Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dhimitër Shuteriqi, studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë shqipe

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Më 22 korrik të vitit 2003 u nda nga jeta akademiku Dhimitër Shuteriqi.

Akademiku i lindur në 26 korrik 1915 në Elbasan, ishte shkrimtari dhe studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë sonë. Dhimitri ishte i biri i Simon Shuteriqit, një prej anëtarëve të Kongresit të Elbasanit 1909. Mësimet fillore i kreu pranë vendlindjes në Normalen e Elbasanit e më pas shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës dhe universitetin në Francë në Grenoble për filozofi.

“Nëse puna shkencore më çoi të qëmtoj fjalët e shkruara shqipe përpara vitit 1555, e bëra sepse, përpara atij viti, na kanë mbetur vetëm 3-4 fraza shqipe, po dhe se më ra në sy që, si emra njerëzish e vendesh, fjalët shqipe të regjistruara nëpër dokumentet e huaja nuk ishin pak. Puna më tregoi se mund të qëmtoja rreth 300 për 30 vjet”, shprehej ndër të tjera Shuteriqi në një intervistë të dhënë në vitin 1989.

Tradita e hershme e shkrimit shqip u studiua dhe botua në korpusin e botimeve të autorit, i cili gjurmoi fjalēn shqipe që nga shek. XIV-të duke lënë pas një varg veprash me rëndësi të shumëfishtë.

Me kthimin në atdhe, në 1942-shin, Dhimitër Shuteriqi u bë pjesë aktive në Luftën ANÇ. Ai krahas funksioneve politike gjatë regjimit komunist mbante edhe postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik.

Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, ka marrë Çmimin e Republikës së shkallës së parë. Pjesëmarrjës si delegat i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe autor e recensues i një sërë veprash me tema historike. Për publikun njihet me romanin me dy volume “Çlirimtarët” dhe “Historia e letërsisë shqiptare”. Në krijmtarinë e tij studimore do të shënohen edhe studime për shumë figura të historisë së Shqipërisë si Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Ismail Qemali, Dora d’Istria, A. Z. Çajupi e të tjerë. /j.p/

The post Dhimitër Shuteriqi, studiuesi i rrallë i historisë së letërsisë shqipe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kujtesa e Mesdheut”, edhe një javë më shumë e hapur për vizitorët

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Biblioteka Kombëtare bëri të ditur se ekspozita e saj titulluar “Kujtesa e Mesdheut”, do të qëndrojë e hapur edhe një javë më shumë se afati fillestar.

Duke parë interesin e shtuar të grupeve të vizitorëve, vendas e të huaj, BK vendosi ta lërë të hapur edhe për 1 javë. Deri më tani ekspozita “Kujtesa e Mesdheut” është parë nga 2600 vizitorë, në një muaj, 9 mijë prej të cilëve janë të huaj.

“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.

Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.

E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe.

The post “Kujtesa e Mesdheut”, edhe një javë më shumë e hapur për vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozitë performative në Pogradec, 9 artistë në rezidencë kërkimore

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Tirana Art Lab do të çelë në Pogradec një ekspozitë të veçantë e cila bën bashkë 9 artistë të arteve pamore.

“Ekspozita Performative #5 – Lyhnida – Liqeni i Dritës”, është një projekt që sjell në Pogradec një rezidencë kërkimore njëjavore e cila do të kulmojë me prodhimin e veprave të reja artistike dhe një ekspozitë publike në galerinë e arteve të këtij qyteti.

Projekti bën bashkë artistë, kuratorë dhe aktivistë: Bora Baboçi, Adela Demetja, Genc Kadriu, Denisa Kasa, Anastas Kostandini, Ledia Kostandini, Mariana Kostandini, Fabio Toska, Ilir Tsouko.

