LONDER, 17 korrik /ATSH-AA/ – Në një rishikim të plotë të sistemit zgjedhor të Mbretërisë së Bashkuar, qeveria ka njoftuar planet për t’u dhënë 16 dhe 17-vjeçarëve të drejtën për të votuar në të gjitha zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një dokument të ri strategjik, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të modernizuar demokracinë, për të rritur pjesëmarrjen dhe për të rivendosur besimin publik në politikë.
Ndryshimi e afron pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar me Skocinë dhe Uellsin, ku 16-vjeçarët tashmë mund të votojnë në zgjedhjet lokale dhe të decentralizuara.
Reformat janë një premtim kyç sipas “planit për ndryshim” të qeverisë.
“Ne po ndërmarrim veprime për të shembur barrierat ndaj pjesëmarrjes dhe për të përmbushur angazhimin tonë në manifest për t’u dhënë 16-vjeçarëve të drejtën për të votuar”, tha në një deklaratë zv.kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Angela Rayner.
Sipas strategjisë së re, rregullat e identifikimit të votuesve do të zbuten, me kartat bankare të lëshuara në Mbretërinë e Bashkuar të shtuara në listën e identifikimeve të pranueshme. Dokumentet digjitale të identifikimit, të tilla si Karta e Veteranit dhe patentat e drejtimit, do të lejohen gjithashtu kur të jenë të disponueshme.
Një certifikatë digjitale e autoritetit të votuesve do të futet për të përmirësuar qasjen dhe për të ulur kostot.
Një sistem më i automatizuar i regjistrimit të votuesve do të thjeshtojë regjistrimet dhe do të zvogëlojë dyfishimin në të gjitha shërbimet qeveritare.
“Duke përmbushur angazhimin tonë në manifest për të zgjeruar të drejtën e votës për 16 dhe 17-vjeçarët, ne po bëjmë një hap përpara në rivendosjen e besimit publik”, tha në një deklaratë ministrja e Mbretërisë së Bashkuar për Demokracinë, Rushanara Ali. os/
Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga të gjitha qendrat e votimit në vend, si dhe informacion të detajuar mbi mënyrën e kthimit të zarfeve të votave të diasporës, nëse janë dorëzuar dorazi apo përmes kanaleve të autorizuara si DHL.
Në këtë kërkesë, PD ka përfshirë edhe një ankesë kundër kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, duke e akuzuar se jo vetëm nuk ka vënë në dispozicion materialet e kërkuara, por edhe se një pjesë e pamjeve filmike rezulton me ndërprerje, veçanërisht në pjesët ku zhvillohet procesi i numërimit të votave, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të qëllimshme.
Për kërkesën është vënë në dijeni edhe misioni i OSBE/ODIHR, ndërsa dokumenti është dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri. Kërkesa pritet të shqyrtohet në vijim nga KQZ.
TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratik Sali Berisha nga selia blu foli sërish sot për atë që ai e cilëson “farsa elektorale” e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Berisha tha se farsa elektorale është çështje kryesore edhe në Asamblenë e Këshillit të Evropës.
“Ka tri ditë që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, farsa elektorale është çështje kryesore në seanca plenare dhe në mbledhje të grupeve dhe të komisioneve. Mos harroni se Këshilli i Evropës është institucioni që ka dy shtylla kryesore: zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor”, tha Berisha.
Berisha po ashtu publikoi të dhëna që, sipas tij, faktojnë “farsën elektorale”. Sipas Berishës, kutitë e votimit u mbushën jashtë dhe u zëvendësuan në qendrat zgjedhore.
“Sot kam sjellë këtu për të informuar shqiptarët për gjetjet në një seri kutish votimi të hapura, në shqyrtimin e materialeve të votimit në këto kuti, çka është edhe qëllimi kryesor i kërkesave të PD. Mund të them se këto qendra votimi që rreshtoj këtu dhe shumë e shumë të tjera, ngjallin dyshime të forta se përveç “trenit bullgar” është përdorur edhe mbushja dhe zëvendësimi i kutive të votimit me kuti të tjera”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, “këto ishin dokumentet e 12 qendrave të votimit, të cilat në asnjë lloj rrethane këto kuti nuk mund të pranohen si kutitë e vërteta të qendrave të votimit, por si kuti të ndërruara apo të ardhura nga selia e PS apo dhe vetë nga qendrat ilegale të patronazhistëve”.
