LONDËR – Starmer: BM do të njohë shtetin palestinez nëse Izraeli nuk e lehtëson krizën në Gaza
LONDËR, 29 korrik /ATSH-DPA/- Britania e Madhe do ta njohë shtetin e Palestinës në shtator para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nëse Izraeli nuk e lehtëson krizën në Gazë, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer në takimin e kabinetit qeveritar.
“Ky hap do të ndërmerret nga Britania e Madhe – vetëm nëse qeveria izraelite nuk arrin një armëpushim në Gazë; nuk e bën të qartë se nuk do të ketë një aneksim të Bregut Perëndimor dhe nuk angazhohet në një proces afatgjatë paqeje që ofron një zgjidhje me dy shtete”, sipas një njoftimi nga mbledhja e Kabinetit.
“Ne presim që të paktën 500 kamionë të hyjnë në Gaza çdo ditë – por e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj krize humanitare është përmes një zgjidhjeje afatgjatë”, tha Starmer duke folur nga “Downing Street”.
“Ne po mbështesim përpjekjet e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit për të siguruar një armëpushim jetësor’, shtoi ai.
“Ky armëpushim duhet të jetë i qëndrueshëm dhe duhet të çojë në një plan më të gjerë paqeje, të cilin po e zhvillojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Starmer.
Kryeministri britanik tha se do të bënte një vlerësim se sa shumë i kanë përmbushur palët këto hapa përpara se të merrte një vendim përfundimtar për një zgjidhje me dy shtete.//a.i/
The post LONDËR – Starmer: BM do të njohë shtetin palestinez nëse Izraeli nuk e lehtëson krizën në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.