Projekti fokusohet në liqenin e Ohrit, liqenin më të vjetër natyror në Evropë (me një moshë të vlerësuar rreth 4 milionë vjet) dhe një nga më të vjetrit në botë, duke nxjerrë në pah vlerat e tij natyrore dhe kulturore duke trajtuar gjithashtu rreziqet që kërcënojnë këtë ekosistem unik. Përmes një qasjeje inovative, projekti kombinon rezidencën e artistit, krijimin e veprave të reja dhe një prezantim publik për të promovuar praktikat e qëndrueshme artistike dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ruajtjen e këtij ekosistemi të mbrojtur nga UNESCO.

Emri i projektit i referohet Lychnidos (gjithashtu shkruhet Lyhnida ose Lychnida), emri i lashtë i qytetit të Ohrit, tani në Maqedoninë e Veriut. Fjala Lychnidos rrjedh nga greqishtja lychnos, që do të thotë “llambë” ose “dritë”, duke iu referuar qartësisë dhe shkëlqimit të liqenit të Ohrit, pranë të cilit ndodhet qyteti.

“Ekspozita Performative” është një format i krijuar nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, që synon zbërthimin e formatit të ekspozitës dhe bërjen publike të proceseve artistike dhe kuratoriale nëpërmjet performancës. Ky koncept synon të përfshijë mjetet dhe kushtet e prodhimit artistik përtej vetë ngjarjes së ekspozitës, duke propozuar mënyra të reja ekspozimi dhe pune së bashku.

Projekti do të inaugurohet më 26 korrik, por për publikun do të jetë i vizitueshëm prej datës 27 korrik deri më 5 gusht në Galerinë e Artit Pogradec. Ky projekt ka gjetur edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /j.p/

 

The post Ekspozitë performative në Pogradec, 9 artistë në rezidencë kërkimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Trurit

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Dita Botërore e Trurit është një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor që shënohet më 22 korrik të çdo viti, duke synuar ndërgjegjësimin për sëmundjet e trurit.

Në këtë ditë, organizata dhe komunitete të ndryshme lokale dhe globale mblidhen duke bërë thirrje për një kujdes më të madh shëndetësor, edukimin dhe kërkimin shkencore mbi kushtet neurologjike.

Ky është viti i 12-të që kremtohet Dita Botërore e Trurit. Këtë vit organizohet fushata historike kushtuar promovimit të “Shëndetit të trurit për të gjitha moshat”. Nisma e këtij viti bazohet në sukseset e fushatave të mëparshme, duke përforcuar angazhimin për shëndetin e trurit si një aspekt themelor i mirëqenies individuale dhe shoqërore.

Këto janë pesë mesazhet e Dites Botërore të Trurit nga Federata Botërore e Neurologjisë:

Ndërgjegjësimi: Çrregullimet neurologjike janë shkaku kryesor i nje jete të kaluar me aftësi të kufizuara dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve.

Edukimi: Shëndeti i trurit duhet të ketë prioritet gjatë gjithë jetës, nga fëmijëria deri në pleqëri.

Parandalimi: Parandalimi i çrregullimeve neurologjike fillon herët, me zgjedhje të një stili jetese të shëndetshëm si ushtrimet e rregullta, ushqimi i ekuilibruar, gjumë cilësor, menaxhimin e stresit, kontrollin e faktorëve të rrezikut vaskular dhe angazhimin social.

Aksesi: Qasja e barabartë në kujdesin neurologjik, diagnostikim dhe terapi është thelbësore për të gjithë, pavarësisht nga statusi socio-ekonomik.

Ndikimi: Një kornizë globale për shëndetin e trurit duhet të fokusohet në vlerësimin e rrezikut, ndërhyrjet e hershme, zbutjen e rrezikut mjedisor dhe kujdesin e barabartë neurologjik. /j.p/

The post Dita Botërore e Trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja e Himarës, thesar i trashëgimisë kulturore

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Mëngjeset në Kalanë e Himarës, ofrojnë pamje mahnitëse, që rikujtojnë pasurinë historike dhe natyrore që mbart ky vend i mrekullueshëm.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.

Qyteti i lashtë i Himarës në vetvete është një monument i rëndësishëm me moshë rreth 3.500-vjeçare. Kalaja (e njohur ndryshe si Barbakas) ka dy porta hyrëse, në veri dhe jug dhe kufizohet nga dy kanione, ai i Vishës (monument natyror) në veriperëndim dhe në juglindje nga kanioni ose përroi i Kole Midharit.

