Fondacioni Rame Lahaj sjell grupin gjerman PasParTouT, me programin muzikor për fëmijë “Gjelat ne Pentagram”, një teatër muzikor edukativ, që do t’i bëjë fëmijët jo vetëm të dëgjojnë dhe të shohin, por të përjetojnë nga afër fuqinë dhe bukurinë e muzikës klasike në një mënyrë krejtësisht të re.
PasParTouT, me përvojë në skena ndërkombëtare, ka ndërtuar një shfaqje që kombinon tregimin artistik, performancën skenike interaktive dhe tingujt magjikë të instrumenteve klasike, transmeton KultPlus.
Fëmijët nuk do të jenë vetëm spektatorë, por do të përfshihen drejtpërdrejt në shfaqje, duke mësuar për emocionet që përcjellë muzika, instrumentet që e krijojnë atë dhe historitë që ajo tregon.
Kjo është shumë më tepër se argëtim, është edukim përmes artit, ku më të vegjlit e sotëm bëhen publiku i vetëdijshëm dhe i apasionuar i së nesërmes./KultPlus.com
Trishtimi. Ai vetëm mua më përket! Iku një vajzë. E desha dhe i thashë shko! Jeta ime boheme në dy metra katrore vdes. Vdekja! Ç’fjalë e trishtme dhe e fortë! Nuk vdes njeri nga dashuri e humbur. Sidoqoftë, dhimbje ka. Edhe vdekja në metastaza dhembjesh është strukur, galopi i tyre baraz me hata. Po bota jeton. Jeton njeriu. Me dhembje, dhe më i lumtur. Unë dua të jetoj. Ajo, gjithashtu. Dhe iku. Trishtimi vetëm mua më përket! Për inat të tij bëhem më i bukur!/KultPlus.com
Historia e njerëzimit është e mbushur me figura që kanë parë përtej horizontit të kohës së tyre, por janë dënuar të ecin të vetmuar në rrugë të mbuluara me mosbesim. Një ndër ta është Nikola Tesla, një njeri që e pa botën jo vetëm siç ishte, por siç mund të ishte.
Në një dorëshkrim enigmatik, të zbuluar rastësisht në veshjen e brendshme të një helmete zjarrfikësi, hasim fjalët e tij të prerë:
“Gabohesh, z. Ajnshtajn… eteri ekziston.”
Janë fjalë që sfidojnë themelet e shkencës së shekullit XX. Ato nuk janë vetëm një kundërshti ndaj Ajnshtajnit, por një klithmë e një shpirti që refuzon të përkulet para dogmës së pranuar. Për Teslën, eteri nuk ishte një fantazmë e shkencës së kaluar, por vetë indi i universit. Në të ai shihte përgjigjen për gravitetin, inercinë, madje edhe për lindjen e botëve të reja.
Por çfarë ndodhi me të? Si shumë vizionarë, ai u përball me murin e padukshmërisë: shkenca zyrtare e shpalli të lajthitur, pushtetet e kohës i mbyllën dyert, dhe financuesit i kthyen shpinën. Në vend të përqafimit, ai mori përbuzjen. Në vend të mbështetjes, përjashtimin.
Në një nga rreshtat e fundit që na ka lënë, ai shkruan me një dhimbje të qartë:
“Le të vdesë me mua misteri i shpikjes sime… Sekretet i kam premtuar.”
Këto fjalë janë më shumë se një testament shkencor; janë një elegji mbi fatin e gjenive. Sa herë në histori një mendje e jashtëzakonshme është përplasur me murin e mosbesimit? Sa herë është refuzuar e panjohura vetëm sepse trondiste qetësinë e të njohurës?
Tesla nuk është thjesht një shpikës i harruar apo një profet i energjisë pa tela. Ai është simboli i atij konflikti të përjetshëm midis vizionit dhe dogmës, midis guximit për të parë më larg dhe frikës për të pranuar se horizonti ynë mund të mos jetë kufiri i së vërtetës.
Dorëshkrimi i tij i brishtë, i gjetur aty ku askush nuk e priste, është më shumë se një dokument. Është një pasqyrë e një drame njerëzore: drama e gjenisë që zgjohet në një botë që nuk është gati për të.