“Këto të dhëna hedhin poshtë përfundimisht farsën elektorale të 11 majit 2025 dhe pikërisht bazuar në këto të dhëna dhe qindra e mijëra të tjera që kemi paraqitur para jush, PD deklaron se këto zgjedhje janë të paligjshme, se këto zgjedhje janë një farsë e vërtetë elektorale, të cilat nuk shprehin vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do njihen nga PD”, u shpreh Berisha.
Kyetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj mazhorancës lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit, duke pretenduar manipulim të gjerë përmes zëvendësimit dhe mbushjes së kutive të votimit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur mesditën e kësaj të premteje, Berisha deklaroi se gjatë verifikimeve të materialeve zgjedhore janë evidentuar shkelje të rënda procedurale dhe mospërputhje të dhënash në një sërë qendrash votimi në Tiranë.
“Këto qendra votimi… ngjallin dyshime të forta se përveç Trenit Bullgar, është përdorur edhe mbushja dhe zëvendësimi i kutive të votimit me kuti të tjera,” deklaroi Berisha.
Ai solli në vëmendje disa raste konkrete, për të cilat pretendon se faktojnë manipulimet e kryera:
QV 2247: Janë gjetur 9 fletë votimi më shumë sesa janë deklaruar në procesverbalin nr. 08. “Nuk mund të dalin 9 fletë më shumë në asnjë rrethanë,” tha Berisha. Sipas tij, fletët nuk i përkasin asaj qendre, çka ngre dyshime se kutia është zëvendësuar.
QV 2251: Sipas Berishës, mungojnë vulat e komisionerëve dhe shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI, çka sipas tij, dëshmon se kutia nuk është origjinale. “Kjo kuti nuk ka të bëjë me komisionerë, ka të bëjë me patronazhistët,” tha ai.
QV 2251/1: Mungojnë vulat e komisionerëve.
QV 2263: Janë deklaruar 419 fletë të papërdorura, ndërsa janë gjetur vetëm 371 – një diferencë prej 48 fletësh. Po ashtu, është konstatuar një person që ka votuar pa qenë në listën e zgjedhësve.
QV 2274: Mungon procesverbali 07, që identifikon vulat e sigurisë, një tjetër element që sipas Berishës tregon se kutia është sjellë nga jashtë.
QV 2283: Procesverbali 08 deklaron 519 fletë të papërdorura, por janë gjetur vetëm 310.
“Mungojnë 209 fletë. Kjo kuti votimi nuk ka lidhje me kutinë e qendrës, duket e sjellë nga zyrat e PS,” akuzoi Berisha.
QV 2614: Mungon procesverbali 07.
QV 2647: Mungojnë të gjitha fletët e papërdorura.
QV 2657: Deklarohen 290 fletë të papërdorura, por gjenden vetëm 208 – 82 më pak.
QV 2675: Gjendet një fletë pa vulë, ndërsa mungon procesverbali 08.
QV 2682: Mungon procesverbali 08.
QV 2846: Mungojnë procesverbalet 07 dhe 08. Janë gjetur 207 fletë votimi, ndërkohë që pajisja PEI regjistron vetëm 141 votues, duke krijuar një diferencë prej 66 votash të dyshimta.
Ka kaluar më shumë se një muaj nga zgjedhjet e 11 majit, dhe refuzimi për ta pranuar rezultatin është po aq i fortë sa ditët e para në selinë e Partisë Demokratike. Sali Berisha nuk ka reshtur së denoncuari dhe vazhdon të publikojë nga selia e PD-së pamje filmike që dokumentojnë – sipas tij – farsën elektorale që ndodhi në disa qendra votimi.
Disa nga filmimet tregojnë skena të denja për manualin e vjedhjes së votave, jo thjesht për manipulimin e qytetarëve përmes medias, apo ndonjë shkelje të sofistikuar. Shkurt dhe qartë, filmimet tregojnë qytetarë që lëvizin brenda qendrës së votimit me dy e më shumë fletë në duar, komisionerë që futin duart në kuti dhe kontrollojnë fletët e votimit apo rrethanat, kur votohet nën kontrollin e militantëve.