Kalaja e Himarës ekziston, të paktën qysh nga mesi i shekullit të IV para Krishtit dhe kontrollonte rrugën nëpër bregdet nga Oriku për në Buthroto. Përmendet me emrin Chimera (toponimia Himarë lidhet nga disa studiues me Kimeran, një qenie mitologjike me trup luani koke dhie dhe luani dhe bisht gjarpri) dhe përfshihet në fisin Epirot të Kaonëve.

Në disa pjesë të saj janë ruajtur mure rrethuese të periudhës Helenistike. Blloqet e mëdha të gureve poligonale janë të ngjashëm me muret rrethuese të Finiqit, Butrintit dhe qyteteve të tjera të Kaonisë të së njëjtës periudhë.

Kisha e Episkopisë konsiderohet nga monumentet më të rëndësishme dhe gjendet brenda mureve helenistike. Sipas një versioni është e ndërtuar mbi themelet e një tempulli kushtuar Apolonit. Ajo përbëhet nga tempulli kryesor dhe një gjysmë tjetër e zbuluar ku prehen dhe dy peshkopë. /j.p/

The post Kalaja e Himarës, thesar i trashëgimisë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Festivali “Nona” në Përmet, udhëtim i veçantë në rrënjët tona

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët të ruajnë datat 8,9, 10 gusht për të vizituar Përmetin, ku në këto data mbahet një festival interesant i quajtur “Nona” e që këtë vit mbush 5 vjeç.

“Festivali “Nona”, një udhëtim i veçantë në rrënjët tona, me zemrën plot. Festojmë bashkë me gjyshet më të dashura nga gjithë Shqipëria, në një festë plot dashuri, kujtime dhe muzikë në zemër të Përmetit”, shkroi kryeministri Rama duke kujtuar dhe datat 8-9-10 gusht.

Ky do të jetë edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, një ngjarje unike treditore që bashkon të gjithë njerëzit, brezat e rinj dhe të vjetër, ruan traditën dhe e kthen parkun qendror, gjatë fundjavës, në një shtëpi të madhe ku duket si shtëpia e gjyshes së të gjithëve.

Duke qenë se ky festival, ka në thelb traditat dhe mjeshtërinë e gjysheve në gatim, njerëzit janë të ftuar të mblidhen për të ngrënë nga duart e gjyshes, për të qeshur dhe për të kaluar kohë me njëri-tjetrin.

Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.

e.r/j.p/

The post Rama: Festivali “Nona” në Përmet, udhëtim i veçantë në rrënjët tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Dishnicë, Filo: Ndërhyrje me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Prej orëve të para të mëngjesit, strukturat e Emergjencave Civile, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, punonjës të Njësisë Administrative Bulgarec dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor kanë rinisur punën në terren për vënien nën kontroll të zjarrit që ka përfshirë zonën malore të fshatit Dishnicë.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur se zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa terreni i thepisur po e bën të vështirë ndërhyrjen nga toka.

“Strukturat po veprojnë me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen më tej të flakëve dhe për të mbrojtur sipërfaqet pyjore, banesat dhe jetën e banorëve”, tha Filo, i cili shtoi se ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, çka e bën edhe më të rëndë këtë akt që dëmton natyrën, pasurinë dhe sigurinë publike.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo bëri apel për bashkëpunim dhe raportim të menjëhershëm nga komuniteti për çdo rast të dyshimtë. “Vetëm së bashku mund të parandalojmë dëme të tilla”, u shpreh Filo. /j.p/

 

1 nga 5

The post Zjarri në Dishnicë, Filo: Ndërhyrje me intensitet maksimal për të shmangur përhapjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”, vizita e parë për bashkëpunëtorët

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ndau me publikun imazhe nga “vernissage” i ekspozitës “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.

Vernissage janë vizitat private në një galeri përpara hapjes së një ekspozite ndaj publikut të gjerë.

