Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rruga e re Dukat-Llogora, Rama: Një bukuri më vete

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Tuneli i Llogorasë ka shkurtuar ndjeshëm distancën drejt bregdetit të jugut, por edhe ka lehtësuar ndërlidhjen e fshatrave të kësaj zone.

Ndërkohë, paralel me finalizimin e kësaj vepre strategjike infrastrukturore, e cila u hap për qarkullimin e mjeteve në maj 2025, ka vijuar puna për asfaltimin e akseve të tjera rurale.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga aksi rrugor që lidh fshatin Dukat me rrugën e vjetër të Llogorasë.

“Ndërlidhja e rrugës së re të Dukatit dhe rrugën e vjetër të Llogorasë, një bukuri më vete”, u shpreh Rama.

Me një gjatësi prej 6 kilometrash, tuneli i Llogorasë jo vetëm lehtëson qarkullimin, por gjithashtu redukton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Dukati në Palasë, duke e shkurtuar nga rreth 30 minuta në vetëm 7 minuta.

1 nga 2

/m.m//a.f/

The post Rruga e re Dukat-Llogora, Rama: Një bukuri më vete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim


TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga disa subjekte private të cilat kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Ecim”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohen sesi bizneset po lirojnë hapësirat e zaptuara, që tashmë po u rikthehen qytetarëve.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m//a.f/

The post Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivim i lëndëve narkotike, arrestohet 55-vjeçari në Lazarat

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Si rezultat i shtimit të kontrolleve të territorit me dron, të cilat kanë objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i Policisë Gjirokastër evidentoi një rast në fshatin Lazarat.

Për këtë rast u vu në pranga shtetasi Xh. Ç., 55 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar disa bimë narkotike Cannabis Sativa, në oborrin e banesës së tij.

Policia sekuestroi me cilësinë e provës materiale një pjesë të vogël të bimëve, ndërsa asgjësoi me djegie pjesën tjetër.

Kontrollet në kuadër të planit operacional “Koordinata” po vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

/m.m//a.f/

The post Kultivim i lëndëve narkotike, arrestohet 55-vjeçari në Lazarat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kanionet e Prekalit, Rama: Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Lumi i Kirit dhe kanionet e Prekalit në Shkodër janë kthyer ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanionet e Prekalit dhe Urës së Shtrenjtë, me ftesën për ta vizituar.

“Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike. Prekal dhe Ura e Shtrenjtë”, shkruan Rama.

Ujë i kristaltë, vaskat, kanioni, pastërtia, qetësia dhe ajri i freskët i maleve përreth është ajo që të ofron Lugina e Kirit.

Çdo fundjavë kur moti është i ngrohtë, qytetarët shkodranë, turistë të huaj dhe banorë të fshatrave rreth rrjedhës së lumit, frekuentojnë këto brigje për banjo dielli, larje në ujërat e freskët, por dhe për sportet ujore.

Ura e Shtrenjtë mbi lumin Kir lidh Shkodrën me Prekalin. Kanionet gëlqerore të formuara nga veprimtaria erozive e lumit të Kirit ofrojnë një pamje magjepsëse për çdo vizitor që zgjedh të vizitojë zonën.

1 nga 5

/m.m//a.f/

The post Kanionet e Prekalit, Rama: Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korçë, goditen dy raste të paligjshmërive në kufi

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Gjatë kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë konstatuan në hyrje të Republikës së Shqipërisë, dy raste të paligjshmërive në kufi.

Konkretisht në Pikën Kufitare Qafë Thanë, gjatë kontrollit në kamionin që drejtonte shtetasi V. T., 30 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, u gjet i fshehur nën rimorkio, 1 shtetas maroken.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 30-vjeçarin, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Po ashtu në Pikën Kufitare Goricë, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi T. A., 63 vjeç, banues në fshatin Zaroshkë, u gjetën produkte ushqimore dhe medikamente, të papajisura me fatura blerjeje.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 63-vjeçarin, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. Gjithashtu, mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Kontrollet kundër paligjshmërive në kufi dhe tentativave për të lëvizur ilegalisht, vijojnë, krahas punës për menaxhimin e fluksit dhe ofrimin e një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë për qytetarët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

/m.m//a.f/

The post Korçë, goditen dy raste të paligjshmërive në kufi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kodi i ri Penal, Rama: Drafti i ekspertëve është hedhur për të mbledhur opinione

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot ndaj kontestimeve lidhur me draftin e Kodit të ri Penal.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se “drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij”.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij”, u shpreh Kryeministri.

