Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Nga 15 gushti nis edicioni i parë i Festivalit ‘Via Dinarica Kosovo’

Nga 15 gushti 2025, në Sheshin e Akademikëve në Pejë, do të mbahet edicioni i parë i Festivalit “Via Dinarica Kosovo”.

Ky festival shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar, i cili ka revitalizuar shtegun ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik, ndërsa është përkrahur edhe nga bizneset lokale me grante. Festivali do të zgjasë tre ditë, më 15, 16 dhe 17 gusht.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfshihen në aktivitete të ndryshme në natyrë, si vrap malor dhe hiking, të ndjekin lancimin ose premierën e dokumentarit të zhvilluar në shtegun Via Dinarica Kosovo, të dëgjojnë muzikë live dhe DJ të vizitojnë ekspozita arti dhe panaire të produkteve lokale.

Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për publikun, pa bileta.

Sipas njoftimit, hapja zyrtare do të mbahet të premten, duke filluar nga ora 18:30. Në skenë do të jenë: përfaqësuesja e Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadori i Italisë për Kosovë; kryetarët e komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtori për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësues të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin.

‘Mirror’: Zbuloni Rivierën Shqiptare – nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara 

 Me kasolle buzë detit, rërë të bardhë të valëzuar dhe ujëra bruz, destinacioni evropian është krahasuar me ishullin e bukur të Azisë Jugore – që është një “hit” për turistët.

Plazhet me rërë të bardhë e të pastër dhe ujërat kristalore në Rivierën Shqiptare konsiderohen nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”, shkruan Matt Jackson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.

Dhërmiu shquhet si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje rëre prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon.

Baret buzë detit ofrojnë birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.

Megjithatë, më në jug ndodhet Ksamili, i konsideruar si “Maldivet e Evropës” në mediet sociale.

Plazhet si Pema e Thatë janë bërë gjithashtu të njohura për turistët – falë kasolleve të ngritura në plazh.

Këto kasolle, të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, janë bërë një sensacion viral në TikTok.

Një amerikane që ëndërronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Evropë zbuloi një destinacion mahnitës të ngjashëm me Maldivet – ku birrat kushtojnë vetëm 1,50 paund.

Cepee Tabibian u largua nga Teksasi për në Spanjë kur mbushi 35 vjeç, por vetëm vitin e kaluar ajo zbuloi destinacionin e bukur evropian që ajo pretendon se shumë amerikanë nuk e njohin ende.

Artikulli i botuar në CNBC, zbulon se Cepee kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë përpara se të zgjidhte të kalonte një muaj në vendin ballkanik.

Cepee i kushtoi një muaj kryeqytetit, Tiranës, ndërsa eksploroi edhe vijën bregdetare të Shqipërisë.

Ndërsa Cepee pranon se Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, ajo këmbëngul se ky vend plotëson shumë kritere – për individët që duan të shkëmbejnë jetën në SHBA me Evropën.

Cepee e vlerësoi Shqipërinë për koston e përballueshme të jetesës dhe peizazhet mahnitëse.

“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje”, shkroi ajo.

Cepee tha se shpenzimet e ushqimeve, të të ngrënit jashtë dhe kujdesit mjekësor e bëjnë Shqipërinë një mundësi tërheqëse për personat që duan të punojnë si nomadë digjitalë apo pensionistët.

Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të zhvillojnë turne nëpër Alpe, si dhe në detin Adriatik në perëndim dhe në detin Jon në jug.

“Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia. Në një ditë të kthjellët, ju mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me target”, shtoi ajo.

“Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë”, tha Cepee.

Cepee, gjithashtu, vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit – pas izolimit të saj nën regjimin komunist deri në vitin 1992. /atsh/ KultPlus.com

Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka magjepsin publikun në Porto Palermo Festival

Porto Palermo Festival solli një mbrëmje të paharrueshme në Kalanë e Ali Pashës, ku qielli dhe deti u mbushën me tingujt e muzikës klasike shqiptare.

Dy prej emrave më të njohur të skenës, tenori Kastriot Tusha dhe pianisti Ardian Trebicka, u bashkuan në një koncert që tejkaloi kufijtë e një performance të zakonshme.

Në repertor u ndërthurën serenata të ëmbla dhe perla të muzikës së kultivuar shqiptare, të cilat, në sfondin magjik të mureve shekullore dhe valëve të detit, morën një jetë të re. Çdo notë dhe melodi përcolli emocione të thella, duke u kthyer në histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të rikthyera për publikun.

Ky koncert la pas një ndjesi të fortë se arti dhe natyra, kur bashkohen, krijojnë përjetime që mbeten gjatë në shpirt./KultPlus.com

Nga Olimpiadat në xhungël: Historia e Johnny Weissmuller, Tarzanit kampion olimpik

Para se të bëhej i famshëm në Hollivud si Tarzani në 12 filma, Johnny Weissmuller shkëlqeu në sportin e notit, duke u bërë një nga notarët më të suksesshëm të shekullit XX.

Ai fitoi pesë medalje të arta olimpike në vitet 1924 dhe 1928, si dhe një medalje bronzi në sportin e ujit me top (water polo).

Në vitin 1922, Weissmuller bëri histori duke u bërë personi i parë që notoi 100 metra stil i lirë për më pak se një minutë, me kohën rekord 58.6 sekonda. Gjatë karrierës së tij sportive vendosi gjithsej 67 rekorde botërore.

Pas suksesit në pishina, ai u kthye në një ikonë të kinemasë, duke mishëruar rolin e Tarzanit dhe duke i dhënë jetë një prej figurave më të dashura të ekranit të madh.