Kuratorja Kim Knoppers shoqëroi përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore në ekspozitë: Néprajzi Múzeum, Ambasada e Hungarisë në Tiranë, Ambasada e Holandës në Shqipëri, Bashkia Shkodër etj.

Mbas fjalëve përshëndetësë të drejtorit të Muzeut të Etnografisë së Budapestit, dr. Lajos Kemecsi, Ambasadores së Hungarisë në Tiranë, Martina Kasnyik, Ambasadorit të Holandës në Tiranë, Reinout Vos, dizajnerit të tekstileve, Jozef Martini, kuratorja Kim Knoppers i shoqëroi të pranishmit në një shëtitje vizuale në Pazarin e Vjetër të Shkodrës.

Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.

The post “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”, vizita e parë për bashkëpunëtorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, bashkëprodhuese në filmin e ri të Milcho Manchevski-t

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Kanë nisur xhirimet e filmit “Leaving Copacabana” me regji nga Milcho Manchevski, një nga regjisorët më të njohur në Ballkan, fitues i mbi 50 çmimeve ndërkombëtare.

Shqipëria merr pjesë në këtë produksion si bashkëprodhuese, përmes Tirana Film Institute, në bashkëpunimin e dytë me Banana Film dhe regjisorin Milcho Manchevski nga Maqedonia e Veriut.

Filmi ndjek historinë e një motre dhe vëllai me karaktere komplekse dhe shumë dimensionale, që përballen me sfida të jetës në një shoqëri të polarizuar mes të pasurve dhe të pambrojturve.

Disa prej aktorëve protagonistë janë Sara Klimoska, Filip Trajković, Petar Mirčevski, Sonja Mihajlova, Dejan Lilić.

“Leaving Copacabana” është një bashkëprodhim mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Serbisë, Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Milcho Manchevski është një emër i njohur në fushën e kinematografisë. Ai ka fituar një Luan të Artë të Venecias si dhe është i pari regjisor maqedonas që u bë kandidat për çmimet Oscar.

Manchevski ka patur bashkëpunime me Tirana International Film Festival, ku janë shfaqur filma të tij. Në TIFF-in e para dy vjetëve, Manchevski solli në Tiranë, filmin e tij premierë “Kaymak”. /j.p/

The post Shqipëria, bashkëprodhuese në filmin e ri të Milcho Manchevski-t appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pandi Raidhi, mjeshtri që ndërtoi mbi 200 karaktere në teatër e kinematografi

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Si sot, 26 vjet më parë u nda nga jeta Pandi Raidhi.

Ai lindi në Korçë, më 14 prill 1921. Është quajtur “talent i lindur”, pasi që në moshë fare të re spikati tek shfaqja “Dasma korçare”. Ai ishte një nga themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës si dhe aktor themelues i Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Edhe pse ideologjia e kohës e ndëshkoi punën e shumë artistëve, pati nga ata që mbetën të mëdhenj duke marrë përgjegjësi për artin që përcillnin.

Kur u nda nga jeta, më 18 korrik të vitit 1999, Pandi Raidhi, Mjeshtri i Madh i karaktereve kishte lënë pas një galeri të pasur rolesh në teatër e filma: 200 role në teatër dhe 36 në kinematografi.

Debutimin e parë kinematografik e bëri në filmin “Tana”, të vitit 1958, por shkëlqeu dhe u bë i paharrueshëm me gjithë interpretimet e mëpasshme të cilat kanë ngelur në mendjen e publikut, ndër të cilët jane rolet tek filmat “Yje të netëve të gjata”, “Nëntori i Dytë “, “Tokë e përgjakur”, “Përballimi”, “Zonja nga qyteti”, etj. Në vitin 1975 iu dha titulli i lartë “Artist i Popullit”. /j.p/

The post Pandi Raidhi, mjeshtri që ndërtoi mbi 200 karaktere në teatër e kinematografi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Më 18 korrik të çdo viti, OKB fton të kremtohet Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës duke bërë një ndryshim në komunitetet tona.

