Investime në bujqësi dhe ujitje në Himarë: Denaj takon fermerë të zonës
TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me fermerë të zonës Horë-Vranisht në Bashkinë Himarë, ku u diskutua mbi mënyrat e bashkëpunimit midis fermerëve dhe blegtorëve, me synimin për të forcuar kapacitetet prodhuese dhe për të rritur aksesin në tregjet bujqësore.
Gjatë takimit, ministrja vuri në dukje rëndësinë e paketës së re të financimit, e cila vjen në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve.
Kjo paketë ofron mbështetje të konsiderueshme për sektorin bujqësor, duke përfshirë një grant deri në 50%, kredi të butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane që mundësojnë mbulimin e kolateralit deri në 70%.
Masa të tilla synojnë të lehtësojnë aksesin në financim dhe të nxisin investimet në bujqësi, sidomos në zonat rurale.
Në vijim të diskutimit u trajtuan edhe çështjet që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat Sasaj–Lukovë–Shën Vasil, Horë-Vranisht, përgjatë lumit Shushicë dhe në zonën e Borshit.
Investimet në këto sisteme prekin një sipërfaqe prej mbi 900 hektarësh tokë bujqësore dhe synojnë garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për çdo hektar të punueshëm.
/r.e/
The post Investime në bujqësi dhe ujitje në Himarë: Denaj takon fermerë të zonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.