën, ndërsa institucionet kanë detyrimin moral dhe ligjor të angazhohen me përkushtim të plotë për zbardhjen e këtij rasti.

“Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga familja dhe opinioni publik, institucionet përgjegjëse kanë dështuar ta ndriçojnë këtë rast, duke dëshmuar një neglizhencë të papranueshme dhe një shkelje të rëndë të detyrimeve të tyre ligjore.

Ligjet në fuqi i obligojnë institucionet e drejtësisë të zhvillojnë hetime efektive, të paanshme dhe të shpejta për raste të tilla, në mënyrë që e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në
vend. Vonesat e pajustifikueshme dhe mungesa e progresit në këtë rast janë dëshmi e një neglizhence sistematike që dëmton rëndë besimin e qytetarëve në drejtësi”, theksohet mes tjerash.

Familja Zeka ka kërkuar që rasti të kalojë urgjentishtnga Prokuroria Themelore e Mitrovicës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Duke marrë parasysh kompleksitetin e rastit dhe dështimin e deritanishëm të organeve përgjegjëse për të siguruar drejtësi, ky transferim është i domosdoshëm për të garantuar një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm”, vijon reagmi.

Poashtu thuhet se mosveprimi institucional në këtë rast nuk është vetëm dështim ligjor dhe profesional, por edhe një padrejtësi e rëndë ndaj familjes së Mirjetës, e cila tash e gjashtë  vite kërkon përgjigje.

“Kërkojmë drejtësi për Mirjetën dhe për të gjitha rastet e tjera të ngjashme që mbetën të pazgjidhura. Heshtja dhe neglizhenca nuk mund të jenë përgjigje! Kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse”, thuhet ndër tjera./Telegrafi/

 

 

The post U zhduk në ditën kur kishte për tu kthyer në Gjermani, familja thotë se tash e gjashtë vjet nuk dinë asgjë për Mirjeta Zekën appeared first on Telegrafi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngritë aktakuzë ndaj tre të pandehurve për Krime Lufte ndaj Popullsisë Civile

21 March 2025 at 15:31

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.V. dhe M.V. të  nacionalitetit serb, dhe A.Ç. të nacionalitet boshnjak, për shkak të dyshimit të bazuar se e kanë kryer veprën penale” “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit si pjesëtarë rezervë të Policisë të Stacionit Policor në Pejë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, kanë kryer vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë, me ç ‘rast u vranë (14) civil të nacionalitet shqiptar thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.

Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë./Telegrafi/.

The post Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngritë aktakuzë ndaj tre të pandehurve për Krime Lufte ndaj Popullsisë Civile appeared first on Telegrafi.

Arrestohet kryeshefi i KRU “Gjakova” – Prokuroria Speciale tregon se çfarë konfiskoi në shtëpinë dhe zyrën e tij

18 March 2025 at 14:51

Kryeshefi i ndërmarrjes KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi është arrestuar sot, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Arrestimi i tij ndodhi gjatë një operacioni policor që u realizua sot në Gjakovë.

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim.

“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë.

Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K.,  të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili  me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Tutje Prokuroria ka bërë të ditur për Telegrafin se gjatë ditës së sotme janë kontrolluar-bastisur edhe objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU Gjakovë, ku janë siguruar  dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin, si dhe janë sekuestruar: një Lap-Top, një telefon mobil Samsung Galaxy S22, para 22.205,00 Euro, Barka Ranier Wit dhe dy kontrata qe ndërlidhen me rastin.

“Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do të vendosë për masën e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve. /Telegrafi/

The post Arrestohet kryeshefi i KRU “Gjakova” – Prokuroria Speciale tregon se çfarë konfiskoi në shtëpinë dhe zyrën e tij appeared first on Telegrafi.

Prokuroria e ka caktuar për sot intervistimin në cilësinë e dëshmitarit –  a do të paraqitet Kurti për intervistim?

4 March 2025 at 07:41

Prokuroria Speciale e ka ftuar për sot kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.

Ai është ftuar për intervistim në ora 10:00.

Gjykata Themelore e Prishtinës ditë më parë ka lëshuar urdhër me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet më Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit për çështjen e rezervave shtetërore.

Urdhri për tu paraqitur kryeministri Kurti në prokurori si dëshmitar vjen në ditën kur Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, kishte konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, në letrën dërguar Gjykatës, Kryeministria përsëriti qëndrimin e shprehur më parë se Kurti nuk i ka refuzuar kërkesat për të dhënë dëshmi, por ai ka kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Qeverisë.

“Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.

Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. /Telegrafi/

The post Prokuroria e ka caktuar për sot intervistimin në cilësinë e dëshmitarit –  a do të paraqitet Kurti për intervistim? appeared first on Telegrafi.

Arrestimi i të dyshuarës serbe për spiunazh, Islami: Goditje e fortë ndaj tentativave për infiltrim!

1 March 2025 at 11:53

Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka njoftuar se është arrestuar një femër e dyshuar për kryerjen e veprës penale, spiunazh.

E dyshuara është nga radhët e komunitetit serb.

E lidhur me këtë ka reaguar sot njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Ai në një postim në Facebook shkruan se rasti në fjalë konfirmon gatishmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të sigurisë, të cilat në mënyrë të pandërprerë monitorojnë dhe analizojnë veprimtaritë që mund të cenojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit.

“Arrestimi nuk është thjeshtë një veprim i izoluar, por pjesë e një angazhimi sistematik për të mbrojtur institucionet dhe rendin kushtetues nga çdo tentativë për depërtim të paligjshëm nga brenda apo nga jashtë vendit.

Ky zhvillim është gjithashtu një sinjal i qartë për çdo individ apo rrjet që synon të veprojë në dëm të interesave të Kosovës. Reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve tregon se sistemi mbrojtës funksionon dhe është i aftë të ndërhyjë në kohë për të parandaluar rreziqe më të mëdha”, shkuan ai. /Telegrafi/

The post Arrestimi i të dyshuarës serbe për spiunazh, Islami: Goditje e fortë ndaj tentativave për infiltrim! appeared first on Telegrafi.

Gjykata lëshon urdhër: Kurti duhet të dëshmojë më 4 mars në Prokurorinë Speciale

28 February 2025 at 17:28

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet më Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit për çështjen e rezervave shtetërore.

Urdhri për tu paraqitur në prokurori si dëshmitar vjen në ditën kur Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gash, ka konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.   Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.

Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asajqë ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.

Në letrën dërguar Gjykatës, Kryeministria përsëriti qëndrimin e shprehur më parë se Kurti nuk i ka refuzuar kërkesat për të dhënë dëshmi, por ai ka kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Qeverisë.

“Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.

Kryeministria pretendoi se ekzistojnë praktika kur zyrtarë të lartë janë intervistuar në ambientet e tyre të punës dhe kjo mund të përsëritet.

Në letrën drejtuar Gjykatës, Zyra e Kurtit po ashtu hodhi dyshime edhe mbi natyrën e ftesës.

“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, u tha në letër, ku u kërkua që Gjykata të shqyrtojë çdo detaj lidhur me këtë ftesë.

Në dhjetorin e vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.

Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.

Ndryshe, në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.

Nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

“Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë,

Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. /Telegrafi/

The post Gjykata lëshon urdhër: Kurti duhet të dëshmojë më 4 mars në Prokurorinë Speciale appeared first on Telegrafi.

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë

25 February 2025 at 17:44

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar një shtetas serb të identifikuar me inicialet D.R., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është arrestuar në bazë të provave dhe dëshmive të mbledhura nga hetimet preliminare, të cilat sugjerojnë përfshirjen e tij në ngjarje të dhunshme gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

I dyshuari dyshohet se ka kryer akte të dhunës dhe mizorive ndaj popullsisë civile në regjionin e Gjakovës, një nga zonat që ka përjetuar masakra dhe spastrime etnike gjatë periudhës së luftës.

Ligji penal i ish-Jugosllavisë, që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, sanksionon ashpër këto krime, duke i konsideruar ato si shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndodhet nën masën e arrestit të përkohshëm.

Brenda afatit ligjor, ai pritet të dalë para Gjyqtarit të procedurës paraprake, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm të procedurës penale.

Ky arrestim është pjesë e përpjekjeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë për të ndjekur dhe ndëshkuar përgjegjësit e krimeve të luftës, pavarësisht kohës që ka kaluar që nga përfundimi i konfliktit.

Autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët dhe dëshmitarët për të ndihmuar në identifikimin dhe ndëshkimin e individëve të përfshirë në krime kundër njerëzimit./Telegrafi/

The post Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë appeared first on Telegrafi.

❌
❌