E vërteta është që në zonat urbane është e vështirë, thuajse e pamundur të shihen pamje si këto më poshtë, që Lapsi i ka mbledhur të gjitha bashkë. Kryesisht denoncimet vijnë nga zonat rurale atje ku të drejtat e qytetarëve zbehen dhe ku të fortët janë institucionet reale që diktojnë jetën e banorëve.
Fletë votimi në lokalin e fshatit Pekisht
Në fshatin Pekisht në Peqin, në lokalin e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri gjenden fletë votimi dhe materiale zgjedhore. Kandidati i PD-së së Elbasanit, Bledi Himçi telefonon policinë. Kur e pyet kryeplakun e fshatit se përse mban në lokalin e tij fletë votimi, ai thotë se ia ka sjellë kandidati i Partisë Socialiste, Saimir Hasalla.
Pas denoncimit, policia e Elbasanit tha se do të kryente verifikime por si për tallje, njoftoi se kishte gjetur një pushkë sportive në shtëpinë e Dervish Beqirit dhe po e procedonte për armëmbajtje pa leje të gjuetisë sportive.
PD pretendon se prokuroria e Elbasanit po tentonte ta manipulonte ngjarjen, pasi fletët e votimit ishin origjinale, ndërsa materialet zgjedhore ishin të vulosura.
Sinan Patozi, miku i Taulant Ballës me thasët me vota
Sinan Patozi është identifikuar nga Partia Demokratike si një militant i Partisë Socialiste me banim në Itali. Nuk dihet se si, por ky person nga mitingjet e Taulant Ballës me diasporën përfundoi si punonjës i DHL, duke ngarkuar thasët me zarfat e votave të emigrantëve shqiptarë në Itali.
PD shpërndau për mediat videot nga rrjetet sociale të Sinan Patozit, i cili ngarkon votat e emigrantëve shqiptarë, ndërsa në komente nuk ka ngurruar të mburret se “i mbush” vetë votat.
“Në dore e ke thesin o Sinan, shyqyr të erdhi rasti” i shkruan një nga miqtë e tij dhe Sinani me sinqeritet i përgjigjet “Ajo dihet, unë i plotësoj”. Për PD ky ishte një rast flagrant dhe nuk është rastësi që patronazhisti Sinan Patozi kalon nga mitingjet e Taulant Ballës në diasporë në transportin e thasëve me zarfave të emigrantëve.
“Ju e shikoni njeriun e Taulant Ballës, jo me një votues por me punonjës të DHL-së. Ju e patë personin, edhe në takim me Taulant Ballën edhe në foto dhe kjo dëshmon qartë për duart e zeza të Partisë së krimit brenda DHL-së. Këtu jemi brenda DHL-së, punonjës, jemi brenda” shprehej Berisha.
“Po bleni vota? Filmimi i shkurtër i tre personave
Screenshot
Një video tjetër që sipas PD tregon patronazhistët që shpërndajnë para është një filmim që zgjat pak sekonda, ku duken dy gra dhe një burrë që mbajnë në dorë disa letra dhe largohen nga dera e një shtëpie për të hipur në makinë. Gruaja që i filmon dëgjohet të thotë “Vazhdoni blini vota”, ndërsa një nga personat e filmuar i përgjigjet “Ne kemi punët tona”.
Gjatë konferencës me gazetarët në selinë e PD, Berisha u shpreh se filmimi është bërë në Babrru dhe tregon një ekip patronazhistësh që shpërndajnë para për vota, megjithëse nuk i identifikoi këta persona.
Dy pensionistët që ia kanë marrë kartat e identitetit
Dy pensionistë nga Shkodra, Ludovik dhe Marie Rrethi denoncojnë se si një punonjës i postës Besmir Lepi u kishte marrë kartat e identitetit një javë para zgjedhjeve, me pretekstin se do t’ia tërhiqte pensionin, por ende nuk ia kishte kthyer dokumentat. Të dy të moshuarit thonë se karta e identitetit u duhej për të votuar, por punonjësi i postës refuzonte t’ia kthente.
Denoncuesi: Kush jeni, si e keni emrin?
Qytetari: Lodovik …
Denoncuesi: Lodovik kush …
Qytetari: Lodovik Rrethi.
Denoncuesi: A doni me votu nesër…
Lodovik Rrethi: Po ishalla…
Denoncuesi: A keni kartë?