OKB kujton se, të gjithë kanë aftësinë dhe përgjegjësinë për të ndryshuar botën për mirë. Në faqen e saj të web-it, OKB kujton Mandelën me fjalët e tij: “Është e lehtë të thyhesh dhe të shkatërrohesh. Heronj janë ata që bëjnë paqe dhe ndërtojnë”.

Nelson Mandela lindi më 18 korrik 1918, Mvezo, të Afrikës së Jugut dhe u nda nga jeta më 5 dhjetor 2013, në Johannesburg. Ai ishte një nacionalist me ngjyrë dhe presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut (1994–99).

Mandela vuajti më shumë se 27 vjet burg për sabotime e krime të tjera.  Ai u arrestua në vitin 1962 dhe u lirua në vitin 1990. Fillimisht u dënua me pesë vjet për nxitje të grevës, ndërsa më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për sabotim etj. Mandela e kaloi pjesën më të madhe të kohës në burg në ishullin Robben dhe disa kohë në burgun Pollsmoor dhe burgun Victor Verster.

Negociatat e tij në fillim të viteve 1990 me presidentin e Afrikës së Jugut. F.W. de Klerk ndihmuan t’i jepej fund sistemit të aparteidit, të ndarjes racore në vend dhe çuan në një tranzicion paqësor drejt sundimit të shumicës. Mandela dhe de Klerk u nderuan bashkërisht me Çmimin Nobel për Paqen në 1993 për përpjekjet e tyre.

Ish-presidenti amerikan Barak Obama e ka cilësuar Mandelen si simbol të drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit.

The post Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korçë, bashkia në krah të sektorit privat për turizëm cilësor dhe gjithëvjetor

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ U zhvillua sot në bashkinë e Korçës një takim me Komitetin për Zhvillimin Turistik, përfaqësues të bizneseve dhe aktorë të tjerë lokalë, ku në qendër ishte analiza e potencialeve të turizmit dhe forcimi i rolit të tij në ekonominë e këtij qyteti.

Ky takim u ndërtua si një proces bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, me qëllim prezantimin e ecurisë së deritanishme të zhvillimit turistik në Korçë.

Gjatë takimit u diskutua hapur mbi sfidat dhe mundësitë e sektorit, u analizuan në thellësi drejtimet strategjike përmes metodologjisë SWOT. Një tjetër qëllim i takimit ishte hartimi i një plani konkret veprimi për një turizëm të qëndrueshëm.

Pjesëmarrësit vunë theksin tek një angazhim i përbashkët për të çuar përpara zhvillimin ekonomik të Korçës, nëpërmjet një turizmi cilësor, gjithëvjetor dhe të bazuar në identitetin unik kulturor, natyror dhe historik të Korçës.

Bashkia Korçë bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë krah komunitetit dhe sektorit privat, në çdo hap të këtij procesi. /j.p/

 

The post Korçë, bashkia në krah të sektorit privat për turizëm cilësor dhe gjithëvjetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 107% më shumë vizitorë në Qendrën Muzeore Krujë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Qendra Muzeore Krujë, në 6-mujorin e parë të vitit, ka mirëpritur 107% më shumë vizitorë krahasuar me 2023.

Shifra u bë publike nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i cili shpërndau në rrjetet sociale edhe pamje mbresëlënëse nga ajri të Kalasë së Krujës dhe turistëve të shumtë që e vizitojnë atë.

Edhe në këto ditë të nxehta korriku rrugët e Krujës gumëzhijnë nga turistët vendas e të huaj. Qendra Muzeore Krujë është vizituar nga mbi 95 mijë vizitorë në periudhën janar-qershor 2025, ku 50% janë të huaj.

Numrin më të lartë të turistëve të huaj e përbëjnë vizitorët nga Polonia, Spanja, Azia dhe Franca.

Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.

e.r/j.p/

The post Gonxhja: 107% më shumë vizitorë në Qendrën Muzeore Krujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Fjala e T’in’ Zoti”, revista patriotike e arbëreshëve themeluar 113 vjet më parë

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Qendra e Studimeve dhe publikimeve për arbëreshët (QSPA) kujtoi sot 113-vjetorin e themelimit të revistës arbëreshe të së dielës “Fjala e t’in Zoti”.