Ky kombinim i talentit sportiv dhe karizmës filmike e bën Johnny Weissmuller një nga legjendat më unike të sportit dhe artit botëror./KultPlus.com

Did you know Tarzan was an Olympic champion? 🥇

Before becoming a Hollywood star, Johnny Weissmuller, who played Tarzan in 12 movies, won five Olympic golds in swimming, and became the first person ever to swim the 100m freestyle in under a minute. 🏊#Olympics @WorldAquatics pic.twitter.com/9HwFUsfw6A

— The Olympic Games (@Olympics) August 13, 2025

Kori i Filharmonisë së Kosovës debuton në Gjermani me koncert në Hamburg

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të hapë sezonin e ri artistik me një paraqitje të veçantë dhe njëkohësisht debutimin e tij në Gjermani.

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Hamburg, koncerti do të mbahet më 8 shtator 2025 në Hauptkirche St. Petri (Bei der Petrikirche 2, 20095 Hamburg), duke nisur nga ora 19:30, përcjellë KultPlus.

Nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, kori do të prezantojë programin “Horizonte”, një udhëtim muzikor që ndërthur breza dhe kultura. Në repertor përfshihen vepra nga tradita ndërkombëtare korale, si dhe krijime të kompozitorëve kosovarë nga gjenerata e dytë e deri tek përfaqësuesit e shkollës së re të muzikës.

Ky koncert pritet të jetë një mundësi e veçantë për prezantimin e artit koral të Kosovës në një skenë prestigjioze gjermane, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve./KultPlus.com

Sekretet e “Bohemian Rhapsody”: Historia, kuptimi dhe lidhjet e fshehta

Më 31 tetor 1975, bota dëgjoi për herë të parë “Bohemian Rhapsody”, kryeveprën e Freddie Mercury-t dhe grupit Queen. Në vitin 2018, filmi biografik i Queen-it u publikua pikërisht në këtë datë, si homazh për momentin historik.

Titulli i këngës kombinon dy koncepte: “Rhapsody” , një formë muzikore e lirë, e ndarë në pjesë të ndryshme dhe “Bohemian” term që lidhet me figurën e lirë e rebele, por edhe me historinë e Faustit, personazhit që i shet shpirtin djallit në veprën e Goethe-s.

Sipas interpretimeve, kënga është një rrëfim metaforik për jetën e vetë Freddie Mercury-t, ndarë në shtatë pjesë muzikore: nga balada e butë, te opera dramatike dhe kulmi rock. Teksti përshkruan një njeri që bën një “pakt me djallin”, përballet me frikë, faj dhe shpëtim shpirtëror. Referencat përfshijnë figura biblike, opera klasike dhe simbole të numerologjisë – kënga zgjat 5 minuta e 55 sekonda, një numër që lidhet me transformimin shpirtëror.

“Bohemian Rhapsody” nuk është thjesht një këngë, por një udhëtim artistik i mbushur me simbole, që ka fituar statusin e kryeveprës së muzikës moderne dhe është votuar shpesh si kënga më e mirë e të gjitha kohërave./KultPlus.com

Aro Muriç transferohet zyrtarisht te Sassuolo në Serie A

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muriç, është zyrtarisht pjesë e Sassuolos, skuadra italiane që këtë sezon është rikthyer në Serie A. Për 25-vjeçarin kjo është aventura e parë në futbollin italian, pas eksperiencave në Angli, Turqi, Spanjë dhe Holandë.

Muriç ka nënshkruar një marrëveshje huazimi njëvjeçar, ndërsa Sassuolo do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit të tij pas një viti për shumën prej 10 milionë euro.

Ky transferim pritet t’i japë portierit kosovar një mundësi të re për të treguar vlerat e tij në njërën nga ligat më të forta të botës./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kinës ekspozon dokumente të rralla të Luftës së Dytë Botërore

Biblioteka Kombëtare e Kinës (NLC) ka hapur një ekspozitë të veçantë kushtuar dokumenteve dhe materialeve historike nga Lufta e Rezistencës së Popullit Kundër Agresionit Japonez (1931-1945).

Ekspozita sjell tekste, artefakte, arkiva të dixhitalizuara dhe seanca interaktive, duke pasqyruar rezistencën e popullit kinez ndaj pushtuesve japonezë. Materialet e ekspozuara janë rezultat i një projekti të nisur në vitin 2012 për ruajtjen e arkivave nga periudha revolucionare.

Vizitorët mund të përdorin kode QR për të qasur në burime dixhitale mbi ngjarje kyçe, të krijojnë stema përkujtimore, materiale koleksioni dhe të lënë mesazhe në një mur të dedikuar.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 tetor, zhvillohet edhe në shtatë biblioteka të tjera në provincat Hebei, Jiangsu, Zhejiang dhe Hubei. Sipas NLC-së, deri në korrik janë kataloguar e publikuar 2,714 vëllime me dokumente lufte nga Lufta e Dytë Botërore./KultPlus.com

Ne tani do të ikim pak nga pak

Sergej Esenin
Ne tani do të ikim pak nga pak


Ne tani po ikim pak nga pak që këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim.
Mbase, shpejt edhe unë do duhet të ngre
Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.

Pyje të dashura mështeknash!
Ti tokë! E ju, rërëra të ultësirave!
Përpara kësaj turme në vrapim
Nuk mund ta fsheh melankolinë.

Kam dashur shumë në këtë botë,
Gjithëçka që vesh mish dhe shpirt.
Paqe mështeknave që hapin degët
E pasqyrohen në ujin e trëndafiltë.

Për mjaft mendime kam rënë në heshtje,
Shumë këngë brenda vetes kompozova.
I lumtur jam mbi këtë tokë të zymtë
Për gjithçka që jetova dhe frymova.

I lumtur jam që kam puthur gra,
Që shtypa lule, u shtriva mbi bar,
Dhe që nuk qëllova kurrë në kokë
Motrat tona kafshët, si i marrë.

E di që atje nuk lulëzojnë zabelet,
Nga qafa e mjellmës thekra s’fëshfërin
Ndaj para turmës së vrapuesve unë
Provoj gjithmonë rrëqethje, dridhërim.