Lodovik Rrethi: Jo. E kam kartën por na e ka marrë ai mjeshtri…
Denoncuesi: Si e ka emrin …
Lodovik Rrethi: Besmiri … te posta.
Gentian Ndoj: Kartën tënde kush e ka marrë?
Lodovik Rrethi: Besmiri.
Gentian Ndoj: Besmiri … Pse nuk ta kthen kartën Besmiri…
Lodovik Rrethi: Nuk di gjë, puna e tij. Ai nuk i hedh lekët ai…
Gentian Ndoj: A të duhet karta ty…
Lodovik Rrethi: Më duhet nesër, kismet …
Gentian Ndoj: Pse të duhet karta…
Lodovik Rrethi: Me votu.
Gentian Ndoj: Sa kohë ka që ta ka marrë kartën?
Lodovik Rrethi: Ka 1 javë.
Qytetarja: Marie Rrethi.
Denoncuesi: Sa vjeç je?
Marie Rrethi: 78.
Denoncuesi: Pensionin a e ke marrë
Marie Rrethi: Jo.
Denoncuesi: A don me votu nesër?
Marie Rrethi: Po nesër, për Zotin do të mi bin se s’bën more, s’ka ka ja man. Unë atë ja du.
Denoncuesi: Ç’ka?
Marie Rrethi: Kartat i du në shtëpi.
Denoncuesi: Kush ua ka marrë kartat …
Marie Rrethi: Ky Besi na i ka marrë.
Denoncuesi: Ku punon ai.
Marie Rrethi: Don lek.
Denoncuesi: Çfarë lekësh?
Marie Rrethi: Lekët e pensionit…
Denoncuesi: Tash sa kohë ua ka marrë kartat.
Marie Rrethi: Ka tash 1 javë, tash ni javë po them unë se, kartat janë marrë ma tepër.
Denoncuesi: Pra, ai ua ka marrë kartat dhe nuk ua kthen.
Marie Rrethi: Nuk i kthen, për s’gjallë nuk i kthen.
Denoncuesi: A keni shku me ja kërku kartat?
Marie Rrethi: Ka shku Liku, i kam thënë Likut, çfarë është mor kështu, thotë. Duhet me ja çu Luisit, Luis Lazrit, për me i pru te shpia.
Denoncuesi: E çfarë i ka thënë ai për kartat.
Marie Rrethi: I ka thënë du me ja çu asaj. Mi jep mor mu, i ka thanë kartat. Jo jo i ka thënë, do ja çoj atje, se do i çoj dhe lekët. As ka pru lekë, as ka pru karta.
Denoncuesi: Pra, ju s’keni kartë?
Marie Rrethi: Jo në shtëpi. Jo, jo atje i ka, ai vetë i ka marrë. Hala vaki s’më ka bë kështu.
Karta identiteti të hedhura në Petrelë
Në filmimin e mësipërm, që u publikua në selinë e Partisë Demokratike janë 10 karta identiteti të flakura në rrugë. Berisha tha se filmimi është kryer në Petrelë, ndërsa kartat janë përdorur nga komisionerët e Partisë Socialiste për të mbushur kutitë e votimit, ose mund t’i jenë marrë votuesve të identifikuar të Pd-së për të mos i lejuar të votojnë në 11 Maj.
Votuesi del nga dhoma e fshehtë me dy fletë votimi
Filmimi më lart nuk ka nevojë për shumë sqarim. Në pak sekonda, shihet se si një votues del nga dhoma e fshehtë me dy fletë votimi në duar, një shkelje flagrante e ligjit.
Votuesi që lëviz gishtin me simbolikën e revoles
Video më lart është kryer në një qendër votimi dhe tregon dy persona duke biseduar me komisionerët. Njëri prej tyre ndërsa është duke folur, lëviz gishtin duke imituar shkrepjen e një pistolete. Për Sali Berishën, një filmim i tillë shërben si dëshmi për atmosferën e terrorit në të cilën u gjendën komisionerët e opozitës që kishin përballë bandat më të rrezikshme në vend.