Rama nënvizoi se “hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”.

Drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik pas një pune voluminoze disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipi.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediat dhe qeverinë si pjesë e angazhimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.

/m.m/j.p/

 

The post Kodi i ri Penal, Rama: Drafti i ekspertëve është hedhur për të mbledhur opinione appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vazhdon pa pushim aksioni për lirimin e hapësirave publike

 

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në një subjekt privat, ndërsa u shpreh se aksioni vijon pa pushim.

“Vazhdojmë, pa pushim. Dhe u lutemi komentatorëve që brenda mundësive të bëjnë ca durim, por edhe po s’mundën i përshëndesim me mirëkuptim”, shkruan Rama.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Aksioni është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/j.p/

 

The post Rama: Vazhdon pa pushim aksioni për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Në 6 muaj Shqipërinë e vizituan 13% më shumë turistë italianë se në 2024-n

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se gjatë periudhës janar-qershor Shqipërinë e kanë vizituar 13% më shumë turistë italianë krahasuar me një vit më parë.

Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “Nova”, Kumbaro bëri të ditur se vitin e kaluar Shqipërinë e shijuan 1,2 milionë vizitorë nga Italia.

Kumbaro nënvizoi se “me Italinë tani na bashkojnë edhe përpjekjet për krijimin e një harte turistike në Mesdhe, mes gadishullit apenin dhe vendeve të Ballkanit”.

“Shembulli i Shqipërisë në krijimin e një modeli autentik, cilësor e të qëndrueshëm të turizmit pati interes të veçantë gjatë Forumit “Bridging Destinations”, por edhe vëmendjen e medieve të Italisë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Mediet italiane kanë promovuar në vijimësi Shqipërinë turistike, duke e cilësuar si “Maldivet e Europës”.

/m.m/r.e/

The post Kumbaro: Në 6 muaj Shqipërinë e vizituan 13% më shumë turistë italianë se në 2024-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bajraktari: Rritje me 6% e numrit të pasagjerëve në Portin e Durrësit

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Porti i Durrësit vijon trendin pozitiv të performancës, duke reflektuar rritje në të gjithë treguesit kryesorë të aktivitetit.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë përpunuar mbi 1,9 milionë tonë mallra ose 3,8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, theksoi se ky rezultat është produkt i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët portualë.

Pozitiv, sipas tij, ka qenë edhe bilanci i transportit të pasagjerëve dhe automjeteve përmes Terminalit të Trageteve, ku janë përpunuar 241.490 pasagjerë, një rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.

Në hyrje të vendit janë regjistruar 112.194 pasagjerë, ndërsa 129.269 kanë udhëtuar drejt porteve ndërkombëtare.

Po ashtu, mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë janë përpunuar në port, me një rritje prej 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024.

Në rritje ka qenë edhe sektori i kontejnerëve, me 104.180 njësi kontejnerike (TEU) të përpunuara, ose 970.031 tonë mallra.

Veçanërisht, mallrat e importuara me kontejnerë kanë shënuar rritje deri në 10%.

Autoriteti Portual Durrës vijon të punojë për modernizimin e infrastrukturës portuale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, me qëllim fuqizimin e rolit të Portit të Durrësit si një nyje kyçe për tregtinë detare në rajon.

/m.m/r.e/

The post Bajraktari: Rritje me 6% e numrit të pasagjerëve në Portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Vendosim kufirin që garanton lirinë e hapësirës komunitare

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga strukturat e paligjshme që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aksion, ku përveç çmontimit të strukturave metalike po kryhet edhe shembja e platformave të betonit mbi trotuare.