Unë e di se në atë vend s’do të ketë kurrë
Fusha të tilla flokëverdha nën mjegulla krejt.
Edhe pse njerëzit për mua janë të dashur
Dhe jetojnë me mua mbi këtë tokë të shenjtë./KultPlus.com

Sami Mulaj nderohet me Çmimin Letrar të Karrierës nga Akademia “Troci-al”

Poeti i njohur shqiptar, Sami Mulaj, është vlerësuar me Çmimin Letrar të Karrierës nga Akademia “Troci-al”, si njohje për kontributin e tij shumëvjeçar në letërsinë shqipe. Në një reagim publik, Mulaj shprehu mirënjohje të thellë për këtë çmim, duke e cilësuar si “nder, frymëzim dhe gëzim” që e ndan me të gjithë ata që e kanë lexuar dhe mbështetur në rrugëtimin e tij poetik.

Me këtë rast, ai publikoi edhe poezinë “Krusha e Madhe”, kushtuar veprimtarit dhe mendimtarit të shquar Ukshin Hoti, i cili prej 26 vitesh mbetet pa një varr. Poezia përshkruan me tone të dhimbshme dhe metaforike mungesën e stinëve, luleve e dritës në vendlindjen e Hotit, si simbol i humbjes dhe plagës që nuk shërohet.

Ky vlerësim e vendos Mulajn mes zërave të rëndësishëm të poezisë shqipe, me një krijimtari që prej dekadash ka prekur zemrat e lexuesve./KultPlus.com

Peja mirëpret edicionin e parë të Festivalit “Via Dinarica Kosovo”

Nga 15 deri më 17 gusht 2025, Sheshi i Akademikëve në Pejë do të jetë nikoqir i edicionit të parë të Festivalit “Via Dinarica Kosovo”, një ngjarje që shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar për revitalizimin e shtegut ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik. Projekti është mbështetur edhe nga bizneset lokale përmes granteve.

Programi i festivalit do të përfshijë aktivitete të shumta në natyrë, si vrap malor dhe hiking, premierën e dokumentarit të xhiruar përgjatë shtegut, muzikë live dhe DJ, ekspozita arti dhe panaire të produkteve vendore.

Të gjitha aktivitetet do të jenë falas dhe të hapura për publikun. Hapja zyrtare do të mbahet të premten në ora 18:30, me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadorit të Italisë në Kosovë; kryetarëve të komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtorit për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësuesve të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin./KultPlus.com

Taylor Swift shpall albumin e ri “The Life of a Showgirl”

Taylor Swift njoftoi të martën se do të publikojë një album të ri: “The Life of a Showgirl.” Njoftimi surprizë për albumin e saj të 12-të origjinal erdhi në mënyrë dramatike, ndërsa një orë numërimi mbrapsht në faqen e saj të internetit përfundoi në orën 12:12 të mëngjesit.

Në një video të publikuar në Instagram, që jep një vështrim të shkurtër të paraqitjes së Swift në podcastin “New Heights” të Travis Kelce, të bashkë-prezantuar me vëllanë e tij Jason Kelce, Swift nxori një valixhe ngjyrë mente me inicialet “TS” të shkruara me portokalli, duke thënë: “Ky është albumi im i ri.” Ajo nuk tregoi se kur do të publikohet albumi apo ndonjë informacion tjetër rreth tij. Fansat do të duhet të presin edhe pak për të parë dhe dëgjuar më shumë kur paraqitja e shumëpritur e Swift në podkastin “New Heights” të publikohet të mërkurën në orën 7 pasdite me orën Lindore.

Pas Swift, në skenën e “New Heights”, ndodheshin disa libra me kopertina ngjyrë portokalli që përmbanin veprat e artistëve Jean-Michel Basquiat, Marc Chagall dhe Ruth Asawa, të cilët mund të jenë ndikime apo referenca për muzikën e saj të re.

E njohur për përfshirjen e “Easter eggs” apo shenjave të fshehta përpara publikimeve të saj, Swift shkaktoi një shpërthim spekulimesh të hënën pasi në Instagram u publikua një karusel me 12 foto. Mbishkrimi thoshte: “Duke menduar për kur ajo tha ‘Shihemi në epokën tjetër…’”

Njoftimi surprizë përkoi me një zbulim të bërë të hënën mbrëma, ku u bë e ditur se Swift do të bashkohej me Travis Kelce, të dashurin e saj dhe lojtarin e Kansas City Chiefs, si dhe me vëllain e tij për një episod të “New Heights,” pas paralajmërimit se një i ftuar “shumë i veçantë” do të merrte pjesë në episodin e së mërkurës. Empire State Building në qytetin e Nju Jorkut u ndriçua me ngjyrë portokalli, ngjyra e kopertinës së re të albumit të Swift, të martën në mbrëmje. Një mbishkrim në llogarinë zyrtare të ndërtesës në Instagram shkruante: “Në epokën tjetër.”

Ky është albumi i parë i Swift që nga përfundimi i turneut të saj rekordthyes Eras Tour në dhjetor. Ai është i disponueshëm për porosi paraprake në faqen zyrtare të Swift në format fizik: vinyl, kasetë dhe CD.

Albumi më i fundit i Swift ishte “The Tortured Poets Department,” një album i dyfishtë me 31 këngë që ajo e njoftoi në vitin 2024 gjatë turneut Eras dhe ndryshoi listën e këngëve të performuara për të përfshirë edhe ato nga albumi i ri. “The Life of a Showgirl” do të jetë publikimi i saj i parë që kur ajo u bë pronare e plotë e gjithë katalogut të saj muzikor, rreth gjashtë vite pasi protestoi për shitjen e masterëve të saj nga ish-shtëpia diskografike.

“Të thuash që është ëndrra ime më e madhe që është realizuar, është në fakt një mënyrë e përmbajtur për ta thënë,” shkroi Swift, duke shtuar se ishte në gjendje të “riblerte” muzikën e saj nga Shamrock pas suksesit të turneut Eras Tour. Shitja e masterëve të gjashtë albumeve të para të Swift tek producenti Scooter Braun dhe kompania e tij Ithaca Holdings në vitin 2019 ishte e diskutueshme, me Swift që pretendonte se ishte kapur në befasi dhe nuk iu dha mundësia të blinte katalogun në atë kohë. Braun këmbënguli se ekipi i saj ishte në dijeni për marrëveshjen që po ndodhte.