Sot, kur lexojmë këto fjalë të mbuluara nga pluhuri i kohës, na vjen ndër mend një pyetje që rëndon si gur mbi ndërgjegjen e njerëzimit:
Sa të vërteta kemi lënë të vdesin bashkë me ata që i mbanin në shpirt?/KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do jetë një ndërtesë dinjitoze, pol kulturor multifunksional plot hapësira për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët do të mund të zbulojnë dhe kultivojnë talentet e tyre në shumë fusha.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga punimet që po vijojnë në kantierin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Rama thekson se kjo Qendër “po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë, me një skenë të dyfishtë brenda godinës”.
Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij investimi është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë.
Kreu i Ekzekutivit shton se edhe nga jashtë godina do ketë formën e “një amfiteatri në natyrë, auditore e klasa për artet dhe inovacionin”.
Kryeministri shprehet se Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të kthehet në një laborator krijimtarie për fëmijë e të rinj, si një qendër unike në rajon.
Ky investim është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.
Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.
Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre./atsh/KultPlus.com
Më 27 gusht 1770, në qytetin e qetë të Shtutgartit në Gjermani, lindi një ndër figurat më ndikimtare të filozofisë perëndimore, George Wilhelm Friedrich Hegel. I rritur në një kohë të trazuar nga ndryshime politike, shkencore dhe kulturore, Hegeli u bë një nga themeluesit kryesorë të idealizmit gjerman, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin filozofik.
Hegeli është i njohur për sistemin e tij filozofik kompleks, ku konceptet e dialektikës dhe zhvillimit historik marrin një rol qendror. Ai besonte se historia është një proces i vazhdueshëm i përparimit të lirisë dhe se çdo fazë e saj ka një qëllim të brendshëm që çon drejt realizimit të shpirtit absolut, transmeton KultPlus.
Veprat e tij më të njohura përfshijnë “Fenomenologjia e Shpirtit”, “Shkenca e Logjikës” dhe “Filozofia e së Drejtës”, të cilat formësuan mënyrën se si mendimi modern e kupton shoqërinë, politikën dhe vetë historinë.
Sot, 255 vite pas lindjes së tij, Hegeli mbetet një pikë referimi jo vetëm për filozofinë, por edhe për shkencat politike, teologjinë dhe teorinë e artit. Mendimi i tij vazhdon të nxisë debate dhe interpretime, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk humbasin kurrë vlerën me kalimin e kohës./KultPlus.com
Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi me shpejtësinë më të lartë të internetit mobil në botë, duke arritur deri në 584.97 Mbps, të ndjekura nga Katari (507.47 Mbps) dhe Kuvajti (413.57 Mbps).
Në anën tjetër, Singapori kryeson për internetin fiks me 386.96 Mbps, i ndjekur nga Kili (332.41 Mbps) dhe Hong Kongu (324.97 Mbps).
Raporti i Indeksit Global të Speedtest sjell edhe një pasqyrë të situatës në Ballkanin Perëndimor:
Maqedonia e Veriut ka internetin më të shpejtë mobil në rajon me 161.53 Mbps,
ndërsa Serbia prin për internetin fiks me 92.21 Mbps.
Bosnja dhe Hercegovina ka mbetur pas, me vetëm 29.65 Mbps në celularë dhe 35.71 Mbps në internetin fiks.
Për Kosovën, shpejtësia e internetit mobil është 97.43 Mbps (renditet e 45-ta në botë), ndërsa ajo e internetit fiks është 82.24 Mbps (renditet e 82-ta).
Shqipëria qëndron disi më lart: interneti mobil arrin 104.11 Mbps (vendi i 41-të), ndërsa interneti fiks 84.64 Mbps (vendi i 76-të)./KultPlus.com
Festivali i Këngës i RTK-së, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor. Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, tregoi se përgatitjet këtë vit kanë nisur shumë më herët.
Ai tregoi se interesimi i artistëve për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë është shumë i madh, dhe se pjesëmarrësit do të jenë edhe nga Shqipëria dhe vende të tjera.