“Sigurisht jo vetëm ngrehinat e hekurit, po edhe platformat e turlillojshme nën to, do të zhbëhen hap pas hapi, përditë e me durim, derisa të vendoset kudo kufiri që garanton lirinë e hapësirës komunitare dhe përcakton deri ku mund të shtrihen tavolinat, karriget e çadrat e njësive tregtare”, u shpreh Rama.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksioni, që nisi në muajin korrik, do të vazhdojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

/m.m/r.e/

The post Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Vendosim kufirin që garanton lirinë e hapësirës komunitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti rrugor i Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj, është një ndër segmentet me të rëndësishme të veriut të vendit, që lidh Shkodrën me Lekbibajn në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës si dhe me Gjakovën në Kosovë.

Rruga është ende në ndërtim e sipër, ku aktualisht është mbyllur loti 1, Prekal-Kir prej 17 km, dhe ka filluar loti i dytë, Kir-Ndërlysaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aks i rëndësishëm ndërsa vlerësoi se ky investim ka një impakt të madh jo vetëm për banorët e fshatrave përreth, Kir, Prekal, Shosh, Shalë, Bradhosh, Xhan, që i lidh me Shkodrën, por mundëson edhe kompletimin e gjithë rrjetit rrugor të Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë rurale.

Ky është një projekt i rëndësishëm për veriun e Shqipërisë, që do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vijnë të zbulojnë Dukagjinin, dhe bukuritë e tjera të veriut të Shqipërisë.

/m.m/r.e/

 

The post Rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti rrugor i Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Ushqyerja me gji, themeli i një fillimi të shëndetshëm për çdo fëmijë

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Ushqyerjen me Gji, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu iu bashkua thirrjes globale për të mbështetur dhe promovuar ushqyerjen me gji, si themelin e një fillimi të shëndetshëm për çdo fëmijë.

Koçiu nënvizoi se “ushqyerja me gji është mënyra më e natyrshme dhe më e sigurt për të ushqyer foshnjat, duke ofruar përfitime të shumta shëndetësore si për nënën, ashtu edhe për fëmijën”.

“Në çdo qendër shëndetësore në vend, profesionistët tanë janë të angazhuar për të informuar dhe ndihmuar nënat e reja, duke ofruar këshillim dhe mbështetje të specializuar për këtë proces jetik”, u shpreh ministrja.

Koçiu ndau apelin e mjekes Evgjeni Kaçi, për ushqyerjen me gji të foshnjave të paktën deri në 6 muajt e parë.

“Përse është e rëndësishme ushqyerja me gji e fëmijëve të vegjël? E mbron fëmijën e vogël nga shumë infeksione, duke filluar që nga rrugët e frymëmarrjes dhe gjithë sistemet e tjera. Deri në 6-mujorin e parë duhet të bëhet sepse edhe trakti tretës i fëmijës deri në atë moshë është i përgatitur më tepër për ushqyerjen me gji sesa për ushqyerjet e tjera”, tha mjekja.

Mjekja theksoi po ashtu se ushqyerja me gji i ndihmon shumë foshnjat në rritjen dhe në pjekjen e sistemit imunitar.

“Është ushqim që nuk kërkon shtesa të tjera. Merret në kushte sterile direkt nga nëna. Janë të gjitha etapat nga lindja deri në muajin e gjashtë që qumështi kalon në disa faza dhe fëmija merr nga kulloshtra, qumështi i përkohshëm dhe qumështi i përhershëm”, theksoi ajo.

Mjekja nënvizoi po ashtu se ky proces ndihmon shumë jo vetëm fëmijët, por edhe nënat.

“Nënat lodhen më pak, sëmuren më pak nëse ushqejnë fëmijët me gji. Kanë përfitim edhe për t’u mbrojtur nga një shtatzani e padëshiruar”, shtoi ajo.

/m.m/r.e/

The post Koçiu: Ushqyerja me gji, themeli i një fillimi të shëndetshëm për çdo fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Turistë nga e gjithë bota shijojnë magjinë e Vlorës

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Vlora po pret këtë verë turistë nga e gjithë bota, të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian, por edhe kulinarinë e mikpritjen vendase.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Vlora, ku shëtitorja e Lungomares por edhe rrugët e qytetit ofrojnë aktivitete dhe hapësira atraktive për çdo grup-moshë.