Kjo e shtyu këngëtaren që të rimerrte kontrollin e muzikës së saj në mënyrën e vet, duke premtuar se do t’i rixhironte albumet. Ajo vazhdoi të publikonte ato që i quajti “Taylor’s Version” për albumet “Red,” “Speak Now,” “Fearless” dhe “1989.” Me secilin album “Taylor’s Version”, ajo përfshiu edhe këngë të papublikuara më parë, që i quajti “nga kasaforta.”/CNN/KultPlus.com

100 vite nga lindja e Bik Ndojës, zaambli i jares shkodrane, fisniku i traditës së kangës dhe qytetarisë

Shkruan Albert Vataj

Kur thue Shkodra, mundesh me nënkuptu tançka përfaqson kyt gurthemel të rand të historisë, kulturës, traditës dhe qytetarisë.

Kur përmend Shkodrën, mundet me ndërmend gjithçkaqë që asht ngjiz dhe ka marrë vullnesë krenie në t’gjallt e t’pasionuemit, bijt e bijat e këtij qyteti, njiksaj përkatësie, e cilla ma shum’ se gjeografike, mundet me ken shpirtnore dhe artistike, siç diti me dëshmu dhe me xan vend në faqet e lavdishme të historisë si gurthemel i rand i kaprcyelleve.

E ndërsa lyp me dallue prej tan atyne yjeve qi kan shndrit qiellin mëkimit të naltuar në shpirtje shkodrane, tue e nusnue këtë amë legjendash, ma i shndritshmi vezullim n’ta asht jarja shkodrane. E kur nëpër këtë tempull të muzikës kërkon me gjet nji emën, nji za, nji prej atyne qi e kanë këndue dhe e naltue këtë mjeshtëri të krijimit, do ta kesh sa t’pamujtun njaq edhe sfiduese. Gjithqysh, prej atyne që u përfaqësuen, e jarja shkodrane u mori njaq sa dhe u dha, nji za i gjithpranum në këtë virtuozitet interpretues, asht Bik Ndoja. Shpirti i tij krijues dhe tansia mëkuese përgjat nji jete në skenën e kangës dhe në ëndjen e adhurimit, u plazmu duke mbetun tash e përgjithmon të pashlyem, shkodrane, n’traditën e jares dhe shqiptare, n’galerinë e veprave që morën status thesari kombëtar.

Bik Ndoja, jo vetëm me jaren, por me tan pasuninë shpirtnore që mori jetë kah kanga, mujti me i dhan njat za qi kishte me mbet ma i epërmi, ma i andshmi, ma i duartrokituni në skenën shqiptare dhe asaj botnore. Bik Ndoja kishte lindun për me këndu dhe kurrgja nuk mujti me e ba njat za me pushue, e njat zemër me rrah me dashni pa cak. Ai u ngjit në apogje dhe shndriti si yll, pa arritun për me shkëlqy si n’skenë njashtu edhe në podet e nderimeve dhe titujve, edhe pse meritoi ndoshta ma shumë se gjithkush tjetër. Shndriti me virtuozitetin e interpretimit të jares shkodrane, njashtu siç shndrin në ag nji diell qi lind tue dëbu terrin.

Bik Ndoja bani jetën e nji njeriu t’përkorë, pa ankime dhe trazime, megjithëse rreth tij, siç nuk i munguen njerëz qi e vlerësuen talentin, u gjindën ndër ta qi u rreken ta pengonin në ngjitjen e këtij ylli n’qiellin e vet. Por ai nuk u dha, nuk e shterri zanin e tij të magjishëm, nuk e la atë shpirt artisti dorzan dredhive dhe smirës. Gjithqysh ai triumfoi.

Në vitin 1969, Bik Ndojës i’u akordua titulli “Artist i merituar”.  Plot 30 vite më vonë, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, duke qenë ky vlerësimi i fundit së gjalli. Në lëmin e meritave vlen të përmendet fakti se që nga viti 2011, dosja “Mjeshtri i Madh” pret në institucionin e Presidencës, për t’iu akorduar ndoshta pas vdekjes.

Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja, u lind në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925 për t’u shue më 27 dhjetor 2015. Ishte dhe mbetu lëvruesi dhe përçuesi i jares shkodrane, këtij visari të papërsëritshëm, kësaj urëbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit, traditës dhe bashkëkohjes në artin e këndimit./KultPlus.com

Manifesti radikal i fshehur në kryeveprën e vitit 1884 të Georges Seurat

Veprat më të mëdha të artit e shohin aktin e të parit ndryshe. Nga “Portreti i Arnolfinive” i Jan van Eyck-ut (1434), me pasqyrën në formë sy-peshku që shtrembëron realitetin, te “Një bar në Folies-Bergère” i Édouard Manet-it (1882) me lojën e ndërlikuar të shikimeve dhe reflektimeve, këto piktura luajnë me perspektivën tonë dhe ofrojnë një pasqyrim të çastit dhe çuditshmërisë së botës. Disa piktura e kryejnë këtë magji më fshehurazi, pa ndonjë pasqyrë në dukje. Merrni për shembull veprën e Georges Seurat, “Banjat në Asnières” (1884), një pikturë që, në vështrimin e parë, duket si një përshkrim i thjeshtë i verës, por që, me një vrojtim më të thellë, e çjerr perceptimin tonë me një pasion dhe intensitet që e bën po aq të rëndësishme sot sa ç’ka qenë ndonjëherë.