Kjo ishte një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë. Revista u themelua nga studiuesi Pal Skiroi (Paolo Schirò) dhe shërbeu si një dritare informimi për arbëreshët e Siçilisë.

Shumë prej albanologëve të kohës e përshëndetën dhe e pritën me interes shkencor botimin e “Fjala e T’in’Zoti”. Skiroi mbajti një letërkëmbim me studiuesin dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Lef Nosi, at Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë atdhetarë të tjerë të cilët e përkrahën këtë nismë. Kjo revistë ka një meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e të krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, që të merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e sakramenteve.

“Fjala e T’in’ Zoti” ishte dhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut dhe përforcimin e identitetit edhe kombëtar.

e.r/j.p/

The post “Fjala e T’in’ Zoti”, revista patriotike e arbëreshëve themeluar 113 vjet më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Golemi: Gjirokastritët po i japin jetë lagjeve historike

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ndau në rrjetet sociale momente emocionuese nga festimet me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së qytetit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

“15 korriku është një ditë e veçantë. Qyteti është tashmë një pasuri e përbotshme. Gjirokastritët po rikthehen, po investojnë dhe po i japin jetë lagjeve historike. Vetëm këtë vit janë regjistruar mbi 600 mijë vizitorë”, tha Flamur Golemi për mediet.

Në aktivitetet e organizuara me këtë rast, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, i cili u shpreh se, Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, falë njerëzve të saj. “Ne kemi kontribuar në pasurimin arkitekturor dhe kulturor të qytetit përmes bashkëpunimeve”, tha ambasador Alberti.

Në vitin 2017, Gjirokastra doli nga lista e trashëgimisë së rrezikuar, pas vlerësimeve pozitive për restaurimin e pazarit historik, fasadave, kalldrëmeve dhe kontrollin më të mirë të ndërtimit në zonën e mbrojtur.

Një numër i konsiderueshëm banesash tradicionale tashmë janë restauruar nga pronarët dhe janë përshtatur për qëllime mikpritjeje.

e.r/j.p/

The post Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Golemi: Gjirokastritët po i japin jetë lagjeve historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Në Amfiteatrin Antik të Durrësit u vu në skenë premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez.

Nën regjinë e Andia Xhungës, komedia e bëri publikun të qeshë dhe të futet në mendime, duke marrë duartrokitjet e merituara.

“Vendi më i humbur në Shqipëri” është sjellë në shqip nga përkthyesja Anxhela Çikopano dhe u interpretua nga trupa e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Interesi i publikut ndaj veprës, ka qenë i menjëhershëm. Të gjitha biletat për dy netët e para u shitën në kohë rekord, duke e bërë këtë komedi një prej ngjarjeve më të shumëpritura të verës në qytetin bregdetar.

E vendosur në një fshat të vogël dhe të harruar, që rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta, ngjarja nis kur një gazetare e famshme mbërrin papritur, duke sjellë me vete një sërë përplasjesh botëkuptimesh, ngjarjesh të papritura dhe situatash komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo shoqërore me ngjyra absurde, por thellësisht njerëzore.

Me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe absurditetit.

Skenografia dhe kostumografia janë konceptuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale është krijuar nga Endri Sina.

Në kastin e aktorëve spikasin: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma. /j.p/

The post Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Fllad vere”, ekspozita vetjake e Mario Shemajt në GAT

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Galeria e Artit Tiranë ka përgatitur një ekspozitë vetjake të artistit Mario Shemaj, me titull “Fllad vere” (Summer breeze).

Ekspozita do të sjellë pranë publikut një cikël punimesh të krijuara në periudha të ndryshme, ku figurat njerëzore, të zhytyra në akte të thjeshta të përditshmërisë, lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat sesa me realitetin.