“Me buzëqeshjet e turistëve nga e gjithë bota në këtë fillim gushti, që shijojnë magjinë e Vlorës në shëtitjen e Lungomares”, u shpreh Rama.

Qyteti bregdetar i Vlorës është një nga qendrat më të rëndësishme turistike, ku “bashkohen” Adriatiku e Joni, me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.

Përveç plazheve në gjirin e Vlorës, Sazani dhe Karaburuni janë po ashtu destinacione tërheqëse për turistët vendas e të huaj, të cilët udhëtojnë nga porti i Vlorës me anije turistike.

E cilësuar si perla e Rivierës shqiptare, Vlora është tejmbushur këtë sezon me turistë vendas dhe të huaj të cilët shijojnë bregdetin shkëmbor me ujërat e kristalta.

/m.m//r.e/

The post Rama: Turistë nga e gjithë bota shijojnë magjinë e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Industria e Mbrojtjes, Vengu: 20 shoqëri interes për të bashkëpunuar me KAYO

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi sot Bazën Detare të Pashalimanit ku ka nisur vlerësimi teknik me partnerët italianë me qëllim ringritjen e kantierit detar për prodhimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e anijeve të Forcës Detare.

Ministri bëri të ditur se në 9 muajt e fundit, 20 shoqëri prodhuese të industrisë së mbrojtjes kanë shprehur interesin e tyre për të bashkëpunuar me KAYO, shoqërinë shtetërore të prodhimit ushtarak “Made in Albania”.

Po ashtu, Vengu tha se përgjatë muajve qershor dhe korrik 2025 janë finalizuar negociatat me tri prej tyre.

“I kemi hapur rrugën themelimit të tri sipërmarrjeve të reja ku shteti është aksionar në prodhimin e mjeteve të blinduara dhe mjeteve të emergjencave civile, uniformave dhe pajimeve personale, municioneve”, theksoi ai.

Ndërkohë, tha Vengu, po vijojnë negociatat për prodhimin e armatimit të lehtë, si dhe asemblimin e sistemeve të artilerisë, predhave dhe dronëve luftarakë.

/m.m//r.e/

The post Industria e Mbrojtjes, Vengu: 20 shoqëri interes për të bashkëpunuar me KAYO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE: Nevojitet konsultim gjithëpërfshirës për Kodin e ri Penal

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Bashkimi Evropian konfirmoi sot se ende nuk ka një qëndrim mbi projektamendamentet e Kodit të ri Penal.

Delegacioni i BE-së në Tiranë iu përgjigj interesimit të një medieje mbi këtë çështje ndërsa u shpreh se nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit. Delegacioni i BE-së sqaron se “ka marrë njoftim mbi prezantimin e projektamendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria”.

“Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet”, u shpreh Delegacioni i BE-së në Tiranë.

BE vlerëson se si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së.

“Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim”, përfundon reagimi i BE-së.

/m.m//r.e//a.f/

The post BE: Nevojitet konsultim gjithëpërfshirës për Kodin e ri Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjobë për lavazhet në rrugë, subjektet të aplikojnë për leje brenda rregullave

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Në gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e ambienteve të përbashkëta komuniteteve.

Përveç lirimit të hapësirave publike në zonat e banuara, aksioni është shtrirë po ashtu në plazhe dhe akset nacionale ku po prishen strukturat pa leje anës rrugëve.

Në vijim të këtyre masave, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, ndryshe do të gjobiten.

Rama i ftoi subjektet që të marrin leje për një njësi shërbimi normale brenda rregullave, jo për lavazh në rrugë.