Komisioneri kontrollon votuesin në dhomën e fshehtë
Kjo është qendra e votimit 2283, fshati Përparim në Peqin. Këtu duket se si një person nxjerr kartën e identitetit për t’u identifikuar, por pasi merr fletën e votimit, një prej komisionerëve çohet dhe e shoqëron për në dhomën e fshehtë derisa sheh votën e qytetarit. Sipas Berishës ky është rasti kur qytetari i ka marrë paratë për votën, ndaj e lejon komisionerin që ta verifikojë votën e tij.
Komisioneri nxjerr votën nga kutia
Ky është një moment tjetër në të njëjtën qendër votimi 2283, në fshatin Përparim në Peqin. Një prej komisionerëve kërkon të verifikojë një votë, ndaj e kap kutinë, e kthen përmbys, kap me gishta një votë, e nxjerr jashtë dhe sheh për kë është plotësuar.
“Tani qetësohet. U zbulua se si ka votuar personi për të cilin ai është porositur. I ka marrë paratë personi, prandaj do kontrollohet nëse i meritoi paratë apo jo” ishte shpjegimi që i dha Berisha.
Komisioneri shkon të kontrollojë votën e qytetares
Në videon më lart, nga e njëjta qendër votimi në fshatin Përparim të Peqinit, duket se komisionerët kanë pasur për detyrë të kontrollonin votën e personave të caktuar. Sapo një qytetare ka hyrë në qendrën e votimit, një prej komisionerëve është çuar në këmbë dhe e ka ndjekur pas për të verifikuar votën e saj.
Një person voton me 4 fletë votimi
Një person voton 4 herë në qendrën e votimit në Peqin. Madje për të mos u lodhur, komisionerët i afrojnë edhe një karrige në dhomën e fshehtë. Kjo hapësirë që supozohet të garantojë fshehtësinë e votës, mbushet nga disa persona të tjerë që vëzhgojnë, ndërsa personi mbush votat njëra pas tjetrës. Shikoni filmimin më lart.
Person me dy vota në duar
Në videon më lart duket një person që lejohet të mbushë dy fletë votimi. Ai lëviz qetësisht në qendrën e votimit dhe duket që komisionerët i japin dy fletë votimi, duke e lejuar t’i plotësojë që të dyja.
I riu nxjerr votën nga qendra e votimit, pretendimi i PD për “tren bullgar”
Filmimi i mësipërm ka provokuar debate të shumta, për pretendimin që ka shfaqur Partia Demokratike, sipas së cilës ky është fillimi i “trenit bullgar”, një mënyrë e Partisë Socialiste për të kontrolluar votën e qytetarëve. Në filmim shihet një djalë i ri që merr një fletë votimi të vulosur dhe ikën jashtë qendrës së votimit.
Sipas opozitës këtu nis edhe mekanizmi i quajtur “treni bullgar”. Fleta e votimit plotësohet jashtë dhe i jepet një qytetari që pranon të votojë një parti në këmbim të parave apo i shantazhuar.
Qytetari hyn në qendrën e votimit me fletën e plotësuar në xhep. Merr një fletë votimi të pastër dhe shkon në dhomën e fshehtë. Aty nxjerr nga xhepi fletën e plotësuar dhe mban fletën e pastër. Në kuti hedh fletën e plotësuar që e kishte marrë jashtë dhe dorëzon fletën e pastër.
Për ta nisur trenin duhet që një fletë votimi të nxirret jashtë nga qendra e numërimit me vulë dhe opozita thotë se kjo është pikërisht çfarë ka bërë personi në video.
Emigrantët votues të PD ankohen për sorollatjen para 11 Majit
Më lart janë dy intervista të emigrantëve shqiptarë në Greqi që ankohen për sorollatjen që iu bë me votat. Ata thonë se ishte e vështirë të merrje zarfin, pasi posta nuk kishte garantuar dërgesën dhe marrjen e zarfit me votën siç e përcakton ligji. Njëri prej tyre ankohet se zaraft u shpërndanë në disa pika bastesh dhe kazino, diçka e papranueshme për qytetarët e thjeshtë.
Komisionerë që mbikqyrin votues
Edhe këtë të hënë, Sali Berisha vazhdoi me denoncimin e videove, një përmbledhje të të cilave e shfaqi në selinë e PD, të njëjtën që Albana Vokshi ia kishte shfaqur eurodeputetëve në Komitetin e Stabilizim Asociimit në Bruksel.