Në pamje të parë, kjo pikturë gjigante me përmasa 2m x 3m, shumë më e madhe se çfarë vizitorët e galerive ishin mësuar të shihnin, duket si një festim i madh i relaksimit veror, duke përjetësuar çastet e pushimit të punëtorëve pranë fabrikave aty afër, teksa lahen në diellin që i pastron nga pluhuri i fabrikave të errëta, “mullinjtë satanikë” për të cilët ka shkruar William Blake. Drita që ndriçon lëkurën e zbehtë të punëtorëve u jep atyre një madhështi klasike, një lloj nderimi që zakonisht i rezervohej heronjve mitologjikë apo figurave historike. Por nëse shikoni më nga afër, trupat e tyre, që duken të fortë dhe të qetë, papritur fillojnë të shthuren, kthehen në një rrjet të lirshëm të pigmenteve që pulsojnë, ngjyra të pastra që duken sikur vibrojnë. Punëtorët janë në të njëjtën kohë të rëndë dhe të lehtë. Nën duart e Seurat, drita, elementi më bazik i perceptimit, nuk është më thjesht ndriçim, por një substancë që mund dhe duhet të shpërbëhet dhe të rindërtohet. Kjo pikturë nuk është thjesht një skenë e pushimit veror, ajo është një analizë e thellë e iluzioneve që na verbojnë, një përpjekje për të hequr velat sociale dhe psikologjike që formojnë mënyrën si e shohim botën. Ajo sheh në brendësi të jetës së gjërave.

Për të zbuluar kuptimet e fshehura të pikturës, na nevojitet një çelës dhe një udhërrëfyes. Fatmirësisht, Seurat na i ka dhënë të dyja, të fshehura në vend të dukshëm, pranë qendrës së pikturës. Aty, mbi supet e përkulura të një djaloshi pa këmishë, me flokë të sheshta nën një kapele të portokalltë, ndodhet një oxhak i hollë që nxjerr tym, një nga shumë oxhaqet që çajnë qiellin e nxehtë. Ky oxhak, që në njëfarë mënyre ndërpret vizionin e Seurat, është edhe arsyeja që ky vizion ekziston. Ai buron nga një nga fabrikat në lagjen Clichy, qendër e prodhimit të qirinjve në Francën e shekullit XIX, një industri shumë fitimprurëse e bërë e mundur falë shkencëtarit Michel Eugène Chevreul, kimist francez që formuloi një teori për ngjyrat me ndikim të jashtëzakonshëm. Pikërisht mbi këtë teori është ndërtuar çdo centimetër i kësaj pikture.

Kur Seurat filloi punën për “Banjat në Asnières” në vitin 1884, ai ishte vetëm 24 vjeç, i trajnuar në École des Beaux-Arts, një ndër shkollat më prestigjioze të artit në Paris. Gjatë studimeve, ai has për herë të parë idetë e Chevreul mbi ngjyrën, të përmbledhura në traktatin “Ligji i kontrastit të njëkohshëm të ngjyrave” (1839). Chevreul arriti në përfundimin se vendosja përkrah njëra-tjetrës e dy ngjyrave komplementare e bën secilën më të gjallë. Ky ishte një zbulim i thjeshtë por revolucionar, që ndikoi në art dhe shkencë.

Ndryshe nga impresionistët që e përdorën këtë teori si frymëzim poetik, Seurat e pa atë si një ligj shkencor që duhej zbatuar me përpikëri. Ai e konceptoi pikturën si një provë matematike të ligjit të Chevreul, duke vendosur ngjyrat me kujdes të madh: mishin portokalli pranë ujit blu-jeshil, barin me tone lejla të verdhë, vijat blu rreth lëkurës së ngrohtë të djemve, të gjitha për të krijuar kontrast dhe vibrim vizual.

Në këtë mënyrë, Seurat shfrytëzon ngjyrën për të shuar dallimet shoqërore, duke e zbuluar “shpirtin e ngjyrës”, të pastruar nga paragjykimet. Ky përpunim i saktë i pigmentit çoi në shpikjen e pointilizmit, teknika me pika të vogla që përzihen në syrin e shikuesit, jo në paletën e artistit. Kjo teknikë debutoi plotësisht te piktura e tij e famshme pasuese “E diela në La Grande Jatte” (1884). Edhe pse “Banjat” nuk u pikturua fillimisht me pika, Seurat u kthye mbi të më vonë (1886–87) për të shtuar këto “pikla”, sidomos nuanca blu kobalti në kapelen e djaloshit që thërret me duar te goja, duke e bërë të “vibrojë” para syve tanë.

Që nga fillimi, Seurat ishte i vendosur që kjo pikturë të mos ishte thjesht një tjetër pamje verore, por një manifest vizual që shpallte një mënyrë të re të të parit botën, larg formave të jashtme, drejt ngjyrës së pastër dhe perceptimit të sinqertë. Ai bëri dhjetëra skica me vaj dhe vizatime me laps, i bindur se kjo do të ishte vepra që do ta vendoste në piedestal. Ai e paraqiti atë në Salon-in zyrtar, por u refuzua.

Megjithatë, nuk u dorëzua. U bashkua me artistë të tjerë të refuzuar si Paul Signac dhe Odilon Redon, dhe së bashku krijuan Grupin e Artistëve të Pavarur, duke organizuar një ekspozitë alternative. Por, për fat të keq, përmasat e mëdha të pikturës dhe dendësia e ekspozitës (me mbi 400 vepra) bënë që piktura e Seurat të vendosej në një qoshe pa rëndësi dhe të mos merrte vëmendjen që meritonte. Kritikët e kohës ishin konfuzë: njëri tha se “nuk guxonte të tallej me të”, ndërsa një tjetër e quajti “e shëmtuar”, “vulgare” dhe “e keqe në çdo drejtim”.