“Çuna, respekte po e kuptoni edhe vetë që nuk ecën më kjo punë kështu, apo jo Turi?
Prandaj hiqini vetë këto që mos merrni edhe gjobë dhe po e patët tokën tuaj, merrni leje për një njësi shërbimi normale brenda rregullave jo për lavazh në rrugë. Deri atëherë toka do rrijë bosh dhe pastër në shërbim të komunitetit. Po s’e patët tokën tuaj, në këto hapësira do të mbillen përfundimisht pemë e do të vihen stola apo lodra për fëmijët”, u shpreh Rama.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

/m.m//r.e/a.f/

The post Rama: Gjobë për lavazhet në rrugë, subjektet të aplikojnë për leje brenda rregullave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pjesëtarë të FA-së, trajnim pranë bazës së Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria po vijojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri sot të ditur se pjesëtarë të Forcave të Armatosura shqiptare po kalojnë tri javë duke u trajnuar dhe duke kryer mirëmbajtjen e automjeteve së bashku me personelin e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit (NJNG) në bazën e përbashkët McGuire-Dix-Lakehurst, në Nju-Xhersi.

Ky angazhim është pjesë e Programit të Partneritetit Shtetëror të NJNG, që synon rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis dy forcave.

Gjatë muajit korrik, një ekuipazh ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit (New Jersey) ishte në Shqipëri për të punuar me Forcat Ajrore në mirëmbajtjen e helikopterëve dhe për përgatitje për misione kërkimi dhe shpëtimi.

/m.m//r.e//a.f/

The post Pjesëtarë të FA-së, trajnim pranë bazës së Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Futbolli Takohet me Argëtimin në Prishtina Mall – Ejani dhe Provoni Veten me Leon Street Skills!

Prishtina Mall, destinacioni më i madh i argëtimit në Kosovë, sjell një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme për të gjithë dashamirësit e futbollit dhe adrenalinës në lëvizje.

Më 3 gusht, nga ora 18:00, te Hyrja Lindore, ju fton të bëheni pjesë e një performance unike bashkë me një nga emrat më të njohur të futbollit urban – Leon Street Skills!

Me thirrjen entuziaste “Eja dhe provoje veten”, kjo ngjarje synon të motivojë të rinjtë dhe adhuruesit e sportit të sfidojnë aftësitë e tyre në freestyle dhe truke spektakulare, në një atmosferë energjike dhe interaktive.

Leon, i njohur për stilin e tij të veçantë dhe karizmën në fushë, do të sjellë një performancë frymëzuese që nuk duhet humbur.

Ky event është më shumë se një shfaqje – është një mundësi për t’u lidhur me komunitetin, për të eksploruar talentin tuaj të fshehur dhe për të përjetuar fuqinë e sportit si mjet për argëtim dhe vetëbesim.

Vendndodhja: Hyrja Lindore, Prishtina Mall
Data: 3 Gusht
Ora: 18:00

Mos e humb këtë eksperiencë të paharrueshme. Merr shokët, merr topin dhe ejani të shijoni një mbrëmje ku futbolli dhe argëtimi bëhen një!

Prishtina Mall – Destinacioni yt për argëtim. Krejt gjërat ma t’mira, afër teje.

The post Futbolli Takohet me Argëtimin në Prishtina Mall – Ejani dhe Provoni Veten me Leon Street Skills! appeared first on Telegrafi.

Drafti i Kodit të ri Penal, Rama: Është hartuar nga ekspertët, pa vulën e Brukselit nuk shkon në parlament

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh.

Rama reagoi ndaj qëndrimit të disa shoqatave të gazetarëve, të cilët sipas tij, “bëjnë thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal”.

Kryeministri theksoi se “qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e ka marrë dhe po e studion draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve”.

“Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku, kush do të kontribuojë për një Kod të ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”, siguroi Kryeministri.

Rama u shpreh se “drafti i rishikuar do të konsultohet edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament”.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit:

“Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëheqjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS”.

/r.e/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, Rama: Është hartuar nga ekspertët, pa vulën e Brukselit nuk shkon në parlament appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është sulm ndaj iniciativës private, portal për denoncimet

TIRANË, 1 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se veprimi në territor për lirimin e hapësirave publike nuk është sulm për të shkatërruar iniciativat private, sipërmarrjet e vogla, njësitë e shërbimi apo jetën mesdhetare të kafeneve e restoranteve.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama tha se synohet të vendoset kufiri mes hapësirës së biznesit dhe hapësirës në dispozicion të komunitetit.