“Festivali në momentin që organizohet është risi, sepse sjellë këngë të reja, sjellë artistë që publiku nuk i ka parë. Ne jemi duke u munduar që kemi arritur me bë një shou solid, besoj që edhe sivjet kemi me sjellë edhe në mënyrë më profesionale edhe më të bukur para publikut dhe ato ndryshime me siguri kanë me u vrejtë sidomos në organizimin e festivalit dhe me kohë jemi mirë përkundër problemeve të janë të natyrshme në vendin tonë. Kemi ekipin e njëjtë prej njerëzve shumë të talentuar të orkestrës, po ashtu, edhe njerëz të cilët punojnë në Radiotelevizionin e Kosovës, që me të vërtetë e kanë marrë me një energji të mirë, seriozitet e profesionalizëm për ta kryer në mënyrën ma të mirë që mundemi me e bë. Normalisht që është krijuar edhe përvoja që ka me e sjellë ndryshimin që, gradualisht, me mbërri aty ku e kemi synimin dhe besojmë që shumë shpejt kënga të dërgohet në Eurosong”, tha Boshnjaku.
Konkursi për të gjithë ata që janë të interesuar të marrin pjesë është i hapur deri më datë 31 të këtij muaji./rtk/
Robert De Niro, i njohur si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka lënë gjurmë të paharrueshme me rolet në filmat klasikë si Goodfellas, The Godfather II dhe Taxi Driver.
Legjendari regjisor Martin Scorsese, bashkëpunëtori i tij i gjatë, e ka cilësuar dikur De Niron si “aktorin më të madh të brezit të tij”. Megjithëse në ekran shfaqet me role të vendosura dhe të forta, De Niro në jetën private është më i tërhequr, por ka ndarë disa nga preferencat e tij personale,raporton Express.co.uk.
Në një intervistë me Kenneth Branagh, ai ka zbuluar aktorët e tij të preferuar, duke përfshirë emra si Marlon Brando, James Dean dhe Kim Stanley. Në ceremoninë e Golden Globes, De Niro konfirmoi gjithashtu se disa nga filmat e tij të preferuar janë pikërisht ata ku luajnë këta legjendarë: East of Eden, On the Waterfront dhe Rebel Without a Cause.
Në East of Eden (1955) dhe Rebel Without a Cause (1955), James Dean interpreton rolet kryesore dhe u bë simbol i rebelimit të rinisë, ndërsa karriera e tij u ndërpre tragjikisht në një aksident automobilistik në moshën 24-vjeçare. Marlon Brando, nga ana tjetër, u bë yll ndërsa Dean nuk kishte arritur ende famën dhe performanca e tij në On the Waterfront (1954) ka pasur një ndikim të madh në kinematografi.
Këto role dhe filmat e tyre mbeten ndër kryeveprat që kanë formësuar kinemanë dhe frymëzuar breza të tërë spektatorësh dhe aktorësh./KultPlus.com
Një nga klubet më të mëdha të Finlandës, HJK Helsinki, ka zyrtarizuar sot afrimin e sulmuesit kosovar Ardit Tahiri.
22-vjeçari do t’i bashkohet ekipit finlandez në formë huazimi njëvjeçar nga Llapi, me mundësi blerjeje verën e ardhshme.
Klubi finlandez ka zgjedhur një mënyrë kreative për ta prezantuar transferimin, duke publikuar një video me një skenë ikonike të filmit “Pulp Fiction”.
Pas prezantimit, Tahiri shprehu emocionet e para për aventurën e tij të re në Finlandë, duke theksuar se mezi pret të ndihmojë HJK Helsinkin në objektivat e sezonit./KultPlus.com
“Luli i Vocër” është një nga tregimet më prekëse të Migjenit, ku autori shfaq në mënyrë të hollë dhe të ndjeshme botën e brendshme të një fëmije të varfër, që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri të vështirë.
Në këtë tregim, Luli, një djalë i vogël, nuk njihet nga shokët e tij, të cilët merren me lojën dhe punët e tyre, ndërsa ai i vëzhgon gjithçka nga korniza e tij personale. Autori përshkruan detajet e vogla të përditshmërisë së Lulit: rruga drejt shkollës, mbështetja te muri, ngrohtësia e diellit, dëshira për të pasur çizme si shokët e tjerë dhe dhembshuria për trupin e tij të vogël e të zhveshur, shkruan KultPlus.
Një nga momentet më të bukura të tregimit është afërsia me mësuesin, ku Luli përjeton dashuri dhe kujdes, por ndjen mungesën e asaj që do t’i jepte diçka mësuesit, përveç tollumbave të tij të vegjël. Migjeni përdor këto detaje për të treguar vulnerabilitetin, pastërtinë dhe ndjeshmërinë e fëmijërisë, si dhe hendekun mes nevojave materiale dhe shpirtërore.