Do të kalonin 50 vjet derisa kjo pikturë të njihej si një moment i rëndësishëm në historinë e artit. Pas shumë vitesh në duar private, në vitin 1924 u ble nga “Galeria Tate” në Londër, gjë që i dha profil të ri. Kur u vendos siç duhet në një hapësirë muzeale, ku vizitorët mund ta sodisnin siç duhej, “Banjat në Asnières” filloi të shihej për atë që është vërtet: një distilim i bukurisë së verës dhe një mrekulli moderne e të parit./BBC/KultPlus.com

Hugh Laurie në rolin e Albus Dumbledore në “Harry Potter: Audiobook Edition – Complete Cast”

Në prill të vitit 2024 u njoftua se librat e famshëm “Harry Potter” do të rikthehen në formatin audiolibër, por këtë herë me një risi të madhe: çdo personazh do të interpretohet nga një aktor i ndryshëm. Ky projekt i ri ambicioz, i titulluar “Harry Potter: Audiobook Edition – Complete Cast”, do të përfshijë më shumë se 200 aktorë dhe premton një përvojë krejtësisht të re për dëgjuesit e sagës magjike.

Një nga lajmet më të mëdha rreth kësaj produksioni është përfshirja e aktorit të njohur Hugh Laurie në rolin e Albus Dumbledore. Sot, në rrjetet sociale zyrtare të “Harry Potter”, u publikua traileri i parë zyrtar, ku mund të dëgjohet zëri i Laurie duke interpretuar një nga rreshtat ikonike të drejtorit të Hogwarts-it, transmeton KultPlus.

Për më tepër, Entertainment Weekly ndau një fotografi ekskluzive të aktorit gjatë regjistrimeve, ndërsa Laurie shpreh emocionet e tij për këtë rol:

“Është një nder për mua që më është besuar çelësi i Albus Dumbledore, dhe jam i lumtur që kam mundësinë ta sjell në këtë interpretim të bukur të Pottermore dhe Audible. I kam shumë të pranishëm paraardhësit e mi në këtë rol, Richard Harris, Michael Gambon, Jude Law, si dhe rrëfimet ikonike të Jim Dale dhe kolegut tim Sir Stephen Fry. Po afrohet edhe koha e të fuqishmit John Lithgow, i cili do ta luajë Dumbledore në serinë e re televizive. Është një shoqëri e mrekullueshme, dhe është një privilegj të jem mes tyre.”

Ky projekt i ri vjen si rezultat i një bashkëpunimi mes Pottermore Publishing dhe Audible, dhe do të sjellë librat e J.K. Rowling në një format që i afron edhe më shumë me teatrit audio, duke ndërtuar një përvojë që kombinon pasionin për letërsinë me interpretimin e lartë artistik./KultPlus.com

Buda, Krishti, Pitagora dhe Galileu, të pushtetshmit e mëdhenj që na çelën dyert e mendjes dhe të shpirtit

Shkruan Albert Vataj

Bertrand Russell, në analizën e tij të pushtetit, zgjedh katër figura që, sipas tij, kanë pasur ndikimin më të thellë në historinë e njerëzimit: Buda, Krishti, Pitagora dhe Galileu. Ky është një kuartet i pazakontë, jo sepse ata nuk meritojnë vendin, por sepse nuk përfaqësojnë tipin klasik të pushtetarëve që historia na ka mësuar të kujtojmë, nuk janë perandorë, as gjeneralë, as sundimtarë të fuqishëm me ushtri dhe territore. Përkundrazi, janë njerëz që e kanë përmbysur botën pa shpata, pa kala dhe pa trupa ushtarësh.

Pushteti i tyre nuk ishte për të sunduar, por për të çliruar.

Buda dhe Krishti u drejtuan zemrave dhe ndërgjegjeve të njerëzve, duke treguar rrugën për të mposhtur lakminë, pasionin e verbër dhe dëshirat që sjellin përçarje. Ata nuk luftuan kundërshtarë politikë, por zinxhirët e brendshëm që mbajnë shpirtin të robëruar. Ata nuk ofruan thjesht një moral të ri, por një mënyrë tjetër të qenit në botë, ku liria vjen nga brenda.

Pitagora dhe Galileu, nga ana tjetër, nuk u drejtuan te morali i brendshëm, por te ligjet e jashtme të universit. Ata nuk na çliruan nga frika e vetvetes, por nga frika e të panjohurës. Pitagora, me harmoninë e numrave dhe idenë se ekziston një rend i përjetshëm në natyrë, e hapi mendjen e njerëzimit drejt një bote të kuptueshme. Galileu, duke kthyer shikimin nga yjet dhe duke guxuar të thotë se Toka nuk është qendra e gjithësisë, i dha njerëzimit një horizont të ri të dijes dhe një guxim të ri për të vërtetën.

Russell thekson se asnjëri prej tyre nuk pati mbështetjen e shtetit në fillim, madje shpesh u përballën me kundërshtimin e tij. Ky është një mësim i heshtur për natyrën e vërtetë të ndikimit: pushteti i përhershëm nuk lind nga dhuna, por nga ideja; nuk mbështetet te frika që imponohet, por te shpresa që ndizet.

Në një botë ku shpesh pushteti shihet si aftësia për të kontrolluar trupat dhe tokat, Russell na kujton se pushteti më i madh është ai që hap dyert e mendjes dhe të shpirtit. Ai është pushteti që nuk skllavëron, por çliron; që nuk të urdhëron të përkulësh kokën, por të ngritësh sytë.

Në fund, mesazhi i tij është i kthjellët: njerëzit nuk drejtohen nga dhuna dhe lufta, por nga urtësia që prek dëshirën e përbashkët për lumturi, paqe dhe kuptim. Kjo është arsyeja pse katër figurat që ai zgjedh i përkasin një bote të përtejshme të historisë, një bote ku pushteti është akt dashurie dhe akt besimi në mundësinë që njeriu të bëhet më i lirë./KultPlus.com

‘Është pothuajse si një armë’: Si biondja është kthyer në simbol dëshire dhe rreziku

Që nga vajza e ëmbël amerikane deri te mbretëresha e ftohtë e platinit, dhe nga Jean Harlow te Sydney Sweeney, biondja bombë ka qenë një figurë me shumë dimensione, dhe shpeshherë e diskutueshme në kulturën popullore. Flokët e grave kanë qenë prej kohësh të ngarkuara me një fuqi dehëse, që nga Meduza me koka gjarpërinjsh në mitologjinë greke, pamja tronditëse e së cilës i kthente viktimat në gur, te pikturat viktoriane të tunduesve me flokë të valëzuar dhe grabitësve gotikë me flokë të egër e të papërmbajtur. E mishëruar nga femra fatale me shumë grim si Theda Bara dhe Louise Glaum, “vampiri” me flokë të errët bëri rrugën e saj në filmat e hershëm të viteve 1920, derisa ardhja e zbardhuesit të flokëve e zëvendësoi atë me një ikonë të re kulturore: biondja platin, me flokët e saj të përkryer që shkëlqenin në filmat bardh e zi.