“Shoh disa që ankohen që jo po hoqi tendat, po mbetën karriget. Duhet ta kuptojmë të gjithë që është Tiranë, Shqipëri, nuk është Teheran, nuk është Iran, pra ne nuk kemi dalë në një sulm për të shkatërruar iniciativat private, sipërmarrjet e vogla, njësitë e shërbimit, jetën mesdhetare të kafeneve, të restoranteve, etj., etj., po për të vendosur kufirin”, u shpreh Rama.

Sipas tij, duhet bërë e qartë që trotuari është i qytetarëve dhe në një pjesë të tij, patjetër mund të përdoret për ata qytetarë që duan të ndalen mbi një kafe, por me kufij shumë të qartë.

“Nuk mundet dot nënat me fëmijë me karroca të kalojnë përmes karrigeve, nuk mundet dot që të moshuarit të mos kenë mundësi të ulen në një hapësirë brenda lagjes, sepse aty janë vendosur tendat dhe janë ngritur strukturat metalike të kafeneve të pafundme, apo sepse aty dikush ka vendosur një tra dhe ka vendosur arbitrarisht të mbledhë lekët për një parkim pa leje, apo dikush tjetër ka vendosur të lidhë zorrën me sistemin e ujit, apo të hapë një pus për të bërë lavash makinash apo bërë një gomisteri etj. Por ama, nga ana tjetër, duhet dhe durim, sepse janë shumë, janë shumë dhe po ashtu, duhet durim edhe për faktin se disa nuk marrin vesh”, theksoi ai.

Rama theksoi se po bëhet rregullorja kombëtare, e cila do të vendosë qartë kufijtë.

“Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve. Ka qytete si Barcelona apo si Kopenhaga që i kanë me një masë metrash të caktuar, disa i kanë 1.8 metra, disa 2 metra, disa 2.5 metra, Madridi e tjerë, e tjerë, se sa duhet të jetë absolutisht bosh. Ka qytete tjera që i kanë me formula të tjera, por do t’i bëjmë shumë të qarta këto, ashtu sikundër do t’i bëjmë shumë të qarta për të gjithë, edhe detyrimet, edhe nga ana tjetër ndëshkimet”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që shprehen se përse u kujtuan tani për të ndërhyrë, ndërsa solli në vëmendje masat që ka adresuar që nga koha kur ishte Ministër i Kulturës.

“Tani ka disa që thonë pse u kujtuat tani? Ne nuk jemi kujtuar tani, dhe unë posaçërisht jam kujtuar që ditën e parë për të drejtuar Tiranën në 2000-shin. Madje jam kujtuar që ditën e parë që kam hyrë në një zyrë shteti si Ministër i Kulturës, kur mora disa fëmijë dhe pastrova dhe pikturova disa teneqe që ishin vendosur për të rrethuar zonën ngjitur me Ministrinë e Kulturës, ku sot janë vëllezërit Frashëri në bulevard. Pra, jo vetëm që nuk jam kujtuar tani, pra nuk jemi kujtuar tani, por jemi kujtuar me kohë, por ama ky është një proces”, shtoi ai.

Kryeministri ftoi qytetarët që të marrin pjesë në këtë proces, duke çuar në mënyrë të vazhdueshme denoncime.

Ai paralajmëroi hapjen e një portali të posaçëm, “Hapësira ime”’, ku të gjithë do të mund çojnë denoncime në mënyrë të vazhdueshme.

“Kjo është betejë e vazhdueshme derisa të ndahet mendja që këtu nuk bëhet, pra siç u nda mendja që nuk ndërtohet te Lana, nuk ndërtohet te parku ‘Rinia’, nuk ndërtohet këtu e nuk ndërtohet aty, duhet të ndahet mendja që nuk mund të shtyhesh përtej kufirit ku fillon jeta e komunitetit”, shtoi ai.

/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është sulm ndaj iniciativës private, portal për denoncimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