Personazhet, njëherësh të njohur dhe të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit, me një mungesë pranie të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë paraqitjeje e personazheve krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj (21 korrik-20 gusht) dhe mund të vizitohet nga e hëna në të premte. /j.p/

The post “Fllad vere”, ekspozita vetjake e Mario Shemajt në GAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

100 të rinj trajnohen për teknologji e inovacion nga instruktorë të Stanford University

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në qytetin e Korçës u çel sot edicioni i ri i Korça ICT Academy & Code for Albania 2025.

100 nxënës nga e gjithë Shqipëria u përzgjodhën për pasionin dhe kuriozitetin e tyre në teknologji dhe inovacion dhe nisën kështu një udhëtim dyjavor. Përkrah tyre janë instruktorë nga Stanford University dhe nga qendra të njohura teknologjike në SHBA e Kanada, që sjellin eksperiencë, dije dhe një frymë ndërkombëtare.

Të rinjtë do të kryejnë më shumë se 80 orë trajnimi praktik, projekte reale, mentorim të dedikuar dhe punë në grup, në një program që nuk mëson vetëm kodim, por ndërton mënyrën si të rinjtë mendojnë, krijojnë dhe bashkëpunojnë.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo e cilësoi këtë aktivitet shumë më tepër sesa një shkollë verore. “Është një investim për të ardhmen, për një brez të ri të aftë, krijues dhe të përgatitur, që do të udhëheqë ndryshimin teknologjik të vendit”, u shpreh Filo. /j.p/

The post 100 të rinj trajnohen për teknologji e inovacion nga instruktorë të Stanford University appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pelegrinazh në 115-vjetorin e lindjes së Dervish Luzhës

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Tyrbja e Dervish Luzhës në fshatin Luzhë në Tropojë, është Monument Kulture, Kategoria I.

Në ditën e tij të lindjes, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër solli në vëmendje veprën bamirëse të Rexhep Balës i njohur si Dervish Luzha.

Sot, me dhjetëra kureshtarë dhe besimtarë vizitojnë këtë vend të mirë, për të rimarrë besimin e humbur duke e shndërruar vendin ku mbylli sytë dervishi i njohur nga më të vizituarit në të gjithë krahinën e Tropojës.

Çdo vit, jo vetëm banorë të Tropojës por edhe emigrantë që jetojnë jashtë Shqipërisë, kthehen në pelegrinazh tek ky vend, duke besuar në ndihmën e mbinatyrshme.

Dervish Luzha lindi në Luzhë 115 vite më parë, ndërsa u bë i njohur për aftësitë në shërimin e sëmundjeve apo largimin e shqetësimeve, duke u parë nga i gjithë komuniteti si shenjti i veriut.

Ai nuk jetoi kurrë në shtëpinë e tij, sepse atij i hapnin derën çdo shtëpi e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, madje kishte përcaktuar vetë vendin ku do të varrosej, aty ku sot ngrihet tyrbja. Sipas ritualit, në vendin e mirë nuk mund të futesh kur ke pirë alkool apo i pa ngrënë. /j.p/

1 nga 3

The post Pelegrinazh në 115-vjetorin e lindjes së Dervish Luzhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, hapën mbrëmë ekspozitën “Armiku i jashtëm” me kurator Bashkim Shehun.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur përfytyrimet se si mund të ishte “armiku i jashtëm” nëpërmjet karikaturave të revistës politiko-humoristike “Hosteni” përgjatë viteve të diktaturës 1945-1990.

Ekspozita është një kujtesë vizuale dhe kulturore për mekanizmat e propagandës së kohës. Vendet zyrtarisht mike të Shqipërisë pakësoheshin kohë mbas kohe duke u shndërruar menjëherë në vende armike në një proces që solli vetizolimin total të vendit.

Në ceremoninë e inaugurimit të ekspozitës në COD, krahas kuratorit Bashkim Shehu, ndanë reflektime dhe kujtime për rolin e “Hostenit” në jetën publike të kohës edhe Zhani Ciko dhe Përparim Kalo, duke sjellë një pasqyrë të gjallë të kontekstit historik dhe kulturor të atyre viteve.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për publikun deri më datën 23 gusht. /j.p/

The post “Armiku i jashtëm”, ekspozitë me karikaturat e revistës “Hosteni” në COD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