“Kur e panë këtë video, ata i krahasuan zgjedhjet në Shqipëri me Zimbabven para 30 vitesh” u shpreh Berisha.
Denoncimet e opozitës përfshijnë një spekter më të gjerë parregullsish, ku bëjnë pjesë punësimet e militantëve, përdorimi i resurseve shtetërore për fushatën e 11 Majit, falja e gjobave para ditës së votimit, kapja e mediave, keqpërdorimi i prokurorëve si Altin Dumani për të burgosur liderët e opozitës etj.
Megjithatë filmimet e mësipërme tregojnë se përdhunimi ka shkuar akoma më thellë në ato zona ku nuk ka nevojë as për të kapur SPAK, as për media të paguara. Mjafton një stilolaps dhe kutitë mbushen me aq vota, sa të ketë nevojë partia./Lapsi.al
Sali Berisha ka vijuar me denoncimet për atë që ai e konsideron si “farsë elektorale”, ku ka publikuar pamje të tjera nga qendra e votimit në Elbasan dhe Peqin. Nga pamjet denoncohet votimi familjar, ku një person mbush fletët për të gjithë familjen, marrin udhëzime nga komisionerët, apo komisionerët kontrollojnë edhe votat para se zgjedhësit […]
Të martën, Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë do të kthehet në qendër të vëmendjes, jo për sport apo tifozë, por për politikën. Partia Demokratike, që vijon të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, ka fituar të drejtën për hapjen dhe hetimin e 2,240 kutive të votimit.
Fillimisht, do të hapen 96 kuti nga qarku i Elbasanit, por jo për rinumërim. Këto kuti do të kontrollohen për të verifikuar pretendimet e opozitës lidhur me të ashtuquajturin “treni bullgar”, duke hetuar nëse në disa qendra votimi ka më shumë vota sesa votues të regjistruar.
Pas Elbasanit, procesi do të vijojë me një rinumërim maratonë për qarkun e Tiranës, Fierit dhe 275 kuti të qarkut Durrës. Fillimisht do të numërohen votat për partitë dhe më pas, në një fazë të dytë, do të bëhet numërimi i votave për kandidatët.
Nga ana e opozitës, Partia Demokratike shpreson që ky proces të sjellë prova për atë që e cilëson si “farsë elektorale”. Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa, theksoi se partia synon të vërtetojë manipulimin e zgjedhjeve, ndërsa kandidatët janë të lirë të ndjekin interesin e tyre individual për renditjen.
Nga kampi socialist, tensioni mungon. PS e konsideron këtë proces si të pakuptimtë, duke theksuar se opozita nuk paraqiti prova konkrete gjatë gjithë procesit të shqyrtimit në KAS. Elena Xhina, përfaqësuese ligjore e PS në KQZ, deklaroi se të gjitha pretendimet e PD-së ishin thjesht hipotetike dhe të bazuara në denoncime të mediave sociale.
Beteja e fundit ligjore për këto zgjedhje tashmë ka kaluar në Kolegjin Zgjedhor, ku opozita shpreson të gjejë mbështetje për rrëzimin e rezultatit të 11 majit.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur hapjen e kutive të votimit në bashkitë Gramsh dhe Peqin, pas kërkesës së Partisë Demokratike, e cila ka paraqitur dyshime për parregullsi të evidentuara në pamjet filmike të procesit zgjedhor.
Vendimi për rinumërimin e votave u mbështet nga dy anëtarët e PD në KAS, të cilët argumentuan se ka indicie që kërkojnë verifikim të mëtejshëm të rezultatit zgjedhor në këto zona.
Sipas përfaqësuesit të PD-së në KAS, Çefa, në pamjet filmike të siguruara nga procesi i numërimit janë konstatuar momente që ngrenë dyshime të forta për manipulim apo mosrespektim të procedurave zgjedhore, çka ka çuar në vendimin për rihapjen e kutive dhe rinumërimin e votave.
KAS, ka vendosur hapjen e kutive të votimit në Peqin dhe në Gramsh. Gazetarja Elda Menga, raporton se me kërkesë, të dy anëtarët e KAS Ledio Braho dhe Elvis Çefa, vendoset hapja e të gjitha kutive të votimit te KZAZ 52 Gramsh dhe KZAZ 45 Peqin.
Në total, janë 96 kuti votimi.