Në këtë tregim, varfëria dhe ndjeshmëria shprehen me një gjuhë të pasur figurative, ku çdo objekt i vogël, si: dielli, çizmet, tollumbat, merr një kuptim emocional dhe simbolik. Luli nuk është vetëm një fëmijë i vogël; ai është pasqyra e një shoqërie që shpesh nuk vlerëson të vegjëlit dhe pafajësinë e tyre.
“Luli i Vocër” vazhdon të mbetet një nga tregimet më të njohura dhe më prekëse të letërsisë shqiptare, duke ofruar një lexim që emocionon dhe reflekton mbi gjendjen sociale, ndjeshmërinë njerëzore dhe bukurinë e botës së fëmijërisë.
Tregimi i plotë:
Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande! Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Noshta, ndoshta… Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. /KultPlus.com
Madeline Kahn, e lindur më 29 shtator 1942 në Boston, mbeti një nga figurat më të paharrueshme të komedisë dhe muzikës teatrale dhe kinematografike. Një artistë e kompletuar, ajo shkëlqeu si në skenë, ashtu edhe në ekran, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me talentin e saj të rrallë dhe humorin e pakrahasueshëm.
Në vitin 1978, gjatë provave për muzikalen On the Twentieth Century, drejtori Harold Prince komentoi:„Nuk ka asgjë që ajo të mos mund ta bëjë – përveç, ndoshta, të jetë e zakonshme.” Kjo ishte një përshkrim i përsosur i Kahn, e cila kishte një aftësi të jashtëzakonshme të ndërthurte komedinë me muzikën, duke ruajtur gjithmonë një energji të magjishme pa ego, shkruan KultPlus.
E rritur kryesisht në New York, Kahn u edukua nën influencën e nënës së saj, Paula, një këngëtare e trajnuar dhe më pas menaxhere skene. Madeline ndoqi Universitetin Hofstra, ku zhvilloi talentin e saj klasik si soprano dhe ëndrrat për operë, por pasioni i saj për komedinë dhe prezenca magnetike e drejtuan drejt skenës dhe kinemasë.
Debutimi i saj në film erdhi me What’s Up, Doc? (1972), ku shfaqi talentin e saj të veçantë duke lënë gjurmë menjëherë. Mel Brooks, i cili e pa filmin, e ftoi menjëherë për Blazing Saddles, ku si Lily Von Shtupp mori nominim për Oscar për Aktoren më të Mirë Mbështetëse. Bashkëpunimi i tyre i radhës në Young Frankenstein e bëri Kahn ikonë të komedisë, duke kthyer çdo skenë modeste në art komik të pakrahasueshëm.
Edhe rolet më të vogla, si në Paper Moon, treguan fuqinë e saj si aktore dhe aftësinë për të transformuar çdo karakter në një përvojë të paharrueshme. Megjithëse shpesh sfidoi regjisorët me improvizimet e saj, kjo vetëm e forcoi reputacionin e saj si një artistë që kërkonte të arrinte më të mirën.
Në fund të viteve 1980, Kahn u rikthye fuqishëm në skenë, duke fituar Tony Award në 1993 për The Sisters Rosensweig. Edhe kur u përball me sëmundjen e kancerit të vezoreve, ajo vazhdoi të punonte me pasion dhe energji të jashtëzakonshme. Një nga rolet e saj të fundit ishte në sitcomin Cosby, ku shfaqi ngrohtësi dhe humor të pakrahasueshëm.
Madeline Kahn u martua me John Hansbury në 1999, vetëm dy muaj para ndarjes nga jeta më 3 dhjetor, në moshën 57-vjeçare. Një martesë e vogël në Central Park reflektonte qetësinë dhe humorin e saj unik: “Dua të qesh edhe në mes të momenteve më të vështira”, i tha ajo miqve të saj.
Trashëgimia e Madeline Kahn është një kombinim i mjeshtërisë artistike, energjisë komike dhe elegancës së saj të natyrshme. Ajo vazhdon të frymëzojë breza të tërë aktorësh dhe adhuruesish të humorit dhe muzikës./KultPlus.com
Mesfushori 21-vjeçar i skuadrës gjermane TSG 1899 Hoffenheim, Leon Avdullahu, ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në vend të Zvicrës, para ndeshjes midis dy ekipeve kombëtare më 5 shtator, në kuadër të grupeve kualifikuese për Kuptën e Botës 2026.
Lajmin e konfirmoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes një postimi në Instagram. Avdullahu, i cili është i kualifikuar për të luajtur për të dy vendet për shkak të lidhjes me origjinën e prindërve të tij, ka zgjedhur të ndjekë rrugën e vendit të familjes.
Federata Zvicerane e Futbollit reagoi me zhgënjim. Trajneri i ekipeve kombëtare të Zvicrës, Pierluigi Tami, deklaroi të martën se ishte i zhgënjyer nga vendimi i lojtarit, duke theksuar:
“Megjithatë, dua ta bëj të qartë se ne duam vetëm lojtarë në ekipet tona kombëtare që identifikohen 100% me vendin dhe ekipin tonë kombëtar.”
Kosova dhe Zvicra kanë një histori të ngushtë futbolli, veçanërisht për shkak të migrimit nga ish-Jugosllavia në vitet 1990, që solli yje të mëdhenj si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Marrëdhënia u bë më komplekse pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, çka i lejon futbollistët e kualifikuar për më shumë se një vend të ndryshojnë kombëtaret, zakonisht përpara se të luajnë një ndeshje konkurruese për ekipin kombëtar të të rriturve.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për Kosovën, e cila vazhdon të forcojë ekipin e saj për sfidat ndërkombëtare dhe për të ndërtuar një brez të ri futbollistësh të talentuar./KultPlus.com
Këngëtarja kanadeze Nelly Furtado ka dërguar një mesazh të fuqishëm për kritikët që gjykojnë trupin e saj, duke zgjedhur të flasë përmes artit dhe stilit të saj.
Gjatë performancës së saj në Manchester Pride në Angli, më 24 gusht, Furtado u shfaq me një T-shirt të bardhë oversize, në të cilin ishte vizatuar një trup femre, i përshtatur me përmasat e saj. Veshja përfshinte një trup të vizatuar me bluzë të shkurtër, reçipeta të zeza, minifund xhins dhe rrip të artë të stolisur me shkëlqim, ku shkruhej “Whoa Nelly”. Pamja u kompletua me çorape rrjete me shkëlqim, doreza rozë dhe çizme shumëngjyrëshe, duke e kthyer çdo element të saj në një deklaratë të fuqishme kundër gjykimeve për pamjen trupore,përcjellë KultPlus.
Furtado ka sqaruar publikisht se nuk ka bërë ndërhyrje estetike në fytyrë apo trup, përveç disa rregullimeve të dhëmbëve, dhe ka ndarë sekretet e saj për një pamje të shëndetshme: ujë të mjaftueshëm, gjumë dhe kujdes natyral.
Ajo ka treguar gjithashtu se në fillimet e karrierës fotografët shpesh ndryshonin format e trupit dhe ngjyrën e lëkurës së saj në editoriale, por ajo e sheh veten si “një nga me fatet” që ka mësuar të ruajë vetëbesimin dhe të jetë e sigurt në industrinë e muzikës.
“Është e rëndësishme të dëgjosh zërin e vogël brenda vetes. Vetëm kështu mund të gjesh forcën për të qenë autentik,” ka thënë Furtado.
Në moshën 46-vjeçare, Nelly Furtado vazhdon të jetë një shembull i fuqishëm i vetëpranimit, duke treguar se pamja fizike nuk përcakton vlerën e një personi, dhe se dashuria për trupin është mbi çdo gjykim./KultPlus.com
Sonte, në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ora 19:30, do të mbahet Koncerti Solemn Nderimi – Shën Nënë Tereza, Nëna e mbarë Globit, me rastin e 115-vjetorit të lindjes së saj.
Artistë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare do të interpretojnë një program të veçantë, duke përfshirë vepra klasike, poezi dhe performanca që prekin shpirtin, kushtuar jetës, misionit dhe dritës së shenjtores shqiptare, transmeton KultPlus.
Ky koncert është një mundësi për të bashkuar shqiptarët rreth figurës së Shën Nënë Terezës, duke nderuar bijën tonë që u bë nënë e mbarë botës.
Hyrja është e lirë, dhe organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje solemne dhe emocionale./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës ka mirëpritur zhvillimet e fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se ky hap po shënon një zhbllokim të situatës institucionale në vend.
Ajo ka uruar punë të mbarë dhe në interes të Kosovës kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, si dhe nënkryetarëve të zgjedhur: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Redžepi, përcjellë KultPlus.
Në reagimin e saj, Presidentja theksoi se pret që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ajo shtoi gjithashtu se pret që Kuvendi të procedojë me votimin e Qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.
Ky zhvillim vjen pas javësh diskutimesh dhe bllokadash politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja. Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pritet që hapat e radhës të përqendrohen në formimin e Qeverisë së re, si një proces i domosdoshëm për ecjen përpara të vendit./KultPlus.com
Më 27 gusht 2025, ora 21:00, në Rr. Henrik Bariç 23, Prishtinë, do të prezantohet etapa franceze e Programit Ndërkombëtar të MoMA-s.
Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Muzeu i Artit Amerikan në Prishtinë ftojnë publiku në një ngjarje unike që ndërthur filma, lexime dhe diskutime mbi historinë dhe ndikimin e artit modern amerikan në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Fokus i këtij eventi është etapa franceze e Programit Ndërkombëtar të Ekspozitave Qarkulluese të MoMA-s, i nisur në vitin 1952, që solli ekspozita të artit modern amerikan në mbarë kontinentin. Artistë si Mark Rothko, Georgia O’Keeffe dhe Jackson Pollock u prezantuan në qytete kryesore si Paris, Zürich, Barcelonë, Frankfurt, Londër, Hagë, Vjenë dhe Beograd, duke formësuar skenën globale të artit.
Gjatë mbrëmjes do të shfaqet filmi “Expositions de Paris — Musée d’Art Moderne, 50 ans d’art aux États-Unis” (1955), me koment nga Fabienne Forgue dhe imazhe nga Georges Leclerc, në regji të Jean-Paul Sassy (Arkiva INA). Pas shfaqjes do të ketë një prezantim të kontekstit historik dhe diskutim mbi fazën franceze të turneut të MoMA-s dhe ndikimin e tij në Paris dhe më gjerë.
Ngjarja sjell në vëmendje marrëdhënien historike mes koleksionistëve dhe kuratorëve amerikanë me artin modern francez dhe evropian, duke u nisur nga Saloni i Gertrude dhe Leo Stein në vitin 1905, që ndikoi në vizionin institucional të MoMA-s dhe u bë bazë e rrjetit të ideve dhe artistëve modernë amerikanë.
Ky event ofron një mundësi të veçantë për artistë, studiues, kuratorë dhe dashamirës të artit për të reflektuar mbi trashëgiminë e artit modern amerikan dhe ndikimin e tij global, ndërthurur me diplomacinë kulturore dhe historinë e ekspozitave ndërkombëtare./KultPlus.com
Edicioni i 17-të i PriFest hapet me premierën botërore të filmit “Përqafimi i Ariut” nga regjisori Ilirjan Himaj, duke nisur festivalin me një histori të fuqishme dhe prekëse nga Kosova dhe Shqipëria.
Filmi bën pjesë në programin kryesor garues të festivalit, i cili do të sjellë një përzgjedhje të larmishme dhe magjepsëse historish nga mbarë rajoni i Ballkanit përmes filmave artistikë me metrazh të gjatë.
Ngjarja e filmit flet për Agu-n, një rojtar i strehës së arinjve, të cilit i përmbyset jeta natën kur viziton të dashurën e tij. I humbur dhe pa rrugëdalje, ai gjen ringjallje të jetës kur Tina, një vajzë e re plot hijeshi dhe ëndrra, shfaqet magjishëm në apartamentin ngjitur. Aspiratat e saj për t’u bërë këngëtare e kanë futur në grackën e një shtetari të pamëshirshëm. I prekur nga gjendja e saj, Agu mendon një plan për ta shpëtuar Tinën nga kthetrat e tij, dhe bashkë ia mësyjnë të egres. Si një ari dhe një sorkadhe, ata kërkojnë lirinë përtej ligjeve të njerëzve. Mirëpo, një gjuetar me instinkte të mprehta i ndjek pas. Kufijtë mes njeriut dhe kafshës zbehen, dhe instinktet e mbijetesës marrin kontrollin.
“Përqafimi i Ariut” eksploron temat e mbijetesës, dashurisë dhe luftës për lirinë personale, duke ndërthurur dramën dhe tensionin në një histori që është njëkohësisht intime dhe epike. Për 107 minuta, publiku do të shijojë interpretimet e mrekullueshme të aktorëve Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teutë Krasniqi. Kjo e fundit është edhe producentja e filmit, ndërsa Ilirjan Himaj ka kontribuar si regjisor dhe montazhier i filmit, me Latif Hasollin të angazhuar si DOP.
PriFest zhvillohet nga 09-14 shtator 2025 në Kino Armata në Prishtinë.
Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapë dyert këtë të mërkurë, më 27 gusht, nga ora 17:00 deri në 19:00, për një ngjarje komunitare të veçantë: “Rrëfime të Ushqimit” me grafistin dhe studiuesin e kulturës ushqimore, Jeton Jagxhiu.
Në këtë takim, Jagxhiu do të ndajë reflektime mbi bukën, gatimin dhe rolin e tyre në ndërtimin e identitetit kulturor të Kosovës. Ngjarja synon të shpalosë mënyrën se si ushqimi nuk është vetëm një nevojë bazike, por edhe një element i rëndësishëm i kujtesës dhe traditës shoqërore, transmeton KultPlus.
Jeton Jagxhiu (i lindur në Prizren më 1972) është grafist dhe inxhinier i diplomuar në teknologjinë grafike. Përveç profesionit, ai është i angazhuar në hulumtimin e marrëdhënieve mes ushqimit, kulturës dhe identitetit, me theks të veçantë tek krahinat e Prizrenit. Në librin e tij të ardhshëm “Hajet, kërkimet dhe krejt rrëfimet”, ai sjell një dokumentim të ciklit të hajeve tradicionale, ku veçohet rrëfimi mbi origjinën e djathit të Prizrenit si një dëshmi mbi lashtësinë e qytetit.
Kjo ngjarje e Galerisë Kombëtare të Kosovës pritet të afrojë artin, kulinarinë dhe kujtimet kolektive në një hapësirë dialogu, ku ushqimi shihet si trashëgimi kulturore dhe rrëfim identitar./KultPlus.com
Edon Zhegrova është pajisur me pasaportë shqiptare. Sulmuesi anësor i përfaqësueses së Kosovës që nga data 22 gusht e këtij viti, është edhe zyrtarisht shtetas shqiptar, i pajisur me pasaportën shqiptare pas dekretit të presidentit Begaj.
Zhegrova është në qendër të merkatos dhe përflitet një transferim i mundshëm te Juventusi.
Marrja e shtetësisë shqiptare, mund të ndihmojë lojtarin në këtë transferim, pasi shqiptarët nuk konsiderohen “ekstrakomunitarë” në Itali./rtsh/ KultPlus.com
Më 26 gusht shënohet përvjetori i lindjes së Antoine-Laurent de Lavoisier (1743 – 1794), një nga figurat më të shquara të shkencës botërore, i cilësuar si “babai i kimisë moderne”.
Lavoisier, i lindur në Paris, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkencës duke i dhënë fund teorive të vjetra mbi natyrën e materies dhe duke vendosur bazat e një shkence të re. Me eksperimentet e tij, ai vërtetoi se djegia dhe frymëmarrja janë procese të lidhura ngushtë me oksigjenin, duke rrëzuar përfundimisht teorinë e flogistonit që mbizotëronte deri atëherë, shkruan KultPlus.
Një nga arritjet e tij më të mëdha ishte formulimi i ligjit të ruajtjes së masës, i cili sot mbetet themel i kimisë dhe i shkencave natyrore: “Asgjë nuk krijohet, asgjë nuk zhduket, gjithçka shndërrohet.” Ky parim hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të kimisë si disiplinë eksakte.
Përveç punës së tij kërkimore, Lavoisier kontribuoi edhe në sistematizimin e elementeve kimike dhe në hartimin e një terminologjie shkencore të qartë, e cila përdoret edhe në ditët e sotme. Ai ishte një shkencëtar me vizion të gjerë, duke kombinuar eksperimentin me analizën e rreptë shkencore.
Megjithatë, jeta e tij pati edhe një fund tragjik. Gjatë Revolucionit Francez, Lavoisier u akuzua si pjesë e sistemit financiar të monarkisë dhe në vitin 1794 u ekzekutua me gijotinë. Vdekja e tij la boshllëk të madh në botën shkencore, por trashëgimia e tij vazhdon të jetë frymëzim për gjeneratat e reja.
Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, Antoine Lavoisier kujtohet si shkencëtari që i dha kimisë një gjuhë të re dhe e ngriti atë në nivelin e një shkence moderne./KultPlus.com