Edon Zhegrova ndihmohet nga vendi ynë për transferimin/ Presidenti Begaj e bën yllin “dardan” qytetar shqiptar
Shqiptar ishte dhe shqiptar mbeti.
Edon Zhegrova, ylli i madh i Kosovës, pritet të realizojë transferimin e madh tek Juventusi falë nënshtetësisë së Shqipërisë.
Vetë futbollisti ofensiv, që luan në Ligën e Parë të Francës me Lilën, tregoi në faqen e tij zyrtare në Instagram fotografinë e pasaportës së tij të re, asaj të Republikës së Shqipërisë.
Kjo lëvizje mund ta ndihmojë 26-vjeçarin “dardan” që të kalojë tek Juventusi në Serinë A.
Dekreti është i presidentit Bajram Begaj, por gjithsesi Zhegrova falënderoi kryeministrin Edi Rama, I cili duket se ka ndikuar në dhënien e dokumenteve shqiptare.
Kujtojmë se futbollistët me pasaportë shqiptare nuk njihen si jashtëkomunitarë në Itali, pas një marrëveshjeje mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Italiane të Futbollit, sipas së cilës çdo ekip italian mund të ketë një lojtar të tillë.
Kjo heq pengesën që kishte Juventusi për ta marrë, sepse e kishte plotësuar numrin e lejuar të futbollistëve jashtë Bashkimit Europian.
Zhegrova është kthyer në stërvitje pas dëmtimit dhe duket në formë, ndërsa prej viti 2021 luan me Lilën në elitën franceze, duke pasur statistika me 107 ndeshje, 26 gola e 18 asistë.
Lilë kërkon 25 milionë euro për të, ndërsa Juve është gati të japë 20.