Koalicioni opozitar PD-ASHM, paraqiti provat për ‘trenin bullgar’, votim familjar.
“Duke qenë se nga vëzhgimi i videove ka dyshime që ka eventualisht parregullsi në procesin e votimit, shfrytëzuam të drejtën që na jep Kodi, vendosëm të pranojmë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe votimit për KZAZ-të e Peqinit dhe Gramshit”, u shpreh Elvis Cefa.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i është përgjigjur zyrtarisht Partisë Demokratike, lidhur me kërkesën për verifikimin e fletëve të votimit të papërdorura, në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në përgjigjen e firmosur nga Komisioneri Ilirjan Celibashi, saktësohet se janë 99,455 fletë votimi të papërdorura që u përkasin 233 qendrave të votimit, të cilat gabimisht janë raportuar si “0” në procesverbalet përkatëse.
Sipas KQZ-së, numri total i fletëve të papërdorura është 1,935,328, bazuar në të dhënat zyrtare të raportuara nga çdo qendër votimi.
KQZ thekson se këto pasaktësi, burojnë nga gabime në plotësimin e procesverbaleve nga komisionet e Qendrave të Votimit dhe se të gjitha sqarimet janë bërë në kuadër të transparencës dhe verifikimit të rregullsisë së procesit zgjedhor.
Përgjigja e KQZ ndaj PD:
I nderuar Z. Nuri
Në përgjigje të kërkesës tuaj lidhur me verifikim të menjëhershëm të fletëve të votimit të përdorura për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025, ju informojmë se :
Numri prej 1,935,328 fletë votimi të papërdorura përfshin vetëm sasinë e raportuar të këtyre fletëve sipas procesverbaleve të çdo QV-je.
Këtij numri i duhen shtuar edhe:
27,340 fletët e votimit për 74 QV, ku ështe aplikuar votimi elektronik, ZAZ Nr.27 (Bashkia Vorë) dhe ZAZ Nr. 41 (Njësia Administrative 10, Tiranë). Sikurse mund të kuptohet edhe këto fletë votimi nuk janë përdorur;
99,455 fletë votimi të papërdorura që përbëjnë sasinë e këtyre fletëve për 233 QV, në procesverbalet e të cilave gabimisht është shënuar me “0” numri i fletëve të papërdorura;
5,369 janë fletë votimi të papërdorura por që numrat e tyre në test llogjik vlerësohet se janë pasqyruar me gabime në procesverbalet përkatëse për çdo QV (janë 1,380 QV që kanë raportuar këto të dhëna me gabime).
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin
Kandidati i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka folur për zhvillimet e fundit paszgjedhore të 11 majit. Alimehmeti u pyet në intervistën televizive nëse duhet të dorëhiqet Berisha pas humbjes që shihet deri tani në rezultatin e numërimit nga Partia Demokratike.
Alimehmeti ka thënë se është i bindur se do ta marrë mandatin në Tiranë,dhe nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, ai ka thënë se kjo çështje duhet të diskutohet në forume dhe se ai nuk e ka tagrin për të dhënë këtë përgjigje.
“Pavarësisht se si shkon përfundimi final, do të ketë një analizë nga forumet më të larta të partisë. “Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar. Në radhë të parë, ju e dini që thirret kryesia, pra kryesia diskuton dhe sjell pjesën e vet, e më pas e sjell ose në Kuvend Kombëtar, ose në Këshill Kombëtar.
Kështu që do të presim zhvillimet në këtë drejtim; nuk do të marr tagër unë për të folur në këtë drejtim. Interesi im në këtë moment është sa më shumë votë për PD-në në qarkun e Tiranës. Shumë analistë na kanë thënë se s’marrim më shumë se 12 mandate, ndërkohë rezultati sot tregon të kundërtën – analistët duhet të na kërkojnë falje.”-tha Ilir Alimehmeti, kandidat i PD për Tiranën.
Dy persona janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë fotografuar fletët e votimit. Blutë po punojnë për kapjen e tyre. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 shpallën në kërkim shtetasit M. M., 36 vjeç dhe V. D., 55 vjeçe, pasi dyshohet se kanë fotografuar fletët […]
Dy incidente janë regjistruar në Qarkun e Kukësit, ku një 19-vjeçar është proceduar nga policia për shkeljen e fshehtësisë së votimit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19-vjeç, banues në fshatin Shoshaj.