Një libër i ri, “British Blonde: Women, Desire and the Image in Postwar Britain”, nga historiania kulturore Lynda Nead, shqyrton se si biondja me flokë të zbardhur u bë një simbol kompleks i dëshirës dhe rrezikut, që nga origjina e saj në SHBA, e përfaqësuar më së miri nga Marilyn Monroe, deri te figurat e ndryshme britanike si Diana Dors dhe Barbara Windsor. “Biondja dukej se ishte aq e rëndësishme, nuk ishte thjesht një detaj i vogël që mund ta injoroje; më dukej se ishte ajo që përcaktonte këto fytyra dhe imazhe të njohura”, thotë Nead, profesore e Historisë së Artit në Institutin Courtauld për BBC. Kultura perëndimore, sipas saj, ka ndërtuar një mitologji të tërë rreth biondisë femërore, nga ikonografia fetare dhe përrallat, deri te arti dhe reklamat, që kanë rrëfyer histori të caktuara për atë që do të thotë të jesh bionde.

Në vitet e hershme të kinemasë, komeditë si “Platinum Blonde” (1931) dhe “Bombshell” (1933), me Jean Harlow në rolet kryesore, e futën konceptin e biondes mahnitëse dhe shkatërruese në gjuhën e përditshme kulturore. “Ideja që je një bombë, është pothuajse si një armë”, thotë Nead. “Nga njëra anë, është një lloj ideali, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu kërcënuese.”

Para Harlow, kishte një tjetër bionde, me një pamje më natyrale në skenë: Mary Pickford, kaçurrelat e ambra të së cilës i fituan asaj nofkën “E dashura e Amerikës”. Por ndërsa Pickford luante vajzën e pafajshme që priste të shpëtohej, biondja me peroksid e Harlow ishte më e fuqizuar, duke hapur rrugën për femrat fatale me flokë të çelët në filmat noir të viteve 1940, si Veronica Lake dhe Barbara Stanwyck, të cilat portretizonin gra tërheqëse por dinake, që përdornin bukurinë dhe zgjuarsinë për të manipuluar burrat. “Blonde Ice” (1948), me Leslie Brooks si një grua tradhtare, mashtruese dhe vrasëse, përfitonte nga popullariteti i stereotipit të “mbretëreshës së akullt bionde”, ku flokët e artë të protagonistes binin në kontrast me qëllimet e saj të errëta. Ky konstrukt u rikthye në thriller-in “Basic Instinct” (1992), ku Sharon Stone luan Catherine Tramell, e dyshuara për një vrasje që arrin të joshë edhe hetuesin e saj.

Flokët biondë, që zakonisht errësohen me kalimin e kohës, sugjerojnë një shkëlqim dhe pafajësi fëmijërore që ndihmon në mashtrimin e karakterit fatale. Në “The Postman Always Rings Twice” (1946), për shembull, Cora Smith (e luajtur nga Lana Turner) josh të dashurin e saj për të ndihmuar në vrasjen e bashkëshortit, ndërsa pamja e saj e përsosur dhe flokët biondë maskojnë karakterin e saj të paskrupullt.

“Biondia është diçka që është projektuar si ideal brenda standardeve perëndimore të bukurisë”, thotë Nead, gjë që në kontekstin e ideologjive të superioritetit racor të bardhë, është “jashtëzakonisht problematike”. Vetëm këtë muaj, shfaqja e aktores bionde Sydney Sweeney në një reklamë për markën e xhinseve American Eagle, që bëri një lojë fjalësh me “genes” dhe “jeans”, duke thënë se ajo “kishte gjene të shkëlqyera”, u kritikua nga disa si një referencë ndaj eugjenikës, teoria e diskredituar që synonte “përmirësimin” e racës njerëzore përmes përzgjedhjes gjenetike. American Eagle i hodhi poshtë këto akuza, duke deklaruar se slogani “ka qenë dhe është për xhinset. Xhinset e saj. Historia e saj”.

Pavarësisht këtyre nënkuptimeve shqetësuese, në Britaninë e pasluftës, ngjyra bionde për flokë u pa nga shumë gra të bardha si një pasaportë drejt një bote glamuroze dhe materiale, që ndjehej fuqizuese pas viteve të varfërisë dhe kursimeve. Kultura konsumeriste kaloi përtej Atlantikut, me reklama për bojë flokësh Clairol që theksonin fuqinë e biondes mbi burrat dhe ftonin gratë të “ndryshonin për të magjepsur” me slogane si “Nëse kam vetëm një jetë, më lejoni ta jetoj si bionde”.


Megjithatë, biondet e ngjyrosura duhej të punonin shumë për të ruajtur pamjen e tyre tërheqëse. Regjimi i vazhdueshëm i rilyerjes ishte pjesë e dualitetit intrigues të flokëve biondë, të cilët simbolizonin “si pastërtinë absolute ashtu edhe artificin e plotë”, shkruan Nead në libër. “Paqartësia qëndron në zemër të biondes britanike,” vazhdon ajo. “Një sipërfaqe përsosmërie fsheh, si hije të saj, të ndaluarën dhe të rrezikshmen, të bëra të dukshme nga rrënjët e errëta të biondes së lyer, të cilat ekspozojnë thyerjen e maskaradës femërore, të ekranit të feminitetit të përsosur.”

Për biondet britanike, si aktorja dhe simboli seksual Diana Dors (1931-1984), ishte e vështirë të ecnin jashtë hijes së Monroe. Edhe pse ato kishin rol kyç në formësimin e identitetit të tyre, siç vëren Nead, ishin të dënuara të mbeteshin “në vendin e dytë pas biondes amerikane”. Të ndikuara nga linjat e klasës britanike, ato morën forma dukshëm të ndryshme. Dors, për shembull, ishte më ekstravagante se homologët e saj amerikanë. “Ajo e mbart biondinën pothuajse deri në pikën e karikaturës,” shkroi Daily Mail në vitin 1956. Një tjetër figurë, Barbara Windsor nga Londra, e njohur për rolet komike në filmat “Carry On”, mishëroi një bionde më lozonjare dhe gazmore. E njëjta gazetë (cituar në libër) e përshkroi atë si “një përzierje e theksuar mes pafajësisë së rreme dhe seksualitetit të hapur”. Ky personazh përmblidhet në një imazh publicitar për filmin komik “Crooks in Cloisters” (1964), ku Windsor shfaqet me sy të hapur, veshur me një negligé babydoll dhe shapka të mbuluara me pupla, me flokët e saj të bardhë të ngritura në një beehive të fryrë.

Romanca e kinemasë me të ashtuquajturën “bionden budallaqe” nuk e ka penguar atë të sfidojë stereotipin. Në fillim të filmit “Legally Blonde” (2001), me Reese Witherspoon në rolin e Elle Woods, i dashuri i saj e braktis për shkak të pritshmërive të ulëta. “Nëse do të bëhem senator, duhet të martohem me një Jackie, jo me një Marilyn,” i thotë ai. Por gjykimi i tij del plotësisht i gabuar, pasi Elle pranohet në shkollën e drejtësisë dhe shkëlqen. Megjithatë, edhe shumë nga rolet e Marilyn Monroe sugjerojnë një thellësi të fshehur, duke zbuluar ndjeshmërinë dhe inteligjencën e saj. Në “Gentlemen Prefer Blondes” (1953), Esmond Sr, i ati i të fejuarit të Lorelei Lee, interpretua nga Monroe, befasohet nga mendjemprehtësia e saj. “Më thanë se ishe budallaqe. Nuk tingëllon kështu për mua!” i thotë ai. “Mund të jem e zgjuar kur është e rëndësishme,” përgjigjet ajo. “Por shumica e burrave nuk e pëlqejnë këtë.”

Ndoshta është pikërisht sepse biondet shpesh nënvlerësohen që ato bëhen femme fatales perfekte. Në “To Die For” (1995), Nicole Kidman luan Suzanne Stone, një prezantuese ambicioze moti. Këtu, naiviteti i sajuar dhe paraqitja e saj e ëmbël ndihmojnë në fshehjen e ambicieve të pamëshirshme, por kur e vërteta del në pah, titujt si “tunduesja bionde” shërbejnë si paralajmërim. Në fund të fundit, duket se kultura e mban anën e biondes, të cilën e nënvlerësojmë në rrezik tonin. Siç këndoi Dolly Parton në vitin 1967: “Kjo bionde budallaqe nuk është budallaqe për askënd.”/BBC/KultPlus.com

Odiseu, një vazhdim modern, pjesa 1

Poezi nga Nikos Kazantzakis

Më pas mishi u tret, shikimet u ngurtësuan, rrahjet e zemrës u ndalën,
dhe mendja e madhe kërceu në majë të lirisë së saj të shenjtë,

fluturoi me krahë bosh, pastaj drejt nëpër ajër

u ngjit lart dhe u çlirua nga kafazi i saj i fundit, liria e saj.

Gjithçka si mjegull e brishtë u shpërnda derisa vetëm një britmë e guximshme

për një moment të shkurtër mbeti e varur në ujërat e qeta të errësirës:

“Përpara, djemtë e mi, lundroni përpara, sepse flladi i Vdekjes fryn me erë të mirë!”/KultPlus.com

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe disidente e regjimit komunist

Më 13 gusht të vitit 1983, ndërroi jetë Musine Kokalari.

Ajo ishte një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, që do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare.

Në vitin 1939, ende në auditor, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, pas botimit të librit të saj të dytë “Rreth vatrës”, do të niste një kalvar përndjekjeje për familjen e saj. Më 12 nëntor të atij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më pas, do të arrestonin edhe Musinenë, e cila u mbajt në burg për 17 ditë. Pas arrestimit të janarit 1946, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. Në vitin 1981 u sëmur rëndë dhe pas dy vjetësh ndërroi jetë. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në shkurt të vitit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori në dorëzim nga familja Kokalari një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike. Ky korpus i veprës së Kokalarit iu bashkëngjit fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj. Në Arkivin Qendror Shtetëror strehohen dorëshkrime të shumta të Musinesë, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë”./atsh/KultPlus.com

‘Kuartet buzë detit’ – Rikthimi i Parasite 2.0 në Shqipëri

Në Galerinë e Bregdetit është hapur ekspozita “Kuartet buzë detit”, një projekt që shënon rikthimin e kolektivit artistik Parasite 2.0 në Shqipëri. Kjo vepër sjell një përvojë unike për vizitorët, ku skulptura dhe tingulli ndërthuren për të krijuar një ambient të gjallë, eksperimental dhe ndijor.

Instalacioni përfshin katër sisteme zëri të rindërtuara, gramafonë dhe disqe vinili të përzgjedhur me kujdes, që bashkëveprojnë si një kuartet jazz-i. Kombinimi i tyre gjeneron tekstura zanore spontane dhe atmosferike, duke transformuar hapësirën në një eksperiencë imersive.

E kuruar nga Elian Stefa, ekspozita shqyrton marrëdhënien mes muzikës dhe arkitekturës, duke e trajtuar tingullin si një element që jo vetëm plotëson hapësirën, por edhe i rikthen jetë sistemeve tradicionale të zërit, duke i lidhur me origjinën e tyre autentike. Projekti është mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./KultPlus.com

❌