Ai akuzohet për publikimin e fotografisë të fletës së tij të votimit në rrjete sociale, duke shkelur ligjin për ruajtjen e fshehtësisë së votës.
Po ashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori për një tjetër rast, ku u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 18-vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ai kishte tentuar të hyjë me forcë në një Qendër Votimi (VNV nr. 11) gjatë natës dhe kishte kundërshtuar punonjësit e policisë që nuk e lejuan të hynte.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
DVP Kukës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19-vjeç, banues në fshatin Shoshaj, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, pasi ka publikuar në rrjete sociale, fotografi të fletës së tij të votimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. Sh., 18-vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi gjatë natës, ka tentuar të hyjë me forcë në VNV nr. 11 dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë që nuk e kanë lejuar të hyjë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ka përfunduar zyrtarisht orari i votimit për zgjedhjet parlamentare 2025 në Shqipëri.
Qytetarët të cilët nuk kanë mundur të votojnë, nuk do të kenë më mundësinë pas orës 19:00, përveç atyre që deri në ato momente ndodheshin në qendrat e votimit.
Numërimi i votave pritet që të nisë në momentin kur të gjitha kutitë të jenë mbledhur në zonat përkatëse, ndërsa në njësinë 10 dhe në Vorë, ku u bë votim elektronik, përgjigjet do të dalin menjëherë, por KQZ ka vendosur që t’i bëjë publike mëngjesin e së hënës.
Komisioni Rregullator pritet të zhvillojë një mblidhjepër të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për shtyrjen e orës së votimit në qytetin e Vlorës. Dega e PS në Vlorë ka kërkuar që votimi të shtyhet deri në orën 22:00, për shkak të zhvillimit të garës çiklistike të ‘Giro d’Italia’ që do të mbajë rrugët të bllokuara gjatë orëve të paradites.
Mësohet se Komisioni pritet të mblidhet rreth orës 17:00 në mënyrë që të merret një vendim për tëmundësuar një zhvillim të qetë të procesit zgjedhor në qytetin e Vlorës.
Ditën e sotme 11 maj 2025, në Shqipëri po mbahen zgjedhjet parlamentare. Sipas informacioneve policore, një konflikt mes dy shtetasve është regjistruar në ambientet pranë shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori”, ku është ngritur QV 0871, Fushë-Milot.
Personat e përfshirë në përplasje, janë identifikuar si Kastriot Preng Perdoda dhe Asti Lleshi.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka nisur fillimisht brenda perimetrit të sigurisë së qendrës së votimit në formën e një debati verbal mes dy personave.
Më pas, konflikti ka vijuar jashtë këtij perimetri, ku dyshohet se shtetasi Kastriot Perdoda, ka shtënë një herë në ajër me armë zjarri.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa forcat e rendit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të situatës.
Në shkollën “Besëlidhja” në Lezhë është ndërprerë përkohësisht procesi i votimit pas një incidenti që përfshiu një qytetare me aftësi të kufizuara. Gruaja kërkoi ndihmën e një familjari për të ushtruar të drejtën e votës, por kjo u refuzua nga komisioni. Në vend të kësaj, komisioni i ofroi një person tjetër që po priste në radhë për ta ndihmuar.
Pas diskutimeve mes anëtarëve të komisionit, u vendos që fleta e parë e votimit e plotësuar prej saj të shpallej e pavlefshme. Më pas, votuesja u lejua të marrë një fletë të re dhe të votojë me ndihmën e mbesës së saj. Procesi i votimit ka vijuar normalisht pas zgjidhjes së situatës.
Policia e Tiranës arrestoi një 34-vjeçar i cili fotografoi fletën e votimit dhe e postoi në rrjetet sociale.
Efektivët e komisariatit Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Renato Feri, 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale.
I arrestuari ka qenë polic i rrugores dhe është përjashtuar nga radhët e policisë pas një ngjarjeje të ndodhur dy vjet më parë kur ai nuk i ishte bindur një urdhri të Shqiponjave për të ndaluar teksa ecte me shpejtësi tej normave të lejuara.
Siç duket nga fleta e votimit që 34-vjeçari ka publikuar në rrjet ai ka votuar për PS dhe ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha.